Mark Pjetër Berisha

Intervistuar nga: Lekë Shala

E Shqiprisë, u kânë nën-prefekte. Femën ma t’shkollume s’ka pasë për atë kohë. Ajo u nejtë n’familje tonë, e kemi pasë venin

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

07.06.2018

Lokacioni i intervistës

Doberdol

Vendi i lindjës

Tranksriptimi

LSh: Jena me datën 7 qeshor 2018, në shpinë e Mark Pjetër Berishës prej Dobërdoli.

MB: Dobërdoli nuk osht’ fshat qaq i madh, por osht’ ni fshat, i cili i ka dhânë shumë popullit shqiptar. K’tu osht’ veni ku u majtë, edhe qysh me thânë, n’at kohë… që i ka pasë, do thojshin ballista...veç, i dini ju k’to qysh thirren. E, une jom i lemë 1938-ën, babgjyshi jem, ‘Sërbia e parë’ që i kanë thânë – e para. 

LSh: ‘E kralit’ – at’herë?

MB: E kralit, at’herë. M’u ka vra me t’19-tën senje – 1919-tën, babgjyshi me gjith’ vlla, edhe me gjithë t’Lacit qëtu. Jon’ do Lacë, e i ka therrë – me Sërbi që ka luftu Azem Bejta, Zefi i vogël. Azem Bejta u kônë… Zefi i vogël ka qëllu rrugës tu ardhë – ata jon kônë partnera...tash hallku le t’flasin çka t’dojne, se i kanë gjethkush fjaltë e veta... K’ta kanë ardhë se kanë nisë me njekë lumin e Drinit, kanë ardhë n’Jashanicë, kanë pasë me ardhë n’Ujmirë edhe n’Dobërdol, hem me djeg, hem me rré – kon’ te nxâjnë, me vra. Populli ka fillu me ikë n’atë kohë, ah’here kta kanë luftu me Azem Bejtën, babgjyshi edhe bâba, mixha, kanë luftu me tâ, mirëpo tash kur ra lufta – edhe mos t’thotë kush – se njeri ma guximtar s’ka pasë se Azem Bejta. Tash veç bërtimën kur e lshojke – me t’lshu kâmtë, se le mo’...  Tash kur jon ardhë, kanë pasë armët me veti, kanë ardhë me kqyrë a u dogj, a na dogjën dikon khâ, n’shpi. Kur jon ardhë, i kanë nxânë ata edhe i kanë zaptue, i kanë lidhë, sinitë...  a e din çka o’ sinia?

LSh: Ja-a.

MB: Thiktë mi qitë n’maje t’pushkës – asaj i thojnë sini, e me qatâ i kanë shpu. Ni kusheri ka ikë, ai Bardhec Doli – ai ka ikë. Mas asaj, jeta jeme si jetë... bâba m’u ka vra n’1945-tën.

LSh: Prej?

MB: Prej ushtrisë serbe, u thirrë Bukeshka Brigade, n’qeli t’Siqevës, thirrët, ni vên. Përpara u thirrke ‘e Jalloqit’, tash, se ish tokë e Siqevës, edhe e kanë bâ ‘Siqevë’. Bâba jem u kânë truprojë e Marie Shllakut. Nuk e di a ke nie për k’tâ..?

LSh: Marie Shllaku osht’…?

MB: E Shqiprisë, u kânë nën-prefekte. Femën ma t’shkollume s’ka pasë për atë kohë. Ajo u nejtë n’familje tonë, e kemi pasë venin t’marum n’shpi. Na kemi pasë pasuni përpara, tash u dopsu... Me Marie Shllakin u kânë gjithmonë: Haxhi, Ukë, Sadik e k’ta, nashta i din, i ke ni: Sadiki u kânë komandant i ktyne, i mjeri... ka shku – n’ditën e Bajramit e kanë përzânë, se na jemi n’qit katun, dy besimesh, por vllazën mes veti: vllazën jemi gjithmonë, kado’ shkojmë. Kush osht’ shiptar – osht’ vllâ; aj që e mohon k’tâ, për mu, gabon shumë. Feja osht’ interes i shpirtit tonë, a’... kombi osht’ i jemi, e i yti: me t’prekë n’komb – m’ke ngucë mu, me m’prekë n’fe - ti bo çka t’dush, ka dush shko ti: ty t’interesoftë, bo’ çka dush aty. Aa... tu kombi: tri [3] herë familja jonë ka dhânë për kit punë, kit kâjde – edhe katragjyshi, edhe babgjyshi, edhe bâba. Ai u vra n’luftë, n’Siqevë. Aty Marie Shllaki u varru, edhe ka hi n’t’kallamoqit, e kanë gjetë k’ta t’Dasqarevës, edhe ma shkurt, s’kom çka foli, i dimë ato... po’ jon njerz që ka familje tjerë t’gjallë, me thânë e zunë ata tash, qysh me folë... e shkelin, e bon armik t’popullit, se kur përpiqmi qëtu, ecë dathun... se ti me ardhë n’qet fshat, ti nuk e din cili osht’ i cilit besim, ta dish, n’pak vêna kish k’shtu...  

LSh: Rast i veçantë.

MB: Eh, une nuk shkoj n’katër faqe me qat Idrizin që t’ka çu ty qëtu .

LSh: Qysh e man n’men ti, se e the – osht’ rast i veçantë – sa katolikë jon kânë përpara?; kur ja kanë nisë mu bâ muslimanë?; pse, edhe qysh keni kalu mes veti?

MB: K’tu t’katunit tonë jon’ bâ fort vonë, nuk ka shumë kohë, për shembull niqin’ [100], niqin e pesdhetë [150] vjet, s’ka ma shumë... .se me t’kallzu k’to historiat, ti koke ai që i njeh k’to ma mirë se une. Turqia n’atë kohë, ti e din sa ka sunu: pesqin  e tridhet’ e tri [533] vjet a katër vjet, a sa... n’atë kohë do i ka bâ me zor, a din çka osht’ me zor? – me shpatë...  

LSh: Me dhunë.

MB: Po, me dhunë….ka shku n’famije, i ka thânë, bile turk atëherë, se jo musliman – se kjo osht’ e zbutne, ‘musliman’ – ti po jet apet shqiptar, po’ me t’thânë ‘turk’ – nuk je shiptar: “A don mu bâ turk?” - “Jo.” – para familjës ja ka hjekë kryt. Prej Dibrës t’madhe e çka osht’, çka te rrokë tekterna’ gati n’kufi me Greqinë, e tekterna n’Ferizaj, i ka bâ me shpatë, me zor. Ajo pjesë nuk e din çka o’  krahina. Krahinë i thojmë na. Ka’ krahina e Pejës, Gjakovës, as nuk i dinë fiset – jau ka përzi atëherë, i ka bô me zor. Knena nuk i ka bâ me zor, po i ka bâ: “koke filan njeri, paske zotsi, a mi kthen k’ta mi bo muslimanë... ti ki mu’ kânë zotni”. E ka bâ zotni atâ, ai u bâ zotni. Pesëmdhet’ [15] katune, nizet [20] katune – krejt i ka kthy i ka bâ muslimanë: jon bâ, se me interes, kanë zgjedhë token. Unë që jom i besimit katolik, mu me m’pas’ gjetë n’tokë t’mirë, zotnia m’ka hjekë prej atuhit, ia ka dhânë k’ti jaranit: “ti n’u bofsh musliman, rri – ta jap edhe ma mirë”, po disa s’janë pajtu...  

LSh: E, a e din, a ka raste kur jashtë u kânë musliman, e mrena, n’shpi, katolik?

MB: Po, i maj’ n’men ato... edhe kqyre, shumë sêne i kanë bâ. Qe na qëtu jemi t’katunit tonë, e ka pasë emrin Sadik, Rexhep, Bardhec, Musë – k’ta jon’ emra t’besimit musliman, ata jon kânë t’besimit katolik. Mjeku n’kishë u kânë i regjistrum tjetër emër, jo n’qatâ: njânin e ka pasë n’shpi, a tjetrin e ka pasë ku u shku – për m’u thirrë.

LSh: Qysh i keni thirrë k’ta – ‘laramanë’, a qysh?

MB: Ja-h. Qyre tash, na ato... se njeri n’vllazni t’vet, çka ta shkelësh – ke shkelë vetën. Se na, i kemi k’tu t’besimit musliman, ka edhe asi, kemi pasë rast, na me kânë për krye’shnosh, e ai, i ka dekë ati bâba ose nâna, e na, me nejt për krye’shnosh, dikush prej nesh, t’besimit katolik, edhe ata, t’besimit musliman. Sahit Mata osht’ i famijes Sahitve. Sahit Mata u kânë musliman, edhe djemtë e tij jon kânë Zeka, Hali – katolik jon: le jon’ shkru, mirpo ka ardhë hesapi, ka ardhë dëshira që ‘du mu bâ musliman’... ni shok n’Siqevë, e kanë marrë me atë formën që duhët mu bâ ti musliman, ki ma autoritet, ki ma shumë popull me veti, ki ma shumë sêne. Kemi pasë na Brahim Ukën k’tu, nashta t’ka thânë najkush për tâ: njeri ma i meçmi që u kânë ksajde. Ramadan Shabani i Kijevës, ka thânë, “Kërkujt nuk i ruhna ma shumë se Brahim Ukës t’Dobërdolit, se ai mi din rrugtë ka’ vi une: a, ju tjertë, une flas edhe s’um merni vesh”, a po m’kupton? Edhe ai u kânë katolik po u bâ musliman. N’daç k’tu ka’ ana e muslimanizmit, e besimit krishter, k’tu nuk munesh me gjetë kurfar behani, kurrë, se s’mun i heton as n’dasëm, as n’dekë, as n’festë, as n’Bajram, as n’kurgjo. Une bile vllain e qëti Idrizit e mahiti fort, se punon fort: i len ata djem, e ish’ nata e Bajramit, une pe thrras n’telefon – e ka emrin Milazim ky, thashë “Milzaim”, “Allo, kush o’?”, thashë, “s’po m’njeh, a?”, “uu, baci Mark”, thashë, “a e ki natën e Bajramit sânte?” “Po”, thashë, ”Urime”, tha, ”faleminderit”, thashë, “shko thuju djemve, se ti habitesh – t’ka habitë puna, harron që nata e Bajramit – shko thuju djemve me lânë punen e me shku mu pastru e mu ndreqë, e nestra me dalë k’shtu”. Qështu u kânë pasha nerën, vete – ‘t’kallzon, mahitën ata djemtë. E na i kemi k’to: kurrë nuk jesim, asnjâna palë, pa shku me ja uru festën njoni-tjetrit….e, që kesh tu t’thânë, tash, kur erdh puna dej tu bâba jem... bâba mu m’ka metë tri [3] ditë, i dekun, pa guxu kush me shku me marrë.

LSh: E keni ditë ku osht’, a?

MB: Po, po, janë shku’ tri [3] gra, tri femna: gruja e Brahim Ukës, gruja e Bal Ukës, edhe gjyshja jeme, se e ka pasë djalë atë, veç me kqyrë a u metë, a qysh kush o’, a qysh o’...  Tjera kufoma, kush ka mujtë ka shku dikush, me shku prej burrav, hala ishin tu kontrollu, se ishin vra shumë: tânë ushtarë aty... aty kanë metë ushtarë ma shumë se që jon’ vra shqiptarë, se kanë ardhë prej dy ânve. Do kanë zhdrypë n’Ujëmirë, do n’Pograzë – njâna anë ka ikë prej k’saj ane; tjetra prej asaj ane. Kur jon’ shku atje, tash tu kujtu që jon’ ata, e gjuj, edhe k’ta e kanë vra njoni-tjetrin... tu menu që jon’ armiku, hasmi. Edhe k’ta ja kanë nzânë pritën, se k’ta jon’ kânë t’nxinun rob, ti s’ke pasë aty, çfarë njerz ka pasë aty. Sot mu tu kujtu – vunë, me t’ra lotë n’tokë. Krejt komtar qasi, edhe qasi që qi’… t’zgjedhun. Mirë tash, Ukë Sadiki, nashta ke ni për tâ, aty tani ai u shku, e kanë marrë. Sot osht’ ni familje, na e dimë, sot, e dimë kush i ka bâ hyftiri. N’ditën e Bajramit, Uka ka thânë, “une jau boj drekën, sillën e Bajramit që hahët, ajo apostafat, duhët mu pre diçka e duhët mu bâ... qato sene”. Po’ apet... e n’qat interval, ka shku Uka, pa jau çu, pa bukë , i ka lajmru edhe jon kry senet. Po’ k’to nuk i ka shkepë kush, se janë njerz t’afërm: ata që i kanë bâ, krysor’t, i kanë lâ durt, se jon gjetë gjinja, mirpo k’ta tjerët jon gjallë, dihet. S’kem kurgjo nërmjet veti, ja, ja...  kalojmë mirë.

LSh: Për bâbën, qysh e nxerët?

MB: Babën e kanë marrë qato tri [3] gra.

LSh: Pse – gratë si kanë ngucë, a qysh u kânë puna?

MB: Ja-a, femnat s’i kanë ngucë, mirpo tash kanë hi n’Siqevë... me çka me çu kufomën... Pasha nerën, e di, s’e harroj kurrë n’jetë – as une, as familja jeme s’guxon me harru, qaj që t’lenë edhe masanej, ja ka dhânë kerr e kí, se atëherë me kíe u kânë, edhe Drini i kanë thânë – përpara u kânë e thurrne me thuprra atëherë – e kanë qitë n’Dri, ka shku ni femën e tyne, jon’ kon’ ardhë nuse, qaso sene, e i ka pru tre [3] çarshafa përmi – atëherë u marojshin n’vek qarshafat, jo k’shtu – “tre çarshafa” - i ka thânë – “Kqyre ku ki. Zgjidhi, merr...’, dy [2] ja ka marrë, njo’ [1] ja ka kthy. Njânin e ka shtru, këtë tjetrin e ka mlu, kufomën ja kanë marrë qetu. Jashta, natën kush ka ardhë, se ditën s’ka guxu burrë me ardhë.

LSh: A e man’ n’men ti?

MB: Une atëherë jom kânë shtatë [7] vjeç. 

LSh: Veç k’shtu e man n’men – pak-a-shumë?

MB: Qysh jo, i maj n’men krejt ato, se njeri ma shumë po majke n’men shtatë [7] vjeç se shtadhetë [70], kjo dihët, hiç s’po lujke kjo. Edhe osht’ vorrosë, n’vorre t’Qabiqit qatje, nuk kanë guxu me qitë  n’mes t’vorreve, po ma n’qosh, puna e shtetit atëherë. 

LSh: Po, regjimi.

MB: Po, regjimi atëherë i atyne, u kânë qashtu. K’to deri k’tu... Une kur jom shku ushtar, une jom shku me 1958-tën.

LSh: Sa vjet i ke pasë?

MB: Po, une i kom pasë nizet [20] vjet qashtu... 

LSh: Ushtria, sa u kânë?

MB: Atëherë dy [2] vjet, dokumentat paskan pas’ shku atje, se po t’i markan dokumentat kta. Kur i kom bâ ni javë ditë, për çdo mramje, n’njâ [1] ora mas mesnatës, m’thirrshin.

LSh: Çka t’vetshin?

MB: “Ti… babën çka e ke pasë?”. “Çka e kom pasë? Bâbë e kom pasë.” – “Ai nuk u kânë me kët’...”, qysh me thânë... “me kët’ shtet. Ky u kânë kùndra shtetit” – “Nuk di, çka di une...”.

LSh: E dishin ata prej familjës t’kujna je... ?

MB: E dishin, i kishin krejt: emër, mbiemër, i kujna o’, sa, çka u bâ, krejt k’to. Dokumentat shkojnë përpara, atëherë, edhe m’thirrshin, kaniher n’natë... mu kush m’ka pshtu, m’ka pshtu njâ i katunit k’tu, ai o’ dekë, i besimit musliman u kânë. Na thojmë ‘pastë dritë’, ata thojnë ‘me rahmet’. Ai u kânë kryetar i degës Parties Komuniste atëherë, se u kon’ fillu Partia Komuniste.

LSh: Kanë hi shiptartë pak nëpër poste, a?

MB: Po, po. Ja kom çu ni letër, pi’ thom “Kqyre”, tha “Po”, “mos kofsh me m’pshtu diqysh, une i kom la durtë”, se t’hjekshin, t’marshin n’pytje edhe ti nuk e dishe: jo’ u bâ k’shtu, jo’ u bâ kah... ta bâjnë punën. Ai i ka çu dokumentat, ‘qëky osht’ i zgjedhun antar i Lidhjës Komuniste’, pa kânë une kurrë, se as s’kishin guxu me m’pranu, se s’i kom pasë unë kushtet. Mi ka çu n’komitetin komunal n’Klinë, edhe ma ka çu librezën, prej komitetit komunal. M’ka ardhë n’komunë atje, ku jom kânë ushtar. Kur m’ka ardhë ajo atje, m’kanë thirrë, m’kanë thânë “Pse s’ke kallzu që je antar i Lidhjës Komuniste?”. Se disha çka ka shkru ai aty hiç, thashë “une s’kom guxu me ju kallzu juve, se ju s’po besojshi kurgjâ. Ju m’vetshi k’shtu, une ju kallzojsha, m’thojshit “s’o k’shtu hiç po o’ ndrysh’”. Atëherë, kur e gjeta pak shtegin, e shfrytzova rastin edhe – se na s’kemi pasë drejt deri n’66-tën senje për votim – me hi n’votime.

LSh: Familja juve?

MB: Famija jonë. Jaa... 

LSh: Deri n’66-tën... pse u bâ ajo?

MB: Jo, se osht’ familja armiqsore, e shtetit, edhe nuk guxon ky me pasë drejtë me votu, ‘ky voton për tjetër kon’: ky s’o’ për ne’, edhe s’kem pasë drejta kurfare, hiç, shpija jonë, e kom fjalën, familja jonë. Tokën ma kanë qitë mu që, pa besë e pa dashamirë. Shiptartë jon kânë t’vërtetë atëherë, nuk jon’ kânë... qata ça jon kânë, ma kanë qitë tokën mi mu, e kom t’shkrume, qysh se jom kânë nont’ [9] vjeç, kur i kom bâ.

LSh: Ta kanë nda?

MB: Se ma ka marrë shteti mu, se ‘ai u kânë armik: token e armikut me zaptu, ai osht’ armik’, e kanë pa’ marrë pesë [5] hekterë tokë, edhe tash, njeri mas njeri, e kanë hjekë. Atëherë qendra kryesore u kânë n’Rahovec, atje m’i kanë dhânë... janë munu njerzt, s’e harroj kurr n’jetë, edhe i kanë kry. Kolë e Nikë Berisha punojke k’tu, i ka pasë do t’njofshëm atje, t’Rahovecit, edhe i ka rregullu senet, ma ka kthy token mi veti, se bâba s’ka pasë tokë, po’ djali... edhe nânën e kom pasë gjallë. Nâna me fmi ka tokë.

LSh: Po m’intereson qëkjo punë, për me pasë ma t’kjartë une: ty, kur ta kanë vra bâbën, k’ta bashksi e familjës k’tu, ta kanë ndâ ty token menihere. Ti i ke pasë nont’ [9] vjet atëherë... ?

MB: Une i kom pasë shtatë [7] kur m’u ka vra bâba, po dy vjet përmas jon’ bâ k’to: tu ardhë gjinja, tu munu me rahatu punën, se kqyrshin me ardhë me pru, me shti malazezë... deshti Zoti k’ta ma kthynë mi veti, une jom kânë... me mixhë tem jom rritë, i kom bâ tridhetë [30] vjet bashkë me tâ, a token e kisha veç tèmën.

LSh: Tash t’kthehemi pak te ushtria – ti pshtove, domethônë, aty?

MB: Une kalova, masi që m’erdh ajo, kurrë mâ nuk m’kanë provoku, mirpo lypshin, çka dojshin ata, çka – na atâ s’e bâjmë kurrë... se familja jeme, mos e bo’ Zot, me kallzu çka bojnë ushtrija, qysh gjinën k’ta, a po bon kush najsen, a po bon k’shtu... T’thirrke me t’marrë n’pytje, mu kânë ti – ma shkurt – shpiun i ushtrisë. “Njâ po ju thom: jom ardhë k’tu me kry shërbimin ushtarak, une jom ni familje që nuk përzina n’politikë hiç, as s’jom përzi përpara. Për k’to punë une nuk jom, as nuk di, s’di me shkru as me lexu, po t’kallzoj” - atyne ju thojsha, se une s’kom pasë shkollë: krejt që e kom msu, e kom msu përmjet kusherive, tu shku n’shkollë nxansat, k’ta miqt e mi... e, meri fletat e tyne, çka kanë shkru ata, e shenoji... une khâ, kom msu përmjet nxansave tjerë... msus para meje s’u kânë kurrë.

LSh: Ku e keni pasë shkollën k’tu?

MB: Na nihere, përpara, msojshmi ka’ pak nëpër oda, k’shtu.

LSh: A vishin prej shtetit, a ata që kanë ditë - t’katunit aty?

MB: T’katunit i zgjedhshin, se ata... na s’e dishim tjetër gjuhë, veç shypen.

LSh: Priftat, çfarë roli kanë lu n’qët aspekt?

MB: Atëherë, priftat, njâ po t’thom une, se priftat i kanë senet e veta – ata, priftat u munojshin veç mos me bâ na keq, mos mi bô iftiri njoni-tjetrit. A e din çka osht ‘iftiri’? – me shpiunu diçka. Na dhâshin gjithmonë edukatë, priftat kanë pasë... për çdo javë ardhshin: “pashë gjâ, mos kallzo, edhe ne dish t’keqën: që ja ban’ kusherinit – ja ban shoqit; mos meno që po rritesh, se hupë, vllaun ton’ je tu e mytë. E man tjetër besim; e ki vlla, nuk munesh me largu”. Nuk kanë mujtë ata me lu ni rol t’madh k’tu, ata kanë pasë për veti besim, se tu’ vetvetja, e kanë rujt vetën, une e di, k’tu ke pasë, na n’Zllakuqan e kem pasë kishën. Kishë s’ka pasë ma ngat.

LSh: Keni udhtu a, qysh e keni pasë – çdo t’dille... ?

MB: Qysh jo, çdo t’dille. Mirpo atëherë fetar’t s’kanë guxu as ata m’u shprehë n’ato forma, qysh... 

LSh: A e kanë shfytzu edhe fenë, edhe kombin, pak me…?

MB: Kqyre, se prifti – ai betohet për fe nihere, edhe hoxha – mirpo, priftat edhe për komb, ai t’kallzon që nuk e ki kombin, nuk munësh me majtë fenë. Qysh ki me majtë pa komb? – se une i maj n’men dy partë: xhizovitë ju kanë thânë përpara, s’di une sa e man n’men ti...?

LSh: Ja.. xhizovitë?

MB: Xhizovitë, ata prifta po, po ata edhe ma t’shkollum se k’ta.

LSh: Prej kashit jon’ ardhë?

MB: Ata jon’ kânë do t’Shipnisë, bile u kânë njo’ Pater Pashka i thojshin, e maj n’men si qitash, atëherë jom kânë shtatë-tetë [7-8] vjeç. Me na msu uratë, se na s’i dishim as uratë – kush me ti msu... kah mi marrë ato... Na i kemi pasë fuguret: jon kânë fuguret prej drunit, t’marume, t’fotografume, krejt, qato bile mi ka lypë n’Zhvicërr kur jom kânë, “A keni qaso’ kush?”, se jon kânë t’drunit. Kqyre tash, munët me thânë kush çka t’don: hoxhallar’t atëherë nuk jon kânë t’shkollum, po babën e ka pasë hoxhë, edhe i biri e ka pasë, për shembull, ka lexu, e, ka msu diçka, edhe u bâ apet edhe ky hoxhë. Mirpo, qaq dije t’madhe nuk kanë pasë ata, për n’atë kohë kur na jem tu’ folë, bjen fjala, prej 40-tëss, 1940-tën deri n’1960-tën, edhe ata kurrë nuk jon kânë kundra kombit: nuk kanë luftu veç për fe, po edhe për komb, se e kanë ditë që pa komb s’ka fe. Edhe k’tu, n’kit fshat, osht’ ni fshat i vogël, veç osht’ ni fshat i mirë, osht’ ni fshat i lidhun njâna palë me tjetrën, edhe ka besimet, edhe ka dashnija, edhe ka tona’. Ky fshat, muj me t’thânë, ndër fshatrat qësajde u kânë i dallumë. Se kur t’shkojmë na për t’pame dikun, gjithmonë, ‘hajdeni ju Dobërdoli, se ju e keni atë renin e parë, gjithmonë e keni majtë’. Une ju flas k’tyne shpesh, ‘mane n’men, qëto çka po ju thojnë populli, se nëse i hupni qëto, hup ndera e madhe’. Tjetra, çka t’intereson ty, tash pyt’ për tjerat, se une ta çova gatë k’tâ.

LSh: Na kena kohë... mos po t’marr kohë?

MB: Ja-ja, mu nuk m’merr kohë, hajde g’zuar [Cakrojmë gotat].

LSh: Ti fije për pe, qysh te dish: sa ma shumë që m’jep informacione, qaq ma lehtë kom me pasë une. Tash po du mu kthy... – se po t’ngoj shumë me vëmendje, edhe s’po m’huq kurgju, besomë – po du mu kthy te shkollat. Ku e keni pasë shkollën; kush u shku; a kanë pasë që i kanë çu edhe femnat, a veç mashkujt jon’ shku...  Me m’kallzu pak për qit punë.

MB: Kqyre, filllimi i hershëm kur o kânë, që jon’ majtë nëpër oda, nuk jon shku femnat n’shkollë. Atu ka qillu ni njeri që ka ditë shkrim, lexim, e kanë bâ qatâ si msus kishe, edhe kanë shku njerz, për shembull prej pesëmdhet [15], gjashtëmdhet [16] vjet, se t’vegjël jo: ma t’mdhej. Edhe tridhet [30] vjeç ka pasë, që kanë shku me msu a,b,c... 

LSh: Qysh i kanë thânë – ‘lexim edhe knim’?

MB: Lexim edhe knim... ka pasë k’tu, e maj n’men, nëpër shkolla, n’odë, k’tu oda e Ibrahim Ukës, me rên: herë k’tu, herë k’tu, herë k’tu. Tybe i nxojshin, do fletore, po’ atëherë u kânë fshtirë me gjetë edhe lapsa, s’ka pasë boll atëherë. Tani, kur jon kriju shkollat, k’tu që kanë fillu, atëherë kanë fillu me shku k’ta t’ritë. N’Grallevë u thirrë ni ven Mejtep.

LSh: Mejtep, për muslimanë, a?

MB: Jo, jo, mejtep – për mu shkollu.

LSh: A – po, m’fal, se menova që medrese.

MB: Mejtep i kanë thânë, bile halà osht’ qaty n’Grallevë ai ven. Qaty kanë fillu ma s’pari nxansat me shku n’shkollë.

LSh: K’shtu ma t’vegjël... kur, përafërisht?

MB: T’vocër, po kjo u kânë... qatëherë t’vocrrit kur kanë fillu, kanë fillu fill mas ‘48-tës. Kanë fillu me shku n’shkolla, nxansat.

LSh: A ka ardhë naj msus prej Shipnisë, a i keni pas k’tu?

MB: Ka pasë msusa edhe t’Shipnisë, ka pasë edhe tontë, veç jo t’ngatë k’tu, po’ ma t’larg’t... tash, ata që jon’ kânë t’shkollum, që kanë nejtë me ta, ja’u dinë edhe emrat... une s’jom kânë n’shkollë kurrë. Ja kom ditë... tash i kom tedhët e ni vjet [81], qe sa...  E di, u kânë ni msus, Ismajl, tani Smajl Deda, u kânë khâ, ngat Deqanit e ka pasë shpinë ai. Pasha Zoti s’ka pasë asi msusi, aso edukate: mu knaqë me ni, e sa e sa jon’ kânë msusa. Kur u bânë shumë nxansa, nuk i ka nxânë mejtepi. U kânë ni ven i policies, qitu n’Grallevë, dulën policia prej atyhit, e lshunë atë ven, edhe ata e kanë bâ tani shkollë. Aty tani kanë shku edhe vajzat, edhe djemtë. Tani erdh puna k’tu, u lshue. Dikush – dikush i nalke, nuk i lâjke... n’varët prej familjës: ka’j familje i lejojke, ka’j jo.

LSh: Ti, qysh e msove shkrimin, edhe, sa vjet je kânë kur ja nise?

MB: Une vjet i kom pasë çift me k’ta tjert që shkojshin n’shkollë, po une s’guxojsha me shku.

LSh: Pse?

MB: S’guxojsha prej shtetit.

LSh: Familjën tâne, domethônë?

MB: Familjën tême... jo veç une, po asnjo s’kem pasë t’drejta me shku. Mirpo, qaq jon’ kânë t’interesum k’ta: vishin prej shkolle, çka kish bâ; çka i kish thânë msusi; qysh i kish vizatu ky... se kanihere i bojshin k’shtu, a i ke pa ato... tani mi përpjekë këtë shkronjë k’shtu...  (Bën gjeste me duar, i spjegon shkronjat), me thy dorën, demek, me laku. Qysh me shkru... Qysh bojshin ata – kishin me pru te une: ‘qëto i kom pa’; ‘qështu i ki’, edhe une n’qat formë u munojsha.

LSh: A, shoktë e tu, a?

MB: Shoktë k’tu, vllaznillaku, rrethi.

LSh: Ti, a kishe vullnet?

MB: Po, kisha vullnet. Ma dojsha me shku n’shkollë se sa me ma dhânë dunjanë – hec e guxo. S’kom guxu une kurrë, kurrë mu s’ëm kanë lânë me shku, se s’um besojshin. E kom pasë tani ni motër, mas meje e lindne, toni’ vllau, i rake me pasë nja pesë [5] vjet mas meje. Kur u vra baba, ai s’ka mujtë me kânë ma shumë se mot-motar – dy [2] vjeç. Për dy vjeç ky s’ka mujtë mu bindë, me atë formën e babës t’vet, demek, a po m’kupton... ky dy [2] vjeç, s’ka mujtë bâba me bindë k’tâ, a mu shtatë [7] vjeç, mu po: k’tâ, k’tâ e ka bâ... demek për veti (qesh), po qajo, atëherë... qe, atâ e kanë leju me shku, ni kohë... 

LSh: Qashtu e kanë llogaritë që ty t’kanë bindë, atâ jo. 

MB: Eh, mos kujto se ajo u kânë shtet... eh, kush osht’ ajoo (Jugosllavia).

LSh: Ai u shku n’shkollë, a?

MB: Ai tani u shku n’shkollë, edhe ka shku motra, kanë shku k’ta tjerët tani ren’. Ni vlla tre [3] mujsh ma ka lân bâba... ai tre [3] mujsh - çka ka mujtë ai me ditë... 

LSh: Sa djem jeni kânë krejt; sa vajza?

MB: Na jemi kânë tre [3] djem e ni [1] vajzë.

LSh: E k’ta tjertë, a e vazhdun mandej shkollën e mesme?

MB: Kush ka mujtë, atëherë sipas mundsisë... po’ ma fort atëherë, ma shumë me gjâ, se s’ka pasë kushte atëherë... na kem korrë me drapën, me kuaj, lamë, nashta s’e man n’men ti atâ.

LSh: Jo, s’e maj n’men, po’ pe di.

MB: Eh, me drapër, me korrë, k’shtu. (Tregon me duar se si korrej) Me bajtë ujë, me qitë n’lamë aty.

LSh: Qëtash t’ves edhe për punën, po’ niher po kthena... po du me ditë: qysh t’kujtohët – çka kanë folë pak-a-shumë për kohën e gjermanit – a u kânë najfar lirie?

MB: Kqyre, se k’tu njerzt, me t’kallzu shkurt: pa nejtë me pleq nuk munësh mi ditë tona senet n’atë kohë, se qëtu Ujëmiri, tash Ujëmiri, pe din ti... 

LSh: Ma poshtë, a ma nalt?

MB: Jo, ma poshtë i bike, te qëky Idrizi, fill, ku osht’ rampa e trenit që shkon. Anena osht’ Ujëmiri, e, qanej osht’ Ujëmiri. Tash për Rekë t’Ujëmirit... n’atë kohë si pjesë e kish pasë Bullgaria, deri k’tu u kon’ ardhë, n’atë anën anena ka’ Klina, kjo, qysh p’i thojnë, që osht’ e kapne për gjermanë, nërmjet Zvicrrës edhe gjermanit – Austria. Austria, tash austriakt, ka’ jon kânë, kanë kalu ma mire, edhe jon kânë, qysh me t’thonë, ma s’i kanë munu... 

LSh: I kanë çelë do shkolla.

QM: Po, i kanë çelë shkollat, jon kânë ma tjer’ me sene, kanë kulturë ma t’madhe, kanë pasë atëherë, Austria ka, ka pasë. K’ta, bugartë.

LSh: Kjo pjesë (ku ishim ne) i ka taku domethonë bullgarve.

Q.M: Për Reke, a pe din ku o’ Reka? Eh, anena, Medenicë e kjo ana - krejt Bullgaria e kish pasë n’atë kohë, me bullgarë.

LSh: S’kanë kalu mirë, domethônë?

Q.M: Ja, tri [3] vjet t’Bullgarisë, gjyshja jeme kallzojke, që u dekë nòdhetë [90] vjeçe, ‘tri vjet’ tha ‘ka marë thatsi”. Kush kallamoq s’ka mujtë me korrë, veç tallë t’pasë bâ. S’u ra shi hiç, bukë jo, ata me t’i marrë senet, po, me gjithë asi jetojshin. Sikur n’47-tën, ti s’e man n’men atâ, s’e ke ní atâ.

LSh: N’47-tën – kur u bô shtetrrethimi?

MB: Po, 1947, s’na kanë lânë, vo ke pasë me dorzu, ti ka nalë shteti – votë e pulës, tâmlin e dhêve, leshin, lopë kush ka pasë: “Sa gjâ ki?” – “qëkaq”, ti njeke n’torishtë, qëkaq mish, ma shumë se gjysën t’i marrke ni herë, tani apet s’dyti, krejt, krejt... 

LSh: Sa zgjati kjo? Ni [1] vjet, a?

Q.M: Jo, tri [3] vjet u kânë, se demek me formu shtetin që jon metë. Une e di: e kanë pa’ çu njâ qëtu t’katunit, k’tu n’burg, i ka pa’ metë ni killë tlyn, borxh, s’ja u ka pa’ lâ... shtetit... e, u kânë ni Andre Shutani u thirrke, ai udheqs’ n’Prishtinë atje, i madh, ka ardhë k’tu n’Ujëmiri, bash e zatetë qatâ. Ni Mark Musa i kanë thânë, edhe aty ke pasë iftirigji boll... poplli jonë nuk e len pa atâ, pa pare punojnë k’ta, tha, “Qëky s’e ka la: ni tlyn e ka borxh (qesh), edhe ia bon, “paja, paja ti khâ”, atina (borxhilsë), “Urno zotni” – “qysh e ki emrin?” – “Mark Musa”, edhe qashtu e ka pasë, tha “pse ti dy emra?”. Ai u kânë mahiqar, tha “njânin e kom për verë, tjetrin për dimer”, “Aaaa, qësi gjin jom ty lypë, ti e kishe ni killë tlyn pa la”, tha, “po valla, ajo s’marohët prej lloqi, duhët me pasë mazë, tòna me bâ tlynë”. “Kqyre çka po t’thom,” - “Fol.” Tha, “qysh k’non kumria gugu Isuf, pasha Zotin që s’e lanë tek’terna t’marten, kom me la Isufin, e kom me ia nisë Markun” (të qeshura), qështu i ka pa’ thânë atij. Ai tha: “pasha Zotin, kiameti ne t’bohët, se treqin [300] vetë, që jon tu punu në Zhub e Trepçe, jon tu e pritë qat tlynin ton”, “pasha Zotin t’kofshin tu e pritë, asnjo mos pshtoftë”, e kanë marrë, e kanë pa’ çu n’burg: e kanë çu khâ, n’Grellevë, për qato fjalë.

LSh: Sa e kanë majtë?

MB: E kanë majtë nja nizet e katër [24] sahat.

[ndërhyn djali: “A je me kali, a?”]

MB: Une e maj’ n’men, n’47-tën, na kem pasë drith’, se e kem pasë ni ven n’shpi t’marum n’podrum poshtë, edhe veç veni sa mu zhdjergjë teposhtë, e knena lum e rrasë, “qitni kacë”, a din, kaca k’to, që jon’ kânë, e drunit. E mush’shëm me drith për me ju qitë tagji kalit, gjâve, edhe s’mujke kush n’atë ven... shkallt mu ngjitë përpjetë, dy kat... atëherë jem kânë shpi e madhe na. Qaty e ka shti drithin, po ku me çu me blu: si e çojshe, kallzojke dikush, ai vodi, qaj i kish qef mi çu, se aj kish qef me marrë ujemin e vet, ai s’kallzojke, po’ kallzojshin tjert. Pasha Zotin u dufke ka’ tri [3] killa, katër [4] killa, mi marrë me shku mi blu. Po a bluhën katër [4] killa... po ato hupën n’guri. Mi çu ka’ pak, ka’ pak, qaj që s’kish, u dufke me ja dhânë, mi nimu njoni-tjetrit. Atëherë me t’thânë njo’: vërtetë, k’tâ le ta din gjethkush: ma dashni, ma besë, ma burrni ka pasë atëherë se që ka sot... mos t’idhnohët kërkush: kjo u kânë qështu, se krejt i kanë nimu njoni-tjetrit. Se me pasë une e ti, ai, ka shku miki tu miki, ja ka kthy sofrën mi dhânë bukë, thotë, “Urdhno mik” – “faleminderës, Zoti t’dhashtë bereqet.”, “A ke hongër a?”.“Pasha Zotin as dje jo”, “Pse s’po merr?” – “Qysh kom me marë une: pesëmdhetë [15] rob’ antarë t’famijës i kom n’shpi, s’kanë bukë me hangër e une me ja nisë me hangër k’tu a... dekë për dekë – po desim tânë”. K’to jon vujtjet e popullit shqiptar që i kanë pasë n’atë kohë... po t’kallzoj, ka vujt ky popull shumë, mirpo jon’ kânë t’dashtun, jon’ kânë besnikë, aj... nuk ka zabel që s’ka lis t’shtremtë: pa pasë najnjo s’bâhët – a ka?

LSh: Jo.

MB: A pe sheh që s’ka? Mirpo, shumica jon kânë t’mirë, jon kânë t’drejtë, jon kânë t’dashtun. K’to une po t’kallzoj... ti, faleminderës që je ardhë. Shka ki qef najsen me vetë, t’tregoj. Tash pe sheh që k’to trejat s’ka nevojë me t’i kallzu, se je tu i pa, ka’ politika s’kom qef me prekë, ato i ka tjetërkush.

LSh: Tash me t’vetë... – se ti m’kallzove shumë mirë për familjën – ti, kur je kânë i vogël, qat kohë mas luftës edhe ushtrinë... po’ kallzomë mu: qysh u martove; kur u martove; qysh kanë shku ato punë...; kur u ktheve prej ushtrisë, a para ushtrisë?

MB: Une jom kânë i martum pa shku ushtar.

LSh: Sa vjet i ke pasë?

MB: Jom martu qashtu nonëmdhetë [19] vjet. Ni [1] vjet e kom pasë, jom martue, jom shku ushtar. Kur t’ardhke letra ti s’kishe... 

LSh: A si sot, a me msit?

MB: Une e kom pasë djalin e axhës, jon dekë ata, mixhës babës, njâni u kânë, po’ edhe ky u kânë i ri, s’ka pasë... shtatëmdhetë vjet [17], s’ka pasë mâ, ky tjetri gjashtëmdhjetë [16]. Na metëm me qata dy mu rritë, masi na diq bâba, qata’ jemi rritë bashkë. Me ata jom rritë. Njâni e ka pasë emrin Zef Mala; i vllai, tjetri, ma i vogël, Pashk. Me qata jemi rritë. Qaj, te miqtë e vet ma ka nxanë nusën, e ka pasë t’nxane t’vetën ai djali i mixhës, ai m’ka martu.

LSh: A jeni martu me t’fesë t’juve edhe ku? N’Gjakovë dikun, a k’tu?

MB: Jo, n’Gjurakovc e kem pasë, tu k’ta Gegajt, s’di a i njeh. Djali i axhës, Zef Mala, aj u kânë ma i madhi n’familje, atâ e kem pasë si udhëheqs n’familje, njeri u kânë bashkë me tâ, tekterna, aj e ka nxjerrë. Se gruja jeme e gruja e qati Zefit – bâbat vllazën, a je tu m’kuptu tash... N’shpi t’mikit t’vet, ka shku e ka nxanë për mu, e ka feju... atëherë u fejojshim ma t’vogjël, ma t’ri, une kom nejtë katër [4] vjet i fejum, pa u martu.

LSh: Sa vjet, kur je feju?

MB: Nja katërmdhetë [14] qashtu, me nonëmdhetë [19] jom martu. Pesëmdhetë vjeç [15], katër [4] vjet kom nejt i fejumë, kurrë me sy s’e kom pa. Edhe i kom bâ dhetë [10] vjet që e kom marrë, tu miki s’jom kânë... puna ish se m’ardhke keq, se aj (djali i axhës) ish i madhi, e ai i kish miq: kurrë ‘tu miqt e mi’ – s’kom thônë “jon temtë’” – ‘tu miqtë e bacës Zef’. Ato babat vllazën, ni shpi, e qysh me thônë une “tu miki jem”? ‘Tu miku i axhës’; ‘tu miku i bacës Zef’, a din, kur shkojshna najherë, se jo, ‘te miki jem’ – kurrë s’kom thânë n’jetë tem. Atëherë ka pasë tjetër respekt. Ai me inati që kesh une jetim, e u rrita tu kajtë, sikur jetimi që rritët, ti i kupton k’to sene, tash sikur me bí midis are gruni plot, sikur me bí n’stom udhe, nuk jon’ çift, jo, se ai shkelët ka’ pak, e hajnë besa’ edhe gjâja, qështu jon’ ata jetimat... Tash ai çka bâni, burri, bâni dasëm t’madhe qi’, përtej qatëherë, kërkush n’katun s’ka pasë dasëm ma t’madhe.

LSh: Për veti, a për ty?

MB: Për mu, për mu, me m’martu mu, se s’kish për çka i ngrati, po...  (të qeshura)

LSh: Kish qef.

MB: Kish qef. Po i kem pasë kushtet, kem pasë gjâ, kem pasë tokë, me tupana, me… miki u kânë i fortë... kur e kom marrë une grunë, n’qat shpi që e kom marrë, une qatëherë jon kânë nôdhetegjasht’ [96] antarë n’familje – ni shpi, t’padamë.

LSh: Kan rrnu qashtu, me ni shpi?

MB: Ni ven... Gegaj thirrën, Gegajt e Gjurakovcit, u kânë Ukisa, ai i besimit musliman u kânë, i ka pasë gjashtdhetë e tetë [68] antarë ni shpi, ata e kanë pasë, ata (familja e nusës), i kanë pasë nôdhet e gjashtë [96]. Kur shkojshe te shpija, ti nuk e dishe ku je hi me ta dhânë krejt dyjanë: a jon musafirë, a shka o k’tu – tash merre me men, tash – nôdhet e gjashtë [96]. Tri [3] sofra u dufke mu k’thy fmive, moshë ka dhetë [10] vjeç, dymdhetë [12] vjeç, pesëmdhetë [15]; tri [3] sofra mu kthy burra atje, t’qasaj shpije, tridhetë [30] vetë.

LSh: Gratë i kanë bâ.

MB: Po, gratë, krejt. Ka bâ dasëm t’madhe se jo mahi – krejt qëky katun, shpi për shpi, u kânë i thirrun, edhe ata u thirrshin me familje. Na, dy besimesh, njâni te tjetri atëherë gatujshim: kur kishim na dasëm, besimit musliman, çka i kishim, kusherive, tanë, vllaznia k’tu, ardhshin me gatu. Kur kishin ata, shkojshin tonat me gatu. Ato me nejtë, mu veshë, se kanë dasëm, a po m’kupton... 

LSh: Po t’kuptoj... me ja’u lehtsu atyne punën.

MB: Me ja’u lehtsu punën, tani mi rregullu k’to tjerat sene... qështu e kemi pasë përpara, deri vonë, deri tash. Tash mâ jo... pak, nuk jon ashtu qysh jon kânë.

LSh: Kryshqit, qysh shkun’ me marrë, me çka?

MB: Shkojshin me kerre t’kalit, kuaj atëherë, me kerre t’kalit, shumica me kerre po edhe ka’ pak n’kamë: dikush n’kamë, tani kur u lodhke, zhdrypshin ata, hypshin k’ta. Se koxha larg osht’ prej ktuhit e n’Gjurakovc... me tupana, kongtarë, bile e kom pasë k’tâ... Drenicë, k’ta kongtarin... qysh e ka pasë... bile e ka pa’ njekë njânin me kerr, tu dashtë me mytë – e ka pasë armik, m’ka hupë tash... Tahir Drenica! Tahir, me atë... që i pat dalë Qamili i Vogël. Se knojke, knojshin mirë k’ta, e kom pasë këngtar, po vallain. Maj n’men si sot, tani ka pasë me zi n’kuhartane, krejt ato, atëherë i kem pasë tri [3] ditë dasëm.Tash s’ki, veç nja katër [4] orë.

LSh: K’tu miqtë, a kanë bujtë, a qysh u kânë puna?

MB: Kusherit’ a?

LSh: Kusherit’.

MB: Kusherit’ kanë ardhë, kanë bâ hyzmet atëherë... dajë, ata kanë pasë hyzmetin me bâ, kusherit’ e ngatë, kanë bô hyzmet, miqsia ka nejtë sikur mik: me ja çu kafën, me ja çu duhanin, bukën... krejt senet.

LSh: Çka keni veshë? A jeni kânë n’tirqe a n’tesha normale?

MB: Jo, tash me t’kallzu shkurt, kapuqat e bardhë, po.

LSh: Plisat?

MB: Se edhe pantollt, zhugjt.

LSh: Material zhgun... ato n’vek jon maru, krejt...?

MB: Po, n’vek, zhgun mo. Shitshin n’Istog, se tirqet, erdh’ puna se ato, zhguni, osht’ sikur për pantollë, sikur për tirqi, ish n’pytje tu gajtona, a e din çka osht ‘gajtan’?

LSh: Jon ato... (po përshkruaja me duar se ku ndodheshin tek tirqit)

MB: Ato t’zezat, si e zezë qe e man knena e knena, e kâ t’thurrne, ajo ‘gojtan’ thirrët, ajo duhët mu tjerrë holl’ fort’, edhe duhët mu bâ shumë fije që tani mu maru gojtani, e pak kish që dishin tani me maru gojtana. Tirqet pa gojton s’dalshin t’hijshëm kërqysh. Pantollt bukur rishin, i bojshim t’gjânë: knej ma ngusht, khâ ma gjon; kapuqi i bardhë. Dymdhetë [12] kapuça i kom qaty n’sobë. Se shko dikun n’t’pame – tash nuk jon qysh jon kânë përpara – ni kapuç t’i bojke dy vjet, me rujtë mirë. Sot me shku ni t’pame, me rigu shi, si t’bjen pika e shihut, çohët, prishët krejt. 

LSh: U kânë ma kualitet, a?

MB: Ja, atëherë jon’ kânë kualitet.

LSh: Ku i keni ble? Kush i ka bô?

MB: Prej Gjakove.

LSh: K’tu, a ka bô najkush?

MB: Ja, ja, kërkush... s’ka pasë... n’Prezren i marojke njâni t’mira, i bojshin si ma shtrejt i kanë pasë, e jon’ kânë do dhênë rude, e kanë leshin e butë – ata jon’ kânë ma t’shtrejtë. Edhe do u thirrshin ‘kapuça t’devës’: nuk ish lesh deve, po ish qaq i butë, qaq ish i mirë, edhe qëndrojke ma shumë, n’atë kohë.

LSh: Kit periudhën kur veç Kosova e murr autonominë, deri dikun n’vitet e 90-ta, qysh e keni kalu?

MB: Kqyre, se me t’kallzu shkurt, ajo mjalta ô mjaltë: me ja qitë veç ni kime qështu t’vogël, a ki qef me hôngër?

LSh: Jo.

MB: A pe sheh që s’ki qef? (qesh). Tàna, nuk jon’ kânë qaq n’zor senet, deri vonë, dej, bile n’74-tën që murrën t’drejta Kosova, koxha fort u kânë, nifar forme e lirisë, nifar disponimi ma i madh i popullit, erdh’ tu u forcu, mirpo, kur u bô e 80-ta, erdh tu u egërsu puna.

LSh: Pse, çka n’dodhi?

MB: Ndodhi, se k’ta s’dojnë me t’pa mirë, se armiki si te sheh se nisi me përparu populli... nisi mu zhvillu populli n’qato kohë. U hapën shkollat ma t’mdhaja, njerzt ja nisën me shku nëpër shkolla, ata s’kishin qef me i pa, veç najnjo-dy – çka ju vyke k’tyne, se k’ta tjert kishin qef mi pa krejt çobanë t’dhêve. Qështu e kanë pasë dëshirën ata. Kur u zhvillu, nisi: si t’u forcu, nisën ata tu i qitë tjera ligje.

LSh: Ma t’rôna?

MB: Ma t’râna. Nihere, ma s’pari, n’kuvend t’komunës, dhetë [10] herë shkojshe për ni punë e nuk ta ndreqke, sa mujke kqyrke, veç me t’dënu. Erdh tu u prishë aj, atmosfera, po’ tani, se t’thotë kush çka don, prej 81-shës e knena ka ndodhë temeli i sêneve.

LSh: N’kit periudhën, ‘74 deri n’80, çka ke punu ti; a gjithë je merrë me bujqsi?

MB: Gjithmonë jom marrë me bujqsi.

LSh: Thashë mos ke punu ksh’tu... 

MB:  Ja, s’kom mujtë me punu, se kem pasë tokë shumë... 

LSh: Edhe djemtë (kanë punu bujqësi)? 

MB: Djemtë jon’ kânë n’shkollë, e kanë kry gjimnazin. Prej 81-shës që u bâ ajo hallakama e madhe, ku e ka shti popullin n’grusht, që s’na lojke bajrakin mos me marrë: që e qiti ligjin mos me marrë bajrakin n’dasëm.

LSh: As flamurin s’guxojshit me qitë... 

MB: ‘Bajrak’ na i thojshim përpara, për dasëm u kânë bajrak, e me shku n’demostrata e k’to, osht’ ‘flamur’. A din qysh e theksojmë na shqiptart, katunart: mi thânë ‘flamur’ n’dasëm, tu dokët që je tu shkru n’tjetër gjuhë, nuk po ka hije, se ‘bajraktar’. Se na vesim “Kush ô bajraktari?” – “Filani”. ‘Flamurtar’ mi thânë – nuk na rrokë ne. Kishe e theksume atëherë, me mujtë atë dialekt me theksu. K’tu hini, atëherë mâ populli nuk u bâ rahat kërkun, se ti ndrojke prej pune. Ni njeri që e kish detyrë, e kish msu, për shembull, inzhinier ish i ekonomisë, u kânë, s’ka pasë njeri ma t’aftë. K’tu e kem pasë t’katunit, nifar Lekë Berishe, Lekë Gjoni, ja dhonke tjetër detyrë, çka nuk e kish as t’msume atâ... tu ia prishë, me ia pshtjellë senet. Krejt i hupke taktika, aty hupi disponimi, hupi besimi, tuta... qysh don me çu tash... çka ki me bâ... ata u egërtun. Edhe, qysh e din edhe vet, kadal-dale qysh u bâ... 

LSh: Tash kallzona edhe kët’ periudhën, t’luftës, qysh e kalut’; ku shkut’; çka n’dodhi?

MB: Po, n’luftë po t’kallzoj k’shtu: ne t’thojnë k’ta tjert çka t’donë – lufta ka fillu prej Lekoshaq që u nisë – atë ditë e knena, rahati populli mâ s’ka pasë... k’tu sene t’sigurta mâ s’ke pasë kërkun. Veç a t’nxoni – t’shtike nër trumpeta. (Të qeshura). Luftë, une për veti po thom, se familja ka ikë, dy [2] herë jon’ dalë prej k’tuhit, une kurrë s’kom lujtë. Kemi ni mal qëtu, n’qat mal kem nejtë, n’dorë t’Lazve, o’ puna n’98-tën, kanë dashtë me na nxânë nëpër shpija, i dogjën shpijat, i dogjën lamtë... une bile jom kânë i mshefun khâ, terren i madh osht’. Une nuk e disha qysh pi djegë ato sântë, se tu u tutë mos kanë mshefë armë n’to. Gardhiqe a sanë – nuk lôjke sên. Për që e djegë veç me gjujtë, kòka ajo që kur t’bjen atje po’ u dhezka, po’ u hapka tani.

LSh: Me benzin.

MB: Po, çka osht’ ajo, asò... jom kânë ushtar, s’kom pa – qasi jo. Veç kur ti dalke flaka...

LSh: K’ta t’shpisë, ku t’ikën - n’Shipni, a?

MB: Ja, asnjo t’mitë n’Shipni s’kanë shku, ndaq me t’kallzu, n’ditën e parë kanë nejt te tunellat qëkhâ – i keni pa, nëpërmjet televizorit jon kânë – kanë nejtë n’Aqarevë, ni katun thirrët qaty, ka’ Obrija; n’Ujëmirë, edhe n’shpi. N’98-tën osht’ fjala. N’99-tën kur jon dalë, jon dalë te tynellat, kanë nejtë pesë [5] ditë... mas pesë [5] dite, kanë ikë prej tynellave edhe kanë shku, bile kanë shku përte’. Tash jon’ shku, kanë ikë me traktora, me krejt, djali, familja; une veç k’tu.

LSh: Vet je kânë, a me najkon?

MB: Jo, kem pasë tani dikur, u paten bâ, patën ardhë Zabërgj, Darevë, se Gralevën, jon’ kânë skej asfallti, i djegshin edhe i rrehshin kân e nxojshin. Krejt jon’ kan’ ardhë tu na k’tu, nëpër shpija tona. K’tu mâ, ndaq me t’kallzu, une kom thânë qatëherë, po ashtu s’du, kisha pa’ gabù, se kom thânë ‘Lum’t na, sa t’dashtun kokshëm nërmjet veti’. T’ardhëke njeri, nuk e dishe as prej kahit o’, me familje me krejt, s’kish, k’ta farë shatorash që i marojshim na, për shi, me ra. S’kish kurgja me veti, qashtu, veç kish marrë edhe kish ikë. Ti rasshum tânë mrena, ni ven qaty, bom, bom, bom. Sa kish vên, nuk vetke kush: kush o’; a çka o’, pasha qit nêj qi’ pe bâjme, le t’thotë kush çka t’don, se edhe ka’ morali, edhe ka’ ndërgjegjja, edhe ka’ dashnija, s’ka pasë ma t’mirë  sikur n’luftë. (Cakronte tavolinën me grusht) Veç kush t’rren gjâ; shton... Une kom nejtë me popull. Une atëherë i kom pasë gjashdhetë e gjashtë [66] vjet qashtu. Ishna i vjetër, vênet, e kisha malin tem, i disha ku jon lugjet, ku o’ terreni ma i fortë pak, me ikë. Prej cilës anë po na gjujnë? – “prej qësaj”; “qëkjo anë na gjujnë prej k’saj” – “Kët’ anë”...  Mas’ forti që e kem pasë keq, qëtu jon’ kânë ni ven prej Jashanice – a din, Jashanica, nifar kodre osht’ tu Jashanica nalt – i ka pasë prej qatjehit. Kur gjujke me minahedhsa, na i prishke do rrêne, k’tu lugjet khâ, prej atjehit, i qitke khâ. Se na i kemi pasë, k’tu kemi nejtë me shumicë: jon’ kânë k’ta t’Milazimit, ka pasë. Do kanë ikë, kanë dalë, shkunë n’Mitrovicë; prej Mitrovice tani jon dalë n’Mal t’Zi; prej Malit t’Zi – kush ka pasë tjera shtete, jon’ dalë tjera shtete – shumica. Shumica e madhe që jon kânë, me t’ardhë gjynah, me kajtë, sot. Mi mshelë sytë, po m’dokët që po shoh. Ni njeri me trupu s’ke mujtë prej rruge, sa njeri u kânë... krejt n’kamë tu hecë, me dalë për Shipni. Qështu u kânë, qe, une i kom pa me sy krejt.

LSh: Mandej kur u shlirut, qysh dulët knej? A ke djegt?

MB: Asni shpi s’ka pasë, hiç, prej tri [3] shpijav t’mija, une s’kom pasë kulëm kun’.

LSh: Veç e murrët vetën shpejt, a?

MB: Dikur tani edhe djemtë... N’Hajvali kanë nejtë k’ta t’mitë, u kânë ni dashamir, halà atje, nifar miku. Ai mi ka majtë familjën, kanë nejtë, nuk e di a dy [2] muj, a gjashtë [6] javë. N’Hajvali, qatje kanë nejtë familja jeme – jo veç e jemja, po kush ka ikë nônën ja kanë… k’saj ane krejt, Hajvali, ma s’pakti pesëdhetë [50] familje a niqin [100] jon kânë. Tani kur u shliru kishe pak, erdhëm, u kthymë, sot e kom mik, krye krehe, atâ t’Hajvalisë. Mi ka majtë familjën. Sot e kom ndaq mik, ndaq vlla, ndaq jaran – kurrë s’e harroj, për jetë. Edhe na e kemi ni... – m’fal që po t’thom – familja jonë, edhe çdo familje duhët me pasë, miqtë mi shenu: ti me ja lânë djalit tond, djali yt tjetrit, me qit familje, n’filon ven, qështu, qështu... mos gabo, n’çdo rast, se s’dihët: ênesh, t’qet puna, bo’ vaki n’konflikt me djalë t’tí vjen, vete mirë – n’daltë prej qëti veni, djalin ta mytë, nuk guxon mi thânë gjâ... ki me ja falë. Krejt familjën na ka pshtu: me na pas qitë n’sakak, na kish ngri. Une s’jom kânë vet, veç djeltë e djeltë e djelve, kom pasë djalin katërmdhetë [14] vjeç, tjetrin gjashtëmdhetë [16].

LSh: Tash po du me t’vetë – se ti m’spjegove mirë edhe për harmoni ndërfetare – sot, a qëndron halà qajo gjë?

MB: Une po t’thom k’shtu: nuk e di sa m’beson, për katun tem osht’ fjala, edhe katunet përreth që i kem... k’ta e kanë ni besim t’madh, ky popull, qëky rrethi jonë, mes veti, bile sidomos me qët katun. Qëtash jom n’gjendje, njerit, nashta gjakin – me ja pa’ mytë djalin – ma falë, qaq jemi n’mardhanie. Prej k’tuhit, k’to katune rên – me ti njehë tash jon’ shumë – veç, tàna çka jon’ rreth e rreth: nuk ka t’pame, edhe për halla – se përpara nuk shkojshim – po’ edhe për halla, për plaka shkojmë me pa, e nuk shkojmë pak, po’ nër pesëmdhetë [15] vetë, nizet [20], deri n’tridhetë [30], nvarët qysh o’ rasti. Naj rast ma i madh, shkojmë ma shumë. Qëky që erdh qëtu (hyri më heret në dhomë), bo’ vaki, sot mi thânë “Nuk i kom puntë sot”: “Ani, pe lâjmë për nesër”. Qëky katun, kado me shku bashkë, ma bojnë ni respekt aqik krejt qëti veni, se edhe une i respektoj edhe k’ta. Ja;u kom thânë, do fjalë ja’u thom: “Kqyre, mane katunin, katuni janë rrathtë”, a e din çka osht’ rrathë – pa rrathë, a rrin? Katuni osht’ rreth. Kur t’mahët katuni, s’ka kush çka t’bon, je i fortë, je shpijak, je besnik, tona i ki. S’je mire me katun – ma s’pari mate vetën se s’koke n’terezi, shko kqyru pak te mjeku mos pritofsh, se pasha Zotin s’je n’terezi, se pa k’tu s’bôhët. Kanë thânë, “me t’ardhë katuni me t’pshty n’derë t’shpisë, ta bôjnë lloq, veç me t’pshty”, kqyre ti tash, fjalë t’vjetra, se na i kemi do mesele.

LSh: Po more, shumë t’mira jon’.

MB: Lumi ai që e man rrethin, lumi ai që ka besë. Ma s’pari osht’ dashnija besnike, edhe mos mi lshu traditat e mira... t’kqijat leji, se kemi pasë edhe t’kqija nashta, asaj mos i bô hyzmet mâ, e ke pa që prej qasaj s’paska pasë bukë, le atâ, merri k’to çka t’vynë, puno me k’to. N’çdo rast, n’t’pame, mu kanë me ma gjetë venin, se une edhe i vjetër tash, “Ki mu ungjë k’tu, sa gjin’ që t’vinë”: “Baci Mark, jon; tu ardhë do gjin’” – me majtë khâ rregullin, i thom, “Ju tash duhët, tash, me nejtë mirë, n’kâmë mu çu”, jon ato veprat, nderimi, respekti – jon ardhë me t’pa... traditë shqiptare.

LSh: Ma kujtove:  a keni pasë k’tu odë edhe a keni halà? Qysh o’ puna e odës?

MB: Po, halà ka.

LSh: E ki n’shpi k’tu, a?

MB: Po, qaty ku kem ma qatje, qaty e kom oden e burrav’ unë.

LSH: Qaty i pret.

MB: Qaty i pres, qaty rrimë, qaty bisedojmë, se nuk osht’ për havale, kanë thônë heret... Po ta qes nifarë anekdote.

[Andekdotë]

“Ni plak i kish pasë shtatë [7] djem. U rritën djemt, po bâjnë fjalë nërmjet veti, po përlahën. Tha, “s’e keni mire” – “Pse babë, pse s’e kem mirë?”, tha, “Ja-a, ju me bô fjalë nërmjet veti, qysh, qysh keni me jetu, çfarë jetese o’ kjo?”, edhe i thotë djalit t’madh “çu hyp zabelit, shko bimi shtatë [7] thupra, ka çikaq mu kânë trash”. Ja pruni, edhe i lidhi n’katër [4] vêne, tha, “merri thjei qëto thuprat, tubë, qiti n’gûn përnihere” – s’thehen... “Hajde ti i dyti” – s’thehen, i treti, i katërit... shtatë djem tu provu.“Jo, babë. s’thehën k’to”. “Kqyre” tha, “bâba, kur t’i then qëtash”, i zgidhi ato, tap, ka njo, krap, krap, ka njo, ka njo. “Babë, edhe na i kishim thy qashtu” e, baba tu iu thônë: “si t’nejshit t’dashtun mes veti, t’nejshit t’lidhun mes veti, jeni sikur qato thuprat që ken parës; ndaqit qështu me bâ fjalë – qështu ju thejnë hallku, sikur une qëto”.

E, m’fal, se kjo osht’ pavên. Dashnia e popullit, e rrethit ton... që s’i ki dy [2] sêne: dashninë edhe besimin, me fallc je tu shku, tu u ênë me fallc – qëto dyja kryesore te ky popull, i vynë, s’bon mi harru, edhe i ka me traditë. Populli shiptar traditë rrenën s’e ka pasë kurrë, edhe me shkelë besën s’e ka shkelë kurrë. Ju ka vra mashkulli, e ka çu mikin, dashamirin, i ka lypë besë; i ka dhônë. A u kânë edhe n’anën e juj?

LSh: Qashtu.

MB: Ka pasë k’to... si t’hupin qito... tômli pa mazë, a vyn najsen? (qesh). K’to jon’ sene që vyn mi pasë populli jonë. Qëky popull, mos e boftë përnime, ma s’pari dashni, tu bô xheloza mes veti, ‘pse ka ky’; ‘pse ka ai’. Po ti je krenar – nëse ti ki, une jom krenar; une mu ngushtu, muj me çel ni derë. Tu ai që s’ki, çka ki fitim ti prej ati’? Jo, kurgjo. K’to jon’, k’to që duhët mi pasë ni popull. Me folë drejtë, rregull nuk ka n’shtet, ja, ja, ja. S’t’jep. Qysh me thânë, mos me pasë apetit, a muj han buk? Ai njeri që t’rrasët, a ka hajr prej tij? N’shpi t’vet, maji n’men, dy sene duhët mi pasë. Hajninë nuk guxon me bâ n’shpi tâne kurrë, se ajo shpi mâ s’shkon, edhe pabesinë – dy. Qëto dyja nuk guxon kush mi bâ n’shpi t’vet (troket tavolinën me grusht). Pabesija... ti atëherë je i pamoralshëm, i pandërgjegjshëm, ti s’ki as… m’fal, tash po gaboj, as si njeri mâ nuk e ki idenë e njeriut, i ke kalu fazat... kur ti bajsh qëto dyja... (troket tavolinën me grusht). Pabesi, pabesia, ka shumë llojesh k’tu. K’tu duhët me pasë njeri me besë. Une sot po t’shoh, sot po t’ní, për mu je mik i jemi, dashamir i jemi, e ki derën çelë, me kon t’dush, se kjo osht’ adet edhe traditë shqiptare. Kur t’kish qef, je i lire sukur te ni mik ma i miri – sikur te daja. Te daja osht’ njeri i lirë – qashtu je i lirë. Pse? Se ni nanë nuk muj na bon tânë, po o’ dashnia, o’ besimi: une e marr besimin te ti. Tash une me t’besu ty, e me ta lshu shpinë, e me ta lshu familjën, e ti me keqpërdor, shka u bâ k’tu tash... 

LSh: Sên i keq.

MB: Ti i ke shkelë shumë norma (hipotetikisht). Ti, njo’: ma s’pari traditën shqiptare s’e ke njekë hiç, besimin shqiptar s’e ke njekë hiç. A pe din sa neni i dënimeve? Sikur k’ta që’ pi njekin me nen, dalin k’to, tù na. Familja jonë, ka ardhë njeri me besë k’tu. Krejt mu pa’ vra k’tu, qaj vet nuk vritet. As fjalën që e ke folë me mu, nuk e nín as djali, as reja, as gruja, as kush n’dynjâ mo’. Njeri që i përciell fjaltë, prej meje mi çu te tjetër kush, e aj tjetri tu tjetri, se s’nalët. K’tu me ata njerz, njeri nuk bon me ta’... miqasisë duhët me ju rujtë, po t’kallzoj edhe qëta: miqasia t’bon çerak, me shku vêne ku jon shiptarë, ku ka besë, ku ka traditë, (troket tavolinën me grusht), çirak i Zotit osht’ me marrë aty, se t’ngo’ djali, t’ngo’ vajza, ajo shkon ka nera e ban’ jetë. Me shku te i panershmi, ti e ke bâ vetën kahre, e ke fikë shpinë tâne, kurrë mâ n’terezi, qysh je kânë, s’ki me ardhë, as qajo traditë që e ke pasë. M’fal që pi thom k’to, po ma s’forti t’man karakteri yt. Duhët shumë... besës duhët me ju rujtë shumë. K’to dyja, janë kryesoret te njeriu: ki karakter – ku t’dush ki vên, ki besë – ku t’dush ki vên; s’i ki k’to, (përplas dy duart me njera-tjetrën) nuk ki kurgjo, veç figurë hesapi, edhe me t’i njehë do ditë, sa pi bon.,, M’fal, falimderit shumë.

LSh: Faleminderit shumë prej teje.

MB: Kërkoj falje – nashta çka t’u ka dashtë s’t’i kom dhânë...

LSh: Jo, krejt. Shumë faleminderit prej teje.

MB: Une t’falenderoj shumë që ke ardhë, falenderoj edhe... ai që t’ka porositë ty k’tu, se e ka ditë ku t’ka çu, po’ jon’ sêne që une atâ e kom vlla, atâ e kom shka t’dush. Jo atâ, e kom gjithë, se tu na – t’kallzova edhe nihere, nashta nuk m’beson çka jom tu thânë – për Zotin, po t’boj be, që qëtu me ardhë, me ditë, n’dash për Bajram, une kom me ja bô përhajr ati’ [Personit që më dërgoi tek i intervistuari; kushëri musliman]. Vinë miqtë prej atjehit, tash edhe mu ma bôjnë përhajr se kujtojnë që jom i besimit musliman une, une i thom ‘Hajr paç, edhe ty t’koftë përhajr!’ qëky që jom, se nuk m’prishë kurgjo, po’ duhët me pasë njeri ndërgjegjjën morale t’vetën. Lufta o’ qysh me dashtë njerin, lufta osht’ qysh me afru njerin, lufta osht’ qysh mu bâ bashkë shqiptarët që mos me pasë kasavet njôni prej tjetrit. Millosheviqi tha: “Luftën ma t’madhe Sërbisë që ja ka bâ, ja ka bâ Anton Çetta me grup t’vetin” se i pajtoi shiptart, i pruni te ajo – “luftën ma t’madhe Sërbisë ia ka bâ ai”. Se na kemi dashtë qysh mi shkatrru... T’falemnderës shumë.

LSh: Faleminderit shumë prej teje.

MB: Hajde g’zuar!

LSh: G’zuar edhe ty!

MB: Ishalla gjithë për mirë rrimë. 

(Godasim gotat në shenjë gëzimi)