Igballe Mullashabani - Hoxha

Intervistuar nga: Iliriana Blakaj

Po ke hekë tanaj ajo, mo u hekë, veç n’fillim vshtirë u konë. Kush u konë tregarë, kush u konë pasunik valla kanë vujtë

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

27.05.2018

Lokacioni i intervistës

Gjakovë

Vendi i lindjës

Gjakovë

Tranksriptimi

IB: Sot, është data njëzet e shtatë maj dymijë e tetëmbëdhjetë [27.05.2018], dhe n’kuadër t’projektit “100 Pleq e Plaka” do të intervistojmë zonjën Igballe Mullashabani - Hoxha, e cila është 81 vjeçare dhe vjen nga Gjakova. 

IH: Une emnin e kom Igball’. Te burri Hoxha e te bâba Mullashabani jimi thirrë përpara. Po mas luftës, Mullashabani, u konë si... Dogri mas Luftës Dytë Botënore, k’ta, komunizmi, thanë me i hjekë k’to Mulla se s’ju pëlqejke. E ndrrun. Tani e kemi pas bo Shala. Po Mullashabani. Qashtu edhe na njohin. Une edhe kur t’des kanë me ma shkru Igballe Mullashabani-Hoxha. E Mullashabani e kom t’shkrune edhe aty. Igball’ Hasan, bâba, Mullashabani. 

IB: N’cilin vit keni lind’?

IH: Më gjashtëmdhetë shkurt njimijë e nonqind e tridhetë e shtatë [16.02.1937], n’Gjakovë qitu.

IB: Çfarë kujtimesh keni për fmininë e juj, si çikë, si vajzë e re? Qysh ka qenë at’herë Gjakova?

IH: Gjakova u konë si krejt bota, pak ma mrapa. Na jimi konë edhe ma mrapa, se Kosova u konë gjithë e okupume pȋj dikuj’. Ja Serbia, Turika... edhe na ma mrapa jimi konë. Po kemi pasë edhe at’herë. Axha i jêm u konë... ka studiju n’Itali, mo k’tu s’ka guxu m’u kthy. U kthy n’Shipni ka dhânë msim n’Normale t’Elbasanit, masanej mas Normales së Elbasanit n’Tiranë. Edhe u dekë aty. Profesor u konë. Fakulltetin n’Millano. Kemi pasë gjin’ edhe at’herë. T’shkollum nuk jimi konë. Gjakova u konë mrapa. E për k’tâ me ta tregu, bâbën tem e kom pasë tregtar. Edhe ai ka pasë njoftsi me jahudi se ka ble mall, ka bo tregti, ka ble mall e ka shitë, e qishtu. Edhe qysh e ka ngjoftë qat jahudinë që e kemi majtë n’shpi... gjashtë [6] mu’j kanë nêjt burrë e gru edhe ni [1] djalë i ri, ȋzet [20] vjeç nashta, po nuk u konë djali i tyne. Ja, u konë djali i motrës t’ktij burrit, se ata burrë e gru jônë konë, ose i grusë, po qi’ diqysh jônë ikë qashtu. 

IB: N’cilin vit kjo ka qenë, a t’kujtohet?

IH: Valla s’di me thonë! Nashta n’katërt e treshin [43], noshta... Bash e sigurtë s’jom se jom konë e re. Gjashtë [6] mu’j kanë nêjt fshehun te na. Ata rrishin, ditën mo nuk delshin, se i kemi pasë edhe dy [2] axhë, rrnojshin n’bashksi, vishin mysafirë t’atij axhës t’bâbës jême. Ata nuk dilshin, nêlt, e kemi pasë shpinë n’dy [2] kat. Ai profesori bile edhe e ka fotografu, u konë e ka kshyrë shpinë e krejt, qaj i Amerikës. Natën dilshin. Ku ta mshelshim derën, dilshin e shetitshin. Sigurisht me hecë nëpër oborr, oborri i madh u konë. Mas gjashtë [6] muje... tash a rrafsh gjashtë [6] mu’j, a pak pa i mush’, a masi jônë mushë, a... gjashtë mu’j, qashtu dishka. Kryetari i Gjakovës u konë Bekim Maloku, ai u konë me gjermanë. Me bâbën jêm jônë konë kojshi me shpia, edhe jônë konë shokë t’fëminisë, edhe ai ja ka çu ni [1] njiri bâbës, i ka thanë, “Meniheri heki musafirt që i ki n’shpi, meniheri heki.”. Edhe at’herë, meniheri, âxha ma i madh, ai u merrke edhe me bujqësi se edhe ka pasë dugojë, po edhe me bujqësi u merrshin, ai i ka veshë ata. E veshën atë grun’ me dȋmi, e veshën me tesha ksi, popullore, qylahȋn, e i murrë i çoi ai n’Bajë t’Malishevës. Tani p’ej Bajës t’Malishevës qysh jônë dalë ata n’Shqipni une nuk e di, jam konë e re, pesë, gjashtë [5,6] vjeçe jam konë. Po kshtu si figura m’kujtohen se m’merrke bâba, ku tu mshelke dera, m’merrke, hypshim n’sobë ku rrishin ata, rrike me ta, se bâba jêm, ai tjetër gjuhë s’ka ditë, veç serbishten, e sigurisht ata folshin serbisht. K’ta t’Shkupit, a t’kahit jônë konë s’e di. E di pjekshin ârra, se u konë dimri, ârrat me lëvore i vnojshin përmi shporet me dru, se me dru u nxejshim at’here, pak i pjekshin, e shumë m’ȋ kojke e m’ȋ jepshin mu si fmi. Ai burri u konë pak si zharran, a e di, pȋj lijës zahêr, a shka po di une... I hekëm. Kur bomë me râ na, na erdhën kontrolla që na... kushedi qysh u ka râ asi e kanë tregu. Gjithkun ka ksi hafi. Hallakatën. Neve s’na kanë bo gjo. Ajo, nona e jeme, m’majke qishtu, a e di, si fmi. E hallakatën krejt shpinë, me âhra me... se kemi pasë se çdo shpi majke lopë se s’ki pasë me ble si qitash që ki. Nuk gjetën kurgjo, shkun’. Kurgjo s’na kanë bo. Ja. Veç me kontrollu kanë kontrollu mo... Na pshtoi, domethonë, qaj që punojke me gjermanë, që u konë kryetarë. Domethonë krejt shqiptarët s’jônë konë kundër jahudive, s’kanë pasë gjâ kundra, se ai kish mujtë mos me çu njeri. Ishin ardhë edhe ata i kishin zânë, edhe bâbën tem e kishin mytë a shka p’e di une shka i kishin bo, e kishin marrë, a...! Pȋj atyhit... Po, njoni axhë ke shku n’Shqipni, ikëm na, mos ôshtë ma mirë. Une luftën, n’Shqipni e kom përjetue masnêj luftën. Ai, njoni axhë, met’ aty, na u kthym me nonën. Bâba nêjti ktu, tha, “Shkoni ju.”. I kȋmi pasë... Edhe u tutshim që po metë nër Serbi Kosova, serbët shka po na bojnë. Klasën e parë aty e kom fillue n’Tiranë, e jȋmi kthy, e ai âxha u metë. Âxha u kthy n’pest e nonshin [59]. U kthy âxha se s’e ka marrë nënshtetsinë. U kthy. E kur u kthy ju pat kallzu, tha, “Ata kanë pshtu”, tha, “se erdh ai djali i ri”, a u bo pilot, a u konë kështu stjuastist, a shka ka punu s’di, ja kish pas pru ni [1] peshkesh t’vogël, se e kish pas marrë vesh qi’ jimi dalë edhe na n’Shqipni, gjysa e familjes. Domethânë ata kishin pas pshtu. Po emnat s’ja’u dimë.Tash jônëdekë. Bâba u dekë. Dogri mas luftës bâbën têm e kanë njekë si tregtarë edhe ai u ikë. Tri [3] vjet as s’u paraqitë. Dogri u ikë se lypshin... Na murrën pasuninë shka patëm krejt, po lypshin apêt. Iki. Ish kôn shkue n’Shkup, pȋj Shkupit n’Zagreb, pȋj Zagrebit n’Sarajevë. Aty kadaldale ka gjetë punë edhe tri [3] vjet nuk u lajmru. Qashtu tinëz e ka çu e ka marrë nonën. Mas ni [1] viti une jum shku. U punësu aty, dêj pension ka rrnu aty. Tana u kthym n’qat shpinë, qaty bash ku jônë konë edhe jahuditë. Ê qështu. 

IB: Domethânë ju paskët jetu edhe pak n’Shipni?

IH: Po pak. 

IB: Sa vjet?

IH: Jimi shku para luftës, e ni [1] vjet qishtu. 

IB: Çka t’kujtohet? Qysh t’u ka dokë Shqipnia n’atë kohë? Ti paske shku edhe n’klasë t’parë?

IH: Po, n’klasë t’parë. Nuk di najsan. N’fund t’vitit... Na jȋmi kthy n’pranverë, nja ni [1] mu’j pa maru viti [klasa e parë], tani kom vazhdu k’tu. 

IB: Qysh ka qenë masi jeni kty prej Tiranës ktu? Je shku n’shkollë mesiguri.

IH: K’tu u konë si me komunizëm! Mas... Komunizmi e ka pasë, n’fillim u konë shtirë shumë, ma vonë tani Tita e ka pa zbutë pak se ja nisi me u kapë me perëndim e me anej. Qashtu u konë ai ma pshtellan, ka ditë ma m’u gjetë. E n’fillim shtirë u konë, shtirë u konë. Gjakova u konë zonë kufitare. Me leje u dufke me hi n’Gjakovë edhe me dalë, dogri masi jônë hi komunistat. Zonë u konë kjo, i thojshin, “zonë kufitare”. Dêj n’Pejë vishim me tren pȋj Sarajevës. Po ke hekë tanaj ajo, mo u hekë, veç n’fillim vshtirë u konë. Kush u konë tregarë, kush u konë pasunik valla kanë vujtë, i kanë malltretu shumë. Ai bâba jêm thojke, “Shka kemi pasë me bo tjetër sen, nuk u konë komunizëm përpara, s’kemi mujtë na, dishka u duftë me punu për me jetu. M’ka hecë tregtia kom bo...”, po i njekshin shumë. 

IB: N’cilën periudhë ju erdh’ ai njoftimi juve për me ndryshu mbiemrin? Qysh ka rrjedhë qajo situatë?

IH: Qajo situatë... Mas shlirimit fenë dojshin ata, fenë... me largu fenë. Ma t’mirin san’ komunizmi që e ka pasë, ni [1] san’ t’mirë, e ka pasë qatâ. Qito fé, ton’ qito lufta n’botë që po bohën, po bohën pȋj feve. Mos me pasë konë fetë, coll Zoti nelt m’u kon’, nuk kish pasë lufta. Qe une po t’kallzoj, jom plakë, nashta s’vlejnë këto punë, veç... do i kemi hekë do, mbiemnat, me shka u lidhë, se mun’ m’u konë nifarë titulli i hoxhallíkit, se babgjyshin e kom pasë hoxhë, bâbën e babgjyshit e ton’, a e din, krejt familja e k’ta e hekën, e Shala se fisi Shaljon u konë. 

IB: E n’atë kohë në Gjakovë çfarë feje ka mbizotru ma shumë se m’dokët se edhe me shehun kanë qenë plot?

IH: N’Gjakovë ka pasë bektashi, dervish nuk i di, ato dikate jônë, disa hoxhallarë. Po na n’Gjakovë, qe kunata e jeme, qe qitu e shpisë, se tre vllazun jônë konë, burri i jêm e kunata u konë bektashi. I vllai i qasaj kunatës, u dekë, kunati, kunata fmijë s’kanë pasë, jônë dekë. I vllai i qasaj kunatës qitu që kemi rrnu bashkë, ôshtë krytarë i bektashive k’tu, Memin Plama. Ai është, tash s’di qysh i thojnë ata, se une nuk jam bektashi, ô kryetar, ma i madhi për Kosovë ô. Po, na s’kemi kqyrë a është hoxhë, a është familje hoxhallarë, a shehlerë, nuk kimi pasë ndamje. 

IB: Domethânë s’kanë ekzistu qato ndamje, s’e keni kqyrë?

IH: Jo, jo. Jȋmi martu... Edhe katolikë ka pasë. Edhe me katolikë nuk jimi shku keq, qyteti. Bâba i jêm shok ma t’ngushtë e ka pasë Engjull... thojke, “Engjull Mazrekun”. Une dy [2] fmitë e tij i kom pasë n’klasë, Angjelina edhe Loni, jom konë me ni[1] klasë me ta n’fillore. Atyne ju kanë mytë bâbën si jônë hi komunistat. E përmenke bâba jem, e thojshna, “E pse e kanë mytë, bâbë?”, jam konë e vogël, tatë i thojshna, “Pse tatë e kanë mytë Engjëllin?”, “Pse u konë shqiptarë!”, thojke bâba, “Vetëm pse u konë shqiptarë!”. Domethânë s’kemi pasë ashtu fort ndasi.

IB: A ka pasë ndoshta ma shumë autoritet hoxha a shehu n’Gjakovë? Qysh po menon ti?

IH: Vallahi, s’e di shka me t’thonë. Qe, une halâ sot, qe Valbona munët me t’kallxu, ku t’udhtojnë larg n’Shqipni ja dikun, une boj ne zâ për udhtim te shehlertë, e hoxhallar jam pȋj bâbës e pȋj burrit, po une nuk i lshoj k’ta pa shku m’i vizitu ata. Veç se n’atë... S’po di shka me t’thânë. 

IB: Qysh kanë reagu njerzit kur komunizmi e sforcoi që me u largu feja, a kish njerz kundër?

IH: Po. Ka pasë kundër, po kush guxojke me u deklaru se?! (Qesh) Ka pasë, po s’ka pasë mundësi me u deklaru. U konë rezhim i ashpër. Qito fetë tashti ma ndasi kanë se kur u konë komunizmi. Edhe sot, vallahi, shehlerë e hoxhallarë... Po qita hoxhallarë t’ri, qita me pantoll t’shkurtë e me mjekrra, si dreqi, se kur t’jônë hoxhallarë t’moqëm se asi nuk kanë pasë.

IB: Çka tjetër ka pru komunizmi që për qytetarë u konë ma shtirë me përballu, a u konë i vështirë si sistem për juve?

IH: U konë i vështirë, qysh s’u konë! Ma s’pari n’katërdhet’ e shtatshin jônë dekë gjint rrugës. Jônë dekë për bukë, se vike e ta marrke krejt yshqimin n’shpi, miellin e magjës e krejt. 

IB: Gjatë kohës t’Rankoviqit kjo p’i bjen?

IH: Mas shlirimit dogri, dêj Rankoviqi që u hekë. Tani ju merrshin katunarve krejt, metshin pa bukë. Ma shtirë mo...! Qysh me asi. Ja qitshin, i thojshin otkuh, ajo si tatim a s’po di shka m’i thonë, “Qikaq grunë”, po ai... s’i qitke toka qaq grunë se s’u konë traktora, se ata me pllug e kanë punu, “Qikaq grunë, qikaq tokë ki...”. P’ȋ zô nimijë [1000] kilogram grunë me i pru, ai nimijë [1000] kilogram nuk ja qitke. U duhke ja me i çu, ja n’burg i shtishin. Hajt, u duhke me bo qâre, ja me ble najkun, a... S’ka pasë qâre. Gjint i kanë dekë n’shpi për bukë! Shumë u konë shtirë, mizerje.

IB: E mas kohës së Rankoviqit?

IH: Ja, masnej u rregullu. Jo, u rregullu masnej se Tita u kap... jo, u bo me sferstan, i thojshin. U kap me botën arabe. Shkojke e i grryjke ata sa t’mujke. E nreqi, e nreqi situatën. U konë qashtu. E jo at’herë, at’herë munet me thonë njeri u konë shumë ma mirë. Si u hekë Rankoviqi ma mirë u konë, po politikën mos m’ju prishë serbve. Masanej, kur erdh Millosheviqi e ktheu apet n’ato t’Rankoviqit, e t’i mur’ t’drejtat, e t’i msheli shkollat, atâ e dinë tânë. Ni [1] periudhë u konë mirë, nuk u konë keq. Tash jo mirë, po edhe keq nuk munet me thonë. Po kur erdh ky Millosheviqi, apet e keqsoi gjendjen.

IB: Ju jeni shku n’shkollë, shkollë fillore. T’mesme a keni vazhdu?

IH: Ja, ja, soll fillorën se shkova edhe une n’Sarajevë, te prȋnt. Kur jom konë une, u konë gjysmatura, i thojshin. Shtatë [7] vjet. Katër [4] fillore, tri [3] tana, edhe jônë konë edhe katër [4] vjet gjimnaz edhe e merrshe maturën. E une n’klasën e shtatë [7] jom shku n’Sarajevë. Kur shkova... Na n’Gjakovë s’kemi folë as tyrqe, as serbisht, na veç shqip kemi folë gjithmonë e jetë. Edhe n’kohë t’Turkisë, edhe s’kemi pranu me folë tjetër! E une s’dishna asni fjêl’. Mujta me shku n’shkollë. M’vike marre me dalë përjâshta, dej kur nisa me msu pak me folë sërbisht. Ku me shku n’shkollë?, thojshna, m’qinojnë. Qashtu bona gabim. Edhe me m’pas qinu, po meta pa shkollë. Sha me bo...? Me fillore meta, sa me lexu qishtu.

IB: Sa vjet keni nêjt n’Sarajevë?

IH: Une gjasht’ [6] vjet. Mas gjasht’ [6] vjeti jom kthy se jom martu. E prȋnt dej n’pension m’kanë nêjt. Dej kur kanë dalë n’pension. Kur jônë dalë në pension tanaj erdhën amo nuk i ngucshin tregtart. Mo edhe s’ju met gjo, sha me ngucë mo!?

IB: Qysh ju kujtohet juve koha n’Sarajevë? Çfarë kujtimesh keni diçka që ju kujtohet, që ju ka lânë mbresa?

IH: Valla, u konë qytet i pastër, ma i pastër se... Na... Bâba u konë... K’shtu, na jȋmi konë edhe n’Dubrovnik n’pushim, edhe n’Zagreb. I kom fotografitë bile n’Beograd. Ma i pastri u konë Sarajeva. Edhe Zagrebi, viç ma pastër se Zagrebi u konë. Beogradi u konë ma pisllëk, u konë ma katunarllëk. Ai ndërtokë ma shumë se kërkush, po u konë qytet i pastër. Ngat Gjakovës - mirë shumë. Po une gjithë jom konë shiptare, s’kom mujtë. Qe motra, atje m’ka metë. Ôshtë... Motra ôshtë n’Sarajevë, ôshtë. U martu atje, i ka pasë dy [2] çika. Njona ka bo ndeshje, tridhjetë e dy [32] vjeçe i ka dekë, njonën e kâ, qitash për qitash ôshtë n’Bruksel, ôshtë ambasadore e Bosnës. Mandati i dytë [2] bile. Se ajo ka studiu Letërsinë Botnore, masnej u konë katër [4] vjet n’Zagreb, n’Londër u konë ambasadore katër [4] vjet, u konë n’Hagë katër [4] vjet, u konë... qe s’po m’binë nërmen’. Qitash është n’Bruksel. Qitash atje është, Miranda Sidra. Sidra - emrin e bâbës. Bâbën e vet e ka pasë shkrimtar, Avdullah Sidra.

IB: E kur shkut’ n’Sarajevë, përveç pastërtisë atje që ju ka lânë përshtypje, qyteti i bukur, shoqnija a ju ka dokë ndryshe prej asaj n’Gjakovë? Naj strukturë shoqnore a ka ekzistu ma e ndryshme ose naj traditë? Çka keni mujtë me vrejtë?

IH: Po, pak ma ndryshi se te na. U konë pak ma ndryshe, po ata muslimanë, apet përngjajke, a e di, n’disa sene. Po jo si na. Na kemi kulturën tonë. Shqiptarët e kanë kulturën e vet, nuk barazohet me kërkon bash ashtu, a e di, nuk është kulturë... E jona ȋsht’... e posaqme ôshtë e jona. 

IB: Me çka jeni marrë ato gjasht’ [6] vjet?

IH: Kurgjo.

IB: Ose familja e ju’j... nâna, bâba?

IH: Bâba punojke, nona jo. Une jom kon’ pas parapagu... Jeta e Re, dilke ni [1] fletushkë Jeta e Re edhe Flaka e Vllaznimit, ajo u konë n’Shkup dilke, kjo Jeta e Re u konë e Kosovës. I kom pas parapagu. M’i bishin, posta m’i bike, e i lexojsha qashtu. 

IB: Çka përfshijke ajo revistë, si fletushkë?

IH: Po edhe i kom harru senet. Kjo gazetë u konë, ngjarje t’përditshme qishtu. Ajo Jeta e Re shkrujke, nej... si libër i hollë u konë. 

IB: Qysh jeni njoftu me burrin e ju’j?

IH: Vallahi, me burrin tem une me u njoftu jemi njoftu se e ka pasë shok kunatin e madh, e ka pasë bâba shok. E burri bash ushtar u konë n’Sarajevë. Edhe teshat... Se i kthejshin n’shpi teshat, se kur shkojshin ushtarë që kur t’kthehen u duhke m’i ju çu se s’kishin, e ai i ka pas lânë te na. Bilȋ teshat, kur u lshu pȋj ushtrisë, i pat teshat aty. Po s’kemi pasë dashni, a najsan, jo, po me pëlqim t’prȋnve, hajt. Une s’ju kom prishë prȋnve, qishtu. Po, u konë i mirë, u konë shumë njeri i mirë.

IB: Mandej erdhët prapë n’Gjakovë, bashkë me tô, a po?

IH: Po. Jo, jo. Jônë ardhë m’kanë marrë. Si nuse mo...

IB: Qysh ka qenë dasma? A mundeni pak me na tregu disa detaje?

IH: Darsma u konë me burra veç, e gratë veç. Qat’heri u konë, para... qitash i mushi gjashtëdhetë e dy [62] vjet që jom martu, n’korrik. Darsëm... grâ kanë pasë shumë, qitu nër kojshi, burra... Jônë ardhë me m’marrë burra, grâ. Lshohet shpi, qashtu bojnë, kojshia ta lshojnë shpinë për burra, gratë aty. Qashtu.

IB: Sa fëmijë i keni?

IH: Katër [4] - dy [2] djem e dy [2] çika. Çikën e madhe e kom stomatolloge, punon n’Prishtinë. Rrnon edhe punon halâ. Është... Specjaliste ô për fmi. Djali i madh arqitekturën e ka kry n’Sarajevë, se halâ s’u konë n’Prishtinë. Fmija i tretë, çikë është, e ka kry ndërtimtarijen n’Prishtinë, ajo halâ punon si inxhinjere e ndërtimtarisë. Edhe Bujari, ma i vogli, elektro-teknikën, punon n’postë. Katër [4] fëmijë, katër [4] jônë shku n’fakulltet, katër [4] jônë kthy, t’katër jônë konë t’shkëlqyshëm edhe n’fillore, n’gjimnaz. E kjo Vera, çika, fmija i tretë, e ka pasë bursën “Fondi i Titos” i thojshin, se s’ka pasë as í [1] katshe [katërshe], pȋj klasës parë fillore dej maturën që e ka marrë, nuk ka pasë as í katshe. E ata fëmijë që e merrshin maturën pa as í [1] katshe, u konë fondi i Titos, ju jepke stependinë. E ka pasë stependinë Fondi i Titos, i thojshin. K’ta qjer’t kanë pasë stependinë ton’, po jo...

IB: Po kom qef me u nalë te arti dhe kultura n’Gjakovën e at’herëshme, te muzika. A keni shku, ndoshta, n’teatër, a keni pâ muzikë? Qysh ka qenë shoqëria? A keni pasë naj shoqëri artistike?

IH: E shoqni ka pasë, po burrat kanë bo... burrat kanë bo dêjre, femnat veç pȋj s’lergti kanë ngu n’atë kohë. Po apet Gjakova e pâra... Banketet e k’to kërkush n’Kosovë s’ka bo burra e grâ, kur ja ka fillu Gjakova. E para ja ka fillu. 

IB: Çka po mendoni që ka ndryshu që ja kanë nisë banketet m’u bo bashkë me burra dhe grâ n’Gjakovë? A e kuptun njerzit që është ma mirë bashkë apo...?

IH: Po, po. Pranun t’rijtë, e masnej edhe t’vjetrit nisën m’u msu se s’kishin sha me bo, jo. Shkojshin me pritë Vitt’Ri e n’darsma, tani darsmat u boshin k’shtu burra e grâ, bankete... U konë shoqnija “Hajdar Dushi”, moti, e bojshin muzikë, Ismet Peja me muzikë, burra e grâ. Tani kur e kom martu djalin e madh u konë burra e grâ. Jo, jônë kon’ hjekë ato zakone. E nëpër Kosovë nuk jônë konë t’hekne, ato ma vonë jônë pranu. Para Pejës, para Prizrenit, para Prishtinës - Gjakova!

IB: E pse a thu? Pse n’Gjakovë filloi ky ndryshim ma shpejtë se n’qytetet tjera?

IH: Ma shpejtë. Po n’fillim n’Gjakovë. Jônë konë gjakovsit ma t’shkollum. Ma t’shkollumt jônë konë gjakovsit. Ma ngat Shqipnie, a s’e di! Qe daja i jêm u konë i vjetër, ai u dekë, e shkollën e mesme n’Shqipni e ka kry. Shkojshin e kalojshin kufinin e u shkolloshin. Ky Fadil Hoxha, se kusheri burri i jem bâbën e Fadilit, bash djali i axhës i ka pasë bâbat vllazun, edhe ai shkollën n’Shqipni e ka kry, shkollën. Kufini ma i afërt. Dilshin e u shkolloshin e at’herë kur tu shkolloshin... Veç ta kallxoj familjen, ni [1] fotografi {tregon fotografinë e familjes}. Qe n’katërt e dyshin [‘42] është kjo, qe familja katërt e dyshin [‘42]. Qe çikat e axhës, qe une, qe çika e axhës, qe katër [4]djemt e axhës. K’to t’veshun... nona e bâbës... k’to gratë veshun allaturka. Kjo është gruja e qiti axhës që u konë profesor. Kjo me sheshir u veshë ku dilke, me sheshir e me... po du me thânë n’katërt e dyshin [‘42], qyre veshën, qi’ rrallë... [ka pasë veshje të tilla].

IB: Po ndalmi te veshja. Po thuni që kanë dalë edhe me sheshira, ma moderne, a po?

IH: Ja, kjo miss u konë, kjo gruja e axhës, qyky âxha profesor që u konë n’Shqipni. Masneni ja nisën me ardhë, n’katërt e dyshin [‘42], se n’fillim ai s’ka guxu me ardhë këtu me dhânë msim, a me bo... se i njekshin serbt k’ta me shkollë. Po ajo u konë... pȋj Korçës u konë. Ajo atje n’Tiranë dilke me sheshir. Po k’tu u veshë n’pushim, n’Gjakovë e kanë veshë me tesha. 

IB: A i kanë veshë at’herë non-stop gratë k’to veshjet tradicionale n’Gjakovë, a veç për naj rast t’veçantë?

IH: Jo, për raste. Po darsmat k’shtu jônë bo, me veshë kombëtare. Kur u konë nona e jeme... K’tâ (fotografinë), ai profesori, qaj i Amerikës që u konë, m’fotografoi edhe ma ka çu ai, pȋj atjehit ma ka çu. K’tu nona e jême, babâi jêm edhe une. Po, tash... Qe, kqyre veshën. Une si fmi, n’katërt e dyshin [‘42], si fëmijë. Tybe edhe n’Europë nryshi s’jônë veshë fmija. E tash... U konë gjithkun ma mrapa. A po t’dokët qashtu, a mu po m’dokët?

IB: Jo, jo. Qashtu është. Edhe shumë foto e bukur. Edhe nânën e paskët pasë shumë t’bukur. 

IH: Ô nânën e kum pasë ma t’bukur se une, une s’jam si nona hiç. Nânën e kum pasë t’familjes së mirë, edhe u konë e bukur fort. Bile, zotni Sadria kur u kon’ ardhë s’pari, bâba i Valbonës, erdh nona, pe hin n’sobë, ai po thotë, “Tezja Igball, a është taman nona e jote a...”, demek njerkë (qesh). Thashë, “Jo, bash nona e jeme ôshtë.”. Edhe nuk është këtu sa u konë e bukur. E mirë u konë shumë. 

IB: Gjatë luftës s’fundit ku keni qenë?

IH: Gjatë luftës së fundit une kom nêjt k’tu, n’shpi. E kom pasë edhe ni [1] kunatë plakë, n’shtator m’ka dekë, nondhetë e tetë [98] vjeç e gjysë u dekë. E tash ikin, shkun’ për Shipni. U gzova k’ta që dulën. “Hajde”, thashë, “Jo, une me nêj n’shpi.”, “Po t’mysin!”, thashë, “Në m’mytshin le të m’mysin.”. Edhe sa jônë konë k’ta s’kanë guxu me dalë, une jam dalë. Joni u konë i vogël, pike tomël. Pat ble Bujari, po ato... ju kaloi afati. E shkojshna, rrishna n’rresht. Jônë konë dy [2] vetshërbima që punojshin ka dy-tre [2-3] sahat, edhe nuk na jepshin tomël. Niherë í [1] magjupës i thashë, “Sall dy [2] litra tomël, pȋ t’i japi paret ma shumë viç dy [2] litra tomël se e kom ni [1] fmi.”. Qajo magjupja, “Po”, tha, “veç mos t’shohin.”. U bashim rresht, dilshim qisi plaka ma t’vjetra ma... rrishim, pritshim, pritshim. Dilke me ni [1] dajak t’madh. Ai serbi na qitke, “Hajde dilni n’këtë anë!”, tash yyyy, ata rrrrr, qysh u boshin për me zânë venin. N’Gjakovë e kemi pasë na fort fshtirë, s’na jepshin yshqim. Hajde hishe n’atë vetshërbim, t’vike reni, kur t’vike - sheqera t’jepshin! Se i thejshin magazinat private e ju merrshin sheqer, sheqer edhe tlynë t’mirë, gjalpë has. Nuk e hajshin serbt se ata shitshin me marrë pare, tlyn t’mirë. Sa herë vishna... Sheqera kanë hangër n’luftë! Bile dishka merrshna m’ju pru ktyne fmive. Se edhe qikjo çika me burrin e me thmitë ke ardhë ktu, se atje u bojke lufta, n’Qabrat, ma shumë. E shka t’ëm jepshin... Millë nuk na jepshin, vaj jo, po t’jepshin ksi tlynë, tlynë t’mirë merrshna. Aj, ynyrë, mujshe me bo, e di... gjithshka. Ai kush e ka tensionin e qitash s’i bon mirë, po ajo lufta... dej tensioni ke hupë se s’kish tension, s’u ankoke kush se zahêr yshqimi mongi, se zarzavate as sen t’Zotit. Viç kemi pasë rrymë, e kom pasë frizhiderin. Jom kon’ përgatitë se kallabëllëk. E dishna se motra m’thojke, “Lufta...”, se n’ Sarajevë ajo e ka përjetu, “Kuku shka është e fshtirë lufta. Ikni!”,  thojke, “Ikni mos rrini! Pa nisë lufta ikni!”. Po na s’ikim, e kta ken’ ikë. E kom pasë rezerva oriz shumë, pasul kom pas bo. Mujshe me bo bashqe. Qaty e kum pas mjellë pak kepë, e mujshe pasul thatë me bo me tlynë. Tlynë i thojmë na qati tlynë, ynyrë, gjalp. E ai yshqim ish. Nuk kemi hekë na qitu, shpia jonë. Do kanë hekë vallai se nuk jônë konë t’përgaditun, e nuk na japshin as millë as sen neve s’na jepshin, shpitarve. As tomël, as...

IB: E pse vendosët ju me nêjt n’shpi?

IH: Mu a?

IB: Po. 

IH: Ku di... S’mujta me lshu shpinë, s’mujta. 

IB: A nuk u friksove hiç?

IH: Kur ish lufta e madhe s’po dike njeri me u friksu as... Bile ktyne djemve ju thojshna, “Kqyr se kur t’hinë”, derën e mshelshmi me dajâka, “kur t’cakâsin, une dal. Dêj sa t’dal...”, i kemi pas çelë zidat, kojshi’m’kojshi, me dalë njeri dilke n’mahallë qjetër, qashtu i kemi pas çelë n’Gjakovë zidat, si i thejshim, dilshim. K’ta ikshin kah s’ish mo, që s’kish luftë. Thojshna që, “Me bo me ju vrâ najnjonin”, tjetrit i thojshna, “ti mos e kthe krytë - me pshtu s’munësh, dikush pshtoni bile! Mos mujshëm me pshtu ton’, dikush pshtoni.”. E fshtirë nona me i thânë fmisë, “Qyre edhe ne mytshin ktâ, ti veç ik, leje.”. Është fshtirë, po ajo lufta po t’bojke si guri dyqysh. Dikush me pshtu, dikush me pshtu. Këtu kanë mytë shumë n’Gjakovë. Ka shpi qi’ i kanë faru krejt. 

IB: E a erdh’ dikush te shpia kur ishit ju vet?

IH: Po, erdhën. Po cakât dera fort, dola une n’shkallë. Ôshtë... Qe kah t’dalish e sheh, ôshtë si e çelne aty, ai ish kon’ hypë me mitroloz aty, ish kon’ hypë njo [1], tha,“A ka kush ktu?”, thashë, “Po”, serbisht thashë, “Po, imam ja sam”[unë jam], “Hajde, otvori vrata! [hape derën]”, edhe dola une e çela derën. “Hajt”, tha, “ti përpara”, ai përmrapa. Dy [2] vetë hinë mrena, hinë e kontrollun. Sobë për sobë hinë e kontrollun. Une i kum pas hjekë senet. U konë kjo shpia e marume, u konë me podrum e pa... (rregulluar), hiç, dej n’kulm. E panë senet, thanë, “Ku i ki?”, se sobat e fjetjes i panë, i kishin dy [2] djemt, “Ku i ki djemt?”, i thashë, “Valla, ata pa nisë lufta jônë dalë jashtë, e jônë jashtë.”, “Pse s’shkove edhe ti?”, thashë, “Une plaka - dy [2] plaka, ku me shku? Kemi nêjt qitu.”. E hallakatën. Jo, neve s’na bonë gjo. Po hinë, masneni edhe mas í [1] jave k’shtu luftun se kishin pas dyshu që ka t’UÇK-së e sâ... metëm gjithë natën sâ pushka e sâ, e si tu qetsu... Aiiiiiiih shtirë u konë shumë. Edhe ngajshna toni, niherë i çova n’shpi t’bâbës k’ta. Erdh ajo Fatmire Rizvanolli me dy [2] djem edhe ni [1] çikë t’vogël- katër [4], edhe ni [1] i Kpuskës, djali i Remzi Kpuskës me t’motrën, t’ri edhe ata - gjashtë [6], edhe njo [1] i Bytyqve. Shtatë [7] vetë ishin konë me kerr tu shku me ni [1] sheh. Katër [4] kerre me dalë për Shipni. Ai... Ni[1] milic paska pasë serbë, po paska pasë jarani me sheh. Gjallë është bile, sheh Ruzhdia, a s’di sha i thojnë, i kish pas thânë, “Kthehu, kthehu se jônë paramilitart atje. Nuk pshtoni! Sot s’o dita për Shipni.”. Edhe ata jônë hi për ni [1] rrugë, jônë hi te daia me qat shehin, se ishin ata me shehlerë, “Vallahi”, kishin thânë, “Pesëdhet’ [50] vetë jemi, s’mujmë edhe juve! Shehin po, me kon’ u konë t’vet, po edhe k’ta shtatë [7] vet’ nuk kemi vân ku me ju lonë...”. Ata jônë shku tani me ni [1] shpi qetër edhe ata, “Jo vallahi, tutëm!”, se edhe t’nxjerrshin idhnim, “Pse po ma ti?”. Kur po m’cakât’ mu qajo, “Zoja Igball”, po thotë, “Po, zoja Fatmire.”, “Çilma derën.”, e çela, “Qatje i kom shtatë [7] vetë, t’ri i kom, krejt jônë t’ri”, tha, “n’sakak jȋmi metë, veç kur t’na zojnë...”, se ata kontrollofshin, “kur t’na zojnë. Për mu, ajo jeta... s’e kom dert, po asi..” , “Po”, i thashë, “Hajde, hin.”, se s’i pâta djemt, ata ken’ dalë, se ishna tutë se po ju boj djemve gjo. Po,ishna une me qat plakën edhe ajo besa u tutke, ma plakë se unë, u tutke, “Hajt se s’na bojnë kurgjo...”, “Edhe me dekë s’bohët nâmi, shih sa djali i ri po des!”. E nêjtën ata í [1] javë. Mas ni [1] javës u qetsu atje, k’tu ja nisi ma... Erdh’ policia qitu karshi, bash karshi shpisë jonë. Te Nikoliqi e bonë polici edhe e murën gjysën e ndërtesës t’qisaj banesës. E erdh’ policia, s’e rrshoi policinë se e bombardun, tana murën vesh që aty. Ktyne ju kallzojshin, serbve. Kumeditë kush ju kallxojshin! Thojshin, “Francezët po ju kallxojnë.”. Ikën ata, erdhën n’qytet, k’tu erdhën. Ata e bombardun milicinë, po aty s’ke kërkush. Tani k’ta ikin pȋj ktuhit, kadale shkun kapak, kapak... shkun nëpër shpia, atje u qetsu mo, u qetsu n’atë anë. K’tu tani ma... Po mirë që ikën se masi shkun ata neve na erdhën kontrolla. A di, për fat, kur t’ô me ymër njeri. Tânë jônë ata t’ri gjallë, tânë kanë pshtu, viç shtirë, shtirë u konë. Gjithë rrishe me frikë kur po t’cakât dera, kur t’hishin, t’mytshin, t’bojshin... E neve, dy [2] plaka zahêr, jo nuk na mytën. Hallakâmë... “Pse s’jeni shku?!”, piskatke,“Pse s’jeni shku? Shka keni lypë? Pse s’jeni shku ju dyja?!”, i thashë, “Jo, na t’vjetra. Ku me mujtë nëpër vêna t’huj?”. E kur m’tha, “A je ti serbinja që po folë?”, thashë, “Jo, shqiptare jom.”, se ata ta lypshin lejën, s’mujshe me rrejt, thashë, “Jo, une jom shqiptare”, “E qysh po folë”, thashë, “Di me folë”. U pata msu që pata jetu n’Sarajevë, e pata msu gjuhën... tani e msova. Tash kom nisë edhe me harru, pa përdorë qe sa vjet hiç. E jo, pshtum’ na dy [2] plakat. 

IB: A ju kujtohet qysh ka qenë relacioni i qytetarëve dhe fshatarëve n’Gjakovë ma herët? A kanë ekzistu dallime?

IH: Gjakova gjithë ka pasë... Gjithë ka pasë qef me qytetarë m’u martu, a e di, nërveti, se ju ka dokë si s’po di shka me t’thonë, si ma përparimtarë, si ma asi... Viç ka pasë raste që jônë martu. Qe Rizvanollt, është familja Rizvanolli, ka edhe n’Prishtinë, gjyshin e vet e kanë pas pre... Junikut, familje e mirë, edhe jo me dashni që e ka marrë. At’herë s’ka pasë dashni, po e kanë kërku se u konë e Junikut, po u konë familje e mirë. Edhe po do me thonë kur u konë familje e mirë edhe e ka marrë. Edhe ni [1] axhë i nonës jeme e ka pasë pȋj fshatit grunë, po qishtu familje e mirë, po ma rrallë. Jo, jo. Po për nêj familje që u konë, që u konë ma e dallume, edhe n’fshat edhe jônë martu. Po, jo shumë. Nërveti jônë martu ma shumë.

IB: Cilat kanë qenë disa, ndoshta, traditat qytetare t’Gjakovës t’vjetër, që ti i mban n’men’, do tradita t’familjes?

IH: Valla, tradita i kemi pasë, nuk i kemi pasë t’kqija edhe sot nuk jônë t’kqija. Tash darsma, deka... shumë bohët n’rregëll n’Gjakovë. Halâ edhe sot bohët ma rregëll se gjithkun. I kanë traditë dasmën, e dekën, e t’pamit, ku duhet me shku, renin, e...

IB: E qysh jônë këto tradita, a munesh me na spjegu? Për shembull dekën qysh e mani, qysh e kanë majtë at’herë?

IH: Po deka u neru. U bo deka, u shtru ai dysheki, tashti me ksi me synyka, po at’here u shtru dysheki me sene t’mira, u konë ato veç për dekë, u neru shumë. U shtru n’sobë, jônë ardhë grâ, p’i zomë me pâ, e jônë ardhë... e qashtu. Masanej jônë thirrë atë ditë për drekë, kanë nêj ma t’ngâtë, t’dytën natë jônë thirrë shumë burra, grâ për asi. E shtata [7], e katërdheta [40], gjashtë [6] mujshi, motmoti... krejt jônë bo me mledhi. E pâmja - kanë pritë gjin’ n’rregull, qashtu rregull kanë pasë. Darsma, martesa... qashtu jônë ardhë, jônë shku m’i marrë grunë edhe kur jônë konë t’damë jônë shku burra e grâ me marrë, e kanë bo tani masnêj, jo krye dy [2] jave. Jônë konë do adete t’mira shumë, u dallu ajo darsëm, u dallu që ki bo ni [1] ziafet asi. Qashtu për syneti, atë ditë që u bo synet... Qe, Joni kur u bo synet jônë konë krejt, tezet, e dajtë, e gjyshat, e... muzikë k’tu, edhe knej jônë ardhë t’afërmt, tani banketi rrethi ma i gjonë. Bile bâba i... Bujari, bâba i Endritit pat thonë, “Jo, ju po dikit me bo darsëm! Kjo koka darsëm!”, se e pâ edhe atë ditë. Edhe qashtu, po du me thonë, t’pamën e gjithçkafin e bojmë. Edhe sot e k’saj dite Gjakova e bon ma... ka rregull qashtu. 

IB: E për shembull k’to raportet mrena familjes, flasim për nuset, qysh jônë sjellë nuset? A ka pasë naj traditë, naj mesele, qysh tek kanë shku këto raporte?

IH: Ô aty qysh kanë qillu njerzit. Ka që s’jônë shku hiç mirë kunatat, jônë dâ tana vllaznit. Qato vjet sa kanë nêjt s’jônë shku mirë ka bo vaki. Ka bo vaki qi’... Qe une me kunatën dêj qi’ u dekë, gjashtdhetë e ni [61] vjet kum jetu me tâ (qesh), edhe e kum kqyrë. Edhe qysh t’qillojnë gjint, kërkun nuk jônë gjint me ni [1] orrnek...

IB: A ju kujtohet qysh u antarsut n’këtë Shoqatën e Miqsisë Kosova-Izrael, “Dr. Haim Abravanel”?

IH: Une viç jam konë n’shpi tu nêjt, telefoni, m’thirri ni [1] Skender Dyla, e ka pasë burri bâbën e vet, bash djali i tezës, e m’ngjike. E se shka i tha, “Igball...”, qyky Asllan Rezniqi, gjyshi i Lekës, ai e ka fillu edhe qikjo profesoresha... po ata tu hulumtu e kishin pas ditë që kanë majtë edhe bâba jahudi, po s’jônë paraqitë kërkun, tha, a e di, “Na e dimë që bâba yt ka majtë jahudi, ka strehu.”, tha, “E a man n’men’ najsan?”, thashë, “Valla, dishka maj n’men’, po jom konë e re...”, tha, “Se u ardhë qyky profesor pȋj Amerikës, është tu bo “Besa”, ai librin “Besa” e ka shkru”, tha, “E po kâ qef mi ju pâ”, “Po.”, thashë, “Une ju çoj n’shpi t’bâbës se jônë djemt e axhës edhe ju kallxoj sobën ku kanë nêj ata, shpinë atje”, thashë, “se ktu s’kanë pasë ata lidhje, k’tu jom martu.”. E erdhën ata, e shkun aty, ju kallxova unë. Po që kur e lexova, ai përkthysi i Shqipnisë u konë, se erdh me njo [1]... se fjalët e mia s’jônë konë ato, se kish pas përkthy, as... ish konë si i shpejtë e si s’merrke vesh. Po k’tu duhet me pasë gjin që dinë anglisht ma mirë se ata, s’di pse e kishin pas marrë atâ! Nejse, mirë. Ju pëlqeu. Tha, m’fotografoi, tha, “A muj me t’fotografu”, qaj profesori, thashë, “Po, pse jo?”, tha, “A muj me ju marrë n’gryk, me ju përqafë?”, thashë, “Masi bâba jêm i ka pshtu tre [3] jahudi edhe ti përqafëm, tash une plakë jam.”. Um murr n’gryk, qashtu. U nisë. Une s’jom paraqitë kun, gjyshi i Lekës e kish pas ditë. Tani une jam n’qit shoqatën e Lekës, tash shoqatë tjetër... s’muj me i ndrru. Edhe jônë konë... Pȋj Izraelit profesoresha m’ka marrë n’pytje. Asi... 

Tash une qetërkun me shku a? Ôshtë si pahijshëm, nuk kom qef ashtu. 

IB: Çfarë aktivitetesh keni bo me këtë shoqatën, a keni bo naj aktivitet?

IH: Po, po. Qe t’premtën... për t’premtën, n’ardhshin apet, i qesin fotografitë. Jimi konë n’Ulqin, e n’Gjakovë, e n’Gilan, e n’qisi vene. Kajherë po muj me shku, kajherë s’po muj me shku, se gjithë m’thirrin, se i kom unazat. Kajherë kom dhimtë t’shpinës, n’tetdhetë e dytën [82] vjet jom. 

IB: Si... Mashallah, që thojnë.

IH: Po jo, po apet s’pi çon. 

IB: Kur keni qenë, domethonë, e vogël, që i ka strehu bâba ju’j ata hebrejt, a ka qenë hera e vetme që keni pasë kontakt me hebrejt, apo edhe gjatë jetës ju ka ndodhë najherë tjetër?

IH: Jo, bâba ka punu tregti. Ju thashë, u konë tregtar, u shku ka ble mall, u ngjoftë me ata. Tash kur ka bo tregti e ju ka ble mallin, e qaty po thom, se ku ka pasë me i ngjoftë ata hebrej, veç qaty n’qat tregti. E për qi’ ka bo tregti me... N’Shkup shkojke merrke mall, n’Shkup ka pasë hebrejë. 

IB: A ka pasë n’qat kohë edhe familje tjera n’Gjakovë që kanë strehu hebrenjë?

IH: Po. 

IB: A i nihni ju, kshtu me mbiemër ose si familje?

IH: Po, po. Nuza, qyky i Lekës, gjyshi, e njo Kastrati, profesor u konë, i frangjishtës. Profesor u konë ai. Edhe ai ka strehu. 

IB: Domethânë paska pasë hebrenjë kogja shumë n’Gjakovë n’atë kohë?

IH: Po, po. Shumë vetë i kishin, po gjithkush k’shtu... mos me bo zo, a din, tinëz. Po masanej...

IB: E keni kuptu që e keni bo...

IH: Jônë n’libra. E ka qitë n’libër Leka. Jônë n’libra ata që pȋj Pejës, e pȋj Gjilanit kâ që i kanë pshtu. 

IB: Mas luftës u kthyn’ djemt edhe jeta vazhdoi?

IH: Po, mas luftës u kthyn. 

IB: Qysh i keni çu k’to ditët e mas luftës?

IH: Mirëpo k’ta djemt e mi edhe çikat kurrnjoni s’jônë n’partia. Ma fshtirë e kanë pasë, me muni punën k’ta dy [2]. Po ky djali i madh valla, arqitekt u konë, ky n’Ent ka punu, Enti u konë... Enti i Arqitekturs, u konë dêj qitash, dêj vonë. Aty ka punu si inxhinjer i arqitekturës, ka punu n’Ngrohtore si inxhinjer, n’Dukagjin ka punu, tash ato krejt jônë... Enti u prishë qitu. Ky n’parti s’u konë. Kur t’i bjen nêjnjâ qishtu, që i bjen privat, se nuk kâ... nuk kâ punë. E çika e madhe, po. Ajo stomatologe, ajo ka vazhdu. Edhe kjo e vogla qaty n’Dukagjin si ka diplomu, punon qaty. Çikës së madhe ju kanë rritë fmija tash. Çika ja ka maru elektro-teknikën, punon n’bankë, u martu ajo. Djali... Djali i madh e ka maru matematikë-informatikë, e qitash para ni [1] jave ka dipllomu, masterin n’Amerikë e ka kry. Bili sot kthehet çika, halâ s’u kthy. Djali i vogël, edhe ky ja ka maru elektro-teknikën, po punon për ni [1] firmë t’jashtme. Djalit t’madh, çika ja ka maru elektro-teknikën, u martu n’Amerikë, t’Gjakovës po n’Amerikë. Po ajo u konë e zoja shumë, e punon... qysh po i thojnë asaj ndërmarrje... motors... nuk di qysh ôshtë, ôshtë firmë e madhe. Shumë p’i ngritin, a din, ô e zoja. Çika e dytë edhe ajo ja ka maru elektro-teknikën, po k’tu s’ka gjojt punë, nuk i japin se s’jemi na me parti. E tashti n’Mehmet Akif jep msim. Tash sha bohët nuk e di... E djalin e kâ, ma t’voglin, n’vit katërt, n’medicinë tu studiju. E Bujari mo, Joni e Vesa, ky fizikën, e ajo, e çika e dytë... djali e ka maru, qikjo Vera e ka maru elektro-teknikën, tash ôshtë n’Gjermani tu e bo masterin, e kanë pranu atje. E folë gjermonishten mirë edhe i dha ato intervista shka... E kanë pranu, n’vitin e parë ôshtë.

IB: E paske një [1] familje shumë t’shkollume. 

IH: A krejt jemi. Krejt jemi. Tash tre [3] t’çikës së madhe. E qyky i çikës s’dytë, ky tash masterin u shku me bo - katër [4]. Çika, dy [2] çikat - gjashtë [6], gjashtë [6] inxhinjera jônë nipa. Kurrnjo s’është pa shkollë, a di, pa shkollë. Ton’ jônë. Tre [3] djem i ka çika e vogël, kit t’dytin e ka n’fakulltet n’Prishtinë, e ka marrë qitâ matematikor, ka zanë vân t’parë - Bleart Beqa, n’televizor p’i qesin shpesh, ka zanë vena t’parë t’matematikës n’Kosovë, e n’Gjakovë, e qishtu. Tash e ka edhe njo [1] maturant, edhe ai, e qitash e zu venin e parë n’Gjakovë për fizikë. Jônë t’zgjutë fort. Ka me shku për studime. Viç Era po metë, çika e Valbonës, e vogla. Ton’ studenta. Inxhinjera e studenta. 

IB: A keni, noshta, naj kshillë për rininë ose për krejt njerzt që e shohin intervistën, për shqiptart kudo që jônë, po menoj ni [1] kshillë që keni qef me ju jep?

IH: Vallahi, une i kishna kshillu, tash nashta jom plakë e s’di, viç ma s’pari ne t’msojnë. E dyta, me drejtësi mos... se pshtellimi n’fund nuk kâ sukses. Drejtësia t’çon përpara. N’koftë se punon drejtë, n’koftë se punon me ner, n’koftë se punon me dëshirë me mrri dishka qajo kâ me na përparu. N’koftë se kqyrë me hi n’qat parti, ‘a di, a s’di, unë t’hi veç n’punë’, edhe shumë vjet mrapa ky vân... Gjynah! Nuk jimi popull i keq, as i pamenqëm, po pa fat. Popull pa fat, se mos me përparu... Mirë, apet mirë qysh kemi pasë kundërshtarë Serbinë, e Greqinë, e anej... që s’e kemi hupë kombin krejt, apet ekzistojmë. Po mês ta harrojmë kombin, mês ta harrojmë drejtësinë, mês ta harrojmë msimin se viç me msim përpara. Ni [1] djalë i madh, n’luftë kur i qitën pȋj punës, Millosheviqi që i qiti krejt, tha, “Mâmë, tânë na çove n’shkollë. Sha me bo tash? Kurrnjâ s’na ke çu n’zanatë.”, zanati apet u gjinke nime se t’vyjke, tu prishke dishka, fitojshin dishka, “Na me shkollë shka me bo?”, thashë, “A e di shka?”,  Xhelal e ka emrin, thashë, “Jo juve që u kom shkollu, po n’kofsha gjallë edhe thmitë e jûv’ kanë m’u shkollu. Ndrrohet...”, thashë, “s’ka qâre pa u ndrru. Millosheviqi gjithmonë s’munët me nêjt.”, thashë, “Pa shkollë nuk ki kurgjo! Tërrnakopin n’kofsh marrë me punu, din ma mirë me i çepu tërrnakopit kur ki shkollë, se pa shkollëas tërrnakopit s’dȋ me i çepu mirë.”. Kom pasë qef gjithë n’shkollë, edhe thom, “Pa shkollë...”, jo shkollë me dhânë pare me marrë shkollë, s’e kshilloj ashtu rininë. Nuk ka përparu kurgjo as vet, viç e lê mrapa. Me msim, rinia me msu, me u bo t’dijshëm, m’u bo t’drejtë, jo me pshtjellime. Veni përparon, s’ka qâre pa përparu. 

IB: Bohët mirë. 

IH: Ishalla bohët mirë. Mos me konë shpresa njiri ish dekë para vâkti, po qajo shpresë t’man. Po, jo.... edhe shpresa... duhet me i jap pak, veç me shpresë nuk bon. Duhet me msu.

IB: Faleminderit shumë për intervistën edhe që keni gjetë kohë. Nashta t’kena lodhë pak.

IH: Jo, hiç. Vallahi, po. S’jom lodhë, po s’disha une shka ju nimoj!

IB: Gjithçka. Shumë na ke ndihmu.

IH: Edhe për shoqatë... Une e kom shoqatën teme, a din, për me u... s’kom qef me u... e për intervistë po.

IB: Faleminderit shumë. 

IH: Faleminers edhe pȋj jush.

IB: Paq shnetën e mirë edhe ma tutje.

IH: Faleminers.