Hafije Thaçi-Dragusha

Intervistuar nga: Fjolla Thaçi

Jena pesë [5] vllazni e gjashtë [6] mötra, edhe jena rritë me kushte shumë t’shtira se at’herës’ka pasë as mjete për me punu tökën

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

14.02.2018

Lokacioni i intervistës

Fushë Kosovë

Vendi i lindjës

Prugovc

Tranksriptimi

FTh: A munësh me na tregu pak kush je, ku ke lind’, n’cilin vit ke lind’?

HTh: Ȇ kum lind’… Tridht e gjashtën [1936] kum lind’. Jom [lind’] nȋ mahallë, e i thojshum ‘mahâlla e mullinit’, n’Prugovc. Ȇ qaty jom lind’ e jom rritë.

FTh: Deri n’cilën moshë ke jetu te mahâlla e mullinit n’Prugovc? 

HTh: Kum jetuê dej nânëmdhêt vjet [19].

FTh: A munësh me na tregu pak për fmijninë tâne, nëse ki kujtime, edhe pak për familjen tâne? Sa anëtarë i ka pasë familja? Qysh jeni rritë?

HTh: Na jena rritë… Jena pesë [5] vllazni e gjashtë [6] mötra, edhe jena rritë me kushte shumë t’shtira se at’herës’ka pasë as mjete për me punu tökën, veç me kijê, me lôpë. U dufke me punu me nȋ pllug tökën e ça t’qitke qajô, qysh u bojke, tani na me qatô, me qata, jitshum gjallë.

FTh: A keni pasë tokë t’juvën që e keni punu?

HTh: Kena pasë koxha shumë tökë, nja tre [3] hekterë.

FTh: Kush e ka punu tokën?

HTh: Bâba e ka punu tökën. Na kur u bâmë… Na qȋ u rritum, shkojshum me bâbën me punu, me körrë, me prashitë, me qiru kallamöqin, me pru n’shpi, me çu bukën atje ku punojke bâba… E para kijve shkojshum, u ndrrojshum, a f’mij që e dî me… rênë i ngrehshum kíjet n’brazë. Dikush qitke kökrra kur e millshum misrin, dikush i ngrehke kíjet përdöre, dikush e mâjke pllugun, bâba pllugun e mâjkê.

FTh: A na kallxon kush u kânë bâba yt edhe nâna jote?

HTh: Bâba jem ô kânë, ô kânë i bâbgjyshit… Bâba i bâbës tem e ka pasë emnin Selmon, ky e ka pasë emnin, bâba jem, Ahmet.

FTh: Ahmet kushi?

HTh: Dragusha.

FTh: E nâna jote?

HTh: Nâna jeme e ka pasë emnin Zahide, Kulutolli mbiemnin, Zahide, tani Dragusha.

FTh: A munësh me na kallxu edhe pak për historinë e familjës tâne? E përmêne që jeni kânë shumë vllazni edhe motra, a na kallxon pak për qata? A i ki gjallë halâ motrat e vllaznit? A ki najfar’ kujtimi që don me kallxu?

HTh: Dy [2] mötra i kum pasë prej bâbe, veç, edhe nȋ vlla prej bâbe. E na katër [4] mötra, katër [4] vllazni prej nâne, prej bâbe.

FTh: Qysh ka qenë nji ditë e juja n’fëmijri?

HTh: Fëmijri (buzëqesh)… Na jena shkuê… Jom shku me dhênë, me dele, me shöqet e mija. E n’mëngjes i lshojshum i qitshum n’mal. E merrshum bukën me veti edhe mëngjesin e honkshum atje. I bijshum n’mëngjes, i bijshum n’mriz se ish aty ulica, kshtu e mlut me sheljne, kshtu krejt, e lumi ngat edhe qaty mrizojshin gjôja. Tani masdite apet i qitshum n’mal. E merrshum bukën me veti masdite edhe me veti i merrshum gotat. Jon’ kânë do tâsa edhe...

FTh: Çfarë tâsa jon’ kânë ata?

HTh: Do tâsa jon’ kânë t’aluminit kshtu. Edhe kur u untojshum i milshum dhêt n’ata tâsa. E kena pasë kronin aty, e i avytshum n’kruê aty, i mlojshum me nȋfarë flete kshtu me gjethe, e shkojshum anena i kullotshum. Kur vijshum u ftofke tâmli. U ungjshum honkshum me shoqet e mija. I qishtum aty e honkshum me tâmël, e djathin e merrshum edhe bukën me veti.

FTh: Domethânë djathë edhe bukë edhe tâmël?

HTh: Pö.

FTh: A u kânë për çdo ditë qishtu? A keni lujtë me shoqe kur nuk i keni kullotë dhêt?

HTh: Kana lû me shoqe, kana lu kshtu ‘komkacel’, i thojshum. Edhe kana lu me guraleca.

FTh: Qysh keni lu me guraleca?

HTh: Lujshum kshtu… qishtu e bojshum dorën {bënë një rreth me duar} edhe lujshum. Tani e mujshum njâna-tjetrën m’i shti krejt kshtu e mujshum - mos m’i shti hupshe [qesh] e qishtu. E kena pasë rrugën… na gjithë asfalltin e kana pasë prej fëmijrie Beograd, Prishtinë, Shkup edhe hekurudhën. Dhetë [10] metra s’i kanë pasë kshtu, a nizet [20], qi’jon’kânë nërmjet ato rrugë… edhe qato dy [2] rrugë i kalojshum e i qitshum gjânë n’mal. Pö…

FTh: Kur je kânë e vogël a t’ka râ najherë me vizitu naj vend tjetër, jashta fshatit tôn, nëpër Kosovë?

HTh: Pô, te dajtë e mij… shkojshum te motrat.

FTh: Ku i ke pasë dajtë?

HTh: I kum pasë n’Tërnavë.

FTh: Me çka shkojshit n’Tërnavë?

HTh: Shkojshum… herë n’kâmë, herë na çojke bâba me kerr, herë dajtë na merrshin. Veç ma shumë n’kâmë shkojshum se nuk ô fort larg... At’herë u kânë me ferexhë [mbulesë], me ferexhë kshtu t’zezë edhe k’to e ka pasë kshtu. E maj n’mên na shkojshum mas saj. E ka pasë k’to, terqën, kur vijke naj… a din naj udhtarë e mlojke ftyrën, kur shkojke e qplojke [zbulonte]. Po qashtu tani e hoqën perdën [mbulesën] tani at’herê… s’e di me sa datë u kânë tybe.

FTh: Pse e ka hekë ferexhën [mbulesën]?

HTh: Qashtu erdh… erdh urdhri me hjekë ferexhën e i hoqën tani krejt ferexhën, pö.

FTh: Çka ka bo nâna jote… ti tregove që bâbi yt e ka punu tokën.

HTh: Ô nâna jeme me punëdore na ka majtë. Me lesh t’dhênve tjerrke, marojke çorapa… na marojke xhampera me qato na veshke ma shumë, pö. Bylmetin e kena pasë: tâmlin, kosin, djathin… e patatet i millshum, misër, grun [grurë] i kishum.

FTh: A keni jetu krejt me nji shpi, a po?

HTh: Krejt me nȋ shpi kena jetu.

FTh: Sa dhomshe u kânë shpia?

HTh: Ȇ dydhomsh u kânë shpija edhe nȋ kuzhinë u kânëqi gatujna. Nȋ shpi u kânë, a din… kshtu vetë me oxhak. Pö e qishtu... 

[Flet për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore] Hini Gjermani ma s’pari. Na ishum si f’mij me gjô [bagëti], veç ngajtum dulum n’ulicë, a din, n’sakak qȋ thojshum at’here. Kur erdhën… mas’pari ma mâtorra jon’ ardhë. Gjermani u hi…krejt u m’lu ulica. Tani na ngajshum, tani na kapshin e na lëmojshin flokt edhe na dojshin… na jepshin bonbona. Tani k’toqi’ thojnë…k’to gramafunat nëpër tokë e nëpër pemë. Na s’kishum pâkurrë… knojshin, na i ngojshum.

FTh: Tu ka dokë interesant.

HTh: Shumë interesant. Tani bâba jem e lshoi odën edhe gjermont hinë aty n’odë. Pö… thanë,“A po na lshon me pushu?”, “Pö.”.

FTh: Për sa kanë nejt gjermant n’odën e juj?

HTh: Kanë nejt valla… mesap nja dy-tre [2-3] muj’ pô.

FTh: A e keni pasë odën e ndame prej shpisë?

HTh: Jo, kapun ô kânë.

FTh: Domethânë ju keni qëndru n’shpi?

HTh: Po. N’shpi nȋ dhomë e vogël u kânë, qashtu… pö. Qaty kanë nejt me flejt. Kur u bojke mëngjesi shkojshin… a din, i bojshin ato ushtrimet e veta e rujshin. Jon’ kânë t’urtë. nȋ bunarë merrshum ujë, nȋ pus, a e din, bunarë qȋ i thojnë… me nȋ köfe ata për veti i mush’shin ato êntë, na për veti. Kur i mushum na… ata i mush’shin te bunari, tani na bijshin kofën mrena n’shpi. Na dhojshin n’dorë kshtu kofën, s’na lejshin te bunari m’u asi, m’u zhytë, e mu...

FTh: E kush ju ka përgaditë ushqim atyne?

HTh: Vetë ata. Vetë ata t’përgaditë - kanë pasë kanë hangër. Jô, na jô.

FTh: Çfarë kujtime ki tjera për Luftën e Parë [Dytë] Botërore?

HTh: Vallahin kom boll… e ikum tani thanë, “Ô po bjen bugari [bullgari]. Gjermani po hjeket… erdh bugari.” – thojshin. “Bugari gjo t’zezë s’ka lanë pa bâ”, thojshin. Krejt gjânë e atij katuni që i kishin pa prê, i kshin pa hangër… kun s’kishin lânë as shpi as kurgju pa bâ bërbâtë [lëmsh]. Kur erdhum n’shpi, qȋ jena ardhë prej lufte… ikum n’Sibovc kô afër Obiliqit jena ikë… kur erdhum s’patum ku me hi! Kuajt i kishin pas shti aty… deri k’tu pleh edhe kashtë i kena gjetë shpijat! E i dlirshum [pastrim] tani me nânën… kena hejkë koxha shumë kena hjekë.

FTh: Me çka keni ikë n’Sibovc?

HTh: Me kerr e me kije. Me kerr t’drunit oj nânë, at’herë s’kish kerre t’hekrit as s’kish… me kerr t’drunit.

FTh: Krejt familja komplet?

HTh: E dy [2] motrat e mdhaja bâba i pat çu me vllaun n’Prishtinë. Ika pasë do kusheri e bâba me f’mij me neve tjetër ven.

FTh: Sa ju ka zgjatë rruga?

HTh: Gjithë ditën. Jena nisë herët dekterti… me terr jena shku atje, pö vera ish. Kena nejt… atje na kanë strehue tani jena kthye.

FTh: Sa keni nejt?

HTh: Kena nejt gati tre-katër [3-4] muj’, po. Tash me datë nuk po di se jom kânë e vögêl, tybe tash… E kena nejt e u kthym, u ngjallnum e u rritum.

FTh: Deri me tetëdhetë [18] vjetë ke jetu te shpija e bâbës… çka u bo kur i ke pasë tetëmdhetë [18] vjet? 

HTh: Tetumdhetë [18] vjet jom fejue. Me msit ktyneherë… as s’e kum pâ une burrin as s’m’ka pâ aj mue dej n’qat natë që m’kanë marrë, dej n’qat natë s’jon’ pâ nërmjet veti kurrë. Atë natë jena njoftue.

FTh: A po na spjegon pak qysh ka shku… sa ke pritë derisa je martu?

HTh: Kum pritë… kum pritë nja dy-tri [2-3] vjet pô, veç ma e re jom feju. Une veç nënomdhetë [19] vjeçare jom martue une. Pezdhetë [50] rob ishin kânë atje bashkë, n’kullë.

FTh: Pesëdhetë [50] me nȋ kullë?

HTh: Me nȋ kullë! Vjehrri jem ish kânë me dy [2] vllazni bashkë edhe gjashtë [6] djem i kish pasë e nȋ çikë tani edhe ata…vllaznia e vjehrrit çka kanë pasë gra e f’mij e… veç me nȋ kullë. Tani s’shkoj n’motmot a dy [2] vjet ata dulën… ata mixhallart e burrit tem dulën n’shpija t’veta tani met veç vjehrri jem me familje t’vet.

FTh: N’cilin fshat je martu edhe me kon je martu?

HTh: N’fshatin Sibovc t’Obiliqit, me Sadri Bregovinën jom martu.

FTh: A e manë n’mên ditën e martesës?

HTh: Bregovina u thirrshum, veç tash… mas s’di save Thaçi tash thirrum. Thaçi.

FTh: A e din pse?

HTh: Vetë e kanë deshtë, pleqt.

FTh: A t’kujtohet dita e martesës?

HTh: Mirë m’kujtohet - si sot. Me… dy [2] kerre t’kuqe erdhën t’mluta, a e din… kshtu me qylyma që i mlojnë e me hirama përmas, dy [2] kerre plot bulla. A e din… kshtu ‘bulla’ i thojshum janxhia, musafirë… edhe kogja larg prej Sibovcit me kerr me kuaj, me krushqi… me muzika shkova. Edhe i thotë bâba jem nânës teme, ‘’Oj gruê’’, gjithë gruê i thojke, ‘’ato mikatesha vinë prej s’largtit duhet me ju kthy drekë.’’, ‘’Ani ô plak, qysh jô.’’. Edhe nâna çohët me ato kunatat e veta, me ato… edhe e bon drekën dej n’gû, qȋ thojnë. Edhe hongrën drekë… dy [2] sofra janxhia. Burrat jô, burrat n’ulicë lujshin krushqit. A grave ju ka kthy nâna jeme bukë dej kanë hangër. Kur shkum desh u fdikën ata bullat, “Kana hangër drekë, na s’jem untë. Na kena hangër, na kanë pritë mirë… sa laknën e sa…”, pö. Tani atje zhdrypa. At’here as sytë s’i qelshum, kishe jena nuse! Sytë mshelë s’shihsha kurgjo hiç se ‘marre m’i qelë sytë me kqyrë’… poçeli sytë (qeshë)! Edhe tani, n’sabah, vjehrrën ma kishin pru n’fund t’shkallve, ja kishin hjekë shaminë. Une shaminë n’dorë… me ja ngjitë shaminë nusja kishe. E ja ngjita shaminë, ja tubova flokt, ja ngjita shaminë… ja morra dorën edhe qashtu. Tani hongrum mëngjes, pö tani m’veshën, m’mathën. Palût une - nuse kishe! Pö… e qishtu.

FTh: Qysh tu ka dokë? Kur ke shku n’shpi t’burrit, qysh tu doke… a e manë n’mên?

HTh: Na ktyneherë… mirë u dok’ke. Qashtu u kânë… köha u kânë edhe njerzit.

FTh: E kulla? Qysh u kânë kulla? 

HTh: Kulla u kânë me tulla t’kuqe. E ka pasë shpinë qȋ gatun t’madhe… me oxhak, me furrë mrena, me magje edhe nȋ dhomë e ka pasë plaka aty kapun për shpije, e qishtu. Motmot mu s’um kanë shti n’magje me gatu.

FTh: Pse?

HTh: E re! “Kjo boll po fshin e po naj pastron krejt”, pö. Krye motmotit tani hina n’magje… krye motmoti hina n’magje. Krye motmoti m’lejti çika, e madhja, Ajshja. Edhe dy [2] vjet u rrit çika, mas dy [2] vjete ma thirrën burrin n’ushtri. Jugosllavia at’herë ka dy [2] vjet i mâjke ushtart. Niherë veç i lshojshin sylah… a e din, n’pushim. Dhêtë [10] ditë ja nȋ javë. Mâ dej e kryke krejt s’e shihshe me sy mâ hiç. E qishtu me letra… a e din, postieri e bijke naj letër se mâ jô s’e shihshe. Aj dej erdh çika u bâ katër [4] vjet, tani mas tri [3] vjete e gjysë m’lejti aj djali i madh, tani tjert përmas krejt. Katër [4] djel i kom edhe dy [2] çika edhe i kom. Tash kanë mrri… i kom gjashtë [6] stërmesa e gjashtë [6] stërnipa. Edhe k’ta nipat që i kom t’djalit i kom e i kom… pesë [5] i kom nipa tani mesa i kom shtatë [7], mesa t’mijat që jon’… prej çikave. Edhe une i kom… i kom bâ... s’e di kur… sivjet… n’cilin muj ke?! Qit muj jo, para Viti t’Ri i kom bâ tedht’ e dy [82] vjet edhe halê eci me kâmë t’mija e boj mëngjesin e boj drekën edhe i boj punt e mija qysh i kom bâ. Veç m’i kanë bâ kushtet djelt, m’i kanë avitë. Tash jom n’banesë n’Fushë t’Kosovë…krejt m’i kanë afru tash veç me sustë i preku, tana i kom se ktyneherë me saqa punojshum, me oxhak me krejt… me kusia me kshtu. E kena pasë bunarin, me kofe nxjerrshum ujë… dimnit lajshum jashtë ma shumë tesha… a ka nxjerrshum ujë na u ngrishin dimijat, krejt na u ngrijshin.

FTh: Dashta m’u kthy edhe nî here se ti e përmêne që n’fillim kur ke shku nuse veç ke fshi, i ke bo punt e shpisë… e po m’intereson mas asaj kur t’kanë shti n’kuzhinë me gatu, a po ma spjegon çka ka ndodhë n’qat kuzhinë? Qysh keni kalu, sa gra keni gatu, qysh i keni ndâ renet?

HTh: Po, kena gatue… se une… burri jem dy [2] mixhallarë [burri i saj i ka pasë dy mixhallarë], dy [2] gra jon’ kânë n’magjetöre… t’mixhallarve qysh p’i bjen… Sadria [burri i saj] gra t’mixhallarve edhe ato ishin kânë tu gatu edhe dy [2] kunata i kom gjetë, kunetë t’martum, une e treta. Katër [4] dhoma jon’ kânë nalt edhe shpi… edhe qajo dhomë e plakës edhe âhri n’atë anë jon’ kânë. Kur m’kanë shti ma s’pari n’magje qajo hâlla, ma e madhja e mixhës t’Sadrisë, m’ka msuê. Edhe vjehrra, ‘’Hajde tash se po t’shtina n’magje.”, qashtu thojshin ktyneherë. Po, une isha e re…kurrë s’kum gatuê. E kena pasë nânën t’zojën… na jena marrë me tjetër sen, me magje jô. Edhe gjashtë [6] bukë t’kallamôjta përniherë i përvlova, halla m’i përvloi, tha, “Ti veç ndajë… ti qiti nëpër tepsia se une ta asihi brumin.”. Kurrë s’ja harroj… shumë.

FTh: Kush u kânë halla?

HTh: U kânë gruja e mixhës t’Sadris.

FTh: Qysh e ka pasë emrin ajo?

HTh: Havë e ka pasë emrin… po, Havë. Tjetra e ka pasë emrin Sabë [Sabile]. Shumë jon’ kânë ato gra shumë… shumë t’mira. Edhe dy kunata i kom gjetë… t’madhën - kunatës t’madhe ja kum gjetë dy [2] f’mij edhe t’dytës ja kum gjetë… djalin e madh ja kum gjetë tri [3] vjet, çikën gjashtë [6] muj’. E tani une… tani dy [2] djel për nȋ ditë ka pasë m’i martu aj plaku, aj bâba i burrit, veç ajo tjetra ish kânë si pa qef, e kanë pritë s’di sa tani m’marrin mu, pö.

FTh: Qysh keni gatu ju? Çka keni gatu zakonisht? Sa veta jeni kânë n’kuzhinë?

HTh: Na kana gatuê… jena kânë n’ren t’magjës na kunatat. Kur u dajtën mixhallart, jena kânë katra [4], ka nȋ [1] javë e kishum renin e magjës e tani rrishe dy javë, qashtu p’i bjen. A kur u bâmëqi’ metum tri [3] rrishum dy [2] javë, a kur jena kânë katra [4]… se kunata e madhe tani e maroi nȋ shpi e dûl… po tani qashtu. N’oxhak gatujshum me saqa. Kurrë oda pa musafir s’ka nejt, kurrë na nuk kena shku n’odë pa kânë njo i huji, njo a dy [2] a tre [3] a. Gjithë bukën ma s’pari musafirve atje tani e kthejshum kô te gratë. Veç jom kânë e re… tani u msova, pö.

FTh: Pse keni pasë gjithë musafir n’odë? A u kânë e zakonshme kshtu?

HTh: U kânë e zakonshme. Plaku… e kishin pasë ngjoft [njoft].

FTh: Sadria?

HTh: Jô, jô plaku -bâba i Sadrisë.

FTh: Qysh e ka pasë emrin?

HTh: Bajram, Bajram Bregovina. Ish kânë kshtu qȋ m’i pajtuê hallkun… vijshin e vetshin e krejt. Veç jô vijshin dajtë, jô vijshin… plot, plot. Jô, mahalla jô. N’odë t’Bajram agës! Bojke nȋ gru, bojke, ‘’Ku â Ahmeti?’’, ja kanëbâ asaj grujës kusherinit t’Sadrisë, ‘’N’stanicë t’Bajram agës osht’.’’ - n’stanicë t’Bajram agës (qesh)… e qashtu. Shumë kana pasë na musafirë… shumë, shumë, shumë. Plaku e ka pasë oxhakun, takamin [si lloj byfeje], kafe. At’herë s’kena pasë çaj, vonë dûl çaji… edhe televizor s’ka pasë edhe rrymë jô. Kur dûl rryma… ma s’pari, ma s’pari Sibovci e ka ngjitë rrymën. Burri jem krejt mahallës ja ka ngjitë rrymën me vlla t’vet, pa marrë hiç mjeshtër, edhe e murrum dritën. Kur erdh rryma qȋ u zdrit me llâma [llampë me vajguri] kena jetuê. Haj sa gzimi, haj Zoti na rujt sa gzimi, pö. Tani dulën televizorat e bardh e zi. Televizori n’odë. Jo, na s’kena pasë, gratë, televizor hiç veç n’odë. Kur shkojshin musafirt najhêrê, shkojshum mas darke e kqyrshum televizorin. Kur dilshin burrat shkojshum me fshi odën, e kqyrshum televizorin. Knojke Nexhmije Pagarusha, knojke Shahi Ndera, Nazmi Hoxha, shumë t’mira jon’ kânë. Tani Nopa Ndrena, a qysh i thojshin… knojke Sabri Fejzullahu…Qita do. A e din… plot, plot knojshin e shkojshum i kqyrshum.

FTh: Kur burrat shkojshin me punu ju shkojshit i kqyrshit?

HTh: Po, shkojshum e kqyrshum. Shkojshin me punu na shkojshum me fshi odën, u dufke me fshi kur u lshojke oda najherë. E fshijshum, dilshum e kqyrshum televizorin. Veç at’herës’ka pasë urrejtje as s’ka pasë kurgjâ as s’ka pasë… edhe qata që e kishum diçka me vullnet a tash tonat i bon njeri vullnet nuk kâ. Diçka tôn…krejt si po kqyrin ma shumë me pasë. Na at’herê s’kena pasë kshtu edhe qata me vulnet e me gzim e pritshum, pö. Gjashtë [6] f’mij i kum pasë. Krejt n’qat kullë i kum lind’, krejt i kum lind’ i kum rritë. Na f’mijt i kena lind’ nëpër dhoma tona. Une…fmija jonë te mjeku s’jon’ shku as n’spital, as s’i kena kqyrë a osht’ femën a osht’ mashkull dej n’qat ditë që e falke Zoti n’tokë e qitke. Kur vijke vâkti me lind’ fmija… na shtatzanë kurrë s’jena nalë a me thânë, “T’shkoj te mjeku a t’flej”. N’daq u lodhshe, n’daq s’u lodhshe, qato punë ki m’i bâ ti, s’t’vetke kërkush. Edhe kur vijke vâkti t’rrokshin dhimtë… kah rongon [duke bërë punët], kah gatun a kah rrin a t’rrokshin dhimtë edhe shkojshe n’dhomë edhe vijshin ja kunata, vjehrra jo, vjehrra s’guxojke hiç n’ato punë me hi.

FTh: Pse?

HTh: Ja-a se shumë u trishtojke diçka, u tutke. Tona rangt [punët] i bojke e ngrâta poshtë e naltë nuk u ngjitke. Edhe vijke halla e mixhallarve, kunatat u ndrrojshin herë njo hijke, herë dilke… vetun kurrë nuk t’lejke. Edhe qashtu dhimbt e dhimbt dhimbt e… kunata jâ halla e shtrojke do kashtë, se n’toka i kishum at’herê dhomat, edhe knena si shtrat si n’kashtë edhe me qylyma.

FTh: E keni pasë shtratin me kashtë edhe me qylyma?

HTh: Pö, me qylyma shtrut. Edhe na n’tokë i bojshum f’mijt. Kur vijke vâkti me lind’ fmija, që s’kishe rrugëdajle tjetër, kah u ungjshe, dy [2] veta t’majshin për krah edhe u ungjshe cuc edhe e bojshe, e t’bijke n’tokë fmija, e pritshin. J’au prejke kthizën halla, qajo ma shumë që po thom une ka pasë shumë zanâtë, edhe koritën ja bojke gati. Pelenat… ja shtrojke venin halâ pa lind’, me qitë me lidhë djalin me pshtjellë… vajzë a djalë a. Edhe n’qat sahat jo thojke ‘djalë’, jo thojke ‘çikë’ se na s’kena ditë… qȋ p’i kqyrin tash prej t’nisë. Léjke [lind’] fmija e qpërlajke [shpërla], ja prejke kthizën edhe une i vesha… teshat e lâme na veshin e bijshum n’shtrat. Ta bijke f’mijn për skejt dej n’sabah t’lêjke. Ato shkojshin e i hiqshin krejt ato çka ke bâ aty e tonat e paqllaisshin [pastronin] aty venin. Dikush myzhdën e çojke n’odë, “Kiê djalë, kiê nip”, i kallxojshin plakut edhe qishtu. Nȋ [1] kafe ta bijshin me pí. Ma s’shumti natën léjshin fmija, veç i vogli ma i vogli u lé n’mëngjes, mas dreke. 

FTh: E gjashtë f’mij i ke bo n’qët mënyrë?

HTh: Po, gjashtë [6] f’mij i kom bâ, ton’jon’ rritë. Po vallahin. Me kon’ kapë f’mij, nashta marre me thânë, n’gryk nuk thojshe që u lind’ po qȋ i ka motmot, qaq m’léjshin fmija e shnoshë edhe me qat shnet u rritshin. As s’kena pasë fort, tash që po ju jepin trulifare, truli... n’gji ma shumë i kena majtë veç kur u rritshin kapak i ushqejshum me tâmël e me naj... pö e qishtu. E kur léjti, mas jave, e thirrshum qat ndrikull për qat’ f’mij. Ajo e veshke f’mijn do tesha edhe na e bojshum bakshishin asaj i jepshum. Edhe drekën e kthejshum, qaty e kthejshum kunatat nȋ sofër… u bojke aty me çkamos e kthejshin edhe shkojshin.

FTh: Qysh e keni gjetë ndrikullën? Kush u kânë ndrikull?

HTh: Ndrikull… kojshia aty n’mahallë, tjetër fis.

FTh: E çfarë dhurata keni shkëmby me ndrikullën?

HTh: Peshqit, çorapa, xhaketa… kush kish aj e bijke kâtin me tesha e lâjke. F’mijt i veshke me çorapa, me kapuq me tana… e lejke, shkojshe, pö qashtu. Na s’kena bâ kshtu bambina [banket] me thirrë e me kshtu shumë… a e din qysh po bâhën tash - si darsma p’i bâjnë… jô, jô, jô… nc.

FTh: Çfarë festa keni pasë? Çka keni festu zakonisht, qysh i keni festu?

HTh: Bajramin e kena festuê.

FTh: Qysh e keni festu Bajramin, përshembull?

HTh: Ramazani, Bajrami, dy bajramat…qitshum me ômëlsina, me pite, me pula me krejt qysh osht’ adeti… me hallve me... Tani kur u rritën fmija… se sa ishin fmija e vogël na shkojshum edhe n’âra me qitë dorza se at’herë me kosë kanë kositë, me drapën kena korrë. Masi jena ardhë kô, te burri qȋ jom shkuê, kanë korrë kogja. Shkojshum n’âra korrshum edhe herrshum. Bojke vaki e kishe f’min n’djep, e merrshum me veti e shtishum nër hije e korrshum. Tani kur u rritën fmija na u bânë….Jo, s’shkojshum.

FTh: Çka t’ka punu burri se e përmêne që t’ka punu?

HTh: Ka punuê… postjer u kânë. Gjashtë [6] muj ka punuê i ka qkep [shpërnda] postën nëpër katune e s’disa cop’ katune qȋ e ka qkep postën. Edhe nihere shkum me k’to shoqet aty qȋ jom martuê, me çika shkum me korrë kallamoq, erdh nȋ postjer. U zhdirke [zbritke] poshtë se si n’kodër u kânë, ma bojshin ato, ‘’Dil se mos ta ka çu Sadria naj letër.’’. Na… me na thânë naj kush ashtu, m’i thanë dikujt, “A ka letër?!”. Hajgare bojshin. S’mujsha… a din, qashtu jena kânë si t’myllta. Pö, nja gjashtë [6] muj’ punoi qashtu, me bicikull [bicikletë] i qkepke tani dikur e murr nȋ mâtorr. Vôn’ e ka marrë mâtorrin, masi ô dalë prej postierit. Edhe shkoi n’Beograd n’kurs, e murr at’ zanatin për me hi n’punë n’hekurudhë. Hini n’punë n’Obiliq, niherë si puntor tani si përcjells i trenave. Edhe ka punu n’Fushë t’Kosovë e n’Obiliq dej u dalë n’penzi, masi u kthy prej ushtrisë. Pö, ka punu shumë e dûl n’penzi. Kur dûl n’penzi tani u ndamë me kit’ vllaun e Sadrisë, qȋ metum veç dy [2] vllazni nȋ shpi, nȋ kullë… tani u ndamë. Ju rritën atij vllaut t’Sadrisë fmija, i hinë n’punë… edhe k’ta t’ktijna u rritën tani u ndamë. E marum nȋ shpi t’re e tani u ndajtëm… masi ju rritën fmija e vllaut. 

FTh: Cilit vlla?

HTh: Eminit.

FTh: Sa vllazni i ka pas burri yt?

HTh: Pesë [5]. Vet i gjashti [6] edhe veç nȋ motër e ka pasë. Krejt jon’ dekë, krejt. Edhe tani me kual… kur u bojke kallamoqi, misri e shkojshum na gratë, na çikat, me korrë se tash pî korrin n’âra, veç pe hekin. At’herê edhe n’shpi na bijshin n’lamë, krejt lamën kallamoq. Taj kur i bojshum punt, hô ditën hô mas darke, edhe dilshum kush ish…që s’metën natën burrat… me shkuê. Dilshum n’lamë tana kunatat zhvosh’shum kallamoq e f’mijn i qitshum nalt ka n’tetë [8] ora. At’herê n’tetë [8] ora fmija flejtun. Tani shkojshum e rrethekojshum lamën edhe dej n’dymdhetë [12] t’natës zhvosh’shum kallamoq. Tani herë njâna kunatë, herë njâna kunatë shkojke m’i kqyrë f’mijt – mos po na rrxohën prej shkallve. Dej… zhvosh’shum… që na u bojke boll. Tani shkojshum nëpër soba bijshum, qishtu. Gjashtë [6] vllazni jon’ kânë e nȋ motër. Vllau i dytë i ka dekë burrit tem, Sadrisë, tridhête shtatë [37] vjet i ka dekë edhe i ka lanë pesë [5] f’mij. I ka lanë tre [3] djel e dy [2] çika edhe u dekë se i dûl diçka n’kâmë tani ju pezmatuê u dergj… e u dergj e vdiq. Veç ka punuê qashtu me qat kamë, kurrë s’u nalë. E ka pasë nifar’ kavanice [punëtori], me hekra u merrke… e ka pasë n’oborr tani punojke aj, qaty marojke shporeta, kâftorra… pö. Edhe tani vdiq. Sadria i ka rritë fmijn dej jon’ rritë qi’jon’ hi n’punë. Dy [2] f’mijt e mdhôj ja ka martu. Djalin edhe çikën e k’ta tretë [3] tani masi jon’ ndâ i ka martu vllau e u rritën hinë nëpër puna, hinë nëpër shkolla edhe i kanë shpijat e veta ata. 

FTh: Domethanë, përveç fmijve t’vetë edhe i ka shkollu f’mijt e vllaut edhe i ka punsu?

HTh: Po, edhe t’vet’t edhe t’vllaut me nȋ rrogë t’zhelesnicës [hekurudhës]. A tash ton’jon’ n’punë nuk munët me majtë nȋ familje! Qishtu me nȋ rrogë t’zhelesnicës i ka rritë nȋ mdhetë [11] f’mij edhe na tret [3]. Sa po bâjnë? Katërmdhetë [14].

FTh: E ti the që kur u pensionu jeni dalë n’shpi t’re?

HTh: Pak pa dalë n’pension.

FTh: Ku e keni maru atë shpi?

HTh: Qaty, veç ma anena. Qaty kapun, nȋ oborr.

FTh: Qysh tu ka dokë aj ndryshimi prej kulle n’shpi?

HTh: Vallahi s’po di çka me thânë… n’kullë kena hjekë shumë, oj nânê. Kallabllak i madh. Tani k’ta u rritën i marun dy [2] shpija n’oborr. Tani fmija e mij, tre [3] dulën jashtë [migruan] edhe na nimojshin qishtu. Tani edhe djali i vogël [djali i vëllaut të Sadrisë]… edhe aj dûl jashtë, veç u kthy apet.

FTh: Djali i Eminit?

HTh: Po. Djali i Eminit, i vogli. E korrshum kshtu theknën, marojshum ‘liktyra’ [konopa], kshtu i thojshum, për nestrit na gratë me rên.

FTh: Çfarë liktyra?

HTh: Liktyra t’theknës. Liktyra t’theknës m’i lidhë dujt [tubë të misrit] e tani mas s’di save dulën konopat e tani me konopa i lidhshin dujt, ma kallaj [lehtë]… e liktyra kena maru na shumë.

FTh: E te burri a keni pasë gjô [bagëti]?

HTh: Po. nȋ penë kual [kuaj] i kena pasë, katër-pesë [4-5] lôpë, i kena pasë dhêt… nȋ ahër dhê, nȋ ahër gjô, dy [2] ahëriê. Tani masi hinë k’ta djelt n’punë i shtinën dhêt, tani veç k’to kuajt edhe lôpt i lanë. Tani masi u ndanë ata kunet’tkrejt na metum, burri jem met me f’mij edhe veç na dyjat [kunata] metum n’kullë. Na u rritën fmija, çikat. Kunata i mjelke gjânë, une gatujsha se une thojsha, “Marre me hi une me i mjelë gjânë e kunata ma e vjetër me gatuê!”. Une kum gatu gjithë, niherë t’kallamojt tani dûl mjelli i grytë, e dûl… se vonë ô kon’ dalë. Edhe kunata bylmetin, une magjën, çikat fshijshin. Tani dûl çaji e dûl… e tu përparuê, tu përparuê kadaldale... Qishtu. Kana hjek na shumë.

FTh: Kur jeni dalë n’Prishtinë?

HTh: Jena dalë n’Prishtinë para lufte. Djali e blejti banesën, dulëm me djalë t’vogël na dy [2] pleqt. U martu djali i vogël, i ka dy [2] vajza e nȋ djalë, po.

FTh: E a t’kujtohet lufta n’Kosovë?

HTh: Po, qysh s’m’kujtohët lufta n’Kosovë. M’kujtohët.

FTh: Ju pak para luftës keni dalë n’Prishtinë?

HTh: Po, po. Jena dalë n’Prishtinë tri-katër [3-4] vjet para lufte. Edhe prej banese u duft me dalë n’Maqedoni. Erdh vllau jem me gruê n’banesë… na ishum shtatë [7] vetë, dy [2] dhoma, nȋ sallon, e kishum ngusht. Erdh vllau me f’mij, erdhën fmija…çika me f’mij e me burrë edhe vllau me kerr. Bombardimet e para tôn jena kânë qaty, veç thanë, “Po vijnë”, që po bombardojnë… na mas televizorit, qirin, edhe kush nuk bojke qak, tak, rrak [zhurmë], veç kur e shihshum flakën qȋ dilke. Tutë boll kena pasë. Prej lufte une jom smutë a kurrë barna s’kom marrë. Tani hajt, hajt, hajt… dy [2] muj a sa zgati, dulëm n’Maqedoni nejtum me çikë. Çika pesë [5] f’mij edhe na dytë. Plaku met, nuk dûl prej banese, metën n’banesë.

FTh: Gjatë tôn luftës ka nejt n’banesë a?

HTh: Po. Ka nejt nihere me vlla temin e me djalë t’vllaut, ‘’Hajt shko ti me f’mij se na ja bâjna diqysh.’’. Ata metën tani aj vllau ish kon dalë, ju kish pas ndâ gruja… u dalë me lypë vllau jem s’e ka gjetë kërkun! E kishin marrë e kishin çu n’tren e kishin qitë me familje t’vetë e n’Maqedoni. Tani jena dalë na… para se me dalë vllau jem me lypë grun e vet jena dalë na. E ja kishin vjedhë kerrin vllaut têm e s’kish me çka me dalë e nëpër mal, e nëpër mal, e nëpër mal… u shku e ka zatetë çikën e vet me f’mij me nifarë mali. E ka marrë, jon’ ardhë n’Prishtinë… tani jon’ dalë me tren. E n’Maqedoni tani u zatetë me gru t’vetë, e qishtu. Na dulum prej banese me tri [3] kerre, dhandri jem, burri i çikës me pesë [5] f’mij e une e djali. Nȋ jugo e kena pasë, i vogël nȋ kerr veç qashtu…jon’ kânë fmija e vogël, t’çikës, i majshum kshtu para veti. Kur dulum knena prej Tetove, jo prej Bllace, na çun neve. U gzova se n’Bllacë kanë hjekë shumë. Edhe shkûm e pak pa hi n’Maqedoni na nalën, u mshelë granica e metum na gjithë natën n’fushë. Metum n’qiell t’hapun edhe qaty n’kerr me f’mij dej n’sabah… e kur u çel sabâhi, ka n’shtatë [7] ora u çel granica, u çel rruga, hijmë. Kur hijmë na t’rraskapit’, gjithë natën pa flejt…! Edhe si hijmë n’atë anë u shlirum. Ngajtën doktorrë e ngajtën n’kerr, ‘’A jeni mirë?’’, “Po”, na, ‘’mirë’’. Po kujt i bijke n’mên që je 

smutë?! Ani, shkum dogri [direkt] n’Strugë. Dolën nusja përpara me f’mij edhe hijmë… u strehum n’Strugë. Kena nejt, tani u kthym… e qishtu.

HTh: E kur jeni kthy the që burri t’ka nejt n’Prishtinë, Sadria. A ke pasë najfar’ kontakti me Sadrinë gjatë luftës? A e ke ditë a osht’ gjallë a?

FTh: Po, te miqt. Te vllau i nusës ka folë se aj nuk ka dalë, Z. … nuk ô dalë as miku i Z. Atje shkojke folke, tani i kallxum që jemi gjallë edhe mirë. Veç tri [3] herë i kishin hi polict, niherë e kishin marrë e kishin zhdjerg [çu] poshtë… me çu dikun.

HTh: Polic’t sërb… burrin ton?

FTh: Po, po. Polict sërb e kanë zatetë [taku]. U dalë ky me shku te vllau i vet se e ka pasë ngat edhe vllau i vet s’o dalë hiç… edhe vllau i vet s’o kânë ngat, po u duft m’i kapërcy krejt rrugën kryesore. Edhe ô nisë me dalë… kur milict e kanë nalë, ‘’Ku po shkon?’’, ‘’Valla te [ni]  vlla.’’, ‘’Ku e ki vllaun? Hajde se po t’çojna’’,“Vallahin…”, i ka thânë, ‘’i rashë pishmon!’’, Sadria, ‘’ I rashë pishmon!’’, ‘’Pse?’’, ka thânë, ‘’E kom lânë plakën mrena…’’, se ô kânë nȋ plakë aty mrena n’banesë tonë, i ka thânë, ‘’E kom lânë plakën mrena si t’dal une ato t’vdekt e gjâj se osht’ edhe prej zemrës e smutë.’’, edhe u kânë smutë, kanë thânë, ‘’Hajt’’, e kanë lshu. Edhe nja dy [2] herë mrena i kishin pas hi, ‘’E kujna ô kjo banesë? Sa mirë p’e majshe këtë banesë! Kur e ke ble këtë banesë? E kujna osht’?’’, ‘’Osht’ e jemja.’’, ‘’Kur e blejte këtë banesë ti?’’. Ê i ka thânë plaku, ‘’Krejt kapitalin e kum shitë n’katun e qët banesë e kum ble… qe n’hekurudhë kum punuê. Shkoni vetne atë shefin… vetne çfarë njeri ô ky e ku jom une.’’. Hajt, hajt… e lshojnë. Edhe u kanë smutë… si jena ardhë prej Maqedoniê u bâ operacion mêniherë se shumë smutë u kânë. Tani u çu prej operacionit, tani rrnoi… qe dy [2] vjet ka vdekë, me tre [3] janar

i ka bâ dy [2] vjet qȋ ô dekë plaku jem. Tash une po rrnoj me djalë e me nipa e...

FTh: E mas luftës qysh tu ka dokë?

HTh: Mas luftës u gzum boll kur u kthym n’shpi tonë… edhe pshtum na me familje me krejt. Pshtum edhe na kujtum qȋ bâhët qysh kena kujtu na, veç nuk po bâhët qysh kena kujtu e ishalla bâhët mirë e ma mirë edhe ecum përpara.

FTh: A kishe dashtë me na kallxu edhe naj çka që t’ka metë pikë?

HTh: Ȇ pikë... a bon prrallë?

FTh: Po.

HTh: Na e kanë treguê tezet e mija… ishum t’vogla e shkojshum te dajtë. Na shtishin n’gjumë edhe na kallxojshin prralla, turli prralle… edhe na përgdhelshin, na dojshin, edhe u kânë… na kallxojshin nȋ dhelpën edhe nȋ uk’.

FTh: A e mân n’mên?

HTh: Po. E mâj valla, krejt. [Tregon përrallën] ‘’Uku e dhelpna: I ka thânë uku dhelpnës,“Hajde shkojna te qajo dritë qatje larg qȋ koka n’mal”,ni dritë te shpijat n’mal…naj dritë e llamës e vogël u dokë. Ka thânë,“Hajde”. Kur jon’ shkuêi ka thânë… ajo dhelpna i ka thânë ‘kumar’ukut e uku i ka thânë dhelpnës ‘ndrikull’… edhe kur jon’ shku hajt, hajt, hajt… te ajo dritë kur jon’ shku jon’ hypë mi oxhak t’shpisë,[at’herë jon’ kânë nȋ katshe shpijat, t’vogla, k’shtu kasolla…] edhe jon’ hypë mi oxhak edhe kanë pasë darsëm ata t’shpisë edhe ajo dhelpna i ka thânë ujkut,“Kqyr teposhtë çka ka?”, ka thânë,“Ni darsëm koka”, zjarm… e te ka shty dhelpna ujkun, u râ për oxhaku atje n›zjarrë. Edhe çka bâjnë gratë…jon’ kânë tu gatu, te kapin e kanë rrehë ujkun e kanë bâ me legraqa e kanë qitë jashtë… edhe ujku ka shkon qashtu i rreht. Edhe kjo çka bon… e mashtron dhelpna ujkun! U shku n’çilerë… [si shpajz… na ‘çilere’ i thojshum at’herê, tash i thojnë shpajz - ku i mâjnë bylmetin] edhe o shkuê n’çilere dhelpna ka hangër tomloriz. Ha, e ha… e ô ngi tomloriz, ô ngopë. Edhe u ly me tomloriz… kryt’ e kâmt e s’e kanë pa hiç dhelpnën kur ô dalë jashtë. N’atë rrugën që ô ardhë e ka gjetë ujkun tu shkuê, gjallë e për gazep, kshtu krejt i rreht… ka thânë, ‘’Hajde ndrikull, a mujte me ardhë? Qy qysh m’kanë rrehë, m›kanë bâ llom!’’, ‘’E more kumar, po muê trut m’i kanë qitë…krejt trutë m’i kanë qitë tu rrehë’’, Ujku, ‘’A trutë! Hyp n’shpinë teme’’. E ka hypë ujku n’shpinë, atô, dhelpnën e shnoshë. Ajo e ngitë e ka hypë. E ka jon’ shku hajt, hajt, hajt… ka thânë: ‘’Ö bâj i smutë t›shnoshin n›shpinë, bâj i smutë t’shnoshin n’shpinë!’’, ‘’Çka po thu ndrikull ej?’’, ‘’Oh, jerum kom pâ, jerum…’’, apet, ‘’Ö bâj i smutë t›shnoshin n›shpinë, bâj i smutë t’shnoshin n’shpinë…!’’, ‘’Çka po thu ndrikull, ej?’’, ‘’Oh, jerum bre kom marrë… jerum jom se smutë jom.’’. E qishtu, pö.

FTh: Këtë prrallë a j’au ke kallxu nipave?

HTh: Nipave e mesave…krejt e dijnë. I di shumë, veç ma tutje s’po shkoj. Faliminers’ shumë qȋ e dhash kit’ intervistë.