Rrustem Cukaj

Intervistuar nga: Marigona Dubovci

Po besa, t’kallxoj... kjamet boll e zor. Pa i bâ shtatë [7] vjét m’ka çûa nana – se baben nuk e maj’ ment kur m’ka dekëë – nana m’çojke mi lshua

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

22.04.2018

Lokacioni i intervistës

Haxhaj, Rugovë

Vendi i lindjës

Tranksriptimi

MD: Jemi në famlijen e gjyshit Rrustem Cukaj, me nizet e dy [22] prill, dy mijë e tetëmbëdhjetë [2018] në katundin Nakëll. Faleminderit gjyshi Rrustem që m’keni pranu në familje.

RrC: Faleminderit edhe ju qe keni ardhë me na vizitua, me i marrë ngjarjet çka janë kânë para shtadhet e pesë [75] vjete. 

MD: Faleminderit shumë! A na tregoni kur keni lind’? 

RrC: Kam lind’ me t’nizetin [20] gusht, jo – nizetin [20] shkurt, nimi e nânqin e tridhet e treten [1933]. 

MD: A më trego për femirinë tane? 

RrC: Po besa, t’kallxoj... kjamet boll e zor. Pa i bâ shtatë [7] vjét m’ka çûa nana – se baben nuk e maj’ ment kur m’ka dekë – nana m’çojke mi lshua dhentë nate n’emqish, na thom’ – heret, që i lshojm dhentë, e ju thoni “menges”; na thom’ “n’emqish” – heret m’i lshua, tu u bâ dritë dita e nata, n’sabah t’drit’s m’çojke nana me i lshua dhentë, e ma jepke ni [1] copë bukë kollomoqe e djathë n’dörë, e merrsha tu shkuâ me dhen’ e m’merrke gjumi kajherë hahaha (qeshet), gati u rrxojsha rrug’s tu shkua se merrke gjumi... thmi i vocerr. I ruasha dhent’, i kum pasë niqin e nizet [120] copa dhen’, jem kânë bashkallak at’herë me vllazen, kater [4] vllazen jem kânë.

MD: A keni pasë veç dele a edhe dhi?

RrC: Jo dhi s’kem pasë na, veç dele “syka”, veç dhen’ syka te na n’Rugovë atje.

MD: Ku i lshojshi dhent’?

RrC: Atje Llaze, atje mas kodre, Lugu i Asllanit, te Kodra e Kurtit, Kodra e Halilit, maleve, prej malijeve i lshojshim e kullotshin e i bijshim te shpija ka’ ora dhetë [10], e i milshin gratë e i lishin gratë deri ka’ ora tre [3] masdite, at’here i lshojshim apet dekteri n’mramje, i bishim te shpija... 

MD: Tregomë për familjen e juj... sa breza keni jetu në një shpi?

RrC: Na, fis jem’ kânë, qysh thohet Kelmend, na Cukaj jem’ kânë, tri [3] mahall’ jem’ kânë n’katunin e Haxhajve: Lekaj, Cukaj, Lulaj prej tre [3] vllazniv katalikë, at’here janë nda n’tri [3] mahallë. U kén katalik: Leku, Cuki, Luli, katalikë janë kânë, e janë nda e janë dalë ne Cukaj që thirren n’emen t’katalikve, Cukaj, se Cuk u kénë at’her Lekaj, Lulaj, Cukaj... mahalla u kénë. Ehh me fîs jem’ kânë Muriq, me fisin Muriq nuk martoheshim, me kto tjerat martoheshim: me Lajç, me Lajç martoheshim aty n’Rugovë. 

MD: Cili fis ka qenë i mirë me lidh’ miqsi me ta?

RrC: Familja e mirë, pa marrë parasysh, Rugova janë kânë tânë t’mirë përpara, Lajçt janë kénë, janë kénë kta Shala – Shaljon, ka pasë edhe tjera e tjera po tana fiset janë kanë t’mira, jashtë fisit Muriq që s’jena martu mes veti.

MD: Pse s’jeni martu mes veti?

RrC: Jem’ kânë ni [1] fîs, ni [1] gjak, heret perpara jena kénë bâshkë, po tani vonë si janë nda, at’her’ kumedit moti tuj ecë, se Muriqi jem’ kénë edhe na; e Muriqi u kénë ai, si thohet u kânë mjeshter, murator tu marua shpija, Muriq i ka métë, tu marua mur; murit i thojnë tu ‘zidua’, e tu zidua mur domethanë i kanë metë Muriq fisi. 

MD: Sa njerëz keni jetu në shpinë e madhe? 

RrC: Uhh, n’shpinë e madhe kem jetua na kater [4] vllazen – secili ka dy [2] herë u martua.

MD: Pse jeni martu ka dy [2] herë? 

RrC: Prej qefi hahaha (qeshim). 

MD: Sa u kanë numri i familjarve? 

RrC: Shâ Zoten jemi kén... shumë ka pasë, ‘iher jemi kénë katerdhet [40] antarë t’familjes. Vllau i madh i ka pasë dy [2] gra, dy [2] parë fmi, edhe e ka shti gruja e parë me marrë két t’mramen sa u kânë djalë i ri, i hjeshem, e ka pasë merak me shku anej e anena... gruja tu e vu re more... se na kurrë grave nuk u kem thânë për emen: une pezdhet e tri [53] vjét i kum bâ, kurrë s’i kam thanë gruas, Ajshe e ka pasë emnin – kurrë s’i kam thanë Ajshe veç “hejjo”, edhe ajo mua “hejjo”, heret at’herë, me ato t’vjetrat. Tani vllaut t’madh i ka thanë kjo gruja e parë “ti je ka shko’ anej anej pas grave”, “shuj more grua, shuj more mos kuvend, shuj mori grua mos thua, shuj more”, “S’po shuaj hiç”, “shuj se qe besa e morra tjetren”, “jo, po ty tash s’t’merr kush; me katër [4] thmi jam, e ty s’t’merr kush tash”, “hajt, ke me pa” – mas dhet [10] vjete martesë u martua vllau i parë [1], masnej vllau i dytë [2] qashtu e murr t’paren, nuk mujti me jetua me tâ... ajo dojke qysh thojke vét, e ky qysh thotë vét; s’mujshin me u barazitë e e lshun’, e murr tjetren. Edhe unë qashtu, edhe vllau i kater [4] qashtu. Katerdhet [40] antarë familje jem’ kânë, me ni [1] shpi edhe ma ziut na ka ardhë martesa, martesa na ka lodhë tu pagua niqin [100] killa lesh kur e kum feju, me la leshin e dhenve e m’ia çua mikut me punua gruja edhe me shitë dhen, edhe me shitë lopë, edhe me marrë grua me u martua, se u kénë, kushtet e vshtira janë kânë, shumë kushtet e vshtira. Tanë, katër [4] herët, kater [4] vllaznit’ tu u martua ka dy [2] here, aj çejzi i parë at’here nuk vyke po u duhke çejzin e ri tek me ble për két’ nusen e re, e shumë na u ka shku at’here mundimi kot... 

MD: Baba yt me çka u marr’? 

RrC: Baba bari/çoban dhéne, une s’e maj’ ment baben kur m’ka dekë hiç. Nana na ka rritë jetima, tetmdhet [18] vjet ka rrnua me burrë e mas tetmdhet [18] vjetve i ka dekë burri. Na jem’ metë jetima veç me nanë, na t’kater [4] djemtë, kater [4] vllaznit’. Na ka rritë për gazép. 

MD: Gjyshi Rrustem, a me trego ma shumë për nanen? 

RrC: Nana u kânë prej Malit t’Zi, prej Arrzhanice, prej ngat Plave e Gucie, Bérishë u kânë nana, e bajraktarve. U kânë bi [bijë] e bajraktarve, qi bajratktart e Arrzhanics e kanë nda kufinin me Krral Nikollen... prej tyne e kam pasë nanen, prej bajraktarve t’Shalnic’s. U martua me burrë, u ardhen n’Haxhaj, ka rrnua me burrë tetumdhet’ [18] vjet, mas tetumdhet [18] vjéte i ka dekë burri, u dashtë me na majtë ne. I ka pasë motrat kâ për Dukagjin t’martueme, prej Malit t’Zi janë martua n’Dukagjin. Na ka majtë nana ne, se mixha u kénë plak, tedhet [80] vjét ai, i palevizshem; baba u dekë, nana u metë si zojë shpije edhe ne na ka majt’ e i duhej me ra prej Haxhajve e n’Lutogllavë te motrat me ble ka ni barrë mill e me qitë n’Haxhaj atje me blu e me hanger na, kur ka pasë bukë. Kur s’ka pasë bukë, n’katert e shtaten [‘47] – ajo mos u pertriftë kurrë katert e shtata [‘47], at’here nuk ka pasë bukë, kem hanger hitha, lakna, krejt livadhet qe janë kénen n’Haxhaj n’katun aty i kanë mledhë, tu mledhë lakna, hitha, liskaqa, e tu i qitë laknort, tu i krisë lakna, e tu i qitë tamel tu i perzi me lakna... se as mill’ nuk kem pasë, s’ka pasë as mill, as bukë, veç tu i qitë tamël e tu i perzi me qato lakna për m’i hânger. Bile, ankoheshin thmia, ankoheshin se s’mujshin me dalë për nevojë, veç tu hanger qaso hitha e lakna, skropë tu i qitë. Kush kish ka pak mill’ e qitke n’ujë, e perzike qashtu si qull qeni e qasi hajke, ju jepshin fmive po s’i majke ata hiç... bertitshin fmija, bertitshin prej ûnit [urisë], lodhej njeri... po t’tham edhe per veti, at’here jam kânë n’katert e shtaten [‘47], s’po di sa vjet jam kânë at’herë, i rujsha dhent’ e hâjsha qasi skrobi po s’um majke asni [1] sahat [orë] as dy [2], um merrke ûja me petë, bukë s’kishim... duhej me rrnue qashtu me zor. 

MD: E Lufta e Dytë [II] Botrore qysh ka fillu – cila ushtri ka ardhë ktu? 

RrC: Lufta e Dytë [II] Botnore, kanë liftua me Mal t’Zi, sidomos na Rugova, merrshekullar me Mal t’Zi ka liftua. E kem pasë kufinin me Mokna edhe n’Çakörr, e tash na’j murren ato krejt, jau dhanë kta udh’heqsat tanë, jau falen Malit t’Zi... si na ka djeg’ e kallë tri [3] here, e, u çu e jau dha edhe token – ajo tokë nuk u kanë soll e Rugoves, po u kanë edhe toka e Kosoves se pesmdhet [15] killometra prej kufinit t’Malit t’Zi u ardhë ktena... Mali Zi e ka kufinin ma s’shumti ne Haxhaj, që permendet kufini, s’di a ke ni për punë t’kufinit?... që ne Haxhajve na kanë marrë gati qato dhet mi [10.000] hekter që po thonë, i kanë marrë tokë gati krejt qato t’ne Haxhaj na ka marr Mali Zi. Tana hinë, e kanë marrë me luftë kur liftojshim na e, e majshim Malin e Zi e, merrshim at’ tokë; kur liftojke Mali Zi na merrke ton’. Mali i Zi e murr’ krejt, na s’ishim t’zot me liftua, hini Partia Komuniste, e murren krejt token atje t’Malit t’Zi. E, kur u hi Mali Zi, partizant kur janë hi, na u ka dashtë me ikë prej Haxhaj e me ra kâ... merre me men, tash, jem’ ikë prej Mali t’Zi, prej shkive, e me ra kâ n’Pejë, e ka ish Serrbija e, nuk na ngucke... e Mali Zi na vrajke, na digjke... mâ as vet s’e di qysh u kanë ajo punë at’here. Jem’ ikë prej Malit t’Zi at’here, ato gratë, vllaun e kem pasë ma t’madhin vlla, i katerti [4] vlla u kanë luftë at’her, dojnë me majtë frontin... At’here s’vike me na ndihmua andej hiç, veç na fmija e nana i garkojshim ata teshat n’lopë, ja ngarkojshim edhe n’kual e dojmë m’i bajt’ e me ra me ikë, jem’ ra n’Vitomericë e jem’ hi me ni [1] shpi e kem nejt’ tan’ dimnit dekteri n’pranverë qaty. Ban’ be, qaty u hi Partija Komuniste e jenë ardhë nji [1] shkja na ka qitë prej atyhit, prej Vitomerice jem’ ardhë qitu n’Tropovicë gjashtë [6] javë kem nejt’. Nana e ke marrë ni [1] kill’ gaz prej Rugove n’dorë, e tan’ dimnit me ni gjys’ kille gaz kem rrnua... e, me gjysë kille gaz... n’pranverë, kur u ardhë urdhni me dalë bjeshkë, u metë gjysë kille gaz, e kem qitë apet n’Rugovë; mere me mend çfarë gjendje, çfarë kushte janë kânë... se at’here s’ka pasë rrymë veç me gaz, ni gjysë kille gaz e kem dhezë tan’ dimnit, e kem harxhu sa hajshim bukë e, kur hajshim bukë duhej me dalë se s’kishum ku me marr’ duj’... me dal’ e ni gjysë kille gaz i ka teprua nanes e e ka qitë n’Rugovë... E, kur u ardhë urdhni me dalë n’Rugovë, jam shkua n’Dubovë, e kem marr lejen për me dalë n’ven tan’, Rugovë atje, n’bjeshkë, at’here hini Partija Komuniste; i maj’ mend kur hini kish shqiptarë e, i çojshin grushtin, thojshin “Vdekja e fashizmit, lirija e popullit”, hini Partija Komuniste e dekteri që u hi Partija Komuniste, perpara s’kem pasë qeso tesha, uhh, me i pa pasë une n’kohë teme qeso teshave, s’di se çka ish bâ; veç tesha t’leshit, tash s’po muj mu shpreh... pa brekë hiç, se s’kishum ku me i marrë... ato t’leshit na bajshin kuq se t’hajke ajo, ato senet e leshit, se s’kem pasë... as s’kem pasë kpucë, as s’ka pasë mashle, as s’ka pasë tesha, k’so, kurrë s’ka pasë (kollitet) e qeshtu vajzë, e kem çua kohen për gazép, që mos u harroftë, kurrë mos u pertriftë ajo kohë. Kur u hi Partija Komuniste, dekteri qetash qi u ba lufta e nâdhet e nâtes [‘99] eh pak murr me çel’ me sytë n’Kosovë, tu u marr’ me shtetin tanë, se dajmi jem’ kénë t’shtypun, e t’varun e rroktar t’Serrbijsë jem’ kânë (kollitet)...

MD: Çfarë moshe jeni feju’? 

RrC: Jam feju n’moshen tridhet [30] vjeçare. 

MD: E pse aq vonë? 

RrC: Jam martua n’gjashdhet e treten [‘63]. Ktynehere perpara atje n’bjeshkë veç soll a âsht’ shpi e mirë, e nershme, e ka ni [1] çikë, se at’here s’ke mujt’ me pa çiken, rrallë...s’kanë mujt’ mu pa se janë fsheh’ at’her... e une dy [2] vjét jam kânë nej i fejum’ e shumëherë jam shkua me pa, s’kam mujt’ me pa... se i ke fsheh ei, e miku i mire, burri i mirë, u shkua vllai ia ka lyp’, e ka zhagit’ nja ni [1] muj ditë tu e përvetë çfarë shpije jem, e çfarë asie e, tue përvetë çfare jena... at’here, u bâ puna, i ka thânë “Po ta ‘ap” – ‘’hajde mi pi kafet’’, janë shku i kanë pi kafet, na kanë bâ perhajr, dy [2] vjet ka nej’ e fejueme, mas dy [2] vjetve ja kanë da rogun gjashtë [6] javë ditë; uuu, mu dukej gjashtë [6] javë ditë si gjashtë [6] muj’ ditë... U kânë dimen at’herë, u kânë gjashtumdheti [16] mars... Jam martua nimi e nânqin e gjashdhet e treten [1963], u kanë mishallpore at’here, janë ra prej Haxhaj, niqin [100] krushq i kem pasë, i kanë thirrë vllaznit at’here... as s’ka pasë kamijona, as s’ka pasë kerre, as s’ka pasë autobus, veç me kual e n’kamë... edhe u kânë bora e madhe at’here, se bike ka na n’Rugovë dy [2] metra borë bike – e nxanun’ udha... e, kanë dalë prej Haxhaj janë ardhë qitu n’Shtupeq t’vogel, n’tre [3] sahat kanë bâ me udhtua a n’kamë edhe me kual, e ai miku e ka avit’ çiken, janë kanë n’bjeshkë, prej nalti e ka qitë atje n’rrugë kryesore, e ka zhdjergë, e ka avit’, pak ka nejt’ qaty sa kanë bâ dajre... At’herë ka pasë def, tupan, surle, kanë bâ pak dajre qaty, kanë kcy e kanë lujt’ at’here, e kanë marr’ e kanë hyp’ nusen n’kal’, n’samar e, ai vllau tu e majt’ prej dore mas po rrxohet prej kali prej atjehit, e ka pru te shpija.. Kur e kanë pru te shpija, ia kanë hjek’ atë shaminë, shaminë e kuqe edhe u kânë ai “duvak” i thojshin, u kanë ni [1] mrit’s, e goditshin gratë at’here, e shtishin ni [1] shllug’ leshën n’tâ; u kanë e mbrehtë, po ai duvaku, e vejshin n’krye edhe shaminë e kuqe... Kur e kanë shti, u dalë te shpija atje, ish kân’ mërdhi... gati e kish lshua shpirti, se ftoft, dimni... e, n’kal’ ka nirtht edhe kto teshat at’here kur i vesh níri, ma s’pari t’ftofta kto t’leshit... At’herë vetem t’leshit ka pasë, e gati ish kân’ merdhi tu u dridh’... vike tu hup’ – iu kish zi çehrja, qe thojshe bash nuk âsht’ shqiptare, po âsht’ gabelicë... Kur ia kanë çua shaminë, kur e kum pa, “Ihhh” – kom thânë, “ikk, mazakeq çka keka kénë kjo!” hahaha... (qeshet) e m’kish pa’ ní... shumëhere ma permenke. E at’herë i kem pasë qileret secila t’veten, e vet “qilere” ju thojshin perpara... aty dhezun furra, e kanë shti aty e ia kanë hek’ edhe dorzat, i ka pasë, ia kanë pas zbraz’ “vijanat” ju thojshin at’here, sharaneve t’grave, ia kanë çvesh’ ato, e kanë avit’ te furra aty, e tu u nxe’, tu u nxe’ iu ka kthy shpirti e i ka ardhë çehrja, u bâ siç u kénë... Kur kanë thirrë për s’dyt’ “Hajde me kqyr’ nusen tash”, jam shkue, veç e kam shti kryet se m’vike marre me pa, veç e kam shti kryet... “Ikk” tha, “mashalla’, mashalla’, koka dritë nusja” hahaha... (qeshet), ehh dynje e zezë... pa e pâ hiç kurrë, e ka bâ vaki n’rrallë, n’rallë qi janë pa mes veti, veç me fol’, me thanë po shihen e po merren vesh per me u martua mes veti, te na n’Rugove – jeee, nuk ka bâ vakí. 

MD: Sa ditë ka zgjatë kjo ceremonia e marteses – dasma?

RrC: Tri [3] ditë. I merrshim at’her t’ejtev se jo t’dillen; thojshin “t’dillen me i marr’, t’dillen martohen shkît’”, e na t’ejten. Diten e ejte, ni [1] javë ditë përpara duhej me shkua me i thirrë krushqit për ni [1] javë ditë përpara mu pregaditë krushqit, e dihej dita e dâme, kur â e caktueme me marr’ nusen e, vishin n’prame e, i qitshin dajrexhit’ prej Peje, gabelt, tupanxhit’, surlaxhin’, defin, dilshin gabelicat; dy [2] gabelica me dy [2] defa, me tupan e me surle bajshin dajre.

MD: A knojshin ato edhe n’oda?

RrC: Po, n’odë aty, duhej m’i ra me marr xhumanë prame... jo, jo, jo, t’merkuren me i ra, me i marr’ për me qillu për t’ejten, me shkua me marr’ nusen. Vishin e, i merrshin t’merkuren n’pramje dajrexhitë e dishin kataundi edhe miqasia; kur ish larg, qi ishin miq t’largt, vishin me fjetë aty, për nesri me shkua krushq me marr’ nusen. Edhe kataundi vishin, tanë aty, e bajshin dajre e kcejshin, e lujshin dekteri n’sabah. Pa e marr’ nusen, nusja s’ka kcy t’merkuren n’pramje, t’ejten natje dilke tupanxhija e i bike tupanit për m’i thirrë krushqit për me ardhë e me u nis’ me marr’ nusen qaty ka n’dhet [10] sahati. Dilshin e merrshin nusen e, dilshin n’promje apet qashtu e knojshin, bajshin dajre e, nusja jo; nusja rrike vetem, nusja rrike ndamas, jo me burra, as me kcy nusja... at’here nuk bajke me kcy nusja.  

MD: E pse s’ka kcy? 

RrC: As me kcy nder burra, as nder gra nusja... s’ka bâ at’here vaki. Vonë ia ka nis nusja... gati kur u hi Partija Komuniste, se sa u kénë at’here pa hi partija, jaa; e kur hini Partija Komuniste at’herë nisen at’herë, po, me kcy nuset, me u pa burri, djali e vajza kanë nis tana’ mu marr vesh’ masanej.

MD: E nusja çka ka bâ mas ditës t’dasmes?        

RrC: Tuk shkrehej dasma i hiqke ato tesha, fustana që i ka pasë, teshat e nusnisë ma t’rejat, e hike i lajke ato enë qi kanë hânger krushqit. Ato i ndajshin, gratë katun, se tanë i thrritshim me shpija, i thrritshmi edhe familjen aty kur martoheshin, vishin me hânger buken aty, nusja iu ndihmojke atyne tjerave gra që i lajshin, pastrojshin en’t, e ato... e, at’here a niske me bâ, mas ni [1] dite tana’ ia niske me bâ punë, çohej nate ma e para e i fshike sobat (qileret)... At’here, besa-besa s’ka pasë kafe as shiqer, rrallë ka pasë, pak at’herë...

MD: Kur patët femijë?

RrC: Krye motmoti: ma s’pari e kum pasë djalin, e mas gjashtë [6] muje m’ka dekë ma i pari fmi.

MD: Prej naj smundje? 

RrC: Jo valla, u kânë n’gjini t’veten, e kam çua n’gjini me djalë... u smu’ atje, e kanë çua te mjeki se u kanë larg prej ayhit, tre [3] sahat, e s’ka pasë me çka me m’lajmrua... po u dit’ se â djali smut, e ka çua baba i gruas ose mixha i gruas me grua... e kanë çua n’Pejë te doktorri, i ka dhanë barrna. Çka i kanë dhanë s’i kanë bâ dobi hiç, ka dekë... ka dekë atje, n’gjini t’gruas um ka dekë djali. Mas motmoti m’ka lé tjetri djalë, apet ai tash asht’ pesdhet [50] e sa vjet i ka bâ, mas dytit [2] djalë m’ka lé vajza, po, edhe dy [2] vajza, tani janë lé tjert’ djem – pesë [5] djem e kater [4] çika kanë lé; tre [3] m’kanë dekë, e nânë [9] janë gjallë – tremdhet [13] fmi i ka bâ, hahaha (qeshet). 

MD: Qysh u organizu jeta brenda shtepije edhe jashtë?

RrC: Punet e shpisë, at’here ajo nusja i ka pasë qato pun’t e shpisë: me i pastrua sobat, me ba hizmet kur vjen dikush anej anej, oborri e, tanat nusja; oborri e sobat brenda, nusja, edhe me u shtrua kunet’, ne, fmive e çka ka pasë aty ajo i ka pasë; ato tjetrat kanë pasë me gatua, me i mjel’ gjânë, me zâ bilmetin, me dhanë me hanger... qeto punë i kanë pasë. 

MD:    E burrat?

RrC: Burrat i kanë pasë punt’ bashkë. Ata kanë punua bashkë, burrat at’here jan’ shkua n’mal me punua n’lanë – s’e di ti çka janë lant’? Na Rugova me lanë kemi jetua edhe me dhen’, na jem’ shkua kater [4] vllaznit’, jem’ shkua bashkë, periher, me punua n’mal, prej natje deri mramje, se i kem pasë t’ndame; kur u kânë me punua n’mal, kur u ardhë me kosit’, që u ardhë koha e livadheve kem’ kosit’ bashkë tanë; i zoti i shpisë u ra për harq n’Pejë, e ka ble harqin, e ka qitë aty e, per shembull, kur bike njâ n’Pejë para shtadhet e pesë [75] vjete, nja kur bike prej katundi n’Pejë me ble bar, drith’ edhe ni [1] kill’ gaz, edhe ni [1] kill’ krip, se at’here as s’ka pasë shiqer as kafe para shtadhet e pesë [75] vjetve... as s’ka pasë mill’ t’grunit... rrallë, rrallë, rrallë ndoj’-ndoj’ biznismena që ka pasë pak at’here; ku e merrshin nuk e di... jau çkepshin ka tri [3] killa mill’ t’grytë për me qitë pite për Bajram, se s’e kem dit’ çka asht’ pitja hiç, çka asht’ gruni. Ai delke  marr’ drith eh, delke aty, krejt katundi shkojshin atë natë me nejt’ te ky, me kuvenu [bisedu]... e u kânë larg, tre-kater [3,4] sahat dimnit me ra prej Haxhaj n’Pejë, dimnit – kater [4] orë bajke, bora deri qitu (mbi ballë) se s’ka pasë mjete at’here, veç me kual. E, shkojshin e vetshin na kuvend qi je ardhë, a ka gjallishte Peja a jo, a u vra kush a, a u le kush a, a çka u bâ n’Pejë. Per shembull: “po valla, ishin ra, ishin sha, ishin vra, (qeshtu qeshtu) ka bâ vaki...” bile per njâ thojshin u vra me llavaqkë, e kishin vra, bile hoxha u kânë e thojshin “mozamakeq ka mujt’ mos mu’ vra ai...” – hoxha tha, a njâ i kataundit i tha “Aii hoxhë, po flet shyfer, qysh ka mujt’ mos mu vra? E ka shkrua Zoti mu vra...”, “Jo” tha “Zoti s’e ka shkrua me vra niri nirin [njeriu njeriun], niri nirin s’e ka shkrua Zoti me vra po ka mujt’ mos me vra, se llovqka e vjerrun n’gozhdë e çu merre llavaçken e shtine fishekun, e ngrehja kamen, e... ka mujt’ m’i ikë rrezikut mos me u vra”... nejse ajo shkoi... E, vishin sa ke buka kollomoqe, sa shkojke drithi, se at’here u kanë lamë, e bishin drithin e lanen n’Pejë për me shit’ kta kâ, Dukagjini e kta Rrafshi që ju thojshim na... “valla çekaq” per shembull, me ato groshë, e me ato kam harrua sa â, veç kur e bajshin hesap, ni [1] barrë drith’ kushtojke ni [1] delme at’here, “Uuu”, thojshin “s’te kâ buka shtrejt”, sa u shitej ni [1] delme, at’here, per shembull sa u shitë at’here ni [1] delme, po nuk po di sa u shit’ at’here...tash ni [1] barrë drithë, ni [1] delme; tash t’i merr gati tri [3] barrë mill a kater [4] barrë mill’, po valla, po i del niqin e pezdhet [150] evra [euro] delmja e mirë... a, sa asht’ tash thesi i millit – gjashtë evra, shtatë [7] evra, tetë [8] evra, nânë [9] evra, sa t’i merr ni [1] delme tash, gati kater [4] barrë mill, tri-kater [3-4] barrë mill t’i merr ni [1] delme tash. E at’here ni [1] delme i ka marr’ niqin [100] killa drith’... edhe, thojshin “te koka lirë buka” , se u kânë gazép për bukë at’here. E merrke ni [1] kill’ kryp’, ni [1] kill’ gaz e qitke, sa dojmë me hanger bukë, dojmë me dalë... jo llamë nuk kanë pasë at’herë si kto, po janë kénë do fitilaqa – “zhdanë” ju thojshin, e mbushin gaz e ruben atje si fitil e, i qitshin gaz aty e dhezshin e po, e bajke tim aty, krejt soba u mbushke tim prej atyhit... se llamat vonë janë dalë. Kur janë dalë llamat, ejjj, na dukej gjenet me gaz qashtu; sa hajshim bukë e ndajshim qat gaz. Tani i kem pasë oxhakt, janë kanë n’soba, oxhakt janë kanë, e bajshim dru e bajke dritë qaty, qashtu rrrishim. Tani vonë dulen llamat; heuu kur dulen llamat, qyrak masandej. Kur hini Partia Komuniste, dul edhe rryma, bile ka pa’ thanë njâ i Rugoves aty, tha, “ihh, s’e paskem njoft’ as grun’, as fmin’ dekteri qitash që u dal’ rryma; s’i paskem pa’ njoftë as gruan qysh e kam”... hahaha... (qeshet). Kur dul’ rryma tedhet e dyten [‘82] a s’di kur u dalë te na n’Rugovë – duket tedhet e dyten [‘82], na e ka qitë Ilaz Kurteshi, i dheztë dritë gjéneti atij, iu baftë... u dekë tash, Ilaz Kurteshit na e ka qitë rrymen Rugoves, e qashtu tu na jét’ gazépet...  

MD: Tregomë për lojrat tradicionale që i keni lujt’ në lendinë e në oda...

RrC: Si thmi kem lujt’ guxha, kuteklins, manena mâ tu u rritë kem gjua gurapeshk.

MD: Qysh janë lujt’ kto lojna? Me sa veta? A ka pasë veç djem a edhe çika?

RrC: Po, ki edhe çika edhe djem... At’here me dhen’ lujshim “kuteklins”, çobant me dhen’ lujshin “guxha” e “kuteklins”, fmija per shembull dhet [10] vjeç, pesmdhet [15] vjeç e dej nizet [20] vjeç lujshin “kuteklins” e “guxhash”. N’pramje burrat kur mlidhshin lujshin “kapuçash”. 

MD: A u knojke naj kangë kur lujshin kapuça, për humbsin apo fitusin? 

RrC: Auuu, po, per shembull... hahaha (qeshet) jo, jo se nuk shkon ajo hahaha (vazhdon të qeshë) ... kur lujshim kapuça e, i mujshin ni [1] parti – se ni [1] parti anej njâ [1] kéna – e, i mujke njana parti, e çohshin e knojshin, per shembull, po e qes per veti: “Ky Rrustemi e ka vra hutin, paska rrejt na hângt’ mutin”  hahaha... (qeshem), tana e knojshin edhe magarin: 

Na ka cofë magari pram’, iu kén éj kenekekene; po zorrt e barkut çka me i bâ; k’ti Rrustemit qystek sahatit; po likuren ç’do t’ja bajmë; k’ti Rrustemit për japanxh;  po s’u kryhet ç’do t’ja bajmë magarit; k’ti Rrustemit me kmishë e pasul;  hahaha (qeshet) qësi, se i kom harrua krejt.

MD: E naj lojë tjeter?

RrC: “Lepuraza” perjashta lujshin burrat, u gerrmucshin; per shembull, dhet [10] vetë shkojshin livadhit e gerrmucshin n’gjuj’ e dur’ nalt e, vishin ata tjert permas tu i kalua, tu i hyp’ njani-tjetrit te, tu shkua qashtu parti mas partije; dikush u rrxohej e dikush çohej e, qashtu. Tana lujshin “Bat”.

MD: Qysh u kânë kjo?

RrC: “Bati” u kanë n’sobë, vishin rreth e m’rreth, per shembull dhet [10] pesmdhet [15] burra tanë, e merrshin ni [1] shami e pshtillshin si bistek e, midisin e lidhshin nyje, e pshtillshin si bistek, e merrshin e shtishin për darkam e, e enshin anej e anej secilli... E, ai hipke që doj’ me gjet’ batin, hike n’midis aty, maje kamve aty e, t’i bishin shpin’s me atâ, t’i bishin tak tak tak, e kqyrke, i shtike gjujt’ anej e knej e, s’mujke me gjet’ batin afer ni [1] gjysë ore qashtu... rashin n’ta edhe s’mujshin me ia gjetë batit atâ, rrugen... e, qashtu, kur e gjejke rrugen, atij qe ia gjejke ia merrke prej dore e çohej ai e delke aty e tanë t’i bishin ata tjert bat’ shpin’s: bum e bum e bum qashtu. I kam harrua edhe tjerat... 

MD: Kur ka vdekë dikush, qysh u organizu e pamja? 

RrC: Kur ka dekë dikush, pers hembull, fshati, ai i zoti shpisë e ka çua per shembull ni [1] fmi dhet [10] vjeç, ose pesmdhet [15] vjeç, ose ni [1] burrë, e ka kallxua shpi për shpi n’katund qe per shembull ka dekë baba; vllau; nana... lajmroheshin e çohshin dogrri, shkojshin aty e, ia shnoshin kryet, e rrishin aty n’t’pame dekteri n’aksham... e, vishin gjinja me pa e, duhet me i prit’ gjinjen... gjashtë [6] javë ditë ka gét’ e pamja n’Rugovë, gjashtë [6] javë ditë... Edhe, tash u kanë aty per shembull, katundi prej katundi i ka pasë jo krejt ni [1] orë, ka’ i gjysë ore, katerdhet [40] minuta; vishin me pa e, u kthejshin... Bukë – çka ish ma e mira: bukë, mish e, pite, e amelsina, gjithçka ju jepshin atyne qe vishin me pa. Iu kthejeshin bukë, dekteri vooonë... dikur e kputen buken, veç kush vike prej s’largi, që per shembull vike dikush prej Peje e, prej Rrafshi, tani edhe atje prej Rugove katundit ma s’largi që bajke gati dy [2] sahat, iu kthejshin bukë, edhe aty e kputen t’pamen, N’t’pame u duhej me éj gjashtë [6] javë ditë, me éj sabah e aksham krejt katundi dekteri qe kryhej e pamja... 

MD: Gjyshi Rrustem, a më tregon pak për Luftën e Dytë [II] Botërore? 

RrC: Po t’kallxoj. Unë at’here jam kânë nja dhet [10] vjeç, e maj’ mend mirë, ma fort e maj’ mend Luften e Dytë [II] Botrore gati se kta treten, nâdhet e nânten [99]; kanë liftua Rugova me Mal t’Zi, Rugova e Dukagjini edhe Drenica, edhe Drenica u dalë ndihmë te na, na kanë ndihmua me liftua me Mal t’Zi, bile shumë Drenicakë janë mbetë atje n’front. E tash, na e dhanë bash qaty qajo bjeshka, ia e dhanë Malit t’Zi. Kur ka dashtë Rugova at’here, “vullnetarë” ju thojshin at’here, “luftetar” siç po thojnë tash, si UÇK, kur ka dalë Rugova me i ra Malit t’Zi, e ka pasë lidhjen, e kanë pasë lidhjen ëëë, prej Qafes t’Dillit dekteri n’kufi gati me Istog u kanë front. E kanë pasë lidhjen që me u marr’ vesh që me i ra Malit t’Zi, aty ata komandantat që kanë udheqë atë luftë, ata dy [2] mixhallart e mi që janë kânë ka’ shtadhet [70] vjét – janë kanë t’vjetër po janë kanë trima – u ka thanë ai majori, “major” thirrej, Iber edhe Bardheci, ata dy [2] mixhallart e mi: “Ju keni me nejt’ qitu n’kullë me na rujt’ ne, se malin malazezt me u kthye e me na dal’ permas e me na zâ ne robt e, me na zâ kullen aty e me na zânë ne rob aty n’shekullar... po ju runi, keni me nejt’ n’kullë e me na rujt’ ne”, i kanë lanë ata dy [2]. Ajo kulla u kanë tre [3] kat e madhe, i ka pasë ato frengjitë sa me pa, niher anej niher anej me kqyrë mas po dalin ata çetnikt e Malit t’Zi, mos po dalin kâ me nxa’ kullen, kufinin e, me i nxa rob’ atje n’shekullar... Tta Rugova edhe qashtu kén’, janë dalë ata shkijet për dy [2] anve ka tre [3] vetë; “trojka” at’here ju kanë thanë, janë dalë per me nxan’ kullen aty, kufinin që u kanë, janë dalë e, kta i kanë pa, i kanë hetua e, tu i gjua, tu i vra... njari knena, tjetri n’tjetren anë...; mos me pasë kénë qata dy [2] mixhallart’, krejt Rugoven e kishin za rob Rugoven shekulloret e, i kishin myt’... se ken’ tu ju zanë kufinin e me i zanë rob... e i kanë pshtua qata dy [2] mixhallarë ka’ shtadhet [70] vjeçar. Treqin [300] e kusur burra janë kanë, e qaty u kanë kufini me Mal t’Zi, po tash prej atyhit pesmdhet [15] killometra i ka marr’ Mali i Zi që u hi n’anë t’Kosoves, i ka marr Mali i Zi aty, e ka marr’ edhe token e Kosoves – jo veç t’Rugoves, ne katundin Haxhaj, po ka marr’ edhe tokë t’Kosoves. Se, po thonë, kta fukareja po thonë, “edhe na jem’ Kosovë”, po kta nuk paten derte, ia dhanë Malit t’Zi... edhe, as nevojtoret nuk na i ka lanë, po tana’ i kanë djeg’ edhe ia dhanë Malit t’Zi token tanë; s’na kanë lanë veç ka nizet [20] ari tokë ne katundit tanë, Haxhaj. 

MD: E kta axhallart e juj’, a kanë pshtu? 

RrC: Po, kanë pshtua e kanë rrnua edhe nja dhet [10] vjet masanej, edhe janë dekë... se ka shtadhet [70] vjét janë kanë; veç soll qata dy [2] – mos me pa kanë, treqin [300] burra t’Rugoves i kishin za shekullort, se ata malazezt janë ma luftarë se na... e, u kan’ dalë anash për me jau zanë kufinin aty e me i nxan rob, po kta i kanë hetua tu gjua e i kanë myt’, i kanë vra...

MD: E mas Luftes së Dytë [II] Botërore, me çka u merrshi?

RrC: Mas Luftes Dytë Botnore at’here u hi Partija Komuniste. 

MD: Qysh funksionoi Partia?

RrC: Partija Komuniste u hi... tash po i harroj datat kur u hi Partija komuniste, phiiii... Ballistat që janë kanë n’mal iu ka thanë “kaçakë”, që janë dalë n’mal, qe janë ikë. I kanë nxan’ e i kanë marr’ e i kanë burgos’, do i kanë denu për jetë, do i kanë lshu e liru e, te vonë, mas dy-tri [2-3] vjete kur hini Partija Komuniste – jo besa, tuk u hi Partija Komuniste na kanë qitë at’here, thojshin “n’otkupe” për me pagua mish për ushtri, për partizon’... Për shembull, kush i kish niqin [100] copa dhen’ a dyqin [200], a lopë, ia qitshin treqin [300] killa mish me ja çua shtetit... qashtu gjithkush për Rugovë që ish mas takatit duhej me ju çua mish. Kur u hi partizani, ju kanë çu edhe dorza për ushtri, u kanë çua çarapa se “janë hi” thojshin “janë hi me ni [1] kam’ mbathur me njâ [1] zbathur, partizont n’borë at’here”, e ju kanë çua deri vonë mish e lesh, e... çka di unë çka bajshin me lesh e, çarapa e, futë, e dorza e... Mas dy-tri [23] vjete u stabilizu puna, u çel puna at’her punë kish me punua kush dojke, kush mujke u çilke puna e punojshin gjinja. At’here erdhen tu u stabilizu koha, tu u stabilizu, vonë janë dalë kto tesha, kur hini Partija Komuniste se përpara s’ka pasë... as s’kum pasë kundra, as kpucë për Bajram, as pantolla, as seter, veç aso tesha qi bajshim, i bajshin gratë zhguna n’vek e, çojshin te terzia e, mjeshtri na prejke seter e pantolla. Qato duhej me i bajt’, me i vesh’; dikush veshke tirq, dikush seter e pantoll’... 

MD: E shkollat e para, kur u hapën n’Rugovë?

RrC: Shkolla e parë u hap’ pasha Zoten more çikë, kur u hapë shkolla e parë... a n’katert e treten [‘43] a t’dyten [2] kam harrua kur u hap’; mua m’ka çua nana n’shkollë veç tri [3] ditë, e m’ka qeth’ me gerrshanë t’dheve, qe i qethin dhetë se at’herë s’ka pasë maqinë as gjâ, veç me ato gerrshant e dheve i preshin floktë tanë, renda-renda sikur dhitë që ecshin, e keshshin nxansat me mu... tri [3] ditë m’kanë çua n’shkollë, mas tri [3] ditve është dashtë me m’nxjerr prej shkolle e me m’çu me dhenë. Tani masanena e kom marr’ tetë [8] vjeçaren, privatisht e kam marr se tri [3] ditë jam shkua krejt n’shkollë; ata vazhdojshin n’shkollë kush e kish gjendjen at’here me shku me msua, veç unë jaa. 

MD: E fmit’ a i ke çu n’shkollë? 

RrC: Po, at’here gjendja e ligë u kanë vallai at’here, do i shkrujshin kushtet e vshtira, duhej me jau ble veshen e mbathen e libra e tana’ me ia vesh’, kish harxhime shumë... me i msua nuk disha; kush me i msua ata... veç vét çka msojshin. Kanë vujt’ edhe kta, a din, sa janë kta djemtë e vllazniv’ tanë janë inxhinjera, drejtora e profesora, tanë janë msua... për gazép, për gazép janë rrit’ tu msua prej vetveti, e tash edhe unë kta t’mitë vet s’disha me i msua, dikush i msojke dikush qashtu. 

MD: Gjyshi Rrustem, qysh e keni nda token? 

RrC: Token e ka nda baba... dy [2] fmive jau ka nda’ kur janë rritë fmija e janë martua e janë bâ tanë t’zot’ e vetit, e baba u plakë, u kan’ lodhë; pa dekë baba jau ka da: për shembull, sa që ka pasë hekter toka dy [2] a tri [3], jau ka da secilit pllam’ për pllam’, secillit baraz.

MD: E grave a çikave?

RrC: At’here jo, boll pak jau kanë dhânë çikave, se at’here s’u kanë ligji për hise t’çikave, a ju vjen a jo para lufte... e ,tana’ po, kur janë nda’, po, tash edhe çikave iu bjen hisja; edhe çika e ka hisen si djali si çika, e kanë pasuninë. E, i ka nda baba, secili ia ka nda pjesen e vet at’here kur janë nda; ata secili e ka marue shpin’ aty n’tokë t’vet; dikush u kanë i martum’, dikush i pamartum’, qashtu ka met’, si unë tash që e i kam pesë [5] djemtë e jam plakë e jam lodh’ tash, m’duhet vet me ja nda’ secilit për shembull, ka sa t’i bjen, për shembull pezdhet [50] ari, ni [1] hekter, a sa t’i bjen me a jap’ secilit t’vetin; edhe kater [4] vajza i kam edhe duhet me i vet’ a dojn’ me marr’ hise; n’kojfte se thotë “po dua hise edhe unë”, unë edhe asaj kam me ia nda, nese thotë “jo valla s’du hise babë hiç”, mirë boll, ju jap tjerve... 

MD: A ke degju për masakër të Tivarit? 

RrC: Aahh heret u kénë kjo çikë, i vogel jam kénë at’here... digjojsha për masakren e Tivarit që, kur i kanë marr’ ushtart e i kanë çua për Mal të Zi atje, për Tuz e Zhablan, e Tivar, qaty i kanë mbledh’ edhe i kanë shti, i kanë nxa’ rob kater [4] mijë shqiptarë, qaty i kanë vra i kanë pushkatua se e sa n’tjerat vende... ehh. Për ma ‘nena nuk e di, veç për qeta’ qe kum dije, që kater mijë [4.000] shqiptarë në qat vend i kanë vra n’masaker Tivarit...

MD: E për vojvodët e Pejes a ke dëgju?

RrC: Po për vojvodë të Rugoves, po. Vojvoda i Rugoves u kanë prej Shtupeci t’Madh, janë kânë brez mas brezi; tash brezi i parë jau kum harru emrat veç ky ma i prami brez u kânë Ramë Kapllani që e ka rujt’ kishën, se s’di sa vite e kishin pa’ rujt’ kishen brezi i tyne. 

MD: Cilen kishë?

RrC: T’Pejes, se për të Deçanit nuk e di kush u kânë rojë. N’kishen e Pejes u kénë vojvoda i Rugoves, i fundit u kanë Ramë Kapllani edhe m’kujtohet kur u hi Partija e, jemi ikë jem’ ra n’Pëjë e, neser i kem’ qitë gjânë me kullotë nifar veni, atje te livadhi... A ardhë ni [1] shkinë prej kishe... me ato livadhet aty ka’ i kishim gjânë, na u ardh’ ajo shkina, e kish marr’ ni shtagë po t’i hi dhenve e lopve tu na’j rrahë e, u kânë bash daja i vojvod’s, me ne u kânë n’Topallë e t’i ka dhânë t’shtyme e t’e ka rrxua... u kânë nja shtadhet’ vjét, u ardhë qyky Ramë Kapllani, se si ish sikur vetima u ardhë e te ka kap’ shkinen për flokve, t’ia ka dredhë flokt per dore e me njanen dorë tu e rrahë sa ka mujt’... edhe, at’herë ishin hi Partija Komuniste e tu e ngreh’ zhag bertitke sa mujke... unë s’e di si nuk e vranë, me rrah’ a me burgos’ a, s’di se çka u bâ me tâ... s’e di, qai u kénë ma’j mrami, vojvoda i fundit i Rugoves, i kish’s t’Pejes, Ramë Kapllani, ma i mrami brez... 

MD: Qysh i mban mend vitet e tetdheta [80] n’Kosovë? 

RrC: Po besa, more vajzë, i mbaj mend, po unë s’jam kénë student, po kta studentat që janë kânë n’Prishtinë, neper Pejë e, kta janë organizua djem e vajza, hallall u koftë djepi që i ka rritë e buka qe e kanë hanger... se s’janë kânë... e di edhe vet, rrethimi i Millosheviqit [Sllobodan] me hânger njerin sikur kulshedra me perpi’, edhe ata s’kanë ní për tâ hiç, po kanë organizua djem e vajza e kanë dalë demostrata edhe janë rrahë prej milicije n’demostrata, edhe janë vra e, s’ka pasë gjâ që i ndalë; po tash, kta tant’ n’kohë t’çlirimit qe e fitum’ shtetin e, nuk dalin n’asni demostratë që, që na fiken tu i hânger krejt paret e Kosoves... e nuk dalin demostratave me i rrxua kta udh’heqsat e m’i hek’ krejt, e at’here djem e çika janë dalë e, ia kanë lu trollin Serbisë, kush u kânë Serbija at’here... Perpara e di, thojshin heret “Serbija e treta [3] fuqi u kénë n’Luftë Botnore”, e djemtë e vajzat, studentë e studente ia lujten trollin Serbijes e ja hallakati punt’ tedhet e treten [‘83] a dyten [‘82] kur u kénë, gjashdhet e ni-ten [‘61] e qeshtu. Si ndali kurgja sokolat e sokoleshat – qata janë kénë atdhetar, se tash kurgjo puna e tyne... asnjâ s’çohet n’demostrata hiç; tash niqin [100] parti tash, me u çua PDK-ja [Partia Demokratike e Kosoves] nuk çohet LDK-ja [Lidhja Demokratike e Kosoves], mu çu LDKja s’çohet PDKja, mu çu s’çohet kerkush, s’çohet hiç e, krejt po shkon lamë... se, at’her po, e qata e ja lujten trollin jugosllavit e prej at’herit që erdhem n’ditë t’sotit na shlirun’ djem e vajza, sokolesha e sokola, e jo si ju t’lanun’ që s’çohi demonstata hiç... mos u keshni, hahaha... (qeshim), ju i keni rrogat, s’jau nin’ që vun’ fukareja, që vjedhin udh’heqsat... hiç s’jau nin’...

MD: Tregomë pak për profesionin... po e shoh qe e ki lahuten afër..?

RrC: Unë ma s’pari jam marr’ me gjâ e dhen’. Heret m’çojke nana me i rujt’, n’sabah t’dritës, m’merrke gjumi tu shku, gati u rrzohsha rrug’s... Shkojsha maleve, u tutsha prej arushe se po m’han’ arusha me i rujt’ dhent’... Kur u rrita pak, qe u bana kishe si i zoti i pun’s, duhej me shkua me punua n’mal, se mali na ka majt’ ne Rugoves, se n’Rugovë kurrnisen s’u bâ, veç u bâ sana, ushqimi për dhen’, kumpir kanë mjell’ ka pak, po s’na lejke ûr... elb perpara kanë mjell’ ata, buka e elbit s’hahej hiç, mill’, jetë t’fshtir kemi rrnua e t’gazépit kemi pasë; veç n’mal e me gjâ, veç n’mal e me gjâ – kurgjâ; ajo toka e Rugoves kurgâa s’ban, veç sanë... besa kajher s’e ban hiç, n’katerte shtaten [‘47] s’u bâ sana as kurgja hiç, qe, ke koha e unt’... qeshtu m’ka shkua koha me dhen’, puntor i malit tu punua dekteri qetash n’kohë t’qesaj që u bâ qetash, nâdhet e nânen [‘99], që ikem, deri qat’here kam punua. Prej at’herit jam plak’ e lodh’, jam mbetë brenda tash, s’po muj punoj, veç djemtë çka po m’projn’. 

MD: A jeni marr’ me naj veprimtari tjetër n’Rugovë? 

RrC: Veç çoban i dhenve edhe puntor i malit e, me tjeter gjâ jo... edhe me duhan heret, po s’guxojshim me mjell’ se na denojshin, veç e millshim msheft... eh, punojshim msheft e, m’kujtohet ata dy [2] vllaznit’ e vjeter, se na dy [2] vllaznit’ e vogel ishim t’vogel at’here... e pishim duhanin fsheht e s’guxojshim me pi, me na pa ata... ata e blejshin cigaret e, e fshehshin ni [1] kufer, po ky vllu i vogel ish ma i perdreqt’ se unë...; shkojke atje s’di çka bajke, ia çelke kuferin, shkojshin e, shkojshim e ia merrshin paqetat e duhanit e i shtishim n’xhepa: “More’” thojshin ata, “more, mos po na merr dikush duhanin, se nuk po na ban duhani...”. Blejshin ka ni [1] kill’ duhan, ni [1] kill’ cigare janë kanë niqin [100] paqeta m’duket... thojshin “more s’â ka na ban more’ duhani hiç”, ju thojshin gratë tu dhezë cigare mas cigare, pa ia da hiç a po jav vjedh’ dikush..., ato e dishin qe po jau vjedhim na hahaha (qeshet). Ehh, mixha e millke duhanin... kuu, ma t’mirë bahej se t’Shqipnisë, që thojshin “duhan t’Shkodres”. E ka pasë atë avanin çikaq t’gatë e, i palojke ka ni [1] kill’ duhan, ato fletë i palojke, i shtike n’atâ, e ka pasë atë thiken, e grike ata duhan, sa t’mirë ish... t’i merrke sytë, sa t’kuq ish, e sa t’mirë ish e, tani u la, s’guxojshin me mbjell’ se i denojshin. 

MD: Qysh e punojshi?

RrC: E millshin qashtu, e prashitshin, e hiqshin barin e, e lajshin me ujë, ata bahej boll... veç m’i qit’ pleh se bohej hyhyy, fleta e madhe – jo ma e madhe se qekjo lahutë, veç bet’ duhan bahej... po, tana s’guxun me maru, me mjell’ tjeter, se u denohshin, se e lypshin sikur drogen... s’e millshin duhan e s’e blejshin duhanin e shtetit hiç, nuk i lanë mâ me mjell’, e qeshtu...

MD: Kallxomë për k’to kangët që i ke këndu me lahutë? 

RrC: Unë veç e mbaj qetu, se perpara kangt e Muja e Halilit, po i kam harru... qi knohen te atyne kreshnikve përpara, Mujit e Halilit qi kanë liftua me ata shkijet e Serrbijes e t’Malit t’Zi. 

MD: E me sharki e çifteli?

RrC: Po, çitelisë i kum pa’ ra shumë po tash janë plak’ gishtat.... se çiftelisë i kam ra shumë. Unë i bisha çiftelisë, ai vllau sharkisë, na ftojshin neper dasma e qeshtu e, neper oda. 

MD: Cilat janë kânë kangët që i keni këndu? 

RrC: “Mori çika kuqe, kur t’i pashë rruzet n’atë fyt, krejt prej mendje jam habit’”  hahaha... (qeshet) e kso’ kang t’vjetra e t’reja... 

MD: Hajde ndaje edhe naj kangë me neve, naj varg? 

RrC: Mori e mira e mirë boll, pse m’je dalë n’oborr kaq vonë; mori çikë synin laruk, 

synin tan’ ta vrafsha pushkë...  hahaha (qeshim)... kangë ashiknije, nuk ka pasë kangë burrnije se sa e sa kangë... po i kam harrue. 

MD: Kujt ia keni knu k’to kangë? 

RrC: Çikave e grave hahaha (qeshet).

MD: Gjysh, a më trego për festat – cilat janë festu? 

RrC: Kur u ardhë Shingjergj me gjashtë [6] maj, naten... ma s’pari diten e Shingjergjit i dajshim n’promje, i ndajshmi kingjat prej dhenve për mi mjel’ nâtje, për me pi tamel prej tyne.. Nuset, kush ish nuse e re çohshin para sabahit e jau goditshin varrset për me vjerr’ tesha, nizet-tridhet [20-30] metra... at’herë janë kânë qilima, sexhade, bekica e, jo si tash kto trupi, veç at’herë janë kénë aso t’leshit. Çohshin nuset para sabahit, kush po çohet ma e para, u shtyhshin ndermje’ veti; kush po i qet ato tesha ma s’pari n’ato varrset – “nalvrikë” i thojshim at’herë ku i qitshin ato teshat – shtyshin nuset kush po çohet ma s’pari m’i qitë aty teshat, e çohshin heret. Dikush i qitke ka’ promja, s’mujke mu çu heret e qashtu... E, kur çohshe nate, tanë çejzin e tyne e shihshe përjashta; s’dojshe tjeter gjâ veç me pa... e, at’here duhej me u rujt’ mos me i pa pleqt e plakat se thojshin me pa plaken qashtu shkon vera, edhe plakun, po duhej me pa ose nusen e re, ose çiken e re, ose djalin e ri, me pa ma s’pari nate. Ehh, te’ vonë shkojshmi nate’ heret... at’here ka pasë kroje me lugj qe pishin gjâja e lajshim n’ujë t’ftohtë, se thojshin “âshtë shnetë”, e natje e, çohej nana ose dikush fmijeve, ju ndukshin bar n’livade e gjujshin atje n’shtrat t’fmive për me u rrit’ e me iu shku koha e vera e mirë. Prejshim kingja, shkojshim me currilar’, i qitshim konopt n’pej u, currulatshim gjithë diten, knojshin çikat n’fyt – o lule kuqe, lule bardhë, e kom harru tash,  ooo i ooo oooo io ooo... i kam harrua krejt. E, qeshtu Shëngjergji... e, shkojshin nâte, shkojshin burrit e ia bajshin me hajr Shingjergjin aty për vllazni e, për kojshi, u qitshin tamel, e u pjekshin mish, besa kingja... e, qeshtu Shingjergji. 

MD: Tjeter festë?

RrC: Vit t’Ri e për kto si tash, at’here nuk i festojshmi, heret at’herë... po, vonë dul me fustu, e me urua k’to vite të reja t’fmive, ditlindje... k’to vonë janë dalë; se përpara s’u dit’ çka është Viti i Ri as hiç. Bajramin e parë [1] i ngjinoshim tridhet [30] ditë të Ramazanit, falshim, ngjinojshmi gjithë ditën e, punojshmi... E mershin hoxhen për Bajram, e mershim hoxhen tridhet [30] ditë, e merrshin hoxhen dikush ni [1] natë, dikush ni [1] natë, dikush ka pesë [5] net’, i falshin taravitë, i falshin drekat, qeshtu, me hoxhë. Kur vike Bajrami, blejshin harxh Bajrami, simbas takati – siç kish mundsi niri, e blejshin e bajshin harq për Bajram, e nâte e çojshin... e kemi pasë jaminë me shkua ni [1] sahat e gjysë me falë Bajramin... Kqyrshim nate para sabahi me shku, kamë e falshim Bjramin, vishim e majshim Bajram me familje, prejshim ose kingj ose delme, qitshin pite... – tash vonë, se ma perpara s’kanë dit’ çka është pitja; bajshim muhabet, hajshim bukë, tani mlidheshin katundi tânë bahshin ka nizet-tridhet [20-30] vetë e, shkojshin shpi për shpi tu bâ Bajram; ishin afro tridhet [30] shpi: tri [3] ditë shkojshim, jo përhajr Bajrami, jo lujshim, kcejshim e, qeshtu... 

MD: E Shën Mitrin? 

RrC: Shmitrin, s’e di qe e kanë festu, hiç, jaa... 

MD: Cila u kânë familja e fundit që u konvertu në muslimanë në Rugovë?

RrC: Ehhh, at’her heret... Na Rugova jem kénë krishterë, heret, përpara... krejt tremdhet [13] katune janë kânë n’Rugovë, tremdhet’ [13] kisha janë kânë – për secilin katund ka’ ni [1] kishë. At’herë nuk kanë ra prej Rugove me ba pazare n’Pejë, se s’ka pasë udhë; edhe kur janë ra, janë ra prej bjeshkve e kërrshave e tân’ i kanë llamitë kuajt... se s’ka pasë rrugë, po janë shkua n’Shkoder e kanë bâ pazar. Prej Rugove e n’Shkoder janë shkua me bâ pazar me kuajt e vet. Te vonë i ka pa’ thirrë Frati n’Pejë Rugoven, e kish pasë ni [1] meshë a festë a çka di unë... kta katalikhonja, e thrret Rugoven me ra atje n’Pejë n’dimen, po qillo’ borë e madhe... – ka’ dy [2] metra bike borë, janë kânë banderat e telefonit ka pesë [5] e gjashtë [6] metra e, rrzohej bora e i zejke krejt ata bandera... nuk shihshin hiç. I ka thirrë Frati e janë nisen n’sabah, Rugova me ra n’Pejë katalik, e nuk kanë mujt’ me ra dekteri n’aksham n’Pejë prej bore... se borë e madhe: tu shkua, tu e çelë boren, tu u ndrrua njâ [1] ka’ njâ [1], se s’kanë mujt’ me qkrije boren... janë vonue... Deri n’aksham ata e kanë krye atë meshen a çka u kénë ajo, atëfarë ceremonie, e kanë kry e e kanë mshelë kishen. Kur janë ra Rugova, u ka dalë Frati përpara, “Po ku jeni nis? Pse s’erdht?” – “Valla nuk kem’ mujt’ prej bore; prej sabahi jem nis’ tu ecë qeshtu e s’kem’ mujt’ me ardhë prej bore, jem’ lodhë me shpirt; i kem bâ durt’ e kamt’ plot borë”, “Valla tash s’kini vend; kthenu kah doni” edhe jau ka mshelë deren. Kta janë shkua n’xhami te hoxha, i kanë thânë hoxh’s, “Aman, hoxhë, a po na çel’ xhaminë t’himë pak e t’mujshim me pushua pak... se nuk na la Frati brenda se jem’ vonua, s’kem’ mujt’ me ra... borë e madhe, nuk kem mujt’ me mrri e, na e ka mshelë Frati deren e s’na la brenda”, thotë “Poo, hajde hargjellden, hini”, “Po na jem’ hoxhë t’mbathun, s’mundemi mu zbathur”, se n’xhami nuk mundesh me hi mbathun për mu falë e kto... thotë, “Hajdeni mbathun e zbathun e, qashtu veshun’ hajdeni tânë, hini n’xhami”, atë ditë. E, aty tânë janë bâ musliman, me qat natë që i ka perzon’ popi Frati... e, janë shkua te hoxha, janë bâ muslimanë që shtatë [7] faqegji... tash Rustëm Kasemi, Kasem Hysi, Hysen Alija, Ali Brahimi, Brahim Smaku, Smak Isufi, Isuf Cuku – shtatë [7] faqegji kem’ që janë bâ muslimanë... vonë Rugova, ma s’prami u ba musliman Rugova, se janë kénë katalikë, tash muslimanë jemi... 

MD: E radio, televizori – mjetet e informimit, kur janë ardhë?

RrC: Valla, moj vajzo, televizor yhhh... vonë janë dalë, uhhh... veç kush u kânë ndaj pasanik e ka qit’ televizorin, se, vonë janë dalë televizorat e radiot. Po radionat po, e di vllau e ke ble n’Beograd, u kânë ni orion qikaq i madh (nuk më kujtohet sa) e ka ble n’Beograd pezdhet e niten [‘51] m’duket, e na e ka qiten n’Haxhaj; as s’kem’ ditë çka është radioni as televizori as kurgjâ n’dyjè t’Allahit. Na e ka pru kush prej katundi... s’ka pasë. E, na jem’ kénë t’ri, une me vllaun Shabanin, t’pamartuem, e nâte heret e çelshim prezoren, e vejshim n’prezore – se jem’ kénë mbi katund, e kem pasë shpin’ ma s’felli atje t’katundit – e, e qitshim aty n’prezore e t’ia lshojke zanin ai vllau atij radionit e t’nihej... krejt katundi e nijke; atyne burrave besa s’ju vike mirë hahaha (qeshet). Delshin gratë aty, nuset e, degjojshin, e, çikat ka’ knojshin ato... ani bile kaniherë ato kangë po i knojnë... vaji po m’gërrmon kur po i këndojnë ato kangë që delshin at’here n’radion. Tanë masanena erdhë radioni, magnetofona... Edhe ni magnetofon e ka ble me ato trakat, i ka pasë ato me plloqa qe i shtike trakat e, kur knojshin kangatart i shtishin ato si tash që janë, edhe ato dulen edhe ma vonë dulen televizorat e kto tjerat...

MD: E n’luften e fundit, ku jeni kânë? 

RrC: Në Haxhaj. Me nizet e ni [21] e kemi lshua Haxhajt që nânumdhet [19] vjet, krejt Rugova me krejt Dukagjinin qe janë dalë bjeshkve, që janë dalë që djali i vllaut u kânë ksi “izvigjaqe” a si ju kânë pas thanë... u kénë Tahiri tu dalë e tu marr bjeshkve, prej bjeshkve te Deçanit atje tu i marr refugjatë e tu i pru bjeshkve te na n’Haxhaj, bjeshkve se s’kanë pasë se ke nxa gryka prej ushtrisë serbe i ka pru aty, e na unë e vllau jem’ kénë aty n’katun mbrojtsit e fshatit katundit e kem Çakorrin dy [2] sahat at’here për u kénë për borë edhe pa ni [1] sahat e gjysë s’mund t’shkojsh, pesë [5] here jem’ dalë n’Çakorr dimnit mas po na bjenë Mali i Zi, se thojshin “borë shumë Mali Zi”, po çfarë ju thojsha, Mali i Zi ka me na ra, dy [2] javë ditë ka ba Mali i Zi prej Morine deri Çakorr me bundozhera me e çelë rruhen me qitë materjalin e ushtrinë n’Çakorr, e i kem pa aty tu e çelë rrugen gati jen kénë dalë n’Çakorr e jem’ kthye vrap i kem dhanë gjevapë katundit aty edhe jem’ çue jem’ kénë afër niqin [100] familje. E shkollen e kem pasë aty tetë [8] vjeçaren aty niqin [100] refugjat ishin të Dukagjinit se ishin lodhë tu dalë bjeshkve tu pushue se ishin lodhë me thmi, me gra, e me plaka... e kem qitë aty poteren e jem’ çu aty e kamë prej atyhit e për Bogé e për Qafdasmorve e jem’ ra n’Rozhajë. N’kryje dy [2] ditve janë hi malazezt n’Haxhaj, n’Rugovë gjithkun n’kryje t’dy [2] ditve, për dy [2] ditë u pshtum se t’na nxashin malazezt na kishin ba neve ma zi se Reçak e n’Tivar e gjithkund ja janë kénë t’frytë Mali i Zi n’ne. E kem dalë n’Rozhajë, dikush o dalë n’Shqipri, e dikush u dalë jashta n’tjera shtete, na kem nejtë n’Hakaj te çika e vllaut atje ngat Plave tre [3] muj ditë kur u çunë shkijet prej ktuhit e hinë kta uçekeja [UÇK] u ba mirë e jem’ kthy prej atjehit e k’tu... ah po kjo Ferka [gruaja e vllaut] me k’ta thmin u metë k’tu edhe me vlla tem janë metë ktu... edhe po dy [2] vllaznit ktu janë metë, baba Ali Dyten [II] Luftë Botnore u varrue n’Mal t’Zi tu liftu me malazez u varrua ktu n’krahë e ka pat thy krahin, e kanë marr vesh Mali i Zi tridhet [30] shpi k’tu Nakell krejt t’malazezve janë kénë, gati krejt malazeze k’tu shpijat, e kanë ditë qe u kénë lufta atje e e kanë varrua se kojshi i kem pasë e qata janë ardhë e e kanë zanë baben Ali qitu se k’ta s’janë ikë hiç dy [2] vllaznit Smajli edhe Alija, edhe Ferrka me thmi, edhe çikat e Shabanit edhe ato i ka zanë k’tu puna at’here janë ardhë milicija kta shkijet e i ka nxan Alinë e Ferrken me gjithë çika e jau ka lyp Noren e e kanë marr, e tu ja majtë thiken me pre, e ja kanë lyp dukatin e paret, e i kanë dhanë pare e dukatin... veç masi e kanë pshtua e kta u pshtua, atâ e kanë marr e kanë shti brenda ja kanë ba ni shejë në ball allti a s’di çka u kânë edhe e kanë djeg aty, e kanë djeg ja ka shti zjarrmin mas disa dakikave e u shkua gruja e vet, edhe kunata e vet kanë thanë “me shkua me kqyr niher çka u ba me ta”, e e kanë gjetë tu u kallë deri qitu ish kanë tu u djeg tu u kallë krejt, përsgjalli e kanë djeg, k’ta mezi janë pshtua igballi i tyne se po e dhe k’ta me i zanë e me i  mytë e me ba çmos me ta me gra, me thmi...u dashtë me dhanë pare e çka kanë pasë, dukat e krejt për me pshtua jeten, igballi i tyne që janë pshtua, qikaq edhe kujt kur i bjenë n’mend për atë punë, atë gazép, atë masaker qe u ba!

MD: Po mas luftes t’Kosoves?

RrC: Po krejt shpijat janë djeg, edhe nevojtoret, e le mo shpijat e k’to... edhe kotecat e pulavave, edhe nevojtoret i kanë djeg krejt i kanë ba rrafsh me tokë, igballi që hini NATO k’tu se janë  kénë tu na vra Serbija tash s’di a ishim gjallë a jo, veç igballi Amerika edhe uçekeja [UÇK] ka ba punë edhe ajo po pasha Zoten nuk duhet me jau hupë, e deshti Zoti na e perzun prej ktuhit se tridhet [30] shpi qitu janë kénë Nakell shkijet, tridhet [30] milic i kanë pasë qetu tanë ata milic na kanë djeg shpijat, na kanë kallë, tu i vra e krejt.

MD: Gjysh, qysh ka ndryshu jeta? A kanë ndryshu traditat e zakonet? 

RrC: Uuhhh, prej si e maj’ mend unë e dej n’ditë t’sodit, a di sa kanë ndryshua koha.. sa dita me naten – a e ke pa, qaq ka ndryshua. Si s’ka ndryshua, që kurrë s’kem pa, po t’tham – kurrë s’kem pa selamet as s’kem pa ditë, as s’kem dit’ çka ashtë vesha, as matha, as jeta, as rrnesa, as kurgja hiç, veç dajme male, male.... si gjin’ t’egër, fukare, t’lodhun e krejt. Tash, po si s’ka ndrrua tash... djemtë e ri veshen e, mathen e, han’, e pinë çka duhen e kanë pare e, shkollohen, e me vajza, ndihen ndermjet veti, fejohen... e çojnë jeten për shyhret, për marak e, jo si na at’here kur jam martua une, veç kur um ka ardhë gruja aty, se s’po di gjâ a o qorr, a sakat, a majmun a çka... as ajo s’ka dit’ për mua çka jam, e tash po, qysh jo.. tash kundra at’herit është xheneti, si unë para ni [1] jave qe jam bâ prej synit aperacije se mu ka pas ‘avit t’pamit e s’shihsha me ta hiç, tash kur po i çeli sytë po me duket xheneti; edhe kta tash e kanë xhenetin t’ritë e t’rejat, e kanë jeten e mirë, t’lirë, po na s’kem guxua... Kur hipshim n’autobus t’Rugoves, që hipshim atje nalt, se ish roje i kryeqyteti, dilshin milicija me automata... kur i shihshin djemtë e ri n’autobus sikur Shkambi [nipi] veç ja bajke milicit dektena, e qitke prej autobusi e, e qitke mas autobusit e t’i hike shplaka e, e rrahke sa mujke.. E, tash Zoti na rujt’, tash liri apo dush s’ka ditë e natë ma liri, ma mirë kurrë s’u kénë, as s’e kem pasë, tash mirë shumë.

MD: Gjysh, faleminderit shumë!

RrC: Edhe juve faleminderit qe jeni ardhë e i keni marr’ këto shenime të Rugoves... pak, se i kam harrue. Puhaa, me t’i kallxu vështirsinat e Rugoves e çka kem vujt’ e asi ishe çudit’... po tash kam harru gati krejt... e, çka t’i bajsh. 

MD: Falemniderit! 

RrC: Edhe juve shumë faleminderit...