Fetije Matarova

Intervistuar nga: Fisnik Kamberi

Ardhja e gjermanve... unë jom kanë at’herë... jom kanë e re, po s’kom dijtë as m’u tutë, veç u enshin ata, e me kual e me ato, une qasajde u përziejsha nëpër gjerman

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

28.05.2018

Lokacioni i intervistës

Prishtinë

Vendi i lindjës

Bërnicën e epërm

Tranksriptimi

FK: Përshëndetje! Jam Fisnik Kamberi, hulumtues i projektit Kujtesa e Kosovës — 100 rrëfimet. Sot ôsht datë 28 maj, viti 2018, gjendem në Prishtinë, jam me subjekten e radhës, e cila quhet Fetije Matarova; tash po fillojmë intervistën.

Zonja Fetije mirë se vjen n’kët intervistë! Ju falenderojmë shum! 

FM: Falemnderit!

FK: Si pytje t’parë keni: kur dhe ku jeni lindë?

FM: Jom lindë n’Bërnicën e epër, ni mijë e nënqin e tridhetë e tetë [1938].

FK: Cili ôsht kujtimi i juej i parë?

FM: Po m’kujtohen krejt ato t’thminisë; qysh ato hjekat, ato t’shkollimit e t’udhëtimit e; qysh jena shkue n’shkollë, qysh ô kanë jeta e at’hershme, m’kujtohen...

FK: Folna pak për fmininë e hershme.

FM: Vallahi për thmininë e hershme s’kam çka me folë, se diçka t’knaqshme s’kam me t’kallxue! Hë, jeta qashtu u kanë at’here!

FK: Për prindërit, ça ju kujtohet?

FM: Prindrit m’kujtohen, prindit, edhe ata jon kanë t’vuejtun shum valla, edhe ata.

FK: Na trego emnin qysh e ka pasë baba? Nana?

FM: Bâba e ka pasë Shaban, nâna e ka pasë Hamide. Gjysh’t nuk i kom zatetë, po emnin jau di: babgjyshi e ka pasë emnin Hajdar, gjyshja Zarife. As s’i kam zatetë une hiç...

FK: Për gjyshnit, ça tregojshin? Prej kahit vijnë? Në fillim ku kishin qenë?

FM: N’fillim kanë qenë n’Vajnovc; tanaj gjyshi ô dekë; gjyshja ka rrnue n’Bërricë. Po s’i kam zatetë ata, po kam nije pej k’tyne qi qashtu u kanë.

FK: Për prindërit a mun me na tregue ma tepër?

FM: Vallahi për prindit s’po di ça me kallxue mâ! Kallxova! Prindit jon kanë t’hjekun boll edhe ata, si n’kohë t’at’herëshit me kushtet e at’herëshit, qysh na kanë rritë, qysh... Zor u kanë boll për tâ! Po sot shyqyr Zotit krejt jon mirë, elham pej Zotit.

FK: A munesh me na përshkru Bërrnicën e atyne viteve t’hershme... Qysh dukej?

FM: Po, Bërricën si Bërnicë, tash e ngjohin edhe k’ta t’rijt, tash, edhe badihava une jau përshkruej, kur ata nuk besojnë qysh u kanë e qysh e shohin sot! As vetë s’pi besoj, as vetë s’p’e ngjoh, qi jom le jom rritë aty nuk p’e ngjoh sot! Ejpo t’kom kallxu: shpin e bâbës nuk e kam dijtë ku ôsht! Qaq qi ka ndryshue atyhja!

FK: Qysh jon dokë shpitë at’herë?

FM: Po shpija t’thjeshta si at’herë qi i kanë marue me skame e me qysh kanë mujtë. E tash, tash je kanë ti... A je kanë? 

FK: Po, po.

FM: E, e ke pa tash...

FK: Mahâlla qysh u dokë? Kon e keni pasë n’mahâllë? Çka kujtoni prej mahâllës?

FM: O ça ka m’u dokë mahâlla: magjup, shiptar, shkije! Tri farna jon kanë. Krejt s’i ka pasë nizet [20] shpi; s’jon kanë nizet [20] shpi, bile, çfarë, n’krejt Bërrnicën!

FK: Qysh ishin raportet mes veti? Qysh e kalojshi?

FM: Mirë, mirë vallahi deri n’luftë kurr s’ka pasë problem nja me tjetrin, deri n’luftë! Po kur u ba lufta: e kallxuen vehten shkijet!

FK: Lufta e Dytë Botnore?

FM: Po, Lufta e Dytë Botnore: kojshija kojshin hini e vrajti! Se kurr s’kishum mujtë me besue qi... se s’i kishim raportet e kqija, ku u zatetshim me folë, si: thmija, si burrat si... se k’shtu kunushmak s’kena ba me u en; po kur u ba lufta: hinen i vrajtën... n’shpi t’vet i vrajshin shiptar’t!

FK: A dini naj ngjarje me na tregue? Qe e kujtoni naj familje qe i ka ndodhë...

FM: E di valla ni ngjarje qi n’derë t’shpis e vrajti djalin! E vrajti, si Zoti na rujtë, t’parin kojshi n’derë t’shpis t’vet, tu hi n’shpi, e vrajti kojshija! E vrajti tjetrin sá u martue, s’i kish as ni muej qi ish martue, e vrajti me gjithë nuse! Te dytë i vrajti kojshija! Shkijet! Plus bile, nusen mas sáve e gjetën...

FK: A ish kjo koha masi qi shkoi gjermani?

FM: Masi qi shkoi gjermani.

FK: E dit’ e gjermanit qysh t’kujtohen? Ardhja e gjermanve, qysh t’kujtohet?

FM: Ardhja e gjermanve... unë jom kanë at’herë... jom kanë e re, po s’kom dijtë as m’u tutë, veç u enshin ata, e me kual e me ato, une qasajde u përziejsha nëpër gjerman, se s’dijsha me u tutë, isha e re shum. E m’kujtohet pak si thmi, se s’i maj men bash kfjelltë ato.

FK: Ke tregue për... qysh i kanë djegë uniformat, veshjet...

FM: Po, i bojshin tubë, i bojshin, ni oborr i madh ish i çprazt midis katuni, qaty i shihsha, krejt k’to teshat e ushtrisë gjermonve i bajshin tubë edhe jau dhejshin çibritin aty, e na i kqyrshëm, u çuditshmi si thmi: qysh me i kallë teshat (se u kanë skame, s’ka pasë ashtu) ! Qysh me i kallë teshat! (I kallshin gjermont!) Sa kah ecshëm na s’dishëm, sa thmija u plagosshin (s’e s’dishim; ata i çelshin ato...) e plot kah kqyrshe: a bume lejshin, a armatim a gjithçka. Kah u enëshum pej prrojëve t’katunit, ka kapërcye me sa lufta, lufta qi ka kalue, na qi shkojshum me gjâ kishum me gjetë: a bume, a pluma, a çkasmos qi lejshin. Bombardimet, kur bombardojshin, na z’dijshëm, ishim veç thmi, e na britshin: “Hini mrena, hini mrena, se p’ju mysin!” Na, qaq kishmi qef me i nie krismat, krejt kohën rrijshëm tu i kqyrë, se s’dishëm ça me bâ; e ata bombardojshin (gjermont)! Gjithçka ka pasë, po p’i harroj une (kom harrue). M’kujtohet... e kish pasë ni tranzistor [fjala është për një kuti të zakonshme të gjësendeve, por të intervistuarës i rrjedh shprehja “tranzistor” gabimisht] n’dorë, kur hinën gjermont n’oborr, ajo u tutë pej gjermanve, edhe e shtini at tranzistorin, e shtini [flet me gjeste] qishtu n’xhep, veç ka ngâ gjermani, ja ka ngjitë lidhë grues tak: “Nxirre! Çka shtine aty?” Edhe ajo grueja u tutë; ajo veç i çoi durtë, ajo, edhe... “K’tu, çka shtine?” E nxuerr ajo tranzistorin... edhe kur e pa qi ôsht transistor edhe ja bani “merre” (gjermanisht) edhe “hajt...”, se u tutë zaher qi armatim diçka p’i gjuen gjermont! Edhe m’kujtohet, thmi jom kanë, m’kujtohet ajo ngjarje. Veç për kush e ka zatetë k’shtu kohën si kohë, kanë vujtë shum, shum! Unë jom kanë thmi, s’kom dijtë as m’u tutë as, veç ça kom pa diçka po kallxoj, s’e s’kom dijtë m’u tutë, se jom kanë e re shum.

FK: Familja n’at kohë çka bojke? (Baba; familjarët tjerë...)

FM: A e di çka u bojke... u bojke: krejt e lshuen katunin, veç na metëm n’katun! Krejt kishin dikon n’sheher (k’tu).

FK: N’Prishtinë?

FM: N’Prishtinë, po. Krejt e kishin dikon me ardhë te ta, na s’e kishmi kërkon. Se bâba i jem t’kallxova qysh â rritë! Edhe i tha ni shka (hini shkâu n’oborr), tha: “Krejt duelën pej katuni?” Bâba i tha: “Po!” “Ti, — tha, — çka po bon?” Tha: “Une s’kom ku shkoj. Po rri n’shpi!” Tha: “Mos dil pej shpije, se gjallë une, ty s’ka me t’prekë kush!” Tha: “Gjallë une, n’derë s’ka me t’hi kush!” Edhe qashtu u kanë! Edhe kush s’na hini n’oborr. Se gjyshja e jem at shkâ ma shum e kish rritë — qi i kish dekë nâna e ish metë jetim. Ai pa nânë, e gjyshes dhimju, edhe gjyshja dil merr pej sokaku, merre shtine laje, merre pej sokaku e hin jepi bukë. Kur erdh Mahalli i luftës, ai tha: “Une kom me t’pshtue... Se ty nuk guxon kush me t’prek, — tha, — se une nuk i harroj t’mirat e hallës!” (Gjyshes teme, krejt ni katun, hallë i kanë thanë.) Edhe na pshtoi shkavi. E, atâ e maj men! Se metëm si me dalë qitash n’sokak. Nejse u krye lufta, na s’livritëm hiç pej shpije; nejtëm n’shpi, po kjo u kanë qe... kur u kanë gjermani, qi po thom, k’tu, po sot e at ditë, tetëdhetë [80] vjet i kam bâ, i falenderohna atij shkavi qi na pshtoi, se qaty hishin, na mytshin shkijet, si mos me kanë! Po ai tha: “N’kit derë s’guxon kush me hi, se une s’e harroj t’mirën e gjyshes t’k’tyne!” Se gjyshja e ka rritë djalin e vet jetim, ju ka dhimtë qi ôsht ai jetim... tha: “Pej sokakit a kapke për dore, e pruke mrena: hajde lokja t’lanë, hajde lokja t’epë bukë”. Ai i vogël, katër-pesë [4–5] vjeç a tri-katër [3–4] vjeç a sa u kanë, se unë s’jom kanë at’herë. Edhe e mira po du me thanë nuk u hupë, ju ka rue, na pshtoi shkavi.

FK: Vishaku [teprica] a ju kujtohet? A vishin me marrë?

FM: Po vallahi m’kujtohet!

FK: Tregona pak ma shum për vishakun.

FM: M’kujtohet: e millshmi tokën, e gjithë verën çka hjekshmi me gjetë bukën, kur e gjajshmi bukën, e rezervojshmi për dimën, u gzojshum se e kena gjetë bukën! T’i qitke sa killa dojke atje... “Qikaq killa ke m’i pru vishak [tepricë]!” A t’jetke për ni muej a për ni për javë, atij s’i interesoke! “Ki m’i pru!” Edhe kashatën e gojës na merrke! Po, m’kujtohet!

FK: A e keni mshefë najhere ushqimin? A ju kujtohet?

FM: Jena munue me mshefë kapak, po s’mun e mshefë ti sa ôsht vjeti! Ti e mshefë për ni [1] javë e dy [2] e ni [1] muej, se s’un e mshefë... Tanaj qato killa qi t’i qitke, ti s’kishe çare... Qi s’i gjajshe qi i ke punue, t’u dufke me i ble, me i çue! (Me i ble!) 

 “Qikaq killa ke me i prue!” M’kujtohet vishaku, qysh jo! Po une po i harroj tash, se ka pasë shum-shum hjeka; po i harroj tash.

FK: E Akcioni i Armëve (qi i kanë mledhë pushk’t), a ju kujtohet? Koha e Rankoviqit, kur i kanë mledhë pushk’t...

FM: E kujtojna. Bâba i jem e ka pasë ni pushkë, u kanë si rojtarë n’at kohë, e nejse, kur u ba lufta, masi qi u kry lufta, qi erdh kjo farë “me i marë pushk’t”, erdhën shkijet e katunit, ja lypi njani: “Ama pushkën!” Edhe ja dha baba! Po, kur i thirrën atje m’i çue, qi i rrehshin për pushkë, me i dorëzue pushk’t, ai s’e pranojke qi ja ka marrë pushkën [babës], po i thejke... Ja lypshin bâbës pushkën... e ai, baba, i kallxojke qi ky ma ka marrë; ai s’e pranojke; edhe tej u çue tjetri, kusherini i vet, e i tha: “A ja ke marrë?” — “Po.” — “Pse s’p’e pranon?” Tha: “Ja ka marrë ky pushkën! Mos e ngucni njerin, se ky ja paska marrë!” E dojke me shti, me rreh, me rreh babën!

FK: E kush ke ai qi e shpëtoi babën?

FM: Ai e pat emnin Starafin, shkâ ke, edhe ai ke shkâ, e kusherini i qatina ish, po ai dojke me i rreh qi me i myt shiptarët! Po ai s’ja harrojke, ai, qat t’mirën, e bâbës dojke me ja kthye me t’mirë ky. Për qat luftë, edhe qi u kanë shka, i falenderohna, se nashta, nashta qaty na kishin mytë krejtve! Se prej krejt katunit, vetëm na jena kanë n’katun, se krejt e lshuen katunin, po na s’kishim ku me shkue.

FK: A t’kujtohet koha kur i eliminuen dhitë?

FM: M’kujtohet... Thanë: “Me i hjekë dhitë se p’e prishin malin”. Edhe na kena pasë dhi; edhe i prejtëm dhitë; i prejtëm dhitë. Kurr s’kom me harrue!

FK: Çka bonin prindërit për me jetu, me çka merreshin?

FM: Vallai me bujqësi, me gjâ... Majshmi gjâ sa për nevoja qi na u dufshin me pasë. Tokën e punojshmi; qata bukë e gjajshmi; malin e kishim; drutë i kishmi tonat. E at’here si ma vonë ja nisën me punue punë shteti, se s’ka pasë punë t’shtetit, tani kur ja nisën me punue punë t’shtetit, kushedi sa qinda kilometra ecshin me shkue me punue n’Bellaqefc a n’Krushevc, a n’Hade, a n’Grabovc... kahmos me punue, ku nxirret qymyri.

FK: Naj ditë t’v’shtirë, a t’kujtohet n’fmini? Koha e skamjes, kur s’keni pasë naj ditë, a ju kujtohet?

FM: Qyre, për bukë p’e nxa, për bukë, elham pej Zotit, kurr s’ëm kujtohet qi kena metë ni dite pa bukë. Po shtirë u kanë për Zotin e shpisë me punue me fitue me na pru, se na si thmi tybe kurr s’kena hjekë. Po u ka skame për krejt at’here; qashtu u kanë! A jeta u kanë, jeta u kanë katastrofë e shtirë! Ma s’shumti u kanë për burra, qi burrat jon kanë t’pa punë. Ata u duftë me fitue me pru idaren n’shpi.

FK: Ushqimi i asaj kohe qysh ka qenë? Qysh t’kujtohet?

FM: Çka kina mujtë, çka kena mujtë, veç kush ka pasë gjâ, nuk ka hjekë keq. Ni gjâ bile pa e mâjtë, s’e kena lanë, për me njomë kafshatën.

FK: Ni darkë qysh u kanë? Ni darkë e zakonshme.

FM: Vallai ni darkë e zakonshme, me t’kallxue drejt, s’u kanë e keqe! Pse? E kena mâjt pulën, e kena pasë pulën, voen tonën, mishin tonë, dhenë, kena pre kingjin. E kina ba ni darkë e ni darsmën qysh me kushte t’at’hershit. Nuk u kanë keq!

FK: Kur jeni msu me pregaditë ushqim? Kur ju kujtohet?

FM: Vallai m’kujtohet... masi erdha te burri [qesh] m’thanë: “Duhet me ja nis tash me i msue tana senet”, edhe ja nisa, çka mujta, çka dita, msova! Edhe sot: çka muj, çka dij, i boj!

FK: Sa fmi ishi n’familje?

FM: Unë isha ma i pari thmi i nânës tem. Ma i pari! Nâna e jem i ka gjetë gjashtëmdhetë thmi [16], po shtatë [7] i kanë dekë, tetë [8] i ka gjallë. Tetë [8] tash t’dekun, se edhe ni vllau qi m’diq qitash. E tetë [8] t’gjallë e tetë [8] t’dekun.

FK: Sa motra kishe? Sa vllazni?

FM: Tash i kom: jena pesë [5] motra e tre [3] vllazën.

FK: Me kënd je kanë ma e afërt?

FM: Vallahi jom kanë e afërm... me krejt jom kanë, veç e kom pasë vllaun e madh, qi s’e ndrroj as me bâbë!

FK: A mun me na përshkrue pak vllâun?

FM: S’di qysh me ta përshkrue... ça me thanë për tâ!! Ni vlla qi t’vjen n’çdo dy-tri [2–3] ditë, e t’viziton, e t’bon teklif! Atje burri m’ka shkue shtatë [7] mujë, m’ka shkue n’Libi ka nejt, unë i kom pasë thmijtë e ri, kom nejt me thmijë, gjashtë [6] fmijë n’shpi, e ai n’çdo dytën ditë u ardhë: “A ke nevoj diçka? Qysh po t’sillen fmija? Çka t’kiesh nevojë lajmërom, mos m’mshefë kurgja”. Për mue u kanë boll, se une i kom pasë kushtet at’here, kushtet e mira pasha Zotin, s’kom pasë nevoj për ni qikaq sen me ma nimue kush, se krejt m’i ka rezervue burri, tani u shkue n’Libi, po boll, faleminerit pej tina, veç qi m’ka ba teklif për çdo ditë. Atâ, jo niherë vlla, po shtatë [7] here vlla e kom pasë!

FK: Po për motra, çka munesh me na tregue?

FM: E për motra, une jom ma e madhja, edhe motrat i kam t’mira, tana n’vene t’mira, kushtet e mira, po elham prej Zotit miftjaqë s’jom kanë, me m’vizitue m’vizitojnë, i vizitoj kur muj, po miftjaq nuk jom kanë, se ka kalue ajo kohë e miftjaqëllukut, moti u kanë ajo.

FK: Çka munesh me na tregue për motrat ma shum?

FM: Edhe motrat e mija, sidomos njana, i ka shkue shkolla shum, shum, shum! Po qashtu edhe ajo u dufke me udhëtue, e bâba e nali. Qaq fort u mërzit motra... për te ra n’spital, me za n’spital, pej mërzijes qi e la shkollën. Po hak hyqmeti i Zotit, se i shkollohen fmija... burrin e ka doktor specialist, djalin doktor (doktor t’njoftun t’zemrës, doktor/kirurg); çikat qashtu t’shkollueme krejt. Sot u lodhë edhe ajo, i ka ba do vjet, hanez vuen për shkollë: “Qi s’kom mujtë me krye shkollën, qi m’ka shkue kaq fort”. 

FK: Cilat ishin vështirësitë at’here m’u shkollue femnat?

FM: Vështirsitë ma t’mdhaja jon kanë qi s’kina pasë kushte me udhëtue. Veç udhëtimi na ka ba, se me kanë pasë na ni ven ku nuk udhëtojna, krejt kishmi shkollë. Po udhëtimi u kanë... se natën ti s’ke guxue me ecë s’di sa kilometra natën... Ka pasë gjithçka rrugëve! E po thom qi... unë sot tetëdhetë [80] vjet i kam ba, me mujtë, thom, e kthej jetën mrapa edhe shkollohna! Pse? Qashtu m’ka metë zhigë! Për at kohë — katër [4] vjet u kanë fillore, veç për qato katër [4] vjet msojshëm n’tonën ça mujshmi, mirë msojshëm, se e kishmi vullnetin qi po shkojmë n’shkollë. Po edhe na ishmi at’here t’ri, e z’dishmi qaq, po qaq-qaq u kanë zor me shkue n’shkollë, sidomos dimnit, e krejt, po qaq e kishmi vullnetin... “rrzou e çou” tekterna shkojshëm, edhe kur shkojshëm, t’knaqët ishim!

FK: Po festat popullore, si: Shëngjergji?

FM: Shingjergji, Bajrami... e pritshmi hazdret! Ni knaqsi u kanë!

FK: Për Shëngjergjin, a munesh me na tregue ma tepër?

FM: U tubojshmi, u hulatshmi, nihshmi hulaqat, u hulatshmi, se dita e parë e Shingjergjit, qi prujshëmi gjânë tanaj përditë n’shpi, n’gjysë ditës. E mirë u kanë vallahi! N’sabahle, nâna i merrke hithat edhe na stërpike me uji e me hitha, edhe na lidhke pejt n’duer për Shingjergj. E u çojshmi herët, qi me na çue herët, u çojshmi herët, edhe i lshojshmi gjânë, qi për me i pru tani n’menges. U kanë nifarë knaqsije edhe at’herë. Sidomos... na jo (na shiptarët), s’e kemi pasë at farë tradite, veç tjerët muzikën s’e nalshin gjithë ditën.

FK: Po për Bajram, çka ju kujtohet?

FM: Për Bajram na kujtohet: kush kishmi mundësi, blejshmi tesha e u veshmi, qitshmi çka kishmi diçka mirë, vike dikush, shkojshëm dikun për Bajram. Edhe atâ e festojshmi qysh kishmi mundësi.

FK: Çfarë rëndsije kish feja at’herë për juve? A e majshi Ramazanin?

FM: E majshmi Ramazanin, ninojshmi krejt Ramazanin, u çojshmi, deri n’syfyr rrijshmi, hangshmi syfyr, tanaj u knaqshmi, e thirrshmi njani-tjetrin, qashtu. Knaqsi u kanë për at kohë. E tash, vallai, ma nrysh. Tash ma nrysh ôsht.

FK: Si fmi, çfarë detyre kishe rreth shpisë?

FM: Si thmi, si thmi detyrat e mija: unë isha thmija i parë i nânës, edhe u rrita, tjerët mas meje krejt diqën, vetum une meta, pasha Zotin krejt qata thmi, s’po thom qi jom kanë nânë, se nânë s’muj me ju ba kurrkujna, po e kam zavendsue nânën për nja shtatdhetë përqin [70%]. Qi sot vllaznit e mij edhe motrat e mija thojnë: “Nânë e dytë për ne je kanë ti”. Jom munue me ju ba nânës, me ju ba krah, se qashtu u kanë koha, s’kom mujtë me ndryshue kohën. I kam nimue nânës n’gjithçka, n’gjithçka, n’gjithçka! Kur erdha k’tu te burri, ma dorëzuen detyrën “cakkk”, edhe e rroka detyrën; dekterna qitash, tetdhet vjet [80] i kam ba, qat detyrë e vazhdoj.

FK: Ku blenin harxh, n’shpi, at’herë? 

FM: Blejshin... se çilshin: a shkijet a shiptarët... çilshin ato dugajtë, e qaty shkojshin blejshin harxh, po, po.

FK: E për veshje, qysh ja keni bâ at’here?

FM: Për veshje, vallahi, për veshje u kanë si zor, se u duftë me i kep senet, krejt me i kep, se hazder s’ka pasë me i ble, po me i kep. E kisha ni shkinë si shoqe, nashta t’kom kallxue, edhe tha (une e kisha kep ni kmishë për veti): “A po ma kep, a po ma kep oj motra e jeme!” — “Hajt se po ta kepi”, une. E blejti ajo materialin. E kishin ni ditë ata shkijet sllave [kremte fetare], a çka i thojnë, se s’po e di une... Edhe e mora, ja kepa asaj shkines. Kur ja kepa, nejse, mirë i ra, edhe ato: “Ku e ke marë, e ku e ke marë”, se s’ka pasë me ble hazder. E thotë: “Ma ka kep ni qikë, ni shiptarkë” E t’erdhën ato tanaj: “Qe me pare po t’paguejmë, e kepna, e asi”. A din, edhe me t’kallxue drejt, s’i besojsha vetit, thejsha mos i bahet keq, s’i pëlqen, a diçka... e thashë: “Une s’kepi as me pare, as..., po k’tâ e kom shoqe, ja kom kep...” Edhe njana m’u lutë, e m’u lutë, e m’u lutë, tepër m’u lutë! Kur m’u lutë, ma bani nâna: “Kepja bre, kepja bre!” (Se me dorë u kanë ma zor.), edhe nejse, e mora e ja kepa edhe asajna. Qaq m’u falenderue ajo... edhe masi jom ba nuse e jam shkue e m’ka zatetë, për qat kmishë, m’ka kap për qafe: “Qi s’ta harroj qi ma ke kep për sllavë!” Se u kanë jeta qashtu! S’kena pasë!

FK: Kush i blejke pejt e k’to... at’herë?

FM: Bâba. Krejt bâba na i blejke. Për krejt familjen kepsha, për cilli kish nevojë, kepsha.

FK: Cillat pjesë t’veshjeve i kepshe? 

FM: Po kmisha kepsha, funa, po e nxa; çfarë veshje e lypshin, çfare e lypshin... se at’here nuk ka pasë k’so setra e k’soshe me i ble, s’ka pasë për femna, e qato i kepsha.

FK: A t’pëlqejke kjo punë?

FM: Shum m’ka pëlqye; fort m’ka pëlqye; edhe zhig e kom pasë deri vonë, qi s’e kom vazhdue at profesion, zhig e kom pasë! Po koha p’e bajke t’veten. Une tanaj u martova, tanaj m’rrokën gajlet e shpis, e m’u ban fmija e. Po, prapseprap për thmij t’mi kam kep; maqinën e kam ble, edhe çka ka ba lazëm, edhe plus çikave çeizin ja kam ba me maqinë. Krejt s’e kom largue at profesion, po me kohë, kur kom pasë qef, s’e kom pasë.

FK: Cilli ôsht qyteti ma i madh qi e keni vizitue si e re?

FM: Jom kanë n’Turkije; mâ n’Ulqin, s’flas (n’Ulqin jom kanë nja nizet [20] here nashta); jom kanë, nejse, n’Nishë; jom kanë në Turkije; jom kanë n’Saleli n’Istamboll; n’Izmir... Nashta edhe po i harroj tash qi jom kanë at’here para katërdhetë vjete.

FK: Masi që je martue k’tu?

FM: Po more, qysh jo.

FK: Çfarë përshtypjesh t’kanë lanë?

FM: Mirë, mirë. Burri i ka pasë dajtë, i ka pasë atje, e m’ka çue, i ka vizitue atje.

FK: A munesh me na folë ma tepër për martesën? Kur je martu?

FM: Kur jom martue... k’tu u kanë familje e mirë. Jom martue nizet e ni vjeç [21]; qe gjashtdhetë vjet [60] gati qi jom martu. Mirë kom kalue me burrë e me familje t’burrit; e mirë kom kalue shum.

FK: N’cillin ven je martue dhe me kon?

FM: Jam martue, qitu, n’Prishtinë. Burri e ka pasë emnin Rexhep Matarova. Mirë, mirë kam kalue.

FK: Për darsmën, a munesh me na folë pak? Qysh u kanë?

FM: Si darsmat e at’hershmit qysh jon kanë... Mirë u kanë, mirë shum. At’herë s’ka pasë k’shtu kerre [automobila], me pajtane jon ardhë e m’kanë mâr. Mirë, jom qillue ni familje t’mirë, rahat jena kanë. I kom gjetë: jon kanë pesë [5] vllazën e dy [2] vjehrri, e tri [3] motra. Po e kena pasë nifarë knaqsije, nifarë atmosfere t’mirë qi s’muj me harrue. Vllaznit kur u bojke akshami, u bojshin tanë tubë, qaq mirë knojshin, qaq mirë rrishin: llaf tej n’dhymdhetë [12] t’natës... çfarë atmosfere... qi çpesh here kaj për at kohë t’at’herëshit, për at atmosferë t’at’hershit... shum, shum! Tash po m’doket nuk u metë kurçfarë lezeti, hiç. Pasha Zotin kishe musafir, qaq me qef i pritsha musafirët qi vishin, qi s’m’u gâjke nata ni sahat qi po rrijn, se zaherë isha e re, isha e shnoshë edhe diqysh atmosfera ish e mirë bre! U knaqshmi llaf-llaf e shegarime; t’shkojke nata sahora! Shum mirë, shum, shum! Une, qi m’kanë dekë kunetët qe sa, çpesh kâj për ata kunet, çpesh kaj, kur ja kujtoj sjelljet e tyne, kaj për tâ shum!

FK: Muzikën çfare e bojshin? Çfarë muzike u bojke?

FM: Kishin me çitelija; kunati, mas burrit tem qi ish, ai i mshojke e ka pasë k’so... qysh i thojnë k’saj...? [flet me gjeste]

FK: Harmonikë?

FM: Harmaonika a ça i thojnë, se p’e harroj. A i bike defit, a i bike tarbukes, a i shkojshin tana për dore k’to farë senesh; qato instumente i kish. Çitelisë i biiike tej qaty... ai mjer, knojshiiin... s’di bre t’thom ! I kena pasë krejt ato inqizime, po se na bjen ni shi i madh, e na del uj’t n’podrum, e mushet podrumi ujë, apo m’beson, pasha Zotin, me sa gajbe qishtu traka [kasetë] qi i kina qit n’bërllogë, se krejt i kena pasë t’inqizueme.

FK: Cillat kangë i kishi ma për qefi?

FM: Vallahi kangët... knojshin tulifare, tash s’muj me cekë qitâ u kanë ma e mirë a ma e keqe, veç t’mira jon kanë. S’mujë me thanë qi qikjo s’u kanë e mirë. Falenderohna për s’gjalli, për s’dekni, krejt kunetëve, vjehrrive qi kam kalue mirë me ta, shum, me ta! Edhe çpesh here kaj për ta. Pesë-katër [5-4] kunetë i kam pasë e kunata, e krejt, une kurr s’e kam ni vrejtje, nuk muj me thanë qishtu m’ka thanë kunati a m’ka thanë kunata. Faleminderit! Edhe kjo po jetka ni histori për sa t’jesh: fjala e mirë edhe respekti ndaj njani-tjetrit. Kush munet me mâjt, mirë u kanë! Për at’herë po flasë, se tash ka ndrrue jeta, tash kurrkun s’jena n’atâ qi jena kanë; krejt tash nrysh ôsht. Po për at’here, mirë u kanë!

FK: Prej kahit vijnë familja e burrit?

FM: Pej anës t’Llapit. Pej Llapit jon, t’Bellopojes jon, veç kanë ardhë k’tu n’Prishtinë, pej kur i ka pre Yrrfija; i ka pre yrrfija dymdhetë [12] antar t’familjes, ja ka pre vjehërrit, edhe u metë... Veç dy vllazni s’jan kanë n’shpi... kur jan ardhë dy vllaznija: dymdhetë [12] antar i kanë gjetë t’premë — qi i ka pre shkavi! Edhe i kanë vorrosë ata, ata familje qe...; edhe jon shpërgul, pej atjehit jon ardhë qitu, e pej qat’hershit jon qitu n’Prishtinë.

FK: Për Rrfijën, ça tregojshin ma tepër? (Për masakrrën n’Bellopojë!)

FM: Për masakrrën n’Bellopojë... N’Bellopojë, e n’Llap, e anena, nejse, tjera vene nuk e di qysh kanë ba, po kanë pre, a për shpin e vjehrrit tem, krejt ja kanë pre! Veç dy djel s’kanë qillu n’shpi, qata dy jon ardhë qitu; se krejt jau ka pre robtë e shpisë — dymdhetë [12] antarë! Kur jena... kallxojke plaku, tha: “Tekterna... e cofi qeni... qi nuk shtini ’i erë nimeti n’gojë” Be bojke plaku, tha: “Qishtu i shkojshin lotë qenit... te vorret krejt kohën ka nejt te vorret, tekterna u cofë” [flet me gjeste] .

FK: Vjehrri, ça kallxojke ma tepër? (Kur jon ardhë n’Prishtinë, k’tu, prej kur jon ikë prej Bellopojës...)

FM: Ça ka kallxue ma tepër: ka hiek edhe ai, s’kame, pej xeros, pej xerros u ba shpi k’tu, se krejt i ka kallë, i ka myt e i ka pre shkau, krejt; kur jon ardhë k’tu, veç qata dy [2] vllazni. Vjehrri i martuem [ka qenë në kohën e masakrës], ni thmi, edhe plus gruen shtatzanë ja kanë pre, ja kanë myt! Edhe tani, k’tu, kur u ardhë: hajt, hajt, hajt u martue me nânën e Rexhepit, mas ni kohe (mas save tybe n’disha!) kanë formue famili, kanë ba ven qitu. E mirë tanaj.

FK: Qysh t’kujtohet Prishtina kur je martu? Mahâlla e k’to... qysh u kanë? (Shpitë, kojshitë...)

FM: Po mirë jon kanë, kojshitë..., veç nuk u kanë, qysh me thanë, qyteti nuk u kanë i meremetuem (s’u kanë), as s’ka pasë rrugë t’asfalltueme, as s’ka pasë ku me dijtë dugâja qaq t’mira (s’ka pasë; t’rralla jon kanë), qyteti u kanë i rrallë. Po tani, tu mushë gjinë, tu mushë gjinë, se u çilë... shkollat u çilen... kur u çilen shkollat, ngulfatën katunet krejt k’tu edhe u ngulfat qyteti pej gjinve, se ma i rrallë u kanë qyteti. Ka pasë shpi qi i ka pasë shtatë-tetë [7–8] ari, dhetë [10] ari, dy-tremdhetë [12–13] ari oborr. Sot, s’i ka kush dy [2] ari.

FK: K’ta t’burrit, me çka u mershin? Çfarë pune kryejshin? Vjehrri, çfarë profesioni ka pasë?

FM: Vallahi kurrfare, kurrfare. Me qiso, me bashçe. Une kur jom ardhë, penzioner e kom gjetë vjehrrin (n’penzi). Qishtu me bashçe, me qiso sene, se n’punë t’shtetit s’u kanë. E burri u kanë n’punë t’shtetit. Ai ka punue n’punë t’shtetit: n’Ramiz Sadik ka punue. Mirë i ka pasë punët at’here; burri u kanë depoist n’Ramiz Sadik; sa vjet, tybe, po harroj tash, qi ka punue n’qat profesion.

FK: Kushtet ekonomike qysh ishin?

FM: Po mirë, mirë, mirë, mirë i kena pasë kushtet. Kurr s’kena hjek për kurgja, vallahi jo.

FK: Ma heret i pëmende disa vizita qi i keni ba jashtë vendit, si: n’Turqi...

FM: Po, po vallahi për çdo vjet jom shkue n’pushim. Jom shkue n’deti, jom shkue n’ Turqi. Pushim k’shtu n’deti s’kom ba n’Turqi, po jom shkue i kom vizitue, kena nejt te akraballuku. Jom kanë n’Turqi. Nashta jom kanë edhe tjetër kun, po harroj. Jom kanë... nejse, k’sajde s’po flas, jom kanë n’Prizëren e Shkup, e jom kanë nëpër k’to vene, kom shetit sa here, po k’to jon kanë mrena, k’to, e përjashtë jom kanë n’Turqi, m’kujtohet.

FK: N’Turqi kishi familjarët e burrit apo...?

FM: T’vjehrrës.

FK: T’vjehrrës a e kishin harrue gjuhën? Kur ishin shpërngul ata?

FM: S’e kishin harrue. Ma s’pari ata kanë ardhë k’tu, kanë ardhë me me disa here. Tash s’po thom qi kom ba shum, po ça kom dijtë, e ça kom mujtë kom ba respekt ndaj tyne. Po, kur shkova (qi thonë qat bajsh para dite, e gjanë mas dite) qaq m’rrespektuen, qaq morrëm rrespekt, sa se... s’mujsha me ja përshkrue!

FK: Kur ishin dalë ata prej Kosove? Kur kishin shkue n’Turki?

FM: Kur mas pari u ba ajo lufta, qi i kanë qitë pej shpijave t’veta, qi i kanë qitë... Qaty ku shkova une... Derë ëm derë me bâbën tem ai ish kanë. Vjehrra e jeme i kish ata vllazni pej nâne, pej nâne, e ata t’Bërrnicës... Veç u ardhë shkau tha, na e ka çelë derën, ka thanë: “Për ni minutë me dalë përjashta! As ni minut s’du me ju pa k’tu mâ!” Be bajke, pa apangën, kamë jena dalë. Tha “kur jena dalë te vorret (ti nashta i dine vorret e Bërrnicës), tha kur jena dalë te vorret, i ka thanë: “O djalë, — bâba i vet, — a i ke zgiedhë gjanë?” Ka thanë: “Jo.” I ka thanë: “Ktheu, — ka thanë, — shko hiçjau kërpeshat pej kreje, mos t’cofin lidhun” Edhe veç u ardhë ai, i ka zgidhë e jau ka lanë derën çelë, edhe jon nisë e jon dalë. Be bajke: “Gjashtë [6] javë n’deti kena nejt, n’ujë, se s’na lejshin me kapërcye”. Anija n’uji gjashtë [6] javë, tha, ni qasi qi u kanë me ta, e kish dijtë, ish kanë asqer [ushtar] i turkut, e kish ditë dy-tri fjalë tyrqe, edhe i ka kallxue atinaj rojtarit (a ma i madh ça u kanë ai, se s’po di): “Qe gjashtë javë jena qitu n’ujë, s’po na len me dalë e qashtu”. Edhe tha: “Na diq ni djalë, na diq n’anije; desh na mytën peshkaqent, dojshin me na rrotullue anijen, me na hangër, se ja niejtën erën t’dektit... Edhe i kallxuem na atina farë, qi ish ma i madh i tyne; na bani ai: ‘Qitnja gjenazen peshkaqenit, do te hanë, se përnrysh: hin peshkaqeni, ju hanë tanëve’... Edhe ja qitëm gjenazën: e hanger!”... E, edhe kallxojke, thejke: “Mas gjashtë [6] jave, — be bajke, tha, — veç na ka ba ‘kapërceni edhe gjinuni ku t’muni, s’ëm intereson!’... U ngjitëm tani me ni kodër e duelëm n’ni kërsh, edhe rrishëm n’qat kërsh, n’gurinë. As ujë me pi s’kishim, se le kurgja mâ tjetër”. Gjashtë [6] javë tha, be bajke “n’deti, n’anije kena nejtë, s’na lejke me dalë”, tha. E derëm ëm derë u kanë ai me bâbën tem n’Bërnicë. Kur m’ka vét ai mue: “E kahit ije bre fisnike?” Une thashë: “Jom e Bënices.” Tha: “E kujna je?” Thash: “Jom e Shabanit.” Tha: “A je mesa e hallës ti, a?” (Se hallë i kanë thanë krejt katuni!) Thash: “Po, mesa e hallës jom une.” Qysh u kanë n’kamë, veç kur u çue: “O Zooot! Hallali e daftë munin e hallës! O Zot hallalli e daft munin e hallës” Unë s’disha, s’kisha nije, s’disha kurgja, s’disha as qysh me vét atâ, thashë: “A p’e ngje ti hallën, a?” Tha: “Qysh s’e ngjo, se veç udha na ka da (ata derën qitu, k’ta qitu)! Hallalli e daftë munin qi e ka ba ajo!” (S’muj me përshkrue, me i marë nëpër men, me i kallxue ato hjekat e sajna, qysh i kam nije — se s’e kom zatetë.) E ai n’Turkije u çue: “Ja allah, — n’kamë, tha, — hallalli e daftë munin e saj, ça ka ba halla aty”. Ja ka shpërblye Zoti! Qyre ni djalë e ka rritë, qatâ e ka pasë, e ka rritë, po shyqyr Zotit, djemtë e tina, po djemtë e djemëve çfarë djemësh ju kanë ba, jo qi i kom t’vllaznive, se kur s’jon, kurr tyben s’i livdoj, po mirë jon pasha Zotin. Me randësi fije t’kqija s’kanë, me punë t kqija s’merren, për ata boll ô qikjo. Se dy vllazni i punojnë n’komunë, e qiky i vogli qi punon n’komunë, e po m’kallxon po thotë: “Oj aba, gjashtë [6] banesa i kom ble k’tu n’Prishtinë...” Thash: “E ça po ju banë atyne gjashtëve? (Ni djalë e ka e ni qikë.) — “I kom ble, nja qi m’pelqen, cilla m’pelqen e nali, cila s’ëm pëlqen, e shes.” Meret me qisofarë shitëblerje. Mirë, mirë i kanë punët.

FK: Sa fmi keni zonja Fetije?

FM: Gjashtë [6]: katër çika [4] e dy [2] djem.

FK: A mundesh me na folë ma tepër për fmijtë?

FM: Për thmijtë muj me folë, elham pej Zotit, ma s’pari i falenderohna Zotit qi m’i ka falë thminë e shnoshë, nja; e dyta: tej n’qit dakikë edhe vetë shnetën qi e kom, edhe memorjen n’nivel, i falenderohna Zotit. Mirë shum. Tash ça e ka çkrue Zoti me i pasë, s’mun m’i merr kurrkush, as s’un ja marrë.

FK: Tregona emnat e fmijëve...

FM: Emnat e thmijve: ma i madhi thmi e ka emnin Hidajet, i dyti: Amir; i treti: Halide; i katërti: Gylten; i pesti: Ramadan; i gjashti: Rejhan.

FK: Kur kanë lindë, a je gëzue ma tepër për vajza a për djemtë?

FM: Tash as s’po guxoj as me folë bre djalë, se po m’ngushton shum [qesh], se at’here u duftë me liftue si me tjetër shtet, deri te bojsh ni djalë [qesh]. Vallahi u’ po kam qef m’u shegarë, se nuk çon peshë te une: si djali, si çika, veç a ôsht i shnoshë! Elham pej Zotit qi jon t’shnosh tanë, e njejtë ô, si djali, si çika, evlad ôsht! Kurr, kurr, kurr, ktâ ta la amanet, nesër, masneser ishalla kije ymër, kije nafak, martohesh, t’çillon ni fat i hajrit, kurr mos i gjâj behane a ôsht djalë a qikë, veç a ôsht thmija i shnoshë, qi t’ôsht i shnoshë, qai ôsht thmij për ty (allah laj laj).

FK: Lindja e fmijëve qysh t’kujtohet?

FM: Po, po m’vjen keq bre m’u livdue, po prap po livdohna, se asni thmi n’spital (veç çikën e madhe), krejt i kom gjetë n’shpi, se kom dashtë me kallxue veten qi jam ma e zoja se... [qesh]! Mas qikës s’madhe, e kisha djalin katër [4] vjeç, shkova te bâba n’katun; kur shkova: çika ish dalë me lue, edhe e kish dhezë ni zjerëm n’oborr; kur e kish dhezë zjermin ish çue ni farë fryme edhe jau kalli kashtat; kur i kalli kashtat, krejt katuni u çue n’kamë me ardhë me i shkymë, se s’u shkymshin, se kish kashta n’oborr shum, edhe u munojshin me i shkym (po at’here ujësjellsin s’e kena pasë, po me bunar); edhe mas katër [4] vjete e kisha djalin e madh, rastsishtë shkova hina n’dhomë, kur hina n’dhomë: ish praptue beshiku e kish nxanë djalin përfuni! Aaa! Qat’here e pashë vetën... kurr dej n’qit... Pej q’at’herëshit, deri qitash, ma keq nuk e kam nie veten! Se thash “koka dekë djali”, e qajo ma e keqja qi s’ëm rrnojshin thmija! E kur e pash qi ôsht djali gjallë, at’here dola, i kallxova...: gati u tranuen bâba edhe nâna! Kush e përmeni mâ qi u kall diçka, qi u ba diçka, hiç! Veç qi ka pshtue djali! Po Zoti na rujtë: me kanë dekë djali aty! Qi desë djali n’shpi t’vet, p’e nxa, krejt tjetër ôsht, me dekë dikun tjetër, z’din ça thue! E shum m’doket... kur ëm bjen men ajo, s’ëm hiqet me ni copë herë t’madhe.

FK: Çfarë msimesh ju ke përcjellë fmijve? Çka i ke msu për jetën?

FM: Vallahi qatâ qi e kom dijtë ma mirë, jom munue me i kshillue, po tjetër jon k’shillat e prindit, tjetër â sa t’i merr. Sa t’i merr, ai â problem i tyne. A s’po thom qi kom dijtë, ja kam mujtë, ja, veç qato qi kom dijtë... Jo une, po çdo prindë e k’shillon thminë sa din. Veç une për veti, për tej sot, elham pej Zotit, s’po thom qi jon krejt t’përsosun, t’meçëm, po mirë tej qitu, mirë. Shumicën m’i kanë marrë, krejt jo, po shumicën e k’shillave m’i kanë marrë. Se s’ka ni prind qi s’e kshillon thminë sa din për veti; çdo prind!

FK: Ato k’shillat e juve, me ato qi t’i ka përcjellë baba, nâna e jote, a jon t’ngjajshme?

FM: Kanë ndryshime shum, kanë ndryshime. Se mos kujto, se n’at kohë edhe s’kanë pasë vakt me u marr; nashta edhe s’kanë dijtë! T’thom une, sot, nashta edhe s’kanë dijtë! Po qito k’shillat qi ja u boj une sot... qy tash, shembull: Ramadanit, Amirit, Halides, qi jon t’mdhoj, tanë, hanez i kshilloj n’têmen, qi ma merr menja qi s’e kanë mirë diçkafin; e ma bon Amiri, m’thotë: “Deri kur mâ?” Thom: “Tekterna sa t’rreh qiky damar, s’nalna une!” Munohna n’temën, nashta s’e kam mirë, po n’atâ temen munohna, mos po gabojnë ata.

FK: E juve, çfarë k’shillash ju kujtohet bâba/nâna qi jau kanë dhanë juve?

FM: Vallahi m’kujtohen k’shillat e babës. Jo qi e kam pasë bâbë, veç k’shillat e bâbës as për qerek qerekut s’ja kena marrë na thmija! Çfarë k’shillash na ka dhanë! Qaq e kena pasë bâbën t’kujdesshëm, qaq u kanë i urtë, qaq u kanë i nalun, jo qi po t’thom une qi e kam pasë bâbë, pesë Bërnica jon ren, pasha qit beriqet, veti ndash shkije, ndash magju, nash shqiptar... a del dikush me thanë ni gjysë fjale për tâ! Vllaznit e mi e çelën mullinin, edhe punojshin n’mulli; hini, tha, shkau: “Mirëdita” — ‘Mirëdita!” Qysh po ju shkon puna bre djel n’mulli? Ishalla përhajr!” — “Hajpaqi!” — “Hiç pa shybe keni me ja pa hajrin k’saj pune, se a e dini kanë e keni bâbë, e çfarë bâbe e keni pasë! — “Metëm na djelt e u çuditëm, kur shkau na i tha ato fjalë!” Sot, cilli shka flet mirë për shqiptar; e po due me thanë se bâbën e kena pasë shum t’mirë, u munue edhe ai n’t’vetën me na k’shillue çka ka dijtë.

FK: Naj k’shillë specifike qi tu ka ngulitë, a t’kujtohet? Najnja ma e veçantë?

FM: Valla m’kujtohet... Gjithë ëm thejke, gjithë ëm thejke: “Qyre ça po t’thom, fjalën e madhe, pa zor, kurr mos e fol! Mos e fol fjalën e madhe! Për me folë, kurr vonë nuk jet’!” Gjithë... edhe m’bjenë men, edhe i mâj ato fjalët e tina. Ka ba vaki, nashta, niqin herë m’ka ardhë rasti me folë, edhe e kom nal “tak”, se gjithë bâbën e kam n’krye! Ja, gjithë! Vallahi k’shillat qi na dhejke bâba: ishim kanë t’përmenun n’Kosovë me ja majt k’shillat e tina. Qaq u kanë i kujdesshëm, e qaq u kanë i nalun, qaq u kanë..., Zoti qashtu e ka krijue. Jetim e ka rritë gjyshja, po ju kish shpërblye ai mun i sajna. Tani thejke, kur punojke gjyshja, ja bajshin: “Ej mori hallë (djelt e vllaut), ej mori hallë, ni katun u baftë pej k’tij djali, ni katun u baftë!” Hak hiçmeti i Zotit, ni katun u ba. Pasha Zoti (jo qi po thom diçka), me shkue ti te motrat e mija, te vllaznija e mi, secili ma mirë se shoqi, secili ma mirë se shoqi, ymri t’shtohet. Se s’u kanë e keqja e kurrkujna. Çka ka dijtë, ç’ka ka mujtë, çka, me t’keq kurr s’ja ka kthye kujna kurrgjofin. Ishalla Zoti kurrkon s’e ngarkon me t’kqija.

... Ja kanë mytë djalin, dhe e ka da, e kanë da familja e vet nusen. Edhe kur ka ardhë vakti me lindë, ka lindë ajo te bâba i vet. Edhe e marrin, veç si e falë Zoti at thmin, veç e pshtjellin me ni zavjaq (ju zavjaqat e dini çfare jon kanë t’lesht), e pshtjellin me qat zavjaq edhe ja bien, ja lshojn gjyshes n’megjë. N’megjë t’arës ja bjen nâna e resë, edhe ja lshon n’megjë të arës, ja lshon çikën, për sa ka lindë. Edhe çka bon gjyshja, qysh u kanë tu korrë, ajo zemrën e plast qi i ka dekë djali, nusja i ka dalë pej shpije shtatëzanë, edhe shkon e merr, e çelë at zavjaq, e kqyrë, e sheh qi çikë. Edhe e merr at thmi edhe vjen te shpija, e lanë, edhe e lidhë. Pej qasaj dite e rritë gjyshja. Kur e rrit tash, mos kofsh n’shpi të huej, edhe i thotë: “U rritë çika; ba për ren t’martesës”. K’ta shok mas shoku, hajde po ja jepim vllaut t’shokut çikën. Kur i jepin: çka me pa? (ti Fisnik) Ai djalë jo qi s’kish dokë, s’kish kurrgja; ai s’kish kurrgja! Bone hesap, be bojke, thejke qi as derë t’sobës s’kena pasë. Qasi bejani qi s’vyen mâ, amâ hiç-hiç! Edhe i bon dy thmi kjo atje. Kur i bon dy thmi, hajt, hajt, hajt e marrin shkijet (n’Dervaraj u kanë e martueme, për vlla t’shokut e kanë dhanë k’ta qi e kanë majt bâbën); edhe e marrin shkijet e mysin, e qesin n’Sitnicë (edhe as gjenazën kurrën e kurrës nuk ja kanë gjetë), e çon uji; edhe jet’ ajo me dy thmi; çka ban kjo, jet’ ajo qashtu, jet’ me qata dy thmij, me kusheri t’burrit. Shkon bâba edhe e merr atâ, e bjen n’Bërrnicë. Kur e bjen, nje pej k’tyne qi e kishin k’tâ hallë, e çiken e hallës, çika e djalit të hallë e kishin k’tâ, thotë: “Ta kena gjetë ni ven!” Thotë: “Ju kisha lutë n’Zot, qi veç mos t’jet burri plak, se m’len, se qysh m’diq ai, m’hupi, e jes me k’ta thmi!” Thet: “Edhe po t’merr me dy thmij ai.” Kur shkon kjo, ça me shkue: burri plak! Ni djalë e kish pasë, renë, gruen, plakë. Djalin ja kishin myt, reja i kish metë n’shpi. Edhe ça me ba! U shkue tash, s’ka ça ban! “Po t’mer me dy thmi!” Hajt, hajt, hajt, rrnoj aty z’disa, i bani tre [3] djel e ni [1] çikë. (Kjo ish e re more, ish e re, as nizet e dy- tri vjet si kish [22–23] kjo.) Edhe i diq burri, metë me k’ta thmi. Çohen e t’vin kusherit e burrit qi i ka dekë burri: “Jena ardhë me marr çikën, — se tash çika u rrit e e mer kush k’tu, ta marrin me zor e qiso sene, — jena ardhë me marrë!” Ajo s’po mun me liftue (çika e mixhës), s’po mun lifton me ta; edhe e marrin çikën (Kurr s’kom me harrue at ditë; ça u kanë ngjarje e tmerrshme!), edhe e çojnë n’Dërvar. Kur e çojnë, e shesin me pare, e shesin! Qaq ajo çika s’i jep ymër veti (ku me dit çfarë veni u kanë, se edhe une at’here jom kanë e re, çfarë veni u kanë, tash me t’rrejt, me vjet po harroj sa), veç diq ajo çika! Kuku nânë, kuku nânë, nâna e vet! Bara i diq ky burri plak, bara metë me thmi me kushtet e at’hershit, ka me metë gjallë. Edhe ni kojshi ni dite zatetët me bâbën tem n’shehër k’tu, thotë bâba: “A po shkon bre najhere te Hyseni?” (Hysen e ka pasë emnin) — “Vallahi, — thet, — po shkoj bre, veç me t’kallxue drejt, ata jon tue durue uni, s’kanë bukë n’gojë me hanger!” E vjen bâba thotë: “Hamide, qe p’i nxierri nja dy thasë grun, maromi (se at’here me shoshë u duftë me i marue); maroji dy thasë grun, edhe po i çoj i bluej n’mulli, edhe p’e ja çoj, se m’tha qishtu-qishtu kojshija i vet, qishtu m’kallxoj.” I muer nâna, i maroj ata drithë, e i qitëm n’thasë, e i çoi n’Lupq i bluejti bâba. Edhe ky vllau k’tu qi u kanë thotë: “Edhe une ni thes po ja blej”. Ja blejti edhe ai ni thes grun/miell, e ja çoi. Nâna, kur niset bâba me shkue, i thotë nâna, thotë: “Nal, po ta jep ni bukë me vete”, tu i pjekë bukët me saq, edhe i jep bukën me veti. Bâba, s’e han at bukë, po e merr edhe ja çon atyne atje (hiç s’han bukë udhës, se udha e gat n’ Dyz). Kur shkon, ja çon ata miell, thotë qyre... mas pari i thotë bâba ni “a je? Qysh je”, — folëm, — hin qite ni bukë pogaqe thmive, do t’hanë bukë, tanaj ungjum bajm llaf”. Edhe jau qiti, tha, ni bukë pogaqe, e kallxojke baba, e hueq shamin e ungjë n’prag, e u lutë, tha: “Hej more Zot, zoti e dijtë kah ju dhasht, zoti baft k’shtu, k’shtu...” Gjithçka, tha, qi u lutë, tha: “Qe sa ditë jom kah u epi veç ka qikaq bukë thmive me majt shpirtin, se s’kena bukë n’shpi!” E, ça do me thanë: me bukë! Une …, kqyre ti Fisnik, po marrin k’ta shum bukë, po blejnë, e po shkon posht... E po m’thonë: “Po na ngashqen macat!” Une e marr, ja përsheshi macave, jau përsheshi shpenve, nuk e qes n’bërllog, vijnë e han; ça ô sen me shpiert, do te hanë! Se po tutna pej Zotit. Se edhe bukën taze, kurr s’e ha. Veç ça jet’ bajat. Gjithë bajatin e ha; jo qi m’thet dikush, po vetë e due, vetë e ha. E po thom, qaq ish kanë ajo e hiekne, e qaq e vuejtne ajo, tekterna n’dekë t’sajna. Bâba, qikë t’vllaut atâ e ka pasë, qi s’ke pasë ça me kallxue ni ditë t’lumtun për tâ. E tash vallahi i ka...: djali i madh qi pruni prej tjetrës grue, ai zanatli, k’so mjeshtri, ka ble shpi n’Podjevë, u martue, ka formue famili; k’ta tjerët, tre i ka tjerë, tanë kanë ba shpija të mira, jon n’puna, po punojnë; mirë gjallnojnë. Po ajo u dekë moti! (U dekë ajo!)

FK: A t’kujtohet ardhja e televizorit, radios?

FM: Na kujtohet: e blejtëm, u gzum! Qato lajme, qato çka i dhejke, s’i lshojshim pa i ngue, kishmi qef, tona i ngojshmi. Bile-bile as për qerek s’i ngojna sot, ça i ngojshmi at’here, pej qi kishmi qef, se na u gâjke interesant. Mirë u kanë. S’kanë lshue valla sport pa e kqyrë, krejt boks e top, e çka u kanë, kurr s’i kanë lshue pa i kqyrë; se nejse, kishmi qef, se u gzuem qi blejtëm televizor, e radio qi blejtëm. Frizin e kena ble qe katërdhetë [40] vjet; katërdhet vjet e kena frizin qi e kena ble, plus tani Amiri e ka ble edhe nja tjetër. Dy friza i kena, po veç njani ôsht katërdhetë [40] vjet qi e kena ble.

FK: Jahuditë, a ju kujtohen n’Prishtinë (k’tu)?

FM: Nejse, m’kujtohet qi jon kanë jahuditë, po k’shtu kontakt me jahuditë s’kena pasë kurr apo... E di kur jon kanë... bile-bile venet ma t’mirat jahudit i kanë pasë.

FK: Sa ka ndryshue jeta prej qi je kanë e re?

FM: Sa ka ndryshue..., po vallahi e kom harrue, qaq ka ndryshue shum jeta shum. Bile-bile kur e kujtoj rininë, ëm doket niqin [100] vjet i kom! Shum ka ndryshue! Jeta u kanë e shtirë, për at’here, jeta u kanë e shtirë shum, s’ka pasë kerre, po edhe kije si s’ke pasë, s’ke pasë me ça udhton, qajo u kanë ma e keqja. As s’ka pasë kerre, as s’ka pasë bicilkla, as s’ka pasë kurgja, kurgja, kurrgja hiç, veç me kamë me ecë ditë e natë. Jeta u kanë e shtir shum. Jo tash, tash s’kem ça flasim anena, për tej sot. Nashta tash shpikun edhe shum sene ma shum, veç për tej sot... Tash koha ôsht qin për qin ma e mirë. Koha ôsht ma e mirë, veç ni knaqsi nuk ôsht! S’ôsht! Përpara me pak sen je knaq; more ndash te heja, ndash te vesha, ndash te neja, ndash... me pak je knaq. Sot, me shum sene s’knaqesh. Jo vallahi, qashtu jeta ôsht ardhë qasoshe, qi kurgjofit s’ja din lezetin. Nashta une qi jam plakë po m’doket, po p’i niej edhe t’rijt qito fjalë p’i thonë. Nashta! Tri shpija i kena nrrue pej si jam ba nuse e qisaj shpije, tri shpija i kam nrrue n’qit ven... Veç isha e re, e maruen ni shpi, qaq fort u gzova, e qaq fort e dojsha at shpi, e u munojsha m’u çkri për at shpi, se isha e re! Po nuk ish as shpija, as malli, as parja, as nuk ish kurrgjofi, s’po u krahazitke me shnet. S’e kije shnetën, s’kije kurgja! S’tvyen kurgja hiç kurgjofi. E kije shnetën, kurrgja mos paq, niher n’dite n’hangësh bukë, qajo ôsht boll për ty. Flas për veti, ma s’pari, se e përjetova rininë edhe pleqnin. Eh, për pleqni, s’po t’vyjka ma kurrgjo, veç shnetën dej n’dakikun e funit! Edhe t’riut: s’e kije shnetën, ty z’dvyen kurgja me pasë; milioner n’kofsh, s’e kije shnetën, z’dvyen kurgja, se ni dit e len! Une djalit tem ma s’pari i thom: “O djali i jem, tana i ke ba, lutju Zotit shnetën... sa ymër... 

sa t’ka thanë Zoti, veç shnetën, se s’t’vyen kurrgja, edhe niqin djem n’i paq, ti s’je!”

FK: [Folna] pak për Luftën e Fundit?

FM: O vallahi për luftën e funit muj me folë diçka, po nashta shum kom harrue, se lufta e funit na ka na ka tranue krejtve. Shyqyr Zotit n’zemër s’na ka prekë kurrgja. Tutë kena pasë boll, po shyqyr Allah s’kena përjetu naj tragjedi ma t’madhe, elham pej Zoti. Vishin valla shkijet, hishin n’shpi, veç e pritshmi plumin, cillin po na rrokë! Qaty thom, qaty thom, ymri ish shah n’veti! Pasha qit dritë n’t’rrejsha, qitu metsha! Qishtu Rexhepi ish n’kamë, qaty i zhdrypke... pej mi rregallit, automati qishtu i rrike n’shpinë, une qitu n’kamë, veç thejsha kur t’ja ngre kamën e te vrajn qitash! Qe qishtu [shpjegon ngjarjen me gjeste]...

FK: Ju hallakatshin policët apo...?

FM: Po qysh more djalë edhe k’to shishet qi parfimohni (qysh i thonë k’tyne shisheve t’parfimit... qe qito... se qato s’po di me ja thanë emnin), tej qato i çelshin! Qaty ja bani Rexhepi: “Po m’intereson bre, çka je tu lyp qashtu, qi tana senet p’i hallakat!?” — “Veç po lypi pare edhe dukat!” 

FK: Masi qi bombardoi NATO-ja apo...?

FM: Po, at’here.Tani t’hinën, veç ku ça mujshin me zatetë diçka me kap e me plaqkit, e me ikë! Kuku!

FK: Masanej, çka ndodhi?

FM: Masi... qy, ça kish me ndodh?! Tu hallakatën shkijet, tu hallakatën shkijet, o Zot, veç bojshin: vjau-vju-vjau-vjiu kerret e shkieve, qi ikshin për Sërrbi. Ça kish me ndodh, une për veti qitu mrena, z’guxojsha as me dalë, me t’kallxue drejt, se u tutsha, fikall vetun. Qysh more djalë, u pij edhe Rexhepi, se s’u nalke gjithditën sokakut, qysh s’e vrajshin! Ymerli bre, ymerli! Amiri be bon, thotë: “N’kerr jena ardhë pej Maqedonije, krejt kohen tu na nal shkijet, tu kujtue qi shkâ jom, krejt kohën tu kujtue qi shkâ jom... Ishin hallakat shkijet, qi u bajshin për Sërrbi, o Zot, o Zot, o Zot, qaty na vrajshin e na lejshin dekët, po kujtojshin qi shkâ jom.” Rrezik u kanë boll; tutë u kanë boll, veç Allah s’na ka provue (Zoti) me nifarë qi s’kishum mujtë me bajtë. U nisëm pej k’tuhit; ni shkâ qi ka punue Amiri, me tâ...

FK: Amiri, djali i juej? 

FM: Djali i jem, qi ka punue me tâ. Edhe e tha: “Po due me qitë nânën edhe motrën”. Ilhâ, Rejhanit ju tutshmi, po na marin shkijet! Thotë: “Edhe motrën me qitë n’Maqedoni”... Pasha qit dritë, n’t’rrejsha... thotë: “Ani, hypni n’kerr”, shkavi. Se ai shkâu ndërkohë gjithë vike, ka pasë firmën qi marojnë k’so me plastika (ça marojn k’ta me plastika), e merrke plastika te Amiri, e Amiri herë ja lejke veresi, e her me pare, herë qysh i kish pun’t ai (Tanaj, ai u ba i Supit, ma i madh.) edhe thotë: “Po due me qitë nânën me motrën e...” Me t’rrejt tashti, se po harroj, se a u kanë veç... Na qiti n’kerr; kur duelëm te Xhamija e Madhe, na nalshin shkijet hiç pa nalë; na nalshin, na nalshin, na nalshin shkijet me na zhdryp aty, me na, me na mytë zahere! Ai veç e qitke kryet, ai shkavi (ai teshat i kish k’soshe t’Supit), veç e qitke kryet ai, edhe z’guxojshin me na nal tekterna n’Veternik; tej n’Veternik qashtu, tu na nal shkijet udhës, tu na nal, tu na nal... Vallahi s’e bana men qi s’pi zhdrypin me i vra qaty Amirin edhe Rexhepin! N’Veternik na tha: “Zhdrypni tash!” Tha tash, tha: “Zhdrypni se...”  Jo, tha: “Tash shkoni!” Na ishim me kerr tonë, po shkavi ish, ai me kerr t’vet, shkau (se po m’përzihen edhe mue), ai me kerr t’vet; po ai prijke përpara, e tha “shkoni tash, se kapërcyet”, domethanë, pej qyteti e udhës nuk ju nal kurrkush; edhe tu shkue udhës, shkuem tekternaj n’Elez Han. Kur shkuem atje, n’Elez Han, u nalëm aty edhe po presim tash çka po na thonë. S’na lshojshin me dekë bre, me kapërcye, ja’a, veç keni me nejt k’tu, me kapërcye... Qaty kom pa njerzit pej uni qi desin... Se ishin hi... se aty n’Elez Han ish kanë ni dugajë qi shesim miell, edhe hishin mershin miell aty (se ishin ikë ata t’dugajës, ishin metë krejt thastë me miell aty), mershin miell, e i gatuejshin kuleqt, veç i bajshin qishtu gogla i piqshin, koftorrin e kishin qit qishtu n’oborr, e dhezshin, edhe mi koftor veç i përzhitshin ata kuleqt e bukës, veç sa me mâjt shpiertin. Nashta edhe e ke pa edhe ti atâ n’kamion... Se vjen ni kamion me kapërcye asajde, e del njani i thotë: “O për ize t’Zotit, a kine bre bukë bre kush bre, se na diqën fmija uni bre!” E ke pa atâ, n’televizor u kanë! Une jom kanë qaty, kur ka brit ai njeri qashtu, kurr s’kom me harrue, se plasi vaji aty (Ça do me thanë për bukë! Qi ja gjajnë nâzën bukës!)... Plasi vaji aty, krejt ça ken, qai farë tahlukati aty qi kajtën! Ça ôsht përvoja me bukë! Ai: “Ooo, s’kam bre, amani ju koftë, se me pasë ju jepi!” Edhe tash, qat ditë, a t’nesret, se po m’përzihen edhe mue, na kthyen. “Kthenu se s’po lejojnë me dalë mâ nena; kthenu se u ba mirë tash!” Rrejtën! Edhe u kthyem, erdhëm te shpia. Kur erdhëm te shpija, e çelëm derën, hinëm... Nuk muj me përshkrue at, nuk muj me përshkrue ça ish me ju kthye shpisë! Qaty për qaty u betuem te dytë, qi na për s’gjalli s’dalim pej shpisë! Po t’dektë, t’dektë, po rrina n’shpi tonë! Edhe nantdhetë e nân për qin [99%] ishim t’sigurt qi gjallë s’kena me pshtue. Veç kur jon ardhë shkijet, jon hi, Fisnik, i qitshin pej shpijave: “Hajde me dalë pej shpijave!”... Edhe ja bani njani shoqit, tha, Jo, tha (se s’e di serbishten), tha: “Jo, mos i qit pej shpije, se k’ta tok jon n’shpi t’vet!” Se ta lypke letërnjoftimin, ta lypke krejt, a je i shpisë tanë, a jo... edhe tha (se qatâ ja mora sërbisht, se s’e di sërrbishten), po tha: “Qyre, lulet qysh i kanë çelë, — se ish vakti, pranvera, tha, — qy lulat qysh i kanë çelë, k’ta n’shpi t’vet tek jon, e mos i qit pej shpisë t’vet!” Se kush hike n’shpi t’huej, i qitshin! E qat fjalë e morra vesh: “Se k’ta tek jon n’shpi t’vet, e mos i qit, se lulet qe qysh ju kanë çelë!” E zaher edhe ai shkau, s’deshti me na qitë!

Kukuuu! Qyre: ôsht shpija e dhimshme, ôsht malli i dhimshëm, ôsht krejt, krejt, krejt, veç jeta ôsht ma e dhimshmja! Jeta, jeta ish, çka ish! Veç me ja pa funin jetës, ish shum zor! Tani more Fis, nuk disha, nuk disha (edhe u piva zahere) edhe m’u tutë! Masanena e merrsha me men, e thojsha: “Po te kishin myt Rexhepin, kurrkush i jemi s’ish k’tu, ça kisha ba une? Ça kisha ba? (S’disha me menu qatâ!) Isha tranu s’tutësh! Kuku! Ishalla more Zot s’e përjeton kush mâ luftën! Ishalla! Se s’p’e dike kush ça ish, ça ish lufta! Se bajke nata e lume, u thejshin dyert, u thejshin dyert, krisshin dyert, krisshin xhamat qi i thejshin hajnat, se shiptar kish edhe k’sajde qisifarë hajnash. O Zot, kur ëm ka kallxue kjo e kojshive, tha: “Ça kem diçka qi i patëm... do tesha e t’mira, i qitëm n’tavan, kur erdhëm s’i gjetëm! N’tavan ishin hyp!” Kuku! Ishalla more Zot s’na bje mâ me përjetue k’so!

FK: Tani çka ndodhi? 

FM: Për?

FK: Qito ditë e luftës qi i keni përjetu k’tu...

FM: Ndodhi tutë e madhe; e kishmi boll tutën. Po edhe me dijtë, s’dishmi çka munet me na gjetë; tybe n’dishmi m’u tutë, sa u duftë m’u tutë! Po kur duel Amiri n’Maqedoni, e duel Rejhani, po pasha qit natë t’santit, konopin, a e din me pasë n’fyt t’shtrënguem, e me ta zgidh, nuk isha çliriue mâ shum, nuk isha shlirue mâ shum! Ti nuk e din, une isha dalë te dera e sokakut (oborri i jon vlojke gjin, vlojke gjin), e isha dalë qitu te dera, ja bajke njani-tjetrit: “Qy, qy çfarë..., — u ngjofshin ata me njani-tjetrin, z’di kush ishin, — o vallahile ja muerrën filanen, ja muerrën shkijet, ja muerrën shkijet!” Çika a grue, a çka e kish. Te çilen k’tu kit shpinë... si po hijna n’sokagjik, aty e banën qaso farë shpije shkijet. Kukuuu!

FK: A n’shpi t’juv’ paskan ardhë refugjat m’u strehu?

FM: K’tu n’shpi tone nihere erdhën vllaznit e mi. Tash nja tri-katër [3–4] net nashta kanë bujt, ma shum, se tybe po harroj; tani duelën n’Maqedoni. A k’shtu refugjat t’hujtë nuk kena pasë n’shpi tonë. Veç une me Rexhepin jom kanë n’shpi edhe ni kusheri i Bellopjës, ni plak, n’luftë tetdhetë [80] vjet i ka pasë ai. E erdh shkau... Po erdh shkau, ai me shall e kapuç t’bardhë, se ai pesë vaktet s’i ka lanë kurr pa i falë... Edhe, Fisnik, s’ma prejke menja, dilke u falke n’ballkon, e falke jacinë n’ballkon. Krisshin pushkët! Edhe ni nate, thotë Rexhepi, thotë: “More, po i bjen naj plum, qysh po kërsasin pushk’t, e ai po falet n’ballkon”. E marr une e qes qaty ni karrikë, edhe e mloj karrikën qishtu me ni farë qebje, edhe e shti aty ni qiri, e dhezi ni qiri, jo ni qiri, po ni llamë, e dhezi, e shti mas qebje, se s’guxojshëm m’u dokë dritë kun, se e gjuejshin at shpi, edhe i thom: “Bali Hakif, pej sontit mos u fal mâ për jashta!” Thotë: “Pse?” Thom: “Qy ku ta kam nreqë venin; hin falu mrena n’dhomë; qishtu...” Ça u gzue, e ça u gzue! Se zahere edhe ai u tutke, po s’ma prejke menja, e hike u falke k’tu. Pasha qit bereqet, dy-tri here ôsht ardhë, mâsi u krye lufta (mas s’disave), djali e pruke për krahu me ardhë me ma lyp hallallin: “Oj Fet, bama hallall, se Zoti edhe ti m’ke pshtue! Se u falsha n’ballkon, e qishtu e...” Se ish kanë dâ pej familjes ai, e ata jon dalë n’Maqedoni, e ai s’u kanë n’shpi kur jon dalë ata, tanaj ai u metë k’tu. Edhe erdhën shkijet, edhe p’ja bon: “Qiqo, daj liqnu kartu!” [axho, ama letër njoftimin]... Edhe ai p’e nxjerr letër njoftimin e p’e ja jep (kur ja dha ai letërnjoftimin, ai tetdhetë [80] vjet n’at kohë i kish)! “Merre!” I tha: “S’ije ti as për pushkë, as për plum!” Edhe e muerr ai, e shtini n’xhep... Qaty ja bani Rexhepi, tha: “Bali Hakif, hiçe kit kapuq, hiçe kit shall! Dije qi ô luftë; dije qi jena n’dorë t’shkaut!” Tha: “Po çka me vnue?” Shkoi ai, ja gjetë ni beretkë edhe ja pruni. E vnoj beretkën... Vallahi tha: “Pa shall, s’un rri!” 

Tha: “Vnoe shallën edhe beretkën, po mos t’dominon kapuçi larg i bardhë!”

FK: Plisi?

FM: Po, tha: “Hiçe!” Edhe e vnoi ai! Teri u krye lufta, tanaj, qi s’e ka hjek atâ! Se nime shkijet menxi s’pritshin! Qe p’i harroj fjalët... ku kesh tu folë! Kur u hi KFOR-i, une s’e disha qi po hi KFOR-i; ça disha une, k’tu, mrena n’shpi mshelë!

FK: Lajme a ndëgjojshi?

FM: Jo, bre-bre, edhe lajme s’ka pasë k’shtu; as televizori s’punojke. Edhe qy çfarë mensh une: isha dalë n’bashqe punojsha [qesh]! Edhe ngo: p’e shoh, jon hallakat kojshija, po ngâjn e po asishin, une: “Ku jeni moj tu shkue”, k’saj Azemines, kojshis po i thom: “Ku po shkon?” Tha: “Po dalë mori, se a p’e sheh qi po hin KFOR-i sot?” Se dalin me bajraka, me shalla me, tu kcye, tu pritë KFOR-in, me qef qi po hin KFOR-i! “Oj nânë, çfarë atmosfere me dalë rrugëve!” Une s’i kom pa, kur po kallxojnë k’ta, e po thojnë qishtu jena dalë deri te bunari i hajratit, teri khâ te Sharban’t a ku jon... qi ju kanë dalë përpara qashtu tu hi KFOR-i. E kuri hini tanaj KFOR-i, mâ u pashat puna, tanaj mâ s’guxoftën mâ me folë shkijet. Veç shkijet tanaj u hallakatën, sa mujtën e mujtën me ikë.

FK: A keni pasë kojshi (k’tu) sërb, shum?

FM: Une kur jom ardhë nuse, qiky kojshija i parë, qiky qitu qi e kom, shkâ u kanë. Edhe jon kanë do shpija, jon kanë k’sajde shkije, jon kanë do. Po, tani ky herët e ka shitë, e shiti. Edhe krejt jon..., shkijet u bajten herët! E panë qi u ngulfatke qyteti sa mâ përditë, përditë pej shiptarve, e shitën shkijet, edhe duelën. A qikjo shpija e parë, qitu qi ôsht, shkâ u kanë. Edhe qiky ven u kanë i shkaut; pej tinaj e ka ble kunati, tanaj na pej kunatit.

FK: Pas shlirimit, pas luftës, zonja Fetije, çka mundesh me na tregue për k’to vitet e fundit?

FM: Për k’to vitet e fundit tregoj qi i thom: i lutna Zotit qi jena shlirue e s’i kem mâ at tutë, e si kem mâ ato peripetitë qi i kena pasë gjatë lufte, e paralufte, e qysh jena kanë. Shum, shum, shuuum e knaqne jom me kohë t’sodit! Pse? Veç qi nuk e pret shkâun qi po t’vjen n’derë, veç për qata! Mirë ôsht shum. U gzova qi m’erdh djali, m’erdh ën shpi! Dy djemtë m’pshtuen pej lufte! Mirë shum, mirë. Djemtë m’u martuen, kanë thmi, kanë, i kanë nreq kushtet e mira. Për prind, ma shum s’ëm duhet mue! Se edhe unë jom 

n’fund t’jetës, ma shum, kom qef me pa mirë e ma mirë, po tej qitu mirë!

FK: Me nipa e mesa a po luen?

FM: Po, kom nipa e mesa e tanat t’mirat krejt i kom, elham pej Zotit, shum mirë!

FK: Zonja Fetije, çka t’ka gzue ma s’shumti n’jetë? Cilla u kanë dita ma e lumtun n’jetën tane?

FM: N’jetë teme... dita u kanë: mas shlirimit t’luftës, qi evlad’t ëm pshtuen krejt, u ba mirë për krejt, qikjo ôsht për mue ma e lumtuna jetë, e jemja nihet qikjo, elham pej Zotit, djemtë ëm pshtuen, tana t’mirat!

FK: Zonja Fetije, shum faleminderit për k’to kujtime qi na solle!

FK: Me ner qofsh. Po qato ça m’u kujtuen, i kallxova. Nashta shum e shum ma shum s’m’u kanë kujtue, se tash jon ba edhe vjet, edhe jom moshue, edhe harresa pak m’u ka lajmrue, s’po m’kujtohen, po qato ça m’u kujtuen, u munova me t’i kallxue.

FK: Faleminderit shum!

FM: Me ner kofsh!