Shahe Gashi

Intervistuar nga: Iliriana Blakaj

Kemi pasë jetë qî jîmi kânë... qî jîmi kânë, a din, se kurnifarë jete qî me thânë, jo! Jo, se bâbën t’smutë, nâna me punë shumë, e thmi gjâjke

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

30.05.2018

Lokacioni i intervistës

Prishtinë

Vendi i lindjës

Kukavicë

Tranksriptimi

IB: Sot, është data tridhjetë maj dymijë e tetëmbëdhjetë [30.05.2018], dhe n’kuadër të projektit “Njëqind [100] Pleq e Plaka” do të intervistojmë lokën Shahe Gashi nga fshati Kukavicë, e cila është tetëdhjetë e tri [83] vjeçare.

ShG: Emrin - Shahe Gashi. N’maj kum lind’, tridhetë e pesë [35]. E me u rritë tani kadalkadal... qishtu, me turlifarë hjeke.

IB: N’fshatin Kukavicë, si çikë e re, çfarë jete ke pasë... halâ pa u feju?

ShG: Po, po. Po’ t’kallxoj. Kemi pasë jetë qî jîmi kânë... qî jîmi kânë, a din, se kurnifarë jete qî me thânë, jo! Jo, se bâbën t’smutë, nâna me punë shumë, e thmi gjâjke, e plot’ thmi, plot’... kjamet, plot punë. Edhe e kemi pasë kushërinin e bâbës, me tô rrnojshëm. 

IB: Sa antarë jeni kânë n’shpi?

ShG: Na jemi kânë, nânë [9] t’bâbës edhe nja pesë [5] tjerë, qashtu katërmdhetë [14]. E qashtu. E domethânë, nâna u munojke për krejt. Lôpë, dhênë, dhi... krejt k’to tjerat i kemi pasë. Krejt gjânë, pasuninë, me tokë, me bahqe, me... kjamet me punue, qî shpirti na dalke. Po vallahi, me u mathë... nuk kishim me çka m’u mathë. S’i kanë vnu ransi ktynehere. Edhe me pasë... jo qî s’kishmi... kôn’ me çu n’Prishtinë! Se prej atij vêni qî jemi kânë na, Prishtina larg ô, larg i bjen. E s’kishmi kôn’ me çue krypë me na ble, se le mâ tjetër sen’. Krypë, pasha Zotin, s’kishmi! E nâna u munojke tôna. Pesë [5] lôpë i mjelke, me zânë djathë, me zânë kumshtë, me zânë kos... me bâ bylmet për me rrnu me qato, se na me ble... ktyneherë s’ka pasë. Qata e ke pasë.

IB: E qysh i ndajshit punt ju gratë nëpër shpi?

ShG: Na... tani kur erdha te burri me kunatën.

IB: E para se me ardhë te burri qysh u fejove nihere? Sa vjet i ke pasë?

ShG: Dymdhetë [12] vjet. Dymdhetë [12] vjet i kum pasë. (Ofshanë) Ooh... shumë kum hjekë e m’vjen gjynah pêj veti, se le mâ pêj tjerve! E kum pasë nî vlla, shumë... Ata ishin ardhë kishe me m’lypë mue, ishin ardhë me m’lypë mue. Une sen’ s’disha, s’ma rrok’ke bile atë punë. E ai, vllavi jem, e kish ditë. Ish ardhë nî dajë i jemi me nî kusheri t’vetin, me ardhë msit at’here. Ishin hi ata mrena, atje n’odë, e ai vllavi jem ish ungj me nî... qishtu e kish vnu dorën (përshkruan pozitën e ulur dhe dorën e vënë në kokë). Shumë u kânë i mirë, shumë u kânë i dhimshëm, shumë u kânë i dashun... kajke vllau, a din, qî po fejohna une. Û s’kum ditë sen’! Kur thashë, Hazir e ka pasë emrin, “Hazir, ça ki bre vlla? Ça ki?”, a e din, i shkojshin lot’t e kajke, tha, “Shuj”, tha, “Mos um shurdho.”. Kur shkova e veta nânën, thashë, “Oj nânë, pse po kanë Haziri?”, po’ kanë vllavi jem, tha, “Le, mos e nguc.”, tha, “Shko ti n’sobë.”. Nejse, shkun. U kry ajo punë, e shkun ata msit. E morën dorën... si ktyneherë. Shkun. E une tani kishe s’po di kurgjâ, e nâna ma bojke kishe ô marre, “Mos fol, mos t’nin kush.”. Une s’e disha për çka kum me folë as për çka s’kum me folë. Punë e madhe! S’ma rrok’ke mirë halâ. E qashtu, qasi vâkti.

IB: A ja nise tani ti me i bâ gati të qënismet?

ShG: Jo, jo, jo, jo! Katër [4] vjet veç e fejume, qashtu kum nejt e dhânme, e s’um kanë ardhë hiç... me ardhë me thânë, a e din, qî vijnë miqt e binë sene - katër [4] vjet hiç! U kânë skame at’herë, edhe s’kish, edhe jonë kânë pak si... k’ta ku jum kânë une, “Aiiih, punë e madhe!”. S’kum pasë kurgjo. Jum ardhë... bone hesâp, jo qî po t’thôm, po m’vjen keq me thânë, po, pasha Zotin, dâne n’trup s’kum pasë veshën. Nâna jeme, rahmet i pastë shpirti, e kish çu qit vllaun tem, Hazirin, e i kish ble katër [4] metra bez, bez i kanë thânë, po’ material i bardhë, kurgjo hiç, e pêj qatyne m’i ka marue do dâne. E tani ja nisa m’u rritë, e i bâna gjashtëmdhetë (16) vjet, e ma e rritshme... e ato si i vesha - ngusht, mu prenë ato dâne, u çkynë prej sikleti (Qesh me të madhe). Po de! Vërr-vërr, anej, knej. E qashtu...

IB: A ke bâ dasëm?

ShG: Po’, çfarë darsme! Po’ çfarë darsme, atë kunatin shtritë. Khô ishin ardhë... erdhën me m’marrë me kerr t’kuq kishe, sen’. Kunati shtritë, vllavi i burrit shtritë, edhe u kânë nî burrë qî tybe dera s’e zike. Çfarë njeri! Oficir ish kânë e ish smu n’ushtri, tani e kishin lshu ushtria. I smutë... e diq krejt. E tani çfarë darsme... as kurgjo. Veç nusën e kish pasë edhe ai t’marrne. 

IB: E çka u bâ tani me atë nusën?

ShG: E la nusën, nusja u dâ... shkoi. E lutshin burrin tem me kthye, me marrë, a din, edhe atâ.

IB: Dy [2] gra me i bo.

ShG: Po, qashtu at’here. Ky u kânë... jo, qî po t’thôm me livdue, veç shumë u kânë insan, shumë u kânë njeri i mirë. Kurrë nî t’keqe prej tina s’e kom pasë. Hiç, hiç! E tha, “Me m’mytë muni, a qatâhën me ma bâ s’muni! Me ma kthye grunë e vllaut, tu e pasë grunë tême?! Kurrë jo! Unë e kom ditë atâ si motër (kunatën).”. A di, ktyneherë, dikush i ka fshi, i kanë marrë krejt! Po’, ky u kânë shumë i pjekun për do punë. E qe, qashtu.

IB: E sa antarë jonë kânë n’shpinë e burrit?

ShG: Po t’thôm de, jemi kânë nja dhetë [10]... dy-tremdhetë [12-13]. Nja tremdhetë [13], po.

IB: N’cilin katun u kânë burri?

ShG: I Mramorit.

IB: Qysh tu dok’ke kur shkove atje, katuni? N’Mramor kur u martove...

ShG: Aaa... qysh mu dok’ke? Edhe Mramori nuk u kânë keq, po’ ktyneherë u kânë keq gjithkun. As s’ka pasë udhë, as s’ka pasë... Kâmë jom shkue... dej qitu bora (shenjon gjurin), erdhën e kallxun, ish dekë kunati. Une qillova te nâna, kishe m’kthyn s’pari, e ish dekë ai, e hâlli ‘çka me bâ, qysh me ardhë nëpër borë’, dej k’tu (bora deri te gjuri). Bâba... e kum pasë bâbën sakat, qî po t’thôm, nî kâmë i ka dhimtë. E qashtu nëpër borë me nânën e me nî kusherinë... jîmi ardhë nja katër-pesë [4-5] vetë me pâ qî ish dekë ai djali. I ka pasë dy [2] prind, dy [2] vjehrria e mi jonë kânë. Ju diq djali, e u mërzitshin. Qe qishtu... turli hjeke, turli kjameti. Tani erdhën opqina e vet (e kunatës) me dâ kunatën tême. Oh mërziaaa... boll edhe ajo mërzi. Dy [2] vjet kish nêjt, mas dy [2] vjete u shku.

IB: A ka pasë fmi?

ShG: Jo, s’kish pasë fmi. Gjysa e t’keqtit masi pa fmi.

IB: E qishtu. Atëherë njerzit a u smujshin shumë? Me çka u shërojshin njerzt, se s’ka pasë as mjek as...?

ShG: At’here s’ka pasë. Qe, u smu n’ushtri (kunati), ushtria s’un e ka shërue hiç, se ajo u kânë kohë lufte! E tani s’e kanë shërue hiç, veç e kanë mërthy te shpia. U munum na tani khâ, e pritshim... n’Prishtinë... ktyneherë nuk i kanë thânë kancer, po tuberkuloz. Tuberkuloz, i thojshin. Bre munohu, bre munohu... diq. Shkoi! Ça me bâ...? Oficir u kânë. O Zot, o Zot... çfarë djali u kânë. Çfarë tesha t’oficirit. Si ai n’atë ven’ u kânë.

IB: Ti e paske përjetu Luftën e Dytë Botnore?

ShG: Po! Dhetë (10) vjeç jum kânë kur u hi Lufta e Dytë Botnore.

IB: Qysh t’kujtohet ajo periudhë?

ShG: Keq boll. Keq boll. Shkíet si... kah i kanë râ, gjithë, sa herë e kanë mrri e kanë bâ shkret. I rrehshin gjinën, i mytshin, i bojshin...! E ma kishin mytë bâbën e bâbës tem, e kishin mytë babgjyshin e bâbës. Jonë kânë tu shku për Gilan... i kanë mytë. Ku i gjetshin, i mytshin si kingja bom, bom, bom. E n’tjetrën anë, nî mixhë, e nî dajë, e nî... plot kanë mytë, plot mytshin gjin’. Nant’ [9] vetë nî shpije niherë ja kanë pas mytë, qatje, Gërbesh, i thojshin nî veni. Nan’ [9] vetë. Po, tybe. Hjekat tona skeje s’kanë. Pasha Zotin, veç hishin e i kapshin gjinën, e i rrehshin, e i rrehshin... ma s’mrami me i lshue t’rrehun nom ju dok’ke, po’ i mytshin!

IB: Me çka u merrshin atje te burri? A punojke dikush diçka?

ShG: Jo. Çka me punu?

IB: Veç me tokë a?

ShG: Tokë. Veç tokë.

IB: E ju gratë, a dilshit nëpër ara?

ShG: Qysh jo! Qysh jo! Dilshim, u rjepshum. U rjepshum tu punu nëpër ara edhe bukën s’un e bojshum. Bukën s’un e bojshum! Çfarë! As dej n’gjysë t’vjetit s’na çojke, se veni i ligë, papunsia, e mâ lufta... Kujna i ka dalë ren’ me thânë, ‘me shku me knaqë tokën, e me mjellë e...’, veç qashtu hajt. Gjithmonë bre löqka jeme me k’to far’ lufta, me k’to far’ kjamete... Kemi hjekë gjithmonë e jetë - pêj shkîve ma s’shumti. Pêj shkîve, pêj shkîve! Tani erdhën do italianë e do... gjermani kur u kôn hi, pasha Zotin, u kânë shumë interesant.

IB: Qysh u kânë (gjermani)?

ShG: I mirë. Mirë kena kalue, mirë kena kalue me gjermanë. As nuk na ngucën as kurgjo. Ju dhajshum bukë, a din, u munojshmi m’ju bâ. Po’, ça kemi na për ta?! I marum dofarë... kodrave qishtu me nejt, se thojshin me rujt, se çitke Amerika, gjujke me ajroplana, e “Na p’e rujmë”, thojshin gjermant’. I kurdis’shin ata qî kur t’vijnë ajroplanat m’i gju. E qe, qashtu.

IB: E me gjermanin mirë e paskët pasë?

ShG: Gjermani krejt mirë, po’ kur erdh puna bre me ikë, me shku gjermani, e patën qitë fare krejt, e kanë pas mytë gjermanin fort! Ata me turli haleti, me turli motori, me turli drame... gjermanë mâ. I mytshin k’ta.

IB: E me italianë?

ShG: Italjant? Maxhup ishin kânë! Italjant pulat s’na i lejshin rahat. Veç ata nuk bonën shumë dom, veç qî hishin qishtu, plaçkë hesâpi. Ja mishin ta marrshin, gjânë i marrshin, qishtu diçka. Masi s’na mytshin, kush e kish gajle... se gjithherë shpirti ma i amël se krejt!

IB: E qysh i ndajshe ti punt mrena n’shpi me kunatën tâne?

ShG: I dajsha punët me kunatën teme mirë boll.

IB: A e keni çu mirë a?

ShG: Jo, qî po t’thôm, po’ e kum çu mirë me kunatën, edhe me vjehrrën! E kum pasë vjehrrën t’mirë shumë. E kum pasë vjehrrën shoqën s’e ka pasë. Po e mërzime e shkreta, i shkoi djali. Kohë mas kohe i shkoi edhe çika tani n’Turki.

IB: N’atë periudhën kur ja nisën shqiptarët me dalë?

ShG: Po, qat’here çika i ka pas dalë. Me nî djalë veç, se e pat atë djalë, me atë djalë shkun - me burrë edhe me djalë, e me kunetë, e me... Plot shkojshin at’here, qysh po shkojnë n’Kanadë. Tash n’Kanadë bile ma nryshi pak, a at’herë torishtë krejt. Pa hangër, pa pi, s’kishin çka me marrë, as ça me lânë.

IB: E ju pse s’shkut n’Turqi?

ShG: Jo, na tullusum e kemi pasë. Tullusum e kemi pasë Turqinë edhe gjithë tollusum e kemi. A ky ish kânë si turqeli, burri i kunatës tême, e tani ai shkoi me qata. Nânën e ka pasë turqeli.

IB: A keni pasë ju odë aty n’shpi?

ShG: Po, kemi pasë ôdë. Kemi pasë ôdën... jo, qî po t’thôm, po sot at’far’ ode me pasë, as s’ka restoran, as s’ka byrmilet, as... e ktyneherit, t’marume mirë. Shtrojë, mlojë, jâna, sexhâdet, e krejt t’leshit t’marume. Sa insâni hike n’atë ôdë, e sa musafiri... non-stop kemi pasë se u kânë oda e përmêne. Babgjyshi jem ish kânë Nezir Kukavica, Nezir Xhymshiti, ai ish kânë i përmênun n’atë vakt, e i njoftun. Po. Tani, kahmos... se na jemi kânë pak ma n’centër prej ktyne veneve - Mareci, Zajqevci, Dabishevci, k’to venet henez... henez anej. E shehrin ngat... bisbitevi t’hanën u shprazshin te na n’ôdë. Me kuaj, me... kompira çojshin me shitë gjynahit, se tybe s’kishin çka me hangër. I ngarkojshin kuajt me kompira, e i çojshin me i shitë n’Prishtinë. Merre me men’ çfarë jete! Tani t’nestrit apet u kthejshin aty, t’martën. I kryjshin punt n’Prishtinë, e u kthejshin aty. Ô Zot, sa buka u dhajke, sa buka u dhajke, e sa puna dalke. Nga, e nga... veç ujë me ju dhânë gjithë atyne gjinve, hajmedet...

IB: A ka pasë... se n’oda u pleqnu edhe kur s’e kanë çu mirë njerzit n’mes veti a familjet, a ka pasë asi rasti?

ShG: Na shumë e kemi pasë mirë, e kemi çu mirë. Bâba jem i smutë... Edhe te burri qashtu me odë ish kânë, se nëpër vene... si n’stanicë kur ôshtë. Edhe atje te bâba jimi kânë nifarë vêni si n’qendër, po t’thôm, edhe t’katuneve tjera aty u zbrazshin. Edhe k’tu, n’Mramor, kishe ma ngat prej Prishtine, ô Zoti na rujt, veç vlojke insâni. Pasha Zotin, u çojke vjehrra e jeme, gjynahit... gatujshe, gatujshe... s’metke! Për ata plot. U çojke, e qitke një buknore, tybe n’î metke me hangër maxhetorja bukë, se s’metke! Gjithë ai insan! E qishtu, hjekat. Pasul shtishëm nî vegsh, vegsh i kanë thânë. Nî vegsh i madh, pasha Zotin, s’metke fija edhe për neve hiç. E qishtu. E hangshin mysafirt, vu e vu e vu. Ça me bâ...? Vallahi, gratë e ktyneherit jonë kânë t’forta, kanë qinru, kanë punu, kanë dhânë bukë shumë, vue, vue, vue... me thmi, e me gjâ, e me tana.

IB: Ça gatujshit diçka ma t’veçantë najhere?

ShG: Eh, ma t’veçantë për mysafirë, për shpejtë... naj krelânë. A e din ça ô krelânë? Nej krelânë e qitshim ma shpejtë, se ‘jonë ardhë mysafirt, ça me ju bâ?’. Bukë e djathë ka pasë boll. Bylmet k’shtu, po. Tamël, e kos, e... Qato i kemi pasë, qato ja’u mërthejshim. Çka mujshim, çka kishum. E t’veçantë - bukë pogaqe qitshum, ma shpejtë... me dalë ma shpejtë. Jonë kânë do t’mira se ka pasë. Blmeti, u kânë interesant qî ka pasë bylmet. Pjekshum flija pa dâ hiç. Pa dâ hiç, jo. Po’, bile n’javt nî here pa i pjekë ka tri-katër [3-4] flia s’u metë. Po. E tani... qe qishtu, krejt.

IB: E a i veshë ti veshat komtare? A keni nêjt me tesha komtare?

ShG: Kush bre? Une s’kum pasë hiç kurgjo! Jo, s’kum pasë hiç. S’kum pasë se s’ke vâkti at’here hiç. Mî prunën kishe do troha, dimia t’mavihta. Kurgjo hiç s’e kishe, kumash, si shkumë, si kurgjo. Nî [1] xhaket’, do diçka, do... s’kum pasë. S’kum pasë.

IB: E kshtu a ke punu n’vek?

ShG: Kum punu n’vek. Me pasë... Ma prunën nî [1] top, vjehrri ma pruni nî [1] top pamuk, po... as nuk ëm pruni kurgjo tjetër. Ai pamuki don bugosi, don qenarë, don sene. E veç i bâna túb do qaso, pak e shumë, sa me i veshë... sikur tash nî pixhamë.

IB: E çka punojshe at’here n’vek? A ke punu edhe naj qilim?

ShG: Gjithçka. Po, kum punu qylym, kum punue jan, kum punue sexhade, po’ jo t’mijat, po’ t’kunatave tani. U fejun ato. Ata ju prujshin, e une ju nimojsha. Bara me to kum punu, pasha Zotin. Jan... janin sa ktu e atje. Pshellakë, pshellaktë vet i kum pas tjerrë e marue për veti.

IB: E qysh, qysh i marojshe?

ShG: Me vek. I marojsha kshtut me vija, a përmas, a e din, kryesoret kur i nisshe, pak ja nisshe diçka, edhe n’këtë anë, edhe n’atë anë, dy [2] pollë. A din? Ti tybe s’i din çka janë!

IB: Ja, ja i di une. I kom msu, hiç mos ki problem.

ShG: Nime?

IB: Po!

ShG: E qe, qishtu. Vallahi, i marojsha t’mira. K’shtu me kânë... për at’herë jonë kânë t’mira, tash kush po t’i vetë mâ? Shkun ato!

IB: Veç jonë kânë t’bukura me i pâ, a?

ShG: Po, t’bukra. Pshtjellak t’rrehën! Tani pshtjellak bogosisë, me bogosi me maru, pa t’lesht hiç... për merak. Ehhh... qishtu.

IB: Çfarë ngjyrash? A veç bardh e zi?

ShG: Kuq. I kuq. Bogosia e kuqe edhe me vija t’zeza. E dajshe, a din, me vija-vija (lëvizë gishtat për të ilustruar). A p’i sheh n’televizor, do po lujnë, jonë si t’ktyneherit. Po’ jo, ma ndryshi ata... âna e ktyne qî kanë punu, ma ndryshe kanë punu, na n’Kosovë ndryshe e kemi veshën.

IB: A jonë kânë, për shembull, teshat ndryshe për gra t’martume, për gra ma t’moshume...?

ShG: Po, jonë kânë. Për atâ qî i ka bâ jonë kanë, për atâ qî s’i ka bâ... ça ka qëllu ka veshë.

IB: E për ato qî kanë pasë... qysh e dallojshe ti nî gru që është e martume, njo e fejume?

ShG: Qysh e dallojshe? Unë e kisha n’shpi! E kisha n’shpi, e pajsha.

IB: E n’bazë t’veshës a ke mujt me dallu qî nî gru është ma e moshume?

ShG: Po, se e vishke pshtellakun t’zi krejt. Do servete t’zeza, servete ju thojshin... si une që e kom vnu qitâ, servete, i vnojshin plakat. Qe, qishtu. Edhe une p’e bâj, po narth. Qe, qashtu plakat, gjithkun plakat. A kjo âna knena, dikun-dikun, do plaka... valla, lakmi ju merr. Kjo âna e jonë nuk u kânë, a di, e përparume. Ma s’pari shköllë s’ka pasë. Kunatat e mija... i kum pasë do kunata, secila ma e mirë se shoqja u kânë. Motrat e burrit. Ô Zoti na rujt... i thirrshin me shku n’shköllë, nifarë vâkti erdh, nuk i lejshin me shku, nuk i lejshin me shku! Bâba i vet i thojke, “Tapallo! Tapallo e mos shko n’shköllë.”. Po, se mos po t’merr na kush. T’prapt jonë kânë. A di, do sene... jonë kânë t’pakuptum gjinja. E s’jonë shkollue asnjâ. Sod jonë ato, tana jonë sikur une.

IB: A e keni festu ju at’here Shëngjergjin, hashuret e kto...? Qysh i festojshit at’here ju?

ShG: Shingjergji - Shingjergj. Qat natë qî ish nata e Shingjergjit, përshesh me tamël... marojshum përshesh me tamël, bukë t’kallamojt’. E vlojshim tamlin nî kusi t’madhe e përshesh’shum qat’ natë. T’nestrit ja e prejshum nej kingj, nejherë, ja flia pjekshum. Qe qishtu. Diçka, diçka...

IB: E kshtu a keni pasë naj traditë, për shembull, për mos me t’ra msysh, a mos me t’ndodhë diçka e keqe, për Shëngjergj?

ShG: Jo, çfart’. Jo tybe, kurrë. Na jo, ana e jonë. Na jo. Pâlla s’na ka hangër hiç fort.

IB: A s’keni pasë ksi bestytni?

ShG: Jo, jo, jo. S’kemi pasë. Nuk kemi pasë. E kemi çu mirë. Jîmi kânë nifarë katuni te bâba, tubë jemi kânë, nifarë... s’di qysh me thânë... nja nizet [20] shpi. U knaqshim nërmjê veti, a din, me ardhë, me shku, me hi, me dalë. Marrshëm ujë... n’nî krue kemi marrë. Kroni, p’e din? Nî krue kemi marrë ujë krejt. Qitke ai krue sa qikjo, qikaq, kurrë pa u nalë hiç, hiç. Bâba i jem e kish pas marue atë krue. Ja kish pas lânë nana e vet miraz. Miraz - a e din kujna i kanë thânë? S’kish pasë ajo n’opqinë kërkan, e hisen e opçinës e ka marrë, qatina i kanë thânë miraz. E bâba i jem tani çka me i bâ, e ka marue çeshmën për qata. Sot ôshtë ajo çeshme. Tash n’atë venin tonë ku jemi kânë, k’shtu gjinja jonë dalë, po kanë dalë k’ta kryesia, interesant, kanë dalë po marojnë vikendica, se ôshtë veni shumë i mirë, si me kânë Brezovicë ôshtë. Mal, e i naltë, e i ajrosun, e... E po marojnë tash. Krejt prej khâhit po shkojnë, e po i marojnë atje vikendica. E na s’kemi mujt. Na gjânë i kullotshmi aty.

IB: E hashuret? Metëm te hashuret?

ShG: Hashuret? Na nuk i kemi respektu fort hashuret. A te dajt e mi, Marevci, jonë kânë koxha si t’përzimë me Dervish, e ata i marojshin mirë hashuret. Aaa... dernam bojshin. Bojshin turlifarë... thojshin... s’i maj n’men’ shumë, se s’shkojshmi, se na me bâbë t’smutë, e me punë t’dyjallakut, e ata ndryshi e kanë pasë, hashuret ndryshi. Bajramat si gjithkun. Bajramat n’xhami, n’shpi me tana t’mirat, si Bajram. Qe, qishtu. Qirat qashtu... a di, kur e kanë vaktin i majmë, qirat. Kah feja u kânë ktynehere pak ma shumë, tash e kanë qitë, e kanë lânë. Tybe kush, pâlla...

IB: E at’here ju jeni kânë myslimanë krejt, a po? Fe islame?

ShG: Po, de. Fe islame, turqî... si turqisht ma shumë. Hoxhën e kena pasë si turqeli, turqeli u kânë. Unë për veti... kemi ninue tekteri qe... dhetë [10] vjet i ka, dhetë [10] vjet i ka qî kum ninu. Kemi ninu krejt. Qitashti tybe n’po ninon kërkush, aty-ktu naj kush. A ninoni ju?

IB: Po.

ShG: Eh... nuk ninohet te na, jo. Jo, se p’i lexojnë librat, ilâ po thonë, “Feja e shqiptarit ôshtë e jona. Shqiptaria ôshtë e jona. Turqit jonë turqî, e i majnë fetë e veta. Na i majmë tonat.”. Qe qishtu, s’po ninojnë.

IB: E at’here njerzt, katunart, e ngojshin hoxhën a ?

ShG: At’here, hoxhën. Pooo. E majshum hoxhën. Ka nî [1] mu’j Ramazan, prej ode s’dalke. Çka ô nî e mirë e Zotit u pritke për hoxhën, e ju qitke hoxhës përpara, se ‘po na i man’ Ramazanin’. Knojke... a di, dalke n’oborr e knojke ‘Allahu Ekbeeeer, Allahu Ekbeeeer...’, si qyky n’xhami qî po knon. Qishtu. E tani u lânë ajo. Kërkush s’e ninon. N’shpi teme veç reja e madhe po ninon. Ôshtë e Mitrovicës e po ninon. E kish pasë nânën boshnjaki, tani e kanë marrë qat...

IB: Çfarë jete ke pasë me burrin tôn’?

ShG: Me burrin tem shumë mirë e kum pasë. A t’kallxova edhe pâre? Kurrë, ymër e bet... nî [1] idhnim prej tina kurrë, ymër e bet, s’e di. Veç çka e ka pasë zanât, u kânë e mira e hallkut. K’shtu për veti kurrë... sen’ n’dyjâ kurrë nuk blejke, pak si tahmaqâr u kânë. Vallahi, po (qesh). Nuk ta dhajke dinarin. Ktyneherë dinarë s’kishmi na gratë n’dorë, e ti s’kishe. Hajt... nëpër hallk - kush ja lypke. Edhe ai ja ka majtë koxho kah feja, u falë gjithë. U dekë me avdes, me avdes u dekë, pasha Zoti. Mângt’, qishtu t’përvjelta mângt’ i ka pasë kur u dekë, me marrë avdes...

IB: Sa fëmijë bashkë i keni bo?

ShG: Gjashtë [6]. Qita qî i kemi. Qita i kemi bâ, qita i kemi. Ishalla i lâ përmas edhe unë.

IB: Ishalla, me ymër e me shnetë. A e keni pasë vshtirë me i rritë fmitë?

ShG: Poj tybe... po bjê fjala me livdu vetën njeri, veç tybe s’i kum lânë me hjekë keq. Nuk i kum lânë me hjekë keq thminë, se i kum ardhë rreth. Jo, qî po t’thôm, po i kom dhânë vetit zahmêt thminë mos me i lânë me hjekë keq. Me i lâ, me i çpërlâ, s’ma ka mujtë zdrali, s’ma ka mujtë pisllaki, s’ma ka mujtë hiç, hiç. A di, sikur disa qî... A e kemi pasë njâ n’shpi, i dekshin fmija qî s’mujke m’i majtë. I dekshin se u sparitshin pa lâ, pa u... u sparitshin. Ju kputke qafa k’tu. Ç’ka s’ka, a din, turli njeri. Falë Zoti, jo. Thminë valla, i kum rritë sikur plluma. Se po e livdoj vetën (qesh), po nuk po thôm me u livdu, po qashtu u kânë. Kurrë t’smutë s’i kum pasë, kurrë. Pak edhe ajri u kânë i mirë anena, a e din, qaj ajri i majke nashti.

IB: E me u smu naj fmi a diçka, a keni pasë diçka qî keni përgaditë vet m’ja kalu gripin, a flamën a?

ShG: E i dhajshim diçka, i dhajshim nejfarë sirupi. E prujshum te mjeku. E prujshim te mjeku. U kânë nî mjek n’Kishnicë, qaty ma s’ngati. Te mjeku n’Kishnicë, a pe din? S’mu kanë smu, s’kum pasë problem me ta kurrë.

IB: Shyqyr! Shumë mirë. E kohën e Rankoviqit qysh e keni kalu?

ShG: Kurqysh. Edhe koha e Rankoviqit për t’zi u kânë. Sen’ t’hajrit s’na ka bâ qî me thânë. Hiç, hiç, hiç. Veç edhe qyky qitash... a nashti keq ô me thânë, veç edhe qikjo parti, e hamam, e... qitash qî erdh mas lufte... kemi pasë ymyt qî po bâhët diçka kishe ma mirë, ai veç u bâ kurqysh hiç. A p’e sheh edhe ti? A p’e shihni edhe vet? Çka u bâ? Kurgja s’u bâ.

IB: E tani kur erdh Tita? Ma mirë m’dokët...

ShG: Tita ma mirë. Nihere tej u vnue n’trâ, si thonë nî fjalë. Kurgjo... ish kânë i fikt, njeri i fikt ish kânë. Kur u ardhë, i fikt. Po’, dej i murrë kâmt... U çu n’kâmë. Pasha Zotin, tani kemi kalue mirë. Me Titën mirë kemi kalu.

IB: A ja nisët me punu naj kush n’shpi?

ShG: Ja nisëm me punu krejt. Krejt hinën nëpër puna. Tani edhe diçka marë na shkojke puna - a na i dha librezat, a na i dha do t’drejta, a di, për jetë, ma mirë se qitash. Se qitash kurrçfarë t’drejte s’po kie, hiç.

IB: Çka punojshi at’here nëpër shpi? 

ShG: Në shpi, punët e grave - me fshi, me ldirë, me qitë pleh, me hjekë pleh, nëpër âra... qe, qashtu. Me rritë kingja, me rritë edha, me rritë qato. Thminë mâ i kemi pasë n’ren’ t’parë.

IB: E kshtu, a keni pasë t’drejta ju gratë? A ma shumë burrat kanë folë?

ShG: Çfarë t’drejte gratë! Kurgjâ s’kemi pasë drejta. Kurrë hiç, kurrë hiç, vallahi. Ja, ku... qî s’ke ni sen’, qî s’e ke ditë kah me hi as kah me dalë. E pa dalne e pa hime... si ajo, si ajo, si ajo. Qe, qashtu. T’pa t’fillum gjinja jonë kânë. Po, dikur... tani me fshi, me ldirë, me lâ, me çpërlâ... kah shpia me kânë paqt, t’fshimë, t’ldirun, t’lâmë, t’çpërlâmë, tesha, sene, a di... e jo, tjetër sen’ s’kemi pasë.

IB: Burrat n’kohë t’Titës ça ja nisën me punu... qî hinën nëpër puna?

ShG: N’Maden. Burri i jem n’Maden ka hi. Burri e qyky Beqa, djali i madh, ka punu n’Maden. N’Kishnicë, Novobërdë, n’Mitrovicë... qysh po i thojnë qati vêni n’Mitrovicë, vêni Madeni që ô...?

IB: N’Trepçë naj kun a?

ShG: N’Trepçë! Qe, qashtu. Ai... kur ja nisën me punue u bâ mirë puna, po k’ta hjekshin, boll zahmet tybe, se u kânë rrezik edhe Madeni. Vallahi, ardhke... dy-tri [2-3] herë m’ka ardhë burri i qallamit’t. I qallamit’t. I râjke... ku me ditë, se s’di sa pash fell u kânë. Ti, Madenit ja ke ni zânin... e nuk u kânë kollaj me punue n’Maden, veç u duhke. U duhke dikush. Po’, tej qî hinën n’Maden, as krypë s’kishuim me çka me ble. Jo, s’kishe. Dinarin s’e kishe kërka, pa dinarë s’bâhët kurgjâ. E... çka me bâ.

IB: E mas Titës qî erdh, u përkeqsu situata qat’herë n’vitet e tedheta [80]... qysh e çojshit ju?

ShG: Mas Tite... masi qî ‘diq Tita, meniherë ja nisi me u keqsue, vallahi, gjendja. Meniherë ja nisi. Ja nisi i mytshin tani, ushtrinë, a e din, i mytshin. N’ushtri e çojshe, kur t’ardhke - n’sanak! E qe qashtu, turlifarë kjameti. Turlifarë kjameti. Vallahi, ai ish kânë njeri i mirë, po e myti... thojshin, ‘gruja e vet’! Qishtu thojshin. Gruja e vet ish kânë drazhevce e fortë. E myti, ‘se po ju man pajë shqiptarve’...!

IB: E luftën e fundit qysh e ke përjetu? Luftën e fundit në Kosovë.

ShG: Kjo qitash qî ke? Allah, Allah, Suphân Allah... kjamet!

IB: A jeni kânë k’tu, a jeni dalë najkah?

ShG: Na... unë me plakin tem edhe me qit Tatimën jimi shku n’Turki. N’Turki na çoi ky djali i jem, Bedrija, tha, “Bile juve t’ju hjeki.”. Bôll tham, “Jo, e jo, e jo... na po rrimë n’shpi. Po rrimë n’shpi, shkoni ju, sen’ s’na gjânë.”. Ne na qitën. I kish nxjerrë biletat. “Dilni n’filan ven’...”, qatje ardhke autobusi, qatje poshtë te pazari, “edhe keni me shkue. Ju s’un ecni, s’un ngani, s’un ikni...”. Nime qashtu ish kânë, se të dytë... edhe ai u kânë i smutë, i ka pasë metë cilikoza, i thojshin cilikozë, qî ka punue n’Maden. Veç, u kânë merakli n’tana senet - me punue, me gjallnue, me majtë shpi... u munojke.

IB: Edhe hypët n’autobus e shkut a?

ShG: Tanaj, na hypëm n’autobus. Shkum me Fatimën, me Donikën, Donika u kânë e vocërr, po’ e murëm atë Donikë. Ô Zot, ô Zot... çka kemi pas hjekë. Mu dhimke çika, e s’nejke. Edhe k’ta si t’pasâbër, k’ta far’ turqelitë. Aaa... kjamet e bajshin qî u dufke me yshqye atë fmijë, e me majtë. Kajke e kajke... e lypke, bêzbeli me dalë pak, bâbën e vet e nânën e vet. Çikën e ka pasë kunata e jeme t’mirë shumë. Qajo çikë i ka ardhë rreth Fatimës me gjithë çikë.

IB: Veç atje s’ju pritën mirë, n’Turqi?

ShG: Jo valla, jo. Vallahi jo. Hiç. N’Turqi... ka pritë, more vallha, kumedit’ sa konvikti u kôn pas marue, po’ na nuk shkum te ata, shkum te kunata. Kishe... budallë. Te kunata shkum. Ata n’konvikt ma mirë kalun se na. Po, as s’u ka thânë dikush ‘çka po bani, as çka s’po bani, a qysh po bani, a tek’... hiç! Shumë mirë kanë kalu k’ta n’konvikt n’Turki. Na kalum... Nejse, tre [3] mu’j.

IB: Qysh t’u dok’ke Turqia ty? A pate mundësi me dalë pak me pâ?

ShG: Kërqysh. Allahile, hiqmu! Toka e keqe m’u dok’. Edhe... toka e keqe, zahêr prej mërzie, se i lamë khâ, plot shpinë e lamë. I lamë djelt, e i lamë... A ish kôn shku Bedria, i kish rrokë fminë, nôn’ [9] vetë i kish qitë n’kerr me i çue, e me shkue atje te Lumja, n’Tetovë. Nôn’ [9] vetë i kish qitë n’kerr. Desh i kishin pas mytë n’udhe shkíet. Tha, “Na dulën me tenka.”. Ymrin e kishin pasë, kishin pshtu dyqysh. Nôn’ [9] ditë udhë kanë bâ tej jonë shku n’Tetovë. Qishtu pêj udhve t’zanta, kjamet. Ohhhhhh...

IB: Se nashta ja ke nisë me u lodhë?

ShG: Kanë hjekë, kanë hjekë... jo m’u lodhë, po’ qî pî menoj k’to, a di... nuk ô kallaj. E Beqa met k’tu, qyky djali i madh met k’tu me gjithë Kimetin, me gjithë gru. Djali met k’tu. Ô Zot, ô Zot... nijshum çkamos! Nijtëm nî herë qî e kanë mytë, nijtëm nî herë qî u hupë, tani nijtëm qî e kanë mytë... na atje n’Turki! Kuku, kuku... Qikjo Fatimja ôshtë... shumë ôshtë, s’un e zapon vetën. N’desh u tranu, n’desh u tranu çika... Qashtu.

IB: E ju para luftës paskit ardhë n’Prishtinë me jetu a?

ShG: Po. Na jemi kânë k’tu n’Prishtinë qe sa vjet.

IB: E qysh vendosët me ardhë prej Mramorit n’Prishtinë?

ShG: Para lufte jemi ardhë na... qe pesëdhjetë [50] vjet gati jemi ardhë k’tu. Vendosëm me ardhë n’Prishtinë... burri n’Maden tu punue, djelt... thmija m’u banën për shköllë. Ky, Beqa, u bâ për shköllë. Atje u kânë shumë prapshti me shku n’shköllë. E n’s’di sa vena me kapërcy rekën u dufke, e me shkue thmija... nëpër ujë me shku te shkölla. E qashtu, do kushte qî atje s’ishin... Prishtina larg... na larg me sene. Opqina m’patën ardhë k’tu mue, tani diçka p’ê kie nî vullnet. E qashtu, erdhëm. Erdhëm për me u kthy kishe. Erdhëm - i nreqëm do punë, t’fillohen fmija, e sene... kthehmi apet. Pasha Zotin, kur dashtëm me u kthye, s’na la kunati n’shpi me shkue!

IB: A po? Pse ashtu?

ShG: “Îni dalë”, tha, “udha e marë û koftë. Knena mos kqyrni.”, “Po a?”, burri jem, “A po? Qashtu u bâ puna a?”. A me rrogën e tina u ble ai ven’ ma s’shumti, se khâ punojke, marrke pare. Po, s’na la. Veç me râ n’belâ me tâ! E metëm tani. Qishtu.

IB: E ju s’murët hise atje?

ShG: Joooo... Ku metëm? Erdhëm, hinëm me nî shpi t’magjupve qitu... qitu ôshtë temeli i magjupve halâ. Qaty s’di sa pa shpi. E keqe ajo, pik’ke, anej, knej. Nî ditë, ori bi... veç kur i râ tavâni! Thmija shtrit n’krevet, veç kur râ! Selveti u kânë, Bedria... k’ta dy [2] jonë kânë. Râ tâvani. Ktynehere me lloq e marojshin tavânin. Kish râ. Hjeka... Gjynahit... desh m’shkun fmija, desh u tranova (ofshan).

IB: Qysh tu dok’ke Prishtina ty at’here?

ShG: At’here... po’, kush i kish bâ kushtet, mirë u kânë. Po’ na, a po t’thôm, veç se hinëm, n’bërllog t’magjupve hinëm. Po’, tani ça kemi hjekë. Hiç, hiç, hiç, hiç, munou, munou, puno, puno, puno, puno, puno... Vallahi, ma shumë se burri kum punu... pasha Zotin. Edhe ai, po’... edhe ai pak si i dershëm, pak si i smutë, e s’mujke. Une bara me tô. Tani edhe Beqa u bâ, djali, punojshum. E marum niherë qit shpi qaty, lule’beg na u dok’ke ajo kur e marum. I marum tri-katër [3-4] soba, podrum. Mirë boll. U martun djelt, tani u rrit hesâpi. E qashtu. Hiq aty, hiq aty, hiq aty... tani shkum edhe n’katun e marum nî [1] shpi.

IB: A po a? Çka tha kunati?

ShG: Kunati... tani shkun e dajtën hisën. E dajtën tani hisën. E tani n’hise tonë e marum nî [1] shpi atje.

IB: A pranoi ai tani me nda hisën, a?

ShG: Kush po e vetë? Vjehrrinë i kum pasë, kush po e vetë?! Jo, po... u dufke valla me vetë, se u kânë i shtirë. Kuku... pasha Zotin, me pushkë n’krah i nêjke burrit tem. Pasha Zotin, me pushkë n’krah i nêjke. “Ke desht Prishtinë? Shko! K’tu mos um hajde. N’sakak e nalt um del... si t’dalsh n’sakak e nalt, pushka t’prit!”. Pasha Zotin! Ai i britke tybe, plaki, bâba i djalit. Bâbë si për atâ, si për atâ... po’, ai idiot u kânë.

IB: A t’kujtohet ty për herë t’parë kur e ke pâ televizorin?

ShG: Qysh nuk um kujtohet!?

IB: Çka tu dok’ke at’here, a tu dok’ke interesant?

ShG: Qysh nuk mu dok’ke! Sefte qî me pâ te na, te vllaznia. Ata jonë kôn ardhë para neve, edhe meniherë jonë kânë ma me kushte ma t’mira, me shpi, e me gjallni... e kanë venin t’mirë shumë. A po e din ku? Qaty te kjo shkolla. Qysh ke kjo... qî kanë msue thmija n’ta, qitu...?

IB: Gjergj Fishta?

ShG: Te Gjergj Fishta. Qaty unë... e bâbës tem u kânë qajo shköllë, ku u maru shkolla. Po, tybe. E qaty e kum pâ televizorin, sefte qaty e kum pâ. Tani n’shpi teme e blejtëm. Televizor blejtëm, u nreqëm pak, u shtërngum pak. Klejin e kqyrshum, bokser qî u kânë... 

IB: Po a? A tu dok’ke interesant ty?

ShG: Po, s’kishum pasë tjerë! S’kishe ça kqyrë tjetër sen. Klejin me Fejzer, qata. Qishtu, me fmijë e me vjehrri. Vjehrrinë i kûm pasë me veti gjithë tej jonë dekë. Po, tybe.

IB: Po a? Edhe mirë e ke çu me ta?

ShG: Vollahi, po. Vallahi, po... beriqât versën. Mâ me vjehrrën...! Vjehrri ashtu... ashtu, u kânë i qetë, i rrebavt do herë, po’ çka me bâ... dalke e shkojke. Vjehrra u kânë shumë e mirë,vjehrra. Ori a e ke pi kafën ti?

IB: Edhe ti pije kafën se paske metë pa pi!

ShG: E ti? Çka ki ti? A çaj a kafe?

IB: Jo. Unë e kom nî lang, se une kafe s’pi.

ShG: Allahile? Kjo tek u bâ rasoj! (qesh)

IB: M’fal se t’kom lânë krejt pa pi, e na tu bo muhabet kena harru krejt!

ShG: Jo, bre! Pune e madhe! Ani çka? Faleminerës shumë qî je ardhë, e po hjekë zahmet! Aj shkun... na lanë! Tek u kapë! Çka thojnë mori [për kafe]? Melaqet e Zotit!

IB: Çka thojshin at’here kur u kapke kafja?

ShG: Thojshin, “Gzohësh”.

IB: A po a? A keni kqyrë filxhana at’here?

ShG: Dikush i kqyrke, dikush jo. Nî çikë e vllaut tem ka pasë marak me i kqyrë.

IB: A po a? A ta qëllojke najhere?

ShG: Rrejke çamos! Thojsha, “Po rren’, Selvi!”. A pe din kush ôshtë çika e vllaut tem? Ajo n’televizor del, knon - Selvie Xhymshiti (pin kafe). Selvie Xhymshiti. Valla, bâbën ja mytën, bâbën ja mytën. Mu m’i mytën tani vllazninë, oj löqka jeme...

IB: A po a?

ShG: Po. Qit’ bâbën e Selvisë e mytën.

IB: N’luftën e fundit a?

ShG: Jo, tybe. N’luftën e funit jo, po’ n’shköllë!

IB: E qysh?

ShG: Msus u kânë, e u shku ma ka mytë i Laishevcit. Ma ka mytë i Laishevcit, pa sen’ n’dyjêt. Ky u kânë tu i msu thminë, po jonë ngucë thmija nërmjê’ veti. Jonë ngucë fmija nërmjê’ veti, ky u ka tërhjekë vrejtjen, “Mos”. Edhe... ata dy [2] thmija, thmija e vllaznive edhe t’motrave jonë kânë, e jonë ngucë nërmjê’ veti... ky me i hi nërmjet me i drejtu. Ai hiiiii ja ka nisë me kajtë djali kishe, e u shkue drejt... majmuna jonë kânë ata Laishevcat, idiota jonë kânë... e u shku i ka thânë, “M’rrehi msusi.”. Ai hygjym... njâ, t’dytën e kapë alltinë e i ka hi n’shköllë! I ka hi n’shköllë, n’zyre, “Pse ma ke rreh djalin?”, ky i ka thânë, “Nazmi a p’e din për çka e kûm rreh? Se jonë ngucë nërmjê’ veti!”. Qe, qaty ka qitë meniherë tan-tap! E qashtu, kjamet.

IB: Edhe e ka gjujt a?

ShG: E ka gjujt edhe i ka ra n’kâmë! I ka ra n’kâmë. Kërkush s’ka nga me thânë me i bâ ilaç... at’herë kanë pasë mundsi. N’kâmë... tash çkamos po bâjnë... po’, ju ka derdhë gjaki, s’ja ka nalë kërkush. Kush me pru n’Prishtinë...? E kanë qitë me nî fiqë, e kanë pru n’Prishtinë. Tha... Kur erdh n’maje Veterniki, tha... a ka thânë n’Prishtinë, a... “Shkova”, veç fjalën e mramë tha, “Maje Veterniku e ka folë qî ‘shkova’ edhe diq.”.

IB: E vllazninë e tjerë?

ShG: Tjert i kom vllazninë. Njo [1] e kom tash. Njo [1] m’diq prej egjeli, edhe tjetrin qashtu fatkeqsi e keqe, ma mytën. T’Malit t’Zi ma kanë pas mytë. Dy [2] vllazni. Ky, Laishevci, a atâ t’Malit t’Zi ma kanë mytë Vuthajt.

IB: E a rât’ n’gjak tani me qit njerin qî ta ka vra vllaun?

ShG: Po, râm n’gjak. E u soll, u pshtoll... e myti qit tjetrin vlla tani. Me k’tâ s’râm, ky hini n’belê me neve.

IB: E ça u bâ? A u dënu? A shkoi n’burg tani ai qî e ka vra me allti?

ShG: Shkoi tybe n’burg, nî trohë, pak. “Ardhke”, thojshin, se jonë kânë... me shkíe ka punu, “Pêj burgut dalke e vike te shpia.”.

IB: E ju sen’ s’i bonët atij?

ShG: Na sen’ s’i bonëm. Zotit ja lamë hak, hyzmet, Zotit ja lam. Jo, qî po t’thôm... Zoti me t’madh t’vet, djalin e tina, t’vllait, tani kur jonë shkue n’dugajë, se dugajën e ka qaty tu shkolla ku u kânë, e kanë gjetë t’premë! Krytë sikur pulë ja kish pre dikush, e ja kish lânë n’shköllë. Qaty, n’vend t’punës. Zoti me t’madh t’vet. Ja lam Zotit... na Zotit ja lam. Se dalke qyky... a din, qî i pajtojshin gjaqet, u munojke me qata, ja falëm.

IB: Me qat lëvizje t’Anton Çetës, a?

ShG: Po. E falëm. Ja lam Zotit edhe Anton Çeta... e hak’hyqmêt. Ai djalë i shkoi, e tjetri... ja shkelën. Nuk ka shku hiç shumë, shpejtë... ju kanë bâ kërrsh! Ja ka bâ Zoti n’atë ven’. A mytët msusi pa far’... sen’ n’dyjê, pa kurgjâ hiç, veç ‘qî m’ka ardhë djali tu kajt’, qî ja ka ngrehë nî vesh nî trohë!? E qe, qishtu. Jonë kânë gjinja... dikush, dikush ma... edhe sot jonë te ta qashtu, atje. Edhe sot mos paq punë me ta.

IB: Ani, pra loke. Unë s’po t’lodhi ma shumë...

ShG: Faleminer’ shumë edhe pêj teje, se une... m’tha Selveti, po i thashë, “S’di, bre nânë...”.

IB: Ja, valla... ke dit boll. Hiç mos u bo marak!

ShG: Nuk di. A di... s’di qysh po dinë t’tashit, e qysh po dinë t’shkollumit...

IB: Shumë mirë ôshtë! Faleminderit shumë për intervistën, edhe e paq shëndetin e mirë.

ShG: Ishalla për t’mirë gjithmonë.