Bajram Gashi

Intervistuar nga: Iliriana Blakaj

Bajagi shumë i di do sene se meniherë mas, mas lindjes tem... si thmi, bâba m’ka dekë n’spitalin e Prishtinës

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

01.05.2018

Lokacioni i intervistës

Prishtinë

Vendi i lindjës

Prishtinë

Tranksriptimi

IB: Në kuadër të projektit “100 Pleq e Plaka”, sot, jemi në Prishtinë. Data është një mars dymijë e tetëmbëdhjetë [2018] dhe jemi së bashku axhën Bajram Gashi, i cili është tetëdhjetë e tre [83] vjeçar. 

Axha Bajram faleminderit shumë që pranut’ me qenë pjesë e intervistës. 

BG: S’ka nevojë me m’falemnderu hiç. 

IB: Po fillojmë me pytje bazike... m’u prezantu edhe nî herë prej fillimit. Edhe nî herë emrin, mbiemrin, datën kur keni lind’ dhe vendin ku keni lind’?

BG: Une jom Bajram Gashi. I lindur n’Matiqan, afër Prishtinës, viti nimi’ e nonqind e tridhetë e pesë [1935], me pesëmdhetë [15] dhetor. 

IB: Çka po na tregoni për fmininë tuj’ t’hershme... për familjen at’herë?

BG: Poj... kisha... kisha shumë me folë, po s’muj. Veç shkurt po i bie pak. 

IB: Jo, ti fol shlirë. Çkado që ki me tregu. 

BG: Jo, jo. Pej juve, pej thminie. Bajagi shumë i di do sene se meniherë mas, mas lindjes tem... si thmi, bâba m’ka dekë n’spitalin e Prishtinës, n’katërdhetë e nishën [‘41]. Ka fillu Lufta e Dytë Botnore. Si thmi t’vogël, qashtu me nânë me skâme t’madhe... e na nxuni Lufta e Dytë Botnore. Metëm na thmia vetën. Unë jom vet i treti [3] vlla, dy [2] m’kanë dekë, veç unë jom met’ halê. N’Luftën e Dytë Botnore ikën. Vllau i madh shkoi n’katun. Shkoi n’Marevc se u tutshum me nejt pej shkive, pej sërbve. Na dy [2] vllaznia e vogël metëm me nânën. Ka hi bugari, qȋ i thojshëm ‘bugari’, e njek’ke gjermanin pej ktuhit. Jena kânë na thmija, gratë, pleqë... jena metë ktu n’katun. Jena kon’ tubue n’ni sobë t’madhe, sikur sot m’kujtohet, me nȋ plak. Ato e kena pasë... jo mixhë, pak ma larg se mixhën. Ai u kon’ ardhë pej Serbijës, n’nimijë e tetëqnd e shtadhetë e gashtën [1876]. Atje ka lind’ veç tani ktu u dekë. E ai u kon’ metë me neve. Plak u kânë. Janë hi... bugart’ na kanë hi, na kanë torturue, anej- knej me serbt’ e katunit. Po. Edhe serbë ka pasë, po ka pasë t’mirë edhe at’here... njerz janë kânë edhe ata. Ka pasë... nȋ shkâ, nȋ serbi i atjehit, na ka marrë neve krejt robve, jena kânë nja pesë-gjashtëmdhetë [15-16] a tepër, na ka çu n’shpi t’vet shkau. Na ka strehu përderi u dalë ajo far’ tollovia e ushtrisë. Masi u qetsu pak jena ardhë nëpër shpia tona. U ardhë edhe vllau qȋ u kon’ ikë pej ktuhit edhe burrat pej ktuhit, pej katunit... secili nëpër male, nëpër... mos me i zatetë se n’atë tollovi i vrajshin. Jon’ kon’ tubue. Kur e ceka bâbën tem që u kânë... n’katëdhet e nishën [‘41] qȋ u dekë, n’spitalin e Prishtinës, me... me nȋ thânje qȋ e kanë vra se na kanë thânë, “Osht’ i smutë”. U kânë n’spital. Mu m’kujtohet pak, pak. Kanë thânë, “Hajde se bâba osht’ shnoshë e hajde merrne...”, n’kit’ spitalin ku osht’ Ministria e Shëndetsisë. Mu m’kujtohet sikur sot kur jom hi atje me shku me marrë me vllazni, me vllâ... e kur shkum thanë, “Jo, mos hajdni hiç”. Na çun’ nȋ tjetër... nȋ tjetër njeri se “U dekë valla bâba”. Na thirrën “Hajde merrne”, kur shkum t’nesrit “Jo valla, u dekë!”. Duket aty... se ja kanë dhânë nȋ ineksion bâbës tem edhe nȋ (Bujar Navës) t’Butovcit. I kanë mytë. Doktori i ka mytë. Me fjalët e nȋ shkaut n’katun aty, nȋ dhanërr i tyne, ai ka intervenue “Hjeki kta”... se bâba n’kohën e at’hershme ish kânë nȋ kogjobash a ça i kanë thânë n’ato kohnat at’here para Luftës s’Dytë Botnore. I ka tubu armët e shkijve. Ja’u ka marrë, i ka tubue se... se gjithë i kanë tubue, e masanej (tani po du me lidhë me ato, me bâbën) vllau i jem ka hjekë krejt n’vên’ t’bâbës tem... se bâba shkoi. Po tani serbt’ u çunë peshë. Masi u kthym na pej maleve, masi u qetsum kishe pak e murën vllaun tem. “Jo, ami pushkt.”, secilli pej t’katuneve, “Bâba yt ma ka mârrë pushkën”, ‘‘Po, e ka mârrë, po bâba ka dekë!’’.   

IB: Edhe kshtu fminia e hershme... 

BG: Kurrë hiç rahat jo. 

IB: Po ma vonë a keni shku n’shkollë...?

BG: E tash masanej... masanej kom shku n’shkollë serbisht se shqip n’Matiqan s’ka pasë, veç shkollën fillore e kom kry serbisht. Gjimnazin dy [2] vjet e kom krye serbisht’, n’televiziorin e Prishtinës. Masanej jom martue. E kom lânë gjimnazin n’gjysë. E kom krye masanej me shkollë t’natës, ashtu qȋ gjimnazin e kryva, gjimnazin e Prishtinës. Masanej jom punsue.

IB: E cilat janë kujtimet e juja gjatë shkollimit?

BG: Gjatë shkollimit pak kujtime kom se ke shkurt se u martova. Sa kesh n’shkollë um martun t’mitë, pa m’vetë hiç. Jo. Veç m’kanë thânë, “Jo valla, po t’martojna”. Unë isha n’shkollë. Muj me ju thânë... nâna u kânë edhe vllau, “Jo” me i thânë m’ka ardht marre, veç i kom rrudhë kraht’. Jom martue. Jom hi n’punë.  

IB: Çka keni punu?

BG: N’fillim, masi e kom kry qat gjimnazin, jom shku n’minierë t’Hajvalisë kom punue. Kom punue edhe n’Jom poshtë... a çka i thojnë asajna? Zgafellë a çka i thonë? Aty kom punu nja pesë-gjashtë [5-6] muj’. I ri jom kânë... shtatëmdhetë [17] vjeçar kur kom hi poshtë me punue se jena kânë ngusht, s’kena pasë çare pa punue dikush. Masanej jom dalë e kom krye zanatë me ndihmën e nȋ sllovenit, i cili ish menaxher n’ato kohna aty. N’pesdhetë e dyshën [‘52] dikun... n’pesdhetë e treshën [‘53] se n’pesdhetë e treshën [1953] jom hi me punue. Ai slloveni, menaxher i minierës, “I ri bre je ti me punue ktu poshtë...”, i kom thânë, “Vallahi i ri bre jom. S’po kom çare. Dikah duhet me punue dikush.’’. T’nestrit m’ka thirrë, “Hajde n’zyre teme.”, e thashë zaher’ po dojnë me m’qiët, i ri po m’hjekun krejt.”’. E tha, “Jo, ti merre zgedhe nȋ zanat dikun, se ti me punue poshtë nuk munesh.”. E kom krye zanatin elektricist. Jom shku ushtar... e kom kry ushtrinë. 

IB: Eh paskemi me u nalë tash... me u nalë pak te secila se paske shumë gjâna qȋ ke bo edhe pse kaq shumë i ri? Për kohën n’ushtri... qysh ka qenë ajo kohë?

BG: Koha e ushtrisë u kânë pak ma e fshtirë. N’fillim jo fort... jo fort. Kur jom kânë... viti u kânë nimijë e nonqind e pesëdhetë e shtatë [1957] kur jom kânë ushtar. N’Brograd jom kânë, n’Zemun n’realitet. Niherë n’Pozharevc tani m’kanë çu atje. E kom kry ushtrinë, jum ardhë te shpia. Kur jum ardhë te shpia, n’pesdhetë e nantën [‘59], kom desht me shku n’Hajvali me punu përsëri n’minierë, po ish’ kon’ mbyllë miniera e Hajvalisë. U shpërngulë n’Kishnicë atje. Une tani atje e lash, s’shkova hiç. Jom hi kom punue n’Elektro Kosovë t’sodit, at’herë i kanë thânë Elektro-Kosmet. I kom gjetë dy [2] shqiptarë edhe une jom kânë i treti [3], krejt serbë jon’ kânë. 

IB: Çfarë periudhe ka qenë ajo, në punë si elektricist?

BG: Kur jom kthye pej ushtrisë, u kânë nimijë e nonqind e pesnqind e pesëdhetë e nântë [1959], n’pestë e nântën [‘59] jom hi meniherë n’punë n’Prishtinë. Kom punu aty, po m’kanë shti niherë si puntor fizik se s’ka pasë... s’më zishin besë qȋ ka shqiptarë qȋ ka kualifikime n’ato kohna. E kur m’ka ardhë puna me shku me marrë, meta veç ty punu aty. Dikurna ju kom thânë, “A po ma jepni vendimin se unë, fizikisht, unë e kom zanatin, e kom diplomën...”- ju kom tregue. Mas nȋ kohe, mas nȋ viti m’kanë thirrë, “Hajde merre vendimin se je elektricist.’’. E m’u rrit rroga n’ato kohna e sene... u bâna mjeshtër taman, mos me shkue me punu fizikisht. Nȋ malazez u kânë sekretar i sipërmarrjes, tri [3] herë ja kom cakâtë derën, m’ka thânë, “Dil përjâshta.”, a m’ka thirrë, “Hajde merre vendimin.”. Dikurna, t’katërtën [4] herë jom hi, tha, “Pse po e bon vetën...”, thashë, “A t’cakâta n’derë bre?”, s’i harroj hiç, tha, “Kur t’thom unë hajde, at’herë ti me ardhë se edhe me cakâtë nuk guxon me hi. Kur t’thom unë hajde, at’herë ti me ardhë.”. Ma ka dhânë vendimin. E qishtu meta n’punë tani.  

IB: Qysh ke kalu n’punë n’atë kohë?

BG: N’punë... n’atë kohë kom kalu jo fort keq... jo fort’ se jom kânë pak si n’sy për t’mirë si puntorë se kom punue. Unë nuk kom zgjedhë punë. Tani masi e mora vendimin se m’u rrit rroga e isha mjeshtër zyrtarisht, at’herë kom punue... s’kom kqyrë çfarë pune, veç te kryjna punën. Mas nȋ kohe si puntor i mirë m’kanë çue n’shkollë. Ma s’pari m’thanë, “Duhet me hi n’politikë, me kânë an’tar i Partisë Komuniste.”, “Jo”, thashë, “Unë s’di çka osht’ ajo. S’di.”. “Ti”, tha, “Prano. Thuj po!”, “Ani, po thom po.”. U bâna. E m’kanë çu tani n’shkollë. Shkolla e Kumrovecit, shkollë politike e komunizmit u kânë, po jo n’Kumrovec. Herën e parë kur u çelë ajo shkollë jena kânë n’Obiliq. Krejt komunat e Prishtinës e kanë pasë ka nȋ person, edhe sipërmarrjet e mdhaja e kanë pasë ka nȋ person se s’ka mujtë gjithkush me shkue, veç kon e kanë thirrë ata. Kena hangër, kena pi, jena shkollu, kena flejt... krejt n’internat atje... edhe rrogën ma kanë çu te shpia gjithë. 

IB: Pse çka keni msu atje? Çka msojshit ma shumë?

BG: Sociologji kena msu ma s’shumti. Ma s’shumti ato e kena msu. Qysh me u gjindë, qysh me punue, qysh me u organizue, punë me bâ, me prodhue... qëso far’ sene, jo ma shumë. Eh qat’... kur e kom kry aty, jom kon’ propozue me shkue tani n’Beograd me e krye edhe fakultetin se kjo shkollë e lartë u nihke, po edhe dy [2] vjet u dufke me e krye edhe fakultetin. Jom pregatitë. Dokumentet i kom çue se m’thojshin ata n’komunitet, “Duhet me shkue.”. Mâ... veç mu nisë, “S’bon pa shkue se rrogën ta jepëm, stazhin e punës ta numrojna, rrogën ta çojna te shpia, khâ e kie pa pare n’Beograd krejt.”. 

IB: A shkove ti?

BG: Kur u pregatita me shkue nȋ mixhë nuk m’la. 

IB: Pse nuk t’la?

BG: Eh... pse s’më la?! “A e din”, tha, “për çka po shkon n’shkollë?”, nuk e harroj, thashë, “Vallahi bre”, mixha Shaban u kânë, “puna po m’çon. Rrogën po e marr edhe po shkoj po e kryj fakultetin.”, tha, “Nuk osht’ ai fakultet për juve”, “Pse bre mixhë?”, “Fakulteti...”, tha, at’herë u kânë i shkollës i Kumrovecit, “ajo osht’ shkollë për hafije”, thashë, “Tybe unë nuk di çka osht’ hafi” - tash, “Hafi me tjetër fjalë me përkthye - shkollë shpiunazhe”, thashë, “Jo, bre baca Shaban”, tha, “ Jo’ po!”, thashë, “Ani e se nuk shkoj, pra.”, tha, “Jo, qysh t’dush.”, “Nuk shkoj. S’ja marr ftyrën kurkujna hiç: bâbës e nânës”, “A qishtu koka a?’’, “Po”. Tani kom pasë problem n’punë, tani m’kanë pas qitë pej partie për kto sene krejt edhe e kryva qashtu. 

IB: Domethanë ju keni qenë edhe pjestarë i partisë?

BG: Po. 

IB: Çfarë detyrash keni pasë si pjestarë?

BG: Jo, s’kom pasë hiç, veç jom kânë antarë i komitetit, komitetit komunal. M’kujtohet mirë kur e kanë njekë Rankoviqin, jom kânë n’qët Kshillin Krahinor t’sodit, qȋ osht’... Parlamenti qȋ po mahët. U kânë halâ ndërtesa pa mallterisatë jashtë, veç n’skele. Gjithë natën kena nejt. U ardhë... Kolë Shiroka i thojshin. At’herë Tito e ka pas propozue me ardhë me thanë qi’, “Pej sodit Rankoviqi u rrzue.”.   

IB: Domethanë e ke përjetu edhe periudhën e Rankoviqit?

BG: Qysh jo...

IB: A ka qenë shumë e vështirë, a po?

BG: E Rankoviqit u kânë shumë e shtirë. A e din’ qysh? Unë si thmi... jo si thmi, po jom kânë burrë... nizet e pesë a gjashtë [25- 26’] vjeçar, po s’e kom pasë diapazonin e sodit. Qysh e kom pasë... at’herë... edhe gjithë thmija e sodit, nizet e pesë [25] vjeçart’, dijnë shumë... at’herë na s’kena ditë qishtu. Po, se kur na majshin mledhje, para se me qitë Rankoviqin, ardhshin do letra n’Komitet pej anash kufijve anenaj e kallxojshin krejt qysh... çka po bâjnë shqiptarët, shqiptarët çka po bâjnë. “Po e marrin flamurin...”, po ata shpiuna shqiptarë ishin kânë, “e po ja çojnë dikujna kon’ e kanë njet shkijet me likfidue, po ja qesin flamurin kuq e zi edhe po vijnë n’sabah edhe policia po e lidhë.”. Po, atë shqiptarët e bajshin. Me emra e mbiemra i kanë pas nxanë e i kanë pru n’qat Komitet. I kem pas shpalue nî herë. 

IB: E qysh e përjetut’ faktin që tash s’osht’ mo Rankoviqi? Qi po shkon... a u gzutë?

BG: Kqyre... na shqiptart’ jena gzue shumë se e kena ditë se ai tan’ kohën ka bâ zullum. Sa herë ardhke ai n’Kosovë e dike qȋ dikan duhet me hângër ktu... ka ardhë ma shpesh. Por, çka u kânë problemi... kur e qitën, sikur sot m’kujtohet, sikur qitash qȋ po foli me juve, n’qit Parlamentin e Kosovës ku osht’, u kânë nȋ doktor n’spital- Zogoviç, malazez, kur ka thânë Kolë Shiroka atij, m’kujtohet, tha, “Në emër t’Titos jom tu folë”, m’falni n’shprehje - u çu nânë e bâbë na i ka shajtë, “Kush osht’ ai qȋ po thot Rankoviqin duhet me hjek”. Nuk ja u merrke menja shkive, malazezve, qȋ ishin n’Kosovë, qȋ Rankoviqi duhet me u rrzue. ‘U rrzue Rankoviqi, u rrzu bota.’. Ka shâ, pasha qit’ tokë... kur nuk e harroj kur ka thânë, “Kush osht’ ai qi po folë ashtu nânën kshtu e kshtu ja bâfsha.”. At’herë janë çu dikush mrena e kanë kapë at hyçmin e kanë qitë përjashta. Se qat’ natë Tito e kish çue Kolë Shirokën, “Në emër tem Rankoviqi sonte u rrzue. U kry puna.”. Na tani jena kon’ pas gzue shumë tani.  

IB: E mandej vjen nȋ periudhë ma e qetë për shqiptarët... ma e mirë?

BG: Vjen nȋ periudhë shumë ma e qetë se na ma s’pari e patëm qitë edhe flamurin pak, po na hjekshin. U çel fakulteti at’herë. Ata kanë pas thânë n’ato kohna, “E çelt’ fakultetin shqiptarëve e ja’u dhat pushkt’... se jo fakultetin, po pushkt’ ja’u keni dhânë.”. E na tani e marrshëm... po thom unë çka kom kuptue se janë kânë k’ta t’shkollumit... jon’ kânë puntorë. Po gzim i madh u kânë at’herë, marrshe frymë... po m’doket sikur sot qȋ jom kânë njeri i shnosh’. Qashtu krejt shqiptaria marrke frymë. 

IB: Po tash po kthehmi pak te ajo periudha ku nuk shkutë n’fakultet e pak poget i prisht’ punët edhe n’punë edhe me partinë a?

BG: Kur s’shkova n’fakultet, n’Beograd i prisha punt’ se ma s’pari pej partisë at’herë m’qitën se “S’je besnik i partijës.”. Thashë, “Jo bre... unë besnik, po s’po muj me shkue”, “Pse s’po munesh me shkue? N’shkollë po, internatin po, rrogat i kie, me hangër me pi krejt çka t’duesh po, rrogën po ta çojna te shpia... pse mos me shkue?”, thashë, “Jo, s’po muj’’, tha, ‘‘I prisht’ je.’’ (qesh). 

Po, unë t’thashë n’fillim, ma përpara, se vullnetin e kom pasë qȋ kom punue shumë. E kom desht punën teme, zanâtin tem at’herë e kom desht. Masanej... tani jom shkue, masi jo n’parti, at’herë e dhash edhe kfalifikimin për elektricist me kfalifikime t’larta, i thojshin at’herë ‘diplomë shtetrore’. At’herë edhe pak ma nryshe. S’kishin çare pa ma gjetë nȋ vend t’punës sipas diplomës... edhe u bâna para-puntor n’qit Elektro Kosovën. Kujdestarí n’ato kohna s’ka pasë sikur tash qȋ e thërret me telefon ‘s’kena rrogë’, jo. E une jom kânë qaj qȋ e ka çelë at’herë kujdestarijen. Shqiptarë s’ka pasë hiç, kush - tak. Janë kânë dy [2], njâ u kânë qytetar, u dekë. Plak ish kânë e e kanë nalë qaty, edhe njâni u kânë i Mitrovicës. Unë jom kânë i treti [3].

Tani ata kenë ma plak, shkun... e meta unë i vetmi aty. E tani pak deshën e s’deshën u mushëm shqiptarë. Erdhën tani shqiptarët, mu n’dorë m’majshin. At’herë ja’u kthymë shpinën shkijeve... at’herë shkijet u ulën pak. 

IB: Paska qenë periudhë ma e mirë?

BG: Aaaa qysh jo! At’herë për çdo ditë ka ndryshu hesâpi se i marrshëm puntorët se s’kishin çare. Deshën - s’deshën, kur u bajke nȋ komision me marrë punëtorë pa kânë nȋ shqiptar... masi isha unë... “Kush osht’ Bajrami? Hajt shko merreni Bajramin”, s’kishin kon’ tjetërkon’. Kishe n’ato kohna ma i shkollum kishe... pak a? (qeshë). E qashtu qȋ u mush shqiptarë e erdhën tani besa nënpunsa, masanej u bânë... ndryshoi hesâpi krejt. Krejt ndryshoi hesâpi. 

IB: Ma mirë ka qenë qajo periudha e viteve njëmijë e nënqind e shtatëdhjetë [1970], e mandej shtatëdhetë e katër [‘74]?

BG: E n’shtatdht’ e katërtën [‘74] at’here s’po di çka me t’thanë... Viti nimij’ e nonqind e shtadht’e katër [1974] u kânë pak ma i befasushëm për neve, u folke me t’madhe qȋ do t’ndrrohet Kushtetuta. E kom pasë nȋ [1]... banojke te unë, profesor u kânë, i Rusishtës, ai e ka pas mârrë nȋ letër t’shkrume se do t’ndrrohet Kushtetuta. Bile m’kujtohet si sot, jena kânë... se tinza e lexojshëm n’Tauk Bahçe... at’here veç pritshëm çka po bâhët - jo për t’keq, po për t’mirë. E qashtu qȋ u qetsum pak. Unë me familje tani kesh pak ma mirë. Bâna edhe thmi. Bâna edhe djalin, tani e mora te unë, si nxans. At’herë nxansat janë kânë n’ekonomi, po me bursa. Ata qȋ ju dhajke sipërmarrja burs’, pastaj ishim t’detyrum me i marrë edhe n’punë masanej.Tani unë djalin e mora qaty. I dhanë burs’. E kryjti shkollën e mesme, fakultetin n’Mitrovicë, dy vjet e kryjti... pat’ fatkeqisi edhe u myt. Diq. 

IB: Po kthehemi pak... se shumë interesant ajo pjesa e martesës që ju kanë befasu, ju kanë martu pa e ditë edhe ju edhe pa e jep fort aprovimin. Qysh ju ka dokë n’fillim? Si nȋ i ri i martum qȋ se ka fort idenë?

BG: Ndëgjoni... jo veç une, po zakonisht shqiptarët janë kânë at’herë qishtu. Nuk kanë vetë fort. Ndoshta dikun po! Po foli për katun tem. Kur i kanë martue nuk i kanë vetë djelt. “Valla me filanën po du...” - Jo, jo. E kanë gjetë mikun, ‘Mik i mirë, shpianik, t’tona t’mirat i kâ. Femna, gruja, çika...”, çka me i thanë asaj, “e mirë osht’, e shnoshë, osht’.”. U hi nȋ msit edhe u ardhë, “A po e doni bre çikën e filanit?”, “Ata po t’bajnë kabull ty për mik. A po doni ju?’’, “Po”. Edhe u martova qat’herë edhe u kry. E kom pa herën e parë kur u ardhë te unë. 

IB: Edhe qysh ju ka dokt?

BG: Paj bre... unë a t’thashë n’fillim, kena pasë pak marre na. Sado e keqe, e mirë... nuk kena mujt me i thânë nânës e bâbës, “Valla s’po m’doket.”. S’kena muj. Po flas për veti. Po, shyqyr Zotit, ish’ kânë e mirë zahêr, e hijshme, e njofshme... e nojfshëm. E ka pasë nȋ teze, n’kojshi te na u kanë ajo, sebêt qasaj tani e qitën edhe ktâ te une, po... 

IB: Qysh e keni çu jetën bashkshortore?

BG: Muj me thânë... paj, tânë thojnë ‘mirë’, tânë... S’ka kush qȋ thotë ‘e kom çu jetën me grue keq’, krejt rrallë dikush. Veç unë po t’thom, unë kom kalu mirë me tâ. Besoj me ko’ te njofsh’, nashta e njeh dikon pej Matiqanit... ‘Qysh ka rr’nu Bajrami me gru?’, kanë me thânë, ‘Veç ata dy janë kanë’, po për t’mirë.

IB: Sa fmijë i keni?

BG: E lash. E shita katunin, dola n’qytet. Kom nejt me qire nȋ kohë t’gjatë. E mora banesën... ma dhanë sipërmarrja. M’qitën shkijet. Q’atë herë n’fillim m’qitën pej banese, gjoja s’kom pasë t’drejtë, anej-knej... tani privat kom banu derisa e kom maru qit’ shpi. Me gru kom kalu mirë. Osht’ marre me thânë, po ajo u kânë si gratë e ktynehershme - me shami, me mantillë. N’korzë jena dalë shpeshherë me tâ. Me mantillë, me dimi... pasha Zotin para meje ka ecë.

IB: Sa mirë. Qenkeni knaqë! E paski shiju jetën bashkshortore. 

BG: Po, po. Po thom qȋ po. 

IB: Sa fëmijë i keni bashkë?

BG: I kom dy [2] çika e tre [3] djel. Katër [4] djel i kom pasë. Qita i kom pasë. Qaj qȋ m’ka dekë, tjetër k’ta janë krejt. Tre [3] djel tash i kom. T’tretë i kom n’Prishtinë. Punojnë, grâtë i kanë n’puna... tânë mirë i kanë. Mirë po jetojnë, ma mirë se ktyneherë. 

IB: Qysh kanë qenë për juve mandej vitet e tetëdhjeta se qat’herë fillon prap situata me u prishë pak n’Kosovë?

BG: At’herë janë kânë pak shqiptarët... osht’ pak ma ndryshe se na e murëm nȋ hov, për t’mirë, po masi ja nisën demostratat pak na apet kena hjekë se apet janë kânë shkijet at’herë. Po, po... Më kujtohet sikur sot helmimi i thmive n’Podujevë. Kurrë qatâhën s’e harroj, hiç. I kom pâ... jom dalë... isha tu punue, n’drejtori e kom pasë zyrën, qikjo Elektro Kosova qȋ osht’ sot, qȋ e ka ble tash ky turku... jom dalë e kom pâ kerret tu ardhë pej Podujeve me thmi e me grâ. Çika ka pasë ma tepër... me shkumë goje jon’ kânë. Si thmi kom kâjtë... sot kâj halâ. E kom dhezë kerrin te shpia me ardhë. M’ka thânë gruja, “Çka ki bre?”, e kom pasë edhe nȋ [1]... n’Amerikë tash osht’, nȋ çikë banojke te na, “Çka ki bre axha Bajram?”, s’mujta me folë nȋ copë here. Kâjta. “Çka u kânë... mos ke bâ naj sên, jo?”... dikur u qetsova, i thashë, “Po i pashë do thmi t’Podujevës që i kanë helmue. Kur i kom pâ thashë marum krejt, marum krejt.”. Edhe kurrë s’e harroj... shkaut i thashë... e kom pasë n’zyre, thojke, “Jo, po rrejnë ata.”, i kom thânë, “Mo bre se kâ Zot, mos e dish’ çka osht’ Zoti, ka Zot... se ti ki thmi!”, tha, “Po rrejnë”. 

Nuk i ka shku pej Zotit shumë larg atij shkaut qȋ ish’ n’zyre me mue... râ n’minierë khâ t’kombinatit e e theu kâmën... ja kputën kâmën djalit tina. Ja kom bâ masanej, “S’po knaqna veç t’kom thânë me kohë mâ se Zoti osht’... qysh t’doni ju!”. Edhe demostratat janë kânë shumë t’kqija, shumë t’râna... se pasha Zotin kanë rrehë, vallahi bilahi. Qitu qpêsh i qesin ato demostratat e tedhetë e nantës [‘89]. Qitu kur u kânë Emrushi, u kânë ai profesori, dekani Ejup Statovci, jena kânë... na jena dalë qitu në udhkryq për Velani, me gjithë grue jom dalë. Ka pasë policë, ardhshin studentë... at’herë Velania s’u kânë qishtu, u kânë krejt... ardhshin studentë, na veç ishim dalë na me kqyrë, s’na nijke qȋ tutmi. Na kanë thânë polict’, “Largonu pej k’tuhit”, na s’largohemi hiç. Pasha Zotin qȋ osht’ njâ kur kanë ardhë poshtë t’ju kanë râ milicia m’i rrehë student’t... janë shpërnda. Gruja m’ka ikë. I kom pâ do thmi tu dalë pej shkollës, pej k’saj shkollës tonë k’tu, tu kajtë ardhshin nja katër-pesë [4-5] thmi t’vogël, tu kajtë... gruja m’u ka dâ, m’ka ikë. Ikën se na hinën krejt, e rrehë atu... U shku përpjetë ish’ kon’ dalë naltë n’atë kodër. Unë i kom marrë ata thmi përdore, i kom çu kadal-kadale përmi, te shpia e Fadil Hoxhës. Kqyri... gruja s’osht’ kërkun. Shkoj te shpia, s’ osht’. Su dik’ke at’herë çka u bâ. Mas nja dy [2] ore ka ardhë, tha, “Valla ika se na rrehën.”. Qashtu, kohë e rân’ u kânë, kohë e rân’ u kânë. 

IB: E mandej qysh ka shku jeta... ato vjet?

BG: Paj tash... mas demostratave pak u dike qȋ asht’ pak ma mirë se e dijshëm qȋ mas asaj... se s’un u nalshëm kërkun. S’janë nalë - shqiptarë mâ. E i kanë rrehë e i kanë asish’ e vallahi s’janë nalë, janë dalë apet n’demostrata. Demostratat e para qȋ janë dalë pej studentve qȋ e kanë pas’ nisë “kishe gjella osht’ e dobt”- shkaku... kurrë s’e harroj. Djalin e kom pasë tu punue n’Velani. Kur kanë fillue demonstratat, jom dalë... nȋ doktor u kânë i ndihmës s’shpejtë, serb... unë jom dalë me kerr, ai ish’ kânë me kerr. Jena rrehë dang-dang për kerre, jo me qëllim, po veç qysh t’iku, qaq rrezik qȋ u kânë. E unë e lypsha djalin, po ish’ kon’ strehue me nȋ ven aty. Qasi jete, deri... deri qitash. Tash, para do kohe... jetë e rân’ u kânë e po vjen tu u qetsue. Nashta ishalla po bohmi rahat najherë. 

IB: Ku keni qenë gjatë luftës? A keni qenë n’Kosovë a keni shku jashtë?

BG: Jo, gjatë luftës jena kânë dej n’kohën e fundit n’shpi. N’kohën e fundit... djali me gjithë gru, qitâ qȋ e kom, rejën, ata janë dalë ma herët... kur e pamë qȋ s’ka mâ jetë k’tu. Erdhën shkijet lugit përpjetë te une, rrugës përpjetë, me do xhipa e shkojshin naltë atje. Janë ardhë, kanë thânë, “Kur t’kthehmi... me ju gjetë - asnjo s’ju lâmë t’gjallë!”. I kena marrë senet unë, gruja, thmija... qyky djali i Xhevatit qȋ osht’, qyky Learti, a ka insan qȋ e qet’ përtej rruge! Shkum’... kah e kalum rrugën e me dalë khâ naltë n’Taslixhe, a ka insan atë djalin... qȋ pej s’tutsh, pej s’tutsh... djali i ka pasë shtatë [7] vjet... po zhag e kena ngrehë se s’guxojke me dalë n’rrugë, “Jo. Na vrajnë, na presin shkit’.”. Jena shku... jena dalë atje kena nejt dy [2] netë, atje kena bujtë, n’Taslixhe. Jom ardhë me gjithë gru, thashë, “Hajt bína kadale te shpia e te marrim do bukë, a gatujna diçka...”, se ku me marrë? E kom l’shu televizorin. Millosheviqi po folë... thotë, “Shqiptarë kthenu n’shpia t’juve e mos i ngoni ekstremistat shqiptarë, ata terroristat, po kthenu se po fillon pranvera e me punone tokën.”. Na i kena gatu dy [2] bukë... gruja, e n’grâta, i ka gatu dy [2] bukë e i kena marrë. Kur jena dalë atje po i thojnë nȋ djalit, “Hajde more se n’televizor po thojnë hajde kthenu”, vet shkau, vet Milloshoviqi foli. Qato fjalë i kena folë, janë ardhë ata t’UÇK-së qȋ janë kânë t’përzitë me neve, “Lshone për dhetë [10] minuta përndryshe kërrsh na bâjnë” - tha. Që dijshjëm ça me bâ s’dishëm! Jena dalë. Kur jena dalë rrugës te poshtë, janë kânë tre [3] milicë, na pritshin n’anë t’djathtë përfuni nifar’ strehe... u kânë n’atë rrugën atje “Hifzi Sylejmanit”, ajo rruga përpjetë. Kanë thânë, “Leni paret edhe pashaportat k’tu se kta poshtë qȋ po ju presin me ju gjetë pashaportën ja pare ju prejnë kryet!”. Na kena pritë ren’ kush me lânë... me qitë paret m’ja’u dhânë atyne policve aty edhe pashaportat. 

Une i thom grues, “Paj vallahin, po na prejnë se po na prejnë... po na mysin se po na mysin tybe s’ju kom lânë as pare as sen’.”. I ka pasë ajo do pare pak, do dukat t’grave që janë kon’ ikë grâtë tona... i ka pa shti n’gji. Qështu edhe ‘le t’na mysin’. Jena shku s’na kanë bâ zâ hiç. Jena ardhë poshtë rrugës e deri n’stacion hekurudhorë . A ka inson që hypë pej kallabllakut? Qysh me hypë n’tren s’e dishum... veç t’dalum pej Kosovës, pej Prishtinës. E qat’here e kanë pas mytë Fehmi Aganin, n’qato trena. Na jena shku deri n’Maqedoni, deri në... jo deri n’Maqedoni, po deri n’kufi tonin aty. Aty na kanë zhdrypë. Jena shkue pej Kaçanikut n’kâmë, jena hi n’Maqedoni tani se treni deri aty shkojke manenaj jo. Jena metë n’Bllacë nja katër-pesë [4-5] ditë.

IB:    Qysh ka qenë qajo kohë... ato katër-pesë [4-5] ditë qysh i keni përjetu?

BG: Ajo... ajo sot e m’dokët edhe kur des’ kom me menue për atë ditë! Se jena shkue n’pikë t’lloqit, jena metë nifar’ livadhi... as bukë as ujë as mlojë... shijra... ke pranvera, shijra, ujë na bojke. Nër doganë t’Maqedonisë, sot ku osht dogana e Maqedonisë, përfuni kena nejt qaty. Janë kon’ ardhë maqedont’ shqiptarë, na kanë pru sêne, qebe, bukë, ujë... po i kanë rrehë milictë e tyne, “Pse po ju jepni me hangër?”. Ata kanë punu ma shumë se na që kem punu khâ. Ata, maqedonast, pasha Zotin i kanë rrehë, i sakatojshin tu i rrehë ata qashtu zhagas... a me qebe a me mloja a me bukë. Gjujshin bukë pej ktuhit atje e marrshim bukë qashtu. Kur bojshim me râ... ma shumë me râ, na nxejke gjumi, maqedont’ e lshojshin nȋ shllaf, nȋ ujë, nȋ gyp pej naltit. Pasha Zotin, kur u çojshim na ujë ishim bâ. Qy çfarë zullumi kanë bâ ata, maqedont’ a!? Haj Zoti na rujtë. Na dajtën tani, u nxum’, shkum’. I marrshin, i çojshin autobusat naltë, une jom met’ vetën. Grun edhe djalin edhe renë janë dalë m’i marrë, unë jom metë vetën se s’i lajshin me dalë krejt... copa-copa n’autobus. A kah i kanë çu ata nuk e di. Ku me ditë? Kush kurgjo nuk kallxojke. Jom met’ vetën, fikall vetën. 

IB: Sa kohë?

BG: Qat’ natë jom met’ vetëm. Jom munoftë me dalë une. Janë kânë do grâ... me hi n’renin e dytë [2] n’autobusa... janë kânë do grâ para meje. Une jom shku mprapa tyne, thashë mos po m’presin këta t’mitë. Ju ka thânë ai maqedoni ktyne grâve shqiptare me thmijë n’dorë, “Mprapa!”. Ama s’kishim ku se ishim bâ sikur, sikur peshqit qȋ janë n’kuti, n’sardinë. Hiç... as pâra, as mprapa. Kur e ka marrë nȋ maqedon e i ka râ grus’, nȋ grus’ shqiptare me thmi n’dorë. Kena piskatë. T’janë hypë e t’më kanë shkelë mue... m’kanë shkelë se turma e mâdhe. M’kishin pas’ shkelë e m’kanë çu te do vorre e m’kishin lânë deri n’sabah. Kur jom çu n’sabah une, lâhi velâ, s’po di ku jom. nȋ njeri u ardhë e m’ka thânë, “Pse bre vllâ... a s’gjete vên’ ma t’mirë kun’ se me flejt n’vorre a?”, thashë, “Vallahi, s’po di se ku jom!”. At’heri i kom çelë sytë. Na nxuni sabâhi... kqyri - kush i gjallë, hiç. Kom nejt edhe tri [3] ditë n’Stankovec, vet. 

IB: Qysh jeni ndje ato tri [3] ditë? Garant shumë keq se s’e kini ditë as se ku e keni...?

BG: Jo qȋ shumë mirë, po për Zotin qysh kanë mujtë me m’lanë... s’dishe mâ, se e disha qȋ m’kanë hupë krejt. I kanë çue... sikur qȋ i kanë çue n’Tivar... e qato ditë nȋ profesor, qysh e ka emrin po ja harroj... ka pas’ shkrue para luftës qysh i kanë çue n’Tivar... e unë tu e lexue jom kânë n’gazet qat’ artikullin e tina, gjithë e kom përcjellë. Thashë, zaher i kanë çue edhe k’ta, unë jom met’ qitu! Qat’ menim e kom pasë. S’ka kurgjo. Mas tri [3] dite e kom pâ nȋ djalë t’vllaut. U ardhë aty se e kish pasë ai dhandrrin aty... mas tri [3] dite. Kur po e shoh ata, sot osht’ inxhinier i diplomum, thashë, “A je ardhë me m’marrë?”, se i marrshin tani dikan... k’ta maqedont kan’ e njofshin atje përmes Kryqit t’Kuq e i marrshin i çojshin te shpiat e veta. Thom, “A mos je ardhë me m’marrë mu bre?”, “Jo, bre. Tybe na s’kena ditë për ty. E kena ditë qȋ je hupë se thmitë tu i kíe n’Gostivar, thmija e nâna e jeme, vllau i jem janë n’Tetovë... për ty e kena ditë qȋ je hupë.”, thashë, “Çka me bâ?”. Ai ish kânë me nȋ tetovar, me nȋ dost t’vetin, e kishin pasë përpara, thotë, “Jom ardh me mârrë dhandrrin.”, “E unë?”, thotë, “Vallahi deri t’shkojna atje e t’marrim pej Kryqit t’Kuq t’Maqedonisë...”. Ai i Tetovës, shqiptarë, tha, “O axhë”, “Oj”, “A po e sheh kerrin tem? nȋ i sariht, n’fund atje...”, “Po”, “N’mujsh me dalë, dil. Mos mujsh prit deri nesër, pasnesër... dej ta boj nȋ letër.”. Kur dojshëm me dalë janë kânë policia, jo policia, po u kânë ushtria, KFORI. E kanë pas’ mshelë ata krejt. Për nȋ dere hishim. Ardhshin kerret e çilke polici, hike – dalshin... t’u nejt polict’ e KFOR-it, ata.  

Unë kadale, kadale... n’qat pluhun... aty u kânë pluhun i madh... t’u dalë, t’u dalë... dêj kah hini kerri. Unë me qat kerr... ai knena, une jom dalë pej gardhit. Ment te ai kerri i kom pasë, atje poshtë. E m’ka përcjellë njâni, “Po hjeke bre axhë qat kapuç, dreqi ta hângt kapuçin, se po t’përcjellin”, tha, “vallahi policia.”. T’bâmit me shkue n’rrugë poshtë, po i shoh do gra ulun, shqiptare, t’mbluta. Unë kur i kom pâ ata milict’ ardhshin përpjetë, thashë, “Zaher m’paskan lajmru, zaher po m’marrin mue”. Kadale... për skaj t’qytyne grave jom ulë. nȋ grue ka thanë, “Ku e hangër dreqi e erdh qyky plak qitu?!”. Une hiç kurgjo me folë, hiç. I prita polict’. Kur kalun polict’ kah kâmt’ e mia edhe te ato grâtë me shku atje, une thashë, “Oj shoqe,o se kom për juve... amani ju koftë mos m’ngucni se i kom telashet e mia.”. Kom dalë e kom hi n’kerr t’atina. “Kerrin çelën”, tha, “e kom”. Dej u ardhë ky djali i vllahut... me atë tetovarin n’kerr. Kur kqyrin, m’shohin. Une n’kerr. “Hoh... kah hine?”, thashë, “Qishtu, qishtu dola.”. E m’kanë çu tanaj n’Tetovë.  

IB: N’Tetovë sa keni nejt atje mandej?

BG: N’Tetovë nejta nja katër-pesë [4-5] sahat te ai. Tani ai tetovari shkoi n’Gostivar e e gjetën ku e kisha unë grun’ e thminë aty... e janë ardhë natën m’kanë marrë e jena bâ bashkë atje. 

IB: Jeni gzu mesiguri shumë?

BG: Aiiii... po qysh mos m’u gzue?! Se osht’ keq me thânë, po po e thom t’vërtetën... qȋ morrat na hangshin. Dhetë-pesëmdhetë [10-15] ditë pa lâ, pa shpërlâ nëpër ata pluhun. Qato kmisha, qato... qysh jom kânë. nȋ kmishë t’bardhë e kom pasë. Kur jom shku n’Gostivar, ai i Gostivarit, gjallë osht’ halâ, e kom mik t’mirë sot, m’ka çu n’banjo tina. M’i ka pru me tesha me katesha, t’vetat krejt... ato t’mijat n’kosh e përjâshta. Kom nejt tre [3] muj’ aty. 

IB: A ke mendu najhere qȋ ke me u kthy prapë n’Kosovë? A thojshe qi s’kthehesh?

BG: Kurrë. Kurrë për Kosovë s’kom menue. Jo se na ardhshin do fjalë, “Ju ka kallë shpia e Enverit”, “Jo, n’shpi tâne tu ka qitë pluhni me kallë edhe atë...”. Ardhshin do fjalë përmes telefonave se at’herë telefona s’ka pasë celularë, janë kânë krejt tre a katër [3-4]. Po djali tani... ky m’shkoi n’Amerikë, qyky qȋ osht’ k’tu, ma çoi edhe mue me gru me shkue. Thom, “Vallahi shko, se i gjallë... pa shkue nî herë n’Prishtinë i gjallë nuk shkoj kërkun.”, “Po mâ bre age se po thojnë e kanë kallë... ku me shku vetën, çka me bâ na?”, thashë, “Xhevat, ti merri thminë e shko n’Amerikë. Unë kom me pritë n’paqa ymër me dikan me shku khâ.”. 

IB: K’tu a ish halâ luftë a kish përfundu lufta?

BG: Lufta ka përfundu, po ishin ushtria serbe. Halâ ishin ushtria serbe plot ksajde. Kur jom ardhë... nejse, jom ardhë... kur jom ardhë e kom gjetë shkret. E e kom pasë n’qët garazhë nȋ komerë... komerë edhe e kom pasë nȋ revole n’saç. A e din çka osht’ saçi? qȋ bâjna flia. E kom nȋ tepsi poshtë... e kom marrë revolën edhe komerën edhe saçin ma n’tepër i kom qit n’blozhdë. Qaty e kom lânë. Thashë, çka me bâ tjetër sên? Garazhën ma kanë thye, m’i kanë marrë haletet krejt... kanë bâ krejt çka kanë dashtë aty. Saçin s’e ka prekë kërkush. Kur jom ardhë m’ka shku menja e saçit. Jom hi n’garazhë e kom çue saçin thashë t’kqyri... e kom marrë atë komerë e kom xhirue. Sot e kom atë xhirim qȋ i kom gjetë shkret shpiat... t’thyme me kreveta, me dyrë, me televizora, me krejt. Çka kom pasë tésh’ krejt i kishin pas’ hjekë. Krejt... ka njâ, ka njâ. 

Ilazi, qyky Ilaz Meta, qyky kojshia, tha, “A po vjen me m’nimue”?... ktina ja kishin pas’ nxanë kanalizimin se k’tij... ishin kânë ushtria e kishin nejt n’shpi t’Ilazit. Ja kishin pas’ mshelë kanalizimin e ish kon’ mushë naltë krejt. I ka pasë mobiljet e mira, t’lkurës. Krejt ibrêt që ishin bâ. S’kanë ditë çka tjetër sên me bâ! 

IB: E kur e gjete shpinë a vendose mandej me nejt n’Prishtinë?

BG: Kur e gjeta shpinë a? S’më ka râ n’atë moment n’mên për kërkon hiç. Masi erdha... e gjeta. Po s’pâsha insan me sy... kërkon, kërkon hiç! Dalsha deri n’rrugë poshtë, nȋ njeri s’e pashë. Qatâ qȋ e pajsha ngryk m’marrke, ai mu - unë atâ. Veç... as s’e njofsha, veç jena shqiptarë. Qaq gzim kena pasë. 

IB: Qysh e ndreqët shpinë? Qysh e rregullut prapë?

BG: E tanaj... masanej u rregullu shpia. S’e kishin pas’ prishë fort. Veç senet... mobiljet, krevetat e regâllat, ato po. Ato kadal-kadale i hjekëm. U qetsum. Erdh tani djali pej Shqipnies, qȋ u kanë... qyky Nexhati u shkue me grue e me dy [2] çikat atje n’Shqipni. Kanë ardhë tani ktu. Ky n’Amerikë met’. Njâni n’Gjermani. Ai erdh... edhe ai pej Gjermanisë tani mas tre [3] mujve e u kompletum qishtu kadal-kadale. 

IB: A vazhduat ju me shku n’punë mandej?

BG: Qat’ ditë qȋ jena ardhë. N’nodhetë e nântën [99]. Une jom ardhë me nizet [20] qershor, nodhetë e nântën... jom ardhë k’tu... nizet [20] qershor. Kur jom ardhë n’Kaçanik, me autobus jena ardhë, i kom pâ n’dalje t’Kaçanikut... i kom pâ ushtrinë shqiptare - UÇK-në. N’jetë teme qat’herë i kom pâ me uniformë. Kom kâjt si fmija pej gzimit. Ishin dalë ulum me do pushkë e i përcillshin kerret e autobusat qȋ po vijna na pej atjehit. E kur erdhëm tani khâ u qetsum qashtu kadal-kadale, u tubum kadal-kadale... 

IB: Jeta pas luftës a ke e vështirë për juve? Qysh u sistemu’t... a punut’ a?

BG: Pas luftës erdha. Tani qȋ thashë e lash me nizet [20] qershor... erdha. Shkova n’punë une, menjëherë shkova. S’gjeta kërkon. I gjeta shkijet halâ, plot zyret. Shkojshëm. Na kishin mshelë derën, s’na lan’ me hi mrena. Nizet [20] qershor, nizet e tre [23] qershor. E lidhi masanej çka asht’... nuk na lanë shkijet me hi n’zyre, jo mue. Drejtori gjeneral u kânë nifar’ Lazer Krasniqi... s’e lan’, as atâ s’e lan’. Po, ai, Lazer Krasniqi, ai drejtori, e ka pasë nȋ shqiptarë-turk... ai ish kânë n’punë, po ai çka i thojnë domar, qysh i thojnë domarit... nikoqir i asaj shpie, i asaj banese. Ai i majke krejt çelsat... e i majke krejt. I tha atina, “Dil khâ... përjashta.”, thotë, “Edhe dy [2] sahat...”. Ai drejtori po folë se na përjâshta se shkijet s’na lan’ me hi mrena, roja. Thotë, “Une dal i marr nja pesëdhetë-gjashdhetë [50-60] cilindra t’dyerve, ti merri kur t’shkojnë k’ta masdite.”, shkiet. “Ty t’i jepi, thej. Hjeki ata cilindra e shtini k’ta”, e neve na dha ka nȋ çels. 

IB: Po edhe qashtu shkut’ n’punë?

BG: Kur shkum’ t’nestret... janë ardhë shkijet para neve! Dyert mshelë! Çelsi s’punon, asni çels - e ditën. Kur erdhëm na... ata dalshin - na hishëm. S’na bânë zâ se e ditën se diçka kena bâ na. Si shkova n’zyre temën... t’rrak po hi si zotni. 

IB: Edhe keni vazhdu mandej me punu... edhe për sa vite?

BG: N’zyre teme... jo, n’zyre t’kolegut tem erdhën do UÇK [Ushtria Çlirimtare e Kosovës], ju thojshin. Qato ditë, masi hina n’zyre, u kânë nȋ shkâ tu punue halê. Shkâ u kânë, po s’kena pasë kurrë t’keq me tâ. Janë ardhë ata tre [3] shqiptarë, UÇK i thojshin, unë e kom pâ... derë-m-derë, ngat-a-ngat, i kanë mshu derës... janë hi e kanë thy regâllin e tyne. Ai ju ka thânë, shkau, “Çka po bani?”, i kanë thânë, “Dil përjâshta.”. E kanë kapë shkâun e kanë qitë përjâshta. Kur e kanë thy regallin e tina kanë gjetë aty uniformë t’UÇK-së, tesha, pamfleta, jo... çka jo tjetër. Ata... i kishin pa kallzu dikush. Shkâu mâ s’u kthy aty kurrë hiç. 

Kur u ardhë tani ky shâku i jem n’zyre, mas tri [3] dite, si u hi po m’folë shqip, “Ku je mik?”. I kom thânë shqip unë, “Përjâshta! Jo n’zyre. Përjâshta!”. Jom çue e i kom thânë, “Përjâshta se vallahi dâhëm keq. Dil përjâshta.”. Ish kânë shkâu tu shku te drejtori se e vnum menihere drejtorin shqiptar, nifar’ Nazmia, “Vallahi qysh t’thotë Bajrami. Pasha Zotin me Bajramin s’kena çka me bâ. S’guxoj une me i thânë, jo ti!”. Po... ai e kish komufllazhë edhe ai, “Me Bajramin s’guxojna na me bâ llaf, jo ti.”. U shku shkâu. S’u kthy mâ n’zyre hiç. 

E qashtu tani metëm na n’punë. Kena punue e tani s’kena ditë a osht’ natë a osht’ ditë a kena pare a s’kena pare... veç t’punojna. I murëm trafostacionet, i çumë do njerz’ qȋ ishin t’sigurt me i çue, me i majtë... se mos po hin dikush po i gjunë diçka, po i shkyçë a... E qishtu u stabilizum kadal-kadale.

Punova edhe dy [2] vjet, deri n’dymijë e nishën [2001]. N’dymijë e nishën [2001] dola... e pashë... e ju thashë, ata, “Jo, rri. Rri se po na duhesh halê.”, “Jo, n’ju duhsha jom te shpia. Unë jom lodhë mâ s’po muj.”. Tani shkova n’Haxh. E kryva edhe Haxhin edhe u kry puna jeme. 

IB: Cilat kanë qenë qato vështirsitë ma t’mdhaja n’punë, mas luftës?

BG: Mas luftës bre... s’kena pasë fort voshtërsi t’forta, s’kena pasë. A e din për çka? Se kishëm vullnet tânë me punue, tânë kishëm vullnet me punue. Kush nuk thojke, “Pse mue s’po m’qet n’qat vên t’punës?”. Jo, jo, jo... veç t’punojna. Thirrshëm sa mujshëm inzhinjerë “Hajdi”. I kena thirrë do eksperta qȋ punojshin me neve, i thirrshëm, “Hajdi, hajdi”, “Jo”, “Po hajdi se e kena mârrë na. Jena hi nëpër zyre tona... na punojna tash, asnjâ shkâ nuk osht’.” . Kanë punue shkijet halâ, po gojën s’e ka çelë kërkush, jo. Ashtu qȋ kena punu me vullnet deri qat’here, s’kena kqyrë kush çka, qysh. Qashtu. 

IB: Edhe mandej shkut n’Haxh a?

BG: Masi u lodha tu punu aty... e pashë qȋ e pâta njêt... shkova e kryva edhe haxhin e u ktheva tu shpia. Kanë ardhë masanej m’kanë kërku te shpia shokt’, “S’po dina... ku ti je kânë e ke ditë ku janë ato câkat e rr’dijës...”. Po, veç sa herë m’kanë marrë, jom shku. Po, po. Po, se m’kanë nerue fort... edhe unë tani me ju thânë, “Valla s’di, valla po, jo... Po, vi.”. Qashtu me tesha t’lâme, t’reja, qashtu t’hekurosne, jom râ tap e kom gjetë, i kom thânë qe ku osht’, “Aaa... falemnderit”. Se erdhën k’ta t’ri pak, shumica ata qȋ kanë punue ata metën jâshta. Po, k’ta t’rijtë s’dishin ku â edhe unë masi meta aty i nimova kapak, kapak... 

IB: Shumë mirë. Tash po ju pys’ pak për Pavarsinë e Kosovës. Çka jeni kânë t’u bo n’atë kohë edhe qysh e keni pritë?

BG: Pavarsinë e Kosovës? Nashta aty di pak me folë se... jo, qȋ di pak, po nashta s’di m’u shprehë krejt çka due, krejt. N’fillim, Pavarsinë e Kosovës, une për veti s’e kom... s’e kom pritë n’qit mënyrë. Jo, se kom thânë qat’ ditë qȋ t’pavarsohemi... veç ardhshin llafet, u kryjke puna, dalshin do puna! Na nimojshin bota, bota e jashtme...  at’herë kom kujtue qȋ do t’bahët nȋ pavarësi taman. Rugova... para pavarsisë ai diq. Jom kânë edhe n’vorrim t’tina me gjithë grue. Jom kânë edhe n’Parlamentin e Kosovës i kom râ xhenâzës ma’n’tepër, me gjithë grue bashkë. N’mramje se ditën s’ka pasë insan qȋ del, po n’mramje jena shkue se s’kena mujt pa i râ xhenâzës ma’n’tepër. Qaq e kemi respektue na... se n’vorrim tani e di krejt bota u kon’ ardhë ktu. E tybe Pavarsia e Kosovës erdh mirë, po qysh kena menu nuk osht’. S’po du me thânë kurgjâ, nashta e din, nashta s’e din ti, nashta folët, nashta s’folët... pa mârrë parasysh, s’jom ekspert me folë për ato sêne, po vallahi s’osht’ mirë. E murën do njerz’ qȋ s’kena menu qȋ na dalin qështu. Na pavarsinë e kena menu krejt nryshe. Thmija posa ka lind’ ai ka keshë për pavarsi, po tash s’po keshëm... nuk po keshëm. E çka u bâ aty, tek u bâ aty... gjynahi i Zotit osht’ qȋ s’po e shfrytëzojna qysh duhet. Janë dhânë gjithë ato viktima, gjithë ata njerz’... çak vllaznin’ e vet, i kanë dhânë motrat e veta edhe sot i kanë harrue. Po, veç t’ç’nukim sa ma shumë! T’bâhemi sa ma shumë pasanikë... qȋ nuk na ka hije edhe qata po na kushton. Po shkollohen sot thmija, krejt t’shkollum, krejt fakultete po kryejn a po jesin te shpia. Po shkojnë n’pazarë po shesin... s’po kanë çka me bâ. S’po t’merr kërkush hiç. E qashtu. 

IB: E s’fundi, qysh po i kaloni ju ditët e juaja tash? Qysh po ju kalon pleqëria?

BG: Tash... dit’t e mia si pleqni p’i kaloj t’mira. Po, pak ma t’vshtira tash, masi m’diq gruja... e u bâ qe dhetë [10] vjet, veç... nimdhetë [11] vjet bâhën qitash. Pak ma t’vështira po, po t’mira po. S’kom telashe me kërkon. Me thmi i kom punët mirë, me reja, me nipa, me djel... me k’ta mirë. Krejt po. Une s’punoj kurgjo hiç. 

IB: Me çka po merrni gjatë ditës që me hjekë atë monotoninë se ju paskeni punu gjatë tanë jetës, tash osht’ pak vështirë?

BG: Momentalisht me kurgjo. Tanë kohën masi jom shku n’Haxh, mas... kohën ja kom kushtu xhamisë se te shpia me punu jo, kshtu edhe po dal edhe n’xhami e nij’ obligim qȋ ma merr menja qȋ e kom. Qatâ e kryj, foli me dikan, dal n’kafe me naj shok... edhe e kryjna punën edhe shkon dita. Kur jom te shpia, lexoj shumë. 

IB: Çka lexoni ma shumë?

BG: Ma shumë lexoj Kur’an qȋ s’kom lexu përpara kurrë. Jo kurrë, po kom pasë tjera punë. Po, tash me marrë e me lexue literaturë t’xhemâtit s’më duhet. 

IB: S’të duhet. I keni kry krejt.

BG: I kom kry... mâ s’kom kujna me i thânë. E gazet e k’to sene lexoj gjithë, e përcjelli situatën gjithë. N’internet punoj shumë. 

IB: A po?

BG: Po, po,po, po... 

IB: Me çka po merrni ma shumë n’internet?

BG: Me ka krejt. Çka s’ta merr menja hiç... me ka krejt i lexoj. Vallai po. Çka ka... edhe me m’interesue kush u kânë filan-fisteku, shkoj kadale edhe e gjâj edhe e lexoj kush u kânë. Kohën me e hupë. 

IB: Jo, shumë mirë po e shfrytëzojshit kohën!

BG: Jo, se lâ hiç bosh. 

IB: Tash jemi n’fund t’intervistës. N’qoftëse ka diçka që kishit pasë qef me shtu, naj porosi për t’rinjt ose për popullin tonë... për venin tonë ku jetojna... jemi shumë t’nderum me ju dëgju edhe me e përmbyllë intervistën?

BG: Vallahi bre ti çikë, s’po kom çka me thânë për t’rijtë. Çka tham’ unë, thonë t’ton, thoni edhe ju. T’rijtë duhet me punu, pa marrë parasysh qȋ osht’ nȋ situatë, nȋ kohë shumë e ligë për shkollime. Po, menja jeme osht’, mendimi i jem osht’, shkollës mos me ju ndâ asnjâ hiç. Pa mârrë parasysh a e kryve fakultetin, a e krynë magjistraturën. ‘Jo, s’po kom kohë...’ - Kryje. Sot, s’të duhet, nesër shkolla t’duhet. Nuk ki zarâr’. Shkollim duhet me bâ se i vetmi sên qȋ osht’ e mirë osht’ shkolla. Po, shkolla. Ajo t’i çelë sytë, ajo t’çon përpara, ajo t’njofton me krejt botën. S’ki shkollë, ku shkon sot? Ti kaq e re munesh me shku dikun, e din’ gjuhën, unë jes’ godâre. Ti e ke m’su gjuhën n’fakultet... anglishtën e frangjishtën, m’the e t’thashë e krejt. E qata shkolla nuk osht’ kurrë boll, gjithë duhet me m’su halâ. Qata thotë... edhe Zoti n’Kur’an e ka thânë, “Kurani s’ka skêj”. Shumica... kush s’e kupton thotë, “Qysh s’ka?”. S’ka skêj se gjithë shkon tuj përparue. Edhe ju... edhe shkolla... e re, sot e ke m’su k’tâ, nesër atâ, nesër... shkon gjithë, gjithë përpara. Asnjâ mrâpa nuk shkon, veç përpara. E duhet me m’su, duhet mirë me m’sue. 

IB: Në rregull. Axha Bajram, faleminderit shumë për intervistën edhe për kohën qȋ e keni ndâ. 

BG: Jo bre, s’ka gâjle. Veç ishalla qato hjeka s’i hjekëm mâ se vallahi janë kânë t’râna. Vallahi s’ja’u merr menja juve... babës tan’ pak, jo nashta shumë, se edhe ky osht’ i ri. Veç pasha Zotin, kur m’kujtohet mue katërdhetë e pesta e katërdhetë e gjashta [45-46].... aaa... Zoti na rujtë. Kur m’kujtohet... vllaun tem ma kanë marrë, thashë n’fillim... A e mshele, po? 

IB: Jo, s’ka lidhje vazhdoni ju folni. Hiç nuk ka problem. 

BG: Erdh qȋ i lypshin pushkt’. Erdhën natën. Erdhën natën shkijet... t’katunit, me emën i nifshim t’kujna janë, thmija e kujna janë... me marrë vllaun. Sahâti tre [3] i natës. T’vetmit na jena kânë pej shqiptarve aty se aty jena kânë katër-pesë [4-5] shpi, na jena kânë pak n’sy. S’e di pse. Për bâbën... se bâba u kânë kogjobash n’ato kohna. U kânë pak ma i arsimum si pej krejt tjerve. E erdhën n’sahâti tre [3] t’natës. U martu vllau i jem, gjashtë [6] muj’ mas martese kërsiti lufta. Diq bâba e erdhën natën, n’tre [3] sahâti shkijet, n’shpi teme. Une isha pesë [5] vjet, dikun gjashtë [6], vllau tri [3] - ai i vogli edhe ky vllau i martum gjashtëmdhetë-shtatëmdhetë [16-17] vjet, nânën plakë. Sa janë ata... krejt n’ni shtrat flejshëm. At’herë i thojshëm shtrat... do kashtë, nȋ dru qatje, u mlojshëm me nȋ jargan, tân’ flejshëm. Erdhën natën me na thy derën. Po e thrrasin Imerin, shkijet, me bâ nȋ intervistë. N’sahâti tre [3] t’natës! “Është nȋ mledhje n’katun.”. Ata ishin ardhë dy [2] mrena, i treti [3] pritke me automat si t’del ky me vra. Qy... shumë interesant osht’ - s’e çelim derën, s’e çelim. Janë kânë dyert at’herë t’katuneve me do... ‘shula’ ju thojshëm. Ja’u shtishëm do druna se s’ka pasë brâva as çelsa jo. E e thynë derën. Na piskatshim. Na thmi t’vogël, nâna pa burrë, vllau veç sa u martu, nusën e re. T’tân’ n’ni vên’ flejshëm. Erdh shkau e po na çon, “Çonu! Çu!” - Imerit. Na hygjym mas tina. Tân’ hypshim përmi tâ. Ai ka njâ [1], ka njâ [1]... edhe gruen, nuse e re gjashtë [6] muj’, gjashtë [6] muj’ qȋ u martu, nâna plakë, jo plakë, po e re... neve thmive na gjujshin, “Hajde me e marrë Imerin se po na çojnë”, “Jo, jo s’e lâmë!”. Zhurmë. Dulëm na e po piskasëm natën. Kojshia ton e kanë ní, ton’... po asnjâ s’e hanke me dalë. Kur e kanë pâ tepër qȋ kena kâjtë, kanë kâjtë... nâna ka kajtë, reja... ajo nusja e tina, ka kajtë vllau i jem i madhi. U ardhë njâni ka bërtitë, nȋ kojshi, “Po kush osht’ bre? Çka osht’ kjo zhurmë bre?”, derë-m-derë e kojshisë. Shkijet e kanë hetue qȋ piskati, na lan’. Dulën. Ty dalë ai kojshia, tha e kish’ pâ atë tjetrin kojshi me pushkë n’dorë, me nȋ [1]... at’herë i thojke ‘mashinka’ se tash po ju thojnë kallasha. Nejse u kry puna. U çum’ n’sabah. Po shkojna... ai mixha edhe vllau po shkojnë me i vetë shkijet, djalin e filanit, “Pse bre Kolë... çka u bâ qȋ na erdht natën? Na bâtë kshtu... deshën me na mytë, dêsh’ me na rrehë thminë natën. Na keni tranu!”, “Kush bre?”, thotë, “Djali yt edhe djali i filanit.”, “Vallahi na s’dina.”, thotë, “Marre me ju ardhë. S’ju kena bâ kurgjo. Pse me na bâ ju atâhën?”. N’katërdhetë e pestën [45], masi u kthymë pej maleve, thotë, “A po vini n’aksham tubohemi na?”, shkau thotë, “Tubohemi unë edhe djali i tina edhe bâba. Vetëm çka u bâ se s’kena pasë me juve punë kurgjâ.”. Komufllazhë. “Po, vina.”. Bâhet aksham... at’herë s’ka pasë rrymë. Tu bânë shkijet... nifar’ veni t’madh, si shkollë... shkollë n’realitet u kânë, po i dhezëm do gaznica, do qiri... jo, qiri s’ka pasë, po nejse... qysh janë kânë ato me do gâza, me do kjometa. Vjen vllau i jem edhe mixha i jem hin thotë, “Qysh”, thotë, “Pse? Çka ju bâmë’?”, “Vallahi bre, na jena ardhë me lypë pushkën tonë.”, “T’kena thânë qȋ pushkë na s’kena. Bâba i ka marrë pushkt’, na s’kena marrë kurgjo.”. Çohet ai shkau qȋ e kish pasë kallashin, thotë, “Nânën kshtu e kshtu bâbës ton edhe ty ta bâfsha”, n’atë natë thotë, publikisht. 

Ky vllau... ngat i afrohet ky vllau... as njâ as dy [2] s’ban, si t’i qepon shuplakë shkaut, shkau u kânë ma plak se ky... qysh i mshon shuplakë, ding, e rrzon shkaun pej karrikës e n’tokë. E t’shymëm ato far’ gazllicat, dritat, bâhët hauz... tash veç kush kânin po e prenë. E kur do Zoti nȋ shkâu, ju thojshin at’herë policë t’katunit, e kanë pas’ bâ njâ palidhje veç qashtu, n’katërdhetë e pestën [45], çfarë polic, thotë, “Pasha Zotin, njo [1]...”, thotë “çohet me i râ Imerit ja Shabanit, pa ju vrâ tânve shkíve se lâ.”. Shkau i thotë, “Imer?”, “Ohoj”, “Shaban?,”, “Ohoj”, “Hajdi mas meje”, thotë, “Ju shkive: njâ me livritë pa ju vrâ se lâ.”. U kânë pak si i trent pej ftyrës. Na kapë e na çon te shpia e mâ s’kena pasë kurrë problem me shkíe mâ. Qishtu. 

IB: Shumë histori, shumë ngjarje. 

BG: Ajo s’harrohet kurrë. Ajo, ajo... kur jom ardhë ktu edhe shkâu kur na ka hi mrena, une des’ qȋ thojnë edhe nër vorr m’dokët qȋ kom me përmenë atë kohë. Si thmi, gjashtë [6] vjet, gjithë atë vaj qȋ e bâmë. Shkâu herë njânin na qitke knena, herë njanin. Nî herë nânën teme e kapke për dore, nusën e kapke veshun - deshën... qysh... tu flejtë. Po s’kanë pasë at’herë qillim veshun a deshën - grue. Po qillimin e kanë pasë Imerin, vllaun me marrë e me vra. Se kur i ka thânë ai shkau, “Ta bafsha nânën kshtu”, çohet e rrehë tani... vllau çohet e rrehë atâ. Ahh... e qishtu u kânë puna. Ju shurdhova pak. 

IB: Jo, jo. Aspak. Falemnderit shumë. Shumë faleminderit. 

BG: Qikjo osht’ ma me rënsi pej krejt jetës. Qikjo rrehja e shkive qȋ na kanë nxjerrë natën... qajo u kânë ma me rëndësi tan’ kohën. E, po. Ajo s’harrohet. 

IB: Faleminderit shumë edhe nî herë, axha Bajram. E do t’ju informojmë na n’vazhdimsi çka po bohët me projektin. 

BG: Ishalla kaloni mirë krejt. Për ty ma s’pari. 

IB: Falemnderit shumë.