Brahim Sekiraqa

Intervistuar nga: Fisnik Kamberi

Babën e kom pasë shum njeri t’mirë, njeri t’mequm, njeri i urtë, njeri atdhetar, njeri shum i mirë u kanë; ashtu e kom pasë edhe nânën

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

10.06.2018

Lokacioni i intervistës

Podujevë

Vendi i lindjës

Bllatë

Tranksriptimi

FK: Mirëdita! Jam Fisnik Kamberi, hulumtues i projektit Kujtesa e Kosovës - 100 rrëfimet. Sot ôsht datë 10 qershor, viti 2018, gjendem në qytetin e Podujevës, jam me subjektin e radhës, i cili quhet Brahim Sekiraqa. Tash po fillojmë intervistën.

Axhi Brahim mirë se vjen në kët intervistë!

BS: Mirë se u gjeta! Mirë se erdhët edhe ju tek une për intervistën në konakun tim!

FK: Faleminderit! 

Axhi Brahim, kur dhe ku je lindë?

BS: Une kom lind me datën: 13 maj 1933, n’fshatin Bllatë; prej prindërve Rexhep Hajdar Sekiraqa dhe Metije Haliti Sekiraqa.

FK: A mundesh me na folë ma tepër për prindërit?

BS: Po. Po ka prindërit, si thmi, kujtoj k’to: tash çdo njeri si foshnje s’man men kurrgja, a? Mirëpo kur t’nisë, fillon pak m’u rritë, e pak m’u zgjut - me dijtë diçka. Unë i maj men shum, prindët i maj men shum mirë, dikun pesë [5] vjet e përpjet knena. Babën e kom pasë shum njeri t’mirë, njeri t’mequm, njeri i urtë, njeri atdhetar, njeri shum i mirë u kanë; ashtu e kom pasë edhe nânën. Nâna u kanë pej ni familje shum e mirë. Daj’t pej Braine i kom, Gash jon. Edhe qishtu qe bâba me vllaznillak, me kojshillak u sjell mirë gjithmonë, me evlad mirë. Prindët e mi na kanë pasë veç neve dy vllaznive, na: une edhe vllavi jem Rexhep Sekiraqa. Une jom para tinaj nën [9] vjet. Mixhallarë i kena pasë dy: Alinë edhe Shabanin. A me t’tregu për tjerë familjar?

FK: Po, po.

BS: Alinë edhe Shabanin i kena pasë; Alija kur kom lindë une, i ka pasë dy thmi, ashtu qi m’ka tregu... nâna m’ka tregue, i ka pasë dy thmi: e ka pasë Hasanin edhe Rizahin, dy djel. Mandej, tana ka pasë edhe tjerë. I ka tri djel e tri vajza - mixha i madh; mixha i vogël: dy djel e tri vajza. Babgjyshin edhe gjyshin i kom zatetë shum mirë, i maj menë shum mirë. Babgjyshi u kanë ni burrë i mirë! U kanë shpërngulja e muhaxherëve asaj kohe, a…?

FK: Po, po, patjetër. Emrat tregona t’gjyshërve... nga e kanë marë…

BS: Babgjyshi jem at’here... nuk jon thirrë Sekiraqa, po jon thirrë Jashari, n’emën t’babgjyshit t’vet. Emnin, Sekiraqa/mbiemnin e kanë marë mas shpërnguljes t’muhaxherive.

FK: Ku ishin që n’fillim?

BS: At’here kur jon shpërngul ata, e kanë marë mbiemrin Sekiraqa... dalum atje: kur u ba regjistrimi i turqve n’at kohë, ka pyet: “Pej cilit fshat je ti?” - “Pej Sekiraqe!” Daj emnin, me marë mbiemrin Sekiraqa, për me dijtë pasardhësit e tu kah jon kanë, se vje koha m’u kthye n’vatan, kanë thanë, n’ven, për ata edhe e kanë marë emrin Sekiraqa. 

Babgjyshi jem ka le n’Sekiraq. Babgjyshi jem dikun ka le, u dalë pej muhaxherisë, dikun qysh m’duket mu, nja tetëmdhetë [18] vjet, dikun 1850-ën dikun, qaty dikun ka lindë, n’Sekiraq atje. Sekiraqa âsht me regjiânin e Leskovcit tash momenta... Jabllanica quhet ajo regjion aty, jo Toplica, Toplica o k’nej, Jabllanica anej. Sekiraqën kufini e ka da përgjyst. Qiky kufi qi o sot me Sërbinë, u vnue qat’here kur u kanë Muhaxheria, jon shpërngul krejt. Babgjyshi jem... n’tokë t’babës tem/babgjyshit tem, domethanë âsht ni sërb, Saveta Borishi. Jom kanë e kom vizitue me babën tem.

FK: N’cilin vit përafërsisht?

BS: E valla vitin... 1965 jena kanë. At’herë u kanë nifarë lirije kogja e mirë, mujshmi me shku kah dush. Jena shkue me babën e me nja dy kusheri tjerë, e kena vizitue venin atje ku kanë lindë paraardhësit tanë.

FK: Përshtypjet që i kishe kur e pe vendin?

BS: Po qy, ça t’thom, sot e asaj dite përshtypjet jon kon shum t’mira. Ven i mirë, ven i begatshëm, ven i pasun. Ku ishin kanë shpijat, ishin kanë, rroj ni mali ni k’shtu, pak si ma shpat mali, poshtë livadhet, arat, krejt rrafshimë, tonat rrafsh ish kanë, ven i mirë boll. Ata shkijet tash e quejn lagjen aty, ku ôsht ai, “Cërkfin” e quejn, a katuni ôsht Sekiraqa; aty ka lindë…

FK: Çka biseduet n’takim kur shkut?

BS: Biseduem aty... baba bisedojke ça qysh i ka kallxue babi i vet, se kur jon dalë pej atyhit, ata jon dalë 1876-ën, kanë pasë gjâ (bagëti), kanë pasë lop, dhenë, dhi, dele, kuaj, tonat i kanë pasë, e k’tu e kom zatetë edhe pej babgjyshi: sen s’kanë mujt me marë, vetëm ni penë kije. A e din ti çka jon kijet?

FK: Po, po. 

BS: Ni penë kije i kanë ngjit n’ni kerr me dy rrotë edhe ni lopë e kanë lidhë për koleshniku i thojshum na k’tyneherë. Babgjyshi thojke “ni pelë pa fre hiç jom hyp n’ta, masi jom dalë te kufini khâ”... u kthye babgjyshi i ka lshue gjânë mos t’cofin, mrena jon metë qashtu, edhe jon dalë knena; at’here Sërbia kon e ka… qysh ish kanë urdhni aty, tha “me përkthyes ardhë n’sabah”, thotë: “Qyre, akshami s’guxon me t’nxanë k’tu; ec!”... N’ardhët n’akshom: “S’guxon me t’çelë sabahi” [flet me gjeste]. K’ta ishin kon dal natën, se u kanë ardhë n’akshom, u kanë ardhë, kush nuk u dal: i kanë masakru, i kanë pre, i kanë gri, i kanë vra! O dosti jem, na pej Sërbie gjithmonë kena hjek, gjithmonë na ka pre, na ka gri, na ka masakrue sa ka mujt, vetëm m’i çfarros popullin Shqiptarë, kurgjo tjetër s’ka dasht ky! P’e thom ni thanje, qi e kanë pyet ni malazez: “Për çka kishe kcy pej qisaj urës t’madhe ti, n’Çakor atje me ra poshtë?” Ka thanë: “Po me ma maru ni përmendore e me thanë filani u kanë qi ka kcye!” E ni sërb p’e vesin: “E, ti?”

Thotë: “Une me jau lanë fmive do tokë; do tokë me jau lanë fmive.” K’ta kanë kqyrë veç tokën, k’ta shqiptar’t s’i dojnë, e dojnë tokën k’ta; k’ta gjak shqiptari gjithmonë kanë pi. E tash: Rakovica! A ke nije qi ka Rakovic? 

Ka!

FK: Po.

BS: Rakovica ô kapun me Beograd, me qytetin e Beogradit, sikur dy gishtat e mi qishtu. Kurrkun gjeti Rakovicë nuk ka! Pej qatyhit jemi shqiptar’t... merre me men tash! Pej qituhit treqin [300] kilometra, qi jon trojet shqiptare qi na ka njek Sërbia, i ka masakrue, i ka marë! U dalë kufini ku u dalë... Me tradhëti na e kanë da kufinin! Qiky kufi qi o qitu: ka nejt Naserrbac tri [3] vjet; se turkut s’i ka interesue për tokë shqiptarve! Kur jon shkue atje n’Londër, ku u kanë ajo mbledhja, kanë thanë “nënshkruje”, ka nënshkrue; tri [3] vjet ka nejt aty, jon ankue ata: “S’po t’del ku…” Jo Jaserbac, po Përpellac ja kanë çkrue ata! “Përpellac”, - kqyrne ka thanë, - “Përpellac” - “Jo bre, Jaserbac” - “Çu!” edhe u dalë! Shkijet jon hi, kanë vra, kanë vjedh, kanë lanë, çkamos kanë bâ. Qiky Llapi ynë qitu, çfarë duesh nisu... as Gollaku, para 1912-ës s’ka pasë sërbë as malazezë, a e din ti k’ta? Jöe! N’1912, shkijet/Sërbia e ka sërbizu Kosovën. 

Kur u ra Sërbia e parë / U bâ bashkë me bugarë / U bâ bashkë me Bugari / Ranë n’Kosovë dy të ri / Grykët e Llapit ku jon hi / Kanë pre shqiptarë dhe kanë gri / Ka tri shpi i kanë shti n’ni shpi / Jau kanë mush shpijat (oborret) me thi / Ça po bajnë shqiptar’t e zi / Jon ikë do muhaxhiri... 

K’shtu âsht, qat’here i kanë ba k’to sërb’t! Gjaje ti ni sërb qi thotë jom kanë para 1912-ës qitu, ta jepi kryt! Jo! I kanë njekë shqiptar’t i kanë çu n’Turki, i kanë vra, i kanë pre, i kanë masakrue, i kanë... ça o err e terr, ma t’zezat i kanë bâ... tökën jau kanë mârrë. Qe, e di ni rast, e di ni rast. Kanë qenë do t’burögsun n’kohën e Kralevin’s, mas ’12-ës [1912] e u kanë kjo “jo koçak, jo k’nej, jo anej”, e jon kanë Mërqezi, u kanë qitu tu pishat që o sot; i kanë shti hapsa qaty; ni Namun Jashari i Hertic’s, ni dervish i Hertic’s e ka pasë vllaun qaty “hap’s”. Ish kanë trimi i trimav ai! E mer disa komite edhe vjen jau then murin përjasht edhe i nxjerr! E nxanë aty, e qesin n’burg: dymdhetë [12] vjet; jav’ kanë marë tökën, ja kanë dhanë shkaut; tökën e tinaj ja kanë shkau... Tökën e tinaj e ka Halit Turuqica qi e ka ble pej shkau, qi ja kanë marë, e kanë burgös, e ja kanë marë tökën.

FK: Tash, p’ju kthehum…

BS: Tash veç edhe pak, tash edhe pak, veç edhe ’i tröh! Përpara k’tö une i kom nie pi babe, pi babgjyshi, pi tjer’ve. Qitash p’ja nisi t’provumet, t’mijat. Poo... 

FK: Pej kurshit man menë, kujtimi i parë…

BS: Epo qe, qe qe, shum mirë... Hi-hi! Maj men pej pesë [5] vjet. Na at’here atje n’katun, ni familje ku kom lindë unë... u kanë sulid/mesatare u kanë, as nuk u kanë fukarallak kejt, as ma e pasnja, mesatare. Kena pasë dhenë, lop, dhi kena majt; babgjyshi i ka pasë dej niqin e pesdhetë [150] copa dhi, niqin [100] copa dhenë, e qishtu me ren. Maj men: m’marshin/m’marke babgjyshi me veti, thajshin “shko birmi dhetë”, pesë [5] vjet, aty fmija... Eh, për me ardhë tash te Lufta e Dytë Botrore, qitu nisa me nisë, qi me majt men pak ma gjonsisht. Te na atje n’Gollak thojnë “pej Gollaku”. Nuk jom llapjan! Atje kom le... n’Gollak kom le, n’Gollak jom rritë. Kom jetu dyzet e pesë [45] vjet n’Gollak. Qi tridhetë e nan [39] vjet jom n’Podjevë. E tash, atje, qaty jena marë, me k’ta me ata, edhe tash për me dalë te kjo tjetra khâ, shkölla s’kena pasë. N’Gollak, n’Orllan u kanë veç ni shkollë katër [4] vjeçare sërbo–kroate. Kush ka dashtë me shkue n’shkollë, s’e kanë nal atâ. Hoxhallar’t tönë kanë thanë n’at kohë - qysh kom nie tash une - se mos i çoni fminë n’shkollë, se i hupin fenë! Mirëpo deri n’shkollë t’mesme i kanë çue! Mehmet Höxha për shemull; Molla Qerimi e ka çue djalin e vet; u kanë lula e parë e shkollume n’at devizion n’Gollak. N’katunin tem u kanë ni Muharrem Hazir Sekiraqa edhe ai i ka pasë katër klasë sërbo–kroate; ma i afti u kan n’katun... se u duftë me shku gjithë dikun, kur ni ushtar e ka çu ni letër me lexu, se s’ka dijtë kërkush me lexu. E tash n’dyzet e pestën [1945], se Podjeva e ka pasë çlirimin, me tetë nëndor katërdhetë e katër, dyzet e katër [08.11.1944]; n’dyzet e pestën [1945] ja nisën shköllën me punue do sene, e te na atje n’Gollak u çelën do shkolla: nja n’Rakinicë, nja n’Metërgovc... tash n’Metërgovc u mshel; u kanë edhe aty shkolla; nja n’Brain, nja n’Galatic, nepër oda, n’Metërgovc n’ödën e Isak Bislimit, n’Galatic n’ödën e Alisë Suzullahit, n’Brainë n’ödën e Sejdi Sekiraqës... qito tri shkölla që i kom majt men aty rrethit. N’Rakinicë edhe aty ni ödë, po atje tybe nuk i di t’kujna, se u kanë pak ma larg. Edhe n’Turuqicë shkölla, krejt nëpër oda. Une kur jom shkue n’klasë t’parë... jom shkue dymdhetë [12] vjeç. Msues e kena pasë, ni msues pej Dyzi u kanë, Sabit e ka pasë emnin, mbiemnin, kurr... e kom harrue, mëti u kanë ajo punë... s’e di, i kom vét do njerzi, po apet, tybe p’i bi n’fije kush u kanë. Me ni baretë ardhke, do tesha, m’doket, si a di si diqysh si, ardhke do kpucë, na u thojshmi kpuca at’here, i kish maru do si jon kanë... do farë u thojshmi “apangë”, si medvexhe diqysh u thojshin, ardhke me do pantoll t’zi t’zhgujt, me pantoll zhguni u ardh ai; se jo t’pegllata teshat, sikur tash pröfesorat e msuest. Me ni setër t’bojkaft, na ka dhanë msim. U kanë msues i mirë. Djelt jon kanë krejt me plisa; vajzat me shamija. Po vajza ka pasë ma pak, se fillimi, nuk i çojshin shqiptar’t vajzat.

FK: Për shembull, n’klasë t’juej, sa vajza jon kanë?

BS: N’klasë tönë, nal t’i njehi me emra (Zyra, Xhemilja, Faza…): gjashtë [6] vajza jon kanë, gjashtë [6] vajza jon kanë! Na jena kanë dikun nja shtat-tetumdhetë a nizet [17–18 apo 20] djem.

FK: Po n’msime, a dallojshi me vajza?

BS: Po ka pasë dallim, qysh s’ka pasë... Ka pasë nxansa... Vajzat jon kanë gjithë diqysh, qysh me thanë... pak ma, ma interesant, për me msu ma fort, ma t’interesume. Na djemtë u halitshmi kapak. Qato katër klasë i kom kry, ma shum jo. Shembullör jom kanë. Krejt me pesqe i kom krye.

FK: Cilat landë t’pëlqejshin ma shum? (Që t’kujtohen…)

BS: Valla mu m’ka pasë pëlqy ma s’förti Matematika. Matematikën e kom pasë marak shum, edhe sot e asaj dite shum maj men, bile kur i marin do i bajnë hesap me qin: “Nal, qysh ke; qishtu, qikaq bajnë”, se e kom pasë marak.

FK: Vështirësitë cilat ishin n’shkollë…

BS: Vështirësitë jon kanë boll valla. U dufke me shku n’shköllë, u dufke me shku k’nej, dej dikun; tanaj pasuni valla jo, tanaj shih, Teprica/Vishaku; teprica neve na ka mytë! Dalshin n’fshat aty, kur dalshin, ni kshilltar a dy, nja e marke pej komune edhe e kqyrke arën, “sa i ka qikjo arë” e matshin, ni hekter, për shemull, sa m’i qitë kjo... ku e dike ai sa m’i qitë, “i qet valla dy mij e pesqin [2.500], tri mijë [3.000] killa; qikaq ka m’i ra n’tepricë”, po nuk dalke me dhanë tepricën! M’kujtohet Milin Kuliqi, u kanë kryetar i opshtin’s n’Orllan, Mustafë Maqedonci u kanë kurrir, edhe jon ardhë tu na... Bâba çka pat drithë... se u kanë bashkë... mixha i madh u da ma herët, me tjetrin mixhë u kanë bashkë, i merke i keshke, pasha Zötin, do drithë e murën, do pak e skejun, lanët ata... u ardhë me fshisë e ka fshi hamarin, s’na lan hiç trohën, hëh! E qiti pushkën n’prehën qishtu, sikur me majt qat shtagë me qitë k’tu n’prehën, n’shkam m’u ulë, qe po pin duhon... Mustafa i tha: “I brica” (sërbisht). - “Uqi ambar!”... “Hin n’hamar”, - tha, - mere fshisën fshije krejt!”... trohën s’e la! Jo veç te na po gjithkun u kanë ajo. Teprica e ka mytë popullin. Urija! N’katërdhetë e shtatën [1947] u kanë urija ma e madhja. Ka bo vaki, une për veti po t’kallxoj, qe dikun, afër tre [3] muej ditë bukë t’gatueme me dorë t’njeriut s’kom pa, se jo me hângër! Po me çka jetuet? Tamël ka pasë, se kish gjâ, se drithë m’u ble nuk u gjetë, edhe ai qi kish, s’guxojke me shit, se e çojshin n’burg: “E paske mshefë”! Me miell t’kallamojt, tamël edhe do kryp me përzije u bojke si skrop me qata delke... e na u bonën ftyrat: qe!... [flet me gjeste] Se me köhë, tri herë na dhojke nâna n’dite. Baba jem e shiti treqin [300] banka ni löp, kishmi be gjâ, po badihava, s’ki ku e merr, ku me gjetë! Me shkue n’Pejë... u shkue i ka marr tridhetë [30] killa kallamoq, hibrid ish kanë kokrra NAH, ka dhetë [10] bânka killën, e ka pru qata hikër, me qata jena baravat qishtu! Lakna as livadhev s’kena gjetë dikur, se masivikisht populli krejt. Vallahi me pereni t’arav pasha rizen e Zötit kom hângër laknur, se s’kishe, u kanë n’gji e ke marë, skâmje e madhe u kanë töna. N’katërdhetë e tetën [1948] bre djalë (heej kuku, kur nij çka kena hjek pej shkijev’), dul ni Infobiro-sa, baegi politikana, i di njer’zit une, Smajl Zenelin Retroceri pej Bërveniku e kanë denue tetë [8] vjet burg, veç ka thanë “kjo dërrzhav nuk vyen” se e ka përzi kazanin ushtarve, muslimont me sërb’t, jau ka përzije e ka bâ ni ven me mish t’thiut”, ka thanë ky ôsht kundër respekti: tetë vjet burg ngulitën! Hajdar Metërgovci, gjasht [6] vjet burg, veç qi u kanë bashkëpuntor i gjermonve edhe i Shqipnisë t’Madhe, se as s’ka myt kon, as s’ka vra kon as. Infobyro u kanë atje, n’kohën e Jugosllavisë t’vjetër. Qi m’i majt men un ata xhanar’t, dikun tridhetë e nantën/katërdhetën [1939/1940] i maj men! Dalshin nëpër... thojke babgjyshi: “N’t’zatetshin xhanar’t, t’vetshin i kujna je, mos folë hiç”. Kanë kallxu njerzit, qi kanë thanë, m’i folë: “Paja khâ, pse fole?” edhe i ka rreh! Mos m’i folë: “Prit ti, paja khâ!” edhe e ka rreh, n’köhën e xhanar’ve. Kur hini... Partizon tash, po dal apet atje poshtë n’fund, brigada çetnike u veshën baegi “Partizan”, i ngjitën dâ ylla n’ballë, kryqin mrena n’krye, edhe dulën nëpër katun plaçkitën, e rrehnin e vranë! Une m’kujtohet sikur dita e sötit, babgjyshi u smu, ke paqejf, erdhën e çelën derën e öd’s, britën: “Stari”, niherë veç i kqyri, s’foli kurrgjâ, i murrën burrat i çuen n’Sërbi... ni katun atje i thonë Porpore, i kanë majtë dymdhetë [12] ditë; kur jon ardhë: as m’i njoftë s’i njofshe, qaq rreh! U kanë ni kusheri, ni Beqiri, rahmet Zöti i paqt shpirtit tina, si i kanë ra pushkë, ton dhomt ja kishin pa thye! Shkoj me dhom, e erdh pa ta! Qashtu, se ata kanë ba gjithmonë masakra! Se, kur u ba ajo lufta... erdhën Shqipnija k’tu, qi baegi u ba ni troh lidhja, at’herë kqyrë bre djalë, at’herë n’kohën e dyzt e ni-dyzte e katër [1941–1944] u kanë ni liri e madhe, për shqiptar’t e kom fjalën. Shqipatr’t jon armatös krejt; nërmje veti s’jon vra sikur sot, ja’a! Kufinin e kanë rujtë, u kanë ni liri e madhe!

FK: Qysh t’kujtohet ardhja e gjermanve? Masi veç jemi n’kët periudhë…

BS: Ardhja e gjermanit m’kujtöhet shum e mirë. At dite, dy [2] ditë pa ardhë gjermani, jom kanë tu dajtë…

FK: N’cilin ven?

BS: N’Brainë; ishin tubue do burra aty, e mixha i nan’s tha (baci Avdi i kena than tanë; Avdi Fetahu, rahmet Zöti i dhasht shpirtit tina), tha: “Jom kanë dje te opshtina n’Brainë... Sejdi Sekiraqa ish kanë kryetar opshtine, thotë e: ‘Allamuja i ka ra Sërbisë; Allamuja i ka ra Sërbisë, e p’e merr!’ Tre [3] airoplanë jon ardh pej Perëndimi, drejt kah Lindja. S’kisha pa kurr! Jo! Për herë t’parë airoplan: vëëërr! - ‘Baci Avdi, qita jon bollânat, bollânat e gjermânit’”. Mas dy [2] dite erdhën aty ushtrija töksore; shqiptar’t i kanë prit mirë, po se: liri! K’ta sikur kur ta hjek barrën pej shpine, sikur qitash, a p’e sheh, k’ta t’huejt na liruen. Taj airoplanat, gazeta ka çkrujtë... shqiptar’t qi duhet me kanë airoplanat e Gjermanisë. Erdhën gjermont, u lirue veni, u punsuen njer’zit pak a shum, ni liri duel, ni paqe duel, ni besimi madh u kanë nër, nër shqiptar’t, u kanë fjala fjalë, besa besë. Vallai bre djalë tash, fjalë ka, po besë nuk ka! Tash duhet me thanë: “Besnik bonu, besë mos zi!”, qishtu duhet me thanë, ma s’shkurti. E kah e folum dje pak na... se mas Luftës Dytë, se përpara kur u ba marrëveshja e AVNOJ-it, kur u formue Jugosllavia e Titos, me niz’t e tetë/niz’t e nanë [28/29] nëndor, niz’t e nanë, se jo niz’t e tetë, nizet e nanë nëndor n’Jajqe n’Bösnje, u formue: gjasht [6] republika a dy [2] krahina; qysh e ma... [Maqedonia] republikë ma knena, ajo s’u kanë hiç, po me tokat shqiptare e ka ba edhe bugare... ni pjesë e ka marë t’Bugarisë, ni pjesë knena shqiptar’ve, edhe e ka ba mut. U kanë e parapame drejtat e barabarta tanë, deri kur i kena pasë, po na kanë surpormue ata, na i kanë nal; punsimi m’u ba simas popullate. Folum dje na k’tu, sa përqin ôsht shqiptare, qaq përqin edhe punsimi. Mirëpo, po shqiptar’t e ngratë, gjin’ t’shkollum s’kanë pasë, tash mos te kqyrum Gjakovën atje, se ata kanë studiu n’Shqipni tanë, me Fadil Hoxhë, e Ismet Sheqir, e ça di une, krejt, ton ata atje i kanë shkollu, krejt, e ata tanë e kanë pasë shkollën e mesme, mos paçin pasë fakulltet... Xhavit Nimon e, se vimë edhe tu Xhaviti ma vonë pak. U vnu pushteti, poo, apet dominojshin, sërb’t. K’tu n’Podjevë, n’Podjevë, n’Podjevë u kanë qark/rreth, ndash thuj “srez”, qysh duesh, at’herë i kanë thanë “srez”, k’ta n’Shqipni po i thonë qark, dikush po thotë rreth. Ka pasë opshtinë (komunë) n’Lluzhan, n’Pollatë, n’Kërpimeh, n’Orllan, n’Sfeqël, n’Lupç plot opshtina jon kanë, tahmin edhe dikun t’vogla jon kanë ato, po k’tu u kanë qendra, rreth. Kryetar i srezit k’tu, i rrethit: Radovan Zhikiqi; k’shtu e kom nie. Qitö qi po t’i flas qitash, e kom kqyrë ni njeri qishtu n’sy sikur ti mue, kur ka folë. Ai u kanë Sejdi Sekiraqa. Sejdi Sekiraqën e qesin kryetar gjyqi; ai komunist i tridhetë e nishit [1931] me Mustafë Hoxhën, me Ali Shukrinë, me Fadilin, po ta lidhi pej tridhetë e nishit [1931] e anenaj. Mustafën... u kanë si komandant... e qesin naçallnik i Punëve t’Mrenshme k’tu, sikur komandanti i post policisë qitash, naçallnik at’herë n’atë köhë. Krejt tjer’t jon kanë sërbë, vetëm ni Rifat Luta i Barainave ish kanë n’srez tuj punue; se Jah Fushë, e Haxhi Visokë, k’ta shqiptarë qi jon kanë t’zot, i ka pre me kohë ky, i ka hjek. Jah Fusha e kanë mytë k’ta. Jah Fusha ish kanë shum njeri i zöti, shum i zoti; Haxhi Visoka shum i zoti!

FK: Çka kujtoni qe ju kanë tregu për Jah Fushën, Haxhi Visokën? Çka kujtoni qe ju kanë tregu për ta?

BS: Po kanë tregu... ata jon kanë për ni, qysh me t’thanë, jon kanë për bashkimin e trojeve shqiptare, at’herë kurgjo, jo me Sërbinë, po me Shqipninë. E tash, u vnuen k’ta: gjykat’si sërb, ata përreth tij, poreto u thirrshin k’tyneherë: sërb; avokati: sërb; padit’jsi: sërb; i pandehuri: shqiptar! “Vallahi jom dal, se m’noçën! Po ma ka djegë shpinë, e ma ka marë tokën, e ma ka pre malin... ” e ktâ-ktâ-ktâ-ktâ” pa kanë hiç, denohet shqiptari, ja me pare, ja me burg! Ni ditë po thotë... ai paska qenë n’konak dikun, Selim Obranqa, qai Sejdia, e i thotë dikush: “Mixha Sejdi!” (se ai njeri i vjetër) Thotë: “Hoj!” - “Qysh bre ti kryetar Gjyqi, Presetnik”, - thotë, - po denöhen shqiptar’t drejt për s’drejti... Po vallahi, vallai nuk i ka as dy javë qi e denuen filon fistekun, qyre, qyre, pa i bâ kurrgja hiç, veç m’inati!” - “Ma, bre!” Thotë: “Po, mere n’hetime pak…” Dalin, kujtohet ai, mas... ça me matë?! Mas ni kohe i vjen, e denöjnë ni shqiptar (po m’doket gjithë i Dumnic’s thojke) e denöjnë shkijet, qi gjoja se “jau ka kallë shpijat, kur jon dalë shkijet pej k’tuhit”. Ky merr hetime edhe: s’ôsht e vërtetë ajo. Ja bjen vendimin kurriri i gjyqit, thotë: “Presetnike, nënshkruje!” Bile i thotë sërbisht: “Opishi!” - “Leje qaty!” - i tha... Tha, i thashë: “Leje qitu! E la.” Tha, i thotë kurririt t’vet, e kish pasë ni kurrir ky zahere, veç kurrira kanë pasë, tjetër kurgjâ: “O bir, shko thirrma Rifat Lutën, atje n’srez, thuj po t’thirrë Sejdia, has kryetari Sejdia po t’thirrë!”; vjen, thotë: “Axha Sejdi…” -“More, çka m’ke thirrë?” - “Lexoma qit akt!” - nuk i kanë thanë vendim, akt i kanë thanë; ja lexon ding ding: “A qashtu koka, a?” Thotë: “Qashtu!” - “Ama khâ” e mer e çkyen (edhe... a e ke pâ: k’ta tanë e kanë ka nifarë körpe për mbeturina m’i qitë) e gjuen; erdh tha ai kurriri me marë (ktâ kerkush s’ta thotë, se s’e din. Ai u dekë rahmetlia, ni djalë e ka pasë, ai tyben t’ka majtë men, po s’ka pasë kujna ja jep, se gjasht’ [6] djel: asnja s’i ka t’hajrit; po mue ma ka dhanë; une e kom majt men, se e kom pa n’ödë; jom kanë i ri at’here)... vjen kurriri m’i marë... kur vjen thotë: “Kryetar, a nënshkruve?” Thotë: “Po!” - “Ku â?” Thotë: “N’körp!” Kur kqyrë n’körpë: qartet! Thotë: “Ti i paske çkye!” Thotë: “I kom çkye!” Thotë: “Ki me pa!!” - ky... edhe ai e hoç alltinë, t’ja bo gjyksit dëng, thotë: “Jasht! Se k’shtu... k’shtu pa t’vra s’e la!... edhe bërtet: ‘Aaaa! - u tranu kryetari’... e mshela zyrën tap me dry, edhe i thashë kurririt ‘shtrëngo çezën edhe kalin merre, taxhi për kali, se nesër po shkojmë n’Prizren.’” Tash p’i flasin dikush (Prizreni n’qatë köhë, mas Luftës Dytë Botrore u kanë kryeqytet i Krahinës t’Kosovës, deri n’katërdhetë e tetën [1948]... qat’here e kanë hjek pi atyhit), “Çohna”, - tha, - n’sabah s’shkova ma n’zyre; n’sabah hypim n’çezë” (komandanti i policisë e ka pasë ni çezë, kryetari i komunës, kejt çka jon kanë tonët ka ni çezë e kanë pasë, kerre s’kena pasë) e shkojnë e bujnë n’Carralevë (nashta s’ô interesant qikjo... n’fund o interesi ma i madh); bujnë n’Carralevë, i bojn hyzmet ata: “Sejdi, kah po shkon?” - “N’Prizren, tu Xhavit Nimani!” - Xhavit Nimani ish kanë kryetar i krejt gjykatave t’Kosovës t’asaj kohe. A e din qysh u thirrë Kosova at’here? AKMU: Autonomni Kosovski Metohiski Uvllatu, ni rreth i ngushtë, AKMU, kur e marrshe ni çertifikatë i cil’s gjykatë s’po e gjaj t’kohës, n’vizë çkrujke “AKMU”. Çohën nesër n’sabah, hanë kaftjall edhe i grahin, edhe shkojnë n’Prizren. Kur shkojnë n’Prizren, tani qytetar’t bashkë atje jon tu e gjajt, khuuu i thotë Mixhasitit: “Pse bre je ardh... s’e ke çu dikon tjetër, po je ardhë ti pej atjehi!” [kollitet] - “M’fal!”, - tha i thashë, - “Jom ardhë me t’kallxu qi pëe lshoj punën!” - “Jo, nuk bon!” - “Jo vollahi, ka me bâ fuzë! Se po denohet shqiptari i drejtë, shkau i shtremt, gjykatësi sërb, avokati sërb, parot sërb, paditësi sërb, ky i pandehuri i shkretë po shkon n’burg: a po jep pare? S’rri mâ aty... me m’shti me shku si Sejdi Sekiraqa, kurr!” - “O mixha Sejdi, duhet me nejt edhe tridhetë vjet na qishtu; k’ta neve shkollë nuk na jepin, po duhet me vjedh na; kur t’i bajmë tridhetë vjet, na shkollohemi e marrim vetë pushtetin!” - “Vollahi, - tha, - as tridhetë orë s’kom me t’nejt ma... qe çelësat”... atâ e çöjnë n’penzi, e bajnë, ëëë, Pajazit Hamitin kryetar, nip e ka pasë, djalë mötre ai (sikur qitash t’vet, a pe sheh), e çojnë n’ven tina aty. 

Kur u bân tridhetë [30] vjet, u shkollun shqiptar’t! 

A erdh Kushtetuta e shtadhetë e katërshit [1974], a?!

FK: Po, po.

BS: Eh, ti s’e ke zatetë, po e man men ti, a t’kanë kallxue?... A e morën shqiptar’t n’dörë? Po! A i patën tona t’mirat? Po! A patën ma shum vleftë shqiptar’t e Kosov’s se Sërbia? Po! Sërbia s’ka mujt me ba kurrgjâ pa Kosövë, e Kosöva pa Sërbinë ka bâ. Qy ku o Merdari k’tu: gjasht [6] sahat policia sërbe ka nejt qitu, dekteri Remzi Kolgeci (qi u kanë kryetari i Kryesisë, n’tedhetë e nishin [1981])... dej e ka nënshkru, s’ka guxu me hi! Ke shtet edhe ma i fortë se qitash! Tash nuk jena shtet. Tash falë Zotit edhe qityne t’mdhâjve qi na kanë çlirue... Edhe, a e di ku erdhum? N’dyzet e pesshin [1945], n’Bujan! Jom kanë n’Bujan une, n’Shipni... 

FK: N’cilin vit je kanë?

BS: Jom kanë parvjet, qi dy vjet.

FK: E ke vizitu kullën?

BS: Kom vizitu kullën ku u majtë mbledhja. Aty u majtë mbledhja, u kanë qëndrimi... se jon marë vesh Tita e Enveri, te kryjm luftën bashkë, tanaj shqiptar’t kah t’dojnë. Mirë boll, po aty ka lujet tjetër rol, qai qi ka thanë po shkoj me Shqipni, ata nesër n’sabah s’e ke pa... edhe u duft me pelqye aty! Shkon..., qe edhe qita: shkon Fadili n’Beograd, kur shkon n’Beograd, kur kthehet... i thotë: “Qysh metë?” Thotë: “Pasha Zoti metum me Sërbi!” Udh’heqsia i thotë: “E zez dita koka kanë!! Pse?... Me kon metë me Mal t’zi, edhe pse s’shkuem me Shqipni, ishmi da ma kallaj, e me Sërbinë s’mujm me u da!” Thotë: “Jo, dahmi me sërbë: kur shkojnë pesdhetë mijë viktima!” Fadili qita e ka folë: “Kur bahen pesdhetë mijë viktima, na dahmi pej Sërbije”. Përmi pesdhetë jon ba pej at’heri deri qitash. Se n’Luftën e Dytë Botërore n’kofshin kanë pesdhetë mijë [50.000] vetë, shqiptarë e sërbë e malazez, e çka di, pesdhetë mijë, sigurisht tridhetë mijë-katërdhetë [30.000–40.000] jon kanë shqiptarë, se k’ta vetën s’e vrasin! U metë me shkue me Sërbinë e Jugosllavinë! Tanaj masi u vendos ajo, erdh pej Prizreni... u hoç kryeqyteti, erdh n’Prishtinë. Qitu n’Podjevë, e fola ma përpara, Radovan Zhikiçi, Çeto Tapalloviçi, Sveta Del, ëë, Deliçi, a qysh e pat mbiemnin, Sveta... UDBA-sha, kanë rreh, kanë plaçkit shqiptarë sa kanë dasht. 

Aksiâni pushkëve: n’pes’t e gjashtën [1956]! Heu more dösti jem, sa njeri u rreh, e pat e s’e pat, u duft me shku m’i ble e m’jau çu (s’e ka pasë hiç!). Aksiâni pushkëve!

FK: Po naj ngjarje e naj person qe e ke njoftë, qe i ka ndodh naj torturë gjatë aksionit t’pushkëve…?

BS: Po, po qysh... po qysh…

FK: Tregona ma tepër, kemi interesim me ndëgju.

BS: Po. N’katun tonë aty, Bllaca u kanë ven i vogël, dikun nizet e pesë [25] shpi i ka pasë; u kanë ni Halil Sherifi, e kanë rreh ni herë keq, po, kur kanë kallxu e kanë rreh edhe ma keq! Ka thanë: “E kom ni pushkë, po pa shul”, e kanë rreh edhe ma keq! “Pse ke kallxu, a thashë qi…”, deri u metë me behane, deri u dekë... prej qati stupci u dekë ai. Ni dajë tem, ni kusheri t’dajve, ni Zenel Bardheci t’Brain’s, e kanë majtë n’akull n’oborr, dekterti ka dhanë shpirt, për pushkë, se s’e ka pasë, me çka me ble s’ka pasë, e kanë qitë n’deti. Qito i di, jon kanë, po tash jon ba edhe masakra! U kanë ni Dushan Radoviqi i Turuqic’s, ai u kanë vojvodë e çetnikve me Per Ivanoviqi. Per Ivajoviqi edhe ai kanë ba masakra t’mdhaja. Dushani i ka pre shtat’ [7] shqiptarë n’Njizerë, gjaja se jon shku me marë lanë, e i ka pre, i ka ba llom e llomishtër.

FK: N’cilën periudhë?

BS: Kjo u kanë n’katërdhetë e shtatën [1947], mas lufte. Ehhh, Azem Hertica dul ja mur gjakun babgjyshit t’vet. Shkun e rrethun e i thanë “dil n’besë”. Po a ka besë me t’pabesin? Jö! Pare, n’fillim kom thanë: “Besnik bonu, besë mos zi!”, me t’pabesin s’ka besë, ta jep besën, po e lshon, apet, fjalët e veta i han. Thotë: “O Brahim, n’besë, une jom filani” - “Ani!”... kur bon besë, si del, e pritin “brrr” e vrasin! E Azem Makolli ja ka marë gjakun midis Orllani, për babgjyshin e vranë Dushanin. I vllai i Dushanit, Vuka Radoviqi, sekretar i komitetit komunal n’Orllan, i rroku tri [3] familje, merre me men: ja ma kanë vra Surdulli, ja Hertica, ja Dyzi, Bajort e Dyzit, domethanë tre [3] vena ka ba masakra ai. Ky e ka dijtë që i vllai ka pasë borxh. N’Surdull i ka pre t’bijt e Rrahim Surdullit, tre vetë, çetnik; n’Herticë e përmenum Brahimin, qata qi i ka masakru n’Njezerë atje, t’bijt e Rrahimit jon kanë (Surdulli); n’Dyz te Bajor’t, ju ka ba bedatë djalo! E thirrën at’here pak, se u shliru pak puna, thotë: “Kadale, ku e dijte ti pse k’ta tre vetë?” - ja murren hulumtimin, domethanë n’tri familje ka ba masakra ai, po pasha Zoti! E qishtu me ren.

FK: Axhi Brahim, për ligjin e eleminimit t’dhive, a dini diçka?

BS: Po, di.

FK: Tregona diçka ma tepër... 

BS: Po qysh u ardhë ai ligj, tash, ku e di une…

FK: Po k’tu qysh u vepru, k’tu n’fshatin e juej?

BS: N’fshatin tonë u vepru: dul urdhni dhitë me i hjek (na i murren); ka m’i çu, s’kemi ka i çojmë na! Ka m’i çu? Ti s’un i prenë, a i kishe pre me t’nxanë dimri nashta, hajde nja dhetë [10] copa po thom, s’ke mujt niqin [100] copa dhi me i pre. Na i muren, po do i fshehum; tre [3] muej verë i kom rujtë n’mal un do dhi, i mshefum; n’akshom, masi u terrojke, i prujsha te shpija (e kena pasë malin ngat, s’e kena pasë fort larg, nja pesqin [500] metra dikun), e ni kojshi na kish pa hetue!

FK: Kojshi shqiptar apo…?

BS: Shqiptar, shqiptar, ni komunist i fortë (u dekë rahmetlia)... paska kon thanë: “O vallahi grahu-grahu, se tyben u ke grah mâ!” Mas tre muejve na hetun, erdhën na i murën edhe e denuen bâbën tre [3] muej burg, sebet fjala e qitinaj. Nemke babagjyshi, edhe qysh e nem, qashtu e gjet! Nemke babgjyshi, thojke: “Jarabi, jar emin…! ” - me krye n’naftë ja mytën ni djalë gjashtumdhetë [16] vjeç qatinaj! U hakmuerr meniherë... namtë! Për qata kanë thanë: “Njeriut mos i bo keq, se me marë t’nem’t t’rrök!” Na i muren dhitë, na i hoçën, pasha Zotin metum, qysh thojnë me ni fjalë “me kryp n’sofër”, se dhitë ishin për fukare t’mira.

FK: Ku e kishin arsyejen ata, çka ju thojke pushteti?

BS: E arsyjen gjoja se rrejshin, gjoja se “Tito ka dhanë urdhnin... se kur jon kanë n’mal... ja ka hângër bukën vjerrun n’janxhik, edhe ka thanë n’t’u çlirofsha naj herë, dhi kun s’kom me lanë! Po ajo u kanë rrenë! “Për rujtjen e malit; e p’e ruejm malin; jo p’e hanë dhitë malin, e përparon…” N’t’vërtetë për mal qashtu u kanë. Dhitë dimnit mos me pasë çka, i grryjshin ata stazat krejt, lkurën i hajshin, po, po, po, po lkurën ja han. I hoçën!

FK: Axhi Brahim, pak po kthehum te vendlindja. Përshkruna shpitë, dhomën tande ku ke flejt, jetën e përditshme qysh u zhvillojke... sa mundesh ashtu me kujtu n’kit bisedë spontane që jem’.

BS: Heee, po t’tregoj k’shtu, qysh edhe u kanë. Babgjyshi jem odë ka pasë gjithmonë. A p’e din ça â öda?

FK: Po. Dhoma e musafirëve.

BS: Dhoma e musafirëve. Ni odë t’vogël, dikun katra me katra [4x4], me dru, me çergë; çerga u kanë pej leshit t’dhive, ja asi me ni dyshek, t’leshit t’dhenve, ni qylym a, u kanë qishtu edhe ni ven i vogël u da aty; aty u kanë ja ni sexhade, ja ni lkurë dele mi sexhade. Aty ka nejt zoti i shpisë. Musafir ka pasë gjithmonë. Me ba mos me pasë musafir ni natë, babgjyshi thojke: “Dil kqyrë a po vjen kush sânte”. Burra t’odave, burra t’fjalës: burra! Une pej kur i kom bâ dikun shtatë-tetë [7–8] vjet e k’nej, kom flejt n’ödë te babgjyshi; n’ödë kom flejt me babgjyshin, i kom bâ hyzmet, kom nejt qaty; tahmin edhe për qata pak, tash k’ta krye pak, p’i man men do sene hala! Ka pasë tulifarë burrash t’mirë; po vollahi, ka pasë edhe fukarallak! Öda ku jom rritë, e kena pasë ni shpi, i thojshin podrum at’here; ni kullë pej guri ish kanë; se ka na ka pasë kulla pak, n’Gollak. Thonë qi Sekiraqa ka pasë kullë pej guri fund e n’kryet; edhe te quka e Brain’s o nja, ni Hamdi Abdullahu, edhe ai kom ni qi ni kullë, m’doket edhe hala ôsht. E te na aty, ish kanë prej gurve, ish kanë e madhe ajo, se i ka pasë tri [3] soba nalt, dy [2] poshtë; se pej qityne tri sobave nalt, nja kena flejt na familja: bâba, nâna, edhe na thmija. U kanë mirë aty... pej toke me flejt gjithmonë o mirë; ajri u kanë i mirë; podrum poshtë u kanë njëna pjesë; âxhaku u kanë, ku kanë gatue familja, ku kanë hângër bukë; tjetra pjesë u kanë për me lanë... diçka, sene... atje öda u kanë ma açik, ajo u kanë dikun sigurisht, nja jo, ma shum se tridhetë[30], katërdhetë [40] metra larg prej te o shpija, açik krejt n’fund t’oborrit atje, te dyert, se gjithmonë na shqiptar’t e kena pasë nifarë rrethoje, a di. Te dyert rri oda, aherit jon kanë, do xhâma edhe ma anej, edhe ma anena qashtu. Se n’oborr shum ka pasë, jo sikur tash po edhe at’herë u majtë pastërti. Na e kena pasë shpinë shum ni ven t’mirë, se ujt u ardhë me ramje t’lirë. S’kena pasë nevojë as m’i qitë pulës as zogut, se u ardhë ujtë me ramje t’lirë; ja patum maru do dikur me beton aty, asajde teposhtë te Dërvalla anenaj. U kanë veni i mirë u kanë, jeta e mirë u kanë.

FK: Ujë për pije... a e keni pasë bunarin?

BS: Ujë për pije kena pasë bunar edhe ni krue e kena pasë; burim k’shtu qi ecë, dy i kena pasë: edhe krönin edhe bunarin. Bunarin e kena pasë nja tridhetë [30] metra larg pej shpije, nuk u kanë n’shpi, po anash u kanë k’shtu, s’ka mujtë çfardo termini me shku kurr aty, a krönin e kena pasë pak ma larg. Une döla... se e pata ba at men, at’herë atâ krönin, ata ujt e burimit, me marr me pru me qeshme te shpija n’oborr, se s’u kanë kysmet; rrugë s’kena pasë as at’here, jo vallahi. Kije t’mirë ka majtë babgjyshi; kerre t’drujta jon kanë, krejt me dru, pej Gollaku atje. Kqyre oda ka pasë n’Llap, po n’Gollak jon kanë ma mikpritësa. Malör’t atje, malësör’t jon kanë ma mikpritësa. A e din pse ma mikpritësa? Se nuk u ka shkue fort kërkush, e kur t’vjen dikush, qi t’vjen, ti menxi s’pritë me t’ardhë dikush; e k’tu kanë pasë ma shum, a din [qeshë]... K’tu nashta ju kanë mërzitë. Atje, sa i përket pritjes n’oda u kanë shum, shum respekt i madh! Çdo ven ka pasë oda, bile mos vét hiç. K’tu n’Llap, tash katërdhetë [40] vjet po bahen qi jom une k’tu, veç maj men kogja shum edhe k’tu, po, k’tu tahmin, a pak ma, ma ata s’jon kanë pak ma, qysh me thanë, s’kanë pritë fort mirë, se i kanë teprue... jon ardhë shpesh. K’tu jon kanë do öda, për shemull, n’Herticë u kanë öda e Sali Ram’s, Sahit Llalloshit, Xhemajl Llalloshit; për shemull, k’tu n’Llap, n’Dumosh, për shemull, Shaban Podvorica, Ramadani, Bejtë Podvorica, Hoxhë Visoka, Rrahmon Visoka, se jo Hoxha; k’tu n’Podjevë, për shemull, Selim Obranqa, k’ta jon kanë; ka pasë oda plot, edhe oda t’mira. Oda i ka pasë rreg’llat e veta, kulla t’vetat.

FK: Ni krahasim…?

BS: Me vét tash ni krahasim, çka â kulla e çka â öda? Pse kulla, pse öda? Kulla u marue pej guri, pej temeli dej n’kryet, edhe çatinë kur ja ka qitë bo’ vakia, n’atë rremë kush s’ka pasë crepët, u kanë me rrasa e mluene, me rrasa guri. Kulla âsht kanë ni fortesë, si ni lloj kazerme, kulla. Aty kanë nejt luftetar’t, komitat, koçakët, ça di une, t’armatosun, s’ka pyet fort: a ka shtrojë, a mlojë t’mirë a ja, a? Poshtë n’podrum, n’fund atje jon kanë kuajt e atyne zotnive. Nalt aty ka pasë llogori; ka pasë me kanë ni knatë me ujë me ni taz aty, edhe me pasë bukë me hângër, qysh çka ,veç qito i kanë pasë. Kanë nejt njerzit veshun, se desh hiç se... Eh, kulla u maru pak ma nalt, jo poshtë, për shemull, kullën... po du me maru kullë po du me maru mi hekurudhë... se nalt, ja merrshin për mi pa rrafshët krejt; si röja kulla - ato dritaret e vogla. A oda, jo! Oda krejt tjetër. Oda ka mujtë m’u marue n’rrafsh. Shtroja t’mira, mloja t’mira, tepsija t’mira, ushqim t’mirë, shtrojë-mlojë t’mirë, sexhade, dajre, krejt u kanë öda tjetër! Musafir kur t’vinë, për shemull, me ardhë musafir’t kejt mahalla jon tubue: “U nisëm tu Brahimi; ka musafirë sânte, po shkojmë tu Brahimi; po shkojmë se o me musafir sânte”. “Thirre bre ata me sharki, me çifteli allahile!” - për shemull na, te na atje n’Bllatë kur ardhke dikush: “Shko mere Salih i Ibishin me djalë me knue (jon kanë këngtarë me çifteli, m’doket, ni sharki edhe ni si gitare e kanë marë), se jon ardhë musafirë pej Llapi, jon ardh pej Krileve, valla musafirë kena pej Prapashtice.” Djep për musafirë! Öda i ka pasë k’to rregullat e veta. Oda âsht për zotnillak, kulla âsht për kaçakllak (për luftetarë)! Kulla â veç për luftetarë. Dallimi shum larg pej kulle, pej öde. Ai biseda jon u kanë k’shtu: na ça ishmi t’ri, nuk na ka ra me folë kurr, ja’a! Aty nja ka folë, tanë e kanë ngue. Ka folë, ka thanë: “Po flet veni, jo Kelmendi!” Ai qi u kanë n’krye t’venit, qai ka folë; ti je n’krye t’venit, une jom n’ven t’atinaj qi ka nejt me lkurë aty, se musafiri pritet n’anë t’djatht gjithmönë; ai e ka majtë fjalën kryesöre. Te na Llap e Gollak e kanë k’ta njejt: fjalët i kanë te shpija; gjakovalia i ka n’xhep; shkodrani i ka n’guhë. Qishtu pra, shkodrani i ka n’guhë: qaty ta jep përgjegjjen. U ardh najnja pi larg, pi ni rrethi n’odë aty edhe e ka majtë fjalën kryesore; ai e ka majtë fjalën, tanë e kanë ngue; s’ka pasë: une me fölë k’tu, ti atje! Ja, ja s’ka ashtu! Oda e ka rregllen e vet, emnin e vet; s’ka çka! Oda u kanë mirë shum mote. Kqyre, Ali Pasha Gucia paska shkue ni herë tu Xhemajl Obria. Kur shkon tu Xhemajl Obria me e vét diçka, Ali Pashë, edhe e vét ky, i kallxon, thotë: “Xhemajl!” Thotë: “Hoj!” Thotë: “Allahile, qysh bre ju shkollë s’keni, kurrgjo, qysh, kah gjithë kët dijeni?” - “Ali”, - i thotë, - sa vjet i kie ti?” Thotë: “Katërdhetë!” Thotë: “Ti je shkollue katërdhetë vjet, po une treqin vjet!” - “Qysh dreqin…” Thotë: “Po babgjyshi niqin vjet odë, baba niqin: dyqin, edhe une paça ymër niqin, edhe treqin vjet n’odë jom kanë; kjo odë për neve u kanë shkollë!” Oda ta ka majtë edhe shkollimin, edhe mençurinë, edhe tonat. Edhe komanda... me t’ardh dikush musafir atje te na, për shemull, n’Gollak, kur u ardhë Sejdi Sekiraqa n’ödë: “Shko meri do djel t’ri, se ish ardhë Sejdia sânte tu Murati, bon llaf, e t’dijnë diçka”... shkojshmi rrasshmi atje te trapazani, i thonë, edhe nejshmi, veç ngojshmi çka po thonë!

FK: Naj fjalë që t’ka lanë gjurmë, që ka ndiku n’ty?

BS: Po, po, thojke: “S’ka njeri qi s’i bjen naj telashe naj here, po duhet me kanë i aftë i vetvetit... i zoti i vetvetit qi pun’t e tua mos i le me t’i ndreq hallku, po m’i ndreq vetë, se gjithmonë ma mirë t’bjen”, une qita e maj men, kur e bojshin llaf. Gjithmonë m’ka ra n’men, kur i kom ndreq punët e mija vetë, m’ka ra ma mirë, se me i lanë me t’i ndreq dikush punët, s’ti ndreq mirë, ta bon punën bjeshkë; ja’a... Babgjyshi thojke: “O bir, mos e përziej drithin me kukol!” - “Çka po thotë more: “O babe, çka?” - “Mos i mer njerzit qi nuk t’vyejn. Vlaznillakun tën ruje se t’vyen!” Qy çka thojke: “Nese duhet me shku dikun jabanxhi, dikun larg, ke nxanë ni mik a ni dost a, po n’vllaznillak, n’familje tane s’kie njerëz qi i han puna, del n’mahall... s’ka as n’mahall, n’katun, gjaje ni njeri t’meçum, qi t’vyen atje”. Nihere, une, mue m’ka bâ vaki kjo, u kanë n’shtadhetë e dytën [1972], ni dhandërr e kena pasë Nishefc qitu, n’kufi Nishefc t’Braine, ni ven, n’kufi qitu... N’atë kohë e maroi ni odë t’madhe, vallai gati sa qiky sallon, tash nja me matë, ni metër a dy pak ma pak a, shum e madhe. Bani mevlud e na thirri. Shkuem na: bâba, mixha, 2 mixhallar’t, une edhe ni djalë i mixhës, pesë [5]. Shkuem atje, hinum: “O erdhën miqt, erdhën miqt!” - u çuen n’kamë “uuu ata krejt”; u ungj mixha ma i parë... se kur hinëm, tana ren, une n’fund atje, isha ma i riu, knena do msojsa, ishin kanë do msojsa n’atë kohë pej Drenice dikun, nejse ja nisën me ba llaf e p’i thonë atij mixh’s tem, rahmetlisë: “Mixhë!” Ai me mjekërr, plak i vjetër, thotë: “Hoj!” (se kur ka dekë: niqin e tridhetë [130] vjet i ka pasë) Ata: “A ki vllazni, djel, a?” Thotë: “Po valla”, - thotë, - i kom tre djel, edhe qita dy vllazni: Rexhepin edhe Shabanin. Qai djali jem, ai nipi jon, djali i Rexhepit.” I thonë: “Me vllazni, a je bashkë a damas?” Thotë: “Jo valla, damas jena!” - mixha. I tha ai: “A je da krejt?” Une u tuta qi po thotë “krejt jom da”, thashë: “Po!” - “Po, po thotë Brahimi!” - mixha. Po thashë: “O burrë, krejt jon da k’ta. Ti vetum mu për at punë. Krejt k’ta i kanë nda!”... Ja kom ba qishtu: “I kanë nda me tokë, me shpija, me livadhe, me male, me gjâ, me pare, çka kanë pasë krejt tri hise i kanë bâ, po pulat i kanë lanë borxh, s’i kanë shti n’deh hiç!” Bâni/tha: “A?” - “Pulat s’i kanë nda!”... trrak ja ngjita drynin, ma s’föli kurr. A e di ça domethanë kjo? Pulat i hanë bashkë, darkën e hanë bashkë, drekën e hanë bashkë, kjo âsht!

FK: Përshkruna pak lagjet e fshatit, familjet tjera, njerëz tjerë t’rritun qe ke nejt me ta si i ri?

BS: T’rritun…

FK: Cili o personi ma i vjetër qe e ke njoftë n’fmini?

BS: Ëëë…

FK: Edhe jashtë familjes, ta zamë…

BS: Po, po, vallahi po, personi ma i vjetri jashtë familjes teme u kanë ni Nezir Hamiti. Ai u kanë shum njeri i zoti, edhe u kanë ma i moçmi, u kanë jashtë familjes. E si lagje k’shtu, Bllata, mahet pej tri-katër [3–4] lagjeve, k’shtu: jon Muratovit (veç Sekiraq jon krejt), Hajdarovit jena na, edhe Bekovit, k’ta jon tri lagje, krejt jon Sekiraq. 

FK: Prej t’njejtit ven t’ardhun?

BS: Po t’njejtit ven, pej t’njejtit ven, krejt përniherë jon ardhë. Pej qityne u ardh qai pej Bekoviqe u ardhë, qai Neziri qi po thom. Po taj masanena jon ndrru mbiemnat, a din, se Sekiraq e ka pasë edhe ai mbiemnin, po djali i tinaj mas Luftës Dytë Botrore e ndrroi e bâni Hamiti. Kena pasë k’ta, k’shtu t’vetmuerit, kena pasë Berishë, kena pasë Retkocerë, kena pasë Sfishtë. Halil Sfishtën e kena pasë, kena pasë edhe k’si farë, Vllasali, edhe Vllasali, po k’ta jon kanë familje t’vogla, ka ni shpi, dy shpi, nuk kanë pasë lagje; po qaq e kena çu mirë nërmje veti, sa menja s’ta mer, shum mirë, shum, me tonat. Na jena kanë aty qysh me thanë, krejt si me kanë ni familje, ni fis krejt; a jena kanë shtat [7] fiset: Berishë, Sfishtë, Retkocerë, Vllasë, Koprancë, Sopë, k’ta jon kanë k’tu.

FK: Ju çfarë fisi?

BS: Na Krasniqi.

FK: Krasniq?

BS: Po.

FK: Çka tregohet për fisin, për Krasniq, për ju?

BS: Për neve shum mirë tregohet, po Kadri Mehmeti e ka bâ llugë qi e ka vra Bajram Currin.

FK: Hajt tregona ma tepër, po na intereson.

BS: Për Krasniq, gjithë qishtu k’ta; Gashi komkryqin, ehh, Krasniqit ja kanë lanë pushkën; po pse ja kanë lanë, po t’kallxoj tash: ni njeri ka shkon me grue te miqt, ka shkon te miqt, do njerëz n’livadh aty tu nejt, tu ba llaf... Shkon buen at natë e kthehet; ka kthehet nesërmen njerzët apet qaty... ja ka bo, ja ka bo... Gashi, Gashi, komkryqin, a p’e din, e Sekiraqa i ka thanë lula e fiseve koftë, për çka qito. Ata njerz’t, ata tu bo llaf aty, kur vinë t’nesërt apet qaty... i thotë gruja: “Nale, shko vete qat njeri çka po rrinë k’ta aty qi dy ditë!” - “Jo more! - “Shko more veti!” Shkon, kur shkon flet me ta, thotë: “Po m’intereson, çka o puna juv’ qi dy ditë k’tu?” - “Dita e tretë o sot” - “Çka?” - “Po vallahi” - “Çka keni punë?” Thotë: “O dost, me kanë i meçum, me kanë trim edhe i pasun, mos me përmen k’to trija, po bon veç nja me përmen, a po mun e gjanë fillin?” Ai: “Valla faleminderit... ditën e mirë!” 

“Çka kishin?” Thotë: “Qishtu-qishtu!” - “Shko thuju: sabërli me kanë, tona i kie!” - Thotë: “Jo, s’po muj!” - “Ec, shko more!” - grueja e meçme. Si vjen... thotë: “A u ktheve, a? Çka ka t’re?” Thotë: “O burra, po ma merr menja, sabrin me marë, me kanë sabërli, durimtar - tonat i kie: edhe je pasunik, edhe je trim, edhe i meçum!” - “Çfarë fisi e kie grunë?” I thotë... se e marin vesh k’ta, thotë: “Krasniqi!” - “Eh, koft lula e fiseve!”

E tash ni rast po t’kallxoj k’tu konkret. E kena pasë ni bijë t’martune n’Drazhnje, e kanë quejtë Ajkune, bija e Rrahmon Sekiraq’s. U kanë (i ka do, do nipa djel t’djelve nëpër Podjevë qitu dikun) me burrë t’vet kah shkon n’Sekiraq, n’at kohë, kur del ni katun atje Muhazoll, dy parë familje jon rrok nërmje veti (kjo ka ndodh n’kohën e gjermânit, dyz’t e ni-dyz’t e katër [1941–1944]) ; u ardh me pushkë…, ajo thotë: “Nal! Mule hijna…” - “O vallahi s’muj!” - “O Zöti t’vraft, - i thotë, - maje, maje delen t’zhdrypi”... nget atje, si nget... hin nërmjet, edhe e hjek shaminë... nërmjet: “Mos livritni! Pasha Zoti…”, - edhe qashtu u kanë trim ajo, - pasha Zoti, nja me livritë, me mu punë keni!”... alltinë n’palë dimive, thotë: “Pa u vra nuk u lshoj dyt’t, edhe pej k’saj ni anë, edhe knena! U koritë me Haxhirovit! Dil, çka keni?” - “Qishtu-qishtu…” - “Kapnu n’grykë!” - “Ma!” - “Kapnu n’grykë”, - thotë, - mere, pajtonu!”... i shtin edhe i pajton! Thotë: “Khu! Na koriti ky farë…” Thotë: “S’u korita, po u marova! Ecni!!” Qishtu, ka pasë gjin t’fjalëve, t’besës, gjin... e kanë ngue, ni fjalë nërmjet, s’ka mâ! Tash me ba me hi dikush nërmjet rrokën dy veta, thotë: “Çka p’i jepni zor! Qe une jom trim tash…” Nuk âsht qashtu, ja’a! Duhet me kanë njeri shum i meçum, sabërli, kur bje diçka, se s’ka njeri qi s’ka naj telashe; fort me shoqni t’keqe mos u shoqnoni, gjaje shoqninë, gjaje, s’ka njeri pa njeri, gjithkush e kâ ka ’i shoq; nzane ka ’i shoq t’mirë, e qishtu.

FK: Axhi Brahim, a mundesh me na folë pak për festat popullore?

BS: Po, po.

FK: Për Shëngjergjin, Shmarkun…

BS: K’tu u kanë [qeshë] para [vazhdon me qeshë] Shëngjergji... jon kanë dhetë [10] ditë para Shëngjergji: e Ejte e Bardhë i thojshin; edhe thojshin Ejten e Bardhë nuk bon me punue, s’bon me mjellë as me prashitë, se e Ejte e Bardhë ôsht ajo, sikur ni lloj feste. E p’e tregoj ni rast ashtu, tanaj e vazhdöjmë k’ta. N’Orllan atje shkon dikush me çkrue për Shingjjergj. At’here kanë çrue për bereqet, për familje, për gjâ, për tonat kanë ba hajmali, bile thojke nana: “Ço... shtine n’dardhë, nër taz qit hajmali, se bahet bereqeti mirë!” Edhe shkon dikush me shkru. Ka ja bon hajmalitë ai, nja vjen aty, ni kojshi thotë: “Hoxhë!” Thotë: “Hoj!” - “Sot e Ejte e Bardhë, a nuk bon me livrue sot?” - “Jo, valla s’bon!” I thotë: “E, faleminderit, veç se erdha me t’vét”. Shkon ai, vjen tjetri, thotë: “Hoxhë, a bon me mjellë sot e me livrue?” - “Bon!”... Kur shkon ai, thotë: “Hoxhë, pse atij i the s’bon, k’tij bon?” Thotë: “Se ai e bâni göjen... me göjë t’vet ispatë qi s’bon, ky e bani ispatë qi bon; ditët e Zötit jon!” E tash, tash Shingjergji, po vjen, Shingjergjit... e di une, e maj men, na qitshin flija, pite, ihaa, lula, qy-qy-qy, tash shkojshum për Shingjergj do ujë me marë, shelnje, e me marë shëndet, me u stërpik me ujë me ta e me. Tanaj Shmarku qashtu! K’to jon kanë tana festat tonat kombtare. Tana Bajrami; Bajrami i madh edhe i vögli; Hashuret; vinë Qirat, tani ren, tri: Rexhep, Shaban, Ramadan edhe bile edhe Bozhiqet i bojshin, zijshin kallamoqa se jon Bozhiqet... po, i kanë majtë. E qishtu me ktö.

FK: Po a munesh me na folë pak për ushqimin? Ni darkë e zakonshme, ni drekë qysh ka qenë?

BS: Po valla at’here darka e zakonshme edhe ni drekë u kanë: pite e pulë; valla me ta ba ni muhabet kuku sa t’qitne, pite e pulë; aty u hi: tamli, kosi, djathi, langu, mishi, pitja, pula, taj tomolorizi n’fund; domethanë kjo u kanë ma e mira darkë. Tash ktö s’i përmen kurrkush, jon hup k’to, s’ka, sikur qi u hup emri i nanave. A pe sheh qi u hup nâna, nâna u hup, s’ka ma nânë; asni thmi nan’s t’vet ma nânë s’i thrret. Mama!O djalë, mama ôsht e hueja, nâna âsht shqiptare; pse s’po thotë “mamat shqiptare”, po “nânat shqiptare” po thotë. Na thojmë përpara jo edhe për oda edhe për kulla; aty nëpër oda u kanë sofra qashtu, u kanë heja e mirë, u kanë pritja e mirë, u kanë tepsija e mirë, u kanë pitja e mirë, u kanë hallvja e mirë, u kanë pula e mirë, jon kanë tonat ato nëpër oda, oda i ka dashtë ktö.

FK: Axhi Brahim, qysh u ndajshin punët sipas gjinisë n’fshat atje?

BS: Pasha Zoti more vlla, n’fshat atje kena hjek edhe mashkujt edhe femrat. U duft me dalë me kohë, me punue, me... Masivikisht kosën edhe shatin e kanë pasë burrat. Burrat drapnin edhe gratë. Me korrë me drapën edhe gratë, bojke vaki ka nizet [20] argat i shtishim me ardhë gra e burra bashkë me korrë. Dikush korrke shum, e pshtjellke ni dor’z me ni hark, se e çojke dy metra renin, u shtyjshin kush po korrë ma shum, gra e burra. A punët e dame i kanë pasë: kosa edhe shati jon kanë t’burrav’, drapni i përziem. K’shtu u kanë.

FK: Po për veshjen... çka munesh me na folë?

BS: Veshja kombtare u kanë e mirë. Une i maj menë n’katun tem, nashta nëndhetë përqin [90%] jon kanë me tjerrçi, me shoka, me plisa, po ma vonë, kadal-kadal-kadal-kadal, gradualisht s’metën pes-gjashtë [5–6] vetë me tjerrçi, e ndryshuen, jo ma lehtë, jo ma kallaj jo... une kom bajtë tjerrçi.

FK: Deri n’cilin vit ke bajtë tjerrçi?

BS: Deri n’gjashdhetë e pestën [1965] kom bajtë tjerrçi. Jo përditë, po kom bajtë tjerrçi; dej gjashdhetë e shtatën [1967] kom bajtë tjerrçi normal gjithë, nonstop, dej n’pesdhetë e shtatën kur jom martue. Pes’t e tetë [1958] jom shku ushtar, tani nja pes [5] vjet s’i kom bajtë, veç për naj qejf k’shtu, për nej ditë, ditë Bajram e ktö. Veç jo vallahi, jo, shllak u kanë, se m’u kanë djegë, e kom pasë fotografi me maharamë, me plis, me shokë, me hajmedet haj, me kunra, i vesht me tjerrça ni pllamë, po jon djegë ato n’luftë... tani edhe shpinë, s’kena kurrgjâ.

FK: Po për kangët e vjetra... naj kangë t’vjetër... a t’kujtohet që u këndu atje?

BS: Po.

FK: A mundesh me na tregu?

BS: Po: U hoq bugari / Erdh Sërbia / N’kamë na u çue shkavi Ilia / Shkavi Ilia n’kamë u çue / Krejt Terpezin e ka tubue / Turuqicën me farue / Nja dy shkina i kanë shtrëngue / N’Turuqicë i kanë çue / Shkuen Fetahit i kanë kallxue / Burrat tonë na kanë çue / Selam ty po t’bajnë / Na kojshi jem qillue / Po kem qejf u duft me knue / Nërmje veti me u pajtu / Me u obsorvirë / Mos m’u gjue / Pej shpije shkinat jon shkue / Fetahi çka po bon / Hanin mshelë tybe e ka / Dej n’shpi tek po shkon / Vllazn’ve t’vet u ka thanë / Dilni vllazën për katun / Fjalë Ilia na ka çue / N’livadh bjeshke m’u tubue... 

Po i bi shkurt... N’livadh bjeshke jon tubue (edhe qaty nisi lufta e madhe te k’ta, kjo ôsht kangë ma e gatë)... Na u ba nami / U ba beteri / N’Sekiraqë u vra aseri / Dy aserë n’kamë m’i çue / Marrin natën n’kru me shkue / Hajt te kroni kur po shkojmë / Vrani Zot shkijet çka po bajnë / Çelë kufini dal kit anë / Krejt tu kroni i paskanë nxanë / Kur ushtar’t te kroni po shkojnë / E lshojnë pritën i kanë dalë n’mejdan / P’jau bajnë dobërdan (ô mirëdita n’gjuhën tonë) / O t’lumtë ju o aser / Të lumtë ju për qat mbret / Mere at pushkë po jau jep / Mere at pushkë jau ka dhanë / Avni Sylë a bon me na i dhanë / Dy ushtar’t të dy jon kanë pushkë / Meniherë jau kanë dhanë / Jon gërrbavë ujë me marë / Të dy pushkë meniherë jon kallë / Dytë ushtar’t vrisni u thanë! Jon metë t’vramë.

FK: Po për historinë e k’saj kange, çka munesh me na tregu?

BS: Për historinë e k’saj kange, po t’kallxoj, qisaj qitash t’mramën. Adem Sekiraqa u kanë shum burrë i fortë, trim i fortë, bile n’fund atje thotë: “Kush i ra karrill me pare / Adem Sekiraqe, Lutfi Hajdari”, se kanë ba, kanë vra, kanë shku... dush t’madhe ôsht aty, te na ôsht... Tana jon k’to kangët kreshnike, k’to: 

Tridhetë shkije kapetana / Midis tyne Nikollë bajraktari / Niset Nikolli shkijet m’i qortue / Pse o djalë s’don m’u martue / I dha zor n’dy gujt ndreq ish kanë / Zoti i madh boll m’ka dhanë / Kujna t’lypi nuse muj m’i marë / Kom ba be pasha kishat kah i kom / Veti martesë s’kom m’i dhanë / Sa del vera për me dalë / Muj’s n’kullë me i ra / Me ja mârrë Hajkunën e bardhë / Zoti t’vraft i kanë thanë / Fjalë t’shtirë ti ke folë / Me ba Muja vesh me mârrë / Sherri yt ka me na zanë ! Kjo kangë ôsht e gatë.

FK: Axhi Brahim, si fmi çka kishe dëshirë m’u ba kur t’rritësh?

BS: Msues! Se i mora lakmi atij msusit qi erdh me na msu neve. Kom pasë qejf msues me kanë. Edhe jom kanë shum nxan’s i mirë, po baba m’nali m’ja rue gjât, nuk ëm çoi n’shkollë ma anej. Ja’a! Se krejt shembullore jom kanë, haj Zot bofsh me rahmet! I kom pasë do-do shokë t’mitë, ata, po jon dekë shumica, tash se, veç kejt jon kon ba a n’punë a, a une i shkreti meta veç me i rujtë delet; a jom kanë nxansi ma i miri, po tybe; msues kom pasë qejf me kanë. Kur u banë msuesa, qi duelën, tana ata do kusheri t’mitë e do: “Ooo”, - i thojsha, - i mjeri, po msuesin e lig... po çfarë msuesi, s’ke msue hiç”, bojsha hajgare. Msues kom pasë qejf me kanë! Of, msuesi ôsht e ardhmja e venit, msuesi o drita e popullit. Nâna edhe msuesi e edukojnë thminë; ma mirë se me kanë msues…, po me kanë t’sinqert, me kanë msues qysh thojnë hata hile, me kanë hata hile, msues me kanë, se jo dolloverxhi. Gja ma mirë nuk ka se me kanë msues. Msues - merre me menë, fjala ôsht... shih “msues”. Edhe k’tu du me kallxu diçka tash, te qikjo msues. Hoxha ka m’i metë borxh xhematit; kryetari ka m’i metë borxh popullit t’vet; msuesi nxansave t’vet; profesori studentave t’vet (borxh ka m’i metë); i zoti i shpisë familjarve t’vet u jet’ borxh... Çka ju jet’ zoti i shpisë? Pooo, duhet m’i kqyrë tanë njejt; profesori dijeninë e vet duhet me ja dhanë studentit, maksimum; msuesi qashtu; kryetari duhet me punu për popull, se populli e ka votue... se kur u shku aty me votu, k’tu jon dy kandidatë, Muja edhe Halili, vazhdo Mujë se Halili i len gjysë, u kanë ai, kush ke ai s’e d... I meçmi jet’ borxh, kur ungjet me pleqnue aty; nëse une e ti ungjmi me bisedue diçka për dikon, mos me punue drejt, borxh jesum, kena m’u denue para Zotit, te dish, kena me dhanë përgjegjsi, para Allahit përgjegjsi kena me dhanë, se le para njerzve, qi e ke dijtë e e ke punue keq; çka t’punojsh sot, ham mirë e keq, ka me t’u kthy; e mirë e gjan t’mirë, keq, ka me gjetë keq.

Edhe qitash kur kem te Pajtimi i Gjaqeve, po t’tregoj qi jom kanë ndërmjetsues i ni pajtimi. Ishin kanë... po pa emna po tregoj tash, pa emna, kur ke tash vitet e nëdheta [1990-ta] qi ke Pajtiimi i Gjaqeve, une kom pasë rast me marë pjesë te k’to pajtimet, n’kogja shum vena, jom kanë me Murat Bejtën e te Anton Çeta me marë do informata me do burra, me do sene për do pajtime. Po tregoj për Anton Çetën, qi ish kanë shum njeri i meçum, shum njeri i meçum ish kanë sa menja e kresë nuk ta merr. E tash na shqiptar’t bre djalë i mirë, a din kur fitojmë na? Kur te dumë njani-tjetrin, sa nuk e duem; kur shqiptar’t dijnë, sa nuk dijnë... qat’here na dalim përparimtarë. Për sa t’ja kem inati njani-tjetrit, kurr na fitimtarë s’jena; ja’a! Shkollimi jonë tutna po bohet si shkollimi i mac’s! A e ke ni ti k’ta najherë? Jö! Erdh ni mbret, ish kanë... e ki pa’ shkollu ni macë, e çka i thojke, ajo bojke (sikur qitash, a p’i sheh k’ta qen’t që i kanë shkollue, i thotë hajde knena, ai shkon mejherë); edhe ata deputet’t e vet që i ka pasë, i provon ai, u thotë kqyre: “Krejt pleqtë m’i mytë! Krejt! Me i hup, me i mytë!” - “Pse?” Thotë: “Aaa, krejt! Se s’po dijnë, po na qesin llugav!” Dikush e mytë, dikush e hup, dikush anej... njani thotë: “Babë, vallahi urdhni o qishtu!” Thotë: “Zbatoe urdhnin!” - “Pasha Zotin s’muj kurr; du me t’rujet” - “Po qysh o bir?” Thotë: “Po t’mshefi!”... Edhe ai si kryetar i katunit tash aty, i k’tij rrethi, e merr e mshefë babën! Mas ni kohe, kur shkojnë atje: “A i keni mytë krejt?” - “Krejt!” E bjen macën, çka i thojke, maca veprojke. “A p’e shihni, - tha, - çfarë shkollimi... çy ça domethanë shkollimi, qysh u shkollu maca! Me ma pru xhevapin herën e dytë: a ma e vlefshme ôsht e lemja a e blemja? A shkollimi a praktika?” 

Dalin, shkojnë. Kur shkon ky... thotë: “Çka bre, o, bir?” Thotë: “Qishtu-qishtu…” Thotë: “O bir, shum kallaj o kjo!” - “Çkaaa?” Thotë: “Mere ni kuti duhani, e çpoja kapakun, de t’hin ajër, nxone ni mi t’vogël e shtine n’kuti, - thotë, - e kur shkoni atje, kur shkoni atje, tanë thonë ‘Aaa, shkollimi vlla, mahi s’ôsht! Ti çoe dorën, thuej: ‘Jo!’ Pse jo? Thuej ‘Jo’ thuej... po qysh jo…‘A bon me ardhë’ thuej atje... ‘Hajde’ thotë ai sigurisht; ti kur shkojsh atje, kadale shtine dorën n’xhep, e çile kutinë, e qite minin para mace, kqyre ça bon maca (a e din qi kanë thanë maca hanë mi? A e ke nie?). Edhe shkojnë. Tanë: “Uaaau, shkollimi ma i mirë!” - “Une e kom fjalën” - “Hë?” Thotë: “Ja’a, s’â e vërtetë!” -“ Po-jo, po-jo” - “A vi qaty?” I thotë: “Hajde!” I thotë macës: “Rri aty!” Maca rri kadale; trrak ja qet minin: bam-bum, bam-bum i bâni kërrsh krejt! I tha: “Ti e kie babën gjallë!” Thotë: “Jo, jo!” - “Po vallai, ti e ki babën gjallë; shko bima babën k’tu, - tjerëve ju thotë, - tanë shkoni pej shpije!” E pruni babën! Tha: “Ti ki me kanë kshilltar i jemi k’tu, se nuk ôsht “si e blemja, si e lemja”! E, tutna ky shkollimi jonë, u ba si shkollim mace, a po kupton? Se i kanë marë shkollat... ço indeksin, merre fakulltetin, hajt shko udha e marë t’köft! S’ka ashtu, jo be dösti jem!... Eh, ku kem te Pajtimi i Gjaqeve. E kishmi ni rast, me Murat Bejtën shkum me vét, ish kanë paqejf Antoni, duel çika e tina tha: “Po thotë baba, hajdi mrena se jom paqef, nuk muj dalë”. Shkuem mrena, katër [4] vet jena kanë, u ndreq, ish kanë ratë, u ndreq pshetë, qaq mirë na priti, qaq mirë na foli... dhe tha: “Vazhdone aksiânin... se nihere jom smutë, n’u sherofsha, e çohna vetë... mos u sherfosha jo... vazhdone aksiânin, mos e leni pa i pajtu krejt gjaqet”. Mirë boll. U’ e kisha ni rast: ishin vra do nërmje veti, po moti, moti, e tash jon metë veç nipat, djelt... e i thom: “Qishtu- qishtu…” - “Po”, - thotë, - kjo punë tuk o ma kallaj, se ata xheloz nuk tek jon, a k’ta djem t’ri ma meret vesh, ma kallaj k’shtu. Qysh e ki emrin?” Thashë: “Brahim!” Tha: “Hajt Brahim shko se mirë e paske pru kit punë”. Edhe e marë ni djalë halle, ai djali i hall’s i kish ata si sebepa, e shköjmë. Njani i kish vra dy vetë, njani njo... jo, qe besa, tre: dhandrrin, gruen e dhandrrit, mötrën edhe mötren e dhandrrit, tre veta. Vllau i tina tana (i kom njoftë ata me emra, po s’po du me i cekë me emra)... e çöjnë n’burg; e del e vret ni fmi t’k’tyne tjer’ve. Tash: tre me njâ! Shkum tu qai qi i kish borxh tre/tri [3] gjaqe, shkum i tham; ja nisi po kanë (me qat djalin e hallës shkum se e ka pasë edhe ai djalë halle; ai djali i hallës ka dekë, rahmetlija, Kadri e ka pasë emrin), tha: “Une nuk po kaj për kurrgjo, po, po kaj: gjithë k’to gjaqe qi u maruen edhe për neve s’i ra n’men kërkush, shum faleminderit pej Zoti e pej juve!”... I kena pajtue qitu n’xhami t’Podjevës, kanë marë pjesë Kshilli i Pajtimit e Murat Bejta, e kush jo, kush jo; u zatetë njeri pa u njoftë hiç, ma fort kanë kajtë ata kur jon majtë ata n’gryk, se shum tjera, kena kajtë edhe shum njerëzi aty; Pajtimi i Gjaqeve ai. Tana ka pasë edhe pajtime t’Gjaqeve... hanez plot, po une ma fort jom shku nëpër do farë k’shtu, do farë tubime, do farë qysh me thanë... njerëzish... për do ngatrresa t’vogla qishtu, për do diçka qishtu. E Pajtimi i Gjaqeve ka ba shum punë t’mira, se na ishmi kanë gjysma e Kosovës hasmi! Po valla, hasmi ishmi kanë! E qishtu.

FK: Cila ôsht qyteza ose qyteti ma i madh që e ke vizitu si fmi?

BS: Si thmi ma s’pari, a?

FK: Po, që t’kujtohet.

BS: Si thmi, ma s’pari, qyteti m’kujtohet Prishtina.

FK: Çfarë përshtypjesh kishe?

BS: Prishtina, Prishtina m’kujtohet, se gjyshja i ka pasë vllazninë n’Prishtinë, edhe pej fshatit tem atje jena shkue n’kamë, me gjyshen [qeshë]... E kom pasë hallën t’martume n’Tërrnavë, aty bujshmi ni nate, nesrit rajshmi n’Lupç, xhades shkojshmi n’Prishtinë.

Prishtina at’here u kanë e vögël. Prishtina i ka pasë gjatë Luftës Dytë Botrore, kur u shlirue i ka pasë 16.000 banorë. Prishtina ndërtesa t’mdhaja s’ka pasë. Ndërtesa ma e madhja u kanë shkolla teknike qi ôsht atje nalt, kur u marue n’kohën e ish-Jugosllavisë (Krajllevinë), tjera s’ka pasë. Krejt do shpija t’ungjta... me çeremide... guaska, me kalldrem rrugët. Dalshmi n’akshom me at dajën e bab’s, m’marke për dore se i ri une; n’dyz’t e nishin [1941] jom shkue ma s’pari, m’marke përdore... tjetër sen s’nijshe kurrgjo hiç, “merhaba-merhaba, merhaba-merhaba”, kurrgjo s’ke nije tjetër hiç, kurrgjo, veç: “Merhaba Sejdi aga!” - “Merhaba!” - “Merhaba!” - Merhaba!” - kjo u kanë. Ka pasë shyhret... vallai dyqanet nejshin dej n’dymdhetë sahati t’nat’s çelë; ni rregull i mirë u kanë, pasuni ka pasë bollak... e si qytet u kanë reka asajde përmidis Prishtine, aty s’ka mujtë me pasë... pastërti fort, se mbeturina e k’to sene, po a lagjet nër k’to knena, ato jon kanë shum t’mira. Edhe ku ôsht Dragodani qitash, qi i thonë k’ta, qysh po i thonë shqip... po tyben po di tash…

FK: Arbëri.

BS: Arbëri, a? Aty u kanë vneshta krejt; krejt vneshta, rrush, pemë, aty s’ka pasë kurrgjo tetër hiç, veç rrush, pemë, kum... E ka pasë ai daja i babës aty ni hekter e gjashdhetë e pesë ari, kurr s’e harroj, krejt t’mjellt me rrush. Shkojshim me djalin e mixhës, ka ni javë prashitshim aty rrush, ka ni javë.”

Prishtina u kanë kah Hani i Dilit, teposhtë, te shkolla teknike, kah i thojnë ni xhami e Katër Llullav’ atje mbrapa, mas Kuvendi, tu hekurudha - qikjo u kanë Prishtina. Mahalla e Muhaxherëve i ka pasë nja katër-pesë [4–5] shpija atje, qat’herë prej shpërnguljes... 1876–1878, tjetër kah s’ka pasë Prishtinë hiç.

FK: Çka t’pëlqejke ma s’shumti te Prishtina edhe çka s’t’pëlqejke?

BS: Tana m’kanë pilqye, vetëm qajo “merhaba” s’m’pëlqejke; tana veç kurrgjo s’thojshin, veç “merhaba-merhaba”; kur ardhshmi te shpija, aty thojke gjyshja: “Djali jem, a u knaqe?” - “Po bre nanë, po “merhaba-merhaba” s’di ça po thonë, vollahi!”

FK: A ishin ata shqiptarë që u përshëndetshin?

BS: Po shqiptarë tamon edhe shumica edhe turq. Mesin ku jeton edhe qashtu edhe mbijeton. Ajjj, deri vonë ajo çika e dajës t’babës, dej vonë ka folë turqisht!

FK: Çfarë prejardhje kishin?

BS: “Po ti bre nuk je turke, amani t’koft…” - “Ja valla, daja Brahim diqysh po m’vjen ma kallaj!” - “Ani de, flet... po tybe s’jau marë vesh turqishten”, nuk e di ça folshin. Veç mirë u kanë, mirë, mirë u kanë, mirë, mirë.

FK: Sa ishe n’fshat atje, ku dilshe me ble harxh? N’cilat shitore? Ku ishin shitoret t’vendosuna?

BS: Po. Sa ishmi n’fshat, mas Luftës t’Dytë Botrore, ka pasë do hane, hane ju thojshin, n’Bërrvenik u kanë e ka majtë Ramë Rushiti, i thojshin, edhe n’Galatic e ka majtë Ramadan Ajeti, qaty i kena ble, ma s’ngati edhe n’Orllan, n’Orllan shitoret, qaty. Tana ato... ato hanet u mshelën, u çelën k’to kooperativat e k’to, ka pasë dyqane ma t’mdhaja. Harxhin e kena marë n’Orllan krejt, ma s’shumti kom ble harxh te Mustaf Cërrvetniku, e ka pasë ni dyqan t’mirë, po, me, ëëë, ai ka pasë me Gërmi m’doket n’at kohë, dhe aty kena ble harxh. Une tana kom punu, ma dikur kur u rrita ma shum, at’herë me babën shkojshmi n’Prishtinë, çojshmi gjanë nëpër Koliç, mirëpo nuk blejshim aty kurrgja larg, krejt n’Orllan i marrshmi, e shkojshmi pej shpije, harxhin ma s’forti n’Orllan e kena mârrë na, masivikisht, deri qi jem dalë pej Bllate.

FK: Çfarë artikujsh merrshi ma s’shumti? Çka kishi ma shum nevojë?

BS: Çka kishmi nevojë. Çka kishmi nevojë. Po tybe kqyre tash, standardi qi o tash, at’here s’u kanë; u kanë ma i dobët, ma i ultë! Kena marë kafe, shiqer, çaj…

FK: Gaz…

BS: Po gaz, se rrymë s’kena pasë; kryp, ëë…

FK: Para se me ardhë elektrifikimi, me çka u ndriçojshi?

BS: Pasha Zoti e maj menë, qi as gaz s’kena pasë! Me cpirra, me cpirra do edhe me t’lyen, me t’lyen, nifarë si, si, e mushshin aty si sërrç, e qitshin tak, edhe tana e ngjitshin ni fitil, edhe qai çojke flakë, tim, ni gjysë metre timin e bojke, kejt e flliqke shpinë pej timi, se s’kishe me ça, t’u nxonke fryma pej timi.

FK: Kur u elektrifiku fshati?

BS: Fshati u eleftrifikue n’shatdhetën [1970]. Kur u ardhë elektrika n’fshat, na jena metë pa men, çfarë jete kishmi pasë përpara! Qyre shpijat jon kanë me baltë, po jon kanë me pallzina, mirëpo për mrena, shumica nuk kanë pasë as qyreq, e tu na po, tu na po. Vallahi une e kom pasë odën n’katun gjashtë metra me pesë [6m x 5m] edhe t’mallterisat për mrena, se jo tjetër, edhe me patos, me dysheme; edhe jo veç te une, po shum, ka pasë tu Muratovit, tu Bekovit, tu Hazirovit, öda t’burrav’, t’shpisë. E kur erdh rryma ma, allahi na rujtë! Mustaf Hoxha ka kontribu shum për elektrifikimin e fshatrav’, ai u kanë udhëheqs. U kanë valla shum... tubimi ma s’mirti, shum, shum mirë u kanë qe, kur u, paj sikur kur t’des njeri e t’ngjallet tash, u kanë kur u ardhë rryma.

FK: Qysh e kujton kontaktin e parë me televizorin, radion, po edhe fotografinë e k’to shpikjet…?

BS: Mirë shum. Radien e kom pasë, radien e kom pasë me bataria edhe dikun, diqysh pej viteve t’gjashdheta [1960], edhe magnetofon, po! Pej viteve t’gjashdheta edhe rrymën tana, ma edhe televizorat, po vallahi shum, shum interesant u kanë ajo punë; bile do thojshin: “Nal se po na shohin k’ta, na nijnë a” [qeshë] - “Ooo s’nijnë k’ta jo, na po i nijmë” - “O vallahin na nijnë tu folë!” U kanë nifarë me neve, u kanë nifarë djali: “U qyqe, na panë!”... u hedhke me thanë [vazhdon me qeshë]: “Kuku, po na shohin!” - “Jo, jo Fazile, nuk t’shohin ata, jo, na i shohum ata” [vazhdon me qeshë].

FK: Kur e bletë televizorin?

BS: Televizorin e bleva n’shtadhetë e dytën [1972], po veç bardh e zi, se s’ka pasë me ngjyra; nizet e shtatë mijë [27.000] banka, sa kanë vleftë ato, Allahi e dijtë. Televizor jo i madh sa ky, veç sa gjysa e qitinaj, se ky ôsht i madh, ky ni metër e diçka. Ardhshin tana, se s’kanë mujtë me ble tanë, ja’a! Une bleva televizor edhe blejti nifarë Salih Sekiraqa, po jena kanë largaz na. Kur u rrehke Muhamed Alija boks, krejt katuni u bojshin qaty me kqyrë deri... n’tre sahati ja niske [qeshë], gjithë natën çuet me kqyrë Muhamed Alinë, se s’kishin pa kurr…

FK: A keni qenë ushtar najherë?

BS: Po. Ushtar kom qenë nizet e katër [24] muej (dy vjet). 

FK: N’cilin vit?

BS: Ushtar jom shku mas kohe. Ni here erdhum k’tu n’Podjevë, komision at’here ma s’pari, e m’çuen për ni vjet, m’u përmirsue tani, po. Mas ni vjeti m’nalën, edhe katër vjet s’ëm thirrën kurr! U martova - e bab’s ju tek me shku m’u ba niça: “Ma bre babë” - “Jo, shko! Jo, shko!” - “Hajt bre, hajr i koftë!” Shkova u bana niçah, kur nja qi punojke tu ushtria aty, ni Adem Idrizi, rahmet i pastë Zoti shpirtit tina, tha: “Brahim, a e lave ushtrinë ti, a jo?” M’i thanë po, kishe e ka pa aty... me pa’ dijtë i kisha thanë, po, thashë: “Jo” -“Aaa, ça?” Kur u ba ni muej ditë, erdh thirrja, m’çoi, thashë: “Babë, qe m’çove!” Jom shku me nimdhetë qershör, nimi e nënqin e pesdhetë e tetën [11.06.1958]... jom shku n’Tremilje, n’Bosnje, kom nejtë tre [3] muej; pej aty n’Mostarë; n’Mostarë kom nejtë nën [9] mujë; prej Mostarit n’Sarajevë; n’Sarajevë kom nejt dymdhetë [12] muej pa pesumdhetë [15] ditë, dej qi u lshuem; pesumdhetë ditë para kohe m’lshuen apo dhetë ditë... sa pi bjen, dhetë [10] ditë, po dhetë ditë, tridhetë [30] maj, dymdhetë [12], dymdhetë ditë para kohe. N’Sarajevë e kom kry shërbimin ushtarak. Jom kanë shum ushtar i mirë, jom kanë. Niherë jom ardhë te shpija, veç për dy vjet, se i kom pasë nja dhetë [10] ditë nihere; nifarë, kem nifarë ushtrimi, tani m’i dhanë dhetë ditë si shpërblim me shkue pej shpije. Po vallahi s’kisha pare, se u dufke me bajtë udha e marë, edhe kushtojshin pesqin [500] banka; at’herë pesqin banka u majtë Sarajeva me Zagrebin, Beogradin, ai kish pasë për mi nimijë [1.000] kilometra i ka, m’u ardhë dej khâ, e qashtu s’mujta me ardhë. Kur jon ba dy vjet, jom ardhë. Përpara kom punu n’punë t’dërrzhavës, si i ri, nimi e nënqin e pesdhetë e parën [1951] jom punsue.

FK: N’çfarë vendi, n’çfarë pozite?

BS: Kom punue n’kombinat t’drunit t’Leskovcit. Kom shku ushtar, taj kur jom ardhë pej ushtrije, n’at kohë Mustafë Hoxha u kanë kryetar komune n’Orllan. Shkova m’u paraqitë, se Mustafën e kom njoftë edhe përpara, se jon kanë n’brigadë tina, baba u kanë n’batalon tina, u kanë, tana ardhke ai tu do kusheri t’babës, e shkojshmi: “Hajde se u ardhë Mustafa e Sejdia, t’shkomë t’rrimë”... e shkova tu ai kryetari aty; shkova hina n’zyre, m’prunën, faleminerës pej tina, se u dekë ai rahmetlija, e i thashë: “Qishtu-qishtu…” - “Pasha Zotin o Brahim, nihere s’ka kurrgja hiç! Ni ndërmarrje e kom godit, me ardhë m’i maru do ndërtesa, kysmet ta gjoj ni ven pune.” Qaty jom punsue, me dymdhetë gusht nimi e nënqin e gjashdhetën [12.08.1960]... me nimdhetë mars nimi e nënqin e tedhetë e treshin [11.03.1983] edhe jom dalë n’penzi. Pej aty e knena, jom penzioner. E qishtu.

FK: Për martesën axhi Brahim, a mundesh me na folë?

BS: Për martesën, po.

FK: Për familjen…

BS: Ça po don me t’tregue, veç…?

FK: Kur je martu? Me kënd?

BS: Jom martue: pesumdhetë dhetor, pesdhetë e shtatën [15.12.1957], domethanë dimni... edhe ni javë e ka pasë me hi dimni, a, me nizet e ni dhetorë [21.10]. Jom martue me Zarife Shabani, prej Orllani.

FK: A e ke njoftë ma herët?

BS: Jo për besë, jo për besë, as s’ëm ka njoftë, as s’e kom njoftë. Po me msit at’herë shkojke... Qyre çka t’thom, ma mirë u kanë at’here se tash; se me msit: as s’e ke njoftë, s’t’ka njoftë, deri qat natë qi u ardhë; me msit, me sebepxhitë; ai i ka pasë dajë pej Baraine; daja i saj u kanë dhandërr i do kusherive t’mi aty, tanaj k’ta pleqtë tu ba llaf, tu ba muhabet, nana me at kusherinin, e baba me at kusherinin, me dhandërr aty, thotë: “A e martojmë?” Nana: “Vallahi s’po gjejmë, s’po di!... Po dy vjet ka nejtë; thojshin nër unazë k’tyneherë, baegi m’u përgadit, se n’pesdhetë e pestën [1955] jom fejue, dy vjet: jo m’u përgadit, jo p’e mar do pamuk, do pëlhurë, do diçka, e madhe niherë për sele [qeshë], edhe ke kismet. Po thonë edhe ata n’televizion ke kysmet, ke kysmet u fejum, u martum. Po pasha Zotin, jetë t’mirë kena çu boll! Pesdhetë e ni [51] vjet i kom çu me tâ, ma s’mrami u dekë. I kena pasë pesë [5] thmi. Ma i madhi thmi o gjashdhetë e nish [1961], se n’fillim s’kena pasë fmi, nja dy-tri [2–3] vjet, se u ardhë e re ajo, gjashtumdhetë [16] vjeç te une. Gjashtë e nish, tana gjasht e dysh, gjashtë e katërsh, gjashtë e nënsh, shtatdhetë e dysh, shtadhetë e gjashq [1961, 1962, 1964, 1969, 1972, 1976]. Ma i madhi o Rrahim e ka emrin. I dyti o çika, Hajri. Rrahim Sekiraqa, Hajrie Sekiraqa. Ajo ôsht e martume për nja pej Sylevice, ni msues, tash jon n’Gjermoni. I treti thmi ôsht Ilmia. I katërti m’ka dekë, Sejdia (rahmetlija). I pesti e kom ni çikë, ôsht e martume n’Sukë, Vlora e ka emrin. I gjashti qiky djali qi ke qitu, Nexhati. Mirë e kena çue. Aiii, na tash jena kanë, domethanë katër [4] vetë: bâba, nâna, une, vllau; qitash jena përmi dhetë [10] anëtarë n’familje, mos ma shum! Pa t’i njeh, s’di sa me thanë qi jon, veç e di qi i kom katërdhetë [40] nipa e mesa, stërnipa e stërmesa, dyzet [40], edhe qitash i kanë gjetë dy mesa: ka nja, dyzet e dy [42] nipa, mesa, stërnipa, stërmesa. E mirë, mirë u kanë, mirë. Se at’here, qyre, at’here s’e ke njoftë, s’t’ka njoftë, u ardhë; tash shumica po shkojnë te gratë k’ta, martohen, ato gratë p’i marrin burrat tu shpija e vet. U ardhë, kur u ardhë, për shemull, ke bisedue, s’e ke njoftë, s’t’ka njoftë, t’ka tregue kushtet, i ke tregue kushtet, edhe qaty, qaty u ardhë, te ti u dekë; jo veç dikun, po gjithkun. Tash o djalë, fejohet, ç’fejohet, kurorëzohet, ç’kurorëzohet, kurrgjo kjo punë! U hup dashnija; s’ka dashni! Gil, gil, gil, tash as dihet kush o burri, kush o gruja, çka po sunon ma; gjithkun ka pasë ren. Une thmive kur ju kom thanë: “Bab, ungju qaty!” - ai u ungjë! “Bab, shko qaty!” - ai u shkue! S’ka aty!... 

FK: Çfarë msimesh ja u ke dhanë fmijve për jetën?

BS: Une qitu jom, tridhetë e nën vjet [39], për tridhetë e nën vjet kurr kush n’derë nuk u ardhë (se kom stërnipa unë, nipa plot, se ai i ka gjashtë; ai i ka dy [2]; tjetri i ka gjashtë; ajo tjetra i ka gjashtë [6], veç nipa e mesa)... kurr kush n’derë s’ëm ka ardhë me thanë “Ëm mshau, ëm gjou, ëm rau!” “Ça u ke thanë thmive?” Çy ça ju kom thanë: “A p’e sheh qit pullë?” - ju thojsha. - “Po valla” - “K’ta me gjetë n’rrugë: nuk bon me mârrë! Pse: s’ô e jotja! Njer’zit duhet m’i përshëndetë: ‘mirëdita’ t’vjetërve, t’rive, a mujte a u lodhe. M’u nguc, m’u halit nuk bon; duhet me msue; duhet m’i respektu njerëzit e vjetër. Ma s’shumti u kom thanë: “Pse shkon n’shkollë ti, a din me m’kallxu mue?” - “Po shkoj…” - “E pse? N’shkollë shkon me msue, si t’shkojsh me msue, ka diçka!” Kur e kom pasë djalin e madh n’shkollë n’Vushtrri, u kanë tri muej ser, se s’i lshojshin at’here, tha gruja: “Shko bre, shko shihe djalin niherë”, e shkova, kur shkoj aty, qillova nja [1] ora, nja [1] ora e kishin pasë pushimin ata... edhe u lajmrova aty, tha: “Prit!” U ba gjysë n’dy, erdh djali, tha: “A po vjen qatje, a po dalim?” Thashë: “Jo valla, po vi; po tubohna me tjer’t t’i shoh”, - ishin do kolegë aty, do shok qaty, - tana dalim, paçe qejf; t’ju lshofshin!” Se si ushtarë jon kanë aty, me... n’derë aty roja, tonat t’mirat. Erdhën nja nizet [20] kadet, krejt erdhën m’rrethekuen, thashë: “Nalni bre, kadal! T’dal n’skejt t’ju shoh tonve, mos m’leni n’mjedis”… E i kom vét ren: “A dini ju me m’kallxue... Edhe m’kallxoni tanë, veç e veç: pse jeni ardhë k’tu n’shkollë?” Qai qi m’ka thanë: “Po jena ardhë n’shkollë” - “Une e kom dijtë n’shkollë…” Qai qi m’ka thanë: “Po jena ardhë me msue!” I kom thanë: “Bravo t’koftë! Ti ki me dalë par... pra... për... përparimtar!” - përparon se po shkon me msue. E thmitë i kom edukue k’so fare. Kurr s’kom pasë problem me kerkon, me kerkon. Ja’a. Kanë msue tanë mirë, tanë i kom pasë thminë shembullor. Rrahimi e ka shkollën policore t’kryeme edhe e ka shkollën e lartë t’punëve t’mrenshme, edhe... u kanë inspektor i punsuem pej përpara, sa ken tonët. Ky i dyti shkollën e matematikës e ka t’kryme, shkollën e mesme t’matematikës. Çika e ka medicinën t’kryme, n’Gjermoni punon. Ai djali taj duel n’Gjermoni, metum, qai qi m’ka dekë, rahmetlija, pat ni vit e kryem juridikun edhe e la, u duftë me na majtë, s’kish kush na manë, s’kishmi kah m’i ardhë rreth. Ajo çika qi ôsht atje e ka shkollën e mesme t’kryeme, medicinës edhe ajo. Ky qi o k’tu e ka shkollën e mesme t’kryme, edhe e ka fakulltetin politik t’kryem. Qiky qi ke k’tu me neve, ky fakulltetin e kryem e ka, ky punon n’policinë kufitare, ôsht shef n’polici kufitare, n’Jarinje Motivode. E qishtu me ren.

FK: Cilat jon problemet ma t’mdhaja që ballafaqohemi si shoqni edhe si ôsht zgjidhja e tyne, sipas juve?

BS: Po more, une e fola edhe n’fillim atâ... po qyre çka kanë thanë ni fjalë, k’shtu: “Tanë për nja, nja për tanë!” Nese pajtohen shqiptar’t nërmje veti... e mos me dalë m’u kacafyt aty n’Parlament “rren” e “s’rren”! Marre i koftë, ni kryeministër, “po rren” deputetëve, ôsht punë e keqe - kjo s’bon hiç! Duhet m’u pajtue niherë e përgjithmonë, për me dalë fitimtar na. Nëse nuk pajtohmi nërmje veti, s’ka kurrgja; kjo ôsht shum prapa/mbrapa, prapamje e madhe, jena t’prapambetun n’kit pikpamje. Njerzit e shkollum, po qysh... analfabet me kanë, s’guxon ato fjalë m’i folë, s’guxon, jo njeri i shkollum me fakulltet! Jo vlla. K’ta... shkollimi i tyne, si shkollimi, si shkollimi i mac’s ôsht, e at punë, s’ka çka. Kqyre çka: sa mos te kqyrim interesin e popullit, veç interesi induindjual, s’ô kurrgjo! Une po tutna, seriozisht po t’thom qi po na del puna si Ahmet Zogut me Kralin, Kralin e Sërbisë, kur u shku i kanë thanë: “Hiçma Bajram Currin… t’i lshoj portet e Durrsi... e Kosovën t’koftë…”, mos po na shesin edhe k’ta neve qitash! Po tutna! Ishalla jo!

FK: Çka vlerësoni ma s’shumti n’jetë?

BS: Ma s’shumti n’jetë vlersoj shëndetin; mas shëndeti dijoninë/mençurinë; mas sajna familjen (tri); e katërta: idaren/pasurinë; e pesta: me mujtë edhe kit botë edhe tjetrën me fitue; edhe dyje, ahret.

FK: Axhi Brahim, cili ôsht vendi ma i mirë që e keni vizitu n’jetë?

BS: N’jetë?

FK: Po. 

BS: Meka. Meka o veni ma i miri n’jetën time. A e din qysh m’u ka gâ kur jom shku n’Mekë? Sikur me lindë për s’dytsh, qishtu m’u ka gâ. Meka o veni ma i miri qi ekziston për krejt musilmont e botës.

FK: Axhi Brahim, cili ôsht zbulimi ma i rëndsishëm qi ka ndodh gjatë jetës tande?

BS: Zbulimi ma i rëndsishimi ësht’ kerret kur jon/kanë dalë, kerret kur jon dalë. Une e ceka edhe ma herët qi kom punue n’Sërbi e kah mos. E bleva nimi e nënqin e shtatdhetë e treshin [1973] ni fiçë... punishtes: krejt jon shkue ren e kanë kqyrë: “E ka ble ni fiçë”! Mere me men, qaq u kanë interesant, zbulimi i sajna. Tash krahasite fiçën me ku jena qitash; zbulimi ma i madhi ôsht. Tjetra ôsht, tash ôsht jeta ma e mirë se përpara. Shëndeti ma i mirë at’here se s’kena hângër kurrfarë ynyre, veç kejt u kanë pej bujq’sie: tamël, kos, djath, long, spec edhe pasul, ’i kumpir, tjetër kurrgja. Tash kejt me barna i hamë.

FK: A keni pasë Axhi Brahim naj problem me shëndetin?

BS: Jö, jö.

FK: Axhi Brahim, cila ka qenë koha ma e ranë n’jetën tande? (Qi mundesh me kujtu tash...)

BS: Po a e përmenum m’doket na n’fillim, atje, at skamën. Jeta ma e rana u kanë... tash Lufta e Funit, kur u duftë me dalë krejt muhaxheri, i madh e i vogël, kjo u kanë tmerr; kjo u kanë e paharrushme, askush s’un e paramenon qysh na ka ardhë. Une po e tregoj tash: kur jom shkue për herë t’parë e i kom takue ushtrinë tonë, se kur i kom pa ushtrinë e Kroacisë n’televizi, kom thanë: “A thu, a e pritum na ushtrinë tonë?!” Kur jom shku n’Konushefc, se n’Llapashticë u kanë zona e Llapit k’tu, kur jom shku n’Konushefc i kom zatetë ushtar’t, edhe Remi u kanë, komandant u kanë, u kanë Batusha, Mustafa. U kanë shajllaku i Ramazanit, kah shkojmë me kerr me qat djalin Sejdin, Nihatin, kur dulëm te Konushefct aty ni ushtar, thashë: “Nale, te përshëndeti!” Tha: “Mâ babë se pej asfallti na shohin shkijet, na vrasin!” Ram n’katun atje, na pritën ushtar’t “qishtu-qishu”, hajde shkum, kur shkumë atje, ku ishin ata aty n’drejtori, veç me thanë: “Jom le për s’dytsh”, se s’di gzim ma t’madh qi kom pasë! Veç kur i kom pa ushtrinë, jom përqaf me ta, kom nejt edhe m’tha, ai komandanti Luta: “Hajde dalum ni sobë tjetër bajmë llaf, lej k’tu ushtar’t!” U kanë shajllaku i Ramazanit qat natë! Tha: “A pi falum taravitë?” - “O Sameti k’tu n’Podjevë!” Thashë: “Jo valla, une i fala taravitë, por erdha, ju pashë juve”, qaq gzim t’madh kom pasë. Po t’dha Zoti, ma s’miri na Llapi kena pshtue, jo qi, po na tanë kena luftue, po udhëheqësinë e kena t’meçme, udhëheqësia e zonës t’Llapit u kanë e meçme shum. I thashë niherë komandant Lutës: “Pse s’p’e merrni Podjevën?” Tha: “Për dy orë e marrum, po a mujmë me majtë? Veç e presin popullin!”, ja, ja, s’ka ashtu.

FK: Axhi Brahim, sa ka ndryshu bota prej që e mani n’men?

BS: Shum valla, shum valla ka ndryshu. M’u nisë pej fminije e te knena, shum valla; edhe jeta ka ndryshu shum; veglat kanë ndryshu shum. Une e maj men kush kerre t’kuajve a t’kijeve t’hekrit s’ka pasë, veç kush e ka ba ni penë kuaj; kejt kerre t’drujt, kerre. Dikurna ma vonë dulën kerret e hekrit, dikur t’gum’s, dikur traktorat. Me m’pa thanë para nja pesdhetë [50] vjete qi e boj une ni traktor... kush ka thanë, ni dyje jo... Po kom pasë traktor une qitu n’Podjevë; shtatdhetë e pesë milion [75.000.000] e kom ble n’Beograd n’fabrikë, tej me çelë, ni kilometër, veç sa e kanë provue. Ka ndryshu jeta larg. A p’e sheh çfarë standardi ka tash, çfarë jete o tash... çfare ish at’here? At’here s’ka pasë kurrgjo. Kena flejt n’kashtë, n’kashtë... ja ose kur dalke vera, shkojshin i kositshin do me fletë t’gjanë, e lejshin m’u terë, e me shtru nër qebe. Tash, tash ndryshim o krejt, tanë na kanë ndryshue, jeta o ma mirë, tona jon ma mirë, po shneta nuk ôsht si at’here! Tash për martesa: apet po kthehemi atje! Martesa u kanë ma e mirë at’here! Qysh jo! T’ka ardhë miku, e ke pritë, ke nejt, ke ba muhabet, je knaq! Tash s’dihet as kur vjen, as kur shkon a... as ça u ba, as ça ka, as qysh u soll, as çka u marue a. Tash s’mun me kanë i knaqt me kurrgja, se tash ni shpi s’e ki t’rahatshme. Ni shpi qi s’e ka zotin e shpisë t’mirë, ajo shpi s’un bo kurrgja; s’ka përparim aty... pej fillimi, pej fillimi t’shpisë. Nëse e udhëheqi mirë familjen, mirë del puna, nëse nuk e udhëheqi mirë, s’ka kurrgja! Se ndryshime ka bre bac sa duesh sa mos vét hiç! Na jena shku poshtë tu blue nëpër mulli o djalë. Pej Gollaku qatje jena ardhë, dy ditë udhë me shku dej n’Mavriq me blue! Bile e knon ni kangë ai Sali Metërgovci, thotë: 

Po shkon kerri tu rropllue /…ishin robt uni tu i durue / Kur po shkojshin te Bajçina / Hajmedet u thy kërstina / Tej u kthyem pej Mavriqi / U prish lopa /  Cofi viqi!

Mere me men ti tash, qashtu edhe u kanë! Tash, joe djalë; tash t’mer malli me hângër ni bukë t’kallamojt. Se kto i ba pasunija. Shqiptar’t kurr ma t’pasun nuk jon kanë; kurr, kurr, kurr standard ma t’mirë kurr s’kanë pasë, kurr! Ndash me shpija, ndash me kerre, ndash me pi, ndash me vesh, ndash me mathë! Po men s’kanë! Shkurt: men s’ka!

FK: Ndonjë person t’rëndsishëm n’jetën tane që ka ndiku n’formimin tënd?

BS: Po, po. Babgjyshi edhe baba, dytë k’ta shum t’mirë. Babgjyshi... dijenin sot qi e kom, e kom pej babgjyshi e babe. Dytë i kom pasë t’edukuem, shum m’kanë dashtë. Po babgjyshi m’ka dekë ma herët, kur i kom pasë pesumdhetë vjet [15], po baba m’ka eduku; n’mënyrë njerzore baba m’ka rritë.

FK: Çfarë msimesh t’kujtohen prej babës?

BS: Po pej babës m’kujtohen k’to: qi duhet me kanë i drejtë, duhet me kanë i mirë, nuk duhet me kanë hajn, nuk duhet me kanë rrenc, nuk duhet me kanë dolloverxhi, s’duhet me kanë rakixhi, s’duhet me kanë rraspijan, duhet me kanë njeri i mirë, me kanë burrë i mirë, me lanë fjalë t’mira, me lanë nerë nëpër njer’z; mrena mundsive me kriju ni odë katër anët e venit, kah t’shkojsh [qeshë]... sikur njani tha, i tha: “Dy sene po t’i la amanet”… Baba jem ma ka lanë amanet: “Kah t’shkojsh me lanë fjalë t’mira (mue, t’merrmi vesh)”; kah t’shkojsh me lanë derën çelë veti!” - e kom derën çelë, kah t’shkoj m’njohin njerzit; kah t’shko... m’tha njani: “Hajde shkojna n’Llapashticë!” (para dy vjete) - “Po s’njoh bre kërkon!” - “Hajde bre shkojmë!” Pasha qit Zot, pesdhetë [50] vetë jon ardhë, dorë ëm dorë kanë folë me mue! Llap e Gollak m’njeh, se kah t’shkoj, ni t’pame me shku, menxi q’pritin me m’pa; qe Pollata, kur shkoj, menxi q’pritin me m’pa, me Iman me krejt. E baba jem m’ka thanë: “Kah t’shkojsh: le fjalë t’mira!” E ai i tha baba djalit: “Dy sene amanet po t’i la: mos ha bukë pa mjaltë kurr edhe kah t’shkojsh maroe ka ni konak!” Tha: “Tyben kom pare!” - “Tyben: kie!” - “Jo valla s’kom!” Tha: “Pa u untu mos ha: t’doket si me mjaltë…! Kah t’shkojsh: le fjalë t’mira; qe ki oda hazdër…”

FK: Axhi Brahim, çka t’ka gzu ma s’shumti n’jetë?

BS: Ma s’shumti m’ka gzu n’jetë: shtimi i familjes! Se na ishmi pakicë. Kur m’ka le thmija ma i parë ishmi pesë vetë, u bamë tanaj i gjashti e shkuem me ren. Qai o gzimi ma i madhi. Dikush thotë “kur e kom la ushtrinë”, dikush “kur jom martue”... leni ato punë krejt! Thmija i parë kur m’ka... jom gzue ma s’shumti!

FK: Axhi Brahim, mas pensionimi, që e përmene vitin tedhetë e tre [1983], si rrodhën ngjarjet?

BS: Po kqyre, mas pensionimit jom mârrë me punë, i kisha thminë e vogjël, me shkollime... dej kur u formue Lidhje Demokratike, n’krye me Ibrahim Rugovën, n’tedhetë e nantën [1989]; aty e knena jom kyç gjithmonë me LDK, gjithmonë. A e ke pa... edhe n’fotografi e kom me LDK. Jom përqafë me Rugovën disa here, se jo veç llaf, po jom përqaf k’shtu, se jo me përkrah s’kundraj pa e pâ hiç, jom përqafë me to shum; shum LDK-n e du, shum. Po ai na shkoi i ndjeri. E n’vitet e nëdheta [1990] sikur e dimë na tanë na: shkau na okupi, na dëboi pej shkollave, na qiti n’tona anët. Qysh me thanë, si ngjarje historike u metë kur jon kanë votimet e presidentit Rugova, n’nëndhetë e dyshin [1992]: jena dalë me votue, jena ba kolonë ka pesëdhetë [50] metra larg, i madh e i vogël jena dalë n’votime... qi asni president n’jetën e vet s’ka me mujtë me mârrë votime ça ka marë Rugova. Edhe me kon kanë Rugova gjallë: nuk ishin punët qysh jon qitash! K’ta muj m’i thanë une kujna duesh: ndash presidentit, ndash kryeministrit. Po çfarë kryeministri me i thanë deputetit “po rren!” Po leje ti at mesele! S’ô kryeministër ai! “Duhet me dhanë ma t’dhimshmen”, - tha, - m’u pajtu me Sërbinë!” Pse? Pse me dhanë ma t’dhimshmen? A pak kena dhanë na, a?! Pak kena dhanë djel e vajza, vllazni, e prind, e motra e…!? Ja!! Qishtu.

FK: Po kohën e fundit, axhi Brahim, me çka merresh?

BS: Tash merrna vetëm me vetveten. S’punoj kurrgja, pensionin e kom sikur të gjithë: niqin e pestetë [158] euro; kah shpija qitu; n’xhami shkoj; boj vizita nëpër miqësi; kom derën çelë kah t’shkoj (menxi qpritin me shku, ni mik/dost) e qishtu me ren; shoqni kom, falum drekën, dalim rrimë për kafe; nuk rrimë n’çajtore na; ja, na n’qajtore s’rrimë; na rrimë ku rrinë burrat!

FK: Axhi Brahim, dalngadalë erdhëm veç n’fund t’intervistës; t’falenderoj shum për k’to kujtime që na solle.

BS: Edhe une t’falenderoj ty qi t’ka ra n’men me ardhë. Pak a shum, mrena mundësive t’mija, k’to kujtimet e mija, pej rinisë e dekteri më sot. Une jom kujtu ni ditë me i thanë dikujna: Kqyrë bre nej gazetar dikush, t’ja jepi ni intervistë, amani t’koftë, mos t’rrinë mshelë, se une des k’tu e tanaj ma s’i merr kërkush! E une ty t’falenderoj sa je ron, vetëm qi t’ka ra n’men me ardhë me mârrë kit intervistë k’tu tek une! Jom shum i knaqt pej teje! Faleminderit shum, shum, shum, shum! Rrnofsh sa malet tona! Kofsh i nderuem me vet e me familje, e me prind, e me krejt! Kaq, përshëndetje, qe dora! [zgjatë dorën]

FK: Faleminderit shum!