Zeqë Shehu

Intervistuar nga: Fisnik Kamberi

Ditën Shëngjergjit nuk duhej me hangër mish, për arsye se thojshin gabelët hajn mish për Shëngjergj. Bojshëm përshesh me

0:00
0:00

Të dhënat e intervistes
Data e intervistës

19.05.2018

Lokacioni i intervistës

Prishtinë

Vendi i lindjës

Junik

Tranksriptimi

FK: Përshëndetje! Jam Fisnik Kamberi, hulumtues i projektit Kujtesa e Kosovës — 100 rrëfimet. Sot ôsht datë 19 maj, viti 2018, gjendem në Prishtinë, jam me subjektin e radhës, i cili quhet Zeqë Shehu. Për ma tepër, tash po fillojmë intervistën. 

Zotni Zeqë, mirë se vjen! Dhe si pyetje t’parë keni: na tregoni pak për fëmijërinë e hershme, për kujtimet e hershme që keni. 

ZSh: Mirë se ju gjejë! Unë kam lind’ në vitin 1936 në fshatin Junik; n’ni familje qe kryesisht ôsht marrë me bujqësi, megjithëse ôsht marrë edhe me zdruktari ngapak. Fminija... si e gjithë fmijeve tjerë të kohës, nuk ka qenë fort e lumtur; me varfni, me... Familja ô marr kryesish me bujqësi (thashë), edhe blegtori. Dhe kohën mâ e mirë që m’kujtohet ôsht koha kur ishim në bjeshkë, se në fshatin tim dhe në at rranxë bjeshkëve të nemura, kryesisht gjatë verës me bagëti shkojmë në bjeshkë, me fmi prej moshës tri [3] vjeçare e mâ dej n’katërmdhetë [14] vjeçare. Ajo ka qenë ni kohë mâ e lumtur, mâ e mirë... se në kushte t’verës, në ajër të freskët e t’pastër, në ushqim tash t’thom ekologjik, ushqim me produkte të qumështit dhe me disa... festa jo, por ditë të shënuara, sikur ishin t’qethat e deleve, si ishin të tunat dhe të djergat [zhdjergat]. Unë k’to... m’kujtohet dhe gjithmonë mallengjehem kur m’kujtohet ose kur e ndëgjoj këngën për të djergat [zhdjergat], që ôsht:

Vija-vija vaja-vaja / Sot ni javë na vijnë karvaja / Vijnë karvaja tanë tuj knue / N’guri t’nuses me pushue / Bukë me hângër e n’shpi me shkue / E kur shkojmë na te shpija / Gzohen nanat, gzohen fmija (gzohen nanat e fmija për arsye se tre muej nuk ishin pâ mes veti) / Plot musafir na mbushet shpija / Na vijnë nipa e na vijnë bijat / Na vijnë miq e vijnë kojshia / Zihet maza n’haranija / Qiten pitet me tepsia / Prehet dashi te bojlija / N’sobë t’burrave bjen çitelija / Për përzore kërset alltija. 

Kjo ôsht ni përshkrim plastik i ritit të djergave që m’kujtohet, edhe sot mallëngjehem për k’të, se ishte nji ngjarje e rëndësishme, se për fmijën tre [3] muej mos m’u pa me nanën, për shembull, ôsht/ishte e ranë; por u gzohshen kur u dilshim, u dilshim t’shnoshë me faqe t’kuqe, prej klimës e ujit, e ushqimit e. N’at kohë, n’kohën e fminisë sime pra, disa ditë të shënuara ishin t’lidhura me ndryshimet klimatike, ndryshimet e stinëve. Bjen fjala, Dita e Verës te na shënohej me dhetë [10] a dymdhetë [12] qaty mars, dhe ishte traditë qe të merren fmija, sidomos merrshin gllija (gllija na ju thojmë n’Junik) edhe n’mramjet i dhezshim ato, e u dufke me kcye për punë shnetit, se shneti bahet ma i mirë, ka me pasë shnet ma t’mirë ai qe e kcen zjarrin me gllija. Ato grumbllojshin flakë, natyrisht. Kurse axha thonte se me nizet e dy [22] mars a nizeti e ni [21] mars: Nata e Sulltan Nevruzit; bari i thotë tokës: “Lamtumirë, se une po dalë” edhe fillon me u rritë bari, prej qat’herë pra.

FK: Ushqimi a u pregaditke n’mënyrë ma t‘veçantë për Ditën e Verës? (Fli e k’to...)

ZSh: Ushqim kryesisht me qumësht se bagtija me qenë ma e begatshme, ma e plleshme.

FK: Po Shëngjergji, a ju kujtohet? Çysh u festojke?

ZSh: Shengjergji, po. Ditën Shëngjergjit nuk duhej me hangër mish, për arsye se thojshin gabelët hajn mish për Shëngjergj. Bojshëm përshesh me qumësht/përshesh me tamël. Për fjetje shtrohej çarshafi, e mbi çarshaf qiteshin lule (lloje t’ndryshme t’luleve) dhe gjethe të bimëve t’freskta, natyrisht. Po... Shëngjergji u metë tash n’kohën ma t’re, domethanë si festë e rromëve, po n’t’vërtetë ôsht ni festë pagane edhe e shqiptarëve, se shënon ringjalljen e natyrës, fillimin e ringjalljes së bimëve, e t’barit që ishte i domosdoshëm për kafshë. 

Juniku, përveç që ôsht i njoftun si fshat i madh, e me ni t’kalume historike, ôsht i njofur edhe me begatinë me ujë — edhe gjatë stinës së verës, se Ereniku vazhdimisht ka ujë, dhe toka kryesisht ujitet edhe gjatë verës; dhe ka pasë mbi tridhetë [30] mulli, e po aq vajevica (vajevicat qi i shkelshin zhgunat), dhe prej krejt atij regjioni, gjatë verës, kur ndalej uji ose pakohej uji, bijshin me blue misrin ose grunin në mulli të Junikut, prej Anadrinit, e prej rrethinës s’Gjakovës e. Përveç kësaj, Juniku ôsht i njoftun edhe si qendër e aplikimit dhe gjykimit sipas Kanunit të Lekës Dukagjinit. Aty ka qenë oda e Junikut, kryeplaku që e ka dhanë fjalën e fundit, që kish me qenë sot ni Gjykatë Supreme me thanë. Ai që e kom njoftë une, ka qenë i fundit — Abdyl Hoxha; Abdyl Hoxha, kryeplaku, që edhe prej Malësisë s’Shkodrës e Malësisë s’Gjakovës kanë ardhë për m’i pleqnue problemet, hakmarrjet, mosmarrëveshjet, te ai; edhe mas gjykimeve qi i kanë ba pleqnar’t e vendit lokal atje. Dhe ai kërkonte që dy palët m’i ndegjue, se tregojnë, ka ardhë njeni e i ka thanë: “Qishtu e kom mosmarrëveshje me kojshinë... e shka po thue me ba?” — “Jo, une du m’i nije dy komontë. Tash e nijta njanen kumonë, du me nije edhe kumonën tjetër” (kumonë, ato zilet e deshëve, ugiçëve); domethanë bjeri edhe palën tjetër; edhe u deshtë palët me ardhë dorëzanë. Na thojshim për kredi “zhiran” dorëzanit (n’kohën moderne zhirandat — që garantojë që do t’zbatohet ai vendim). 

Në ndërkohë, n’vitin 1941, gjâja e parë që m’kujtohet si fmi, domethanë 5 vjeçarë isha at’herë, ôsht kur kanë arritë gjerman’t në Junik (ushtarët gjermanë). Dhe meqenëse me reformën agrare të Jugosllavisë, krejt tokën punuese ia patën marrë fshatarëve dhe i patën kolonizu me malazezë, kur erdhën gjerman’t: shkuen e jau djegën shpijat e malazezëve; dhe m’kujtohet flaka e tymi që ju shkonte shpijave atje, edhe thojshin: “Shpijat e cërnagorëve p’i djegim”. Edhe malazezët me fmi e me robë, e familje, e bagëti u larguen për Mal Zi. Mirëpo shum vendas i kanë përcjellë deri përtej Peje, deri n’grykë t‘Rugovës, me armë, mos m’i damtu kush rrugës — edhe pse dej at’herë ia kishin marrë tokën, e k’ta kishin punue n’tokë t’vet si argat (vendasit).

Sado qe Juniku fshat i madh, m’kujtohet qe kanë qenë dy [2] shitore qe i majshin tregtar’t e Gjakovës ku mund t’furnizohshin fshatar’t me artikujt kryesor; e artikujt kryesor në at kohë kanë qenë: krypa, gazi, sheqeri... eventualisht kafja, qe rrallë gjindej. Se edhe pâre s’kishte, t’ardhuna s’kishte, askush në rrogë s’ka marrë, për shembull, por vetëm t’ardhuna kur bahej pasuli me i shitë ose kallamoqi, ose naj produkt tjetër bujqësor e blegtoral. Jeta ka qenë shum e v’shtirë.

FK: Po, familja juej...? 

ZSh: N’familjen time që ishte gjyshi me dy [2] vllazën tjerë, prej cilve njenin ja patën vra... se n’familjen time e kanë pasë edhe ni mulli me ujë që punonte; dhe n’at familja kish pa punue vllau i gjyshit, mixha Ymer i thojshin, Ymer Selmani. Dhe ni natë, ni grup ushtarë a policë, a xhanarr, a shka kanë qenë ata, nuk e di (s’um kujtohet; une as qe kam qenë at’here, por prej t’ndigjumeve), e kanë kalue anej... thojshin Rrfija (nuk e di shka ka qenë Rrfija)... e kishin pa’ vra at mixhën Ymer n’mulli! Edhe ata rrugës tjetër vijnë edhe hyjnë në kullën tonë, n’odë, e ja nisin me pi raki, e meze e sene... me knue e! K’ta po presin me ardhë mixha Ymer me hângër darkë n’shpi, prej mullinit afër aty. Po, vonohet e s’vjen! Shkojnë me kqyrë pse nuk erdh, e me thirrë me ardhë, se koha me hânger darkë tash; kur shkojnë, e gjejnë të vrarë! E marrin qashtu në kullë, po jo në odë atje, po në ni odë tjetër, atje... E njeriun e vdekun n’shpi, njerin e shpisë... edhe ata tuj knue, e tuj pi atje, e tuj ba qejf! (Qata xhanarr a shka kanë qenë t’Rrfijës.) K’shtu qe, ky popull, gjatë asaj kohe, edhe gjatë turqve (natyrisht), edhe gjatë ish-Jugosllavisë ka qenë i tortururar, i masakruar, sikurse edhe n’Luftën e Fundit, edhe para Luftës s’Fundit... 

FK: A mundesh pak me na përshkru Junikun? Shpijat qysh dukeshin prej s’jashtit, prej s’mrenshmi?

ZSh: Po, dhe shpijat, ato kulla dy [2] katshe e tre [3] katshe, domosdoshmërisht e kishin edhe odën e burrave (odën e musafirëve) në katin e sipërm, qe kishte edhe divahanen e lokalet e domosdoshme, tualet e tjera. Shpijat, domosdoshmërisht kanë qenë t’rrethume. Oborri ka qenë i rrethum me mur gjithashtu prej gurit (me gurë). Me gurë, për arsye se Erenikun e kishim afër aty, na binte nëpër fshat, e gurë mjaftë, edhe ranë mjaftë, k’shtu qe vetëm qereqi duhej siguruar (gëlqerja), edhe mjeshtrit, e lâna, bjeshkët... mali i Junikut afër, çfare dush lanë... Dhe tash m’duket shum interesant, qe mali at’herë asht rujt shum, nuk â damtue, për ndryshim prej tash që e kanë damtue shum!

FK: Shpija juej, a ka qenë kullë?

ZSh: Shpija jonë, po. Ka pasë ni kullë, dy [2] katshe ka qenë... jo, tri [3] katshe: me odën e burrave. Juniku n’kohën e... n’vitin 1921–1924 ka qenë neutral; ôsht koha e konferencës së Londrës, të ambasadorëve n’Londër për caktimin e kufijve mes t’Jugosllavisë e Shqipnisë; dhe Juniku me rrethinë ka qenë si zonë neutrale, halâ pa u përfundu bisedat, edhe pa u marrë vendimi ku me qenë kufini, dhe aty jon grumbullue koçakët: edhe kaçakët që s’pajtoheshin me serbinë edhe kaçakët që s’pajtoheshin me Ahmet Zogun (që ishte at’herë Kryetar i Qeverisë, para se m’u shpallë mbret i Shqipnisë). Dhe krejt kullat e Junikut ishin të mbushuna me kaçakë. Në odën tonë, për shembull, thojnë se ishin do kushëri — shtatëmdhetë [17] t’armatosun, t’gjithë që kanë banue, kanë jetue aty me muej; dhe ata ishin të rrethinës t’Gjakovës të besimit katalikë. Dhe ni rast, që e tregonte baba, kur ni kushëri i tyne, i familjes, natën mas darke e merr pushkën prej (që e kishte varrur aty) edhe del. Ai k’llauzi, prijësi i kaçakëve i atyne gjashtë-shtatëmbdhetë [16–17) kaçakëve, thotë: “Ku shkoi Rexhepi, more?” — “S’e di valla; duel!” — “Del! Del thirre shpejt, de t’vijn edhe ’iher k’tu!”  —“Rexhep, ku u nise me shkue?” — “Po ma vjedh kallamoqin dikush, po ma then, e dola me kqyrë me i rujtë!” — “Jo, kadalë ’ihere qaty, ulu edhe dathi apangat e ndigjo: ‘Shkon, ti...! Kallamoqi tash asht pjekë e asht tha... e kur t’levizesh për kallamoq nihet... e t’vret ai para... e t’heton ai edhe t’vret — e t ’shkon ara e kallamboqi, e krejt! Ose e vret ti atâ, bjen n’gjakë, e duhesh me shitë arën për me pague gjakin! Çfarë men’ jon ato!! Ulu qaty! E na gjashtëmdhetë [16] vetë me pushkë, e ti po del, e s’po dijmë na ku je ka shkon!” 

K’shtu e lenë Rexhepi at punë... as qe e mendon, thotë: “Njime, me ba me m’vra ai: shka m’duhet... as kallamoqi as ara, e leje mâ... edhe me vra atâ, qashtu!” 

Ose bjen fjala: problemi kryesor në fshat at’herë ishte me sigurue gazin për me ndrique natën, se për rrymë as që bahej fjalë! Nuk kish as nëpër qytete, e leja mâ n’katun! Edhe krypen, sheqerin, qi i merrshin, shpeshëherë i merrshin hua (veresi) e n’dugâjë (n’shitore), e ai shitësi i shkruante arabisht numrat aty (borxhin qi p’e merr hua; mallin), e ka’ihere u “habitke”, “gabojke” — i shkrujke pak mâ shum se që ishin n’t’vërtetë; e ai qi i kish msue n’mejtep arabisht numrat, i thojke: “Kqyre se qaty nuk ô tre [3], po ô dy [2]!” — “Ei kokna habit! Hajt se e përmirësoj.” 

FK: Po, te ju, kush e bante pazarin? Kush dilke m’i ble k’to artikuj? 

ZSh: I zoti i shpisë. Vetëm ai kishte pare. Tjer’t mashkuj, krejt shka... edhe nëse kanë fitue dikun (naj argat, dishka...), ja dorëzojshin t’zotit t’shpisë. I zoti i shpisë e zoja shpisë i kishin krejt senet n’dorë; edhe shka ka m’u përgadit për darkë e për dreke e zoja e shpisë vendoske. Po, problemi ka qenë qe n’katun... mish kryesisht kishte vetëm n’kohën kur prehej pëstërma, edhe rrallë naj here gjatë vitit, kur prehej naj kingj a naj. E kur prehej pëstërma, për çdo natë kishte mish e lakna ose mish e pasul, ose... 

FK: Po, ushqime tjera qi përgatitshin?

ZSh: Lakna, mish e lakna, mish e pasul, leqenik, pite... 

FK: Mramjen, për shembull (darkën)?

ZSh: N’darkë: mish e lakna, mish e pasul, leqenik, pite, pëshesh me tamël. Përshesh me tamël, a? Se na pëshesh i thom atje.

FK: Si fmi, çfarë punësh bojshe? Çfarë detyrash kishe?

ZSh: Si fmi, prej moshës gjashtë [6] vjeçare me bagëti, m’i rujtë bagëtinë. I kom rujtë delet, kom rujtë lopët deri n’moshën dymdhjetë vjeçare [12], deri sa kom shkue... Bile, kur shkova n’gjimnaz t’ultë n’Gjakovë (e dej n’fillim t’qershorit zgjatke atje msimi), kur shkova n’bjeshkë, kishin dalë k’ta t’mijtë... e kur shkova n’bjeshkë, e zoja stanit, e zoja shpisë, thotë: “O moj nanë, po mirë m’i ruejshe lopët! T’muer n’qafë baba yt, e t’çoi n’shkollë, t’hupi!” Ajo konsideronte qi jom hupe, se s’p’i ruej mâ bagëtinë. K’shtu se, n’përgjithësi, jetë e v’shtirë ka qenë ajo.

FK: Po, për vllaznit/motrat, a mundesh me na folë pak?

ZSh: Vllazën unë s’kom pasë. Motrat t’reja, shum t’reja i kanë fejue, dhe mâ, kur jon rritë, kanë fillue me i përgatit qeizin (thojshin pajën), me punue n’vekë pelhurnat e k’to dyshek e jastik qi i bojshin me vekë, qi i punojshin. Gjithmonë at’herë fejesat jan ba qashtu: familjet i kanë fejue, pa e dijtë për kon, kush asht e shka asht e! Tashti asht ba e zakonshme edhe te ne bashkëjetesa, pa u fejue e pa u martue jetojnë bashkë, qi unë s’e konsiderojnë nime si kurrgjâ atâ, si...! Qeliza e shoqnisë njerëzore asht familja, e kjo bashkëjetesa nuk â bash familje.

FK: Punët në shpi qysh u ndajshin (sipas gjinisë)? A munesh me na përshkru?

ZSh: Po, n’familje ’iher, po dihej puna, punët e fushës ishin t’mashkujve kryesisht, megjithëse edhe femnat merrshin pjesë, për shembull, në mledhjen e pasulit, n’korrjen e kallamoqit, n’terjen e sanës (barit). Si gjimnazistë në Pejë kom jetue ni vjet në ni familje ilake qe e kishim, ishin tedhetë e katër [84] anëtar t’familjes n’at’kohë, edhe n’mramjmet i zoti i shpisë i thonte: “Ti nesër, — si zakonisht çobanit, — ti me bagëti, ti shko qikhâ, ti shko qatje, une p’e thej qafen e po shkoj n’dasem”. “P’e thej qafën e po shkoj n’dasem!” — ai, k’ta tjer’t me punë. Mirëpo kishe rregull, kishe rrespekt, sidomos respekti për moshën. I riu t’vjetrit s’mujke me ja kthye fjalën, s’guxojke me ia kthy fjalën; m’i ju kundërshtue mâ t’zotit t’shpisë, jo se jo, natyrisht. N’shkollë fillore kur kom qenë, objekti ka qenë ni ndërtesë e vjetër, bile shpeshë edhe nëpër shpija, nëpër oda t’musafirëve kemi mâjt msim, në ni objekt që ka qenë ngjit me xhaminë, mejtep ish kanë ma moti, edhe aty... Po, pak ishim nxanës. Për shembull, vitet e para t’pas Luftës s’Dytë Botërore, ishte msimi shqip edhe serbisht, po mâ shum kishte malazezë nxanës, se shqiptarë, edhe pse numerikisht malazezët ishim dukshëm mâ pak, sesa shqiptar’t, por n’shkollë shum ma shum ishin malazezë, se na. I kom pasë shokë t’klase t’ni banke, prej klasës s’parë fillore deri n’maturë, ni Ali Hoxhën, rahmetlinë, i cili ma vonë pat krye mjekësinë dhe ishte drejtor i Shpisë Shndetit n’Deçan. Pediatër me specialitet, i cili ki’ rritë pa prind, se n’moshën ma t’re, n’moshën meniher pas lindjes, i kishin vdekë dy prindërit, dhe e ka rritë grueja e axhës, edhe e ka marrë n’gji, se e ka pasë edhe djalin e vet n’qaso moshe përafërisht. E ka rritë Alinë. E m’u dhimke Alia, se ishte i pa prindë. At’herë me qenë n’familje jetim ishte zor, se prindi e mante, nana e mante me veshje e me k’to. I zoti i shpisë nuk i blente fmive tesha, po nana i mante me punë t’vete. E Alia s’kishte nanë; ishte nxanës i shkëlqyeshëm. E dej n’matur kemi qenë shokë klase, e shpesh edhe shokë banke. Fatkeqësisht pat kancer e vdiq n’Zvicërr n’emgirim, se atje i pat shkue familja (masi ke martue, natyrisht).

FK: Po arsimtar’t/msues’t, qysh ju kujtohen?

ZSh: N’shkollë fillore, për shembull, msuesi qe e kom pasë n’klasën e katërt [4] fillore, ka qenë edhe ai me katër [4] klasë fillore, kurrgjâ ma shum, jo. Po si e kish krye ushtrinë e kishin caktue msues, se po din me shkrue e lexue. Po ma vonë pat punue n’Sekretariatin Krahinor për Arsim. Edhe ai pat krye fakultet, n’pleqni.

FK: Çfarë metodash përdorshin me juve nxënsve për msim...?

ZSh: Po, at’herë përdorej edhe metoda e denimit fizik. Bile, m’kujtohet ’ihere, luejshim na fmija n’dimen, e u gjuejshem me borë, me boca t’borës, e duert e ftofne me borë... Ni msuese, ni vajzë, ni femen ka qenë msuese n’at kohë, ni Melihatë e ka pasë emnin (biles m’vjen keq që s’i di mbiemnin, e s’ia disha fatin e sajë mâ vonë, vetëm at’herë e kujtoj, kur ishte msuese n’Junik)... U përlamë dishka na fmitë nërmes veti, e na muer ajo na rrehi me thupër, po dora qysh ishte e ftohtë: t’dhimke fort! S’ja baj hallal as sot [qesh]!

Fshati Junik ôsht fshati noshta ma i madh n’Kosovë, qe tash ôsht edhe qytezë, meqenëse ôsht edhe qendër e Komunës (ajo ka qenë edhe mâ herët); po ka ni t’kalume t’bujshme. Aty në vitin 1912, Hasan Prishtina e pat organizue Kuvendin e Junikut, ku u mur vendimi që populli shqiptarë të çohet në kryengritje t’përgjithshme, edhe ishin përfaqësuest nga t’gjitha viset shqiptare n’at Kuvend. E n’Junik, besoj, ma merr menja, u caktu m’u mâjtë ai kuvend, përarsye se ishte fshat i madh dhe mujshin me i strehue përfaqësuest e regjioneve t’ndryshme. Besohej se kanë qenë nja katërqin [400] të tillë.

FK: Prindërit, a ju kanë tregue diçka për kit ngjarje? 

ZSh: Po, prindërit kanë pasë, kanë mbajtë nja dymdhetë [12] musafirë/pjesëmarrës; që ka zgjatë katër [4]ditë Kuvendi i Junikut. Kjo ka ndodhë në vitin 1912, në maj të vitit 1912. Dhe prej aty jon nisë kryengritësit menihere, jon da detyrat mes parisë dhe jon nisë kryengritësit, dhe kanë mrri deri n’Shkup, e kanë shlirue, po n’Shkup nuk jon marrë veshë udhëheqësit mes veti për qëllimin e kryengritjes, dhe ka metë fjala: “Shkupi jonë, Bugari n’tâ!” Se prej aty jon kthye, edhe manej ka përfundue ajo në Vlorë, në shpalljen e pavarësisë n’Vlorë, në nandor, 29 nandor 1912, gjithashtu. Përkundrejt asaj qi fshati kishte nja katër [4] mijë banorë, personi i parë që ka krye shkollën e mesme prej fshati ka qenë ni Sali Gacaferi — Sali Beqa, që ka krye Gjimnazin e Shkodrës dhe Normalen e Elbasanit, i cili n’vitin 1945 nga komunistët u vra. Mas shurjës së kryengritjes së Drenicës, Lëvizjes së Shaban Polluzhës, u caktue si udhëheqës i rezistencës kundër komunistëve për regjionin e Junikut, Sali Beqa, dhe ai kaloi n’Ilegalitet... dhe e kanë rrethue forcat partizane, komunistat vendës, policia e tjerë, dhe e vranë n’mal, n’bjeshkë... Rrasë e zogut quhet, bile, ka metë edhe toponimi tashti, Te Vorri i Sali Beqës, se edhe aty e kanë varros, qaty ku ô vra. 

Kurse në vitin 1941, në maj dikun noshta, u hap shkolla e parë shqipe. Po, n’maj, domathanë, veç sa m’u ba regjistrimi, e disa orë... Deri at’herë në serbisht (në gjuhën serbe) vetëm ka pasë shkollë. S’ka qenë i lejume shkollimi në gjuhën amëtare. Dhe n’vitin 1945, personi i parë i mas luftës që shkon në shkollë të mesme prej shkollës fillore të Junikut, ka qenë Din Mehmeti, poeti ynë i njoftun. Tash fatkeqësisht nuk ôsht në mesin tonë mâ, por ka lanë krijimtari të bollshme dhe të vlefshme. 

Në vitin 1948, Juniku, sikurse edhe shum fshatra tjerë u kolektivizue, domethënë, nifarë kooperativa bujqësore/fshatare quhej, modeli i kollhegjeve ruse. Dhe krejt bagtia e toka u kolektivizue, dhe njerëzit punojshin për meditje aty; meditje qe ishte, veç simbolike; n’fund t’vitit llogariteshin sa dite pune i ka ba gjatë vitit; edhe natyrisht token mâ s’e punojshin sikur e kanë punue kur e kanë pasë t’vetën. Bile ka qenë ni rast qe e kom ndie une: qe njenin e kanë çue me ujitë (se ujët e Erenikut ka edhe verës; ujiten arat), e kanë çue me ujitë arën, e ai e ka ujitë vetëm rreth e rreth, po mesin nuk e ka ujitë, edhe ka thanë qe e ujita krejt! N’t’vërtetë u metë pa u ujitë se “e kurrkuj ajo, nuk ôsht mâ e tijna”!

Në vitin 1948, unë shkova në gjimnazin... masi e kreve klasën e katërt [4] fillore n’Junik, shkova në gjimnazin e ulët në Gjakovës (At’herë ka qenë sistemi: shkolla fillore katër [4] klasëshe, gjimnazi i ulët dhe mas gjimnazit të ultë, ipej semimatura ose gjysmatura edhe prej aty shkohej në shkollat e mesme, sipas përcaktimit.) dhe unë n’48-ën, pra, shkova në gjimnazin e ultët n’Gjakovë, kurse n’50-in n’gjimnazin real në Pejë.

FK: Çfarë kuptimi kishte shkolla për ty at’herë?

ZSh: Po mue m’kujtohet, për shembull, kur isha në bjeshkë, mâ herët, vishin prej fshatrave t’largëta... Ka qenë ni Sokoli, Sokol (S’ëm kujtohet mbiemni, po emni. Sokol e ka pasë.) që dinte (kish qenë n’gjimnaz serbisht n’Pejë, n’kohë t’ish-Jugosllavisë, n’t’Mretnisë Jugosllave, pra) dhe dinte shkrim-leximin ; vishin prej fshtarave t’largëta me jau lexue letrat, prej djemve që ju vishin prej ushtrie at’here; se s’kish njerëz, shum t’rrallë ishin njerzit që dishin shkrim-leximin. Dhe tash u masovizue pak ajo, megjithatë. Megjithëse prej krejt fshatit Junik, n’klasë t’katërt [4], ni [1] paralele ka qenë. Ni [1] paralele: nja tridhetë [30] nxënës, tridhetë e pesë [35] nashta. Për ndryshim prej tash, qe ka mjaft t’diplomum t’pa punë. T’diplomum n’fakultete, pra. Në vitin 1960, po e them edhe kte, kom punu ni [1] vjet n’komunen e Deçanit, meqenëse Juniku ju bashkangjit Deçanit. Dhe kom qenë i vetmi nëpunës i komunës, ku ishin nja katërdhetë [40] tjerë s’paku, i vetmi kom qenë une me shkollë t’mesme; t’gjithë tjerët kanë qenë me shkollë fillore, nëpunësit e komunës, pa marrë parasysh çfarë shërbimi kanë punue; vetëm sekretari i komunës që ishte ni malazezë, e kishte fakultetin juridik t’kryem, e tjerët, nëpunësa, krejt ishin me shkolla fillore. Ky ôsht ndryshimi i madh ne strukturën kualifikuese arsimore n’mes t’asaj t’fminisë sime dhe t’rinisë tashti. N’at kohë ke çelë edhe paralelet e gjimniazit t’Pejës n’Deçan. Qe n’kohën time, kur une e kom krye gjimnazin, kanë qenë katër [4] gjimnaze n’Kosovë: gjimnazi i Pejës, gjimnazi i Prizrenit, i Prishtinës edhe i Mitrovicës; tjerat shkollë t’mesme. T’përgjithshme s’ka pasë. Kanë qenë edhe nja dy [2] shkolla t’mesme profesionale, si: shkolla teknike n’Mitrovicë, për shembull, edhe shkolla e mesme e mjeksisë, gjithashtu. Dhe tash filluen edhe nëpër fshatra me u hapë shkollat e mesme. Por në natyrë të njeriut ôsht që kurr mos me qenë i knaqur me at qe e arrin, por gjithmonë me kërku pak mâ shum. Dhe sado që ne sot nuk jem të knaqur me gjendjen që e kemi, megjithatë ndryshimi ôsht tejet i madh. Une e maj n’men, për shembull, Kosovën pa asni metër katror asfalt, kurse sot kie plotë rrugë, autostrada bashkëkohore, si kjo autostrada e kombit, për shembull, e tjera, tash qi po bahet për Shkup, Prishtinë–Shkup e tjera.

FK: Sa ka ndryshu bota, prej qe mani n’men, prej qe jeni kanë t’ri?

ZSh: Ndryshimi ôsht shum i madh; kolosal — kisha me thanë! N’fmininë time, për shembull, s’ôsht dijtë për radio, aq ma pak për televizion, lajme, gazetë mâ, jo se jo! Lajmet merrshin ditëve t’pazarit n’Gjakovë ose n’Pejë. Edhe m’kujtohet ni rast kur daja i gjyshit tim, ka qenë ni Daja Salihë, shurdhmemecë (n’t’vërtetë shurdhanë ka qenë, jo memec, por shurdhan), erdh ’ihere prej Gjakove, po i thotë babës: “Dajo, a din shka m’tha njani n’Gjakovë? (kjo mas ardhjes s’partizanve, mas ’45-it, domethanë ’45-it) M’tha njani n’Gjakovë se kur t’bahet dushku i verrit sa dy [2] lirshi, partizan’t shkojnë prej k’tuhi (se ishin pâ’ knaq tu nejt... si shumica e njerëzve at’here)... Partizan’t çohen prej k’tuhit...” Se tjetër mjetë t’informimit s’kishte at’herë, k’shtu qe ndryshimi ôsht jashtëzakonisht i madh, ose mënyra e jetesës, ose kushtet e jetesës. Megjithëse, thashë edhe n’fillim, se, sado që nuk jemi t’knaqur me gjendjen që e kemi tani, ndryshimi ôsht kolosal. Sidomos në lëmin e arsimit dhe kulturës, po edhe n’shënetsi. Se at’here mue m’kujtohet, n’fmininë time, n’rininë time, në Gjakovë kur isha, bie fjala, n’gjimnaz t’ultë n’rrethin e Gjakovës, ni mjekë ka qenë, ni serb, ni Zhivanoviq (Nja dyqin [200] kile i ka pasë. I trash nja.) për krejt ai. Edhe n’nëpër katune shkonte nojhere... E qeizi, me qeizë at’herë , se automobila s’kishte, u shtremoke n’anën që u ulke ai, se i ranë shum [qesh]. E k’shtu. Përveç kësaj, thash se ndryshimi ôsht jashtëzakonisht i madh, sidomos në arsim e n’kulturë. Për kulturë mâ, veç për kulturën tradicionale... Sport, mâ! Sport ka qenë gjuejtja e gurit, gurapeshë i thojshin, si tashti n’atlektikë ôsht gjuejta e gjyles ose e diskut; at’here gjuejtja e gurit — tre [3] hapshi; sa po kcen larg dikush. Ose n’mramjet luheshin kapuças, me mshef plumin, dhe knoheshin kangë, u shahshin ata: “Koka shtre dosa me pjellë, shtat’ a tetë po i ban me’ihere!”, i thoshin atij qi ka hup; ose: “Ranë do sorra n’çadaverra, ç’p’i shtin fmijtë në punët e fella!” — se me lue kapuças, me dijtë me lue, ôsht punë e fellë; ose: “Nuk p’i mêjka qeni fjal’t, mej asi ‘t’flliqt’ ja thej dhomalltë!” e tjera [qesh].

E përmena ni rast qi kanë ardhë prej fshtatrave t’larga me i... ni personi qi dike me lexue, qe do t’thotë s’kishte njerëz t’arsimuem; tashti jon shyqyr krejt pak analfabetë. Me shumicë jon edhe t’diplomum e t’pa punë (fatkeqësisht hala). Përndryshe, n’familjen time, une jom i pari që jom shkollue. Ni djalë t’axhës qi e kom pasë ma t’vjetër, ai ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm n’fillore, po nuk e kanë lshue prindërit (sidomos nâna) me vazhdu shkollimin, se “m’i largu djalë hazdreti, m’i largu prej shpije, ôsht kijamet ajo punë”. Mue m’kujtohet qe kur isha n’klasë t’parë [1] e dytë [2], e tretë [3], e besa e n’gjimnazë t’ultë n’Gjakovë se për vikend visha n’shpi, t’shtune e dielle, me u pastrue, m’i la teshat e... e çdo t’hane n’mjesë herët u çojke baba m’merrke mue e shkojshim n’Gjakovë, n’shkollë me mrri para orës tetë... Prej shpisë dilsha tuj çajt, se po largohna prej familjes. M’kujtohet, pa krye klasën e katërt [4] fillore, e kish marrë ni shkresë msuesi (që dinte me lexue, natyrisht, dhe jo mâ shum) që nxënëst e shkëlqyeshëm t’klasës t’katërt [4] me i çue gjatë verës me krye klasën e parë t’gjimnazit t’ultë... dhe msuesi na dha kuririn, Kadriun (e ka pasë emrin Kadri, ai). Ne katër [4] nxënës me Kadrinë shkuem n’Gjakovë; edhe shkuem n’k’shill t’rrethit aty, na rregjistrun me ni ven, manej na thanë me shkue n’gjimnazë (n’gjimnazë t’ultë, natyrisht); shkuem atje edhe aty na regjistruen, edhe na thanë me shku n’Internatë m’u rregjistru edhe atje; shkuem edhe n’Internat u rregjistruem; e manejm, masi u krye aty puna, Kadria tha: “Iii, sante Nata e Shingjergjit, — domethanë ka qenë pesë [5] maji ajo, — sonte Nata e Shingjergjit... e t’shkojmë edhe ’ihere te direktori n’gjimnazë e m’i thanë: ‘A po m’i lshon këta fmi?’”. Edhe shkuem, e po i thotë: “Shokë direktor, a po m’i lshon këta fëmijë, se sante Nata e Shingjergjit, e kanë qejf edhe familja, edhe k’ta me kanë atje,  po nesër natje t’i bije k’tu!” Jo, se nesër paska qenë e premte si duket... i thotë:  “Jo, nesër, po t’hanen natjet me m’i pru k’tu. Thotë: “Ani, mirë!” Edhe shkuem na, kur dulum jashtë qytetit, u nalum me prit ni ven me hangër bukë, e kishim marrë bukën me veti prej shpije (bukë e djathë). Deri sa u ulum aty me hangër bukë, duel ni kerr prej qytetit, ni kerr me kuaj, edhe u çue ky Kadriu shpejtë, i duel përparaj... kur na ka ba: “Hajdi shpejt me hyp n’kerrë!” 

Uuu, ku m’i marr, se u dufke tri [3] orë me ecë a katra [4]! Shkuem na vrap, hypëm n’kerr, kur shkuem nja shtatë-tetë (7–8) kilometra noshta, m’ra n’men që herkën e kom harrue (herka ka qenë nifarë jakne për shi, prej zhgunit me gajtana e me...), e re sa e kisha veshë qat’here... I thash: “Unë duhna m’u kthy!” I thashë atij: “Nalu ’ihere, se kom harru herkën qatje ku hëngrëm bukë e duhna m’u kthy m’i marr herkën!” Ai Kadria edhe ai zoti kerrit m’thanë: “Jo, se s’e gjanë tash, e kanë marrë dikush atâ.” — “Jo, s’kom qare pa u kthye!” U ktheva une vetëm, hala dymdhetë [12] vjet s’i kisha (nimdhetë [11] vjet e dishka), u ktheva... gati aksham u ba (Se kish qenë dita e lagshtë pak e pata shtrue herkën për mos m’u ulë n’barë t’lagtë... e aty ke ni me bollica, e me lop tu kullotë)... Kur shkova, s’e gjojta as atâ me bollica e lop, as herkën! Po u ba gati aksham, p’e d’veti njanin “kah ô rruga?” (thojshin ôsht ma shkurt me shkue n’Junikë rrugës lugut t’Cëragojës) “Kah ô rruga? M’kallxoj ai kah me shkue, e u nisëm qanej, pa kanë kurr anej, pa e dijtë at rrugë hiç. Kur shkoj me ni ven, me ni katun Rracaj, aty u dake rruga n’dy drejtime: prej prronit delke ni prrue, e prej prronit delshin dy [2] rrugë. “Kah me shkue tashti? Cilla ôsht për me shkue anej?” Hajde e disha qi qai prrue niset prej fushës s’Junikut, edhe t’eci une nëpër prrue, nëpër ujë qashtu, se e disha veç ku m’qet. Kur po shkojë (mas dy-tri orë [2–3] sigurisht kom ecë), nata, terr, se përveç territ t’natës edhe vront ishte, edhe prroni ishte i mluem me degë të shelnjeve e të k’tyne verrave; dikur p’e nij, po blegrojnë do dele n’bregë; hajt t’dal, ku jom, ta kqyri! Dola... zhurum... do qen që ishin kanë, qen t’dhenve ata... e duel ai çobani atje: “O kush je ti more?” — O thash: “Ni udhëtarë jom, more! Cili katun ô ky? Tha: “Pllacaj.” E mirë, e lypa shpinë e ni miku qi e kemi pasë t’Pllacajve, e m’çoi ai aty, e m’duel ni plakë: “Uuu, Zeqë, nânë, shka t’ka qitë nata k’shtu kaq vonë!” I kallxova une tu kajt që e kom hupë herkën. “Uh, nanë, t’i paq marrë t’ligat! Ku po je ngusht për herkë! Ta bon nana tjetrin, ta bon Timja tjetrin.” Ajo e dike nanën teme... Ni bijë e tyne ishte te na e martume për ni kushëri t’babës. At natë, mas... gjysnatë u kanë dikun, ajo ma shtroi venin me ra me fjete. Po duel se ku i gjet a ku i ka pasë do lule... e m’i shtroj n’dyshek, n’qarshaf aty, se Nata e Shingjergjit, e m’i shtroj edhe lulet e Shingjergjit. E flejta at nate aty, e nesër me u çue n’shpi. 

Pas kryerjes s’shkollës s’mesme, por para fakultetit, edhe u martova. Gruaja ime n’at kohe ishte msuese. Dhe në martesën tonë i patëm tre [3] fmi: dy [2] djem dhe ni [1] vajzë. Të tretë [3] kryen studimet. Njeni makinerinë, vajza arkitekturën, kurse djali i dytë fakultetin ekonomik. Dhe patëm arrit me i formue mirë, m’duket, bile. K’shtu qe djali qe nizetë [20] vjet punon në Organizatën e Kombeve të Bashkuar për Refugjatë, Komersariati i lartë për refugjatë n’UNHACER [UNHCR], kurse ai fatkeqësisht, n’profesion t’vet vetëm ni vjet pati punue në Feronikël, si inzhinerë i makinerisë... e manej i qitën shqiptar’t prej pune, edhe ate natyrisht. Kurse djali i dytë [2], si ekonomist ma n’fund zuni vend në Institutin Nacional Demokratikë Amerikanë, dhe aktualisht ôsht në Liberi, n’Afrikë, n’zyrën e ENDIAI-it [NDI] n’Afrikë.

FK: Çfarë msimesh ja ke përcjellë fmijëve për jetën?

ZSh: Jemi mundue qe m’i kombinue, ate traditën me bashkohoren. Traditën me arsimin tim, për shembull, e t’grues sime (se gruaja edhe u pensionue si msuese). E mendoj se kanë ni gërshetim të këtyne dy [2] rrymave kisha me thanë: bashkëkohores edhe traditës (traditës kombëtare dhe familjare).

FK: Po, msimet, babi juej qe jau ka lanë... ni krahasim me ba, a munesh?

ZSh: Babi im shpesh herë ma ka thanë: “Njeri duhet me konë njeri, qyshdo koftë puna!” Kjo “qyshdo koftë puna” në zhargonin e t’folmes së tinej, domethanë: n’çfardo situate duhet me qenë njeriu njeri! Pa marrë parasysh qysh ôsht tjetri, njeri duhet me konë njeri, m’u sjellë si njeri, demekë. Qashtu ka qenë edhe edukata e tinej prej gjyshit e prej familjes. Po ka qenë i zgjuet, po autodidakt. N’shkollë, arabisht ka dijtë me shkrue, por tjetër jo. Ushtarë kur u konë kish pasë msue me shkrue çirilicën... bile e kom gjetë ni copë drrasë n’kutinë e nânës, ni copë drrasë e strehume, e shkrume me laps grafik: “Me 5 maj 1936 leu Zeqa (une kur kom lind e ka shkrue baba) dhe pjelli Kaprica.” Kaprica ni lopë... t’njejtën ditë edhe Kaprica kish pa’ pjellë. Kjo m’u ka dhimtë ma s’shumti kur na u ka djegë shpia gjatë luftës tashti, se u djegë edhe qajo copë drrasë.

Mas shkollës t’mesme e kreva edhe fakultetin juridik, dhe ni ngjarje e randsishme ndodhi (masi e kreva fakultetin jurdik): ky ishte viti 1966, kur u demaskue dhe u përjashtue Aleksander Rankiviqi, si prijësi i UDB-së famkeqe për shqiptar’t edhe n’përgjithësi... Dhe n’at kohë, m’kujtohet, filloi nifarë demokratizimi i shoqërisë, k’tu, n’Kosovë, dhe serbët qi ishin msue me sunue, thojshin: “Ranë kodrat e u ngritën luginat (Pala su brda, podigle se doline)”, domethanë se filluen m’u ndrrue kuadrat, se drejtor’t ishin kryesisht serb, edhe tash filluen edhe shqiptar’t m’u ba... 

Gjatë periudhës së pas Luftës Dytë Botrore, marrdhëniet Shqiptarte-Jugosllave, Jugosllavo-shqiptare kanë përjetue ndryshime. Për shembull, vitet e para ishin marrëdhaniet shum t’afërma, bile flitej se ôsht bisedue qe Shqipëria t’jetë Republika e shtatë [7] e Jugosllavisë; dhe Enver Hoxha ka qenë adhurues i madh i Titos. Nëpër festime t’ndryshme i shofim edhe tash dokumentare, ku defilohet me portretet t’Stalinit, t’Titos e t’Enverit. M’kujtohet, ushtarët jugosllavë e knojshin (kur isha i vogël, kur isha n’shkollë t’mesme) ni kangë (jo n’shkollë t’mesme, po n’gjimnazë t’ultë n’Gjakovë, e n’shkollë fillore): “Ne i kemi tre [3] djem t’popullit...” Serbisht rimojnë mirë: “Mi imamo tri narodna sina, Enver Hoxho, Tito i Stalina.” “Ne i kemi tre djemtë t’popullit, Enver Hoxhën, Titën e Stalinin!” Mas disa dite dul kanga tjetër, prap ushtarët e knojshin: “O, stalin, o i biri kudrës... O, Stalin, o i biri kudrës... Oj staline, oj kuqki sine”. K’shtu qe, edhe marrëdhëniet Jugosllavo-Shqiptare ndjekën raportin e marrëdhënieve Jugosllavo-Ruse (prishja mes Stalinin e Titos), ishin të tensionuara shum. UDB-a ishte e përqendrue në pjesën e Kosovës që ôsht n’kufi me Shqiprinë. Kishin gjetë bashkëpunëtor, e përcjellshin çdo hapë, sidomos të intelektualëve, dhe shpifshin. Megjithëse s’kish pasë nevojë me shpif hiç për gjendjen n’Shqipni. M’kujtohet, u knoke ni kangë, qe sigurisht e kish burimin te UDB-a: Të lenë dielli / të praron hana / Zhujë Selman nuk bon mâ nana... Marshall Titë nuk bon mâ nana! (E ndrruen Zhujë Selmanin me Marshall Titën.) Marshall Titë nuk bon mâ nana / Ôsht i meçem trim si zana / S’e ka shoqin n’shtatë Ballkana / Ku me marrë shoqin e tij / Enver Hoxha ni faqe zi / E mur n’qaf qat grusht Shqipni / Desh e dathë e bukë pa ngi / Desh e dathë e bukë pa ngranë / E ka ushtrinë me ka ni apangë / Tash p’e lajmë punën e tij / E po dalim n’Jugosllavi / Rrnoftë Marshalli me parti / Rrnoftë marshalli, rrnofshim vetë / Rrnoftë Centrallni Komitet! E kërsitke alltija e Udbaxhive “pam-pam-pam-pam! Rrnoftë centrallni komitet!” Komiteti Qendror ôsht Centrallni Komitet.

Ni ngjarje e rëndsishme ôsht, kur kalova me punue në Bashkësi, ka qenë at’herë Bashkësia e Fakulteteve dhe Shkollave t’Larta t’Krahinës Autonome t’Kosovës e Metohisë qysh quhej Krahina at’herë, se fakultetet që ishin n’Prishtinë, ishin tri [3]: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Jurdik edhe Fakulteti Teknik, punojshin n’kuadër t’Universitetit t’Beogradit n’at kohë, nën jurispudencën e Universitetit t’Beogradit; dhe Fakultetet dhe Shkollat e Larta t’Kosovës e patën formue ni Bashkësi qe i trajtonte problemet e përbashkëta, siç ishin: financimi, strehimi i kuadrit msimor e tjera (banesat). Dhe kalova si sekretar i Bashkësisë Krahinore të Shkollave t’Larta dhe Fakulteteve t’Prishtinës. Kurse në 1969, u nxjerr ligji mbi themelimin e Universitetit t’Prishtinës, e para k’tij, mbi themelimin e Fakultetit t’Mjeksisë të Prishtinës. Pasi qe organet e Beogradit edhe t’Universitetit, po edhe t’Republikës, patën refuzu themelimin e Fakultetit t’Mjeksisë n’Prishinë. Mirëpo me ndryshimet kushtetuese n’Kushtetutën e Jugosllavisë, me amandamentet e vitit 1968, edhe Krahinat ishin autorizue me nxjerr ligje. Se Fakultetet, Universiteti e k’to, vetëm me ligje themeloheshin, e jo me vendime. Mâ parë vetëm vendime mund të binte Kuvendi, domethanë akti ma i lartë që ka mujtë me nxjerrë Kuvendi Krahnor ka qenë vendimi; tash edhe ligje, bile edhe Kushtetutën e Krahinës. E n’kuadër t’k’saj u nxjerr edhe ligji mbi themelimin e Fakultetit t’Mjeksisë dhe Universitetit t’Prishtinës. Dhe njeni prej gzimive t’mija t’mdhaja ka qenë: Themelimi i Universitetit t’Prishtinës! Tjetri ka qenë: Çlirimi i Kosovës! Natyrisht, 12 qershori, kur u larguen forcat serbe ushtarake e policore edhe hyn forcat e NATO-s k’tu. Une kom qenë n’Prishtinë gjatë asaj kohë, gjatë gjithë luftës. K’to jon dy momentet mâ t’rëndishme. Edhe n’vitin 1970, gjithashtu, kur për herë t’parë shkova n’Shipni me delegacionin e Universitetit t’Prishtinës për me lidhë marrëveshjen e bashkëpunimit, protokollin e bashkëpunimit msimor/shkencorë midis Universitetit t’Prishtinës e Universitetit Shtetror të Tiranës; se deri at’herë Shqipria ishte emën kuptimi, s’muke kush as me shkue, as me ardhë prej atje. Edhe m’kujtohet mirë, n’Qafë Thanë e patëm (te Struga) kalue kufinin. Qasi emocione që dridhesha i tëri, kur e kaluem kufinin, si me kalue n’botë tjetër! Por u [unë] mas pak kohe u zhgënjeva; se p’e shoh ni kolonë me gra, kryesisht t’vjetra, qe t’ngarkume me dru t’thata n’shpinë, nja dhetë-pesëmdhetë [10–15] gra... Se propaganda: jo kooperativa qashtu-qishtu... “tu ju falënderu fjalimit t’shokut Enver, delja e k’saj kooperative i bani tre qingja!” “Fjalimit t’shokut Enver” [qesh]. Kryesisht me periudhën kur kom punue, kom pasë fat dhe jom i knaqur, se kom qenë pjesëmarrës në shum akte t’rëndësishme për vendin dhe për popullin tim, siç ôsht: themelimi i Universitetit, themelimi i Akademisë t’Shkencave dhe Arteve, n’cilën prapë, kryekput njerëzt prej universitetit u antarësuen t’parët. Po, n’komisionin amë ishin kryetarët e akademive t’republikave që ekzistojshin at’herë... Se Mali i zi s’ka pasë Akademi (mas Kosove e ka themelue Akademinë). As Vojvodina s’ka pasë n’at kohë Akademi. Kanë qenë pesë [5] Republikat: Sllovenia, Kroacia, Bosna, Serbia edhe Maqedonia. E mandej u themelue Akademia e Shkencave k’tu, qe përveç si Akademi, si institucion shkencor, kishte rëndsi për mue, edhe për neve kryesisht, edhe si element i ni vetsie, ni pavarësie, se vetëm Republikat kishin Akademi t’Shkencave; dhe at’herë ishte dualizmi... Masi s’u ba me ndryshime kushtetuese të 68-ës... e ma vonë, që Kosova mund t’bahej Republikë, bile t’i kemi elementet e Republikës. Se ishte nji entuziazëm i përgjithshëm t’cilin e shtoj edhe themelimi i Universitetit, dhe k’tyne Instutucioneve t’Larta Shkencore e Arsimore. Të gjithë kte, krejt kuadri, të gjithë intelektualët, m’kujtohet, për shembull, Instituti Albanologjik, Shoqata e Shkrimtarëve — kryetar i të cilës ishte Ibrahim Rugova, që ma vonë u ba edhe Kryetar i Lidhjes Demokratike t’Kosovës. Aty kenë fillet e konfrontimit direkt/të haptë. Se msheftas në emën të demokratizimit e t’Bashkim-Vllaznimit e ka pasë nashta farë përpjeke... jo nashta, po sigurisht, se e di, se shum kuadra partiake, i kanë përkrah tendencat progresive të intelektualeve shqiptarë t’Kosovës, se përndryshe s’kish mujtë m’u themelue as universiti.

FK: Çfarë pozite kishe at’herë n’universitet? 

ZSh: N’universitet kom qenë prej themelimit dhe dej katërmdhetë [14] vjet e para kom qenë sekretar i Përgjithshëm i Universitetit. Dhe kur shkum n’Tiranë, se gjatë atyne dhetë [10] viteve t’para m’kra ra nja pesë [5] herë me shkue n’Tiranë, me delegacion për përtëritjen... çdo vjet u përtrike protokolli i ri (shkruhej, nënshkruhej)... edhe m’kujtohet niherë ni shoqërues, që kish qenë njeri i sigurimit, e universiteti e emëronte bashkëpunimin me jashtë, n’Univeristet t’Tiranës... N’at kohë, n’qatë periudhë ishte aktuale ni kangë: “Rnofsh sa malet moj parti kreshnike, me Enver Hoxhën zemër çeliku!” Dhe ai m’tha mu, qai shoqëruesi, m’pyeti, tha: “Si po ju duket, shoku Zeqë?” Thashë: “Shum e këndueshme, por teksti s’po m‘pëlqen!” — “Shka s’po ju pëlqen?” Thash: “Me Enver Hoxhën zemër çeliku!” — “Si? Si s’po ju pëlqen?” Për atâ kijamet me thanë se si s’po m’pelqen. Thashë: “Se ju e konsideroni Enver Hoxhën si Baba t’Kombit... e baba nuk bon me pasë zemër çeliku! Çeliku ôsht sen i ftoftë, i pa ndjenja... e baba i don tanë fmijtë!” — “Qe, nga ky aspekt s’e kom... s’e kom shique kurr’iherë! Keni t’drejtë!” 

K’shtu që ngjarje e rëndësishme ka qenë edhe vizita e parë n’Shqipëri. Bile kur erdha k’tu n’katun ju thojsha: “Jom kon n’Qabe!” Megjithëse s’guxojshëm fort me folë shka kem pa e shka kem nie atje! Se me folë “shka kemi pa”, u dufke me sha Shqipninë, e “u bojshe argat i shkijeve khâ”. 

FK: Çfarë përshtypjesh t’krijoi Shqipnia?

ZSh: T’mjera, kryesisht. Kishte rregull, kishe rend, kishte disiplinë, kishte pastërti, besa, rregullim t’shesheve e t’parqeve, po kishte varfni t’madhe. Dhe shifshe nëpër rrugë fletërrufeja (ishin n’formë at’here); fletërrufe qe djali kritikonte babën publikisht, qi ka ba qashtu-qishtu ose familjarë tjerët qashtu... N’Tiranë na pritën fort mirë n’universitet. Niherë si vëllezër, po edhe si musafirë, me tana t’mirat shka munet me u prit ni musafir. Dhe e nënshkrum protokollin e bashkëpunimit ni [1] vjeçar msimor/shkencor midis Universitet t’Prishtinës dhe atij t’Tiranës, me t’cilin parashihej që ni numër rreth dyzet [40] msimdhënës t’Universitit t’Tiranës t’vijnë me majtë msimin e rregullt k’tu... Ligjërata që vishin nihere n’dy [2] javë, ka katër-pesë [4–5] ditë, i majshin t’kompenzume, kryesisht t’Shkencave Teknike, meqenëse ne edhe na mungonte kuadri, edhe ai kuadër që ishte... (terminologjia profesionale... na e kishim kryesisht t’huejen, sllave ose gjermane); t’Shkencave Teknike; t’Shkencave Natyrore edhe Histori e Gjuhësi. M’kujtohet, vinte profesor Çabej, bie fjala. Eqrem Çabej i madh! Bile e pata ni rast k’shtu, erdh... kish ardhë ’ihere (ai kryesisht vinte për shkallën e tretë [3] n’Gjuhen Shqipe e Letërsi Shqipe)... m’erdh n’zyre, m’lajmroi ai portieri, tha: “Profesor Cabej po don me ardhë!” Thash: “Le t’vijn! Bjere k’tu.” Erdh Çabej... A din qe m’befasoj nihere! Tha: “Zotni Zeqë! A jeni ju zotni Zeqë?” Thash: “Po, une jom.” M’befasoi! “Zotni” profesori i Tiranës m’i thanë dikuj zotni! Tha: “Mu m’ka thanë ky profesor Osmani me t’u lajmru ty!” — “Shka ô puna?” — “Une jom dhandër i Dibrës; kurr s’kom qenë te miqtë! A ka mundsi k’saj radhe me shkue!” Thash: “Po, veç kallxom kur e keni kohën, edhe kush jon familja, qe t’i lajmroj ata qe dojnë me ardhë!” E m’tregoi; edhe e çova. E manej, Çabej, thonte: “Zonti Zeqë m’ka çue dhandër s’pari! E ai ish gati shtadhetë [70] vjeç at’here, gjashtdhetë e sa vjeç: “M’ka çue dhandër s’pari!” E k’shtu qe periudha ’70–80-ta, të viteve ’70–80-ta, ka qenë periudha shum e frytshme e bashkëpunimit midis dy universiteteve.

Ni rast tjetër ka qenë, profesor Androkli Kostallari, ni gjuhëtar i njohur, dhe n’at kohë drejtor i Institutit të Gjuhësisë t’Tiranës. Dhe ni të dielle, une at’here babën e kisha gjallë, dhe po dalë me babën n’qytet... e para fakultetit filozofik p’e takoj profesor Androkilin tuj shkue n’msim, kish pasë ligjërata me shkallë t’tretë [3] të gjuhës... e p’i tregoj qe ky ô baba im. Ai e pyeti: “Si je axho?” Tha: “Mirë jom, po ithati m’munon!” Tha: “Axho, kur t’vjen Zeqa herën tjetër n’Tiranë, eja edhe ti me tâ, se t’sherojmë atje, se i kemi mjekt e mirë e spitalet e mira!” Tha: “Jo more, s’keni gjâ ju atje!” Thash: “Andrkoli, ky ka qenë vullnetar i Bajram Currit! E nëpër Malesi ka kalue, e n’emën t’qasaj po flet! Androkli, ditën e mirë!” Se ai ka qenë antar i partisë, e disha qe s’i pëlqen qe p’e shan ky! Tha: “Shoku Enver ju ka knaq juve!” “Edhe ditën e mirë”; edhe ikim!

FK: Po, baba, a tregojke për at pjesën që ka qenë ushtarë i Bajram Currit?

ZSh: Vullnetarë... 

FK: Vullnetarë. A mun me na tregu ma shum? Kishum pasë qef me dijtë!

ZSh: S’ka ma shum. Kanë shku nja dy-tre [2-3] ditë nëpër Malësi, manej ju ka ardhë nifarë urdhni atyne qe m’u kthye, se ôsht prish ai plani. Kanë shku me luftu Zogun, me hjek prej qeverie. Kryetar Qeverie n’at kohë Ahmeti Zogu. Ai ma vonë u ba edhe mret; e shpalli vetën Mretë i Shqipnisë.

FK: E k’tu n’Kosovë i kanë organizu? N’Junik apo...? K’to...

ZSh: Po ka qenë neutral n’Junik... Juniku n’at kohë ka qenë netural, dhe prej Juniku jon nisë me shkue vullnetarë me Bajram Currin. Se njerz’t nuk e dinë (noshta) që Bajram Curri ni kohë ka qenë si shef i Punëve t’Mrenshme në Vilajetin e Shkupit, Viljaetin e Kosoves n’t’vërtetë me kryeqendër n’Shkup, domethanë e ka ni përvojë t’sigurimit e ushtarake me thanë. Kurse Isa Boletini ka qenë komandant i Gardës s’Sulltanit, prandaj e quejshin Gjeneral.

Ni ngjarje e ranë që i ka ndodh popullit shqiptarë t’Kosovës, ka qenë aksioni që quhej Aksioni i Armëve, i vitit ’55/’56. Ka lind’ ’55/’56-ën me motiovacion qe m’i mbledhë armët ilegale, qe i bajshin pa leje, domethanë. N’t’vërtetë ai u organizu për m’i torturu shqiptar’t, dhe shpesh prej torturave jon detyru me dalë m’i lyp me i ble ni pushkë, e me i dorëzue “kishe e tinej”, veç m’i pshtue torturave. Përveç torturave fizike, edhe t’vdekur ka pasë n’ato raste. M’kujtohet, n’Junik njeni, ni Haxhi u kon, Haxhi Alia quhej, ka qenë n’46-ën noshta kryetar i Komunës i Junikut, n’Aksion t’Armeve e kanë lshue me krye n’bunar, e kanë mytë n’bunar. Haxhi Alia i Junikut, po! Kjo n’kohën e UDB-së t’Rankiviqit, natyrisht. Kurse kur ra Rankoviqi n’66-ën, në pleniumimn e ashtuquejtun “Pleniumi i Brioneve”, filloi ni demokratizim i shoqërisë, sidomos n’Kosovë, ni ndryshim i atmosferës n’përgjithësi edhe politike edhe sigurisë, edhe drejtave. Ni demokratizim qe mundësoi edhe themelimin e Universitetit t’Prishtinës, duke ju falënderuar edhe prirjes së udhëheqjes së at’hershme.

FK: Po, për protestat e ’68-ës, a dini...? 

ZSh: N’68-ën, studentët e fakulteteve t’Prishinës (që hala s’ishe fakulteti) dhe shkollave t’larta organizuen demonstrata me kërkesën “Kosova Republikë” dhe kërkesën për “Universitet”. Po n’ato demostarata nuk morën pjesë vetëm studentë, po edhe kuadri msimor, bile ju prishijshin, për ndryshim të demonstratave të vitit 81, kur kuadri msimor u organizua prej partisë e prej policisë, që me dalë me i zbutë, me i ndalë demonstruesit.

FK: A e njihni dikën qe ka marrë pjesë në protestat e 68-ës?

ZSh: E kom njoftë ni Osman Dumoshi, ka vdekë i ndjeri, i vllau i Ismail Dumoshit. Ismailin e kom pasë edhe shokë, edhe kom banue n’shpi tyne ni vjet, kur pata ardhë n‘Prishtinë. Ai, Osmani n’at kohe ishte student i fakultetit teknikë, ka qenë njeni prej organizatorëve t’demostratave. Kurse n’vitin 81 nuk e di, ata e lypen Ali Lajqin me folë, po s’ëm duket se ka qenë ai udhëheqës i demonstratave, nuk e di kush ka qenë. Po, n’mramjet, para restorantit t’studentëve, ken grumbullue studenët, edhe policia speciale ishte ma poshtë pak qaty, nivel te restorant rugova, përafërsisht Galeria e Arteve ku ôsht tash, edhe pritshin mos po don me i deportu për qytet, me i nalë, mos me i lshue me shkue n’qytet... E ne dulem me i pritë, mos me shku m’u konfrontu me policinë... Se ma vonë kur u prish reni, u vranë dy [2] studentë aty naltë. Edhe kërkesa e k’tyne ishe për republikë, “Kosova Republikë” — kryesisht. Megjithëse m’duket se personat e porositur e t’angazhum nga sigurimi i Shqipnisë ja ndrrun kahjen pak: “Kundër Revizionizmit Jugosllavë” e “për Marksizëm-Leninizëm t’pastër”. I pengonte “Revizionimi Jugosllavë”, ajo që neve na pati ndihmue n’t’vërtetë, që s’ishte naj Leninizëm i pastërt e Enverizëm i pastërt.

FK: Zotni Zeqë, çfarë kuptimi kish puna juej n’universitet at’herë?

ZSh: Po, periudhën ma t’madhe të punës sime e kom kalu n’universitet. Nizet e gjashtë [26] vjet gjithsej. Dhe mendoj se përveç qi kom punue për ta siguru ekzistencën (pra t’ardhurat personale për veti, për familje), ajo ka qenë ni periudhë edhe e punës entuziaste, “se po bajm diçka t’mirë për popullin tonë”. Dhe mendoj se përveç lirisë, themelimi i Universitetit të Prishtinës ôsht ngjarja mâ e madhe, mâ e mirë qe i ka ndodh popullit të Kosovës në shekullin e kaluem. Se përveç funksionit arsimor e shkencor, ai universitet i dha ni shtytje t’fortë edhe ringjalljes së ndjenjave patriotike e kombëtarë të këtij populli. Mirëpo fatkeqësisht mas viteve t’80-ta, filloi ni sulm frontal kundër universitetit, në stilin qe: “Godite armikun aty ku i dhem ma s’shumti”, dhe u koncentruen sulmet në universitet, derisa krejt studentë e mësimdhënës shqiptarë i larguen prej objekteve t‘universitetit. Ma parë, viti 81, e detyrun... 80-të n’t’vërtetë, mas demonstratave, e detyruen rektorin e at’hershëm, profesor Gazmend Zajmin (shum të respektuar e të nderuar), e detyrun me dhanë dorëheqje, edhe dy prorektorët, me ç‘rast kishin pru vendim, Komiteti Krahnor (natyrisht i partisë), qe rektori e dy prorektorët me dhanë dorëheqja, por mos me i arsytu dorëheqjet, por veç me dhanë dorëheqje “me motiv të përgjegjësisë objektive, përgjegjësisë morale për demonstratat”, demek. Dhe megjithate, prorektori serb qe ishte ni Vladimir Bovan, i kish shkrue nja katër-pesë [4–5] faqe arsyetim, pse p’i jep dorëheqje, mes tjerash tha: “Se ai po jep dorëheqje se... edhepse studentë e tij s’paskan ba demonstrata, s’jon çue n’demonstrata... studentë e mijë, — tha, — s’jon çue n’demonstrata”. Ai studentë tij po i konsideron studentë serb, e ai ishte prorektor i universitetit, jo prorektor i serbëve. Masanej edhe nja pesë-gjashtë [5–6] shpifje, t’pavërteta tjera, krejt t’pavërteta. Ajo salla ku mahej mledhja e pleqësisë s’universitetit ishe plotë me kamera, prej gjitha qendrave televizive t’Jugoslavisë, gazetarë... Edhe kryetari i pleqësisë ka qenë ni profesor i Fakultetit t’Mjeksisë, serb, ni... s’um kujtohet emni tash momentalisht, tha: “Kalojmë n’pikën tjetër.” Une kërkova mos me kalue n’pikën tjetër. Tha: “Jo, jemi marr veshë mos me diskutue!” Thash: “Po ja dhe k’tij... e le me diskutue, edhe arsyetimin...” Tha: “Hajt pra ta ngojmë edhe druga Sekretara.” Ma dha fjalën edhe mue, edhe t’gjitha me argumente ja hudha poshtë, saqë ni shokë kur duelum prej mledhjes, po m’thotë, tha: “A kujtove qi je ma i meçmi ti aty, a?” Thash: “Epo, s’kisha mujtë me kqyrë vetën n’pasqyre, me e pâ, n’qoftëse s’i kisha thanë...” Une e disha që jon krejt t’pavërteta se ai përveç tjerash pat thanë që katedra e gjuhës serbo-kroate dhe letërsisë Jugosllave ka propozue qe Universiteti i Prishtines me pasë emnin “Universiteti Josip Broz Tito”, që s’ishte e vërtetë hiç! “E ka çue me shkrim propozimin!” U thash: “Nuk ôsht e vërtetë, se katedra gjuhës serbo-kroate dhe letërsisë Jugosllave, kur ôsht ardhë Tita n’vizitë n’universitet e kanë bojkotue ardhjen e tinej, prej sallës e kanë kqyrë ardhjen e tinej, s’kanë dalë me pritu khâ, përveç tjerash.” E k’shtu qe, fatkeqësisht erdh koha kur na qiten prej objekteve, mirëpo populli tue dijtë rëndsinë e universitetit, dhe tu qenë i vetëdijshem tashti mâ për rëndsinë e arsimit, i hapi dyert e shpijave, edhe e hapi edhe kuletën, besa; edhe ia pagujshin tre përqindëshin [3%], me t’cilin u mbajt edhe shkollimi i t’gjitha niveleve edhe shëndetësia. K’shtu qe secili fakultet e gjetë bazën në shpijat private, sikurse edhe shkollat e mesme e shkollat fillore.

FK: Po, vitet 90-ta, qysh t’kujtohen?

ZSh: Vitet 90-ta me represione t’vazhdueshme. Represione edhe ndaj intelektualve, sidomos, edhe ndaj institucione arsimore, shëndetsore shqiptare; po edhe me shpifje t’aferave t’ndyrshme, vetëm për t’i burgus e torturu njerz’t. Derisa n’anën tjetër intelektualët të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe doktor Ibrahim Rugova nuk dulun publikisht me kërkesën për “Pavarësim dhe Liri e Demokraci!”, që e kish zakon [Ibrahim] Rugova t’thonte; dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që doli mâ në fund; dhe intervenimit të NATO-s, Kosova mâ n’fund u lirue prej pushtimit policor e ushtarak serb dhe pushtimit klasik tradicional të Sërbisë 100 vjeçare, nashta. Edhe për k’to vite, pas fitimit të lirisë u shpallë Pavarsia e Shtetit, dhe mendojë se jon ba mjaft transformime, por jo aq sa dojm na, për çka duhet t’angazhohemi edhe mâ tutje. Dhe ndoshta edhe klasa politike t’ndryshojnë pak qasjen e problemeve e m’nyrës. Mendoj se nji gabim shum i madh ôsht ba privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, t’ndërmarrjeve të mëdha shoqërore, të cilat pa kritere u shitën dhe pa kushte për t’i pëfitue klasa politike ose t’afërimit e tyne. Por ne duhet t’vazhdojmë mâ tutje, se vetëm puna dhe angazhimi na çon përpara.

FK: Zotni Zeqë, ju falenderojmë shum për kit intervistë, për k’to kujtime që na solle!

ZSh: Faliminderit edhe prej juve! Dëshirë e ime ôsht që kjo t’i shërbej dikuj për t’mirë.