Mustafë Salihu

Intervistuar nga: Bjeshka Guri

Na gjithmonë kemi majtë bullica. E kur kish bylmet s’ka pasë problem hiç.

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

15.02.2018

Lokacioni i intervistës

Ferizaj

Vendi i lindjës

Tranksriptimi

BG: Në kuadër të projektit “100 pleq e plaka”, sot jemi n’Ferizaj. Data është pesëmdhetë [15] shkurt dhe do ta intervistojmë Mustafë Salihun, tetëdhjet e pesë [85] vjeç.

A po m’kallxon prej kahit vini?

MS: Na vimë… Babgjyshi jonë prej nizet e pesqit [25]… N’atë kohë ja kishin pas vra bâbën, babgjyshit, nâna i martohët, edhe [gjyshi i MS] kish ikë, kish shku te nî [1] teze n’Kaçanik t’vjetër. E ajo tezja e kish pas shti me marrë zanatë te nî [1] nallban n’Kaçanik. Po ai nallbani qaq ish kôn i pashpirt, me thânë nuk e kish pas lanë me hi n’dhomë me fjetë, po kish fjetë n’pleme. A dimën i madh ish kôn shumë. “E bojsha nî [1] strokull n’kashtë edhe hisha flejsha”, tha, “edhe ata ja bojsha, po kur u çojsha n’mëngjes”, tha, “gruja e atij mjeshtrit”, tha, “nî [1] legen me mnela…”, ktynehere mnela ka pasë, si pelena, tha, “t’flliqta m’i pruke, thojke me shku m’i la n’Lepenc. E për m’i la n’Lepenc”, tha, “at’here u bojke dimri i fortë, u deshke sefte me marrë sakicën me thy akllën, e tani m’i shti m’i la mnelat n’Lepenc, n’ujë me akëll.”. E qashtu tha, “Kum vujt’ shumë. Kur ndërkohë”, tha, “niva qî n’Ferizaj osht nî mjeshtër i Tyrkisë mbretnore, at’here nallban, e po lypke ndihmës i mathtarit ose nallbanit…”, qysh i kanë thânë, “edhe erdha hina te aj.”, tha, “Shumë mirë punojshmi, po atina i erdh koha m’u kthy n’Turki edhe m’thojke mu, ‘Ilaz, ki me ardhë me mu. Une atje ka me t’marrë, ka me t’martu, ka me t’maru shpi, kam… krejt’. Une”, tha, “e kisha vllaun n’Sllatinë, ‘Jo bre, s’muj se e kam vllaun, s’muj m’i lanë…”. Lut’, lut’… s’ka. “E pra masi s’po vjen, une pra k’tu ka me t’martu edhe ka me ta maru nî [1] shpi.”. “Ndërkohë”, tha, “erdhën prej fshatit Talinovc i Jerlive”, thojnë, te fabrika e gypave qaty, “erdhën m’i pru do kije me mathë.”, edhe tha, “Po ju tham une, ‘A po ma gjani bre nî nuse’, ‘Për kon bre?’, tha, ‘Për qëtâ’, tha, ‘Po, ô Ilaz’ , na po. Bam bum, bam bum…”, tha, “ja lan dorën aty, ja lan dorën aty, e e erdh nî… at’here nî zabit i Mbretit.”.

BG: E çka osht zabiti?

MS: Zabit, oficir. “Me ja mathë nî kali. Ja matha kalin mirë”, e tha, “m’i dha dhetë [10] metelikë”, thojke, “metelikë”.

BG: Dhetë [10] metelikë janë kon’ pare at’herë a?

MS: Metelikë, pare. E tha, “Une me dhetë [10] metelikë dola n’qytet n’kafe e i qorrosa do shokë qî kum zanë nuse”, edhe tha, “Ai”, tha, “ma maroi nî shpi dydhomshe.”. Ashtu edhe i erdh’ koha me shku...

BG: Ai turku a?

MS: Ai turki. Edhe tha, “Ô Ilaz?, He?, Qe haletët! Krejt m’i la, krejt. Ja pashë hajrin zanatit edhe u nis’ edhe shkoi n’Turki. Edhe me t’vërtetë”, tha, “ja pashë hajrin.”. Pat bâ pasuni t’madhe ai. Kjo toka krejt, a p’e sheh, prej qëtuhit ku jemi na deri përtej stadionit ô kânë e tina. Krejt. E kshtu qî e bâni...

BG: E tani me babgjyshin tan qysh kanë ardhë n’Ferizaj?

MS: Eh masi ka maru ky shpijën, edhe u martu ky, masanej e ka thirrë babgjyshin tonë, e ka marrë prej atjehit e e ka pru n’Ferizaj, masanej e ka pru. E kshtu qî, thojnë kur janë dâ ai paska marrë dy [2] hise. E nî hise ja paska lanë kti babgjyshit tonë se ka ardhë ma vonë, për qat’ arsye. E qashtu janë dâ. Edhe ky Ilazi e ka pasën veç nî [1] djalë, Danushin. E i ka pasën katër [4] çika, po dy [2] gra. Me atë grunë e parë katër [4] çika, me këtë t’dytën Danushin e ka pasë. E tani Lufta e Dytë Botnore kur ke ky Danushi, ke ushtarë, ushtarë n’atë kohën e Jugosllavisë, mbretnisë e Jugosllavisë at’here ô kânë, at’here i thojshin n’gjuhën serbishte Jugosllavia Serba, Harvata i Sllovena. Domethanë, vetëm tri [3] kombe kanë pasë t’drejtë: serbt, kroat’ edhe sllovent. As maqedont, as Malin e Zi, se mâ shqiptart hiç e hiç s’janë përmen’. Kta janë kânë pakica kombëtare, edhe kush s’i ka bâ hesapë. Kshtuqî kur bahët lufta Danushi zihët rob atje. E zanë rob. I kanë thânë turqisht jesir. N’luftë n’Slloveni ky ka qenë. Se ajo Jugosllavi ô kôn krejt, me Slloveni, me… A’qe e zânë rob edhe e kishin pas çu n’Gjermani. Pse? Se gjermani at’here n’Luftën e Dytë Botnore e pat marrë gati krejt. Jugosllavinë, po se po, edhe nî pjesë t’perëndimit. Vetëm Rusia e pat’ marrë, s’mujti aty me marrë. Bani luftë t’madhe, po s’mujti. Edhe kshtu qî dështoi n’Rusi. Edhe Gjermania kish pas metë shprazt, pa njerëz, krejt n’luftë. E kta i kish pas shpërnda Gjermania, kta robt qî i zânë nëpër fshatra.

BG: T’Gjermanisë?

MS: Po, nëpër fshatra gjermane qî me punu tokën, me punu tokën. Thojnë qî ka punu deri n’fund t’katërdhet e pestës [45].

BG: Me naj familje?

MS: N’familje.

BG: E a ka kallzu najsen qysh ka kalu atje?

MS: Atje? Po. Familje atje… Interesant ô kôn. Tregojke ai, tha, “Pa marrë parasysh shka je, a rob, a shka je, nuk t’dajke prej familjes. Me nî sofër, me familje, me…”, si anëtar i barabart i familjës. Edhe tha, “Për Veligdan a për Bozhiq”, a din, “ju bljeke tesha familjës edhe mu.”. Dallim s’ka pasë me bâ. Deri n’fund t’katërdhet e pestës [45], e n’fund t’katërdhet e pestës [45] ata i lirun edhe erdh te shpija. Erdh te shpija Danushi. Kshtuqî… A ky Ilazi, sa ish ky n’Gjermani...

BG: E ky Ilazi?

MS: Bâba i Danushit, mixha i babgjyshit tonë, mixha i bâbës tonë. E sa isha n’Gjermani ardhshin thojshin, “Valla, Danushi ô vra!”. Thojshin me… “Na e kemi varrosë vet, me durë tona.”. E ky menoi qî përnime. Tashti kërkush fmi s’pat metë. Na kem dâ prej Ilazit. Edhe tash u martu Ilazi.

BG: Apet u martu a?

MS: Po. Katërdhet e dy [42] lira e pat’ ble qat’ grun qî i diq.

BG: A ô kôn gruja e re për to?

MS: Po, sigurisht qâ e re ô kânë. Po ish kôn e martune dikun tani i kish pas dekë burri.

BG: E ky ô konë i vjetër?

MS: Po, ky i vjetër ô kânë. E tani me tâ i pat dy [2] djem edhe ni [1] çikë. E tashti Danushi ke idhnu pak pse ô martu bâba, pse anej, pse knej. E kshtu qî edhe Danushi u dâ. Ilazi pat metë vet, pat metë vet Ilazi. Nadhët [90] e kusur vjet ka rrnu vet.

BG: Veç vet’ ka metë a?

MS: Po, deri u dâ. E qishtu.

BG: Ty a t’kujtohet Lufta e Dytë Botrore?

MS: Mu m’kujtohët Lufta e Dytë Botnore. M’kujtohët veç kur kanë pas ardhë aeroplanat me bombardu. At’here s’ka pasë aeroplana t’shpejtë, e qashtu përmi nejshin. Veç kur ja nisën me lshu buma, bum, bum, bum… Na k’tu, n’Ferizaj.

BG: Edhe nëpër Ferizaj?

MS: Bo, bo, bo…

BG: E çka t’kujtohët? A u tutshi?

MS: Qysh jo! Tani patëm ikë, patëm shku n’Greme, n’katun, masi u bumbardu. Shkum n’Greme se u bâ pak dam anej, knej. E tani erdhën… Gjermâni e pat okupu krejt. Erdh gjermâni mirëpo gjermâni ish… me bashkëpunim me Shqipni ish kôn. E gjermâni kadaldal si hini n’Shqipni… Shqipnia m’dokët njo tri [3] vjet e ka majtë, tri [3] vjet po, Shqipni u bâ k’tu, i thojshin Shqipnia e Madhe. Po, Shqipnia e Madhe thojshin. Mirëpo Partia Komuniste organizoi, qysh oraganizoi n’krejt Jugosllavinë, jo veç n’Kosovë e n’Serbi. Edhe njo tri [3] vjet me thânë, nuk m’kujtohet mirë, Shqipnia… edhe ajo u largu. S’ka. Erdh’ e rroki komunizmi. E hebrejë nuk ka pasë shumë n’Ferizaj, ka pak ka pasë. Mu m’kujtohët ka vorët, vorrezat i kanë pasë.

BG: Hebrejt kanë pasë vorreza a? E ku bash?

MS: Po qetasht janë do toka… Ô kôn nifarë rruge anena, ô kôn medresa aqe. S’e din ti ku ô kôn medresa te… ku ô shkolla “Albri”, a çka i thojnë.

BG: Kuvendi i Arbrit a?

MS: Po, Kuvendi i Arbrit. Pak ma anej, ma n’gjatht’ [në të djathtë]. Aty ô kôn pushkë krejt, e qaty janë kôn vorrezat e hebrejve. Kshtuqi shqiptart ju kanë nimu hebrejve gjithmonë. I kanë fshehë, i kanë qitë ma shumë n’Shqipni. N’Shqipni i qitshin me kual, e me... natën i largojshin.  Edhe n’Bullgari m’dokët, edhe n’Bullagri valla i kanë qitë.

BG: E ty a t’kujtohet naj sekuencë?

MS: Jo, jam kon shumë i ri at’here, veç e di qî ô kôn nî dhandërr i nî dajës, ai i bâjke. Natyrisht edhe ju marrke pare, a din, i bâjke.

BG: E kush ô kôn aj?

MS: Nî Murtez Leka. I thojshin Murtez, Murtez i thojshin. E ka pasë emrin. Ai qitke n’Shqipni. I bâjke, i fshefke, ku e di une shka bajke. Po trenat, se ka ardhshin mu s’um kujtohët, edhe i parkiratshin i lashin k’tu. Mshelë kejt ato reshetkat, veç kqyrshin për xhama. Na si thmi shkojshmi… Bile gjyshja na dhake bukë t’kallamojt, shkojshmi ju dhashmi. Po me na pâ gjermant tu ju dhanë bukë na mytshin, po na tinza gjermanve ju dhashum bukë. Qashtu me javë nejke treni para stacionit, se për shka at’here… Ku me ditë shka! E qështu. E tani kapitulloi edhe gjermâni kadal kadal u tërhek’. Hini partizani, i thojshmi. Komunizmi niherë n’fillim ke mirë. Mirë ke n’fillim. S’na ngucke kush. Na dhake ndihma, bukë t’kallamojt, sene. Jetojshmi diqysh, po shka banën shqiptart! Ballist shqiptarë organizojnë e, “Hajde, për Ferizaj e kam fjalën, “e ta shlirojmë Ferizajin prej komunizmit.”. E i ranë natën. Auuuu vikatshin arabisht, “Ô dilni, dilni.”. Ata e kishin pasë mirë, po na n’shpi s’guxojshmi… Kur u zdrit, dikur kur u zdrit, t’ju hinën nëpër shpija partizant, ballistat. Ik, a mun’ me luftu me shtet! Edhe t’ju hinën marë. Une po flas për qat’ rrugën tonë ku jemi kôn. Ô kôn sefte… Nifarë Daut Behluli, ô kon shpija dy [2] kat’. Une hypa, isha i ri, edhe kqyrsha për xhami. “Dauteee!”, sërbisht. Halâ pa e qitë kâmën jashtë, tang-tang, e vrajtën. Janë hi te vllau i tina. Sinan… Sinanin e vrajtën. Djalin e ka pasë tetëmdhet’ [18] vjet, nizet [20]. Iki djali, i râ n’dorë nânës. Une e pâsha pî naltit. Nâna vet, qështu n’prehën ja kanë vra. Sylë Beka ô kôn, Syl Bekteshi i thojshin, atâ me gjithë djalë, bash kojshi e kemi pasë, e murrën me gjithë djalë lidhë, kush s’ja di fijën sot e atë ditë ku osht! Ô kôn nî Xhelë Gorani, e ka pasë shpijën përtej neve, ai dul, i ngrati tu ikë përrreth zidit me shku te babgjyshi vet atje m’u strehu, atje prej xhadës, dang, e lan’ n’xhâde. Ô kôn nî Bexhet Gacka, kojshi me neve, edhe ka pasë kapexhik, del ai, ja shohin kunrat e reja, thojnë, “Ami kunrat!”, tha, “Jo bre, qetasht…”, (s’kuptohet), dang, e vrajtën, e ja hekën kunrat prej kâmës. E i erdh reni me hi n’shpi tone, hinën n’shpi, ky, bâba, ish i ri at’here, i thotë Ilazi, “Bac, shka me bâ?”, thotë, “Vallahi, s’po di shka me bâ.”, tha, “Du me hi n’pleme m’u fshef.”. Hini n’pleme, u fshef qaty. Dang derën, hinën. Dul baba Ilaz. Dang, p’i thotë, “Plak, ku e ki djalin?”, i tha, “Po rren’, s’ô e vërtetë.”, “Qe”, tha, “letrën ku e kam.”. E kish pasë letrën. Ja kqyrën n’letër. Tha, “Mirë, ama n’qit pleme”, p’i thotë, “ati shoqit k’tu ka dishka. Ja ka, ja s’ka.”. Ka kcy njâni ka hypë përmi edhe p’e shkelë kashtën, a bâba n’kashtë. Zhdrypi poshtë, p’i thotë, “Bima qibritin me kallë...”.

BG: Plemën?

MS: Ehëë. Ai ja ka dhânë qibritin. Na s’kishmi shka me bâ, me kshyrë… E kanëxerrë kokrrën veç me ja bâ kshtu. Kur njo niqin [100] metra ma larg krisi nî automat uuu… uzbuna i vikatën kti me qibrit prej dorës, e ngajtën anej.

BG: Nuk mrritën me kallë?

MS: U afru Ilazi, “Dil more se ke tu maru!”. Kuku! Qe për sa ka pshtu.

BG: Edhe ti qaty je kôn a?

MS: Aty. Prej atyhit tash jemi dalë përmas e me dalë n’shpi tonë se na patëm ardhë te Ilazi. Jemi ardhë n’shpi tonë. S’ka vonu, pak, kur edhe anej dera dan, hinën partizant. Auuu me automata. P’e thirrin bâbën, “Pushkën!”, tha, “E kom dorzu.”, ‘Po rren. S’e ke dorzu!’.”. Njâni nxerrke fishekë prej xhepit, se i shprazt, edhe i çitke, thojke, “Qy, ku ke luftu ti me partizanë. Ke luftu me partizanë ti”, thojke, “Jo be, vallah.”, “Po, po”. E pshtetën për zidi veç me vra. Gjyshja, rahmet i pastë shpirti, hini n’midis, “Mâ be!”. Si ti kanë mshu shkelm gjyshës, e qitën. Po kur don Zoti me t’nimu, n’atë moment ka krisë dera, auuu hinën do me do tesha t’bojkafta diqysh. Ajo ish kôn brigada e Shqipnisë, na s’e kemi ditë. Se at’here Shqipnia me Serbinë ô kôn bashkë, i kanë nimu njâni-tjetrit. Brigada e Shqipnisë bam i fishlloi atina shkaut, tha, “Ballist!”, “Çfarë ballisti bre?!, “Paja khâ.”, tha. Kur foli shqip thashë shka u bâ! E shtini mrena tha, “A e ke dorzu pushkën?”, “Qe letrat!”. Hini mrena tha, “Mos dil jashtë.”. I përzuni ata. Pshtoi. E dyta herë, e dyta herë. Metëm pa dru, e ish mraz, borë e madhe. Po m’thotë, tha, “Hajde be dalmi qaty n’xhade mos p’e gjajmë nî magarë dru me ble.”. Eee more, kur kanë ardhë dy [2] veta, tak-tak pushkën bâbës, “Aaa ballist je ti.”. E rrokën arave tu e çu.

BG: Ti me to ishe a?

MS: Mu s’um lashin m’u afru, po qashtu shkojshna përmas. Ô kur do Zoti, brigada e Shqipnisë ish kôn tu ardhë prej stacionit n’hekurudhë, n’atë rrugën anej, a din. Kshtu anena krejt ara, s’ka pasë kurgjo, rruga edhe ara kurgjo tjetër sen. Kur tu shku brigada krejt rresht, ai oficiri e ka pâ për bibëz, tha, “Dogji vamo heeej”, tha, “Kush ô ai ballist?”, “Çfarë ballisti? Ballistat rrin’ n’mal”, tha, “nuk vinë k’tu m’i zanë ti!”. Bâbës i tha, “Hin n’rresht”. E përziti n’atë renin e ushtarve. Une qashtu mas. Kur shkon edhe pak tha, “Ô shok he, ku e ki shpinë?”, tha, “Qatje”, “A guxon me shku vet?”, tha, “Vallahi, jo!”. Ja dha dy [2] ushtarë, “Përcjellne deri n’derë edhe kthev.”. E veç dashta me thânë nanë [9] vetë i kanë vra n’qat’ rrugën tonë, n’qat’rrugën tonë, me emër me mbiemër me krejt. Ô kon Daut Balia, Sinan Balia me djalë, Xhelë Gorani, Hysë Kasapi, tani Sylë Beka me gjithë djalë, Bexhet Gacka. Veç nanë [9] janë.

BG: Veç qat’ ditë?

MS: Qat’ ditë. Qat’ rrugë i kanë vra. E qështu.

BG: Çka t’kujtohët prej fminisë? Sa fmi jeni kânë?

MS: Po na jemi kôn shtatë [7] qashtu, shtatë [7]. Shtatë [7] jemi kôn. Po mas Luftës së Dytë Botrore, na kishmi bukën tonë, drithnin, se kishmi tokë, po at’here ke ai sistemi vishak, tepricë i thojshin. Krejt ta marrke ving e ving e ving deri pula n’paq, edhe voet e pulës t’i lypke. Bullicën qî e kish, përvjet u deshke m’i çu s’e di sa kilogram mish. Shka t’kish krejt u dashke. Thojshin, “Kjo ô tepricë, kjo duhët për shtet.”. E neve… Na… Na kishe patën pru kallamoq t’mykt prej Vojvodinës, Serbia qî e ka pasë. I mykt. Furra i bojke bukt t’mrume, i thojshin, me tepsia t’mdhaja. Edhe naj patën dhanë do bona, sa antarë je kâ, sa bukë me t’dhanë t’i prejke ato bonat. Kur e prejke furraxhia, ardhke era nî [1] kilometër, e mykt krejt, e mykt guri. Qashtu.

BG: E n’fillim s’keni pasë bukë a?

MS: Para… para luftës jo, po kemi pasë bukë. E kemi pasë tokën tonë, bukën tonë. Kush s’na’j ka... A kta, kta ta fshishin krejt, krejt ta fshishin bukën. E qështu ô kôn. Varfni e madhe ô kôn. Kqyre s’ka pasë rrymë, s’ka pasë… Rrymë s’kemi ditë shka osht, mozollah!

BG: Qysh bojshi dritë natën?

MS: Lloma, gaz. Edhe atô gaz… Po une s’e kom mrri, thojshin, edhe gaz nuk ka pasë, po pisha. Me pisha. E majshin qështu pishën deri edhe durt i djegshin. Dikur kur dul lloma, eheee… lloma mirë, me gaz. Masanej sa ô kôn Shqipnia, a din, edhe gaz s’un gjetshe. Edhe krypë s’ka pasë. Gaz, mozollah s’ka pasë. Marrshe tlynë bullice, e mushe nifarë tazi, ja shtishe nî fitil, e kallshin, e qashtu. Krypën e marrshim me gurë prej Bullgarisë a s’e di… U deshke me shtypë me çekiq niherë tani me shishe gërr, gërr për me marrë krypë me hangër. N’Ferizaj përpara s’ka pasë rrugë t’shtrune, rrugë t’thjeshtë. Edhe janë kôn t’caktun venat ku ka pasë bandera, e n’ata banderat fenarat, fenarat janë kôn qashtu. N’krye t’banderit fenerin e bajke. Aty ô kôn njeri apostafat i cili u kujdesojke për ta. N’mramje e marrke shkallën n’krah edhe na si thmi shkojshmi përmas, na interesojke. E shkojke ja heke niherë shishën, ja fshike, e mushke me gaz, e kallke. E tani hajt… ren’ nëpër qytet krejt i kallke dritat, se s’ka pasë. Masanej edhe Ferizaj janë kôn njo… maj men’, goxho valla do bunarë. Njo [1] ô kôn k’tu, n’kryq… meniherë kur dalsh n’kryq n’kodër, meniherë ka furra Mikelit qaty. Njo [1] ô kôn te Bankosi, ku ô kôn bunar. Njo [1] ô kôn te ai parki para komunës s’vjetër, aty ô kânë. Njo [1] ô kôn te staciâni i trenit, bunarë, kafët janë kôn aty. Tani dikur vonë mas shlirimit ja patëm maru do pumpa se s’ka pasë.

BG: E qaty keni nxjerrë ujë?

MS: Po. Shka me...

BG: E ti a man najsen prej fminisë tâne men’? A ke pasë shokë? A ke lujtë? Çka keni lujtë?

MS: E more… kemi pasë shokë. Kemi pasë shokë, po s’kemi pasë çka me lujtë. Vallahi jo, s’ki. At’here shka janë kôn do kafe, çajtore… Aty fmija s’guxojshin me hi, mozollah. U mledhshmi qështu nëpër sokaqe, do qyshe, do anej. S’ke pasë kurgjo, s’ke pasë… kurgjo s’ke pasë. Qështu valla.

BG: A keni pasë lum?

MS: Lum? Qeky lum. Qët’ lumin qëtu a e man men ti? 

BG: Po.

IF: Qeky ô kôn niherë lum. A din sa ujë ka pasë, shumë ka pasë ujë. Po kadal kadal tu u nalë, tu u nalë fort… edhe ja nisi me qitë bërllog. Ajo reka madhe ô kôn, a din, ajo reka madhe. E aty na shkojshmi u lajshmi te reka e madhe, te reka e madhe, se nuk ka pasë. A ujë ka pasë valla përpara shumë, shumë. E qështu valla, Bjeshkë.

BG: E për ushqim, a po m’kallxon çka keni hangër?

MS: Paj kryesisht ushqimi ô kôn bukë t’kallamojt. Bukë t’kallamojt, po. Po une tash po foli për familjen tem. Na gjithmonë kemi majtë bullica. E kur kish bylmet s’ka pasë problem hiç. Bukë t’kallamojt, kos, tamël, shka dush… tlynë mâ mos vet. Po disa bukë t’kallamojt edhe s’kanë pasë, edhe qajo shumë keq ô kânë. Shumë fukarallik i madh ô kôn, tepër dishka. Tani edhe tjetra ô kôn qî shumë familje s’kanë pasë edhe bunar, ujë s’kanë pasë. Për shembull me nî lagje t’madhe nî bunar u bajke midis rrugës edhe qaty krejt lagjja u furnizojke. Pritshin ren’ dej ardhke reni me mushë nî [1] kofe ujë. Shumë keq ô kânë.

BG: E ju çka keni pasë që keni pasë qaq shumë pasuri?

MS: Kemi pasë tokë. Tokë kemi pasë edhe pllus bâba ka punu zanatë. Kurrë s’kemi hekë.

BG: A keni pasë punë?

MS: A shumë! Kurrë s’kemi hekë na. Ja, ja. Na kemi pasë punë. Zanatin, tokën po. Kuku. 

BG: A je interesu najherë me bâ punën e nallbânit?

MS: Po, po. Qysh jo, qysh jo! Paqare u deshke m’i nimu bâbës.

BG: E qysh u bajke?

MS: A bre ma kalit… Magarit s’u kôn problem, ja çojshe kâmën, ja majshe, a kijet ô kôn zor. Po t’kallxoj, u deshke m’i lidhë, e janë kôn ato fallakat krejt. E u dashke m’i lidhë, m’i rrzu, me ja lidhë kamt, m’i çu, veç shumë shtirë u kânë.

BG: E kijet për çka janë përdorë ma shumë?

MS: Kijet për punë. Po at’here tokën e me krejt me kije. Nuk ka pasë traktorë. S’kanë ditë…

BG: E për qata keni pasë shumë punë?

MS: S’kanë ditë kërkush shka osht traktori. Ja traktor… Ja, ja. S’kanë ditë kërkush. Krejt, krejt me kije. Kanë pasë disa pasanikë qî i kanë pasë ka tri-katër [3-4] penë kije, kual, kije. Krejt me to i kanë punu tokën, s’ka. Masanej kur u korrke gruni, krejt me drapën, me dorë, me… hekterrë, hekterrë ven’, krejt me drapën tu e korrë. Paj, qetashi u bâ, u… Veç s’ka. Jo bree, jo bre shumë jetë e shtirë ô kânë. E shtirë ô kôn jeta.

BG: E n’shkollë kur ja ke nisë me shku a t’kujtohët?

MS: N’shkollë? Nuk e maj men’ vitin, veç kur erdh Shqipnia at’here dulën derë’m’derë edhe kqyrshin ku ka thmi m’i çu n’shkollë. M’i çu n’shkollë. E maj men’ bâba m’murrë përdore e um çoi. Ish dimër. Atje Qendra e Kulturës ku osht, te nî shkollë e vjetër, n’anë t’shmajt qî osht. A e din, a t’kujtohët ajo e vjetra shkollë nikatshe? Qaty m’çoi. Hinëm. Ishin kôn dy [2] msuse edhe, “K’tu”, tha, “ule”. Qaty… Dul bâba m’la qaty. E ja nisëm n’klasë t’parë qaty va vim, va vim… krejt arsimtart, msusat, janë kôn prej Shqipnies.

BG: E a u sillshin mirë me juve?

MS: Auu… S’ka pasë asi msuse, qaq msusa t’mirë, qaq m’i dashtë nxansit s’ka bâ vaki. Nejse mâ, klasën e parë e krytëm. Beso Bjeshkë, kur erdh momenti me na’j dhânë diftesat edhe me na përcjellë, ai msusi dy [2] faqet kish me m’puthë, edhe sa mujke me kajtë qî po dahët prej neve. Ato kurrë s’e harroj. Qasi pritje. Mir’po qat’ klasën e parë e krytëm, u prish hesapi. U prish Jugosllavia me Shqipninë edhe i largun ata. E masanena katërdhet’ e katërtën [44] a katërdhet’ e pestën [45], se u bâ lufta tani, a e din, e u desht k’tu n’Tefik Çangë, n’Tefik Çangë me fillu. Atâ… Tefik Çangë, qaty e krytëm shkollën fillore. E qat’here ô kânë...

BG: E me çfarë msusa mshojshi n’Tefik Çangë?

MS: Ka pasë edhe t’Shqipniës se do nuk u kthynën. Edhe tani u hap t’njejtën ndërtesë ku thashë parzit, u hap kjo shkolla, i thojshin semimaturë. Gjimnazi trivjeçarë. Aqe shkum’, aqe krejt janë kânë… edhe ata krejt arsimtarë t’Shqipniës. Ô kôn nî Avni Kryeziu, na i thojshmi Avni Bâba. Ai ish kôn major a kolonel i Ahmet Zogut t’Shqipnies, ai na dhâke Gjeografi edhe Matematikë. Merre me men’ ti, kur na dhake Gjeografi, dishka ktu yzit, hana… ku p’e di une, e thojke, “Djemt e mi, vajzat e mi, n’ora tetë [8] n’mramje me kôn para shkollës.”, terr kur u bajke dojke praktikish me naj tregue. Natën u mledhshmi aty edhe naj tregojke...

BG: N’shkollë t’mesme a?

MS: Po. Na’j tregojke krejt, ‘qishtu, qishtu…’.

BG: E a ka pasë çika n’shkollë t’mesme?

MS: Po, ka pasë. Ka pasë. Tani ô kôn nî Anton Gorashi, Gorashi, ai Biologji edhe Edukatë Fizike. Ai ô kôn drejtor. I ashpër ô kôn ai. Kuku, na mytke! At’here na rrehshin.

BG: E për shka ju rreshin?

MS: Se u halitshmi. E tani ô kôn nî Llamë Kallupi, qî halâ ja di emrat, tani ô kôn nî Albert Karamani… Krejt ja di emrat halâ.

BG: Prej Shqipnisë?

MS: Po, prej Shqipnisë. Halâ ja di emrat. Jon’ kôn shumë, shumë arsimtarë t’mirë.

BG: Ti domethanë e ke kry edhe shkollën e mesme?

MS: Po s’e di tashti. Tash mâ nuk p’e pranojnë atâ, s’p’e pranojnë atâ. Asaj i thojshin semimaturë. Semimaturë nuk e di shka do me thânë… E s’e pranojnë atâ. E qështu. Veç qî...

BG: E a i kanë lanë krejt motrat e vllaznitë e tu me shku n’shkollë?

MS: Kujna? T’mitë a? Po, po. Kanë shku krejt, po s’ja’u ka desht barki. Nî Ismet qaty edhe nî Liman. Mu m’dhimët Limani e Ismeti. I kum pas thânë Ismetit, “Ti knej ka shpija mos kqyr. Grahi, grahi.”. Edhe Ragipi herë shkojke, herë nuk shkojke. Ismajli pllumat… Ai i marrke n’klasë i lshojke. Për inati t’msusit ai i lshojke pllumat n’klasë. E qështu tu bâ hajgare. Çka me bâ, hajde? S’e dojnë, s’e dojnë.

BG: E çikat a i kanë lanë me shku n’shkollë n’atë kohë?

MS: Po. Nuria ô kôn, valla. Nuria ô kôn edhe e ka kry. Edhe Zejnepi. A Eminën âga s’e la për arsye se pat marrë kalljen e mushkrive e e patëm çu n’spital n’Shkup. E anej e te knena edhe e hupi. Se kto n’shkollë fillore janë kôn. E qështu, valla.

BG: E po du me t’vetë, a din naj plak ose plakë qî ka shkri plum ose qî ka pre tuta?

MS: Ô kôn nî halla Qabë. Halla Qabë...

BG: Halla Qabë?

MS: Qamё, Qamё. E kemi pasë atje kojshi, edhe me nânën teme ish kôn si kusherinë, se edhe ajo ish kôn e Gremës.  Ajo ka jetu valla përmi nadhët [90] vjet. E ajo qitke fall, qitke fall me pasul.

BG: Me pasul. E qysh ashtu?

MS: Interesant. Une isha… z’disha, “A bre halla Qamë, shka po di edhe ti!”, “Allahile”, thojke, “kurgjo s’di, po ma ka dhanë Zoti qët, qët...”.

BG: E qysh e bojke pasulin?

MS: E ka pasë nî enë, e qitke vum, edhe i dajke ving, ving, ving, tri herë i dajke, thojke, ‘qishtu, qishtu…’. E ardhshin shkinat prej Neredimës te ajo me qitë fall.  Po n’sabah kur i pâsha para derës tu pritë shkinat, kjo edhe ja’u dhâke do zhivë, edhe zhivën p’e pishin more, thojshin, “Ô e knume shtat’ [7] hoxhollarë”, me t’bo hajr. E ato shkinat i bishin shkamos, a pula, a gjathë, a kumeditë. E niherë une tu shku n’shkollë, lloç, at’here s’kishmi, me apânga shkojshmi… m’i pâ kâmt, n’lloç krejt, “Nal bre teze, se t’i jap nî parë qerapë se s’paske.”. M’i dha nî parë qerapë t’leshta, a din. Kur i kum mathë… moj kur ja kanë nisë kâmt me m’djegë! Kuku për mu bre… Kur kqyri, aty kish pasë krypë.  Ju ka thânë, “Mushi qerapat me krypë e bimi.”. “Ooo tezja Qamë, shka ô…!”, “Kuku teze, kum harru me t’kallxu. Ô desht m’i la nî herë…”.

BG: E pse krypë n’qerapa?

MS: Po shka po di! Dishka…

BG: Ama me pasul a ka qitë najkush tjetër fall a veç ajo?

MS: Jo, s’kom pâ une. Me pasul qitke. Po, vallahi. Interesant, pritshin n’ren’ te ajo, n’ren’ me hi.

BG: E me pre tutën, a e ka pre najkush?

MS: Qikjo Igballi qetash.

BG: E ma herët se ajo?

MS: E nuk e di, veç Igballi p’e pren tutën.

BG: E ju ma herët s’e keni pre a?

MS: Jo, jo. S’di. E qështu, vallahi.

BG: E te dajtë a ke shku shpesh?

MS: Shumë shpesh. Shumë shpesh kum shku. Janë kôn do gjenerata jeme, a e din, edhe atje shkojshmi, u bajshmi, u shoqnojshmi… gjithë natën nejshmi. Po kaniherë e teprojshmi, vjedhshmi pula. Po, vallahi. “Hajde”, u bajshmi, “Kujna t’ja vjedhmi sânte pulat? Filanit.”, krejt dajë. I çojshmi dy [2] vetë, tre [3], ja marrshmi pulat prej koqakit. I prejshmi, i pjekshmi, i hankshmi gjithë natën e gatë. Shka me bâ, qishtu ô kôn at’herë.

BG: E a keni festu naj festë?

MS: Bajramin po, shumë. Edhe Shingjergjin.

BG: A e keni festu ma shumë Shëngjergjin a Bajramin?

MS: Ja Bajramin, po edhe Shigjergjin. Po, vallahi. Se Shingjergj… Me pâ ti qity n’livadh shka u bajshin. Krejt Ferizaji dalke qëtu n’livadhe, me gra, me burra, me krejt. Sa muzika, sa… Tani shkojshin marrshin ujë aty te guri i mullinit, hishin poshtë e mushin ujë, e thojshin, “Mirë osht m’u la për shnet.”, e e marrshin shelne, lula, hitha… shka s’bojshin.

BG: E qysh bojshin muzikë?

MS: Magjupt ma shumë, a romt… me muzika dalshin.

BG: Ama krejt e keni festu a?

MS: A krejt, krejt. Tani bullicat i lshojshmi herët at’here nëpër livadhe, kërkush s’i ngucke. E ditën e Shingjergjit kulloti ku dush. Qashtu e kanë pasë. I vnojshin shelnet, britma lshojshin. Ô kôn nifarë shyreti, nifarë...

BG: E çka hankshi për Shingjergj?

MS: Paj, drejtën me ta thânë, une për veti po foli, une dajm kum pre kingj. Po vallahi, se krejt… Kur i pâsha magjupt… Te une… A magjupt për çdo mashkull ka nî [1] kingj e prejshin. Fukara, fukara, kur ardhke Shingjergji katër-pesë [4-5] kingja nî familje i prejke.

BG: E shqiptart a kanë pre?

MS: Edhe shqiptart. Qe, une ma s’pari po. Po, vallahi. Tani sa t’mujsh.

BG: Qysh ô kôn nî ditë e Shëngjergjit?

MS: A po. Po m’u çu herët me fshi oborrin. E qështu, valla.

BG: E a kanë knu çikat a?

MS: Jo, vnojshin hulaqa. Hulaqa n’pleme dikun, a din, ata trenat qî janë, e vnojshin konopin, tak hulaqa, vnojshin nî qebe, nî dishka, edhe u hulaqshin gjithë ditën e gatë n’Shingjergj.

BG: A kanë knu najsen kshtu?

MS: Vallahi knojshin, po une s’kum ngu fort.

BG: Djemt, jo. E ju çka keni bâ kur jeni kôn t’vogël?

MS: Kurgjo. Na dalshmi i kqyrshmi magjupt tu lujt’, se magjupt nî [1] javë ditë e majshin Shingjergjin.

BG: E ju veq tri [3] ditë a?

MS: A ata s’kish qî... A na s’kishmi shka me bâ, drejt e n’mahallë t’tyne.

BG: E qysh i keni pasë punt me ta?

MS: Me magjupt mirë. Ja, me magjupë s’kemi pasë problem kurrë. Ja,ja. Kurrë problem me magjupë s’kemi pasë.  Po, vallahi. Ka pasë edhe shpijanika, ka pasë edhe pasunika prej tyne.

BG: E a keni nejt, a keni dalë?

MS: Po, qysh jo. Na jemi njoftë n’gishta me magjupt, si sot. Merre me men’ ti, mas luftës së dytë botrore, e maj men’ fort mirë, ô kôn nî Shaban Vata, msus i parë i Ferizajit, thojke, “Ferizaji i ka shtatëmijë [7000] banorë.”, krejt Ferizaji. A sot niqin’ mi’ [100.000] e ka mrri gati. Qe, a p’e sheh?

BG: E ti a je kôn ushtar? Sa vjet je detyru me shku ushtar?

MS: Dy [2] vjet ushtarë. Kum shku nimij e nanqin e pesdhët e tretës (1953).

BG: Sa vjet i ke pasë at’herë?

MS: Nizet [20]. Deri… N’nimij e nanqin e pesdhet’ e pestën (1955) jam ardhë, jam lshue.

BG: E qysh e prite lajmin?

MS: Paj, njejtë. S’ka pasë at’here. Ja ushtarë, s’guxojke kush me… mozollah. Ma i sigurtë se ushtar kërkush s’ô kôn. As s’guxojke kërkush me thânë shqiptar, as sërb. Njô me bo me thânë dikush shqiptarë, me ní dikush, kushedi shka i bajshin.

BG: N’cilin ven’ je kôn?

MS: Jam kôn… Sefte, n’fillim, nî ven’, Kiselak u thirrke. Kiselak i thojnë ‘i tharbt’ shqip, Kiselak - qyteti i tharbt. Se aty krejt uji shka burojke ish kôn i tharbt, natyral. E qaty sefte kum shku Kiselak, gjasht’ [6] muj ditë. Shqiptarë kum pasë boll. Kum pasë prej Varoshit, prej… Me ta, a din, shokë, po mas gjasht’ [6] muje kur i krytëm ato trajnimet, ato shka duhët, edhe mu m’dajtën prej shokve, edhe me m’çu n’Bogoshja. Bogoshja ish ma ngat prej Sarajevës, gjasht’ [6] kilometra prej Sarajevës. Ô kôn nî oficer malazez, po dike shqip, shkova thashë, “Shok kapetan”, thashë, “Po a qaq i keq kesh qî po m’dani prej shokve a?!”, tha, “E kqyr shka po t’tham”, tha, “kur t’shkojsh aqe”, tha, “e dî, t’bjen n’men, qî gjith’kush s’munët me shku.”. E tha, “Ku po shkon ti gjith’kush s’munët me shku.”, “Mâ be”, tha, “Hiç”, tha, “Hajt ti.”. U desht m’i mledhë rrâket, e teshat, e shkum.  Kur erdhëm aty Bogozhe, afër Sarajeve, po kqyri, nifarë ndërtese e madhe, kqyr anej, puntorë, ving-vang, ving-vang, “Shka ô k’tu”, tha, “K’tu ô fabrikë.”. Fabrika ma e madhe e municionit qî prodhon municion. Erdh’ nî oficir e po na man ligjerata, tha, “Tet’mijë [8000] punotorë janë t’punsun k’tu. Krejt shka prodhon qikjo fabrikë municion krejt ka me kôn n’dur t’juve.”, vetëm katërdhetë [40] ishmi, katërdhet’ [40] ushtarë, “Krejt shka prodhohet k’tu ju keni me shpërnda nëpër krejt Jugosllavinë.”. Ajo fabrikë prodhojke prej plumit ma t’vogël t’pushkës deri n’raketë. Nejse, na mâ… na ishmi msu n’disiplinë, a din. Ja nisa me ndreqë krevetin, kur erdh p’e prishë krevetat. “Pse?”, tha, “K’tu s’ka krevet, s’ka kurgjo. Kur t’vish i lodht, bjen, çu leje nuk ka mâ disiplinë. K’tu lypët punë, lypët përgjegjesi.”. Po, përgjegjesi e madhe. Edhe veç na i ngarkojshmi vaganat tak, tak, tak, m’thirrshin, “Hajde pranojë. A janë t’mshelt mirë me bllomba, mirë me…”. Tak, tak, tak ja dhâsha letrën. Edhe ka ndodhë prej atje, Sarajevës, n’Gjevgjeli kum shku, nëpër Ferizaj i kum râ edhe nuk jam kthy te shpija.

BG: E pse ashtu?

MS: Puna ish ashtu. Mujsha m’u kthy, po kumeditë… kumeditë shka bahët aty. Hec e guxo ndaju prej përgjegjesisë…! Edhe qashtu. Po, po. Mirëpo kur e marrshmi rrogën, kur shkova me marrë rrogën… Se a je kôn ushtar, atje naj dhashin ka niqin’ [100] dinarë, a e din, niqin’ [100] dinarë aqe, kur erdha k’tu, kur shkova me nënshkru, pesëqin [500] dinarë. Thashë, “S’kum tima me kthy.”, tha, “S’kanë nevojë me kthy, qekaq t’takon, qekaq.”, “Qysh be?”, tha, “Ja, rroga ô kôn pesëqin [500] dinarë.”.

BG: E sa i ka râ kshtu?

MS: Vallahi, s’e di. Kogja shumë. “Pesëqin [500] dinarë”, tha. Kuku! E qashtu qî une arrita… kur u lshova s’ka pasë nevojë me m’i çu teshat prej shpijes hiç. I bleva me katlik, me kpucë, e me kejt, cakëm-pak. Se aty s’kisha shka me harxhu. Duhan nuk pisha, veç i mledhsha paret.

BG: E qysh ke eksperienca atje?

MS: Çfarë?

BG: N’ushtri a bâne shokë, a njoftove njerz?

MS: Qe po t’kallxoj. Qëtu kur erdha… Qata që m’dajtën prej shokve, atje i vetmi une shqiptar jam kôn. Katërdhetë [40] jemi kôn, i vetmi une si Mustafë shiptar.

BG: E qysh t’trajtojshin?

MS: Se s’ban me ní dikush, a po nin’, at’here sistemi ô kôn qashtu. I privilegjun jam kôn n’çdo mënyrë, i besun n’çdo mënyrë. Ku u bajke dishka me përgjegjësi edhe me besim, une isha aty. Une po t’tham more, pasha qata dytë, qështu majshin, qe qështu. Ardhke n’pushim m’i lshu sefte, une thashë, “Pse be une?”, tha, “Ti ki me shku ma i pari.”. Ha… interesant ô kôn. Une po t’tham, a e din, po qe… Po at’here Tita ô kânë gjallë.

BG: E qysh ô kôn me jetu n’qeverisjen e Titos?

MS: Shumë mirë. Shumë mirë ô kôn me jetu. Kurrë mâ ajo kohë nuk vjen, kurrë hiç, hiç. Ato n’ta fshin gjithëkush. Kapitalizëm. Na p’e shohum qysh osht, ha! Kush ka n’dorë, kush sa po munët. Fukara kush s’kqyrë. At’here, për shembull pa punë je kôn, e ke marrë, i thojshin materiallno, ndihma materiale, edhe shtesat e fmive i ke marrë. Je kôn i sigurun n’shëndetësi, s’ke pasë gajle hiç. A beson ti qî mu m’ka ndodhë, qî isha si udhëheqs, k’tu kur marrshmi puntorë, k’tu qî i lypshmi… A ka pasë puntorë sezonal, punojke me kontratë, kur i dalke kontrata ai u lajmrojke n’entin për inkuadrim. Marrke ndihma materiale, marrke shtesat e fmive, edhe ish i sigurun. Pse me punu? Ardhke te une edhe thojke, “Baci Mustafë, allahile mos um prano mu. Ma mirë po rri qaty se me ardhë me punu.”.Qe! Merre me men’ ti. A sot, a p’i nimon dikush ati pa punë? At’here s’ka pasë, se je kôn i sigurun. Për shembull ish nevoja, smuja, smuja ish asisoji u deshke me shku n’Lublanë, a n’Zagreb, a dikun… ta dhâke udhzimin, ta dhâke me pagu rrugën, ta dhâke qî ki nevojë edhe përcjellsin, edhe përcjellsit ja pagujke rrugën, meditjet edhe shko. A p’e sheh?!

BG: E a ô kôn shtirë m’u shkollu n’atë kohë, n’kohën e Titos?

MS: Vallahi be, nuk ô kôn shtirë. Ô kôn shtirë se fakullteti m’dokët deri n’shtadhetën [70], shtadhët e nishën [71] fakulltet shqip s’ka pasë, krejt serbisht. Qajo ka ndiku shumë se politika ô kôn asi soji, sa ma shumë shqiptarë m’u shkollu, sidomos femrat, sidomos femrat me zor i çojshin n’shkollë t’mesme, me zor. Nuk ka pasë… Une nuk di rast qî ô kôn shtirë, veç a ke mujtë, a ke dasht’.

BG: E a e keni pritë mirë komunizmin, qeverisjen e Titos? Qysh ju doke at’herë? Shembull bâbës ton’ ose nânës?

MS: Po nuk u doke...

BG: Qysh u sillshin me gjithë ato privilegje?

MS: Mirë, mirë. Po mirë ô kôn, qysh po tham. N’fillim ô kôn pak shtirë. Une t’tregova, na’j ka marrë bukën prej magjës krejt, krejt, krejt. A dikur nuk di shka t’tham keq dishka. Nuk di se krejt i ke pasë t’garantune, krejt. Zoti na rujt, m’u smu dishka krejt i ke pasë. Ti a je tu e pâ qetasht shka ô tu bâ, lypin pare përditë për me çu dikon me shëru jashtë, me bo ato, me bo kto. At’here s’ka pasë ksi probleme. Ta dhâke udhzimin edhe grahi. Qe, për shembull edhe daja Ragip, Ragipi jonë, gruen e ka pasë n’Lublanë s’di sa aqe, e çojke n’kontrolla anej, knej… kejt ja pagujshin, me rrugë, me krejta, me krejta. Qysh me thanë keq, hajde qysh?

BG: Mas ushtrisë çka ke bâ?

MS: Une para ushtrisë kum pas punu nja pesë [5] muj a gjashtë [6], shkova tani [në ushtri]. A si u ktheva meniherë...

BG: Çka ke punu?

MS: Meniherë qëtu ku jam kôn. Qëtu n’qët sipërmarrje, si themelus i saj une jam.

BG: E qysh e ke themelu?

MS: At’here isha i ri edhe i krytëm qat’farë seminaturë a çka i thojshin. Edhe at’here qëky Danushi ô kôn n’punë n’komunë, “Hajde be Tafë ti se po vyn me themelu qët organizatën.”. E ja patëm nisë dy [2] pen’ kual e...

BG: E çfarë organizate ô kânë?

MS: Komunalive. Organizata Komunale Sërbisë, u thirrke Zvezda. Dy [2] pen’ kual i kemi pasë, tetë [8] puntorë. Une nga anej, nga anej, nga anej, hajt, hajt...

BG: E çka bojshi me ata kuaj?

MS: Po e bâjshmi bërllogin nëpër qytet.

BG: E a pagujshin qytetart?

MS: Po jo be, kejt p’i komune u pagujke.

BG: E qysh e bâjshi? Qysh ô kôn ajo procedura?

MS: Bërllogin e çojshin...

BG: Ka çdo shpi tu shku a…?

MS: Po e çojshin e shprazshin. Ô kôn venat e caktun ku me pru. E at’here e fshishum me fshisë. At’here s’ka pasë as kocka, as asfallt. S’ka pasë rrugë at’here. E tani ja patën nisë parqet m’i ndërtu, parqet. Ai ô kôn, domi i pensionerve ku ô tashti, ai ô kôn pazar i kafshve. Ai ô kôn park, asaj me t’shti… Sa paraja u derdhë aty, tu bâ parki aty, bam-bum, bam-bum… Tani shkova ushtar. Si erdha prej ushtrisë meniherë m’thirrën, “Hajde n’punë”, meta qaty. Bam-bum, bam-bum…

BG: E çka ke punu?

MS: At’here isha udh’heqs koperativ, gjithmonë jam kôn qaty. E deri pesdhet’ e tetën [58], pësdhet’ e tetën [58] e pata lshu punën, shkova n’Shkup. Kish pare ma shumë me pjekë tulla. Une, a din… E dy-tri [2-3] here janë ardhë n’Shkup me m’thirrë ‘hajde, hajde’.

BG: E qysh ô kôn puna n’Shkup, a po m’kallxon?

MS: N’Shkup me pjekë tulla.

BG: E qysh u pjekshin?

MS: N’privat, n’privat. N’qymyr përjâshta, se une kom pas punu si thmi me këtë dajën tem, se ai ka pjekë tulla… Se për qët shpi une i kom djegë vetë tullat. Po s’po di qysh me t’kallxu… Qymyr, ja nezshmi poshtë, po duhët aty me kânë me ditë, ren’ qymyr, ren’ tulla, ren’ qymyr, ren’ tulla… veç e kallë njo dy-tre [2-3] vena, ai tani nî [1] javë, dy [2] javë kadaldale piqët vetë.

BG: E ato tullat me çka bâhën?

MS: Tullat me lloç, si qërpiq. A e ke pâ?

BG: Edhe?

MS: Edhe tani n’gjashtëdhetë e tetën [68] dy herë erdhën atje. Jo, une kisha… T’godita shumë, kisha puntorë, s’mujsha m’i lshu. Tani n’pesdhët e nantën [59] s’i kom hi mâ deri n’pension se at’here… Kqyre qysh ô kânë, e punë… At’here nuk ka pasë njerz t’shkollun shumë. Une si koperativë. At’here kta luftart komunista qî janë kôn, edhe kta pa shkollë, po luftarë, e marrshin njo e emnojshin te na si drejtor, a po nin’, drejtor, a punt krejt une ja majsha. A ai drejtor, ai veç me nënshkru me marrë rrogën, naj hanke pagat. Qashtu e kom çu tanë karrierrën e punës. Qishtu. Qashtu ka pasë at’here. Ka pasë luftarë t’moqëm, a din, viç e emnojshin qaty, ai a ardhke, a s’ardhke, krejt une.

BG: Ti a marrshe rrogë? A u pagujshe taman?

MS: Ja, po. Gjithmonë n’organizatë jam kôn numër dy [2]. Gjithmonë drejtori, une. Rrogën ma t’madhe kërkush s’ka pasë hiç.

BG: E qysh ja patët nisë m’u avancu me mjete prej kuajve?

MS: Ee kualt… Deri n’gjashtëdhet’ e gjashtën [66] i kemi pasë do, jo krejt. Kadal kadal sefte qî me ja nisë me bo me amnizim, dulum, shkum e blejtëm nî kamijon prej ushtrisë t’vjetër, e n’atë kamijon shka banëm na… e vnum cisterrnën. Nî cisterrn t’madhe ja marum përmas, ato reshtkat e mushmi me ujë n’rekë, atje e patëm maru, veç hike n’ujë kamijoni edhe e vaditshmi qytetin me kamijon tani. A përpara kemi vaditë me kual. I kemi pasë cisterrnat, cisterrnat me atë reshetkën, edhe me kual e vaditshmi qesi. E tani tha… Deri n’nimi e nanqin e pesdhet’ e tretën [1953] nuk ka pasë. Ti kockat i man men n’Ferizaj. A i man men kockat? Rruga kryesore pesdhet’ e tretën [53] ô bâ kocka, e na vaditshmi me kual. E tani dikush… E murrum qat’ kamijonin.

BG: E ato kockat, a t’kujtohët prej kahit kanë ardhë?

MS: I prushin prej dikahit. Po, vallahi. S’e di, me vagona i prushin. E tani, shka kesh tu thânë...? Po n’gjashtëdhet’ e tretën [63] qî me ja nisë me ble me alizim traktora. Sefte shkova n’Beograd, e blejta nî [1] traktor të ri, në gjashtëdhet’ e tretën [63].

BG: Qysh tu doke Beogradi?

MS: Beogradi… Jam kôn s’di sa here. E gjashtëdhet’ e tretën [63]… E hajt, hajt… tani dikur na’j falën nî kamijon kombinati i drunit. Kombinati i drunit na’j fali nî kamijon e qashtu hajt, hajt, hajt, hajt… e ja nisëm kadal kadal tu e ble nî traktor, tu i hekë kuajt, tu i hekë, tu i hekë... Po nî pen’ kual s’guxojshmi me hekë se kta sërbt i bojshin kufomat me kual, e na përshkak t’tyne u deshke m’i majtë kualt qî kur deke dikush prej sërbve me shku me kual me bajtë. Ô kôn kerri special për bajtjen e kufomave, special kerri, jo çfarëdo kerri. Ô çfarë kerri… kuku!

BG: E çfarë kerri ô kôn?

MS: Me kryqa, me ato t’zeza, me n’dy [2] anë karrika m’u ulë, n’mes kufoma, ata familjart me përcjellë. Ô kôn alamet. Qashtu hajt, hajt… deri n’gjashtëdhet’ e pestën [65] dishka, dikur edhe atë, tani nî kamijon për ata m’i bajtë kufomat. Edhe na i hekum ata.

BG: E a ka pasë shumë serbë n’Ferizaj?

MS: Vallahi, ka pasë.

BG: Qysh i keni pasë punët me ta?

MS: Ka pasë… Bjeshkë, kqyre. Une qeto vjet i bâna kurrë problem me serbë s’kom pasë, kurrë. Edhe njo po ta tham, sërbit ja bâni nî t’mirë, priti dhetë [10] prej tina. Une shka (s’kuptohet)… kurrë s’kom pasë. Me t’nimu, haj Zoti. Po qe, politika e bon t’vetën. Politika e bon t’vetën se kurrë problem me ta s’kena pasë hiç. Vetëm nî [1] rast po ta kallxoj. Ô kôn nî Llalla i Nukodimit, ka punu… nizët [20] vjet ka punu me mu. E ai e ka pasë nî vlla pukovnik, kolonel i thojnë shqip, i Ushtriës n’Beograd, po kur ardhke n’pushim ai te ky vllavi, e ky shpesh m’thirrke mue. U njoftum, qashtu tu bâ muhabet… Ama kta oficerat at’here janë kôn kerjt komunista, pa kôn komunist s’ke mujtë, as s’ke mujtë m’u bâ udhëheqs, jaa… Haj kuku! Nî parti ô kôn. Edhe shkova une… Shtadhët e dytën [72] e patëm kontraktu nî kerr për mbeturina, t’madh, Lublanë n’Slloveni. Edhe e morra une shoferin edhe shkum’ e pranum kerrin n’Lublanë. Edhe ai n’Lublanë na tha, “Deri n’Beograd grahni”, s’e di… dyqin [200] e dishka killometra sa pat, tha, “N’Beograd si t’shkoni hini bone Serbis”, se tha, “me ju ndodhë dishka nuk ju pranohet.”. Na erdhëm n’Beograd, e shtinëm, e bonëm servis, edhe e parkoi para nî Hoteli. T’himë, t’hamë bukë, edhe t’nismi për Ferizaj. E mori Bjeshkë, kur jemi dalë, kqyr kerri s’osht. Shka u bâ, kujna i vyti ai kerr?! Kushtojke nî dreq e gjysë, a din sa shtrejt! P’e lajmrojmë milicinë, milicia po thotë, “E keni harru venin.”, “Jo be, qëtu qëtu e kemi...”, “Çfarë kerri ke?”. Uuu… po une me dokumenta me veti, qajo m’nimoi. E kuku, u çudit edhe policia. Tha, “Shko lajmroe aty n’stanicë.”. Shkova aty edhe ata po çuditën, “Qysh? Ku? Shka u bâ?”. Vallahi, u bâna pelim. Jam shku une n’hotel, e kom rezervu sobën, s’kisha ku me shku mâ. Kur do Zoti me t’nimu, a din, kur qe ai koloneli, si m’ka pâ m’ka njoftë. Ooo, ma ka ngjitë për qafe. Une aq shumë isha zbehë n’ftyrë, interesant. Po m’thotë shkâi, “A je i smut a?”, thashë, “Jo, s’jam i smutë.”, “Po shka ki?”, “Kshtu, kshtu, kshtu… m’ka ndodhë.”, “Shka? A për qata po mërzitësh aa?”, thashë, “Qysh mos m’u mërzitë?! Qysh e arsyetoj une k’tâ?”, “He budallë, he birë…”, tha. Ja ka bo nî taksistit, “Paja khâ”, po m’thotë, “Hin n’taksi”, as s’pe veti ku po m’çon, as… tha, ky tha, “Shoferi jem, ti k’tu me pritë. Mos luj prej k’tuhit. Ô hyp!”. As s’pe veti ku po m’çon, as... Kur shkum, veç kur p’e shoh Ministria e Punëve t’Brendshme t’Serbisë. K’to s’e nalke kërkush, oficir i naltë. Zhdrypëm. Kap m’u për krahi, ata milict veç ja marrshin... Hinëm, “A ô ministri aty?”, “Po.”. Kur hinëm, kurrë s’e harroj Bjeshkë, nî zyrë e madhe, nî hekter ish kôn, s’u pake ai ministri, “Ooo zdravo”, “Zdravo”. U murrën ata... U ungjëm, kafe, sene, rene… P’i thotë ky, “A din për shka jam ardhë?”, “Hê, fol”. P’i kallxon, “Kshtu, kshtu, kshtu…”. Ja qita dokumentat une. P’i kqyrë ai, p’i thotë ktina, “A përgjigjësh ti për ktâ?”, s’um besojke mue, tha, “Mos m’u përgjegj nuk ta kisha pru”, tha, “Shka ô ky?”, tha, “Mirë”, veq e ka trusë nî dykme duum, veç kur ka ardhë njo, “Izvolte”, tha, “Me marrë me shkru potërrnicën për tan’ Jugosllavinë m’i blloku krejt kufitë e Jugosllavisë”, qî mos me mujtë me dalë kurgjô pa e kontrollu, e po m’thotë mu, “Ti sânte duhët me nejt n’Beograd.”. Ai po m’thotë, “Te une”, thashë, “Ja, une e kom rezervu sobën”, “E pra, numrin e telefonit. Milicia ka me t’lajmru për çdo orë a kanë zbulu dishka a jo.”. Shkum’. Shkova. Moj Bjeshkë, me râ gjithë natën telefuni vërr, vërr, s’ka kurgjô, s’ka kurgjô, s’ka kurgjô. N’sabah m’u lajmru ai koloneli, “A ka dishka?”, thashë, “Jo, kurgjo”, “Eh”, tha, “masi s’ka kurgjo ti nisu qetashti për Ferizaj, shko.”, thashë, “Qysh me shku pa kerr n’Ferizaj?”, tha, “Une po t’thom shko n’Ferizaj, n’ven’ tan’ une jam k’tu.”, “Qysh be?”, tha, “Une jam. Paqare n’Ferizaj hajde.”. Erdhëm n’Ferizaj. Ja nisën kta me folë, “Ja e ka shitë kerrin, ja…”. Po de, po. Fola me do t’sigurimit k’tu, tha, “Ti ka pas vy me ardhë ma s’pari te na qî e ke siguru kerrin, prej aqehit te na drejt.”, thashë, “S’e kom ditë!”, tha, “Hajt se bajmë dishka.”. Edhe ata ma dhanë nî përkrahje. Dytën ditë, tretën ditë po m’thirrin n’sekretariat t’punës, thanë, “Paja khâ. Shko merre kerrin n’Sveto Zarev.”, “Ku be n’Sveto Zarev? Prej Beogradit n’Sveto Zarev!”.

BG: Ku osht Zveto Zareva?

MS: Zveto Zareva përtej Nishit qëtu. Kur shkum’, p’e kqyrum kerrin. E kish lanâ para milicisë. Zveto Zarev para milicisë e kish lanë. P’e kqyri, p’e veti at’ komandirin, tha, “Qat’ ditë qî ka hupë aqe, qat’ ditë kerri ô kôn k’tu, po na kemi menu qî e ka lanë dikush.”, “E bre”,  thashë, “po shka i vyti be?”, tha, “E s’pe din a? Me këtë kerr ja ka bajtë armë, ja ka bajtë drogë se e ke ditë qî ky kerr kujna nuk i bjen n’sy”, a p’e din, “edhe e ka sosë punën e vetë edhe ô ardhë e ka lanë qëtu.”. E qe po t’kallxoj çfarë t’mire m’ka bâ mu aj. Mos me pas shku, shka kisha bâ une? Eh qështu, valla. Eh, qështu m’ka ndodhë. S’ô kôn shakâ me tâ, une po t’kallxoj.Vallahi po, qashtu ô. Une shka kum pasë punë me ta ja ke bâ nî t’mirë priti dhetë [1], dhetë [10] priti. Ata e kon’ pasë, veç n’shtet mos i prek. Shtetin, qerat s’kanë ni.

BG: E kshtu a keni hi a keni dalë me ta?

MS: Po, po. Qe, për shembull nî Trojan une e kom pasë k’tu. A e ke njoftë ti Trojanin?

BG: Jo.

MS: K’tu qî e ke pasë shpinë qî ô maru Viva qetasht. Ai kur u bâ qekjo lufta qetasht, e madhja, ikën krejt gati anej, knej, metëm. Qesi vakti ding-dang, n’derë. Thashë, “Dil be kqyr kush ô.”, tha, “Trojani”, n’qesi vakti. Dola, “Hajde be, Trojan”, “Jo”, tha, “s’kam vakt. Paja kâ.”. M’rroki për krahi, koxho larg, tha, “A din për shka jam ardhë?”, tha, “N’um ngofsh mu largojë thmin prej k’tuhit.”, thashë, “Trojan, ku me shku be?”, tha, “Ku po shkojnë krejt edhe ti shko. Edhe pashë Zotin”, tha, “mos i kallxo dikujna qî jam ardhë se…”. Edhe kqyrke mos p’e sheh dikush, edhe shkoi. Tha, “Mâ s’kom shka thom. Une qështu po thom.”. Erdha n’shpi. Po m’vesin, “Shka tha, shka tha?, “Kurgjô be, kurgjô be.”. T’nesrit n’sabah po ní, rruga mshelë për Shkup. U çova shkova te Trojani. I tham, “Trojan be, ti m’thâve be çoji thmit, po po thojnë rruga mshelë!”, tha, “Prit pak”, se gjali i vllait t’tina nejke ní oficir me qira. A kta oficiarat i kanë pasë lidhjet krejt, a neve naj patën pre kerjt. Shkoi ky veti, e tha, “Shko meniherë thmin çoji se rruga ô çelë.”, “Mâ?”, Allah, tha, “Qetasht fola me oficirin”, tha. Kur bonëm me dalë jashtë, e ka pasë nî dhomë poshtë, tha, “Nal!”, e ka çelë derën rrang. Dy [2] djem i ka pasë, tha, “Qyri djemt e mi”, ishin sarih, ishin bâ si qajo dritë, tha, “Ju kom thanë, s’guxoni me dalë prej k’tuhit me shku me luftu me kojshi!”, mshelë i majke, s’i la me dalë jashtë. Qe qështu ma ka bâ. Ku gjan’ ti asi kojshie?! Edhe njo po t’kallxoj, ai e ka pasë grun motër medicinale. Eh m’pat pâ nî herë, e çova nânën me marrë inikci, tha, “Mustafë”, “Hê?”, tha, “Une aty e ti nânën plakë me pru zhag me ngrehë n’ambullantë?!”, tha, “Edhe nî herë t’shoh kujtov mirë shka t’gjanë. Marre duhet me t’ardhë! Pse mos me m’thanë mu”, tha,“e me munu plakën kâ?!”. Qështu ma ka bâ n’ambullantë. Mâ kurrë s’e kom çu me marrë iniksi. “Zorooo”, meniherë. Tej k’tu i mathke qizmët nëpër borë, ja dhake iniksiat. E kur diq ajo gruja e Trojanit, moti, tetëdhetë [80] përqin janë kôn shqiptarë n’vorrim. Tetdhetë [80] përqin shqiptarë n’vorrim kanë shku. E po du me thanë, kurrë s’kemi pasë keq. Eh qe, s’po dika kjo dyjâ. Po, pasha Zotin.

BG: E a jeni ní tani mâ me Trojanin?

MS: Po. Trojani e ka pasë nî vlla n’Shtërrpc. Njo dy-tri [2-3] herë m’ka thirrë, jemi taku atje, e kemi nejt, e… Po. A tashti n’Sërbi osht. Nuk osht mirë me shnetë dishka. Valla, vjet m’dokët me telefon më thirri. Kush osht? Kur kqyri, Trojani. “Ku je?”, tha, “Jam ardhë n’Beograd te djali, te mjeku”, tha, “veç provova t’thirra, a po muj me t’zanë.”, tha, “Vallahi, s’jam mirë. Jam i smutë.”. Mâ s’kom pasë lidhje me to. Eh, qështu. Qështu vallahi, Bjeshkë. Une s’e maj men’ qî kom pasë konflikt me ta kurrë. Pasha Zotin, kur janë kôn krejt n’komunë, ku shkojsha derën çelë e kum pasë. Qitasht s’të njeh kush. S’do me ní bile, mozollah. Jo, jo. Eh, qështu. Shka me bâ? Qështu osht, bre Bjeshkë.

BG: A t’kanë kallxu nâna ose bâba qysh i kanë pasë punt ma herët?

MS: Ah… Po ai niherë ma bâni, mu m’kanë thânë, tha, “Deri n’mu”, tha, “krejt prej pushkës kanë dekë nërmje’ veti.”. Akrabâja, kojshia shka janë kânë. “Eh”, tha, “Mu ma vrajtën bâbën, nâna m’u martu, edhe metëm kërkun hiç. Shkova te tezja n’Kaçanik t’vjetër.”, qî t’tregova, rroktarë, e qashtu. Edhe e kish pas lanë amanet qî familja jonë mos me shku mâ kurrë n’Sllatinë. Po kur diq Ilazi e prishëm atë amanet!