Xufë Rexhaj Shala

Intervistuar nga: Marigona Dubovci

Me punë, me punë t’shpisë qeshtu, me tokë, me mjellë kollomoqe, me mjellë grune, me mjellë qeso’ senesh, tanaj i kemi mjellë, tanaj i kemi

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

02.06.2018

Lokacioni i intervistës

Isniq, Deçan

Vendi i lindjës

Llukë

Tranksriptimi

MD: Sot, me dy [2] qershor të vitit dy mijë e tetëmbëdhjetë [2018], jemi në Isniq të Deçanit, në familjen Shala, pikërisht në shpinë e Xufe Rexhaj Shala, tedhet e pesë [85] vjeçare.

XSh: Po, tedhet e pesë [85].  

MD: Nana Xufë, faleminderit shumë që m’prite ktu në shtëpinë e juaj! 

XSh: Ohh, edhe ti faleminieres qe t’ka ra n’men mi pertri kto punë t’moçme.

MD: A m’tregon pak për fmininë tane, kur je kanë fmi; ku ke lind’? 

XSh: Une kum lind’ n’Llukë, e mu shkrué u shkrujshim n’Jerzniq, se nuk u shkrujshim n’Deçan at’her po n’Jerzniq – a e din ku â Jerzniqi? Ner Deçan, bukur poshtë âsht’ – qatje na shkrujshin. S’naj kishin shkru daten kurrniherë daten qysh duhet, veç bâ vaki mas dy [2] vjetve t’kanë shkru; s’t’kanë shkru n’qit datë. Dikush â para meje, dikush â mas meje. Qashtu. se s’jon kânë gjinja t’zhvillum’. 

MD: A m’tregon pak si fmi.... fmia i satë je kânë n’familje?

XSh: Une a? Fmija i shtatë jam kânë; ni moter para meje, une mas sej... shtatë i kemi pasë.

MD: Me çka u marr’ baba yt?

XSh: Baba jem a? Âsht’ marr’ per zote me gjithçka, baba jem me t’thyme t’durve e me çka ju bojke vaki dikuj diçka, ai e sherojke. Une pi’ atina e kum marr’ zanatin. 

MD: Qysh e ka pasë emrin baba?

XSh: Rexhë Mema. 

MD: Çfarë fisi jeni kânë atje? 

XSH: Na jemi kânë Shaljön. 

MD: A t’kujtohet, lagjja, sa mahalla i ka pasë? 

XSh: Lagjia i ka pasë tri [3], tri [3] mahalla jon kânë, tri shpi Memaj. Tri [3] shpi jemi kânë t’shokut qi jemi kânë Memaj, veç aj i ka pa’ kqyr’ mirë...

MD: Sa anëtarë jeni kânë n’shpi atëhere, ti që i man’ n’men si fmi?

XSh: Me ni shpia a... po vallai tetmedhet’ [18], tetmdhet’ [18] kemi jetu bashkë.

MD: Me çka u merrshi?

XSh: Me punë, me punë t’shpisë qeshtu, me tokë, me mjellë kollomoqe, me mjellë grune, me mjellë qeso’ senesh, tanaj i kemi mjellë, tanaj i kemi punu vet krejt.

MD: A m’tregon, qysh je kânë ti si fmi? Qysh e man’ n’mend veten?

XSh: Qysh e maj’ n’mend... valla s’kem pasë at’here... veç jemi kânë na motrat, qysh e maj’ mend, kemi hek’, keq veç me thânë qashtu... Ohh... vet m’i ru gjânë, vet me shku me punu n’fushë, me korrë, me qiru’, tanat u duft’ m’i i bâ, edhe me bâ punen e dor’s, qato’ u duft’ tana’ heret m’i bâ.

MD: Kush jua sigurojke materialin?

XSh: Nöna, nöna e sigurojke materialin...

MD: Ku e merrke?

XSh: At’here e bike shpia e burrit, e nöna na kontrollojke, na qitke perpara n’vek.

MD: Si fmi, a dilshi n’fushë me dhenë e dhi?

XSh: Po mor’, qysh jo, me dhenë... i kom rujt’ dhenë ja dymdhet [12] vjet.

MD: Ku i keni rujtë – qysh u qujt’ ajo bjeshkë?

XSh: Ahh, Zhlepi...

MD: A u bojke naj lojë aty si fmi, a t’kujtohet?

XSh: U bajke lojë qi tu knaqke zemra.

MD: Cilat janë kânë ato lojnat e para që i man’ mend ti?

XSh: Ato lojat e para, kur vike Barajami. Për ditë Bajrami, i bojshim midis stanishte rrethin me shati, edhe e qitshim shortin çikat, dikush mrena, dikush n’qat rreth mrena, dikush jashta mreni: çeke doren, e çekshim doren haha (qeshet), e ngrehshim kush fitojke, at’here hipshin n’shpinë e t’çojshin deri dikund, qishtu...

MD: E naj lojë tjeter n’fushë që e keni bô?

XSh: Si fmi qeshtu me guxha...

MD: Qysh u lujt’ ajo lojë?

XSh: Me guxha, e bojshin si qeshtu, qeshtu (e bën me dorë një rreth) biren ktu, edhe e lshojshim...

MD: Çka u kônë kjo që e lshojshit?

XSh: Hajadhé, ‘hajadhé’ i thojshin qati’ drunit, qati’ kunxhit ‘hajadhé’ i thojshin.

MD: Sa veta lujshi aty?

XSh: Valla qysh ishim... shkojshim me gjâ, qysh ishim; dikun bijshin tri [3], dikun bijshin katra [4]. E qitshim shortin, dikush mrena dikush jashtë, qeshtu lujshim, uhh... boll mirë u kânë, tash s’â mirë hiç.

MD: Kur fillove me u rritë, me u zhvillu... kur e kuptun’ që ti je e gatshme me u martu?

XSh: Kur i kum bâ shtatmdhetë [17] vjet. Shtatmdhetë [17] vjet kur i kum bâ, kanë nis’ gjinja po m’lypin.

MD: A jeni martu me ren, se ju kokit kânë motra shumë? A jeni martu me ren, a ka ndodh’ me u martu njôna pa ren?

XSh: Jo, Zoti na rujtë – veç me ren se pa ren s’bon hiç. T’lypshin e t’lypshin për pa ren, po nuk t’jepke baba... Zoti na rujt’, veç me ren.

MD: Kush t’nxjerri ty nuse? Kush ke msiti?

XSh: Ke msiti ni djalë i hall’s qitu n’Isniq, Miftar Dauti, u dekë...

MD: A u kôn’ njeri i besushëm?

XSh: Po njeri i mirë, nipash e kemi pasë. U kânë njeri i mirë, ni njeri i saktë...tri [3] vjet m’kanë lyp’ e z’dojke baba jem me m’dhanë: s’e jepi atje n’Isniq, Zoti na rujt’ – se jon’ kânë koloktiv. A e din çka o ‘koloktivi’!?

MD: Çka është koloktivi?

XSh: Zadrugë, jun kânë t’mirë, e thojke nuk e jepi se jon’ zadrugë. N’zadrugë me kôn’ i himë... i bajshe livadhet e arat e shka ishin i korrshe, i bojshe, e i dorezojshe n’zadrugë. A din tash? At’here normat t’i jepshin, qysh po punon t’i jepshin.

MD: Edhe nuk t’japi niher’?

XSh: Edhe s’i jepi, u bônë tri [3] vjet e, po thotë ky burri jem, “Vallai dej t’epet ajo çikë une nuk kom me nxônë nuse”.

MD: Ku kish ní ky për ty?

XSh: Kish ní aj, se e qitke atâ msitin, e porositke, thojke “dej t’epet, dej t’epet ajo çikë une nuk nxô nuse”, qishtu...at’here nuk u kqyrshin bijo sikur tash, tash faqja zezë: qaty e nxen’, qaty e len’, qaty... qishtu.

MD: Kur vendosi me t’dhânë – kush e bindi me t’dhânë, babën?

XSh: Kta s’u danë hiç, kta s’u danë hiç; lyp e lyp e lyp, at’here halla jeme, “Pse, bre Rexhë, nuk p’ja jep, se janë bâ marak me ia dhanë; pse s’p’ja jep?”, at’here u bind.”

MD: Edhe u fejove?

XSh: Edhe u fejova...

MD: Pa e pa kurrë?

XSh: Haj Zoti na rujt’.... as me pa, as me dit’ as, veç kur jam martu, t’ka hi n’qilir, s’ke dit’ tanshi a po t’hin tjeter kush a qaj, a... 

MD: Kush t’lajmëroi qe t’kanë feju?

XSh: Mu a?

MD: Po!

XSh: Jaaa, mu s’m’kallxojshin kerkush, u rujshin pi’ meje.

MD: E qysh e more vesh?

XSh: Po u rujshin pi’ meje, e mora vesh... kur dul vera, pranvera; për shembull, si qetash qështu, e prun’ ata do lesh me punue – a din çka â leshi? Po m’thojnë do çika shumë, “Oj Xufë, a e din se t’kanë dhânë?”...u merzita... e, u merzita qashtu, se thojsha “Jo, ky s’ka desht’ me m’dhânë ktu; tash çka tu’ ko’ bô? Qysh janë ata gjin’ e kush janë... at’here janë kânë ata n’zadrugë qyshtu, s’kish besa sen’ dyjet... e tanshi qeshtu, uhh... qysh u kânë jeta... mosvet.

MD: Sa vjet qëndrove e fejume?

XSh: Tri [3] vjet. 

MD: Çka ke bô në ato tri [3] vjet? 

XSh: Kurgjo hiç; çka bajsha te baba... punë t’shpisë e qeshtu, se kurgjo s’punojsha tjeter gjô... atje jo’ me gjâ, jo’ me lopë, jo’ me dhenë, jo’ me tokë, me qito. 

MD: A ndrroi veshja jote masi u fejove?

XSh: Jo, veç kum majt’ shami tana’ heret n’kry se jo...; flokë shumë e thojshin ô marre mos me majt’ shamijen n’kry, qeshtu... ehh moj nönë...

MD: E kur fillove me maru pajen, me maru n’vek?

XSh: At’here, masi jam martu, kom punue punë dore n’t’hujat, vishin me punu e me kep’ sanak, e me bâ vek, e me baâ qeso’. I bojsha me pare at’here, qaty tanshi kom fillu.

MD: A e dishe kuj ke me i maru? Çka ki me i maru’?

XSh: Po aty t’i bike burri, për shembull niqin [100] kut’ perlhurë i thojshin, edhe i lshojshe qato niqin [100] kut, i lshojshe edhe i mlojshe, i bojshe tanshi nja katerdhet [40] edhe tridhet [30] n’treqin [300] kut, qështu.

MD: A t’nimojke najkush për pajen, a krejt vet?

XSh: Ehh vallain, qështu çikat, shoqet u bajshim bashkë e t’nimojshin n’gjithçka.

MD: A ta knojshin naj kangë, kur marojshit n’vek?

XSh: Kur marojshim n’vek e knojshim ni kangë... 

MD: E, a t’kujtohet?

XSh: Pasha Zoten hahaha [qeshet] bukur fort i kom harru. Ehhh: 

Kush po ngjitet shpatit përpjetë, qajo çikë... (m’paskan dalë prej menq), 

Kush po ngjitet shpatit përpjetë; qajo çikë n’vitin e tretë; 

n’vitin e tretë, n’vitin e tretë, ta lypa stanin s’ta kom gjetë

  për me ardhë ni natë me fjet’; 

për ni natë nuk m’heket malli, për pa nejt’ tan’ veren te stani; 

ta lypa stanin, s’ta kom gjetë, për me ardhë edhe ni herë me fjet’ 

.... qëto... janë do kôngë kur pi qesin n’televizor pi ngjoh tana’ kôn’gt qysh jon’ qështu.

MD: Mas tri [3] vjetve tani kush erdh’ me nda vaden?

XSh: Erdh’ kunati, kunati erdh’, e kanë nda vaden dy [2] javë, dy [2] javë ditë vadja u dajke, ma shumë hiç, ehh moj nönë...

MD: E për qato dy [2] javë çka bonët ju si familje?

XSh: Kurgjo, qato dy [2] jave ti u bajshe gati, e bajshe çezin gati, senet me i kep’, me i palue, me i pegllat’; për qato dy [2] javë ditë qështu...

MD: Kur ia nisshin me ardhë bijat për dasëm?

XSh: Ja nis’shin me ardhë tri [3] ditë përpara.

MD: Çfarë dite u bojke dasma?

XSh: Darsma u bojke t’ejten.... t’merkuren nata e darsmes, t’ejten dita e darsmes, a, t’dillen edhe t’hönen ktu nuk u martojshim at’here kurrë. 

MD: E pse nuk u martojshit t’dillen e t’hâneve?

XSh: Se thojshin shkijet martohen; tash po martohen t’dillen e, t’shtunen e, i kanë përzi lômshat krejt qështu.

MD: Qato tri [3] ditë para martese, çka bojshit ju n’shpi? Qysh e organizojshit ceremoninë e martesës?

XSh: Qato tri [3] ditë u bojshim gati, i thirrshim gjinën kö’ kishe njetin me thirrë, e thirrshe edhe vishin e t’nimojshin. Pe nxö: kush po gatun n’magjetore? – gatujshin ka’ tri [3] ditë, bojke vaki ka ‘izet [20] bukë i qitshim kallomoqe, i palojshim edhe u niske darsma... tanshi boll shyhret u kânë kur hike defi.

MD: Kush ju bike defave?

XSh: Gabelicat.

MD: Ku i merrshi ato? 

XSh: Ka pasë gabelica n’Deçan e n’Isniq e... n’Pejë ma shumë ka pasë. 

MD: E mâ çka i pagujshi?

XSh: I pagujshim me pare, me pare i pagujshim.

MD: A t’kujtohet naj kangë, a naj lojë që u bojke qato tri [3] ditë?

XSh: Vallaj moj nönë, lojë e bajke... t’lshojke shpirti pi’ qefit.

MD: A ka ndodh’ najhere me u vesh’ gratë si burra?

XSh: Po! 

MD: Qysh u kânë ajo lojë?

XSh: U veshshin...

MD: Kush u veshke si burrë?

XSh: U veshshin gratë, plakat; kur ishin për me lujt’ e me bô shyret, u veshshin n’pantoll’ e n’tirqi, n’tirqi ma fort... pe din çka janë tirqit?

MD: Po, po!

XSh: Veshshin tirqi ma fort, edhe delke lujke, u knaqke tu lujt’.

MD: A t’kujtohet naj kangë?

XSh: (Kollitje)...kangt gati si i paskna harru: 

Hajde çikë ta ngjesim könen 

sonte rrjék te nöna, 

ngjitet köna pik-apika, sonte je bajrak ner çika, 

ngjitet köna me pikat t’mdha neser prôma bajrak me gra. 

Qëto... a pi din tash?

MD: Kallxomë për kanën?

XSh: A?

MD: N’cilen ditë ta kanë ngjit’ kônen?

XSh: Könen a? Ma kanë ngjit’ t’kônen.

MD: Me çka u bojke kana? 

XSh: Uhh, kôna u bojke me gogla, ‘gogla’ ju thojshin atyne, e blejshin atâ, e zijshin n’zjerme, qat’here ti e dishe... tanshi kur pi sheh qat’ far’ vorbe si hini n’zjarm e dishin, tanshi ikshine, s’dojshin me nejt’ aty se na vike marre.

MD: Pse?

XSh: Se po martohesh – tash na vike marre... e moj nânë... 

MD: Kallxomë, kur erdhën krushqit me t’marr’ – a e man’ mend?

XSh: A, kur jon’ ardhë krushqit ata te burrat atje, vishin krushqit me bajrak e me kangtare, kuajt i lshojshin, kuajt i lshojshin pi’ krye katunit dej n’fund sa mujshin me ngâ, qështu.

MD: Edhe erdhen në oborr... gratë, a kanë ardhë at’here a jo?

XSh: Gratë e kerrit janë ardhë me kerr.

MD: Kush u kôn’ gru e kerrit?

XSh: Ata i kanë pru t’vetat atje, qysh i kanë pasë i kanë pru t’vetat; na veç i kemi prit’, kthejshim bukë tektejna: n’mish, çorbë, tektejna n’tomloriz, qatynve grave t’kerrit ju kthejshim bukë kur vishin me t’marr’.

MD: E pajen ti me veti tani?

XSh: Po!

MD: N’kerr t’kuq?

XSh: Po!

MD: Qysh u kânë kerri i kuq?

XSh: Kerri i kuq u kânë qështu (e bën një hark). Kur vishin me t’marr’ ishe tu u falë n’sobë, për shembull, me gra ishe, aty vike ni djalë a dikush ma i afërt si ish, e t’merrshin e t’kapshin për dore qështu e ti u ngrehshe përmas e, u ngrehshe sa mujshe përmas e kajshe hujhuj hujhuj, sa mujshe qështu...kush ishte qaty u merzitke që po martohet kjo çikë, tashti po na dhimet.

MD: Kush t’hypi n’kerr?

XSh: Qata t’gjinisë teme.

MD: Tani rrugë t’larg’t bône...

XSh: Jo tanshi, rrugë...qat’here hinen kerret, rrugt’ me krushqi edhe me kamë.

MD: Ktu kur erdhe, n’oborr ju shtinën, a po?

XSh: Po.

MD: A t’kujtohet naj kangë a naj fjalë që ta kanë thânë dikush, në ato momente kur ke zbrit’?

XSh: Ato veç i knojke gabelica.

MD: A t’kujtohet naj kangë?

XSh: Vallaiii, nuk em’ kujtohen ato...

MD: Kush t’zbriti prej kerrit?

XSh: Kunati.

MD: Nuk u kânë vjerri a?

XSh: Vjehrri s’u kânë, veç kunati. M’kapi ngryk, po, e lshoj mbi kerrit at’hershe, ti qitu qerren qështu e mbi ato; edhe t’kapshin tanshi, ta shtrojshin ni thes qaty, qite kömen qat thes se duhet qështu; dikush thojke mos ia qit kâmen n’thes se na therr’ nusja, na therr’... A pe din tash?... qështu... ehhh moj nânë.

MD: Edhe, ku shkove prej kerrit?

XSh: M’çun’ m’pshteten qaty n’soba, qysh ish veni a n’hodnika, veç me m’pshtet’ qaty.

MD: Ti hala burrin s’e ke pa?

XS: Jo, jo burrin s’e kum pa une hiç; at’here, pi’ kerrit si na zhdrypen dogrrile, ni copë here t’çojshin me fjet’ n’qilim n’sobë tane, tanshi, ehh... at’here u knojke gabelica qatyne t’shpisë e nusen e tak tak, u hajke darka, tanshi kur u mledhshin burrat qat’here u mledhshin shoqni e kush ish, e m’i pru djalin me shti kishe dhônderr.

MD: A e grushtojshin?

XSh: Po valla, e grushtojshin sa mujshin.

MD: Pse e grushtojshin?

XSh: S’di gjô pse e grushtojshin, veç i hishin keriske shuplaka taktak taktak sa mujshin, dikush hinja, dikush mos ja hin’.... jo, u duftë m’ia hi’.

MD: Sa antarë i gjete aty kur shkove?

XSh: Gjashtmdhet’ [16].

MD: Çfarë fisi janë kânë?

XSh: Edhe kta janë kânë Shalaj.

MD: Ju jeni martu mes fisit?

XSh: Na jemi martu me Lluka-Shalë edhe Isniqi-Shalë; dikush Shala vendi, dikush Shala e Bajgores, qeto’ u knojshin at’here.

MD: Kallxomë, t’nesermen, a u çove e para prej gjumit a e fundit?

XSh: Jo valla, unë u çova ma e para... at’here nuk kishin me shtru krevet; ta bishin ni krahë sönë n’tokë e, qaty i shtrojshin teshat; qaty bishin n’tokë.

MD:    Kush t’murr’ ngat’ me u ul’ n’mengjes?

XSh: Po mengjesin krejt bashkë e merrshin, tanshi nusen e qetshin me ni [2] djalë, me nönë e babë, e çoshin me t’pri perpara dej te uji, tu’ bunari aty, kroni a, ku ish... me t’pri përpara qaj djalë si asht’ me nönë e babë e, qështu...

MD: Krye sa fillove me hy n’magje?

XSh: Tre [3] muj’.

MD: Çka bojshe ti brenda qetynve tre [3] mujve? Me çka u merrshe?

XSh: Për qeta’ tre [3] muj’ se nuk isha n’magje fshisha, dilsha, qitsha kafe, çaja e qeto’.

MD: Kush jau ndajke punt’ e shpisë?

XSh: Vjehrra na’j dajke, tanaj jemi kôn’ dy kunata e, ajo ni [1] javë, un ni [1] javë magjen e bojshim edhe u kryke puna... vjehrra baqicë me qit’ me lugë. A t’merzita?

MD: M’knaqe! Nana Xufë, kallxomë mas tre [3] muje kur hine n’magje...

XSh: Mas tre [3] muje, kur hina n’magje, une e qita renin tem, tani laj e fshi e pastro e bon çka mujshe qashtu, edhe ajo kunata renin e vet; vjehrra i kish ato punt e veta e, qështu.

MD:    Mas save pate fmi?

XSh: Uhhh, ma s’pari... n’kry t’motmoti i kom bâ dy [2] djem bineq, i kom bâ me operacion. 

MD: Ku i bône?

XSh: N’Pejë. At’here janë kânë mjekt shkijet, janë kânë shkijet at’here; tanshi mas djemve – njôni m’ka rrnu’ dy [2] javë n’spital e m’ka dekë atje n’spital, e ky tjetri m’ka rrnu tanshi tre [3] muj’, pis ni lemze, ni lemez hokë e hokë iu ka ra; pi qasaj lemze m’kanë dekë – tani kater [4] vjet s’bôna hiç, at’here e bôna qet çikë, mas çikes s’bona tjeter. Edhe ktâ me operacion qështu.

MD: Nana Xufë, për qeto katër [4] vjet kur s’keni pasë fmi, a e lutke dikush burrin me martu a mi gjetë gru’ tjeter?

XSh: Jo, une i kum thânë vet, une i kum thânë vet, se jo, kurrkush. Do motra i ka pasë, jon kânë  n’Drenoc atje, qato i thojshin “Martohu e martohu”, jo thojke, “E kum çiken une; s’du me u martu’”. At’here, kur e pava, shkojsha u kqyrsha n’Beograd jam kqyr’, e m’kanë kqyr’ mjekt e krejt kanë thânë “Kur je bâ operacion, t’i kanë lidhë ato tubat e thmive,”, tubat, qysh kokan ato – “qato t’i kanë lidhë; ti tash me shku me vnu’ gisht te qaj mjek qi t’ka pre... at’here, tek tanshi na me hi; a ban a s’ban...” M’u hapen punt’ krejt, thashë “Jo vallai, mâ tjeter s’jam ka’ hij mu pre as me lyp’ mâ ilaç as hiç! Ki mu martu! “Joo” – tha; sahère m’ka bertit’ e “Mos ha mut” thojke, “se s’du, se e kam çiken”, edhe une i thojsha, “jum kânë çikë edhe une, po i kum lânë prind. Dikur na duhen fmia...”; qetash une mos m’i pa’ pasë, qe, grun’ [gruaja e burrit] tash e kom… Qekjo, e pave? Ortakja e jêm ô.

MD: Qysh e ka emrin?

XSh: Xufë edhe ajo.

MD: E ku e gjetët me emrin e njejtë?

XSh: S’di gjô ku e gjeten, veç kur osht ardhë s’kom ditë hiç; ni motmot ka nejt’ e paardhne edhe tybe n’Zotin s’kom dit’ qysh e ka emrin as… veç kur osht’ ardhë, tanshi po i thojnë “Xufë, Xufë” – qaty m’ka ardh’ ron’ pak... 

MD: Pse? 

XSh: S’di gjô veç m’erdh’ diqysh ron’, vet... ehh qështu...

MD: Nana Xufë, kur e panë që nuk po mundesh mô me mbet me barrë, a t’luti dikush me ta falë ni [1] fmi a me ta dhânë?

XSh: Veç motra jeme, motra jeme i ka bô dymdhet’ [12] fmi edhe veç... ma shumë djem; kur e ka bô t’gjashtin [6] djalë, n’spital e ka bô, i ka thanë vjehrrit t’vet e burrit “du m’ia falë Xufes qet’ fmi, du m’ia falë”. Une “jo”, ata “po”; “Pse bre” – po thotë aj vjehrri i vet “pse spo thu ‘jo vallai’, jo me hi n’gjynah; kur të rritet ai del me punue, e me prashit’, e thojnë qeky djalë asht i filonit s’osht i ktinaj e nuk du”, edhe e kom kthy, masi ma kanë pru e kom kthy... e, thojsha ma mirë t’i ban ky t’vetin; kur e bani në motmot qe e kum marr’, n’kryt motmotit i ka falë Zoti djalë, djalin e madh. A burri jem nuk ka hek’ dorë pi meje, jaaa, s’ka hek’ dorë. I kum thânë “qat’ ditë qe je martru e te’mas, ti mu m’kqyr’ sikur me m’pasë moter a ndryshe s’ka”, a jo, jo, jo, vallai po...edhe erdh’ puna kjo i bani gjashtë [6] fmi. Djalin e madh ma ka shti n’shtrat n’kryt pa i bâ tre muj: “Asht’ i yti, Xufë”. Ohhh Zot, qysh i kum dashtë, qysh i kum rritë... njana e shtrojshim djepin e tjetra e lajshim, tjetra e pshtjellshin; dyjat na me qat fmi u merrshim dej e merrke gjumi qashtu.

MD: Qeta’ deshta me t’vetë – qysh janë kânë raportet masi që u martove ti? Roli yt qysh ke?

XSh: Rodi jem, kurrnja s’kanë pasë qef... s’kanë pasë qef mu martu hiç e une tanshi... veç, baba jem. Baba jem, i thojsha, “thuj edhe ti burrit tem, thuj.”, ai thojke “Ah bre babë, pritni edhe naj ditë”. Hiç kurrë... ni [1] ditë tjeter hiç nuk ka... ra kry’ tremdhet [13] vjete se jem’ martu, ka ra qi asht’ martu ky, tanshi u damë.... dulëm qëtu n’fushë – at’here s’ka pasë kerkush shpija n’fushë qëtu, veç na – ehh, i thojsha burrit jem, “Kqyre more ku na qiten; erdhem kâ, ti i ki dasht’ boll ata fmin’ e vllaut, po t’lanë... A pe sheh ku na qiten?” ... e, budallak o’ ajo, mos me martu njerin; ma mire o’ me i martu. Sot janë pes [5] djem, qaj ma i vogli ia ka djeg’... nuk di prej ni inekcie e murr e qajo inekci ju bô smujë e keqe e para nja dhet’ [10] muj’ dite e myti. Ehh, fmija m’kanë dashtë, m’kanë dashtë fmija ma teper se me i pa’ bâ vet.

MD:    A e pruni pajen kur erdh’ Xufa tjeter?

XSh: Ajo kur erdh’ tanshi me çejz e me sêne, e me tana’ si me kânë çikë. 

MD: Po dasmen, e bôni?

XSh: Darsmen e bâni. 

MD: E ti a ishe aty?

XSh: Une isha aty, dasmen e bôni mirë boll, i thirren gjin’jen; njerzit nuk dojshin me shti def at’here... Kur u zhdryp’ nusja e kum marr’ un vet për krahi me gjith’ kunat temin, e kum marr’ e kum zhdryp’ n’tokë... e po thojnë kunatat e mija e kto motrat e burrit “Shtroja thesin, shtroja thesin” thashë, “Jo valla, s’po ia shtroj thesin hiç me zhdrypë n’thes” – “jo, duhet me ja shtru thesin” jo’ “s’duhet ja’ bôhet nusja na therrë, na therrë nusja” thojke – qështu... e, budallaqet qi janë kânë; shumë ka pasë t’mira, shumë ka pasë t’kqija. 

MD: Nana Xufë, a t’kujtohet a keni hek’ najherë për bukë kshtu si familje? Po kthehem tash pak te femiria se herë po kcejmë anej herë knej... a t’kujtohet, si fmi, a keni pasë mungesë t’drithit a bukes najhere?

XSh: Po qysh jo mori.

MD: Cili vit u kânë, qat’here kur keni hek’ për bukë?

XSh: Vallai un e di qi katerdhet e shtaten [‘47].

MD: Pse s’kishit bukë? Kush jau mori drithin?

XSh: Na e murren drithin shkijet, u duftë me i pagu, m’i ngarku na n’kerr tana’ e, m’i çue te stanica e vozit – a e din ku o’ stanica e vozit? Stacina e vozit ka’ t’shkojsh n’Prishtinë qatje. Tânë u duftë m’i ngarku drithin e m’i çu atje e asnji grusht s’ta kanë lônë.

MD: E çka hajshit?

XSh: Hajshim... uflla, zijshim i bojshim si çorbë, qato i hajshim.

MD: Sa zgati kjo periudhë?

XSh: Auu valla, zgati boll... tanaj i kanë marr’ n’pranverë, e pi’ pranvere e tekternajni n’shtator kanë ngat’ boll, kanë marr’ boll... tômel kishim boll, djathë kishim boll, po nuk u hajke, nuk u hajke ata se e dojke harranikni buken... 

MD: A m’tregon pak, cilat janë kânë festat që i keni festu e që i mban mend?

XSh: Festat a? Na kemi majt’ Shingjergjin.

MD: Qysh e keni festu Shëngjergjin?

XSh: Shingjergjin’ tri [3] ditë e kem festu. Kemi qitë, kemi pre mish e kingja edhe kanë qitë gratë pshesh me tômel, leçenika, mish t’kingjit... – qëto i kanë bâ tri [3] ditë. Edhe na çikat kush ishim lujshim, lujshim qështu ‘me guxha’ me shoqja shoqen, qështu lujshim. Edhe e kemi majt’ Bajramin. Bajramin e Vogel e kemi majt’ gjasht [6] ditë e Bajramin e Madh tri [3] ditë; veç çka ke ditë: ke qitë me hangër gjithçka. 

MD:    Cilat janë kânë ushqimet ma t’mira që i përgatitshit?

XSh: Vallai tanat janë kânë ma t’mirat, bojshe... nihere u prejke mishi, tanshi po, kingjat at’here, qitshe ndash pite, ndash leçenika... çka u kujtojshe.

MD: Me çka e bojshe leçenikun?

XSh: Leçenikin me mazë, me miell t’kollomojt edhe qështu.

MD: Tjetër festë? Ditën e Verës?

XSh: Ehhh “Ditat e Vers”... i majshim edhe ato, tri [3] ditë i majshim. Lujshim, shkojshim me pa, shkojshim n’Ilingje, shkojshim n’Kushavc, a di, qato tri [3] ditë i majshim; tash s’i man’ kërkush, ncuk... (e lëviz kokën), i kemi majt’ “Ditat e Ver’s”. Qat’ ditë si janë kânë “Ditat e Ver’s”, shkojshin fmia dej n’bjeshkë e merrshin gllija, e i djegshin glliat, i kapercejshin n’qata’ tim e thojshin “t’ligat me u largu” e qështu...

MD: A u bojke diten a naten zjarri?

XSh: N’mbromje.

MD: E kush i bike gllijat?

XSh: Fmia i bishin qëta se ishin të ri, qështu ka dhet’ [10] vjeç, ka dhymdhet [12] vjeç qata. 

MD: E Ditët e Lames?

XSh: Kur e kem shti korren mrena, kemi bâ darkë e, i kemi thirrë krejt ilaket me bija, me nipa, me...i kemi thirrë e kemi bâ “Darken e Lam’s”. Ndaq u prejke mishi, ndaq u bojshin....shyreti ma i madhi... qi himë mrena për pa bâ telashe me kerkond... janë kânë... tash janë hupë tanat, tash janë hupë, s’i man’ kerkush. Sene ka boll po kurkun shyret s’ki as nuk t’vjen kush as nuk shkon kun’ as... At’here u kânë shyreti tjeter...

MD: E te burrat, cilat loja u bojshin? 

XSh: Kapuça.

MD: A t’kujtohet naj kangë qe ja kanë knu humbsit a fitusit?

XSh: Poo m’kujtohet, veçse i kum harru... lujshin kapuças.

MD: A ka pasë naj rast që i ka metë dikuj hatri që ka hupë?

XSh: Po moj, qysh jo, knojshin e knojshin, ia hiqshin kapuçin, ia gjujshin qatje (bën me dorë kah dera) gjithçka i bojshin, qështu...

MD: Nana Xufë, po t’ves tash për t’panet; qysh janë bô? T’panet, kur ka vdekë dikush?

XSh: Kur ka vdekë dikush tri [3] ditë. 

MD: E at’here qysh e man’ n’mend ti; a u kânë tri [3] ditë, a ma shumë?

XSh: Tri [3] ditë u kânë: dita e parë [3] si hike n’dhé, e dyta [2] dit’s, edhe e treta [3] dit’s; u mshleke e pamja e grave; at’here e burrav’ dy [3] javë ditë nuk u mshelke... e, vajtojshin vallai, i vajtojshin, i lypshin vajetoret me pare kush janë, me ardhë m’i vajtu.

MD:    T’kahit janë kânë ato vajatoret?

XSh: Janë kânë t’katunev ma t’lergta; dikush vike vet, ma fort i merrshin.

MD: E pse i merrshin ato? 

XSh: Me vajtu, me vajtu qat person që u dekë.

MD: Kur ka vdek’ dikush te gratë, a e man’ mend, a kanë ndrru veshjet?

XSh: Vallai tjera tesha gratë...at’here janë kânë krejt me qeto tesha (i prekë teshat e saj në trup, veshjen e katundit). 

MD: E shamia a ka ndrru kur ka vdekë dikush? 

XSh: Jo, at’here s’ka pasë shamia hiç, ncuk (e lëviz kokën), veç me qeto tesha janë kânë. 

MD: A bishin diçka për t’pane?

XSh: Po qysh jo.

MD: Çka bishin te gratë?

XSh: Te gratë pite, pite te papjekne i bishin, edhe dikush bike pare, veç pite ma fort.

MD: E te burrat?

XSh: Te burrat duhan, duhan qitshin. 

MD: Nana Xufë, a u bojke gjama te burrat?

XSh: E pamja, me pa gjin’ja shkojshin, e shihshin, se kshtu sikur te gratë te burrat jo. 

MD: E qysh jau shnosh’shit kryt’ grave?

XSh: Qato t’vetat kush janë ma t’ngata vishin pi qatjehit e, qështu... sa gra t’vetat qi janë, ilake, motra, halla, qëto... Kur u prishke gjama jau shnosh’shin kryt’, jau jepshin doren, “Zoti t’lashtë shnosh’, Zoti t’lashtë shnosh’” delshin prej dere e, qështu... 

MD: Nana Xufe, a jeni kânë n’shkollë ju?

XSh: Jo, s’na ka lânë me shku n’shkollë baba; shpija s’na kanë lânë me shku n’shkollë... jam shku nja dy [2] muj’ ditë n’kurs – e din çka o’ kursi? Sikur me shku tash... s’e di qysh me ta spjegu...

MD: Kush i majke kurset?

XSh: I majshin msusat.

MD: E ku i bojshin kurset?

XSh: I bojshin n’shkollë, për shembull, na ishim çika shumë, edhe nuset, edhe çikat që i ka kap ligji, edhe ato shkojshin n’shkollë edhe u shkrujshin, tani shkojshin me havale, me çarshafa t’bardhë tak, deri ktu (e mbërthen shaminë e saj për qafe) edhe shkojshe n’shkollë.

MD: A je kôn’ ti naj ditë? 

XSh: Po jam kôn’ nja dy [2] javë, ma shumë jo. 

MD: A t’çoi baba?

XSh: Jo, shkojsha me qato shoqet.

MD: E çfarë gjuhe keni msu?

XSh: Qëto: a [A], be [B], ce [C], po shqip janë kânë...

MD: A e kujton Luften e Dytë Botërore, kur ka hi gjermani e italiani?

XSh: Po mor’, qysh jo.

MD: Kallxo qysh i mban n’mend?

XSh: Kur u hî italjoni, u çu gjermoni e janë shku gryk’s përpjetë. Gjermant’ nuk e kanë nguc’ kerkan’, a italjant po.

MD: Kan’ e ngucshin?

XSh: Italjant’ janë kânë t’pabesë. A e din çka asht fjala ‘e pabesë’? S’guxojshe me u endë vetûn hiç, a gjermoni jaa, gjermoni nuk e ka nguc’ kerkôn’.

MD: Ju keni nejt’ n’shpi kur kanë ardhë italiant edhe gjermant’?

XSh: Po n’shpi kemi nejt’, po edhe kur jemi ikë, jemi ikë prej Deçanit e dej n’Llukë t’Poshtme, e dej n’Baran çikâ jemi largu prej testes e jemi shku ma poshtë; ata nuk kanë bâ luftë me robni, Zoti na rujt’... sikur kta tash: kta tash kanë vra fmi e, kanë vra gra, kanë vra ma shumë femna, kanë shnjerzu... kta faqja zeze janë kânë, qështu...

MD: Nana Xufë, e, kohen e Titos [Josip Broz Tito] a e kujton?

XSh: Po qysh jo... E kujtojmë kohen e Titos [Josip Broz Tito]. Tita u kânë copë bereqet, as nuk t’i... çka merrshe, ndaq t’i merrke drithin, t’i merrke pemt’, kokrrat e gllijav’, bornicat – tònat, pi tònave tynve kishe t’marrne, qi i merrke, jaaa u kânë me bereqet...

MD: E luften e fundit qysh e kujton?

XSh: Luften e fundit, a... lufta e fundit, qëkjo si na kanë njek’, na kanë qit’ pi shpijave për ngut’; u duft m’i lshu shpijat e mi lânë gjônë, e mi lânë senet e, krejt kanë djeg’... kanë bâ gjithçka...

MD: Ku jeni kânë n’luftë, nana Xufë?

XSh: N’luftë jemi kânë n’Shqipni, n’Shëngjin.

MD: Sa ju ka ra atje me nejt’?

XSh: Tre [3] muj na ka ra me nejt’. Kur jemi ardhë ktu, qysh i kemi lânë mô senet, si mu çu qetasht m’i lônë qëtu, qështu krejt... tani na i kishin pa’ qitë e djeg’ e shkrumit’ e bâ mosvet... s’kemi pasë as çka me veshë, as çka me ndrru... eeeh, çka u kânë. 

MD: U sillem nëper tema plot, ku shkum’ prej fmi deri tash qysh ke jetu...nuk t’veta për këtë profresionin qe e ki trashegu prej babë – tregomë pak për kto ilaçet popullore...

XSh: Ilaçet popullore, baba jem kqyrke per t’thym’, per eshna e, per dur’, per kto; shka do me i dalë dikujt diçka, ai e bojke ilaçin at’here, unë pi’ atina jam... kom marr’ zanatin. Tanshi merre shtovin – a e din çka asht’ shtovi? Atë likuren e zezë me ia hek’, veç me i lônë kët’ t’fundit edhe i marr’shin, mjelt’ qëto’, me i bâ bashkë e, mi jau dhânë ni valë... At’here i shtrydhsha, tanshi qështu, mirë, e qitshin qat long t’vetin; me qata’ varren e pushkës mujshe me shnoshë.

MD: Sa ditë i ke lônë t’mshelta?

XSh: Nja tri [3] ditë qashtu.

MD: Pse tri [3] ditë?

XSh: Se e bojnë venin e vet, ku shnoshet... 

MD: A vishin njerz shumë me ble këtë ilaç?

XSh: Valla shumëkush u ardhë, qështu mu kqyr’, edhe ia kom ly pa pare – ncuk, s’i merrsha sen’, se as baba s’ju ka marr’ kurgjo kurkuj...

MD: E, kur fillojshe me i maru’ kto ilaçe – në cilen kohë?

XSh: I kum maru’ vallai dej vonë, ama qetash mas lufte jo...

MD: Naj ilaç tjeter qe e man’ n’mend?

XSh: Qetër jo... qeto i maj n’men, qeto... ia kom ly, ia kom bâ; kujna ia kum bâ, dogrri janë shnoshë.

MD: A kanë ardhë me t’falënderu?

XSh: Shumëkush osht’ ardhë e shumëkush s’osht ardhë hiç: jo, po t’i lâmë çekaq pare – “jo, hiç s’du” – thojsha, “se baba s’mi ka marr’ kerkuj; as une s’i du me i marr’”... janë kânë do sene t’mira. 

MD: E naj bimë tjeter a t’kujtohet që e ke përdor’ me shëru’ naj sëmundje?

XSh: Jo vallai, për qëto jaa, tash qe do vjet jam paqef, mâ nuk e kum perdorë ktâ... 

MD: Nana Xufë, kur ka lind’ dikush n’shpi at’here, kush iu ka nimu’ grave me lind’?

XSh: Kurkush. Ka bâ vaki ka nejt’ gruja tri [3] ditë e tri [3] netë, ni [1] jave ditë me dhimtë edhe s’ia ka falë Zoti... edhe, qashtu kanë nejt’... e, as nuk ka pasë at’here, edhe thojshin marre me shku, me shku te mjeki... marre. Kur ia nisen, po shkojnë gjinja te mjeki me lind’, uuu marr’ja e Zotit qysh janë shku...

MD: E ortakja a ka lind’ ktu n’shpi?

XSh: Ortakja tanë i ka bâ qëtu me mu.

MD: Ti i ke ndihmu me lind’?

XSh: Po valla, une e mush’sha llastikin me ujë t’nxet’ – jun kânë llastikat që i mush’shin me ujë t’nxet’ për mos me nirtht’ dimrit – e mush ni llastik, e vnojsha qitu, edhe njâ e vnojsha qitu, edhe shkojshin eshnat tu u shkaperderdh’ fill... veç kur pik’ke fmia takkk.

MD: Ti e ke kap’ e para fmin’? Çka i ke bâ n’qato momente?

XSh: Qato momente kurgjo, veç që ia kom pre kthizen, e kom hukatë n’gojë huuhhuuh. 

MD: Pse? 

XSh: Kishe ma mirë...

MD: Për çka u bojke kjo e hukatmja?

XSh: I rritet zôni.

MD: Edhe ia ke lidh’ kthizen. Me çka ia ke lidh’ kthizen?

XSh: Me pe, me penin e kuq.

MD: Pse t’kuq?

XSh: Me i shku ymri me faqe t’kuqe e me punë t’mirë, për qata. 

MD: Edhe ku e ke çu ma s’pari?

XSh: E kom marr’, e kom qit’ edhe e kom la. E kum la n’koritë, e kum la, e kom qit’ n’djep, e kum lidhë... mashahalla i koftë, çekaq ftyren...

MD: Kush ia zgjedhke emrin?

XSh: Emnin jau kum ngjit’ unë.

MD: Çfarë emra iu ke lônë?

XSH: Djali i madh e ka emrin Sylë, se e ka pasë emrin vjehrri jem e, thojke vjehrra jeme, “kur t’falë Zoti fmi, me ia ngjit’ emrin e vjehrrit”, e, i dyti e ka pasë Xhevdet e ja kum ngjit’ emrin n’emën t’fmive që m’kanë vdekë, e, i treti e ka pasë emrin Venet – ai veç emer kshtu, se s’ka pasë emer t’kerkujt, edhe i katri Valdet, i pesti Nysret e, qështu...

MD: I zoti i shpisë, kur e merrke fmin’? Kur e shihke fmin’ që lindke?

XSh: E shihke i zoti i shpisë t’nesrit.

MD: Pse nesrit? A qat natë s’dojke me pa a?

XSh: Nuk dojke atë natë, atë natë, burri me i pa fminë... s’e ka pru gruja hiç. S’bon m’i pa.

MD: Tani ti e ke marr’ ia ke dhânë?

XSh: Tani unë e kum marr’ e kum lidhë, ia kum qitë n’prehen; qështu e ka emrin qyky, qështu qyky, qështu...  

MD: E çka i bojke i zoti i shpisë? 

XSh: I jepke do pare t’hekrit, ia lshojke n’dorë, si mi shku jeta me pare.

MD: Nese s’ka pasë pare, çka i kanë dhânë tjeter? 

XSh: Kurgjo; që s’ka pasë, kurgjo.

MD: Kallxomë tash pak për gruan masi ka lind’... a ju ka kthy menihere magjes e punve të shpisë?

XSh: Ni [1] muj’ ditë, jo.

MD: Qysh i kanë thânë ksaj periudhes mas lindjes?

XSh: Ni [1] muj’ ditë llahusë, ni [1] muj’ ditë s’e kemi lânë me prekë kurgjo’ me dorë, veç trupin e vet edhe fmijen – qati’ fmije m’i dhânë gji, kurgjo tjeter. 

MD: Tani’, mas ni [1] muje, a fillojke me punu ku i ka lânë qato punë, a i ka pasë punt’ ma t’lehta..?.

XSh: Qato punë qysh i ka lônë, qato i bojke.

MD: Nana Xufë, për shmbull, fmis’ për mos me kap msyshi, a i keni bô naj veprim?

XSh: Po, djalin mos me kap’ msyshi ia sillshim krypen rreth e rreth kresë qështu, tri [3] herë, e qitshim n’zjarm, ata krypa kersitke...

MD: A i thojshit najsen kur e sillshi tri [3] herë?

XSh: Jo, kurgjo s’i thojshim, veç ia sjellshim qata kryp, dikush-dikush thojke...

MD: Ça i thojke? 

XSh: Sa marrtë qyky msysh, merrsh ti... haha (qeshet) a po e di tash? Shumë... qështu ia boshim se janë kânë punt’ at’herë veç me qësi telashe.

MD: E nëse gruja ka pasë probleme me shtatzani, çka i kini bô?

XSh: Ka pasë probleme me shtatzani, e kemi çu te... janë kânë gratë që ngjeshin, e çojshim te gratë, gruja vet ia ngjeshke barkun përpjetë e s’kish me pasë mâ problem tjeter. 

MD: Lindke pa problem?

XSh: Po, pa problem hiç, qështu.

MD: A t’kujtohet ajo gruja që ngjeshke qështu?

XSh: Po more, u kânë njâ [1] deri vonë n’Deçan qitu; e ngjeshke vallai, e lidhke e, i bojke spicë; ajo kômen s’mujke me luu, e, mas asaj te lidhne tanshi s’kish problem tjeter. 

MD: A ka ndodhë naj rast, për shembull, me abortu fmin’, me hek’? 

XSh: Jaa valla, at’here veç qi t’... vet ose pahiri, se jaa.

MD: A ka pi najsen? 

XSh: Kurgjo vallai, veç vet: ja ka çu ran’ diçka e bâ qështu.... se jo kurgjo tjeter s’ka pi.

MD: Për shembull, kur metke gruja shtatzanë, a e dishi ju përafersisht a ka me lind’ nusja çikë a djalë a? 

XSh: Po t’kallxoj qysh ka me lind’.... hahaha [qeshet]... a asht’ çikë a djalë... Kur dojshmi me hanger bukë e dishim ku po hungjet ajo qi asht’ me shtatzani, e merrshim e qitshim ni [1] thikë, e vnojshim nji [1] thikë n’vend qi po do mu ulë e, ajo n’ardht me u ulë n’qat thikë e bani djalë, mos hungjt e ka çikë. Qështu janë kânë 

punt’... 

MD: E teshat fmis’ kush ia marojke?

XSh: Nana e vet me bâ, me veshë, me i mathë e, me e fitu dinarin vet e, krejt... 

MD: A t’kujtohet naj kangë qe ja knojshi n’djep?

XSh: Po qysh jo:

Nina nöna n’djep të drunit, ti m’u bofsh plaki i katunit,

m’u bofsh plak e me gjithë qef, edhe me çue tana ceset n’bjeshkë, qëto...

MD: A ju tregojshit fmive naj prrallë?

XSh: Poo, unë ju kum kallxu edhe prralla. 

MD: A t’kujtohet naj prrallë?

XSh: Vallai prrallat s’po m’kujtohen...

MD: E djepin kush e marojke? 

XSh: E ka marue...u kânë gabel, e marojke djepin e ti shkojshe e blejshe, sa t’i lejke. 

MD: A ka pasë naj figurë djepi?

XSh: Po, ka pasë zog. 

MD: E pse si zog?

XSh: U bofsh me fluturue si zog – edhe ka pasë boll at’here.

MD: Nana Xufë, po t’ves tash për këtë kohen mas lufte: a po t’pelqen qysh kanë ndryshu senet?

XSh: Dishka po, dishka jo.

MD: Çka po t’pelqen pak ma shumë se atëhere?

XSh: Paj, do sêne janë ma t’mira, do sêne janë ma t’kqija... Po t’kallxoj – çikat si pi marrin burrat vet e pa ngjoftohen, ëto nuk e kanë punen mirë hiç... qaty ngjihen, qaty ndahen, qaty perlahen, i lôjnë fmin’... mosvet... s’osht’ mirë ashtu. A t’doket ty si o’ mirë?

MD: E çka po t’pelqen n’këtë kohë? 

XSh: N’ket’ kohë shumë sêne qe i kanë bâ, që i kanë hujdis’ rrugt’, strujat e qëto i kanë nreq’ boll mirë, a shumë të kqija ka...

MD: A po t’doket jeta ma e lehtë tash?

XSh: Shumë ma e lehtë asht’.

MD: E fmin’ a i keni martu? 

XSh: Po, perpara u martu çika jeme, permas janë martu djemt. 

MD: A fillun’ mu shkollu kta fmia e ortakes?

XSh: Valla i kemi shti me u shkollue; çika ma fort se thojke burri jem “Osht’ çika ma e madhja e kom qef me shkollu çiken”, e une thojsha “S’du me i shkollu hiç se s’kam, veç qitâ; s’di gjâ, veç kur t’vjen puna ka’ e merr e, çka bôhet... ”... e ja’, tha “Xufë, kerkun s’po t’perzihhna, perpos çiken le n’shkollë se është fmi ma i pari”. Eh, ai e kish pasë ma mirë e unë ma keq; e çika i don djemtë e s’e bôjnë ni sen pa e vetë... Zoti na rujtë... shumë duhen ndër veti.

MD: E kta të ortakes, krejt janë martu, krejt janë shkollu?

XSh: Qeky si na ka vdekë u martu katër [4] muj’, kater [4] muj i ka ra qi u martu edhe u dekë tanshi.

MD: E burri, n’cilin vit t’ka vdekë, nana Xufë?

XSh: U vdekë qe shtatmdhet [17] vjet po bôhen...; nuk muj me ditë daten veç me vjet.

MD: Hiç s’ka problem!

XSh: Ehh, edhe e ka pasë frymen... tanshi fmia janë kap’ për mue e unë për ta. Ohh, i kemi pasë fmin’ e mirë, krejt t’zot’. Janë rritë pesë [5] djem me çiken – e ka edhe ajo çikë (ortakja)... o pasha Zotin as çekaq sa t’zit’ e thonit ni sherr s’na kanë pru kurrë: janë kânë t’mirë.

MD: Tash, nana Xufë, qysh po kalon ti?

XSh: Mirë vallai kaloj, ma mirë s’ka. Tash djemtë janë dalë kater [4] perjashtë; qeky i katri [4] u dalë qe nja tre [3] muj’, ai kthehet apet, ka pasë do provime në Austri; e kta tre [3] tjert kanë bô shpija, kanë ble shpija n’Gjermoni, n’Zvicerr m’kanë marr’ e jom shku qetash; tri [3] vjet jom shku, “O nuk du nönë me ardhë” – “O, veç po kemi qef me t’pa, me ardhë”. E, kur shkova, çka me shku... vallai, nuk e çboj për mall t’dyjes, mjer ai për veti, mjer gratë... ma mirë s’ka. Sot na ka shku ky i madhi – osht’ ardhë për ni [1] javë ditë, e sot u shku me autobus e, m’tha, “Nönë, ki me ardhë” – “Ehh,” thashë, “nöna tash u lodhë; nuk jam e zoja si ecë...”, “Ec ec, se ki me ardhë”, “Vallai joo, s’muj”.

MD: Penzionin a pe merr?

XSh: Po, penzionin e marr’, tash kur i kom bâ... shtadhet e pesë [75]. I kanë bâ valla, e marr’ penzionin moj nönë, e marr’ edhe jau ‘epi djemve, tham’ “Merrne”; nuk m’i marrin mu bâ nami... oh, Zoti na rujt’, qaj si vjen ka’ niqin [100] euro, ka niqin [100] frang kanë me t’i pru, e me t’i lônë: “Bôni çka doni”... jaa, janë fort t’mirë fmia.

MD:    Qysh e kalon një [1] ditë prej që çohesh në mengjes? 

XSh: Gati dej n’dhetë [10] nuk çohna.

MD: Nime, a?

XSh: M’dhem’ trupi dishka... sivjet s’jom kânë mirë hiç. 

MD: Tani, çka bon kur çohesh?

XSh: Kurgjo... ungjna qëtu ku pom sheh, ortakja ma bjen kafen ose çajin, cili t’më pihet... m’lut për bukë. E kemi sobën si hamë bukë n’podrum, po masi jam kânë une smut’ e te’mas, ajo s’ka hônger atje, veç e ka pru buken, kâ shkaku se “Jo, s’munesh me hecë, me ardhë atje”. Shumë na kalojmë mirë; qysh nin’ njeri naper hallk, Zoti na rujtë... as ajo s’ma prish, as une s’ia prishi kurgjo.

MD: Nana Xufe, t’kom munu’ pak...

XSh: Joo moj çfarti... je munu’ edhe vet. 

MD: T’kom lodhë pak, se smut’... Ishalla ty t’kalon. Faleminderti shumë qe i ndajte kto histori të jetës tône me mu. A ki diçka, që the, pse nuk ma bôni edhe qet’ pytje!?

XSh: S’mu kujtohet hiç.... qëto çka m’vete, m’doket i dita dej qetu... qështu.

MD: Faleminderit shumë, nana Xufë! 

XSh: Me nder kofsh...