Hajzer Bojku

Intervistuar nga: Iliriana Blakaj

Kur jom kânë une, jeta u kânë e mirë, se pasunia po i bojke tôna. Na pasuninë e kemi pasë t’fortë, skamën nuk e kem ditë çka ô kurrë deri qitash

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

15.05.2018

Lokacioni i intervistës

Dërvar

Vendi i lindjës

Dërvar

Tranksriptimi

IB: Sot, është data trembëdhjetë [13] maj dymijë e tetëmbëdhjetë [2018], dhe në kuadër të projektit “100 Pleq e Plaka” do të intervistojmë axhën Hajzer Bojku, nëntëdhjetë e katër [94] vjeçar nga fshati Dërvar.

HB: Une quhna Hajzer Bojku nga Dërvari. I lindun jom me t’parin t’nântit nizet e katërtën [01.09.1924], n’Dërvar. 

IB: Krejt jetën aty keni jetu?

HB: Krejt jetën. Veç kur jemi kânë n’mal, ajo ô tjetër... që na qiti shkau. Tani kemi rrnu aty. Na me bujqsi jemi marrë, pasuninë e kemi pasë të madhe, kemi pasë tokë shumë. Pasuninë e madhe. Me bujqsi vetum jemi marrë, me kurgjâ tjetër, jo. Pej shkaut jemi kânë t’njekun. A deri sot qȋ u hjek’, qȋ u hoq, as femën as mashkull drejtë vote tu na s’ka pasë. Pej katragjyshit, babgjyshin, bâbën, tash vllaun, çikën e vllaut... tânë i kemi të vramë pej shkaut. Na me shkâ jemi kânë t’ngacmum gjithë, deri qitu ka shkue. E pamë çka e pamë. Sot, pasha Zotin, asni fije i knaqun nuk jom. Ma fort jom tu u mërzitë sot se kur u kânë shkâu k’tu, se at’herë e dishëm bile që e kem hasëm, e tash nuk po e dimë se cili ô. Ton’ emnin shqiptarë, a nuk po e dimë ça kâ n’to! 

IB: Qysh e ke pasë jetën si i ri? Qysh u kânë jeta n’katun at’herë kur je kânë i ri ti?

HB: Kur jom kânë une, jeta u kânë e mirë, se pasunia po i bojke tôna. Na pasuninë e kemi pasë t’fortë, skamën nuk e kem ditë çka ô kurrë deri qitash. Tash na bâni rrafsh me tokë. Vallahi, sa të zitë n’thue n’tokë tonë s’ka pasë, me bager e kemi pastrue. Ma vranë vllaun, ma vranë çikën e vllaut... Po’ na ikëm ma herët, pa e kapë ofanziva e madhe aty. Dulëm pej atyhit. Niherë kemi nejt n’Drenicë shumë kohë, i kam dajtë atje, tani kemi nejt n’anën e Shalës knenaj, deri që u hoq shkâu. Tash jemi ardhë n’ven’ tonë. 

IB: Me çka u merrshe kur je kânë i ri?

HB:Vetëm me bujqsi. 

IB: A je shku në shkollë?

HB: Katër [4] vjet. N’kohën e Serbisë s’parë, hênez para Luftës s’Parë Botnore. 

IB: A keni pleqnu at’herë nëpër oda?

HB: Po. 

IB: A të kujtohet naj sen prej atyne dit’ve?

HB: Po, valla. Veç kurrë vetit nuk ja fali... Po’ edhe na dogjën, edhe ato çka i kemi pasë sen’ nuk na kanë lânë. Dokumentet neve i dogjën se me i kôn pasë... ma kisha dashtë veç me ditë kah... pej Dukagjini atje, Pejë, Prizren, Rahovec, Gjakovë, rreth e rreth deri n’Llap e Gollak, Shalë, e Drenicë, e Kosovë... unë jom kânë si kam maru gjin’. E qato me i kôn pasë... Ma kisha dashtë sot veç me i pasë. Po, nuk kam shënime. 

IB: E hajt pra kallxona naj rast që ke maru qishtu njerz?

HB: Kemi maru... rast ka pasë që jon’ vra, na i kemi maru. Ka pasë rast n’dorë t’policisë... i ka plague dy [2], pasha Zotin pa shku n’gjyq na i kemi maru. 

IB: E qysh i marut ata, qysh erdh puna?

HB: Ata u rrehën për do tokë t’shkâut. Shkuem na, n’dorë t’policisë jon’ rrehë, edhe i marum, ja’u damë qat’ pasuninë e shkâut përgjystë. Ai me pagu, ai që e dëmtoi k’ta, edhe i marum... e ajo nuk ka t’pagum. 

Une shkova n’Gjakovë. E kisha nȋ mik atje, e kam dhanrrin, e atje n’Madanaj t’Gjakovës u kânë nȋ Valoni, ai ma i zoti shqiptar... atje... s’ka pasë n’atë anë. E i rrehke hallkun, e i plagojke, e bojke ç’mos t’zeza. I pat vra pesë [5] milicë, ja kishin rrehë bâbën. Aty ja kam dhânë hakun, ka punue! Po masanej, masi u krye lufta, tre [3] vetë tri [3] herë i ka plague. S’katërti u çue e rrehi njâ me grykë alltie, krejt ja boni kryet bira-bira, edhe ai... n’prezencën e nânës edhe t’grues. Po i thom une ,Valon e ka pasë emnin, thom’, “Valon, nuk të shkon kungulli mi ujë, ka me t’u mytë!”. Dhanrri i jem, Bashkim e ka emnin, djalë t’mixhës e ka, “Ku e kishe ditë?!’”, thashë, “E di, se nuk shkon me t’keq gjithmonë, duhet me u nalë.”. E u çue ai shkoi te shpia... kur e boni ashtu, ajo [gruaja] e abërtoi thminë pej tute, e shkon e merr automatin, t’tret i ka vra n’restoran. E unë tri [3] ditë përpara i kom thânë dhanrrit tem, “K’tij ka me ju mytë kungulli n’ujë, se nuk i shkon!”. E tani, masanej krisi lufta, qikjo e treta. Une jom kânë n’luftën e Shaban Polluzhës. 

IB: Po, dalim edhe aty. Po nihere po kam qef edhe naj rast qishtu me ma tregu që e keni pleqnu, a n’odë te ju, a dikun tjetër, jashtë katunit t’juj?

HB: Po, vallahi ka plot. 

IB: A të kujtohet najnjo?

HB: Po. Tana m’kujtohen, po ato jon’ shumë. 

IB: Ani, edhe njo dy [2] qishtu?

HB: Kemi maru na gjaqe shumë n’Shlipel të Gjakovës, ô përte’ Beci. Aty i kemi marue bash truprojën e Thaçit, i vllai i tij i kish plagosun dy [2]. M’thirrën mue, shkova. Kur shkova i marum kryekput, edhe u pajtuen. Tash po m’thotë mue njâ i atyne, “Ti nuk je veç i Dërvarit, ti je i gjithë popllit t’Kosovës.”, “Pse?”, “Na ke nimue ktu, e ktu...”, po i ngjehë vêna. Edhe qashtu u kânë. Nuk u kânë për me i shtue diçka. Vallahi, n’Pejë qashtu, n’Gjakovë qashtu, n’Klinë qashtu... që i kam marue. 

IB: E ku je m’su ti me pleqnu kshtu?

HB: Babgjyshi ka pleqnu. Bâba i jem haxhi u kânë, para pesëdhet’ e pesë [55] vjete ka pleqnu. Pej atij une i treti jom që merrëm me qata. 

IB:Edhe bâba yt tek u kânë n’zâ për me pleqnu.

HB: Edhe bâba jem. Ai para pesëdhet’ e pesë [55] vjete u kânë n’Qabe, kur u bon’ t’parën parti me dinarë t’shkâut, se ka pasë qef gjithë me shku, po s’guxojke se u dufke me lira. Lira t’çojke robie. Si u bâmë me dinarë t’shkâut, qitash pesdhet’ e pesë [55] vjet, u kânë n’Qabe. Palestina u hi në luftë qat’herë. Qe pesdhet’ e pesë [55] vjet. 

IB: Edhe oda e juj’ tek u kânë n’zâ, pra?

HB: Po. Tri [3] oda jon’ kânë n’atë strehë tonën n’zâ, që aty ka timu oxhaku gjithë. Edhe aty sa herë t’bjen me fjetë dera u kânë çelë, se oda nuk ka pasë... Me zâ përpara kah na tri [3] jon’ kânë, e tash asnjâ. Se po më’thotë njâ, “Dy [2] sene”, tha, “jon’ dekë”, tybe qashtu ish, tha, “Vorrim nuk u bâ, e pâme nuk u çelë!”, thashë, “Kush jon’ ato?”, tha, “Magjja edhe oda. Magje mâ s’ka, odë mâ s’ka!”. E kam odën, me ardhë me pâ pa men’ jet, n’tre [3] kat. Vallahi, nuk çelet dera. Ô nȋ shpi e madhe atje, atje rrinë, atje hanë, pinë... s’shkon kush me ja çelë derën. Gjynah m’vjen pej ode. Une... edhe për veti si t’bâhët sabah, veç me keksa nȋ [1] kafe e pi, shkoj n’shehër. Aty ha bukë e çka m’pëlqen. Gjithë. Drekë e Isini gjithë i fali n’Vushtrri. Edhe e kam larg koxha, ti je kânë, e ke pâ. Po shkoj, nuk e baj hesâp, se me veti s’ka marrë kurkush kurgjâ pasuni, veç qajo çka ke punu, qata jet. Se kjo puna e jonë ô sikur femna - nëse u qeizue ka ça qet, nëse nuk ka punu me dorë, vallahi s’ka ça qet... dur’thatë. 

IB: E qysh u kânë at’herë, n’atë vakt, reni nëpër oda? Qysh jon’ ulë burrat? Kush ka folë?

HB: Aty ka fol njâ ma i vjetër, edhe e kanë ditë kush ô që din me folë, se jo çdonjâni me folë. Tash, bylyki i dhêne kumonën nuk ja ngjet veç pse u plakë, po ja ngjet qasaj që dinë me i pri bylykut, se jo veç se u plakë. Se plak, po s’din gjâ.

Qaty tu na i myti nja dy [2] vetë me kombi, ndeshje, edhe njâni ja fali, njâni jo. Haxhi ish. Ja fali. Shkum na me pâ. Kur shkum me pâ, shkum tridhet’ e tetë [38] me nȋ autobus. Kur shkum, u avytëm aty, hajt... kish profesora, e drejtora... kush po e merr fjalën. Vallahi, se mur’ kërkush! Tha, “Veç ti.”. U avyta. Bahtir e kish emnin babgjyshi i atij djalit që u myt. Thom, “Qysh jeni?”, tha, “Mirë”, thashë, “Me gajret ça jeni?”, tha, “Po munohëm...”, thashë, “Allahu me iman e qamil e past sadisë. Allahu pastë bâ rahmet n’shpirt t’tij. Zoti ju lashtë shnosh. Allahu gajretin... e mrama me hajr.”, se ish’ i mytun. Edhe atâ që ‘ishalla e mrama vjen me hajr’. Po ma bâjnë do, ata të shkollum t’tân, tân shkollë ma t’madhe se unë, 

tha, “Kurrë s’të paskam ngjoftë, që nuk din mos dil aty.”. Nuk dinë me përfaqsue...! Drejtor shkolle u kânë te na, hike aty n’emër t’shoqnisë, nuk e prezantojke... shkojke me pâ! Tetëmdhetë-nizet [18, 20] msusa, “A po mërzitni? Zoti ju lashtë shnosh.”! Veç ai përsoni si unë çka ish, po i thom, “Vesel, tjetër herë kur t’dalsh me pri, ja prezantoi n’emër t’shoqnisë, ‘Kolektivi i shkollës Dërvar u shprehë ngushllime. Zoti ju lashtë shnosh për këtë dekë’, ja mos dil. Lej le t’flasin gjithsecili për veti! Ja prezantoi, ja le të flet secili.”. 

E unë për veti... qyre, marre nuk ô. Krejt qikjo i ka thye me dru shkâu, qyre tjetër lkurë kur u dalë. Po, mirëpo gjânat nuk i harroj kurrë. Vallahi, dikush dje nuk e din çka ka pasë. Para pesëdhet’ e pesë [55] vjete plaku i jem u kânë n’Qabe, kah kallxojke atje, vênat ku kanë luftue, ku kanë asi... krejt kur jom shku unë, mas pesëdhet’ [50] vjete m’u gajke po e shoh plakun aty, se m’u kujtojshin, se i kisha shti n’krye. E dikush... se i kish gjetë njâni tre [3] rreshna t’kresë, i mur’, e po i kqyrë me nȋ [1] thupër. Tha, “Çka po i kqyrë?”, “Po i kqyri kur jon’ kânë t’gjallë çfarë njerz jon’ kânë.”, “Çka mujte me ditë?”, “Qití”, tha, “ i hini thupra ktu e i dul’ knej.”, tha, “Ktu i ka hi knej, i ka dalë.”, “Qitina”, tha, “as s’ja la ktu, as ktu”, 

“Qitina”, tha, “i hini, i met thupra. Ktij s’ja ka lânë hiç, as knej, as knej. Ktij i ka përbiru, k’tij çka i ka hi në krye i ka met’!”. E rrashtin e kresë e konstatojke kur u kânë i gjâllë çfare u kânë. Vallahi, na kur shkojmë e konstatojmë vênin ku e ka bâ, e dimë i cili u kânë fajtor, krejt. E që nuk din’, nuk duhet me rrejt kërkan se marre ô. 

IB: A të kujtohet naj rast që e ka pleqnu bâba yt?

HB: Vallahi, s’ka të ngjehun. S’ka të ngjehun . 

IB: Cili të ka lânë ty më së shumti përshtypje?

HB: Ai ka lânë... Shumë maresa të mdhaja ka bâ. Derisa, ka bâ vaki kur e kanë bâ takimin, s’kanë mujt me u pajtu. U ra, u fjetë. Kur jon’ çue n’sabah e kanë vazhdue. Qaty u duft me ardhë ku ka thânë plaku i jem, se u kânë shumë i hollë pej menje. Shkollë nuk ka pasë. Tri herë e kanë denue për pushkatim. I kanë thânë me pague atë avokatin, ka kallxue, ka thânë, “Nëse jom fajtor, du me shku.”, u pajtu, “Ti”, tha, “je avokat vet, e ti je gjykats vet.”. Qashtu. Shkollë asni ditë. Ka ditë se ka nejt me oficira n’burg, me gjin’ t’meçëm, turli profesori, e drejtori n’burg. Ajo ô shkollë. Gjithë ka nejt ngat tyne. E majshin ngat veti se e pajshin që po interesohet edhe p’ȋ ja rrokë. E dikujt s’ja rrokë. Qishtu. 

IB: Qysh vendose ti me u bo ushtar i Shaban Polluzhës?

HB: Luftum na me shkie. 

IB: N’cilin vit? N’cilën senje... n’cilin vit?

HB: Në katërdhet’ e katërtën [44]. Edhe u vranë shtat’ [7] shkije n’oborr tonë. Nizet e nȋ [21] tont i kanë pushkatue. Une jom kânë lidhun me tel. Më ka zgidhë dikush, jom përzie me tjerë... qe, sot jom. Nizet e nȋ [21] i kanë pushkatue tont qaty, për qata shkije që u vranë. Tani na metëm hasmije të hyqmetit. Tri [3] vjet na kemi nejt nëpër bunkera. Haxhia, plaku i jem, vllau i madh, edhe unë, nëpër bunkera kemi nejt. At’herë Tita i fali bajagi k’to gjaqet e luftës, edhe râmë n’dôrë. Plaku dul edhe njâ e tuzhiti, thotë, “Filanin e ka vra.”. Nizet [20] vjet ja dhanë. Tri herë për vdekje e denun, ma s’mrami nizet [20] vjet. I majti nizet [20] vjet, e erdh. I plagosun u kânë n’gjasht’ [6] vêna edhe kurrë... thojke, “Veç me m’kôn garantue dikush që kam dekë n’jastak”, thojke, “se s’kisha dashtë tjetër. Po, ku po m’mysin, ku po jes llugave, ku asi...’. Ma s’mrami qato plagë ja prun dekën, a n’dyshek u dekë. A gjasht’ [6] plagë ja dhanë. Nizet [20] vjet ja dhanë burg, denim. Se edhe nî herë përpara i ka majtë do vjet, edhe nî herë nizet [20], veç tridhet’ [30] vjet burg i ka majtë. 

IB: E ty, qysh t’kujtohet, qysh je bo ushtar i Shaban Polluzhës? Koha e luftës, e... Tregona pak histori për qat’ kohë?

HB: Jo, jo. Koha e luftës jo, po na kapi me shku mas gjermâni me luftue, me njekë gjermânin. Kur jemi shkue n’Podujevë, bajraktari i Llaushës, Shabani i Polluzhës, bajraktari ka thânë, Shabani, “Une po thom po shkojmë!”, bajraktarit t’Llaushës i tha, “Ti koqit thuj jo. Khâ me vra, me pre, me gri robt tonë, e na me shkue, jo.”. Jemi kthye n’Podujevë, pej atyhit jemi ardhë n’Dërvar. N’Dërvar ô ura e Pestovës, e ke pâ urën ti, e qaty u kânë ura... e kanë miniratë ata, veç tash ô tu u qitë. Qaty n’dy [2] ânt ish kânë roja. Po, dymdhet’ mijë [12,000] vetë na jemi kânë, si i kanë mshu n’atë anë e n’këtë anë i kanë vra krejt. Do u vranë, do u plagosën, tont. I vramë. Dulëm anej pej Drenice. N’Drenicë kemi luftue tani, se vêni jonë nuk ish për luftë. E atje at’herë rrugt jon’ kânë t’mshelne, asfallte s’ka pasë, atje mujshin me luftue. Ka bâ vaki tri [3] ditë kemi luftue atje. U duft n’Shalë me dalë natën, se na kapke ofanziva e madhe atje, dalshëm n’kit’ anë. Nja tri-katër [3-4] here jemi dalë anej edhe knej. N’luftën e Shabanit kemi luftue deri në vrasjen e Shabanit. Shabanit granata e topit i ka râ, përmjet e ka kputë. Mehmet Gradicën qashtu e vranë. E kur u vranë ata kryesort, na metëm do grupe t’vogla, na metëm nëpër bunkera n’dhé, e kah’mos. 

IB: Qysh e kalojshit kohën nëpër bunkera?

HB: Paj... qysh! Ma shtirë, ku dô me çue? N’dhé! Veç që ja qilshëm... në nȋ ven’ i lashëm çelë sa me dalë ajri. Se na e provojshëm - me kânë i mshelun krejt gazi nuk bojke dritë, u shymke. E aty as jeta e njerit s’munet me u harxhue! E i qilshëm pak ktu ku... e qilshëm me hi në bunker. Ish nȋ [1] dru i madh, e e ngrehshim, nȋ [1] thes aty ja ngjitshëm që mos me u diktue. M’mal! Kemi nejt na tri [3] vjet n’mal. Shpia jonë se tjert jo, tjert u dorzun. E tani kur u dorzue shumica, i çuen n’Bonatë. Atje tremijë [3000] vetë n’Bonatë i kanë vra. I vranë atje shkiket, e i patën çue për Bonatë. E na at’herë jemi kânë n’bunkera. 

IB: Domethânë keni nejt edhe n’Drenicë, edhe...?

HB: Po. Ma s’shumti n’Drenicë kemi nejt, a n’Shalë ma pak. Dalshëm tri-katër [3-4] ditë, na fshijke atje ofanziva e madhe, dalshëm n’kit anë. 

IB: E cili... gjatë qasaj kohe cili u kânë rasti ma i rânë që e ke përjetu?

HB: Unë jom kânë i plagosun n’Drenicë. Ma e ron’ se kur jom shku për Kotorr e Radishevë atje, i plagosun n’kamë edhe t’u ecë... une nuk di ku ka me shku! Po, a e nijsha? Jo, se zori ish ma i madh. Ai... tha, ‘Leprit ja hanke vesht breshka, e po i thotë ‘ruju se po t’i hâ vesht”, “Hej, qyre orrli!”, tha, “Me livritë”, tha, “unë, ky nuk mundet t’i ha vesht, po m’myt krejt orrli...!”. E na e kishim orrlin m’i kry, u dufke me u rue edhe asaj. Hjekë kemi boll, ishalla Zoti... nuk na bjen mâ me pâ çka kemi pâ. 

IB: E qysh i marojshit at’herë planet për me luftu? Qysh e krijojshi atë strategjinë e luftës?

HB: Vallahi, n’fillim u kânë mirë, dikur i hini hilja. Si dojshëm me dalë pej ksaj ane n’atë anë, pej Shale nȋ raketë pej grupit tonë i qprazke taaak... na e dijshëm mirë, i dhajke shej që po kapërcejmë n’atë anë. 

IB: E pse ashtu?

HB: Tont shpiuna! Shpiuna tont! Qy, ‘pse ashtu’? Shpiuni jonë, se dymdhet’ mijë [12,000] vetë ti s’un i kontrollon. Ku, çka po bâhët, ku, çka ka aty... Ka pasë aty që jon’ kânë me shkije t’ziem deri n’skej. Se nuk jon’ kânë tânë ballista si na, po ka pasë komunista aty t’lârëm si vallahi t’kallke edhe tôkën! 

IB: A je taku ti vet najherë me Shaban Polluzhën?

HB: Po, qysh??? Bash dajë e kam pasë. Bash dajë. Une aty kam nejt.

IB: Çka man n’mend pej tij? Naj fjalë, a naj rast, a...

HB: Vallahi, maj n’men’ boll. Daja jem u kânë truprojë i tina, i Shabanit. E kemi nxanë n’Dezheniç, e kanë nxânë brigadën e Gilanit, Isuf Gilani u kânë. Ai e ka pre shtabin e vet, t’ushtrisë serbe krejt, edhe u dorzu n’këtë anë. Veç armt ja’u kanë marrë, asnjâ s’e kanë dëmtue. E qaj daja i jem që u kânë truproje e Shabanit, Rexhep Gjeli i Likoshanit, ai cilin e nxâke veç kish me e strelât. Shkâ, veç a ô shkâ! Vallahi, une e maj n’men’ qaty kur jemi shkue n’katunin Rezallë e Obri, sikur dujt’ e detelinës ka pasë t’vramë. Nxashëm edhe oficira t’gjâllë, shkâ. Na vetshin, “Çka po doni? A jeni kun’, a keni lidhje me dikan, nej shtet tjetër?”, “Jo valla, s’kem”, “Vallahi, veç keni me hupë badihava, se që s’keni dikan që ju përkrahë ju t’hupun jeni!”. Edhe qashtu na ndodhi se s’kem pasë. E tri [3] ditë a katër [4] pa u vra, kta e bon’ nȋ plan me shkue për Junân, po dikush i lajmroi. Bon’ forca, i prun topat... Vallahi, kur kon’ râ n’Tërstenik granatat, shpiave t’Shabanit, rrethin edhe n’përmjet e kish kput granata e topit! 

Me topa na kanë vra. Jon’ vra boll, jon’ dëmtue boll. Vallahi, popull ma azgin veç kush t’rren. Po, kur kish hilê aty, e kish ligsinë mrena, s’muj bô kurgjâ! T’kallxova, se ti kupton. Që kur donjshëm me dalë n’njô n’anë, ja pej Drenice ja knej, me raketë... veç e qprazke njâ që me i kallxue kah shkum, kah po shkojmë, kah e kanë lëvizjen. 

IB: E Shabani, çfarë njeri u kânë kshtu?

HB: Shabani u kânë komunist deri n’skej, po hini i mur’ krejt qita që ken durt e përgjakta, që ju thojshin, i mur’ n’brigadë t’vet. Tash met kunra Serbie, se Shabani u kânë komunist, po tani i përkrahi kta, i mur’ ngat veti. Dymdhet’ mijë [12] vetë jemi kânë n’fillim, kur e ka fillue luftën Shabani. Si t’ja nis’shin n’Gradicë, Krasmirofc, Beqiq, Likoshan, Qirez... ren’ anena deri n’Polluzhë, e tu k’ta Bezheniqt’ që i vranë. Isuf Gilani e ka vra shtabin e vet krejt, se u kânë shqiptarë, oficir, edhe i ka vra, e i qitën. Shkuen e i thanë Shabanit, tha, “Jon’ vra nȋ [1] brigadë!”, “Ani, çka bât’ me ta?”, thotë, “Qe, i kemi pru!”. Krejt t’armatosun. Veç ja’u mur’ armt. Ata shkije, e makedonë, e... “Shkoni pej shpie.”. E Isuf Gilani kur u nxanë ai e ka pranue ku u varrosë Shabani, ku u varrosë Mehmeti, kufomat e tyne, se i patën hupë. Atë e shtinë në nȋ vend nër do shelnje, nër rrmujë atje, Shabanin. Mehmetin e shtinë n’Glanasellë. E vorrosën natën, midis are. E kanë livru përmi nȋ [1] hekter aty ven’, me ja hupë gjurmt, mos me e ditë ku asht’. 

IB: Pse i merrshin ata?

HB: I marrshin mos me ditë që jon’ likfidue ata, se hupke morali khâ, n’popull.Si nijnë që jon’ vra ata, at’herë râ puna jonë...! Kush kah ka mujt. Dikush ka ikë anej, dikush anej, dikush u dorzue... A tremijë [3000] i kanë çue për Bonatë, ata që... bejagi që jon’ kânë kunra, edhe i çuen atje, atje i pushkatun krejt. I kanë shti në nȋ ndërtesë edhe i kanë vra tremijë [3000] vetë. 

IB: E çka thojke k’shtu Shaban Polluzha, ushtarve t’vet, qysh ju drejtojke juve?

HB: Jo, ai thojke, “Deri n’vdekje, se na pshtim nuk kem! Po, me ju dorzue shkâut kurrë, kurrë.”. Qaty, qat’ ditë që u vra Shabani edhe Mehmeti, une jom kânë. Shabanin po më dokët p’e shoh, nȋ kepë ish kânë kah e qiron, kah e han’, edhe i ka râ granata, ja ka kputë përmjetin. E plaku i jem u kânë në luftë i fortë. Pej kur ka fillue n’Novi Pazar, ven’ plaku i jem nuk kâ që s’e ka udh’heqë luftën. Se n’Bosne kanë bâ luftë t’madhe me myslimant, e tont pej ktuhit shkun atje me luftue, me i pshtue. Kur jon’ shkue, haxhia, plaku i jem, “I kishin lidhë”, tha, “dorë për dore”, tha, “ôkolla sâne, e me kallë sanën.”. Ajo sâna djegët kadal, e me ju kupë sytë n’zjerm. I kanë gjetë qashtu. I kanë pshtue. Shumë po e shoh n’filma çka bâjnë boshnjakt, Zoti na rujtë! I ka dekë djali Shabanit sivjet, katër [4] autobusa t’Bosnjës jon’ kânë n’vorrim t’djalit t’tij, se ‘na ka pshtu ky’.

IB: Tash po flasim për diçka tjetër. Kur je martu ti? Sa vjet i ke pasë kur je martu?

HB: Tetëmdhetë [18]. 

IB: A po na tregon qysh u kânë dasma? Qysh ndodhi miqasia, krejt kto?

HB: Vallahi, kur jom martu une at’herë u kânë luftë. Edhe qashtu u duft me shku e me marrë natën, se jo me bâ dasëm, ja diçka... po natën me marrë. Mos me ditë, 

se i marrshin femnat, e i çojshin... shkijet. Tash u tutshin që p’e marrin e për qata, se une i ri tetëmdhet’ [18] vjet me u martu. Po, e prunë, ‘ma mirë de t’qillon te burri i vet, se sa me shkue tjetër kah’. E ma vonë tani me tâ i kam pasë tre [3] djem. M’diqën t’tretë... edhe ajo. 

IB: Qysh diqën?

HB: Diqën pej exheli. U martova me tjetrën. Gjasht’ [6] djem i kam me tâ. Kam edhe t’dekun, po gjashtë [6] i kam t’gjallë. E vrau rêja. Tash u martova me tjetrën, qitâ që e kam. Nônmdhet’ [19] vjeçare, unë katërdhet’ e pesë [45] vjet. Me tâ i kam dymdhetë [12] t’gjâllë, me ktâ tash. 

IB: E qysh ndodhi me u martu... me grun’ e tretë me u martu? A po na tregon pak historinë?

HB: Me grun’ e tretë jom martu se ajo u kânë e fejume, edhe burri ju ka hallakatë pej menve, e kanë çue n’Nish, edhe u dekë n’Bardôvcë. Kur u dekë ai, tash ai s’ka pasë djalë tjetër me e kthye, po don’ me kthye për djalë t’vllait. Miku i jem, i ligë u kânë, tybe nuk u kânë azgin fijen, thotë, “Due me kthye për kit’ tjetrin djalë.”, t’vllaut tjetër. Thotë, “Qyre, që nuk gjaj shqiptar, shkâut kam me ja dhânë, a tybe qitâ nuk e baj.”. E qiti fjalën baballaku jem, u kânë haxhi. Lypke nȋ rob për mue, anej, e anej... e gjân’ qitâ që e kam sot. Vjen po i thotë haxhisë, “Ta kam gjetë nȋ rob. U kânë e fejume, burri i ka dekë, tjetër kanë s’ka. Tash, a je për me marrë?”. Ajo ish kôn’ shkatrrue me... t’vet ja qesin tri [3] martesa të sotit me ja kthye. Edhe e pranoj une, e ja kthej ato pare për tri [3] martesa. E mora. Kur e mora, “Jo, dojn’ me vra, jo knej, jo anej...’. Nja niqin’ [100] herë i kam nije që m’kanë vra me gojë, vallahi. Edhe nimdhet’ [11] thmi me tâ i kam t’gjallë. Pse? Arusha pej tupani nuk tutet! Na çka qet’ plumbi... tybe nuk kemi ditë kurrë familja e jonë. Zaten qata... Pej katragjyshit e deri sot, krejt pej shkâut jemi shku. Pse? Pse s’kem bâjt’! Ajo u kânë terror, po na s’e kem bâjt’. 

IB: Tash, ti nizet e tre [23] thmi, hajt kallxona qysh i ke rritë? Kadal, kadale...

HB: Vallahi, qysh i kam rritë... Se m’kanë marrë para tri [3] dite m’dokët RTK-ja, e ata e inçizun. E po më thotë, “Qysh e nien vetën? Qysh ke guxu me sudit vetën me i gjetë gjithë këta thmi?”, thashë, “Kurrë menjen s’e kam çue anej, se e kam ditë që i lumi Zot çka e falë, e qet n’këtë dyje edhe rriskun ja cakton. Pa rrisk nuk e falë kurrë kërkan”, thashë, “Edhe i kam gjetë.”. Mu m’ka vetë naqallniku, “Sa thmi i kie?”, thashë, “Nizet e tre [23].”, tha, “Çka ke dashtë?”, thashë, “Me përparu Kosovën! Sa i kie ti?”, tha, “Njâ”, thashë, “Asnjâ! Ja n’ujë, ja n’strujë, ja n’ndeshje, ty s’t’jet kurgjâ. Une me pollë me i hjekë dhetë [10], m’jesin dhetë [10].”. Pasha Zotin, u munojke me m’hangër me tesha veshë. 

IB: Nȋ [1] fmi e ki e... bile edhe shumë, shumë vonë. T’fundit, a po? T’fundin fmi e ki mas sa e sa vjete...

HB: At’... mas dymdhet’ [12] vjete që i kemi lânë thmin, ka lind’. Gabim u bâ, edhe shkova me e hjekë. Kur shkova me e hjekë, po më vetë ajo femna, shkinë, tha, “Kojshi”, shypen sikur unë dhe ti, “Qysh, për çka me e hjekë?”. Po i kallxoj, “Kam shumë...”, “Kuku për ty!”, tha, “Çka po dojke me bâ!”. Vallahi, qishtu m’ka thânë. “Une”, tha, “gjarpën me ma falë Zoti...”, se ajo s’kish gjetë kurrë, e ajo ish ardhë për thmi bejagi me gjetë, “Gjarpër me ma falë Zoti, unë s’e kisha bâ çka po dojke me bâ ti!”, mue. Edhe i kam thânë djalit, “Dheze kerrin.”. Jemi ardhë n’shpi. Sot ô ai. Tash me qatâ jom met’, po edhe ai po dô me m’ikë, me m’shkue n’Gjermani. E ka bâ vizën, e ka bâ lejen e punës, e krejt... veç pritet me thirrë. 

IB: Kah i ki fmitë e shpërndamë tash?

HB: Kah’mos. Pej Finlande, Norvegjie, Suedie, Danimarkë, e ren’ Germanisë, Austri, Francë, Zvicërr, Nju Jork, n’Amerikë. 

IB: Në krejt botën i paske fmitë!

HB: Krejt, krejt. 

IB: A e ki naj njô n’Kosovë, përveç këtij t’voglit?

HB: Jo. Ma i mrami qaj, edhe ai vonë lindi. 

IB: E n’Kosovë e ki veç qatâ?

HB: Jo valla, kam edhe tjerë. Edhe krejt i kanë japiat e veta. E kushtet i kanë t’mira. Pare kanë, me punu punojnë tânë, gajlen e tyne s’e kam. Vet pare kam boll... 

IB: Sa çika, sa djem i ki?

HB: Dhetë [10] djem i kam, e tet’ [8] vajza. Pesë [5] vajza i kam jashtë, tri [3] i kam ktu. 

IB: E gjatë kohës së Rankoviqit qysh keni kalu ju?

HB: Eii... n’kohën e Rankoviqit qito i kemi pasë. E dikush thotë, “Tita, sa u kânë Tita...”, edhe haxhia, plaku jem, ka thânë, “A e din edhe sa keni me pasë ju liri, populli shqiptarë? Sa t’ka frymën Tita. Qat ditë qȋ t’bjen Tita, des’, Kosova ka me kânë e hupne.”. Edhe qashtu ndodhi. Qashtu ndôdhi. Se e vetshin, “Çka u bâ qito sene që po bâhën?”, “Pej vêni”, tha, “po del kfjellt, po udhës po e trubullojnë ujt”, demek që tjert. Edhe Tita vêtën s’ka mujt me bâ zâ, se e kanë trubullue tjert. 

“Pej vêni”, tha, “po del kfjellt, po rrugës po trubullohet tu ardhë!”. 

IB: At’herë a keni knu me çiftelia e sharkia? 

HB: Po. 

IB: Qysh u mledhshit? Qysh i bajshit ato?

HB: Vallahi, ku timojke axhaku. At’herë nuk ka pasë me i met’ hatri dikujt që i erdhën dy [2], a tre [3], a pesë [5], a... ku timojke oda tân’ shkojshin, i madh, e i vogël. Ka bâ vaki e marrshin njerin që din me knu, pej akshâmit dej n’sabah, kurrë pa u nalë. Asnjo nuk u çojke me shku me fjetë. 

IB: Çfarë kângsh u knojshin at’here?

HB: Po, kângë patriotike. 

IB: Kujna ja knojshin ato kângë?

HB: Po, qishtu qytyne... çiftit t’Ukshin Kovaqicës, k’tina Bislim Bajgorës, Ahmet Selacit... qaso kângë qytyne t’mdhajve. 

IB: A t’kujtohet ty naj kângë që e kanë knu ata?

HB: Jo tybe, për kângë kurrë s’jom interesue. A për punë, une nâna e punës jom kânë. N’punë kam pasë marak, n’kâng kurrë. 

IB: E nëpër oda a keni lujtë edhe ksi lojna... me çorapa, e me kshtu?

HB: Me çorapa, me filxhana, me kapuça, me... turlifarë lojna ka pasë. Idhnim nuk ka pasë kurrë, kurrë s’ke mujt’, tetëmdhet’ [18] mashkuj na i kemi nrru me kojshi. Vallahi, sot s’muj e din që kem pasë t’keq mes veti. Jemi thy at’herë, jemi vra, jemi maru, mâ s’ka. 

IB: E kur pleqnojshe ti, a pleqnojshe me kanun, a me pleqni? Qysh e ke ni katragjyshi, e gjyshin, e...?

HB: Jo, vallahi. Te trijat duhet - ligin, kanunin, drejtësinë. Trijat duhet me i bâ edhe me pru tani ku vjen. Që nuk i merr pej triave, s’muj bon’ mirë kurrë. Pej triave duhet me marrë. 

IB: E gjatë kohës s’Titës e keni pasë ma mirë a?

HB: Titës a? Sa u kânë Tita na s’kemi pasë, familja jonë... une nî herë t’kallxova, as drejtë vote, as kurgjâ, familja jonë. Po n’përgjithësi, sa u kânë Tita rahatia u kânë e madhe. Shumë e ka rue popullin. Vallahi, as Ibrahim Rugova ma tepër nuk ka bâ drejtësi, po ja trubullojshin. E si hupi, qat ditë si u râ Tita, be bojke haxhia, plaku i jem, tha, “As nȋ [1] muj nuk ka me shkue, ka me hupë ky ren’.”, edhe qashtu ndodhi. Mâ zi e terr për neve...! 

IB: E qysh e ke përjetu luftën e fundit n’Kosovë?

HB: Qitâ a? Po’ kjo luftë nuk u kânë! Kjo u kânë pis’hane. Nuk kish çka u bon atyne, u hakmerrke n’rob, n’thmi, n’çorra, n’sakâta. 

IB: Qishtu s’u kânë përpara, n’lufta tjera?

HB: N’Luftën e Dytë Botnore kur kemi luftue, n’do kulla jon’ kânë partizant, n’do jon’ kânë ballistat, e çojke nȋ plak, “Ja hiqni robt pej shpie, ja dilni vet.”. 

N’rob nuk ka gjue. A ky, ky ka vra thmi, e grâ, ka vra çorra, sakâta... 

IB: Ku jeni kânë shpia e juj n’luftën e fundit? A keni nejt n’Kosovë?

HB: N’Kosovë jemi kânë, n’Drenicë. Pej Drenice tani... deri n’ofanzivën e dytë n’Drenicë, tani dulëm n’anë t’Shalës knena. Qat’ ditë që i kanë vra niqin’ e katërdhetë [140] n’Studime, qat’ ditë na jemi hi. Me tridhet’ e tetë [38] anëtarë une jom kânë, po jemi hi herët, se une luftat i kam përjetue - n’sabah kush i bje’ frontit vriten, edhe n’mramje çka jesin qata e hanë. E aty pej mramjes ja nisi ren’, n’kôn zateti, gra, e fëmijë, e krejt i vrau. E unë... herët jemi hjekë, se unë e disha taktikën e luftës qysh shkon . 

HB: Paj, vallahi boll po m’dokët. Ja qikaq, ja hiç! 

IB: Ani pra, n’kofshe lodhë. Faleminderit shumë për intervistën. 

HB: Ishalla mirë kaloni. Ishalla mirë bâhët. 

IB: Faleminderit shumë.