Ismail Sherifi

Intervistuar nga: Teutë Ahmeti

N’ven t’tatimit, n’vent’tatimit ki pague spahillak t’dhetën. Po du me thanën, çdo sen shka ke pasë, dhetë përqin [10%] e ke pagu

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

23.01.2018

Lokacioni i intervistës

Gjilan

Vendi i lindjës

Tranksriptimi

TA: Është datë nizt e tre janar, dhe gjendemi k’tu në shtëpinë e Ismajl Sherifit, me t’cilin do ta realizojmë intervistën për Kujtesën e Kosovës edhe për rrëfimin e tij jetësor. A po na tregon për jetën tânde, ku ke lindë, n’cilin vit ke lindë, vendlindjen?

ISh: Une po t’kallxoj p’i kurit shka kum mujtë me majtë men, prej gjyshit, bâbës t’nânës, e pleqve teknena. Ato mo une nuk i kum m’rri, veç shka i kum përjetu ato. Jom kon marak për kët’farë punën e historijës, se shkollë s’kum pasën. Thojnë pleqtë qi na e kem prejardhjen prej Shkodre. Po. Se i pari jonë ish kanën ushtar i turkit, ish kanën si truproje e turkit, kur u kanë ni çaush, nër çaush, i kanë thanë sikur sot komandirit policijës. Kur ish dalë aj penzije, tha i kish pas thanën, demek ata t’turqve që jon kanën, oficirat i kanë thanën, “A p’e do penzijen, a p’e do m’u kthye n’ven tan?”, khâ demek. Po, aj kish pas thanën, “Jo valla, boll kom nejt n’rapasaç, i lidht gjith, qetash po du me dalë n’liri.”, kish thane, “Ni lirë t’kuqe e kije penzije”. Penzija ô kanë ni lirë at’here, po. Jo, jo, s’don, shko. Thotë, “Aj qi shkon atje n’Kosovë”, thotë, “ki me mledhë spahillakin.”. Spahillakin i kanë thanë at’herë t’dhetat. S’po di qysh për sa e kupton ti k’to. Pleqtë e dijnë, e ju t’ritë nashti s’i dini k’to. 

TA: S’ka lidhje.

ISh: N’ven t’tatimit, n’vent’tatimit ki pague spahillak t’dhetën. Po du me thanën, çdo sen shka ke pasë, dhetë përqin [10%] e ke pagu shtetin. Po.

TA: Aha. Aha. Spahillak domethanë i kanë thanë.

ISh: Po. Aj edhe u çue u ardhë khâ, n’Kosovë. Tana sa… Pej atjehit ja kish pas dhanë aj s’e di sa fshatra n’Kosovë për m’i mledhë t’dhetat ky, n’ven’ t’penzijës, se penzinë s’e ka deshtë, ka thanën, “Mu m’i dhanën t’dhetat, m’i mledhën.”. Ky edhe i ka mledhë t’dhetat n’Kosovë teri qi u hi thojnë Serbia e parë. Kur u hi at’here, shkavi qi u hie, at’here. Kur u hi at’here, k’ta jon ikë, sikur qi ikum na, pi shkive, kanë ik edhe ata jon dalë kodrave, jon shkepën. Edhe neve na ka metë n’atë kohë Spahiovit, pse Spahija i ka mledhë ata t’dhetat. Po, spahillk aj. I kimi mledhë ata t’dhetat, i ka mledhë aj i pari jonë, teri qi u shkaparderdhë. Lufta qashtu vjen, po du me thanë, po. Hajt, hajt… mas ni kohe kur u drejtue at’here, fillun Lufta e Dytë. Luftën e Dytë e maj men. E maj men Luftën e Dytë kur u hi Marshalli. Qat’herë ma kanë marrë edhe bâbën ushtar, po. Deshte s’deshte ajo ô kanë mobilizim krejt. Po. I ri, plak, i kanë marrën.

TA: Ti ku ke lindë saktësisht? N’cilin vit?

ISh: Une kum lindën n’Vërbicë t’Zhegovcit. Po, n’Vërbicë t’Zhegovcit.

TA: N’cilin vit?

ISh: Kum lindën… Une n’katërdhetën kum lindën, po mu m’kanë shkru n’katërdhetë e nishën.

TA: Aha, aha. Po.

ISh: Po. I shkrum jom n’katërdhetë e nishën, a n’katërdhetën jom. Se Marshalli naj pat dhanë at’here neve, se mu m’pat dekë bâba ushtar, p’i Marshallit tana nâna jeme ka marrë nifarë penzije për burrë, edhe na f’mija kemi marrën për bâbë dishka. Po, kemi marrën. Qato shka i kemi marrën na, s’na râ shumë kohë me marrën se ato shkrujke teri tet’mdhetë vjet [18]. Tet’mdhetë vjet. N’shkofsh n’shkollë, vazhdon, marrshum edhe na. Po s’shkojshe n’shkollë, t’i ndërprejke. E nâna jeme ka marrë teri u dekë.

TA: Sa vjeçar ke qenë ti kur t’ka vdekë bâba, kur ta kanë vra?

ISh: Bâba kur u dekën, une jum kanë pesë [5] vjet.

TA: Pesë [5] vjet. Edhe e man men po thu a?

ISh: Po, e maj men mirë. E maj men.

TA: Çka, qysh... Qysh e murët lajmin? Çka thanë…? Qysh vdiq bâba?

ISh: Po ka pasë t’katunit tonë kusheri, ka pasë me tâ qi jon kanën atje, kallxun.

TA: Ka vdekë domethanë n’Luftë t’Dytë Botërore?

ISh: Po, n’Luftën Botërore. Tana naj prunën do sheja t’tina, kusheritë shka jon kânë me tâ. E prunën ni sahat e qystekët e sahâtit, çehlibarin, naj prunën p’i atjehit shejë qi ô dekën. Po, naj prunën qato. Na si i bonëm tet’mdhetë [18] vjet, na s’shkum, thojshin, “Mos gaboni me shku n’shkollë se bohni shkije!”, edhe s’shkum n’shkollë. E lam shkollën. Nâna ka marrë teri u dekë. Nâna ka marrë penzije. Na s’mujtëm me shkue. Idaren e kemi pasë mirë idaren, se s’jemi kanë kallaballak.

TA: Sa f’mijë keni qenë?

ISh: Kemi qenë dy [2] v’llazën e tri [3] motra, edhe nâna u kanën. Po, dy [2] vllazën. At’here me gjâ jemi marrën, me lôpë, me dhênë, me dhi. Po du me thanë me qeto jemi marrën at’here. Kur u hi Marshalli, s’ka pasë… Aj kur u hi, Marshalli, veç shka t’marrke, se me t’dhanë s’dhojke. Se punë s’ka pasë, lufta e bâni atë t’vetën, e fshiti. U deshke m’i dhanë na shtetit për me përparu shteti, me përparu shteti. Si mos t’përparo shteti… aj, as poplli s’un ban kurgjâ.

TA: Po de. F’mininë… A v’shtirë si jetim? Qysh e ke përjetu atë f’mininë tâne si jetim, pa bâbë? A e ke pasë v’shtirë?

ISh: Vallahi v’shtirë ôsht. Pasha Zotin, v’shtirë ôsht. Se une leje se jetim pa bâbë, po na jemi kanë shumë kohë jetima. Jemi kanën katër-pesë [4-5] breza jetima jemi kanën. Po...

TA: Ëhë. Qysh ashtu?

ISh: E tana jemi kânën domethanën pa krah. S’kemi pasë afër ton’t qi mu na nejt dikush gati, mos m’u tutë pî dikujna, mos mu t’bâ zullum dikush. Kur t’jesh kallaballak mashki, familje e madhe, s’guxo gjethkush mu t’ngatërrue. Na jemi kanë shumë... [pa përkrahje]. Tashti u kon, aj i pari jonë u kon nifarë Alija, aj… edhe aj u dekë n’luftë. Kur ka liftue rusi, qi ka liftu me turkin, n’Iskov i thojnë, n’atë kohë ka liftu aj e u dekën atje, Alija. E une jam i Sefës, Smajli i Sefës, Sefa i Sherifit, Sherifi i Tafës, Tafa i Alijës, Alija i Sejdijës, Sejdija i Ramë Spahijës qi del me spahillakin pej Shkodre. Qëto janë. Krejt qëta shka t’i njeha, krejt jon shkue ushtarë. Ka ni djalë e kanë lanë. Ushtar u dekë. U rritë qaj jetimi, u shku ushtar, u martue, e ka lanë ni djalë, ushtar u dekë. Krejt qëto. Krejt qëto. E na s’kemi pasë krah. Teri bâba jonë na ka lanë dy, mu edhe v’llavin tem. Kur ô râ lufta qetashti, edhe atë v’llavin ma kanë vra. Veç çdo luftë qi u râe n’Kosovë, neve ka ni mashkëll na’j ka vra. Jetima jemi kanën. Qe edhe e kom... Ôsht pllaka e bâbës k’tu, n’kodër t’dëshmor’ve. Pllaka e mermerit ôsht. K’to e kanë maru shteti, se ku ô vra, ku ô asi. Edhe t’v’llavit, vorri ôsht i v’llavit k’tu. Po kufomën e bâbës, eshnat s’kemi mujtë m’i prue. Na jemi kanë... Sa kemi mujtë at’here, jemi kanë t’vogël, qi kemi pasë munsi, e dikur tana e bojshmi men, po zuni m’u tharpë k’tu puna, m’u tarashkatën. Na kishum qef m’i ngre eshnat e bâbës m’i pru khâ, po u prish dërzhava. Met. E pllakën e kanë maru. Pllakën e ka bâba k’tu. Edhe v’llavi. 

TA: Shkollimi? E përmene pak ma herët. A thojshin mos u shkolloni a qysh?

ISh: Po. “Jo, s’bon me shku n’shkollë”, thojshin.

TA: A e ki naj vjet shkollë?

ISh: Po. I kom nja dy vjet. Kurgjo hiç. Edhe atâ at’here s’ka pasë m’sus. 

TA: Kush ju ka m’su?

ISh: Hoxha.

TA: A hoxha? Sa vjet? N’cilën moshë ke shku n’shkollë?

ISh: Nuk u kanë për me vjet. E kry njâ e luftës qysh i zuni generacijën e nxansave, hike n’shkollë. Kish... Bojke vaki dhetë vjet, pes’mdhetë vjet, hale n’shkollë s’ish hie. Se aj u kanë i rritun, po du me thanë. Kur nisën m’u çelë shkollat, aj i rrit’t, dhetë [10] vjet, pes’mdhetë [15]. Kish gjashtë [6] vjet, shtatë [7] vjet. Po. Qysh ishin, qysh i zuni koha, koha qysh i zuni. Qato.

TA: E hoxha çka ju m’sojke?

ISh: Hoxha na ka m’sue. Ama na ka m’sue n’qëto germat e tona, n’gjuhën tonë, e jo gjuhën arabe.

TA: A po?

ISh: Jo, jo. Gjuhën tonën. Po, po m’sus nuk kish.

TA: Po. M’sus nuk ka pasë.

ISh: At’herë rrallë kush dikush qi ka ditën shkrim-lexim. Se s’ka ditë. Ni letër me ta çue dikush p’i ushtrisë u deshke dikun napër katun me dalë, me vetë naj plak a din me lexu, shka ka thanë, a ôsht gjallë, a jo. Se s’ka pasë shkrim-lexim. E ni hoxhë u kanën i Bresalcit, u kanë ni mulla Rrusta, e i thanë atina, “Hajde hin ti p’e çelmi shkollën. Edhe merr rrogën, bahësh si m’sus.”. Tana hina une n’shkollë nja dy [2] vjet. Zuna pak m’u rritën. Nuk um la tana nâna me shkue n’shkollë. “Jo”, tha, “se menxi kum pritë hasret me ju rritë, me ju pâ përpara, edhe me t’qitë e me t’hupë prej shpijes”, tha, “jo.”. Edhe e lash.

TA: E ngove nânën?

ISh: Po. E ngova nânën, patjetër (qesh). E ngova nânën patjetër. Edhe tana v’llavi pat shkue, mas meje ô kanën, aj pat shkue pak n’shkollë, e une jo vallah. Ma shumë s’kum mujtën. Po, e shkrim-lexim kom ditën. Kom ditë me shkrue, me lexue, mirë. A di, nashti bajat ôsht me thanën, po jom kanë i sjellshëm, po du me thanë, si me shoqni, si me familje, si me katun, po edhe si me hyçymet jom kanë i sjellshum. Po, jom kanë i sjellshum.

TA: E për ushtar a ke shku? A je kanë ushtar?

ISh: Po ushtar jom kanë.

TA: Kur, n’çfarë moshe?

ISh: N’gjashdhetën, Tafë a?

TA: Nizet vjet dikun p’i bje a?

ISh: N’gjazhdhetën [60] jom shkue. Atje kum punue. Tri [3] vjet at’herë i kemi pasë ushtar.

TA: Tri vjet?

ISh: Tri vjet. Tu shpija nî herë i ke pasë pes’mdhetë ditë [15] me ardhë, ma shumë jo. E atje kom punu tana, rrobaqepës jom hie pa shkollë hiç.

TA: Ushtar kur je kanë?

ISh: Ushtar. Rrobaqepës kum hie kum punue.

TA: Qysh rrobaqepës? A e ke njoftë atë zanatë? A e ke m’su mandej a qysh?

ISh: Jo, hiç. Jo, hiç. (qesh). Po t’kallxova une jum kanë i zgjushëm. Jum kanë… Kom pasë shoqni. Ku jom kanë, ku jum shkue, kum zanë shoqni. A ke pâ ata, shoqnia, t’çojnë përpjetë e shoqnia t’shkelin. Si t’i ki shoqninë. I kishna shoqinë e mire. U lypke aty ni rrobaqepës se aj e kryti me shku n’shpi, a din dikush. E kishna une qat rrobaqepësin shka punojke aty qi shkojke n’shpi, thashë, “Shtinum mu aty. T’konkuroj une n’ushtri.”. Aj tana i tha atina çetni stareshin, tha, “Filani tha di.”. Kush i k’qyrke aty! A din, m’thirri tana aj, “A din mire? A din?”, thashë, “Po di tej dikun.”, “Ani, edhe mos ditsh, veç mos t’mshilët dyqani Radiana.”. Sa ushtria ish, ku me nejt ushtria pa tesha! Tha, “T’çojna n’kurs pak e kryn.”. Erdh tana vendimi me shkue n’Serbi qatje, tre muj me m’su n’kurs. I thojshin “Domni Millanovac”, qaty kah Nishi, përte Nishit. Nejta nja dy [2] javë ditë a tri [3]... Ish ngelat khâ Radianja me tesha pa punu kurkush. Erdh çetni stareshin tha, “Shka u bâ?”, thashë, “Qe!”, tha, “Leje, mos m’so mo. Boll po dishe. S’na vyn ma shumë me ditën”, tha, “Hajde, hec.”, hajde (qesh). Erdha. Tana une ku isha n’selinë teme ku ishna aty, e tana kum punu une n’dyqan teeeri e kum krye. Edhe kur e kum krye axhës, letrat m’i kanë bae për m’u kthy me punue n’ushtri apet aty, civil. Me shku me rrogë me punue.

TA: Si rrobaqepës domthanë?

ISh: Si rrobaqepës. Edhe m’kanë thane, “Banesën e ki t’ushtrijës, s’pagun hiç.”. Rroga u kanë e ushtrijës at’herë, e madhe, kuku, ô kanën. M’i nreqën letrat. Tha, “Shko tu shpija rri nizet [20] ditë, kryje nizet [20] ditë, i bje letrat k’tu, i vulosë atje, i bje k’tu, kur t’i prush k’tu e merr rrogën për qat muj edhe ki me punu k’tu.”. U kanë qaj udhëheqësi jem, shka u kanë oficir, tha, “Une”, ish kanë plak, tha, “Une pa dalë penzije nuk e lâ pa t’çu n’ven tan me punë.”. M’ka pas deshtë fort. Tha, “Une kom me t’qitë tye n’ven tan, nuk t’lâ n’Serbi. Ko me t’qitë n’Kosovë, amo a n’Prishtinë, a n’Gjakovë, a n’Pejë, a... Veç kryesorja n’ushtri me punue, amo ki me shku n’ven tan.”. Kur erdha une khâ, i kallxova qeshtu qeshtu... Desh u tranun tu shpija, “Auu kuku, qysh? Shyqyr që je bâ me sunu shpijën tâne, e qysh, e tek, e me shku henez… A m’u bâ shka, e m’u bâ, m’u prishë?! E bon grun shkinë, f’mija t’bahën shkije...”, bam-bum e bam-bum, e brit motrat, e brit hallat, brit sebepat. Ma prishën punën. E lash. 

TA: Domethanë, qaq zotësi kall’xove sa që deshtën me t’nalë... (qesh)? Po, nuk t’lanë mandej. Problem.

ISh: Nuk um lanë. Kur erdha tana khâ...

TA: Prej ushtrisë ku je kthy, n’Vërbicë a?

ISh: N’shpi. N’Vërbicë.

TA: E mandej, qysh keni përfundu tash n’Gjilan? K’tu qysh keni përfundu?

ISh: E kemi përfundue n’Gillan. Erdhëm.

TA: Mas sa kohe?

ISh: Atje… Po t’kall’xoj për Vërbicë nihere.

TA: Mirë.

ISh: N’Vrëbicë si erdha pî ushtrisë, m’shtinën si kryeplak i katunit, qysh thojnë, si kryetar i katunit.

TA: Po. Mirë. 

ISh: Pî aty tana: aaa ky burrë i mirë, Smajli. Hajde e shtina edhe si.... N’shkollë. Me punue aty n’shkollë me kët’ sekretarin e shkollës, me punue për.... Tashti na nuk p’i dina edhe ship do sene (qesh).

TA: S’prish punë. Si kryesus diçka, kryesus i shkollës.

ISh: A di, qi me i bâe atina ndihmë. Ishum na tre aty si odbor t’shkollës. Na si nabavlaç për shkollën, po du me thanën, u interesojshum na, po. Jo lapsa, jo libra, jo d’rrasa, jo banka t’shkollës, jo dyrë, jo prezora... Na u interesojshum për ato. Shkojshim nëpër shkolla e kshyrshum shka ka mangit, i shkrujshim, ja çojshim sekretarit t’shkollës, drejtorit, edhe ato ardhshin, u asishin. Pi atyhit tana hina edhe nja dy vjet a tri jum kanë odbor i xhamisë. Birë s’kom lanë pa hie, ô axhë (qesh).

TA: Odbor. Po? (qesh)

ISh: Odbor i xhamijës. Prej odborit xhamijës shkova porot, n’xhyq kom punue. A e di shka ôsht poroti?

TA: Po, po. E di, e di. 

ISh: Porot kom punu. 

TA: Ani, edhe? Kallxona (qesh).

ISh: Kom punue aty gjasht’mdhetëvjet [16].

TA: Si porot a?

ISh: Po, porot. Ku i kemi gjyku aty… Me gjyku aty. Me gjykatësat kom punue. Gjashmdhetëvjet [16], teri qi krisi lufta k’tu krejt. Kur krisi lufta u prish mo krejt, u përlajta tana me atë kryesorin, shka ô kanë kryegjykatësi, shka ô kanë, se tani e murrën shkit krejt.

TA: Gjasht’mdhetëvjet ke punu, mandej je dorëheqë pî aty?

ISh: Po, jom dorëheqë. Qysh p’i thojnë, ato t’dhunshmet e shkive, s’i prenum na. Po na nuk i prenum edhe e l’shova. Krisi lufta k’tu. Ikum pi k’tuhit. Na përzunën. Dulëm n’Maqedoni nja dy muj ditë. Kur u kthym, s’patëm ku m’u kthy, rrafsh na patën djeg krejt, çpërrt pët!

TA: Kthehëm tani te lufta... Si kryeplak i katunit, a je kanë veç i katunit tan’, a ka përfshi ma shumë aty? Qysh je zgjedhë? Kush t’ka zgjedhë? Sa je kanë kryeplak?

ISh: Kryesor jum kanë une. A jon kanë edhe njo dy qerë, ni sërb, se ô kanë ni sërb me fshat, dikun i Parallovës, ngat aty, edhe ô kanë ni fshat Zhegovc, edhe aj shqiptar, na shqiptarë. E une jom kanë si udhëheqës a ata jon kanë si nifarë… Ka shkojshum, po du me thanën, m’i kry qeto punt shka jon kanë.

TA: Çfarë pune ke bâ si kryeplak? Çfarë autoriteti ke pasë? Çfarë vendimesh ke marrë?

ISh: Po, kemi marrë na vendime. Ardhke pej drejtorit shkollës, ja çojke sekretarit shkollës, ju p’e dini shka ôsht sekretari.

TA: Po, po.

ISh: Tashti ata thojshin, “Dilni, kontrolloni nëpër shkolla, shka i mungo shkollës, shka i mungon nxansave, shka i mungon qeto... i llogaritni, i bini raportin k’tu”, me bâ lutjen, me shku m’i lypë, m’i furnizue shkollat, nxansat. Po, qëto.

TA: Për naj problem juve ju kanë pyet, apo gjithmonë?

ISh: Po, vetke. Aj shka kâ aj, drejtori, thojke, “Une s’un shkoj napër shkolla me k’qyrë a e ka bravën n’derë, a e ka prozorin, xhamin prozori, a e ka atâ, a ka dru, a s’ka dru. Ju jeni, duni m’i hecë, m’i përcjellë.”.

TA: Kush e zgjedhke kryeplakun?

ISh: A?

T.A: Kush e zgjedhke kryeplakun?

ISh: Kryeplakin? Po e kanë zgjedhë k’ta shka jon kanën pej kryesisë shkollës t’arsimit. Ardhshin, ka pasë pî k’hâhit ardhshin, tana ata na njohshin, tana i vetshin ata gjinën, kush ôsht qi mun me i kry k’to punë, m’u interesue, jo veç me thanë jom kryeplak, edhe mo mos me ni hiç. Tana u bojshin mledhje napër shkolla, u bojshin... Ka pasën m’i ditë ato sene. Po. Qeshtu, pra axhës. Nashti ta çajta kryt po s’...(qesh).

TA: Jo jo. (qesh)

ISh: Tana erdhëm k’tu n’Gilan. Pasha Zotin ô axhë, qetu n’Gilan kur jemi ardhë, nihere kemi nejt n’çerdhe t’fëmive, katërmdhetë [14] muj. A p’e di çerdhen ku ôsht n’Gavran? Çerdhja qitu n’Gavran qi ôsht, para Selami Hallaçi qi ôsht. E qaty, se s’kemi pasë ku me nejt, n’çerdhe t’fmive. Tana dulëm me qirâ nja dy-tre muj ditë. Pî atyhit tana e blejtëm qetu qët aborr. Vallahi ô axhë, tetë muj qetu kemi nejtn nër shatora. I ngreha shatorat, qetu njo, e qetu njo. Shtrojshum paleta t’bllokave, najllâna, uji hecke përfuni na flejshum ma n’tepër. S’kemi pasën se nî [1] baski s’na’j ka dhanë shteti. 

TA: Po a?

ISh: Po. Tana djemtë tu punue, hinën djemtë tu punue, bam-bum, e bam-bum, e bam, e bum, e... E marum qaty njâ, e qetu njâ, e… sa mos me kanë përjâshna. Po, sa mos me kanë përjâshna. Mirë. Po qato… I kryjtëm qeto mirë, se s’kimi pasë vallah. S’kimi pasë, jashna shpyrtat e rob’ve. Kimi dalë qetu midis, n’âra. K’tu s’ka pasë shpija hiç, as anena, as knena. Ja, ja. Fill na jemi kanë k’tu. Ma t’par’t na jemi kanën, jemi dalën k’tu. Se s’ka pasë, s’u kanë kurkush hiç. 

TA: Si porot the qi ke punu gjashmdhetë [16] vjet, a po? 

ISh: Po?

TA: Çfarë përvoje ô kanë? A ô kanë v’shtirë a, naj rast k’shtu ma i veçantë që t’kujtohet?

ISh: Paj vallai, qyre… Nuk u kanë edhe kallaj se aty n’gjyq ni fjalë me gabue (qesh) u përgjegjshe. Aty rrena s’ka n’gjyq. U kanën at’here… S’jom kanë veç une, u kanën gjykat’si aty, jon kanën dy [2] porotë. Anena… Edhe anena u kanë prokurori, kryeprokurori, u kanën edhe aj, jon kanën dëshmitar’t. Po aty s’un ke folë ti shkado. Ke mujtë me folë po s’t’ka vleê, t’kish përzanë menihere, se ato… nuk jom hi une aty, komiteti krahinor na ka shti aty, SUP-i. Se kom pasë vendim une pej SUP-it, prej komunës, kryetarit komunës, kam pasë vendime une. Qeshtu.

TA: Kur ke punu gjatë qasaj kohe, a ke bâ edhe naj punë tjetër? Po m’duket se ke shërby si pajtimtar i gjaqeve...

ISh: Po, jom kanë. M’kanë thirrën, m’kanë thirrë.

TA: Prej kur ke nisë m’u marrë me këtë aktvitet?

ISh: Poj tybe, une masi jom kthy pî ushtrijës, pak… qat’here jom ngjallë pak, a din.

TA: Nizet e e tre-katër [23-24] vjeçar, qeshtu a?

ISh: Po, qeshtu. U martova at’here, tana m’besojshin gjinja. U bojshin vrasa, u bojshin rreha, u bojshin qeshtu... Tana mule, mule Smajl merre dikon, e me shkue m’i marrë vesh, m’u pajtue, mos m’u bâ ma e madhe, mos m’u bâ rreha ma e madhe, mos m’u bâ vrasa ma e madhe, m’i nxerrë besë atina, m’i nxerrë besë atina. U çojshin ata e vrajshin atâ. U deshke ky… Tana çojke besë me... mos m’u bâ ma e madhe mo u deshke. Tana kishna une… Ata, domethanën, shoqnijën teme qi hecshmi me ata. T’katunit jon kanë, do pleq, e do jon kanë t’meçëm, e ka pasë hoxhollarë, e ka pasë që shkojshum, na çojke aj hasmi me marrë besë. Po. Shko me filanin, me filanin, me filanin… shko. U deshke me shku me nxerrë besë.

TA: A v’shtirë? A ka pasë raste pak ma t’komplikume, ma zor që i kini zgjidhë?

ISh: Po, ka pasë vallahi. Po shyqyr pî Zotit e mira ô kanë qi nuk ka ndodhën dishka, a di, n’qat profesionin tonë qi jemi kanën, n’qat punën shka e ke pasë obligim, s’na ka ndodhë. Se shum’ve ju ndodhke qashtu, shum’ve ju ndodhke.

TA: Çka ju ndodhke?

ISh: Po shkojke me nxerrë besë: Shko ti nxerrum besë tu filani, mos t’um vras’ filani, ja mos t’um rrehë filani. Ti shkojshe i nxerrshe besë, aj dalke ta rrehke n’besë! Me bâ me ta rrehë n’besë, aj dalke t’vrajke aj ty se thojke, “Ti, ti m’ki qitë n’pritë.”. Po. Kur s’un i del zot, mos dil! Po. Mos dil, kur s’un i del zot. Po une kom pasë krah edhe pak, se jom kanën me hyçymet pak. Tani jo porot, tani m’njofshin, po du me thanë, policija e SUP-it, e kryetari, m’njofshin. Po du me thanë tana pak poplli drojshin edhe pak edhe pî meje, thojshin, ka shoqni, për pak me asih dishka, e ka shoqnijën. Po, për qata. Veç mirë, mirë.

TA: Naj rast ma t’veçantë? Ma t’veçantë k’shtu qi... ni pajtim që kish zgjatë tre [3] muj?

ISh: E vallahi, po (qesh). Po vallahi, jon kanë do kusheri nërveti jon kon vra valla ata, jon kon vra. E kishin pas çu gjin’ shumë e s’i kishin pas dhanë besë, e erdhën tana tu une e me shkue. Po nuk ardhshin hallki, s’guxojshin me ardhën. V’shtirë me gjetë shoq me shkue, se ti pa e pasë naj dëshmitar ti kurgjâ… s’un shkojshe, s’un ban. S’un gjajshin. E menxi e gjeta nifarë mixhën Zenë, aj ô kanë ma i moçëm i ngrati, “Hajde be mixha Zenë, shkojna!”. Lut, e lut, e lut, e lut… edhe aj e lutke, menxi e bâna ikal. Shkum. E murrëm atë mixhën Zenë, shkum. E na maroi çaj aj, e sene, e ja njehëm na dov’t tak e tak e tak. Unë, se aj mixha Zenë u kanë tup i ngrati. Po, ja njeha. “Hajt”, tha, “se pe t’i jepi tre muj.”. Tre muj [3]. Mirë ish tre muj, shumë ish mirë ajo, ni lavd i madh. Amo edhe n’qetrën anë ish rrezik. Tre muj, shka s’po ndodhë? Ku e di çka ndodhë! E hajt me atë mixhën Zenë e krytëm, e erdhëm te përpjetë, e ardhshum kah shpija. P’i thotë, “Mixha Zenë...”, “He?”, “Shka ta mur menja, a u bâ mirë”, tha, “si murrum besë tre muj?”, tha, “Po.”, thashë, “Jo, hiiiç.”, “Pseee?”, thashë, “Ku e di ti shka ndodhë edhe tre muj? Sa uji shkon nër urë...”. Po. Auu… kuku! Thashë, “Jo vallai, n’desh kuku, n’desh kuku.”, “A kthehmi ja lajmë besën?”, thashë, “Jaaa, qysh i thu ti jo valla s’po ta du besën? Ti nî herë shkove e lute, tashti jo valla s’pe du une. S’bon. Ishalla s’na ndodhë, sen.”. Po shyqyr, elhamdulilah, përnime nuk na ndodhi.

TA: Nuk ju ndodhi a?

ISh: Shumë mire. E patëm me zemër zahere (qesh), e e krytëm. Edhe e krytëm qatâ. Qe vallahi, qysh jo more. N’punë t’huj ô shtirë njeri, po aj dikush duhet me kanën, a di, dikush duhet me kanë paçare. Paçare, duhet me kanën.

TA: A kish ma shumë ngatërresa k’shtu, a vrasje, a çfarë probleme?

ISh: Vallahi, ka pasë edhe vrasje. Vallahi, ka pasë edhe vrasje.

TA: A ish ma problem tash? A jepshin besë? A u deshke me i lutë shumë?

ISh: Vallahi, u deshke me lutë, e u deshke... Tashti qyre, n’ish aj hasmi i fortë, u deshke me lutë shumë për m’i nxerrë besë, a aj qi ish krahthatë, ma i ligsht, aj ta dhojke i ngrati se e dit’ke qi... edhe m’u dalë m’u kapë aj. Apet aj i hup’t ish, se s’kish krah (qesh). Po, s’kish krah. 

TA: Zakonisht sa... për sa keni marrë besë? A dy javë, a qysh kanë dhanë?

ISh: Qysh t’dhojke qaj gazda, po du me thanën. Aj bojke vaki shkojshe tri [3] ditë, menxi ta dhojke ni ditë. S’dhojke.

TA: A keni shku dy-tri herë për ni rast?

ISh: Dy-triherë, dy-triherë. Ti a po merr vesh, se bojke vaki tri ditë shkojshum n’gjit’t, a ta dhojke ni ditë, bojke vaki, a s’ta dhojke. Kaniherë po, kanihere dhojshin besë, kanihere jo. Po. Aj… e nxerrshe diqysh, po me poter, me bam, e bum, e bam, e bume… sa britma (qesh). 

TA: Me pajtu gjaqe, a keni pajtu? Që ja ka falë gjakun?

ISh: Jo, k’shtu gjaqe t’mëdhaja s’kemi pasën me pajtue, jo. Hê, dofarë ngatërresa, qështu për mexha, për male, për gjâ, për qeshtu, po. A t’m’dhaja k’shtu nuk kemi pasën, nuk ka pasë.

TA: E për çka u bojshin problemet ma t’mëdhaja, për tokë, a për...?

ISh: Paj vallai, ma s’shumti: ma prejte malin, ma kullote livadhin, ma kullote k’tâ, ma prishe mexhën, ma hangre mexhën… Po, qështu. Ma rrehe djalin, ma rrehe qenin… Po, qito. Ato… n’katun qito jon. Ti a e ke pâ, me shka t’mirrësh, me qato ki probleme, me qat punë qi t’mirrësh. Po. E qajo u kanën.

TA: Ti odat i ke përjetu?

ISh: Po.

TA: Kall’xona qysh u mledhshit, çka folshit, kush folke? A e keni pasë kush ku m’u ulë a... atë renin n’odë?

ISh: Jo, axhës. Sikur qikjo dhomë qështu u kanën, gjysa te anena ô kanë kashtë, gjysa knena kashtë (qesh), qetu nja ni metër ô kanë tokë. Knena ô kanë do çylyma, do jâna, do qylyma m’u hunxh musafir’t. E mahalla kur ardhshin, ata pak ma mrapa atje nejshin, musafir’t kur ardhshin demek... Po, ardhshin musafirtë me nejtn. Po, ardhshin. Muhabet bojshin, lojna, bojshin muhabet, lujshin. At’here ka pasë lojna, çetër sen...

TA: Çfarë lojna? A t’kujtohen qysh…?

ISh: Po knojshin… Kanë pasë qitelia, sharkija, at’here defa kanë lujtë, kavâlla. Po kanë lujtë filxhana, dofarë loja t’filxhanav’.

TA: Qysh jon kanë? Jo… Kallxonaj lojat me filxhana?

ISh: (qesh) Jon kanë… I qitshe nanë [9] copa filxhana, e me qit’ unazën aty, myhyrin kush p’e gjanë po fiton. Po, nëpër filxhana. Po, jon kanë do loja aty.

TA: Tjetër loja? 

ISh: Loja?

TA: A plot? Plot... (qesh)

ISh: Jo loja plot ka pasën, se nuk ka pasë punë at’here axhës, m’u çu me shku n’punë. Qetashti ti s’un i thu djalit ose çikës rrimë ter n’dhetë, a n’dymdhetë t’natës bojmë llaf, se ai ka me shku n’shkollë, ja ka me shku n’punë. E at’here s’ka shku, po at’here s’ka pasë punë. Rrallë dikush, se s’ka pasë punë.

TA: E kangët me qiftelia?

ISh: Po, kangë me qiftelia. Veç jo kangë patriotike s’ki guxue.

TA: A jo?

ISh: Jaaa, kuku. 

TA: Çfarë kangë?

ISh: Po kangë, qesi t’radijave. At’here s’ka pasë edhe radija, s’ka pasë radija, rrallë dikush se s’ka pasë. Telivizorat ma vonë se vonë. Se jo, kuku… Kangë patriotike me knue, t’mshelshin n’burg, t’sosshin UDBA, policija. Po, qeshtu. Eee moj bijë...

TA: Kur keni pasë naj k’shtu, naj problem me trajtu, k’shtu ma t’madh, a jeni mledhë pleqtë a qysh?

ISh: Po, po, po.

TA: Kush ka folë aty? A ka pasë ni ren?

ISh: Po, po. Qysh jo! Ja ka pasë ren aty, qaj mas plakit shka ô kanë njo, llafi po bjen, edhe qi ô kanë ma i meçëm, se kish edhe pleq... Po a e ke pâ dikush… ma nuk i pret goja me folë, po ôsht ma tup pî gojës, po. E aj tana folke, kall’xojke aj, historia kall’xojke, se shkollë s’ka pasë, me historia qeshtu, sikur une qi po t’kallxoj tye, historija. Kall’xojke tana, folke, folke, folke… tani ju dhojke ren atynve qerve: hajde bre miq, folni ju dikush tashti. Po, ju lejke përparësi dikujna. Ka pasë ren, se jo, demek me folë pa ren, a pa asi... Jaaa! Ja, ja. Ja valli, ishe n’odë t’burrave, po du me thanë sa ishte t’u bâ qeto historija, qeto dertet, e qeto shka ishin, miza u nike se s’kish kush me bâ zâ. E tana u lirojshin apet, e tana ja nis’shin, po du me thanë, hajgare, llaf, e… (nuk kuptohet) tu qitën, po du me thanën qeshit, a di... Po, ka pasën. A ato ku jon kanën, ka pasë ren. F’mija… shkado f’mi nuk kanë hi mrena, jaaa.

TA: Ku nejshin f’mija? Qaty mas dere a jashtë?

ISh: F’mija tu nâna vet (qesh). Pak me kanën si ma nam, me kanë si ma i urtë, ka nejt n’odë. Une e kom pasë këta ma t’madhin, e ky ka nejt n’odë me mue.

TA: A ka guxu f’mija me folë?

ISh: Vallai, jo. Ja, ja. Ja, veç me vetë dishka, se na nuk kemi pasën f’mi kallaballak. I pari f’mi u kanë qyky i jemi, po. E qyky ju bojke hyzmet tana, ish i vogël. Po, na bajke hyzmet: afroma qatâ, afromi do dru m’i shti qetu, qitma do ujë… (qesh). Po, qeto. E ky ka nejt n’odë valla, ky ka nejt me mue n’odë gjithë. Gjithë ka nejt.

TA: F’mija i madh a?

ISh: Po, f’mija i madh. Se une kom pasë odë aty, se qato shpija shka jemi kon qaty, odë s’ka pasë kurkush. Shpija po, amo odë jo. Oda... A p’e di shka ôsht oda?

TA: Çka ôsht oda?

ISh: Oda ôsht… ajo sikur hon. Si n’hon. N’odë shkon… Gjithkushi shkon, hin, rrin, han, pin, te qaj musafiri. E thirrë musafirin, e thirrë domaqinin, han drekë. N’koftëse i ka senet, mos i pastë senet aj nuk çelë odë. Jo, nuk çelë odë. Po aj e ka odën, ka pasë musafirë. E odë gjethkush s’ka pasë. N’atë odë, aty gratë s’kanë nejtn.

TA: A jo?

ISh: Jo. As gru, as çikë, as f’mijë, as... veç naj f’mijë qi u kanën i pastër, sukur ky qi bajke hyzmet, se unë s’kisha qetër kush. Aj po, a k’ta qert ja-a. Ja, ja aty s’ka nejtn kush. Qishtu, valla axhë.

TA: M’u martu… kur je martu?

ISh: Eee, jum martue me nizet e tretin [23] m’dokët.

TA: Ëhë. 

ISh: N’shtator, nimi e nonqin’ e pesëdhet’ e tetën [1958]. Po. A po i bje qashtu Mustafë? Po. Se edhe une s’un p’i maj men. Nuk p’e rrokë kanihere, p’e l’shon traka (qesh).

TA: S’prish punë (qesh).

ISh: Qat’herë jom martu, n’pesëdhet’ e tetën [58]. 

TA: Qysh? A me msitni, a qysh erdh puna? Qysh u bâ?

ISh: Puna? Po une kom pasë ni motër t’shkune qaty n’qat fshatin ngat neve shka u kanë, Zhegovc. E aty u kanë e shkune ajo motra jeme. E nâna e plakës teme edhe vjehrra e motrës, ato jon kon motra. Tana ajo motra e gjyshës teme demek, i ka hecë k’to punë. Bon me ja dhanë se k’ta t’pasun, e qeshtu, e qeshtu, e qeshtu... t’meçëm, e t’pasun e... Kemi pasë na at’herë pasuni, kemi pasë. Bon me ja dhanë, bon. Edhe na’j dhan. Edhe u martum me qet plakën, kjo ôsht e Gadishit. 

TA: Ëhë.

ISh: Po, e Gadishit ôsht. Veç mirë kemi kalue me tâ, faleminerës! Problem s’kemi pasë kurrë. As me miq, as me grue, as me ata t’motrës qi ma kanë qitën, s’kemi pasë problem, po jemi kanë t’knaqt, po du me thanë, pej t’parit jemi kanë t’knaqt. Po, jemi kanë t’knaqt. Mirë kemi kalue.

TA: Dasmat qysh u bojshin?

ISh: Vallahi, darsmën… Une… Për n’atë kohë u kanë darsme katunarqe. Po. At’here u kanën, i thirrshe miqasinë, kô e kishe njetin, me bâe darsmën, sa vetë... sa e kishe renin ton, a bojshe darsum shumë, a pak, a... I bojshe, i thirrshe miqasijën, e bijat, e i marrshin bijat k’tynehere, motrat, e hallat, e tezet. Sa kanga u bojke, sa defi, sa kiameti, sa… Allah, Allah. U bojshin, e gjetshin ni konak t’madh qaty ku ish, qaty u tubojshin tana krushqit. Aj, krushq’ve oj bi… At’here u bojke darsum pej t’enjtes gati se ardhshin bijat n’darsum. E ejte, e xhuma, e shtunë e dille, tej t’hanën, tej t’hanën, po. Tej n’t’hanën darsum. Ardhshin tana miqasia, i kishum ahçitë. At’here ahçi ju kemi thanën, jo...

TA: Kush? Çka janë kanë ahçitë?

ISh: Tashti qi po ju thojnë kuzhinjera, me zie.

TA: Aha, po.

ISh: Po. At’here kuvarë s’ju kanë thanën, ahçi ju kanë thanën. 

TA: Ahçi.

ISh: Po, n’ahçihâne qi po thojmë na. N’ahçiahâne.

TA: A, po. Po, po. 

ISh: E ahçi ju kanë thanë, po.

TA: Ata e bojshin ushqimin për dasmën?

ISh: Ata e bojshin ushqimin. Prejshin lôpë, a m’zet, a dhênë, prejshin. At’herë vnojshin kah tre-katër kazana, i vnojshin me pasul, me lakna, me supë, e me... I vnojshin ata, i zijshin mishin, e dajshin bukën, e bojshin, pregaditshin. Ata qesi t’ri jon kanën shka bojshin hyzmet musafir’ve, ujë, bukën me bajtën me hangër darkën… Po, bojshin hyzmet k’ta t’ritë. E nreqshin kerrin. Kerri u kanë me gjâ at’herë. Kerri i nuses.

TA: Po, po, po. 

ISh: E ndreqshin kerrin me thupra, e mlojshin me qylyma. Po, me qylyma, me t’qinisne, me lula, e hjeshojshin kerrin e kijet. Kitë e zeshtë, ki t’mirë. Kitë e mi gati jon kanë… qeto dy-tri copë katune shka jon kanë, kitë e mi kanë marrë nuse krejt, se s’ka pasë kije. Nuk ka pasë kije. Me kije tana shkojshin e marrshin nusen. Krushqit i zgjedhshin qata shka jon ma jabanxhi, ma pleq, hoxhollarë, pak i qitshin përpara, tana tu ma orta, tu ma orta, tu ma orta… Ardhshin tana daullat përmas, tupanat, gjymyshi, lojatarët tu lujtën, tu shkue tu lujtë, tu k’cye, po… tu qitë pushkë, tu qitë, po. Edhe shkojshin teeeri tu miqtë atje. Atje e marrshin, tana dalshin ata i përcjellshin miqtë, i pritshin, e marrshin tana nusen, ata t’shpijës shka e kishin çikën, e shtishin tana n’kerr tonin. Edhe na tana hajt teknena, e marrshum qetu. Xhymysh… Teknena tu ardhën tu bâ xhymysh. Jon kanë n’atë kohë, për n’atë kohë t’mira jon kanën, mirë jon kanë, nuk ô kanë keq, nuk ô kanë keq. Tashti pak nuk ôsht keq, a di. Qetashti… Po pak e kanë teprue, p’e teprojnë shumë. Jo bash qashtu. A di, neve pleqve po na vjen… se aj, për k’ta t’ritë mirë ôsht, po... (qesh) neve pak jo mirë, a di. Tana ardhke khâ, e zhdrypshin nusen. Kur ardhke nusja dalshin bijat, e dalshin çikat, e dalshin... E zhdrypshin nusen pi kerrit, sa kanga, sa defi, sa pushka kriske, sa kjameti. E qitshin nusen, qaty u palojke nusja. K’nojshin çikat, rrehke defi teeeri vonë. Tana vonë ardhke koha u shpërndashin, po. E çojshin dhanrrin. Po mirë ô, mirë, s’ô kanë keq. Jo s’ô kanë keq. Tybe mirë ô kanën. Ô kanë nifarë… nifarë k’naqësie, nifarë hjeshie ô kanën se ki pasën, po du me thanë, qysh me bâ ni llaf, e ni muhabet, edhe me sebepe, me shoqni, e me... Tashti ti po shkon n’restoran, po tybe veç po shkon badihava se sen me ni s’po nin. Vum-vum, vum-vum, vum-vum, vum-vum… tej sahati dy t’natës, hajde se u krye. Po. At’here kanë k’cye...

TA: A keni thirrë shumë miq?

ISh: Po, valla.

TA: Dasma e madhe a?

ISh: Po, valla. Une i kum pasë teri… niqin e pezdhetë [150] i kum pasën. Edhe për djalë kom pasë darsëm t’madhe.

TA: E keni bâ n’fshat dasmën domethanë?

ISh: A?

TA: N’fshat dasmën aty...?

ISh: Po. Edhe une kom pasë darsëm. Sefte për darsëm teme, për mas luftave, n’darsëm teme ka rrehë tupan. Se tupan përpara nuk e ka ditë shka ôsht tupani, se lufta… Po, e n’darsëm teme tana na e patëm bâe me tupan. Nâna jeme tha, “Une ko me bâ me tupan se qet djalë e kom për hasret.”, tha, “E kom rritë jetim.”. Aaa mahalla, katuni... s’bon! Aaa dasma me tupan ka punë, a di, sa njerin duhet me thirrë, e sa k’shtu, e sa, khâ e fukarallak, e skame... Nâna tha, “Une kom.”. Po kishum na idare. Edhe e bonum tana darsmën. E pi darsmës teme, tana edhe djalin kur e kom martue, me tupan e kum martue, me lojtarë e kum martue. Kom pasë krushqi, nâmin kimi pasën, darsëm e madhe ô kanën.

TA: N’atë kohën tâne, n’dasmën tâne, a ka pasë bakshisha ose dhurata qi kanë pru? Çfarë?

ISh: Po. 

TA: Çfarë dhuratash kanë pru? Kush? Çka?

ISh: Po qyre, tashti aj i zoti darsmës ka çue mall, pëlhura me pre, po du me thanë, k’misha, dane, sene, perde… me pre qesi sene, qesi bakshishe po du me thanën. E nusja atje i punojke, ajo i qeniske, e i tërgovatke, e i bojke ato krejt. E tana atje, ajo nuse i ditke sebepet e mia, llafi po bjen.

TA: Aha. Po po thu nusja qi ju ka dhanë? Aha. 

ISh: Po, nusja. E tana nusja i ka dâe, ka thanën, “Vjehrrit qetâ, qit bakshish, vjehrrës qetâ.”. Po.

TA: Nusja?

ISh: Po, nusja. Kunatit qetâ, po… kusherive qetâ, mesave qetâ, hallave qetâ, motrave t’burrit qeto. I dajke po du me thanën, nusja i caktojke. 

TA: K’shtu, po menoj… Njerz qi kanë ardhë n’dasëm te ti a t’kanë pru dhurata? Qashtu po menoj.

ISh: Po, m’kanë prue.

TA: Çfarë… Kush, çfarë dhurata bijshin?

ISh: Po kanë prue k’misha, domethanën peshkira, kanë prue dêsh, delme…

TA: Dêsh? Kush pruke dêsh?

ISh: Dêsh kanë pru miqasia qi i ke pasë ma t’afër. E kanë pasë idaren e mire, e ka pru dashin bakshish. Po.

TA: Mandej me atë dash... A e ke rujtë, a e ke pre për dasëm?

ISh: Jo. Ja, ja. Ato i kemi pre. Ato i prejshum, ato i prejshum. Po. Dhojshin bakshishe, prujshin shiqer, prujshin kafe, prujshin sebepet, miqasia. I prujshin bâbës, nanës, llafi po bjen, bijave. Kush ka pasën, se kush s’ka pasë, ni pakicë, viç sa ni shejë demek. Po at’here u kanë edhe skâme e madhe, oj bijë. Skâme e madhe ô kanën, s’ke pasë, s’kanë pasën. 

TA: E nusës a i keni dhanë kështu t’holla për me siguru ajo çejzin, po? A veç materiale?

ISh: Po. Ja, ja… i dhojshum. Edhe pare çojshmi.

TA: Edhe pare a?

ISh: Pooo. Çojshum. Me kanën miki pak qi ish si pasun, ta nimojke edhe aj. Punojke, i dhojke çikës vete, po du me thanën, për me çejzu dishka ma mirë. Po qi s’kish, thojke, “Vallahi miko, Allahi ta dhashtë, n’desh blej, n’desh mës i blej, se une s’kom.”. Po, po at’here u kanë… edhe u kanë ni… pak ni e keqe u konën. Pak nuk ô kanë mirë qi ta caktojke miki shka ki me nxerrë për çikë, për nuse. Po, ki m’i nxerrë qekaq kat tesha, ki m’i nxirrën, qekaq ki me nxjerrë dukat, qekaq unaza t’dukatit, qekaq kunra, qekaq qito, qekaq qito... Po. Jo-jo tej t’i bojsh qito vâde s’dalum marrum. 

TA: A po?

ISh: Po. E vallahi, për dikon ô kon shtirë. Kush nuk ka pasën ô kanë shtirë. Vallahi, u deshtë me shitë tokë se s’ke mujtë me martu djalin. Tokë, lopë, kâ… u deshke me shitën, se at’herë punë dërzhave s’ka pasën qi me thanë po hi e p’e marr rrogën, a marr kredien, s’ka pasë axhës. Jo, s’ka pasën. E me kanë mik i mirë, me kanë pasunik, ta nimojke dishka. Jo-jo, vallahi t’caktojke, qito, qito, qito ki m’i prue, jan, qylym, tesha, qekaq kat tesha ki mi prue, qekaq parë kundra, qekaq qitâ, qekaq qikhâ ki m’i prue n’desh me marrën. Jo-jo, kur t’i bojsh vjen e merr robin.

TA: Po.

ISh: (qesh). Ta çajta krytë, oj bijë. 

TA: Jo, jo.

ISh: Jo, vallahi… Po, pasha Allahin. 

TA: K’shtu qysh i kini... Qysh jini sill’ ma mirë, a me çika a me djem? A ma shumë keni pasë qef me pasë çika a djem? Pse? Qysh? Kall’xona pak. Ti, për shembull, a ke pasë qef me pasë çika ma shumë a djem?

ISh: Jo, djem. 

TA: Pse ma shumë djem?

ISh: Na… Jo veç une, po krejt kemi pasë qef djem. Se Kosova u kanën e varfën pî mashkujve, e gjithë na kanë shkelën. E kemi pasën qef gjithë Kosova me pasë mashkuj ma shumë. Po, se m’i nejtn armikit karshi. S’ke pasën mashkuj, t’ka shkelë gjethkush. Po ke pasë mashki, po ke pasë djem kallaballak...

TA: E nâna, për shembull, ti a e man men, a t’ka trajtu ty pak ma mirë si djalë, ma mirë se çikat?

ISh: Po, po. 

TA: A po?

ISh: Po, po. Se une kishe tana pak u rrita, u bâna si domaçin. E udhëheqshna tana shpijën une. Po. Jo tu motrat, jo tu tezet, e jo tu halla, jo u deshke m’i përcjellë atofarë, domethanë, ato ceremonitë s’kish kush, nuk kish kush. Po, u deshke patjetër. Nâna gjithë mue m’ka pregaditë, po du me thanën, edhe gjithë m’ka nderue sikurna me kanën plak, po du me thanën, plak. Po edhe jum kanë i zgjut, jum kanën. E kum ngue, po. S’ja kom prishë kurrë. Edhe tona ajo gjithë, gjithë... shpeshhere, shpeshhere m’vetke, thojke, “Smajlo, mu m’vetë vetum, a mu m’ngu mos um ngo.”. Thojshna, “E qysh nano, hêm vetëm hêm mos um ngo?!”, “A di shka, ti mu m’vetë vetëm, maroma qefin qi m’vete, a une nuk t’i di punt e tua qysh i ki ti, me t’thanë jo qashtu mâ, qikhâ mos shko, qatje mos shko. Po, a mu m’vetë kom marak.”. Pse? Plaki ish marak me ditën ku po shkon, kah po shkon, ku po vjen, me kô shkove, me kô erdhe, a po ecë, po du me thanë, me gjin’ t’mirë, a me gjin t’kqi, a me hajduk’, a me rakixhi, a drogaxhi, a... a po ecë me ata gjinën e mirë? Domaçini ôsht i knaqt kur t’i sheh edhe robt e shpijës… Kur t’i pashë pikë e pesë, njâni qatje, tjetri qatje, tjetri n’rrotë t’samës, at’herë as domaçini s’ôsht i knaqt. Po, s’ki gjo pî tina. Po. E na jemi kanën familje e vogël, e pastër. Nâna qeta dy djem, tri çika. Idaren e kemi pasë t’mirë shumë. Qaty pari s’ka pasë, qëto dy-tri copë katune shka jon kanë, nuk ka pasë idare ma t’mirë për n’atë kohë, po... Mirë, mirë valla. Qashtu.

TA: Na kall’xove pak për rininë, për punët qi i ke bâ, çka ke punu, krejt. Po tash po du me dalë pak te ni pjesë, nashta pak ma e ndjeshme. Luftën e ke përjetu edhe i ke pasë do përjetime pak ma t’veçanta edhe i man men krejt ato qysh... E pak me na kall’xu prej fillimit qysh ja ka nisë.

ISh: Qet luftë a?

TA: Po, t’fundit.

ISh: Qeto t’funit?

TA: Po, po. T’Kosovës.

ISh: Po qikjo e funit mo murr vesh qî kush e prishi. E prishi Serbia, Milloshi e prishi. Nejse, aj ô kanë i porosit’t, a qysh ô kanë, punë politike u kanën, veç kryesorja aj e nisi. Edhe tu shkatërru, e tu shkatërru, tu shkat’rrue, e shkatërroi. Mase u shkatërrue, hupi besimi mes tyne, hupi besimi mes tyne.

TA: Mes kujt?

ISh: Mes sërb’ve, shiptarët edhe sërb’t. Hupi besimi. Po tana ma s’i besojshum atyne, as ata neve jo. Edhe tana jo tha qushtu, jo Kosova Republikë, jo Kosova k’shtu, jo filani qeshtu, jo qeshtu, jo s’ja’v epëm Serbija, juve s’ju epmi Republikë… Na, po. U çojshin demonstratat, i vrajshin, i rrehshin, i shtishin n’burgje, bam-bum, tu shkatërru, tu shkatërru... Aj na me Serbi s’un u shtyshum, oj bi. Serbia ka mujtë m’u shty me Ballkan. Po, se ô kanë e fortë. Na s’kishum (nuk kuptohet), edhe qato trohë arme shka e patum na’j mledhi. As brisk s’na ka lanën. Do llovaçka t’kqija t’gjuetijës, edhe ato na’j mur se u tutke qi me to p’e vrasum Sërbijën. Po se edhe krisi tana lufta, i ranë mo, tana u çun n’kamë. Tana jo çerat shtete e lutën Serbijën: Mâ, mâ, mâ, mâ…! M’u marrë vesh diqysh e mâ. Ajo hiç, hiç, hiç… veç kô me marrë, krejt kô me marrë. Kô me marrë, thojke, prej khahit, me Kosovë, e Shipni, e Kroaci, e... tej n’Turki atje. Po, po. Tana e panë qerat shtete qi e teproi, u çun tana qerat shtete. “Mâ se na t’bina!”, “Ja, s’un um bini.”, “Jo, na t’bina. Moni, moni!”, “Ja, na s’i lâna.”, “Ani, hajt provone.”. Ti dhanë zor, ti dhanë zor, tu çu Klintoni tana, tha, “Une t’hupi krejt.”. Po, edhe qpërrt e largoi te anena. Sod qe... Qyre tasht a p’e sheh qysh jon kapë nërveti. E vrajtën vetë. I qiti dy, qat Zvankën, edhe ni qetër, e ni çetër i qiti. S’e di a i pâ, ajo ja’u qiti fotografitë. Qata dy [2].

TA: E ti qysh e ke përjetu? Tash historijën tâne, t’familjes… Qysh keni ikë pî Kosove? Qeto pak me m’i kall’xu. Ti qysh e ke përjetu, ti personalisht, luftën?

ISh: Jo mirë, jo mirë. S’u kanë mirë, se na e dijshum qi humbës, humbës jena. Na e dijshum qi s’mujna me qindrue. Na shka patëm, qat idare na’j kalli atje, me shpija, me gjâ, me krejt me shka patëm, qpërrt-përrt. Sen, gjâ s’na lan’, veç na rob’t e shpisë. Vllavin atje ma kanë vra tana.

TA: Ku ta kanë vra?

ISh: N’luftë at’here, shkijët. Po, n’mal aty ma kanë vra v’llavin, e kom dëshmor, k’tu n’kodër, t’dëshmor’ve. Edhe pllakën e bâbës qi t’kallxova e kom k’tu. Po. Jooo, axhës...

TA: A keni nejt k’tu, a keni shku refugjat ni përiudhë diku?

ISh: Po, n’Maqedoni shkum tana.

TA: Qysh erdh puna? Hajt kall’xo pak qysh.

ISh: Po na përzuni pi k’tuhit, se na ranë forcat sërbe krejt k’tu. Dulën atje n’mal kah na, se thanë atje ka UÇK shumë. Tana dulën k’ta me tenka, me topa, me kiamet, e me kiamet, e kujtojshin qi ka me mija-mija UÇK, aj mija-mija s’ka pasë po e rritshin. Dulën. Kur dulën tana, cillin katun, cillin fshat e rrokshin përpara ata e kallshin, vritshin, shka mujshin. Na ranë tana tej n’Zhegovc t’pôshtër, n’Zhegovc t’pôshtër u dorëzun tu k’ta t’UÇK-së. K’ta thanë, “Na s’mujna me ju bâ qare. Qy bjeshka, hecni përpjetë!”. E kah? Sytë, kamtë... E dulën përpjetë e ni fshat ôsht, Plitkoviç, e pi atyhit jimi dalën, kimi bujtë atë nâte aty gjeth natën, me ni xhami edhe me ni shkollë, e çelum, hinum, e kimi flejt. T’nesrit jemi çue kur u zdritë, e teposhtë, e për Gadime. Jemi râ n’Gadime, jemi râ n’Mirazh, jemi râ n’do katune, e n’Ferizaj. N’kamë.

TA: N’kamë?

ISh: N’kamë, krejt n’kamë. Prej khâhit e n’kamë n’Ferizaj atje, me f’mi e me krejt. Atje tana i kemi pasë do miq, kemi nejt’ nja dy javë ditë, a tri... E pamë qi edhe aty hinën forcat sërbe, vrajshin, kallshin shka mujshin n’Ferizaj. E pamë qi s’met as aty mo kurgjâ. T’jemi dalën edhe pî atyhit, e t’jemi hypë n’tren, e për Maqedoni. E jemi shku n’Maqedoni, tana kemi nejt dy mujë a sa nejtum, dy muj kemi nejt tana n’Maqedoni. E atje n’Maqedoni, n’qesi n’shatora, n’shatora. E une t’kall’xova pej f’minisë jom kon marak n’shkollë, jom kon marak n’shkollë. E i mora th’mijën, e djalin, e i çova me ni shkollë aty n’katun ku ishum tu asi, aj si katun, si shehër ish, e e lypa e gjeta ni shkollë. E i kom çu i kom regjistru aty th’mijën. Thojshna, mos t’ju hupë ni vit. Qyre, a pe sheh maraki i bâbës, e i prindit? Thojshna, kumeditë bo vaki vje hesapi qi kthehmi, mos t’i hupë. E mora mesën, çikën e djalit, edhe tre djem. Ky ish i vogël, halâ s’e rrokke shkolla. E i çova, e lypa drejtorin e shkollës, sekretarin. Tha, “He?”, thashë, “Du m’i regjistru f’mijën n’shkollë. Herdokurë s’dihet devër dyjeja, m’u kthy n’ven t’vetë, mos ta hupë shkollën.”. Une jom kanë marak n’shkollë. “Po”, tha, “bjeri.”. E jom shku atje n’shator, e i kum marrë, po s’na lejshe KFOR-I, s’na lejke me dalë se jemi kanë t’hupt krejt. E tana aty p’i kall’xoj atina përkthysit, thom, “Une n’shkollë p’i çoj.”, e qeshtu, qeshtu, qeshtu... Hiç [nuk e lejojnë]. I kishna tana une tespitë se u kanë xhamija ngat, shkojsha n’xhami. Tana p’i kallxoj atina, thashë, “Une shkoj m’u falën”, aj tha, “Ky falët. Ôsht mislimon i mirë, edhe familjen e ka t’mirë.”, aj përkthysi. Kap une i çova, e i rigjistrova th’mijën atje n’shkollë. E tana kur hinën forcat amerikane k’tu: hajdeee m’u kthye n’Kosovë. Tana na edhe dy javë s’kemi mujtë m’u kthye n’Kosovë. Mujshum m’u kthye, po une shkaki dipllamave kishna qef me nejt’ me ja’u marrë f’mive, mos t’ja’u hupi vitin. Po shka me marrë une dipllomat, kejt me pes’qe! Me pes’qe. Kanë pas m’su mirë k’ta shumë, shumë kanë pas m’su. E ja’u morra dipllamat, i pruna. Kur i pruna n’Selami Allaç, ja çova dekanit shkollës, ja çova drejtorit, thashë, qeshtu, qeshtu, qeshtu... Tha, “A i ki dipllamat?”, thashë, “Po.”. I murr i pâ. Tha, “Bash me pes’qe?”, thashë, “Vallahi, une s’i kom marue. Kjo vula e tina, nënshkrimi i drejtorit, e i sekretarit, e qy me vulë krejt.”, “Tybe ni muj, a gjashtë javë pushim kanë. Ne t’shkojnë, ne t’qetësohen th’mija, tana kanë me ardhën n’shkollë.”. Edhe tana nejtn f’mija nja… s’di sa. I çova tana une. “Hajde birë”, tana u rrit ky, edhe k’tâ tana e regjistrova n’Musa Zajm. E regjistrova. Ish i vogël, i vogël.

TA: Kur u k’thyt pî luftës a pat’t ku m’u k’thy a qysh?

ISh: Ja, ja, ja. A t’kallxova, n’çerdhe t’f’mive kimi nejtn. Katërmdhetë muj n’çerdhe t’f’mive kemi nejt, s’kemi pasë ku. Jaaa! Pej çerdheve f’mive dulëm tana qetu. Qetu e blejta qet aborr, i ngreha do shatorra, e n’shatora tana kemi nejt qetu teeeri i kemi maru qito. Axhë, niqin’ [100] vjet po thom, se ma shumë se niqin’ [100] vjet i kom (qesh). Shka kemi hjekë, niqin’ [100] vjet o axhë, niqin’ [100] vjet.

TA: Edhe Luftën e Dytë Botërore thae qi e man men?

ISh: Po. 

TA: A t’kujtohet k’shtu? A veç naj ngjarje, a veç k’shtu si...?

ISh: Jo, m’kujtohen edhe ngjarjet. M’kujtohen se… Po t’kallxoj axhës, bash shtabi shka jon kanë do oficira, jon kanë n’shpi tonën, bash n’shpi teme. Se mo niqin’ [100] here u përsërit kjo punë, nashti u bâ bajat, që thashë na jemi kanën, a di, ma t’fortë pî idarës, e na kem pasë shpinë e madhe aty n’katun, aty n’Drenicë i thojnë kulla. Na kulla katunar’t s’i thojna, shpija dy kat’she, tri kat’she. A me kanë n’Drenicë i thojnë kullë. E tana ata, oficirat, i lypshin kejt ku ishin ma t’mira me nejtn. Po. Na’j zunën shpitë neve. Kejt ishin do gjeneralla, do oficira, do... n’shpi tonën, po aty. Na me do çera, soba anena, k’ta k’nena nejshin. Ushtrija, oficirat, nejshin, veç nuk kanë bâ sikur k’ta kit luftë. Po du me thane, ushtrija e Marshallit nuk kanë bâ zullum qeshtu as s’kanë vjedhë. Jaaa, jo, jo nuk kanë bâe k’shtu. Jo vallahi, ardhke tu dera… Tu dera ardhke dezhurni, tang, tang, tang… bâbës tem, thojke, filan teshën po na vyn, jo se filon njeri, a filon njeri, a... Se mrena me hi tu gratë, mozallah. Jon kanë, partizanka ju thojshum, femna sikur k’to qi jon kon t’UÇK-ës. Ato hishin me automata, kontrollojshin n’shpi, i kontrollojshin gratë, çikat, a ushtarë jo me hie. Edhe aj i ka pasë do rreglla, po. Tana Marshalli tha, “Kush i ka durt me gjak ne t’shkon kah t’donë. A kush s’i ka durt me gjak ne t’bjen n’dorë, s’guxon kush me prekën. Kush s’ka vra gjin’, s’ka pre, as s’ka plaçkitë, aj ne t’vjen ne t’bejn n’dorë, s’e ngucë kërkush. A qaj qi ka bâ zullum, ka t’don le t’shkon.”. E tana ikën ata, kush ka bâ zullum, Balli Komtar, qi i thojshmi… A ja ke ni zanin Ballit Komtar?

TA: Po.

ISh: Po, Balli Komtar. Ata ikën, tana u shpërndahën n’Amerikë, e n’Francë, e n’Angli, e... Ikën Balli Komtar. E na tana metëm. E une tana i maj men. Si sod e maj men natën para sabahit, ni pybëz, p’rr, p’rr, p’rr… pybza. Hajde, hajde, hajde… Serbisht s’marrsha vesh, i nijsha zânat. Aj oficiri ju thojke ushtar’ve, “Hajdeni me hecën”, kishin ata punën e vet’. Edhe dulën, shkallt teposhtë, t’kullës, varra, varra, varra… at’herë t’drrasave jon kanë, s’ka pasë beton, shkallt tepôshtë, e zhdrypën, ouuu, teposhtë e dulën n’aborr. Aborrin e kum pasë t’madh, t’trashë, e i drejtojshin ushtrijën. Vap-vyp, vap-vyp, vap-vyp… sërbisht. Ishna i ri. I drejtun, s’nejtn, me thanë nja ni gjysë ore e kemi pasë nifarë kojshie, sikur nja pesë-gjashqin’ metre, nimi metra s’o kanë vallah, qashtu gati. Aj… pak ô kanë si zullumqar me shkije, bojke zullum. Na tu ngu, na po ngojmë shka po na bojnë, a po na kallin edhe neve a jo. Kur po kallxon, bâba, e do, a di, do nipa t’tonët, tha, “Vallahi, shpinë e Qazimit e kallën partizant.”. Po, i dul flaka shpijës. U dokke pî prezorës, e i kemi pasë prezoren e madhe qështu, t’kullës, e u kanë me hekra, at’here. Si sod e maj men, e nojshum kryn n’hekra, e k’qyrshum aty ka u kallke shpija e Qazimit. E maj men atâ. Tana na hecshmi napër aborr me motra. Motrat jon kanë pak ma t’m’dhaja, e une ma i vogël. U shetishum nepër aborr ditën, po jo mu na ngucë a mu na asi partizant. Ja, ja. Jo. Na dhojshin do bonbana, na dhojshin do konzerva, do f’mij, a di, ma... na ishum t’vocërr. E qatâ e maj men. Paj po harron njeri o axhë, po harron njeri, po harron.

TA: Plot përjetime a?

ISh: A?

TA: Po thom, plot përjetime.

ISh: Po. 

TA: Gjatë luftës a je plagosë?

ISh: Po vallahi, axhës. Jom plagosë veç n’trup jo, a aftomati… m’ka râ qetu rafalli, prej kâhit e khâ, ma ka qitë tej’um’tej.

TA: N’krah, domethanë?

ISh: N’krah. Skej’um’skej teshat m’i ka çkye, a po beson, teri edhe fanullën ma ka çkye, se jo k’mishën, po edhe fanullën ma ka pré. Si ma ka ngjitë k’tu, me k’mishë, me fanullë, me xhamper, me gûj, ma ka pré rafalli. E ymri... Kur s’po t’vrajke Zoti, insâni s’un po t’vrajke.

TA: Domethanë, nuk t’ka prekë hiç n’trup?

ISh: Nuk um ka prekë hiç n’trup.

TA: Nuk koke plagosë, pra.

ISh: (Qesh)

TA: Domethanë, ke pshtu?

ISh: Me pshtu kum pshtu axhës, a di, ymri. Kom pshtue. A ata mu m’vra, m’kanë vra, veç qi Zoti qi su m’ka vra, ajo qetër sen.

TA: Po, po ke pshtu po du me thanë, se kanë gjujtë n’drejtim.

ISh: Po kanë gjujtën n’drejtim.

TA: Kur, n’çfarë... Kur ndodhi qajo?

ISh: Qat’herë n’prill, me pes’mdhetë prill [15]. Kur na ranë aty edhe ni nip u kanë i Hajvalijës, Prishtina shka ôsht, Hajvalia. Edhe aj u vra qaty, edhe v’llavi jem u vra pak ma anena n’mal, qaty. 

TA: A po? Fati jot paske pshtu.

ISh: A?

TA: Po thom fati jot paske...

ISh: Po vallah, ymri. Po badihava kur do Zoti, badihava. Po vallah, qeshtu u kanën. K’to farë beteret e tona qeshtu. Gjithmonë kemi hjekën, gjithmonë kemi hjekën. Shka s’e… gjeth aj... Po du me thanën, shka ôsht: ti s’ki krah, hejkë ma shumë, s’ki kush t’nimon, s’ki kush t’asi, pa qare...

TA: Tash p’e shoh qi paske qef me majtë plisin, teshat komtare m’i veshë herë mas here...

ISh: Po, i veshi kanihere. Tashti jo, se dishka s’jam tu mujt mirë se…po, i bâj. I kom teshat komtare. 

TA: Po. Plisin mo vazhdimisht?

ISh: A?

TA: Plisin e man gjithmonë?

ISh: Po. Ja plisin as n’luftë s’e kom hjekë bilum. I vramë se i vramë veç t’shkoj, thashë, me kapuç, mos t’shkoj kryeshtrum (qesh).

TA: A po thu qi pak duhet m’u munu me rujtë traditën?

ISh: Vallah po, valla po. Po, axhës. Po se aj para sa qindra vjete, hale po duhet m’i ja manifestue Skenderbegit atë meritën e tina. S’duhet me harrue, nuk duhet me harrue se ato përcjellën. Qyre ato bustat e ato t’ Skenderbegit, ti s’ki ven qi s’kie, e ki n’Amerikë, e ki n’Francë, e ki kahmos, kurrë s’hupë ajo. Kurrë s’hupë ajo, ajo ôsht histori. Histori ôsht. Duhet m’i përcjellë ato, duhet m’i përcjellë ato. 

TA: Na kall’xove për jetën, pak, hjekat e k’to...

ISh: Po valla, axhë. 

TA: Tash, qysh e ki ni ditë? Qysh p’e çon kohën? Sot, për shembull?

ISh: Mirë, mirë ô. Veç qi pak, a di, pleqnia e ban. Ajo faji ôsht tu pleqnia, se mirë jom, edhe jom i k’naqt. Megjithëse… Po du me thanën, jom i k’naqt. Djemtë i kom mirë, shpijat i kanë t’vetat, po. Nipat m’u kanë bâ, n’shkollë janë, n’punë janë… Nashti t’ka kallxu Smajli. Edhe djemtë e v’llavit qaty i kom, qi t’thashë mu ka vra v’llavi atje n’luftë, që ôsht k’tu, n’kodër t’dëshmorëve, edhe aj njoni ôsht si mjek n’FSK, po. Qetri ôsht ni firme si menaxher i k’pucve, fabrikës t’k’pucve, t’Ferizajit, njo ôsht n’Gjermoni. Tre i kom t’vllavit. Po, tre djem t’v’llavit i kom. Edhe po du me thanë, mirë. Kryesorja, si thojnë ni fjalë, nuk um ka shkue muni huq. A di, qi me thanë i kum dhanë zor, e kum hjekë, po kurxha s’ke bâe. Veç nipat qi i kom shkollue për mu s’um vyn ma shumë. Veç nipat qi i kom shkollue. Veç nipat qi i kom shkollue boll.

TA: A m’u shkollu po thu shumë e ransishme a?

ISh: O axhë, pa shkollë s’ka kurgjâ. Hiç, hiç, hiç. Bukën leje trrap, kape librën lexo. Hiç, pa shkollë s’ka. Amanet po ta len axha, leje bukën trrap, ne t’pushon, me hangër han apet, a shkollën mos e le. 

TA: Pse?

ISh: A?

TA: Pse?

ISh: Pse? Shkolla t’qet n’dritë, shkolla ta man shpijën, t’i man traditat. Pa shkollë s’un ma traditë. S’un ma kurgjâ. Pa shkollë s’un man besë, s’ki besë, s’ki kurgjo, pa shkollë, kush s’t’beson. Se qyre na qi s’kemi pasë shkollë, gjeth k’to hjeka, aj shka kum hjekë une me t’kallxu kumeditë se sa s’un t’i kry, po llafi po bjen. Qyre, jashna me t’kallxue, mu m’thanë ama ni document, s’kom. Pse s’kom ditë shkrim-lexim. Badihava, pa shkollë s’ka kurgjâ.

TA: E çikat a po ban m’u shkollu? Çka po thu?

ISh: Po, po. Edhe shumë bilum, edhe shumë bilum. Shumë duhet m’u shkollu, po me mençuri m’u shkollue, me men, jo pa men, me men m’u shkollue. Me pasë karakter, me pasë diciplinë, me pasë me ditë me neru dikon, me hatru dikon. Ma s’pari... ma s’pari bâbën, nânën, familjen, rrethin... Si mës t’i rrespektojsh qata t’ut, badihava jabanxhijën, badihava jabanxhijën ti e rrespekton. S’kaaa, aj rrethi yt... 

TA: Ëhë.

ISh: Po, rrethi yt. Jo axhës, s’bon. Pse me shkue… Nashti bajat, po pse me shkue te mjeki, doktorri tu kanë doktorricë, shkon e k’qyrë motrën, çikën, mesën, hallën... A ôsht ma mirë?

TA: Po.

ISh: Eh qe qi po thue femna me pasë shkollë. Ajo si mos t’ka shkollë ajo s’un bohet kurgjâ, si t’ka shkollë bâhet mjeke, bâhet drejtoreshë, bâhet… tona i bon, i fiton me shkollë. Pa shkollë s’un i fiton. Jaaa, shkolla… kuku. Shkolla dritë. Dritë, dritë, dritë, dritë. Pa shkollë, kuku, kuku, kuku. Jaaa. 

TA: Thâe, kom hjekë shumë. T’shkon shumë kohë me kall’xu për përjetimet e tuja.

ISh: Ouuu, axhë. Po jeta e gjatë oj bijë, i kom bâ tedhetëvjet [80].

TA: Ëhë. 

ISh: Shka s’ka kapërcye nëpër jetën teme. Mirë e keq, skame, pasuni, e pa pasuni. Tona, tona, tona. Po, vallahi. Jaaa…

TA: Cilën periudhë t’jetës e ke pasë ma zor ose qi t’kujtohet, qi t’ka metë ma v’shtirë k’shtu... ma problem?

ISh: Po qyre, ma problem e kom pasën teri jom bâ i zoti vetvetit, po du me thanën për me ditën shka ôsht e mira, shka ôsht e keqja. Kush po t’llogaritë për t’mirë, kush për t’keq. Qaty si mos t’mujsh me dallu, qeta sene, kurgjo s’ôsht. 

TA: Ëhë.

ISh: Duhesh me ditën qysh i ka senet, qysh p’e udhheqë politikën. Po. E une përveti, teri qi jom bâ me ditë, m’u rritë v’llavi, pak bâna ni tro krah, po, se m’u rrit edhe v’llavi. Tana bona shoqni, mase bona shoqni, nuk e kishna gajle tona, pak ma ndrysh ô kanë me shoqni, ndrysh ish shoqnia. Ndrysh ish shoqnia. Si ta kish shoqninë i ki tona, pa shoqni s’un bo kurgjo. 

TA: E për sot, për t’ritë, për traditën, a p’e rujnë a s’pe rujnë, çka po thu? A duhet pak me kanë ma t’vëmendshëm edhe na nashta? Qysh po menon?

ISh: Vallahi po, vallai po. Po valla, nuk bon bash... bash me shkelë krejt.

TA: Pse? A po thu qi p’e shkelin?

ISh: A?

TA: A p’e shkelin a?

ISh: Vallahi, po. Vallahi, po. Bash... jo bash mirë, jo bash mirë. Jo me rrespektue bash qysh duhet. Po du me thanën, familjen, sebepet, shoqnijen. Jo veç sa t’jenë nërsy t’tina: po, po, po; jo jo, jo; kur t’kthehet: hajt be se s’ôsht kurkush, hajt be se kurkush s’ôsht! E qajo nuk bon, ajo ôsht si tradhti hesapi. Po, ajo ôsht si tradhti hesapi. Nuk bon. Qajo ôsht. Po shka me bâ! Aj, tashti edhe koha e bo t’vetën. Aj, tashti ti badihava… ti s’un e kthen atë t’moçmën.

TA: Po, e vërtetë.

ISh: Po s’un e kthen atë t’moçmën ti. Po edhe nuk duhet m’u kthy ajo e moçmja qysh u kanën. Po edhe nuk duhet m’u kthye, jon kanën dofarë t’mira, po ka pasë edhe t’k’qija shumë.

TA: Pse t’k’qija?

ISh: Po skame bre, t’m’dhaja, ka pasë shumë. E ka pasë idhnime t’m’dhaja shumë. Po ka pasën fukarallak t’madh, edhe me deshtë me neru dikon, s’ki mujtë me nerue, s’ke pasë me shka me nerue. E qato jon kanë do t’kqija shumë. Po, qato.

TA: Po, po, po. 

ISh: Aj… besimi u kanën. Besim ka pasë at’here, me t’vërtetë besimi u kanë ma i madh. Besimi u kanë ma i madh. Amo qetashti jo valla, jo mirë. Po me mujtën me majtën, ato traditat e tua m’i përcjellën, poplli shiptar mos m’i harrue ato t’vetat. Mos m’i harru. Po shka t’mujna kena m’u munu. Ishalla ju se na.... për neve… (qesh). Ishalla ju se për neve, na... U krye.

TA: Ani, axhë. Falemnderit shumë për historinë, për fjalt, edhe për krejt këtë rrëfim!

ISh: Me ner kofsh, axhës. M’fal qi ta kom ça kryt’. 

TA: Jo, jo, jo. 

ISh: Po nejse, bonum llaf.

TA: Po, falemnderit shumë!

ISh: I kom edhe do mesa qeshtu si ti...