Fahrie Spahiu

Intervistuar nga: Arbnora Kolgjeraj Rexhaj

Pjesë e Shqipërisë, po, dojke me na çu n’internim familjarisht, na i murr gjânë krejt, na bani kolak i thojshin ni fjale

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

01.06.2018

Lokacioni i intervistës

Prizren

Vendi i lindjës

Lushë

Tranksriptimi

AK: Sot, me datë 1 qershor 2018, jemi në Prizren. Do ta realizojmë një intervistë me Fahrie Spahiu, e lindur Hoxhaj, 80 vjet. Zonja Fahrie, a mundesh pak me na tregu për jetën tande si fëmijë?

FS: Une jam rritë me ni katun t’vogël, aty e kemi pasë gjendjen shumë t’mirë si katunarë.

AK: N’cilin katun?

FS: Katuni Lushë quhet i jemi, po, qatje kam jetu, katër vjet shkollë i kam bâ atje n’fshatin Fshat...kemi jetu me blegtori, kemi jetu me punë krahi, nizet [20] vet’ kemi qenë deri kur erdh koha për me ikë me dalë teknej.

AK: Pse keni ikë?

FS: Kemi ikë prej regjimit Enver Hoxhës.

AK: Ajo pjesë, e Shqipërisë ka qenë?

FS: Pjesë e Shqipërisë, po, dojke me na çu n’internim familjarisht, na i murr gjânë krejt, na bani kolak i thojshin ni fjale: “si zengjini, si fukaraja” thojke, “duhet mu bâ”. Na i morën krejt, shka me bâ na, m’i kapë fmitë, si thojnë n’shpinë e n’krah edhe me ikë me dalë teknej. N’52 kemi ikë, kemi ardhë k’tu n’Prizren, shteti âshtë kujdesu shumë për ne, na e ka gjetë ni shpi n’katunin Korishë, atje kemi jetu, na ka ndihmu shteti me ushqim, me... na dha pak tokë, na dha shpi, edhe kemi jetu manej’ s’na ka ngucë kush ma.

AK: E deri sa keni qenë n’fshatin tuaj t’lindjes, a mundesh pak me na përshkru mënyrën e jetesës së prindve tuaj?

FS: Po m’nyra...mirë kemi jetu, si n’fshat ma, tu punu, tu gjallnu, po, me tokë, me blegtori, qashtu kemi jetu.

AK: Çka keni veshë? Çfarë rroba?

FS: Na kemi veshë...gratë kanë veshë dimija edhe kanac kanë pasë, kanaca ju thojshin, po, knej përmi xhaketa, xhumpera bajshin me dorë, prej leshit, prej...

AK: E ju si fmi?

FS: Une si fmi, i kemi pasë do kule t’leshta, i bajshna me vek ato, po.

AK: Çfarë ngjyre kanë pasë?

FS: Ato t’zeza i ngjyshna.

AK: I keni ngjyrosë me çfarë ngjyre?

FS: I ngjyshna, i ngjyrosshna me verri, livoren e verrit, â kanë ni lis ai, me qat livore edhe karaboj i thojshin: ja qitshin ato, ai i bajke zi teshat.

AK: A keni ditë edhe ju me i ngjyrosë? A keni ditë edhe ju me i ngjyrosë?

FS: Une fmi, po i shifshna nânen e ato gratë kur i ngjyrosshin, edhe teshat e burrave i ngjyrosshin ashtu.

AK: E djemt e ri - fmija?

FS: Djemt e ri vesh’shin tirqi, koperana, jelekt t’leshtë, krejt prej leshi, vetëm tlinat e kmishat ishin t’pamukit, se ishte bjeshkë atje...qishtu kemi jetue.

AK: Sa vjet jeni feju?

FS: A, mu feju u’m’ kanë feju dy vjeç (qeshë).

AK: Dy vjeç!

FS: Po. 

AK: Qysh u kanë ky muhabet?

FS: Qysh u kanë...miqsia, shpi e mirë, kemi pasë edhe tjetër kan aty...çiken e axhes t’martume, po. Hajt edhe mua me m’dhânë aty, edhe nusen e vllaut une aty t’fejume, po.

AK: E n’çfarë vendi?

FS: N’Lusën, o kânë ai katuni, po, aty m’kanë feju...veç burrat janë pa e janë ditë, i zgjidhshi shpiat e mira kush janë, e, shkojshin qashtu dengë me dengë, jo me t’kqi e me fukara e me...(qesh).

AK: E masnej kur je rritë - kur e kuptove që je feju - n’cilen moshë e keni marrë vesh?

FS: Tu rritë, tu rritë, e murrum vesh, na ikum dolëm knej...dymdhjetë [12] vjeç ika une, dola k’tu, pooo, edhe thojshin do t’shkoj atje une nuse, jo k’tu. Mirëpo kufini ishte mshelë, letra kishna për çdo muj.

AK: Prej?

FS: Prej vjehrrit atje.

AK: Pse vjehrri, familja e burrit kanë mbetë ende në pjesën e Shqiprisë, a?

FS: Po, ata po, veç une, pjesa e babës tem dulem knej.

AK: E masnej çfarë ka ndodhë?

FS: Masnej une tetë vjet e prita, kurse po rregullohet diçka a po çilet kufini apo... tetë vjet s’lujti kurgja edhe baba jem tha, i çoi letër atij, i tha: “une nusen teme e liroj, tash pres prej...t’ma lironi edhe ju çiken...s’kakna kanë kysmet, për me... për m’u ba 

miqësi” 

AK: Po.

FS: Edhe n’krye t’mujit m’u kthy letra mu, edhe na tha “E lirojmë. Je i lirë, jepe ku t’dush”. Se s’guxojshin at’here me dhânë pa izë... edhe...

AK: Masnej?

FS: U lirova, u fejova qitu te Spahiet e Kolesianit. Vjehrri jem u kanë Rasim Spahia. Jam liru n’pranverë, në vjeshtë kam ardhë nuse, u krye mâ. E, k’tu u martova, linda katër fmi, tetumdhetë [18] vjet martesë um vdiq burri, mi la fmit e vogel për toke, vet s’ishum kërkun n’punë t’shtetit as hiç, i kisha dy vjehrrit.

AK: Kunat a ki pasë?

FS: Po, kunetë ishin t’damë krejt për okolla... me ata po, sa e kishum burrin gjallë, mandej kam jetu...edhe vjehrrit um diqen shpejt, kúm met unë me katër fmitë e mi n’qi’kët shpi.

AK: Qysh mujte me i’a dalë?

FS: Qysh mujta? Me punë dorë, me vek...po, marojshem xhampera, marojshem jeleka, marojshem vek. Nafâka i mirrshna ato kërpat n’Printeks edhe i punojshe, qikaq e bojshim ni tepih, sa kjo. I mirrshin njerzit pa nda, për kuzhina, për korridore i bajshem t’gata me metre...nafâka bre bi mi rritë qata fmi. U bânë fmitë, shkun n’fakultet, djali i madh u bâ inxhinier, çika u bâ mjeke, njana um iki shkoi n’Angli, njana âsht k’tu - dolën n’selamet. 

AK: Deri kur keni punu punë dore?

FS: Po kam punu vallahi dhetë [10] vjet, deri sa u lodha, mâ boll...kishim mi martu çikat, ni tro’ çejz, ni tro’... at’here u kanë zamet, pa ‘i tro çejz s’un shkojke, se qitash kurgjâ.

AK: Çka keni çu n’çejz?

FS: Po... n’çejz kam çue, kam çu ni qylim, kam çu ni sexhade n’vek që i kam bâ vet, çerapa, shoka, qato...se i pata bâ për Lusën atje, se për k’tu s’ju vyshin gjâ mâ, k’tu n’sheher. Kemi qenisë, kem bâ tentène...po’ tash u dul moda krejtve, janë n’strajcë, po rrinë. Edhe jemi lirue edhe prej çikave, s’kem ba kurrfarë çejzi, qishtu...

AK: Kur ke ardhë nuse k’tu, qysh u kanë e organizune familja?

FS: E organizune mirë, normal, shumë mirë.

AK: Kush i ka udhëheqë punët e shpisë, e kush...

FS: Auuu, e kam pasë vjehrrën, kam pasë dy kunata ma t’mdhaja, po. Katër kunet’ bashkë jemi kanë, po, ja dhjetë [10] vjet kemi nejtë bashkë, mandej i marum’ qito shpia, u ndamë krejt.

AK: E, kush ju ka nda?

FS: E mâ, u ndamë vet, masi i banum’ shpiat.

AK: A e keni marrë naj plak me ju nda, apo vet - me razi?

FS: Jo, jo, me razi, e kishna plakun n’shpi, vjehrrin, pleqni dajke edhe ai.

AK: Po, a?

FS: Po.

AK: Emrin si ja pat?

FS: Rasim Spahia.

AK: A mundesh me na tregu pak për vjehrrin tand?

FS: Vjehrri jem...

AK: Po.

FS: ... u kânë shumë i mirë, u kânë i meçum, u kânë... dajke pleqni.

AK: A e kanë thirrë shumë njerz me nda pleqni?

FS: Po, e thirrshin, vishin k’tu e pyetshin e ju kallxojke qysh m’ja bâ e, po, vjehrrin e kam pasë t’mirë shumë.

AK: A t’kujtohet naj pleqni që e ka nda vjehrri?

FS: Vallahi k’shtu s’e... nuk um’ kujtohet bash.

AK: Prej çfarë vendeve kanë ardhë me u kshillu me tâ?

FS: Prej k’tuhit, se ka pasë emigranta shumë k’tu, ka pasë shqiptarë që kanë ikë prej atjehit, pooo, ni hall që e kishin vishin, u konsultoshin me tâ...ja, ja, mirë u kânë.

AK: Me kanun, apo si ka shku?

FS: Po, po me Kanun t’Lekës: çka ka thanë kanuni, u bâ.

AK: E ka njoftë mirë, sigurisht.

FS: E ka njoftë, po, e kemi pasë kanunin, e kanë lexu krejt, qeshtu, me hile jo, me ngatrresa jo, me kurgja.

AK: A u pagu për k’të punë?

FS: Jo.

AK: Jo!

FS: Jo, jo, jo, s’kish pagesa at’here, ni fjalë goje pagesë - nc, ja, ja!

AK: E juve familjen e juve, a ka pasë problem me pushtet najhere, gjatë periudhave t’ndryshme?

FS: K’tu te burri?

AK: Po, ose te baba?

FS: Nuk kemi pasë, s’kemi pasë kurrfarë problemi...i kam pasë, krejt janë kânë t’shkollum, burrin e kam pasë gjykats, n’Gjygjin e Naltë ka punu n’Prishtinë, kunet’ janë kanë njani arsimtar.

AK: Po.

FS: Po, njani u kanë inxhinier, edhe tjetri, inxhiner janë kanë, krejt janë kanë t’shkollum, po krejt kanë dekë t’ri: gjashdhjetë [60] vjet e teposhtë. Burri mu um’ ka vdek katërdhjetë [40] vjeç, kunati i vogël pesëdhetë e tri [53] vjeç, i madhi ka vdekë gjashëdhetë [60] vjeç, mas t’madhit gjashëdhetë e gjashtë [66] vjeç...kush s’e ka mrri shatdhetshin [70]. Krejt prej gjakit burrit...tash vetëm ni kunatë e kam, nanëdhetë e dy [92] vjet ajo i ka, alé gjallë, motër burri.

AK: Ju kur keni ardhë prej pjesës së Shqipërisë në Kosovë si fmi, qysh e kujton atë kohë? Qysh ju ka dokë vendi n’përgjithësi?

FS: S’kishte ditë qi’ s’vajtojshna, kajshna, me gra e me fmi, qe e lamë venin tonë, ai...me... k’tu ma mirë ish kânë, po’ kur t’dalsh prej venit tan t’doket...

AK: Ma mirë se atje, a?

FS: Po, ma mirë se atje, se k’tu qyteti, Prizreni rrafsh...e na jemi kanë me ni shpat atje, mal e kodra.

AK: E kur keni ardhë n’Kosovë, a patët problem me kalu n’pjesën e Kosovës?

FS: Aaa natën kemi ikë, po, natën, natën kemi ikë po s’e kemi pasë shumë larg, ja dy-tri orë me ecë n’kamë, edhe me kuaj kemi pasë, i kemi ngarku do tesha, e njerzit krejt n’kamë kemi dalë, kemi ecë.

AK: E kur e kalut kufirin?

FS: Kur e kalum kufinin, kanë dalë e na kanë marrë, k’to t’ktuhit.

AK: A e keni lanë naj kontakt ju me pjesën e Kosovës?

FS: Me k’ta, po.

AK: A keni pasë mik apo diçka? Apo..?

FS: Jo, jo, i çojke shërbimi sekret, i çojke tutje k’ta t’ktuhit.

AK: E, a nuk ka pasë roje n’kufi?

FS: Jo, kishte roje, po’ fati! Po, asni fmi nuk kajti niherë, as ni poterë s’u bâ as... hânza ishte si ditë, aty zar... kemi dalë n’kamë kemi ecë, dy kuaj i kemi pasë t’mushën me tesha, gratë krejt fminë n’shpinë i kanë pasë t’lidhun, nja u rrzoke, nja u çoke, nja... gruja axhes tem ra për toke, “M’lini” tha, “qitu du me dekë, qitu, s’po muj me ecë mâ. Njani ia kthei pushkën tha: “Une s’un t’lâ k’tu me lujtë Enver Hoxha me ty, me t’çu n’internim”, tha “ma mirë po t’vraj e po t’lâ!” Qishtu u kanë puna, si sot e maj mên.

AK: Kah keni ardhë deri n’Kosovë?

FS: Kemi ardhë kah Dragashi, bjeshkve t’Dragashit anej. Kemi kalu bjeshkët e Shipnisë edhe kemi hi kah Krusha, katunin Krushë, e majsh men ti,  përtej Dragashit âsht ajo, po, Brodi, Krusha, mandej vishim n’Dragash. E, kanë dalë, na kanë marrë me kamjon, kemi ardhë, n’Perzren na kanë pru.

AK: E qysh i  keni lanë kontaktët me qata që kanë dalë m’ju marrë, a e din?

FS: Pooo, ato vijshin t’kuhit, i qitke shteti, deverzanta ju thojshin, po, ata dilshin atje, u merrshin vesh, vishin natën, ikshin natën, se mi’ zânë mââ!

AK: Ata kanë qenë shqiptarë t’Kosovës?

FS: Shqiptarë t’Shipnisë, t’dalën para nesh.

AK: Aha, okej.

FS: Po, ata i kanë ditë venet, ku jemi na, ku gjindja, vishin folshin me burrat, e kanë lanë natën e caktume, “Sonte”, thotë “bahi gati, se vimë ju marrim”, gjashtë [6] vetë janë kânë ata.

AK: E ju, sa anëtarë të familjes keni dalë?

FS: Na nizet [20].

AK: Te t’nizetit [20]?

FS: Po, krejt dulem, pleq e plaka janë kanë, ja katër [4] pleq kah shtatë-tedhetë [70-80] vjet gati, dulum, pshtum.

AK: E n’katun, a e keni lanë najkan tjetër?

FS: N’katun kemi lanë kojshit, ni axhë e kemi lanë familjarisht, po, atô e lutem ‘hajde’, u tut me ardhë - nuk erdh. Nuk erdh, po mâââ, e ka hekë të zezën e ullinit prej shtetit manej, se ti e ki ditë, s’ke ardhë me na lajmru, po, n’internim e n’burg e as fmitë n’shkollë, as fmitë n’punë, as fmitë... qysh janë gjetë? Për gazepi kishin pasë jetu!

AK: Kur jeni taku me ta, pastaj ju?

FS: Jemi taku n’90-at mâ, kur ra sistemi i Enver Hoxhës, u çel kufini, une kam shku sefte, kam nejtë ni [1] muj te motrat, dy [2] motra une atje t’martune, e dy [2] halla...

AK: N’Shqipëri?

FS: Po.

AK: Nuk i ke pa as ato?

FS: Jo, jo, pesëdhjetë [50] vjet.

AK: Hiç?

FS: Jo, jo, jo. Janë martue, kanë lindë, kanë rritë, kanë feju, na pesëdhetë [50] vjet pa kontakt hiç.

AK: Çka kanë tregu ato për atë periudhë?

FS: Për atë kohë, a?

AK: Po.

FS: T’vujtun, t’vujtun, t’vujtun! Se familja juj ka ikë, ato ma zi kishin hekë! Punë, punë, punë krahi, kolektiv. T’hjekën, t’hjekën, t’hjekën. Shkova t’90-at mandej nejta ni [1] muj ditë te motrat, te dajtë, te qiky axha, kushuri kemi pasë plot, i pashë krejt. Po s’kishe çka me pa... kufoma, pasha Zoten t’vike gërdi faqen m’ja qitë, koci likura veç, t’rrudhun, t’rrudhun, t’rrudhun. S’ka bâ vaki ai vakt që ishin kanë aty, e na pshtum që ikum, dulum. 

AK: Motrat, domethanë, janë kânë t’martume veçse, kur keni ikë?

FS: Po, po, t’martune. Njana ni [1] vit martesë ka pasë, njana i ka pasë nja dy-tri [2-3] vjet, nuse t’reja.

AK: Ato ku kanë jetu?

FS: Te burrat e vet.

AK: N’çfarë vendi?

FS: Kanë jetu... njana ka jetu ‘n’Kala t’Dodës’ i thojnë atij veni, njana ka jetu n’Vushtricë, përtej Kuksit âsht ai katuni. E katër [4] çika t’axhes, e dy [2] halla, e plot bija kemi lanë, e k’to tu kajtë e tu rrjedhë pesëdhjetë [50] vjet.

AK: As ata nuk kanë ditë asgja për juve?

FS: Jo, jo, hiç, s’guxojshin as me përmen bile emrin se ku jemi, s’kanë guxu, i çojshin napër internime, napër sene, napër llogore.

AK: Ju paski metë t’ndamë familja?

FS: Po, po, po, të ndamë. Jemi përzie mas t’90-es, po, atëhere as s’na u dukke se jemi gjak diqysh, ishna ftofë mâ, as motrat s’mu dukkshin t’afër, mozallah!

AK: A i ki ala’ gjallë motrat, a i viziton najherë?

FS: Jo, ato dyja u’m kanë vdekë, t’Shqipnisë, e kam veç njâ tash, ajo n’Belgjikë jeton.

AK: A takohesh me tâ shpesh?

FS: Me këtë t’Belgjikës?

AK: Po.

FS: Po, kjo përvjet vjen: vjen n’maj, shkon n’tetor, kanë ble ni banesë k’tu.

AK: E kur keni ardhë n’Prizren, ju si emigrantë prej Shqiprisë, shteti, k’tu, qysh ju priti?

FS: Po, shteti na ka pritë shumë mirë.

AK: Nuk ju ka bâ problem a diçka, m’ju kthy ose diçka?

FS: Jo, jo, jo! Kur ka ardhë puna mas disa vjetve, kishte emigranta u thojshin, ato s’rrishin rahat ma shkurt se ushqeshin hazër, mirrshin pare prej shtetit e erdh urdhni mi qitë!

AK: Mi kthy n’Shqipri?

FS: Jo n’Shqipni jo, i ka qitë [“jashtë Jugosllavie” - ndërhyn nusja] jashtë, po. Kanë shku n’Amerikë, kanë shku kah’mos.

AK: Po. Juve s’ju kanë ngucë?

FS: Neve s’na kanë ngucë, ishim familje që kemi nejtë si ka hije, ato i nalshin, tjerët...

AK: Ju n’Korishë keni nejtë, a?

FS: Na n’Korishë.

AK: A i ki alâ k’ta...

FS: Alâ i kam n’Korishë, i kam kushuritë, pesë [5] shpi janë bâ aty si mahallë. Veç djemtë e vllaut m’kanë shku n’Shypni apet.

AK: Janë kthy?

FS: Janë kthy. Kanë ble tokë, kanë ble shpi, vet janë krejt n’gurbet, gjashtë [6] djemtë e vllaut... vllau um’ ka vdekë.

AK: E ju masi... n’90-at, kur ra sistemi i Enver Hoxhës, a jeni interesu me shku me i marrë tokët që ju kanë mbetë atje?

FS: Po, toket i ka punue, qaj axha atje, po’ ai fukara, çka kish m’i marrë. Sot atë ditë janë tokët atje. Krejt janë shpërngulë, veç ni djalë i âgjes asht aty. Krejt kanë shku kah Tirana, kanë ra teposhtë, toka âshtë qashtu komplet: kush s’e punon... kush. Shkollën e katunin e kishin pas bâ me ni tokë që e kem pasë ma t’mirën, shkolla ish bâ aty: qaty âsht’ shkolla, s’e kemi ngucë. Kemi pasë male, kemi pasë bjeshkë e kemi pasë livadhe, kemi pasë... krejt qashtu katuni... kush m’u interesu: k’ta t’rijtë - kush po shkon; t’moçmit kanë dekë, qishtu.

AK: A t’kujtohet... ma herët përmendët që e keni kry katër [4] vjet shkollë... ku i keni kry? N’Kosovë, apo...

FS: Jo, jo, atje i kam krye, po.

AK: A t’kujtohet ajo periudhë? A mundesh me na përshkru diqysh?

FS: Po po, m’kujtohet, qysh jo. Boll e vogël um’ kanë çu n’shkollë se qat’here u hap shkolla sefte n’katunin tonë, po. I kapi dhetë [10] vjet e teposhtë shkolla. Une gjashtë [6] vjet a diçka isha: hajt veç nj’ “A” ta shkrujmë, se s’guxojshin prej shtetit, thojshin duhet fmitë m’i çu n’shkollë ose burrat n’burg i marrin, edhe um kanë shkru mu (çikat), po, motra jeme ish ma e madhe, dy [2] motrat ato s’i kanë çu, hajt kjo ma e vogël, le t’shkoj’ - nafaka me bâ ni tro’ shkollë. E um kanë çue me ni katun, me ni katun tjetër. Ni djalë i axhes bile n’shpinë um bâjke kanihere, se me shku pa qare.

AK: E ata që s’e kanë çu fmien n’shkollë?

FS: Jo, jo, ato krejt i kanë çue, çka i ka kapë fillimi i shkollës.

AK: Sa vjet i keni pasë kur keni fillu?

FS: Shkollën?

AK: Po.

FS: Po, qashtu gjashtë [6] vjet, shtatë [7], s’po di çka me t’thanë, se gjashtë [6] vjet edhe katër [4] e bâna shkollën, u bânë dhetë [10]: dy [2] vjet nejta pa shkollë, dymdhetë [12] ikum, dolëm knej. 

AK: Sa veta jeni kanë n’klasë - a t’kujtohet?

FS: Vallai...

AK: Shumë a pak?

FS: Jo shumë, nizet [20] a ma shumë, se tash ishin dy katune: katuni jem edhe katuni...Fshati...Fshat i thojnë tash.

AK: Po, atëhere si e ka pasë emrin?

FS: Fshat.

AK: Edhe atëhere, a?

FS: Edhe at’here e ka pasë Fshat, po, aty u kanë shkolla për dy [2] katunet. U mblidhshna edhe shkojshna.

AK: E, a t’kujtohet kan’ e ke pasë msus’ ose msuse?

FS: Msus’ po... niii... u kânë prej Ploshtanit, ni Ahmet Gafurri, po, ai vike ecke dy [2] orë rrugë për me ardhë me na dhânë msim.

AK: Libra, fletore... a i keni pasë?

FS: I kemi pasë krejt.

AK: A ju ka dhânë shteti, apo i keni ble?

FS: Jo, jo, niherë na ipke librat, se mâ u çel shkolla sefte - abetaren, libra, fletore. Kur na sosshin, e kemi pasë kooperativën shumë afër aty ngat shkollës.

AK: Aty keni shku me i marrë a?

FS: Aty shkojshna, po, aty shkojshna blejshna.

AK: A u kanë zor msimi?

FS: Po qysh jo. Sha Zotin ma nxor se... se qitash, po, po. Msojshna histori, gjeografi, matematikë, krejt qaty n’libra i kena pasë, “msim natyre” i thojshna - cila u kânë ajo? Qato i msojshna, fiskullturë bajshna, për marak.

AK: A keni pasë unifromë, apo keni veshë...

FS: Jo, jo, qashtu, veshat tona qysh âshtë... me koftor u nxeshna me dru.

AK: Anej dimrat janë t’forta, apo..?

FS: Dimer, po.

AK: Edhe dimrit shkojshi?

FS: Edhe dimrit shkojshna: nëpër borë e nëpër shi. Kur shkojsha atje, deri k’tu kamtë e lagta, rrishe nja’ katra-pesë [4-5] orë. Kur shkojshe – qull, n’shpi. Sot i vuj’ gujt, e trupi, krejt prej reumës.

AK: A ki shku n’katun tandin ma... mas?

FS: Ni herë. 

AK: Veç qatere... mâ jo.

FS: Qatére, mâ jo n’90-at. S’kish lezet hiç, ja, ja. Hiç s’kam shku mâ. Kam qef edhe nihere me shku po sss, duhet ni kerr si i naltë me shku.

...(pushim)... Me çka me ble... hajt ni kokërr vezë me çue n’dyqan edhe na jipke lapsin, po krejt ishin senet aty.

AK: I keni këmby domethanë: ju i keni çu vezë, ata ju kanë dhânë ni laps ose fletore.

FS: Po, po, po. Dojshmi me ble ni shami, dojshmi mi ble dy metre basëm, ni xhaketë me pré, deshke me çu ni kile t’lyn ose ni kile djathë me bilmet, ato... ku pe’ di unë ka’ i shkojshin ato bilmeta, ato sene, për ushtri, për burgje për... me qasi sene. Dilke mandej vera... na si fmi, na organizojshin me dalë në mal me mbledhë kaça, me mbledhë kokrra t’dullisë, me mbledhë sene t’egra, asi qurshia, borovnica. Ato kejt i dorëzojshna n’shtet, i pagujshin pak. “Po për çka ju vyn k’to?” -  “Për ilaçe”. Po, me bâ barnat, i mblidhke kooperativa dhe i çojke ku pe di unë... qishtu.

AK: Çfarë punë tjera keni bâ ju?

FS: Unë si fmi kam rujtë gjâ, shkojshim me lopë, me dele, gratë prashitshin... kur vike me korrë, me pre kollomoqin, me bâ zahiren e dimrit komplet. Na ishna nizet [20] vet, treqin [300] kuaj dru i dujshin prej malit, qi’ u deshke me dhezë n’dhomen e burrave edhe n’dhomen e grave. Gratë rrishin me ni dhomë veç, burrat rrishin veç, po, atje u çojshin bukën, atje u çojshin yzmetin... veç burrat - gratë veç.

AK: E teshat për dimër, a i keni bâ gati?

FS: Pooo, u bashin gati.

AK: Ku i keni bâ gati?

FS: Trasha i kepshin vet, zhgujt i bajshin vet, n’vek.

AK: Nuset, a i bajshin te burri, apo shkojshin te bâba me i bâ?

FS: Nuset shkojshin edhe ata nëpër opçina t’veta, po, vijshin bijat, na mashallah pak kemi pasë, kah tre [3] a katër [4] me fmi, me... Allah Allah, u çojshin gratë e shpisë... njâ ia bajke çorapet; njâ ia bajke xhemperat, njâ ia bajke... i nimojke n’vek, e bojshin gati, e me përcjell ma shpejt me shku, vike tjetra. Qatère e bajshin t’pâmë, se verës... dimnit s’un dilshin mâ, edhe veres me punë, e mâ... si katuni, e qatère n’vjeshtë. E shtishna bereqetin mrena, thojshin krejt edhe bajshna darkën e bereqetit.

AK: Qysh u kânë kjo Darka e Bereqetit?

FS: Po... darka, vijshin bijat, prejshin ni kingj, bajshin flija, bajshin pite, qikjo edhe mâ... E treqin [300] kuaj sanë që i dûjshin prej bjeshkve për gjâ që i kishan niqin, dyqin [100, 200] copa dhé e nizet [20] lopë, krejt me qato u mirrshin. Ni gru i milke lopët; ni grue iu qitke me hângër; ni gru e bike tâmlin; njâna kqyrke bilmetin; njana gatujke. Kur bajshin kshtu flija, bajshin k’to ma t’rejat, pite, filja e... kallaballëk ishte.

AK: Kush u kânë zoja e shpisë?

FS: Gruja e axhes tem.

AK: E, zoti shpisë?

FS: Edhe ai, burri asaj, axha.

AK: Burrat, çfarë punë bajshin, zakonisht?

FS: Burrat kishin punë boll: m’i kqyrë gjânë dimnit, m’iu qitë tri herë me hângër sanë nëpër ato grigjnet e veta që ju thojshin, skej’më-skej’më plemës i bajshin, i mush’shin me barë dhe hajshin gjâja. N’drekë i qitshin, i jipshin ujë, krejtve lopëve e dhenve, edhe i mshelshin, n’aksham shkojshin ju qitshin me hângër për natë, qashtu kalojke dimni. Ajo nusja ma e reja që ishte, ajo kallke zjarmin, ajo fshike sabah oden e burrave aty ku kanë nejtë krejt, puntë e dâme’ ishin.

AK: A keni pasë shumë miq që kanë ardhë me ju vizitu?

FS: Po, plot. Krejt qato gra miq, krejt qato bija miq, vishin pa pushu, na at’here i zike me bujtë seee!

AK: Burra, a gra, ma shumë?

FS: Jo’, ma shumë burra, po, ma shumë burra. Jo kur e martojshe çikën (qesh), a’ martu çika, dhandrrin s’e kemi pa hiç... me msit a’ martu çika, s’e ke ditë se kujt ia ke dhânë bile, po u njofshin sado kudo me miqësi e me bija i kqyrshin: a â djali i mirë, a çika e mirë - u fejoshin. Dhandrri vike qatë ditë (qesh), shkojshin nusen e mirrshin s’pari, vllaznit e vet e mirrshin, rrike ni javë, mandej vishin ata t’burrit e mirrshin. E, qatë ditë vike dhandrri sefte me çelë udhë te nusja.

AK: Me kë ka ardhë ai?

FS: Ai vike me babën, me axhen, me katër-pesë [4,5] burra vishin, e ju bajshna bukë, hajshin bukë, mirrshin nusen shkojshin... dhandrri qatë herë u pa mâ, veç helbete naj dekë e ranë nôshta e merrshin edhe ato vishin, se me ardhë jo. Nuse zezën me e çu vjehrri te prindt, me çu kunati, rrogtari, çi kishna rrogtar për gjâ e për... edhe ai e çojke.

AK: Ju kur keni ardhë n’pjesën e Kosovës nuk keni pasë babë - ju kanë vra, a po?

FS: Jo, veç me axhallarë.

AK: A mundesh pak me na tregu historinë qysh erdh puna te...

FS: Qysh erdh puna? Kur ni kushuri i joni shkoi e murr gruen e ni katuni tjetër, ja murr gruen prej shpisë, ajo me ni çikë, atje e ka pasë, edhe e pru gruen n’shpi ky. Ai hasmi, burri asaj, ka thanë “kërkush t’mos ndërhie n’këtë punë se del gjaki tet’ krejt”, mandej, “po ju rrini larg, une kam punë vetëm me personin që e ka marrë gruen edhe me gruen”, po. Se qysh u kânë puna k’to tonët... ka dalë ai edhe ka gjujt n’grue, plumi nëpër kamë i ka shku, s’un e ka vra... kur u bâ potera n’katun, k’to kanë dalë me pushkë n’dorë, “aaa, qysh i patëm fjalët - mos me ndërhy ju se na gjujmë edhe n’ju, edhe hini hasmëri në atë shpinë tonë”. Ato vrap, na vrap manej, kanë dalë ni ditë gjithë ditën n’dyluftim, tu gjujtë njani-tjetrit, m’âsht vra baba, â vra ni mik, tri xhenaze janë bâ... edhe dy kah ata janë vra, djem t’ri. Manena shkoi bâba, metum... met nâna, nusja e re me tri çika, ku me shkue... me dalë s’lishin: n’dash burrë, burrë ki n’shpi k’tu, dush’ m’u kthy për njanin, për ni kunat, n’dash mi rujtë fmitë, si motër t’kqyri po djalë s’kie, veç çika... nuk ban. Edhe u kthy nana jemi për kunatin, kunati ish gjashtëdhetë [60] vjet, nâna jeme ishte tridhetë [30] vjet, ma shumë tybe s’i ka pasë.

AK: Për axhen tand?

FS: Për axhen, po, edhe lindi ni djalë edhe ni çikë, u rí hisja mâ që na bani djalin, u knaqem krejt.

AK: Nâna juaj, domethanë, gruja e dytë?

FS: Gruja e tretë e axhes ishte, po, se kjo për hall u martu, se s’ish kthy.

AK: A e kanë pyet nânën se çka po don me bâ? Po?

FS: Po.

AK: Mas save?

FS: N’kry’ t’shtatë ditve, n’shtatë ditë u dashin... si u kryke morta vishin t’nuses, vishin t’djalit, u mirrshin vesh, “a jeni razi’ edhe ju, se qishtu qishtu duhet me bâ”... E, nâna jeme ka pranu... ku me na lânë ne triat...

AK: Domethanë fjalën e fundit për këtë punë e ka dhânë nâna jote?

FS: Po, po, fjalën po, edhe u kthye, u kry morta.

AK: Sa vjet jeni kânë ju?

FS: Une?

AK: Po.

FS: Une dy [2] vjeç, s’e maj men babën hiç... tjetra a’ kânë tre-katër [3-4], tjetra a’ kânë gjashtë a shtatë [6, 7] e madhja... t’vogla, edhe u rregullu puna. Me atë hasmin halâ kemi hasmëni, alâ tuten ato prej nesh, mâ e ka pasë puna... une si... si çikë e babës tem thojshum “unë aty nuk i kërkoj gjak hasmit, s’i kërkoj gjak se keni shku gruen ja keni marrë n’shtrat, ka pasë të drejtë ai: për çka ki pasë gruen tânde n’shpi, idiot! 

AK: A mundesh me na tregu çfarë festa keni festu?

FS: Kemi festu Shingjergjin, Bajramin edhe Shënmitrin. Po, qato i majshin, Vit t’Ri jo, s’kemi ditë atje Vit t’Ri... edhe Diten e Veres e festojshna. 

AK: E a mundesh me na spjegu pak për secilën çka keni bâ?

FS: Për Ditë t’Vere u çojshna herët, e knojshin çikat n’katun, shkojshin n’derë e m’derë kuj m’ja lshu gjumin mas, ma shumë. U çoke ni grumbull çika, shkojshin te dera e njanës e knojshin, po, për Ditë Vere.

AK: Çka knojshit, a t’kujtohet?

FS: “Mjeri ai si rri ratë, i bjen era qeni vratë!” (qesh) “Lumi ai si â çue, i bjen era mollë e ftue”, po, knojshin çikat. Edhe u mblidhshin çikat maaa, e bâjshin flija n’veti, e na lshojke dikush ni shpi, po, bajshin fli e u kënaqshin e lujshin sallangjak e lujshin çikat, Dita e Verës, po. Edhe n’shpi mandej bajshin flija, bajshin pite, bajshin, zishin mishin, zishin...

AK: E burrat?

FS: Burrat jo qaq, pak a shumë!

AK: A keni kall najë zjarm a diçka?

FS: Po, për Ditë Vere kallshna zjarmin, zjarr, po, nëpër male.

AK: A thojshin naj sen, naj...

FS: Festojshin, festojshin djemtë e ri, çikat e knojshin, e qishtu. Për Shingjergj, Shingjergjin mâ e festojshim shumë. Ditën e Shingjergjit u pritke kingji, bajshin flija...

AK: Prapë flija për Shëngjergj?

FS: Apet flija për Shingjergj, po. E festojsha atë ditë shumë, zishna voe, i ngjirosshna me t’kuqe.

AK: Për Shëngjergj, a?

FS: Për Shingjergj, po. Ni kusí voe krejtve jau ndajsha, na ishim kallabëllëk, kah dy, kah tri, po.

AK: Tjeter, çka bajshit për Shëngjergj?

FS: I dajshna kingjat për Shëngjergj, e vlojshin tamlin e dhenve, e bajshin përshesh n’sabah, për Shingjergj, mandej për darkë...

AK: Sa ditë Shëngjergj keni festu?

FS: Ni ditë, ni ditë ishte dita e Shingjergjit, si qitash me pesë maj, a qysh bjen? Po.

AK: E për darkë, çka keni bâ?

FS: Për darkë zishin pasul me mish e me pastërm e me... po, mish e lakna e qysh e kishin terezitë. Ishna kallaballëk.

AK: Tri ditë pas Shëngjergjit, çka keni festu - a keni festu naj festë?

FS: Jo më, Bajrami qysh bike mandej, po.

AK: E Shmitrin?

FS: Shmitrin, edhe Shmitrin e festojshin, po, zishin mish.

AK: Po çka keni bâ kur e keni festu Shmitrin... a t’kujtohet çfarë muji, jo a?

FS: Jaa nuk e di cili muj, veç mâ ato e dishin Shmiter e Shingjergj, qato u festojshin, po, edhe Bajramt u festojshin.

AK: E mesi verës, mesi dmrit, k’to festa a keni...

FS: Jaa, ja, ja, e qishtu.

AK: Zakonisht ju dasmat, n’çfarë stine i keni bâ?

FS: Ma shumë n’vjeshtë, zakonisht n’vjeshtë u bashin darsmat, masi u mlidhke fusha, e hike bereqeti n’shpi, qathere fillojshin dasmat... deri kah Viti i Ri bajshin darsma: ftoftë e ngrohtë, i bajshin darsmat, po. Darsma u kânë tri ditë darsëm. Nata e darsmës, u mlidhshin bijat, u mbidhin t’rijtë, kojshit’, knojshin, kcejshin, bajshin bukë, e pritshin ni kâ e rujshin dy-treqind [200-300] kile mish, qatë natë u pritke, e bajshin darkë për krejt qata njerz. Edhe bijat mâ i kishe t’shpisë, nuk kishe ku m’i çu, kojshit’ shkojshin n’shpia t’veta, t’neserit u përgatitshin me shku me marrë nusen.

AK: Kur janë nisë zakonisht krushqit me marrë nusen?

FS: Kur janë nisë? Janë nisë n’sabah se ishte... bajke vaki tri orë rrugë me shku me marrë atë nuse, larg, edhe tri orë tû kthy, i zike terri. 

AK: Sa veta krushq kanë shku?

FS: Krushqi shkojshin dhetë [10] vetë, shkojshin me marrë nusen se i zgjedhshin djemt e ri, ku janë ma t’mirët: nipa, dajë, e shkojshin me marrë nusen se ishte larg. E kur e përcillshin çiken, vishin ata t’nuses, ta bishin te dera, te shpia. Kur i kam përcjellë une motrat e mija, dhetë [10] djem t’rij me dhetë [10] kuaj janë zgjedhë ato, se kanë me përcjellë çiken, me çu...

AK: Dhetë [10] djem t’shpisë juj’?

FS: Po, po, jo t’shpisë, po i axhes, i...

AK: Po, t’familjes?

FS: Nipi, po, ma i ngati kush ishte, kanë me përcjellë çiken. Ato ishin plot njerz, po qato kanë me shku me çu te burri, nuk e lshojshin. Ata vishin t’burrit me marrë, po ata ecshin nizet [20] metre larg k’tyne përcjellsive, qi’ p’e përcjellin çikën. Njani ja majke kalin çikës se po trêmet kali e po t’... pe rr’zon nusen, bâhet gazi i dheut... njani ia make’ për krahi qishtu nusen, n’kal që kishte, se s’mujke me nejtë n’kamë, kali me shalë, e përcjellshin, e çojshin tej te shpia.

AK: Domethanë bashkë me ata krushqit që kanë ardhë shkojshin...

FS: Po, po. Krushq përpara ecshin t’djalit, k’to me çikën mas, e çojshin çiken deri te shpia e burrit. Kur hishin k’to atje, mâ s’ka pasë as kangë, as sene, as tak. Kriske lufta me nisë me ni kangë, tu’ i rrespektu k’ta. E çojshin çiken, e palojshin qaty n’zid, e lishin n’kamë, për hajer ju koftë, ja pafshi hajrin, edhe dilshin djemt për dere. Me pas kânë shumë larg, i nalshin me hangër bukë, hajshin bukë edhe dilshin. Pa dalë - mos m’u ní kanga, nja nizet tridhetë [20 30] metre larg asaj shpisë, nuk u nike zâ. “A u largun? A u largun dasmorët?” “Po, po, kanë shku!” At’here fillojshin tupanët e fillojshin, fillojke dasma. Po, t’iu ba respekt.

AK: E qeizin, ku e ka pasë nusja, kur...

FS: Qejzin e bajke gati, po, me ni kal tjetër e ngarkojshin, po, kali i arkave, dy arka ja ngarkojshin anej knej me qejz, pooo, e nusja me ni kal tjetër. Edhe k’ta dasmorët kanë pasë kuaj, veç dy djem me majtë: njani për krahi, njani për kerpeshi kalin, se po tremet kali.

AK: Kali çfarë ngjyre ka pasë?

FS: Kali qysh qëllojke, s’e kqyrshin, po t’bardhë ma shumë, nusja me duvak t’kuq.

AK: Çka ka pasë veshë? Dimi?

FS: Dimi po, po, po, dimi. Dimi, kpuca t’mira, po.

AK: E flokët, a i ka rregullu disi?

FS: Jo, jo, jo, flokët, aaa, po pak qitu përpara i bajshin pak.

AK: Çka - qysh i bajshin?

FS: Me baski. Ni baski t’gatë e shtishin n’prush, ajo u nxejke n’prush, e fshishin mirë me ni sen, e kapshin blenin e flokës edhe e mshtjellshin, ajo kur dilke kaqurrelë rrrrrr teposhtë.

AK: Motrat e juve kanë bâ kshtut, a po?

FS: Kanë bâ, po.

AK: E, a i kanë ngjyrosë flokët ose diçka?

FS: Mi ngjyrosë... kânë u qitshin, po. Kâna po, kâna... edhe durtë i lyshin, edhe flokët i lyshin.

AK: E ftyrën?

FS: Ftyrën, po, me akllëk ma shumë, e bajshin vetë akllëkin.

AK: Po, e, a vizatojshin naj sen, a jo?

FS: Jo, jo, jaa, jaa.

AK: E akllëki qysh âshtë bâ, a e din?

FS: Akllëkin â bâââ... i shtishin zhivë edhe ni lloj tjetër, selmen i thojshin asaj, edhe ni dorë krypë ia lshojshin, me nifarë blude qikaq e madhe, i lshojshin krejt n’to edhe ni asi shtyps t’hudrave mrena, ato e qitshin ni muj ditë n’diell ku s’e preke sên e herë mas here shkojshin edhe e shtypshin. Tash për me mytë at’ zhivën e mytë soda, ajo krypa, se ajo ishte... Allahi na rujtë, ajo ecke zhiva, edhe ni, ni muj ditë qashtu, e shifshin, e difshin mâ se kur âshtë shtypë, u bajke bardhë, edhe manej e përvlojshin me t’lyn t’lopës, e shkrishin t’lynin edhe ja qitshin: përzi, përzi, përzi, përzi ajo u bake bardhë edhe e qitshin napër kopa. Me qato, ma s’mrami dilka njana ma e hollë pak, i qitke tlyn... ma shumë për me qitë përpara atllëkit ato, se s’shkojke atllëki, s’u bake i trashë, e me qato u lyshin, po. Buzt ni tró, pak faqet ni tró, me pas pasë ni t’kuq dikush, nuse. 

AK: Flokët, domethanë, veç qato që i kanë bâ dredha - diçka tjetër, naj kapuç a diçka, a kanë vendosë në kry?

FS: Kah ana jonë jo: dy gërsheta përmas, me shami, shaminë e lidhshin k’tu.

AK: Çfarë ngjyre ka pasë shamia?

FS: T’bardha. Me oja, me sene...

AK: Edhe sipër duvaki?

FS: Jo, jom, nër duvak atô.

AK: Po, e sipër asajna?

FS: Ishte duvaki, po.

AK: E çfarë materiali u kanë duvaki? Qysh e kanë punu duvakin?

FS: Duvaki, duvakin n’vek e kanë punu, ni, ni material u kanë i hollë, i tjerrun e n’vek, e bajshin pak ma rrallë, i kuq, duvak veç me mlu nusen.

AK: E çfarë forme ka pasë?

FS: Vallahi veç i kepum edhe ja shtisin n’krye qishtu, kuq, kuq, kuq.

AK: Kush i’a ka ngjitë duvakin nuses?

FS: Qata çikat që e përcjellshin, e bajshin gati.

AK: E, a munesh me m’tregu pak, natën e përcjelljes t’vajzës, çka keni bâ ju n’familje? Qysh e kujton?

FS: Çka kena bâ n’familje? E veshin vajzën, e knojshin, ajo kâjke se ka me shku nuse, qishtu kalojke masdarkja.

AK: E, a e din qysh e knojshin? A t’kujtohet naj kangë?

FS: Po, qito, “Ngjite kanën pika-pika, e nesër bajrak nër nuse”, edhe at’herë i kemi knu, po, qito kangë i knojshin çikat. Ajo kajke, nesrit edhe kur dilke për dere kajke, qi’ kish me dalë prej derës t’babës. Kur shkojke atje te burri, mâ tre kapuça ja qitshin n’krye, ni sahan mjaltë e bajshin, e prekte pragin e derës tri herë, me mjaltë... të shkojë âmël, kamën e djathtë me shti përpara te dera burrit... janë kânë do zakone.

AK: Tjera zakone çfare janë kânë?

FS: Tjera zakone, tanë mas darke lujshin, knojshin, hike dhandrri, dhandrri ja’ niqin [100] grushta i hajke n’shpinë prej shokëve t’vet, po, tu e shti n’dhomë. Ka njâ n’hunë e n’buzë, shkojke bike (qesh) tu lujtë me to...

AK: Edhe nusja, qaty për herë t’parë e ka pa burrin e vet?

FS: Po, qat’here po: ke i mirë; ke i keq - e bâjt’ me shnet’.

AK: Masnej, mas sa ditëve ka ardhë te prindt?

FS: Pooo, t’nesrit dilke nusja n’sabah, qatë ditë mâ se ngucshna, rrike n’dhomë e ulme, krejt katuni vishin me pa nusen ma’nej.

AK: Ulë, apo?

FS: Ulë nusja, najherë n’kamë, najherë ulë, najherë... e, vishin, e shifshin krejt, t’shkojmë tâ shohum nusen, krejt varg e vi gra e çika vishin me pa nusen, tej n’aksham. N’aksham mâ u myllke darsmja. Nesrit u çoke nusja, ja bajshin ni fshisë t’mirë, ajo dilke me fshi oborrin, me ni kunatë, çikë a nuse, a i prike ajo përpara e nusja, ato dyja fshishin bashkë, e bajshin adetin. Asaj nusen (qesh), i qitshin kokrra pasul a kollomoq a... për toke: n’koftë e meçme, i mbledh kokrrat, s’i shkelë, nuk i fshinë n’koftë budallicë, me fshisë, hajt! (qesh)

AK: Qashtu e keni testu nusen, a?

FS: Qashtu i kemi...(qesh).. i kemi provu, po, me ja pre menja i mlidhke tak, e tak, e tak, e... mos me ja pre, i kalojke, hajt.

AK: Masnej?

FS: Ma’nej mâ hike nër shoqe, n’kry t’javës vishin e mirrshin s’pari. Vishin vllaznit, e vet e mirrshin s’pari, aty rrike ja dy-tri ditë, ma shumë jo, se shumë... po ni javë, jo.

AK: A t’kujtohet kur t’kanë ardhë motret e tua, që i ke pasë t’martune s’pari?

FS: Jam kânë fort e vogël, po, jam kânë shumë e re!

AK: E, a t’kujtohet naj kush tjetër... naj bijë e juja që e keni martu, kur ka ardhë s’pari te ju? Qysh e keni pritë ju?

FS: Pofff, mirë e pritshna mâ, si bija kur t’vjen sefte, u mërzitshin, e kajshin, qysh jo. E vike ni javë, shkojshin e mirrshin, qatère shkojke dhandrri me marrë nusen, me pa, edhe u ndrroshin dy parë miq, hajshin ka ni drekë edhe u kryke, darsma e nuses, zakonet.

AK: E për dasma, çka kanë qitë zakonisht për drekë, për bukë?

FS: A për bukë, tash u pritke lopa sa të dijet, mish kish boll, ish kusija niqin [100] kila, ku me ditë që u zike. Ma s’pari e bajshin nifarë çorbe me ato t’mrenshmet e lopës, me mushkni e me... çorbë shumë herë i qitshin oriz e me lang t’mishi, për marak u bâke. Manej u bajshin tavat me oriz edhe me mish. Si kush u bajke sofra e madhe, krejt me ka ni copë mish, oriz hajshin, qaty n’tepsi.

AK: A i keni bâ dasmat e mdhaja?

FS: Po, kush kishke i bajke... po’ pasë, e pa pasë - e bajke ni sên.

AK: Sa sofra burra janë shtru zakonisht, për dasma?

FS: Për dasma, aiii plot tybe, plot u shtrojshin, burrat hajshin veç, gratë e fmit hajshin veç, jo me ni venë, qysh e kishe miqsinë e katuni qysh ishin, i thirrshin krejt, kah nja për shpi burra i thirrshin.

AK: E kur âshtë konsideru që ka fillu ni dasëm? Çfarë u kanë naj simbol ose naj shenjë që ka ba ajo ajo shpi që e ka pasë dasmën me ditë se n’filan shpinë filloj dasma?

FS: Aaa e dishin ma, kam dasëm n’filan ditë edhe e dishin, me flamur qitshna, po. E dishin që kemi dasëm, u afroke darsmja, i thirrshe për darsëm , e çojshe njërin derë për derë.

AK: Qysh e keni qujt atë njerin me i thirrë në dasëm?

FS: Me i thirr.

AK: A ka pasë naj emër?

FS: Ai njeri a?

AK: Po.

FS: Ka pasë, na e kemi pasë djalin e axhës u kanë Baki i thojshna, Bakia shkojke i thirrke.

AK: Aha thashë naj emër k’shtu mos e ka pasë, naj titull t’veçantë.

FS: Jo, jo. Je i thirrun...

AK: A ka shku vet a me dikând?

FS: Jo, shkojshin vet i dyti shkojshin, edhe e porositshin kur shkojshin me thirrë, thojke je i thirrun me shkop n’dorë, po. 

AK: Çka i bjen?

FS: Mos me... je i thirrun pa bakshish, mos me pru bakshish, po. I thojshin me shkop n’dorë me ardhë se për mos me ranu atë tjetrin, hajde qashtu qysh t’kam thirrë. E kur e don bakshishin me ta pru nuk ja ze emërin hiç, veç po t’thirri  për darsum, ti mendo mandej, po, çka me pru! (qeshë) Bishin ma shumë parë, bishin sene.

AK: Çka kanë çu zakonisht napër dasma? Çfarë bakshishe?

FS: Dajtë ta bishin ni dash, me pre, dajtë edhe pare, n’brina t’dashit ja varshin paret sa për nam, krejt u bajshin grumbull dajallarët, dashin edhe paret i vishin n’dasëm. Kojshit çka t’kishin nëse dikush dojke me ardhë, kur i thojshe hajde kshtu pa kurgja, pa kurgja u deshke me ardhë se s’ta pranojke, t’kam thirrë kshtu.

AK: E te vajza a kanë çu dhurata?

FS: Po çojshin dhurata, dhurata t’vogla, naj basem naj sen qisi, naj lek naj... e kur u martojke nipi sidomos dajtë ishin t’angazhum, naj lirë nuses e naj dukat. Ndojher ish ranë, qishtu, po.

AK: E dasmja jote k’tu kur erdhe tani a ka ndryshu naj gja prej asaj...

FS: Shumë pak, me tupane e kam pasë darsmën, me pajton at’here kanë ardhë um kanë marrë, n’Korishë. Darsmorë plot ka pasë, erdhën um murrën, m’prun te shpia, kanë lujtë, kanë kcy, kanë hangër darkë, sikushi ka shku n’shpi t’vet. Na hinum dhanërr.

AK: A e ki njoftë burrin tand?

FS: E kam njoftë qitu siii si figurë po. Po me hi n’bisedë e sên jo.

AK: A t’kanë pyet kur je feju a pe don?

FS: Po um kanë pyet,

AK: Kush?

FS: Um ka pyt qiky axha.

AK: E kush ke msit?

FS: U kanë ni daja jem, daja ke msit, k’tu t’mit atje s’dojshin me m’dhanë k’tu. Po. Une thashë: “Ja qatje shkoj, ja tjetër kûn s’shkoj!”

AK: Sa vjet i pate n’atë kohë?

FS: I kam pas nizet e nja [21], po. Edhe erdh axha jem, nuk po m’pyt mu po pe pyt at shoqen teme, çiken e axhës. Tha: “A ka qef Farija tha me shku te Rasim Spahia për nuse?” Ajo tha: “Po o babë ka qef, Farija thotë tjetër kûn une s’shkoj.”

AK: Ti aty ishe a?

FS: Une dola përjashta, po te dera pe ngoj. Dol ai ishte plak, rahmet past, “E bre bij, qatë fjalë” tha “dashta une”, po, edhe dol prej dere. T’nesrit po vjen daja apet me m’lyp a po m’japin a jo, edhe me qatë fjalë temën ma s’ka pasë problem, meniherë ja dham mahramën, po, po. Për at’here ishte shumë se tetëmdhjetë [18] vjet çika shkojke nuse, nizet [20] vjet bajke fmi, po une që isha e dhanme atje mu shty martesa.

AK: Tani nuk ka pasë problem diçka për fejesën?

FS: Jo, jo, jo. Jam l’shu n’pranverë, n’dhjetor jam martu, sa u bana gati pak edhe i ngjifsha k’ta kishna miqsi me ta, erdha nuse.

AK: A t’kanë ardhë edhe ty me t’përcjellë vllaznia dhjetë djem deri k’tu?

FS: Ja, ja, k’tu kanë ardhë um kanë marrë, me pajton me dy kunata anej knej une n’mes, pajtongjia, sa alltia, sa pushka, sa... qitshin.

AK: A i ke rregullu flokt, ose grim, ose diçka?

FS: Po, po, po.

AK: Kush ashtu t’ka rregullu?

FS: M’ka rregullue ni kojshi aty.

AK: Kojshi?

FS: Po, ftyren...

AK: Edhe t’ka ly pak?

FS: Edhe u’m ka ly, me akllëk zakonisht.

AK: Po... e flokt?

FS: Edhe flokt me baskija, po, mi dredhun, tash gjysen e flokve i dredhshin edhe e bajshin ni...

AK: E mrapa?

FS: Mrapa t’nshume, kam ardhë... unë erdha me flokë t’gjata n’kry t’dy jave m’kanë çu te frizreka mi pre tani edhe mi shtinen n’strujë mandej.

AK: Te cila frizerkë je kanë, a t’kujtohet n’atë kohë?

FS: Aaa u kânë burrë ai, a kânë nifar Shefki, “Shefki Berberi” i thojshin, n’Qafë t’Pazarit. Ka pasë edhe at’here me strujë, na i mshtjellshin ato shtagat e vogla, kur na qitshin ata me strujë na kallke, veç t’bâna t’bukra (qesh)... qishtu.

AK: E, a t’kujtohet diçka për kohën e [Aleksandar] Rankoviçit?

FS: Pooo, erdh... dul aksioni armve, vishin shpi për shpi m’ju kërku armët, i mlidhshin burrat përditë, “Bjere armën se e kie!”. Dikush s’e kishte, dikush e kishte. Kush e kishte hajke dajak boll, edhe e dorzojke, kush s’e dorëzojke u detyrojke me ble naj njâ, me e gjetë najkûn edhe me... me dorëzu.

AK: E familjen e juj - si emigrantë?

FS: Familjen tonë jo, s’na kanë ngucë neve.

AK: Hiç?

FS: Jo, jo, jo. Po’ na ikum prej ni regjimit, edhe k’tu me na ngucë... mô Zot ma keq. K’tu s’na kanë ngucë se e dishin se na s’kemi asi sêne, jemi t’ardhun. A k’ta venalít... përzé ni kojshi i joni prej t’rrehnes diq... llom i bajshin, gjithë ditën i bishin n’UDB-a, i rrejshin, i bijshin n’aksham, t’nesrit: “Hajde apet ose gjeje ku e ki lanë”. Qishtu, boll kanë jekë, kanë jekë katuni.

AK: E n’qytet?

FS: Po edhe n’qytet. Po n’qytet nuk e di... po qysh jo!

AK: Familja e burrit, a kanë tregu diçka - a kanë pasë problem?

FS: Jaaa. Se edhe k’ta janë kânë t’ardhun, k’tu, kur u... masi u mshel kufini, masi ka hi partia k’to kanë ardhë. K’to nuk kanë ardhë t’ikun, kanë ardhë për qef, po vjehrri jem, ma mirë, po tetë [8] fmi i ka pasë e burrë e grue k’ta dy, i marrin fmit e vijnë n’Perzeren e jetojnë me qirâ, me qirâ, me qirâ, sa vjet, tej sa ju kanë rrit fmit ma djemt, mandej janë shkollue janë bâ...

AK: A e kanë pasë zor me k’ta me dalë prej Shqiprisë.

FS: Jo ata nuk kanë pasë zor, ish kufini çelë, at’here ish kânë... po, po’ nuk ka zgiatë shumë.

AK: E n’cilin vit u kânë kjo, a t’kujtohet?

FS: Vjehrri jem, se kur ka dalë nuk e di, e na n’52 kemi dalë, na kemi ikë prej atjehit. K’to kanë dalë ja pesë-gjashtë [5-6] vjet përpara, e ajo n’sa u mshelë kufini s’pe di...

AK: A mundesh me na tregu pak si ju kanë pritë banorët e Korishës që janë kânë vendas kur jeni shku ju atje me banu?

FS: Po’... banorët e Korishës nuk na kanë pritë fort mirë.

AK: Pse ashtu?

FS: Po nuk... thojshin, a gabel jeni, a? magjupë jeni, a? - nuk ju mirrke menja që kemi dalë na prej Shqipnisë, qi’ jemi ardhacakë... kumeditë, pooo. E, njanin e nxorën prej asaj shpisë e na shtinën ne, ato burrë e gru janë kanë, po shpinë e kishin nalt n’Kabash, e k’ta dy kishin ardhë k’tu poshtë edhe e punojshin fushën edhe jetojshin n’qatë shpi. Ato i largoi komunja e na shtini ne. Na ishna kallaballëk o Zot, ni shpi e pa bâme meremet hiç. Mandej u çu komunja e ka ardhë me punëtorë, na ka rregullu shpinë, na ka ndâ dhomat për sa anëtarë ishna, e na kanë strehue, mandej për çdo muj na vike milli te dera, na vike sheqeri, na vike çka duhet për njerz... po. 

AK: E atyne tjerëve t’katunit, a ju ka ardhë kshtut?

FS: Jo, jo, jo, na vike na si refugjatë.

AK:     Po, po.

FS: Na t’ardhun, na tokë jo, gjâ kishna pak, po’ për ni tro’ bylmet, millin ku me marrë, sheqerin ku me marrë, s’kishna kânë n’punë at’here, njersë t’Allahit veç... E, qaty manéj kemi zânë ven mâ, qaty kemi nejtë. Mandej na kanë dha\ânë ni tokë edhe kanë dalë jashta Korishë qatje ma ka’ Lutugllava, ja ki ni zânin...

AK: Po.

FS: ... Lutugllavës? Qaty i kam unë prind aty, djemtë e axhes: pesë-gjashtë [5 6] shpi janë bâ aty që jetojnë.

AK: Përveç juve, a ka pasë edhe naj familje tjetër emigrante në Korishë?

FS: Ka pasë.

AK: Sa familje jeni kanë gjithësej?

FS: Na jena kanë ni familje - na, po edhe ni familje tjetër e ni katuni tjetër, topojanë  u kânë n’Lutugllavë ato... sod, atë ditë, aty janë edhe ata. Edhe ata jetojnë aty, ju kanë dhânë tokë, ju kanë dhânë... kanë hi masanej n’punë, e janë shkollue besa, janë...

AK: E familja juj, kur keni fillu me hi e me dalë me ata banorët vendas t’Korishës...

FS: A me... hishna, dilshna, po, po veç me qat zotin e shpisë u prish diçka qefi se i nxorëm prej shpisë... mandej na dha njani ni tokë edhe e bam ni shpi na për nizet [20] vet, qaty kemi jetue, kur erdh puna që jemi nda masanej se ishna me djemt e axhes e axha e ishna kallabëllëk, i kanë bâ shpiat n’Lutugllavë përmi, qatje i kanë bâ shpiat edhe sikushi kanë dalë n’shpi t’vet. Po unë i kam lânë, kur jam martu une krejt janë kanë bashkë, mandej tu da, tu ba shpia, tu...

AK: Kush i ka nda ata, a vet janë nda?

FS: Vet ma tashti, s’kishte vend ma ku me nejtë, jo, mandej qe u rriten djemt nëpër gurbete kanë shku, ata t’moqmit kanë dekë krejt, krejt kanë dekë.

AK: Pleqnart ju kanë nda, apo vetë?

FS: Jo, jo, vetë.

AK: E anej ka Korisha, janë kânë do pleqnar?!

FS: Pooo.

AK: N’kohën tande që ki jetu, a e mban men naj kand?

FS: Qiky Sadri Haxhia a kânë.

AK: Po.

FS: Brahim, Uka a kânë,,,,Avdullah Sulejmani a kanë, u kanë edhe ni Selim Haxhia a kanë, shumë janë kanë, qatje baba, ky...

AK: Po.

FS: ... Gjyshi jem shkojke rrike te ata, ata vijshin na rrespektojshin, po, po. Na çikat e sene me dalë napër katun me dalë jo. Mozallah, s’na lishin.

AK: Deri n’cilen moshë ke majtë dimija vesh?

FS: Deri kur kam ardhë te burri, nizet e ni vjeç [21].

AK: K’tu, pastaj, i keni ndrru a po?

FS: Po, k’tu po, i kena ndrru, alla frânga (qeshë).

AK: E, n’qytet, kur jeni martu, a keni dalë shpesh, n’korzë?

FS: Po vallah, për natë dilshna.

AK: A mundesh pak me na përshkru atë kohë?

FS: Po tashti, kur shkojshna dilshna n’qender, a kânë korza te “Aurora”, u niske te ura aty e n’Qafë t’Pazarit, kah dy, kah dy, kah dy, kah dy, kur shkojshim n’Qafë t’Pazarit reni i parë kthejshin knej, do shkojshin do u kthejshin knena, krejt t’ri, su nike sên veç tu shëtit, flladi akshamit. Qaty i bishna nja dy-tri herë rrotull, e bajsha qejfin, u bake terr, hishna te Irfan Tatligjia ai i bajke âmëlsina, hajsha tolluma, hajshna bakllava hehehe.

AK: Me kôn ki dalë?

FS: Me burrin.

AK: E, qytetin, a e man men qysh u kânë n’atë kohë? Pamja e qytetit?

FS: Po, po, po.

AK: A munesh me na përshkru pak?

FS: Dy kinemaja janë kânë, njana a kanë k’tu Bistrisa, tjetra a kanë atje Radnik në podkala atje nalt qe u kanë, po, dy kinemaja, si t’vika aksham e bajsha qatë korzen edhe hijshna n’kinema. E kqyrshna kineman edhe vishna n’shpi.

AK: Naj filem keni pa, a?

FS: Po, filma shishna t’lloj- llojshme, boll mirë jena kânë. Vishem n’shpi, sa s’kishem fmi... kur bâna fmi ,na ni vjet e gjysë, dy vjet vajtëm, boll (qesh). Mandej, bâna fmi, burrin e kishem, msus ishte n’Opojë, në Bellobrad, atje kemi shku, dy vjet kemi jetu n’Bellobrad, msuski, edhe studiojke drejtësinë edhe jipke msim, se s’kisha pare, po, dy fmi i kishum me veti... N’kry t’matmotin bâna çiken, djalin shpejt e shpejt, burri n’studime: edhe msojke edhe punojke.

AK: Ju atje, ku keni jetu? N’çfarë vendi?

FS: Në Opojë?

AK: Po.

FS: N’Bellograd.

AK: Ëëë, naj shpi?

FS: N’katun, ishin ato dhomat e shkollës, po, qaty kemi jetue, dy vjet, mandej ma e krevë shkollën, ramë n’Prizren, hini n’punë qashtu si gjykatës, po shumë i zoti u kânë, edhe shkoi n’Prishtinë, e morën n’Gjyq t’Nâlt atje me punu, u smu, tetumdhejt [18] vjet martesë shkoi krejt, i la qito katër fmi... shkrum për toke. Une n’punë jo, pension s’lishin, niqin [100] marka sa për fmit mos me dekë për bukë qato m’dhanë, “âsht e re” thojshin, “le t’hin n’punë. Asht e re, le t’hin n’punë. Unë shkollë s’kisha për me hi n’punë masnej edhe qita vekin, bajsha vek, t’kallxova.

AK: Po. E, a din me na tregu pak a shumë punën e vekut? Pak... qysh shkon me punu n’vek?

FS: Po’ tashti vekin duhet me ja bâ atë kompletin e vet, a veki, shulat që e mshtjellish harxhin për me punu, ka shpatën, ato liqt ju thojnë, liq qi i shtinë napër liqa, napër shpatë për me bâ... e bajshe e kepshe, katër polla edhe e qitshum n’pazar. Qashtu i kam rritë fmit, i kam shkollu qita t’mdhejt.

AK: A ki dalë n’pazar vet me shitë, apo...?

FS: Une i bajshem, n’pazar dilke motra e burrit mi’ shitke... Nuk um lishin mu me dalë, “je e re” thojshin, “me dalë n’pazar” - qikja si a gjallë alâ, ksaj sun i dalë\ borxhit kurrë: um ka kqyrë shumë, e k’ta kuneét ishin n’punë, po, po tashti për familje t’veta s’kishin për me t... edhe fillum qata shpia mi bâ qatere... edhe at’herë me kredite, me zor i banum. Kur vdiq burriii, ma la kreditin, po shyqyr qat kredi ma hoqën, s’ma lshun mâ, s’e kam pâ... qishtu’ burri um ka vdekë n’Zagreb, me smuje t’rân, ni motmot jemi zhague, jemi... jemi mytë, tu shku te doktorrt ma t’mirë... kurse asaj smje gja s’un i bajke kërkush. E bânë operacion e erdh n’shpi, e nejti pesë-gjashtë [5-6] muj, e ju bâ apet n’krye t’motmotit... shkoi mâ, erdh xhenaze, tek, qishtu, mi la fmit e vogël, vjehrrën e kishme se vjehrri um ka vdekë ni muj para burrit. Vjehrri smut ishte qitu n’qit dhomë, burrin e kisha nalt. Shkun për ni muj nar mjet te dy. Shumë histori e gatë ashtë, e burrit hallall, mu bâ djali maaa... fort i mirë, e çikat e, baba i ksaj [mesa e vet], qatë djalë unë, katërt e gjashtë [46] vjet edhe ai u smu, t’nejten smuj. Edhe ai shkoi për ni vit, edhe ai katër fmi mi la, tulí historie ka jeta... (qan)

AK: Diçka tjetër... a ki me na thânë për n’fund?

FS: Vallahi tash... tashti m’ka kap pleqnia jeme, mërzia jeme, kam vujt boll...

AK: Faleminderit shumë për kohën.

FS: Falemnérs edhe ti!